Njihuni me emrat e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit/
NGA FRANZ-LLESH GRISHAJ/*
Simbas Frederick Douglass, “e verteta asht e pershtatshme dhe e bukur ne çdo kohe dhe ne çdo vend. ” Por për fat të keq, kjo e vërtetë kje e kunderta në shtetin tonë Amë dhe nëpër viset tjera shqiptare nën sundimet shoviniste greke dhe sllavo-komuniste-jugosllave. E verteta historike jo vetem që ëshë mohue e lanë n’erresinë por ashtë edhe shtremnue në një mënyrë të pafalshme. Për shembull dokumenti i Shpalljes se Pamvarësisë Shqiptare të vitit 1912 falsifikohet nga historiografët e Akademisë së Shkencave të RPS e të Shqipnisë tue mbulue firmat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Merlika Krujës. 1
Në të njajtën kohë, ata qe patën guximin për të folë, me shkrue ose me veprue te vërtetën janë denue me burg ose vra me gjyq apo pa gjyq nga pushtetmbajtësit. Çka ashtë edhe ma tronditëse ashtë se edhe sot përseritet politizimi i historigrafisë sonë kombëtare. Lufta ma e madhe qe vazhdohet të bahet në Akademinë e Shkencave në Shqipni ashtë botimi i plotë i Historisë së Popullit Shqiptar, sepse te njajtet “historianë” që deri dje përdoren epitete të ndryshme ndaj figurave të shqueme dhe ngritën në Altarin e Kombit figura si Haxhi Qamili me shokë do të ishte një paradoks që të merreshin me pjesën e tretë të historisë së viteve 1913-1939, dhe atë të katertën, të viteve 1939-1991 . Prandaj, kemi një detyrë të madhe morale, para vetvetes, para kombit dhe para së vërtetës historike me folë për të vërtetën. Dhe këtu përdori fjalët e Edward Schillebeeckx, kur tha se “paanësia historike nuk ashtë rindertimi i faktave të kohës së kalueme, por ashtë e verteta e se kaluemes nën dritën e kohës se tashme. ” Në këtë kontekst, çdo njeri qe e don dhe e perkrahë të vërtetën historike ka të drejtë për hirë të se vërtetës me shprehë këtë fakt si një realitet pa mohime, zmadhime, ose ilustrime.
Për këta burra të maleve kreshnike të Malësisë së Madhe që na bashkuan sot në këtë seminar për Rrezistencën stoike te Malit te Kelmendit ku i printe luani i kësaj krahine Prek Cali (Hasanaj-Vermosh), i cili i kushtoi krejt jetën e tij çeshtjes gjithëshqiptare bashkë me fatosat Gjergj Lul Toma (Gjeloshaj-Selce) e Gjek Marash Selca (Tinaj-Selce), të dalluem për luftnat e tyne kundra forcave komuniste nëpër tanë anët e Shqipnisë si dhe për kryengritjen antikomuniste te Malësisë së Madhe të vitit 1945 e udhëhequn prej Major Llesh Marashit të Shkrelit, e para kjo në krejt bllokun komunist – na, bijt dhe bijat e tyne kena përgjegjësi për me paraqitë realitetin historik ashtu sikurse ashtë. Këta burra qe na mësuan si me jetue, me luftue dhe me vdekë për të mirën e Atdheut nuk pritën pasuni, lëvdata, kangë, darka ose shpërblime të ndryshme. Ata vetem iu përgjegjën kushtrimit të Nanës Shqipni te robnume, kushtrim të trashiguem prej t’parvet tynë! Prandej çka ata kërkuen dhe e meritojnë nuk ashtë “rehabilitimi” i tyne! Ata nuk banë ndoj mëkat ndaj atdhuet, por përkundrazi, ata rrokën armët e lirisë për mbrotjen e Shqipnisë, brez mbas brezit. Edhe pse i lindun dhe i rritun jashtë shtetit amë, dhe si autoditakt i shqipës, jam bir i këtyne trevave. Rrjedhimisht, kjo kumtesë me titull: Shkreli dhe Roli i Tij në Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe të Vitit 1945, ashtë për mue si fjala e bukur dhe kuptimplote Amerikane, “a labor of love” [një punim i dashunisë].
Çka kje Shkreli? Dhe kush kjenë shkrelasit qe më gjithë Malësinë e Madhe patën guxim për ti dalë me pushkë pushtetmbajtësit të ri komunist? Historikisht Shkreli si një etno- gjeo-politike, ekonomike dhe shoqnore i përket Malësisë së Madhe dhe radhitet si mali i pestë mbas Hotit, Grudës, Kelmendit, dhe Kastratit. 2 Këto pesë male së bashku me bajraqet e Recit, Lohes, Koplikut, Grizhes, Rrjollit dhe Postripes, përbajnë Malësinë e mbi Shkodrës. 3 Gjithashtu, edhe Triepshi me Kojen (qi Kongresi i Berlinit, 1878, i cungoi prej vilajetit të Shkodrës dhe ja dhuroi padrejtësisht Malit të Zi), shkojnë me Malsinë e mbi Shkodrës.4 Gjeografikisht Shkrelin e ndan Prroni i Thatë dhe kufizohet në veri, nga Bogë-Kelmend, në lindje me Dukagjinin, në jug me Koplikun, Recin dhe Lohen, dhe në perëndim me Bajzën dhe katundin e Kastratit. 5Domethanë se Shkreli shtrihet për se gjatit prej qafës së Grishajve te Zagorës deri në kullën e Ducajve te Bzhetës.
Malësia e Madhe, në përgjithësi ka një histori të lavdishme për mbrojten e interesave kombëtare të Shqipnisë etnike kundër sundimeve turko-otomane dhe serbe-malezeze-jugosllave. Si pjesë e kësaj krahine malore të Shqipnisë së Veriut, Shkreli kje i pandamë prej këtyne trevave të Malësisë së Madhe në betejat e përgjakshme kundër pushtimeve të hueja. Për shembull, në vitin 1614, Shkreli, Hoti, Kelmendi dhe fiset e tjera lidhën besën kundër forcave të Turqisë. 6 Në vitin 1621 Imzot Pjetër Budi organizoi kryengritjën kundër Turqisë, në të cilin mori pjesë edhe Shkreli. 7 Persëri, në 1645 Shkreli dhe Kelmendi në një rezistencë të përbashkët përjashtuen me forcë fuqitë Otomane dhe fituen njifarë lirijet deri më 1700. 8 Në vitin 1835 Dasho Shkreli dhe Hamza Kazazi kjen prisat e forcave antiosmane te qytetit Shkodër. Gjithashtu, në vitin 1840 Dasho Shkreli me qetën e tij mori pjesë në luftën e Kalasë së Shpuzës kundër forcës grabitçare te Malit te Zi e ku heroikisht Dasho Shkreli u vra me gjithë vëllanë Sefon. 9 Në luftën e Kernicës të vitit 1862 edhe Shkrelasit me Shkodrën morën pjesë kundër forcave malazeze, ku mbet i vramë edhe Kaso Shkreli, vëllai i Dasho Shkrelit. 10 Po kështu kur pjesa Katolike e Shkodrës ishte e pernjekun prej ushtrisë osmane, që Shkreli qe u shkoi në ndihmë katolikëvet me ma shumë se 250 vetë. 11 Edhe në Lidhjën Shqiptare të Prizrenti, 1878-1880, mori pjesë bajraktari i Shkrelit, Marash Dashi megjithë krentë tjerë të Malësisë së Madhe, 12 dhe firmuen kërkesa e ndryshme kundra aneksimit te tokave shqiptare nga Mali i Zi. Gjatë vitit 1883 u ba lidhja e burrave të fisevet të Shkrelit, Kastratit, Hotit dhe Grudës për me i ndalue pazarlleqet e komisioneve ndërkombëtare, në vazhdim e sipër me Malin e Zi për grabitjen e trojave shqiptare. 13 Formimi i lidhjes së Shkrelit (”Bashkimi Kombëtare” ose “Lidhja e Mfshehet”) në vitin 1893 prej famullitarit të Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj, me gjithë Abatin e Mirditës, Imzot Preng Docin, Dom Mark Shllakun, Dom Zef Shkrelin, Dom Jak Serreqin, Dom Dodë Kolecin dhe të tjerë për lirimin, bashkimin dhe arsimin tonë kombëtar. Në vitin 1911, me iniciativën e Nikollë Mirash Lucës dhe Gjelosh Gjokës u ba një besëlidhje e re mes Shkrelit dhe Kastratit në shtëpinë e Zef Mirash Shytit, në Dedaj-Shkrel. Prej këndej ata dolën në Bzhetë, te Tomë Nika i Shkrelit, dhe së bashkut me dy djemtë e Tomës, Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, u nisën për Bogë, Rec dhe Lohë tue krijue lidhjen me e luftue okupatorin turk. 15 Në kryengritjen e Malësisë së Madhe, t’udhëhequn nga trimi legjendar i Traboinit, Dedë Gjo’Luli, Shkrelasit jo vetem qe morën pjesë në luftën e përgjakshme në majën e Bratilsë, 16 por edhe patën Tomë Nikën si një prej prisave kryesorë të kryengritjes, 17 dhe nënshkrusi i Memorandumit të Grecës. 18 Kishte me kenë një shtremnim dhe boshllek i madh historik mos me vlerësue këtu edhe ndihmën e pazëvënsushme të barijvet shpirtnorë të këtyne kreshnikëve d. m. th. te klerit katolik i cili qe dhe vazhdoi me qenë gjithmonë krah për krah me besimtarët e tyne si pershembull priftin e Shkrelit, Dom Nikollë Ashten megjithë famullitarët e Kastratit, të Hotit, të Grudes dhe të Kelmendit. 19 Mbas një qëndrese te shkurtë qe bani Shkreli me 25 Maj në sukën e Sterkujes në Dedaj, ushtria e Shefqet Turgut Pashës i dha zjarrin Dedajve dhe Zagores, 20 dhe si hakmarrje ndaj kryengritsave plaçkiten dhe ia vunë flakën krejtë Malësisë së Madhe. 21 Kur Ms. Durhami shkoi personalisht për me pa damin në Bajzë-Kastrat dhe në Shkrel, ajo perdori fjalët Biblike që e përshkruen katastrofën në luginën e Shkrelit “si luginën e hijes së vdekjës”22 (Psalm 23:4). Kastrati dha kushtrim atëherë dhe Shkreli u solidarizuen me ta si vllazën të pandamë, tue luftue trimnisht në Sukat e Moksetit te Bajzës, Kastratit kunder njië force të madhe osmane. 23 Për t’u përmendë ashtë edhe Memorandumi i Hierarkisë së kishës katolike shqiptare të 2 korrikut 1919, dergue Kryesisë se Konferencës se Paqës në Paris kundër copëtimit te tokave shqiptare, e ku ashtë nënshkrimi i famullitarit të Shkrelit, Dom Frano Karma bashkangjitun me firmën e bajraktarit te Shkrelit, Vate Marash Dashi, me gjithë 106 kryefamiljarëve shkrelas. 24 Në luftën e Koplikut (1920/21), mandej, qe Vat Marash Dashi që i prini Shkrelit kundër ushtrisë ndërhyrëse serbo-malezeze-jugosllave, e cila pushtoi Koplikun, Shkrelin, Kastratin dhe Kelmendin. 25 Gjithashtu, duhen përmendë fatosat e Shkrelit qe poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, O. F. M. , i bani të pavdekshëm në vargjet e tij rrapsodike të veprës epike Lahuta e Malcis – Bibla e nacionalizmit Shqiptar! Këta kjen: Kacel Doda26 dhe Kerrni Gila27 të Zagorës, Bajraktari Marash Dashi28 i Vrithit, vllaznit Bec dhe Cul Batani29 të Bzhetës, dhe Rrushman Hasani. 30
Perveç këtyne burrave, duhen me përmendë edhe disa prej meshtarëve që sherbyen në famullinë e Shkrelit e u banë prelatë te shquem si për shembyll Imzot Luigj Bumqi dhe Imzot Gjergj Volaj; Monsinjorët Ndoc Bozhi e Nikollë Ashta; dhe klerikët intelektualë si Dom Ndoc Nikaj, Dom Aleksandër “Lek” Sirdani, Dom Kolec Prenushi, Dom Ndre Zadeja, dhe Dom Nikollë Gazulli. 31 Dhe nuk duhet harrue faktin se mbledhjet e prisave shqiptarë u banë për mborjtjen e Shqipnisë në oborrin e Kishës. 32
Në përgjithësi, ngjarjet historike nuk ndodhen pamvarësisht prej vetvetes, por ato janë reaksion i nderlidhun nga ngjarjet e tjera. Prandaj, për me arritë te kuptojmë kompleksitetin e kryengritjes antikomuniste te Malësisë së Madhe jam i detyruem për me paraqit një lidhje te ngjarjeve nderkombëtare, kombetare dhe krahinore për me arritë në një kuptim të mirëfilltë historik.
Fill mbas pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, 33 Llesh Marashi ikë nga Shkodra dhe del në katundin e tij në Zagore-Shkrel kunder okupatorit, ku e strehojnë vëndasit e tij shkrelas. 34 Gjithashtu, në Zagorën e Llesh Marashit bashkidealistat e tij, Dom Zef Sheshtani, Dr. Bahri Kopliku dhe Zef Logoreci janë aktivistë antifashistë. 35 Në përgjithësi, rezistentët kunder okupatorëve të ri ishin nacionalistë dhe intelektualë të shquem. Një nga këta dallohet Mid’hat Frashëri, krijuesi i Ballit Kombëtar, që jo vetem deshti çlirimin e Shqipnisë, por edhe bashkimin e gjithë trojeve të saja nën një qeveri demokratike. 36 Disa grupe të vogla komuniste që ishin të shpërdame nëpër disa qytete, nuk morën pjesë aktive kundra invazionit fashist derisa Gjermania Naziste sulmoj ushtarakisht Bashkimin Sovietik në 1941 dhe këtë me organizimin e dy emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha që i bashkun grupet nën një parti të vetme komuniste Shqiptare, por gjithnjë nën influencën jugosllave. 37 Me 30 dhe 31 te Korrikut 1943, plas Lufta e Recit (deri tash krejt përvetësue nga regjimi enverian), por e verteta ashtë së pjesa dermuese e luftarëve ishin nacionaliste si Jup Kazazi, Llesh Marashi me çetën e tij, Zenel Kazazi, Ujk Tahiri, Zef Ashta, Rrok Kanto Marashi (nipi i Llesh Marashit), Caf Smajli, Zef Luka, Sokol Bajrami, Metë Rrustemi, Brahim Bishja, Rexhep Lani, Lan Sokoli, Halil Sokoli, Ramë Meti, Qamil Tahiri, Fejzi Boriqi, Isuf Muça, Shaban Binaku, Oso Bishja, Ragip Meta, 38 Sali Myftia, Daut Komi, 39 etj. Depertimi i thellë i influencës sllavo-komuniste u vertetue mbas presionit që Svetozar Vukmanovic-Tempo i bani partisë komuniste shqiptare. Menjëherë Enver Hoxha e denoncoi marrëveshjen e Mukajt (2-3 gusht 1943) te dergatës se Ballit Kombëtar dhe te Lëvizjes Nacionale Çlirimtare, vetem për arsye se nacionalistët kerkuen këtokushte: 1) Nji luftë të përbashkët, 2) Luftë për nji Shqipni te pavarun dhe etnike, dhe 3) Luftë për nji Shqipni të lirë, demokratike dhe popullore. 40 Dhe këtu u nda shapi prej sheqerit! Në shator te 1943, me shtymjën jugosllave, lufta civile në Shqipni fillon me nji sulm të ashper ushtarak kunder Ballit Kombëtar, 41 dhe mandej, kunder forcave te Abaz Kupit (Legalitetit) si dhe te nacionalistëve të tjerë. 42
Mbas kapitullimit t’ Italisë Fashiste, Fronti Nacional Çlirimtar dergon Riza Danin me gjithë profesor Mark Prelën, për të ba një takim me Llesh Marashin, tu e ftue te bashkohet me Lëvizjen anti-fashiste. Lleshi u përgjegj me këto fjalë: “kjo ashë punë qe s’ bahet more burra. Po ju a nuk i keni sytë n’ ballë e s’ e shifni se si komunistat janë tue luejt teater me ju? Nuk e shifni ju se ata udhëhiqen prej serbve? Mlidheni menën e kthejuni n’ rrugë t’ komtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pre krenat! Ju asgja s’ ju lidhë me ta. ”Rizaja ja pret, “mirë qi ti e luftove fashizmin, po prej gjermanve c’ pret? Pse s’ i lufton?” Lleshi ju pergjegj,“ushtria gjermane ashtë kalimtare e ne s’ na hin gjem n’ kambë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e na prej saj kem se shka me perfitue. ” (Këtë bisedë e thotë Mergim Korça, deshmi kjo prej tezës se tij, bashkeshortja e Riza Danit). 43
Jemi në vitin 1944. Perfundimi i luftës së Dytë Botnore ishte e hidhun, sepse fitorja e komunistave ishte krejt e kjart. Mbasi Shqipnia e Veriut me, kryeqytetin e saj te Teutës e Gentit -Shkodrën, kishin pësue gjatë luftimeve shekullore me serbo-malazezët, kjo pjesë e Shqipnisë e kuptoi se komunistat ishin të indoktrinum me ideologjinë bolshevike, që, jo vetem se ishte e huej por edhe sllave. Me 13 Maj në kinema “Rozafat”, 152 përfaqësues të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Postribës, të Anës se Malit, te Gurit të Zi, te Nën-Shkodrës, etj, u mblodhen në Shkodër dhe krijuen Lidhjen e Shkodrës kunder rrezikut sllavo-shqiptar-komunist. 44
Malësia e Madhe, me krahinat e tjera te Shqipnisë së Veriut u organizue për një sulm kunder komunizmit. Prisat e Shkrelit kjen këta: 1) Major Llesh Marash Vata (Marvukaj-Zagore), Qark Komandant i Shkodrës dhe Kryekomandanti që do të kryesonte Kryengrijten e Malesisë se Madhe. Familja e tij ishte ma e dalluemja në krejt Malësinë e Madhe për pregatijen ushtarake. Prej gjashtë djelmëve te Marash Vatës tre prej tyne, Kanti, Gjeka dhe Lleshi, u bënë oficerë, kurse një tjetër ishte oficer reserv, Pjetri. Gjithashtu, dy nipa tue e vazhdua këtë tradit familiare u bënë oficera, Fran Pjetër Marashi, dhe Vat Gjelosh Marashi. Rrok Marashi u shugurue frat dhe nipi Ndoc Gjelosh Marashi prift. 45 2) Pjetër Gjokë Deda (Milaj-Vrithe), z. bajraktar i Shkrelit, trim, besnik e i urtë, simpatik dhe anëtar i shtabit te Llesh Marashit; 3) Nikollë Prekë Gjeka (Dedaj), kryetari i komunës se Shkrelit, i arsimuem dhe i njoftun si orator, guximtar, trim dhe besnik. 46 4) Prekë Lekë Gjoni (Kolaj-Zagore), një ndër djemtë më te zgjedhun të Shkrelit, trim, besnik, i pashem dhe luftar i denjë kunder Komunizmit. 5) Luket Marash Luca, i pagëzuem Lukë, (Grishaj-Zagore), i njoftun në Malësi edhe në Shkodër, e i cili mori pjesë në moshë të re në Kryengritjen e Malësisë, 1911, dhe në luftën e Koplikut. Ai ishte mësus popullor. Gjithashtu, në vitin 1932 ai mori pjesë në delegacionin Kreshnik te Malësisë së Madhe pranë Atit Shejt, Papë Piu XI në Shejtorën e Zojës se Shkodrës, në Genazzo-Itali. 47 Së bashku me këta trima mori pjesë në organizimin e kryengritjes edhe dijetari, poligloti (që zotnonte pesë gjuhë të hueja), fetari, patrioti dhe themeluesi i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, Dom Nikollë Gazuli, që ishte famullitari i Dekanatit të Malësisë se Madhe – Kisha e Shkrelit. 48
Gjatë vjeshtës se vitit 1944, krenët e Kastratit, Gjon Martin Lulati (Ivanaj-Bajzë), Mirot Palok Kokaj (Ivanaj-Bajzë), Nikë Gjelosh Gjokë Dodaj (Pjetroshan-Bajzë), Kolë Llesh Malaj (Ivanaj-Bajzë), Kolë Ujk Osllani (Pjetroshan-Bajzë), etj bashkë me Vasel Pjetër Gjoka që ishte bashkpunëtor i Nikës (kushrinit tij), dhe me krenët e Shkrelit kjen në marveshje për ta shmangë rrezikun që e kërcenonte mbarë popullin shqiptar. Takimet e shpeshta të tyne u zhvilluen në shtëpinë e Luket Marash Grishaj, një ndër qendrat e bisedimave ndermjet këtyne dy maleve. 49
Në katundin Ivanaj në Bajzë, me 24 dhjetor 1944 në shtëpinë e Gjokë Tomë Kokaj u zhvillue mbledhja e krenvet te Kastratit, thotë Vasel Pjetër Gjoka e ku morën pjesë edhe krenët e Shkrelit, dhe ku të gjithë lidhen besën për me e luftue komunizmin. 50 Në fund te dhetorit, Llesh Marashi u nis prej Zagoret dhe shkoi në katundin Brojë, me u takue me krenët e Kelmendit, si Kolë Gjon Bajraktarin, Franë Gjergj Uçin, Gjergj Lul Toma, Gjekë Marash Selca etj. Aty vëndosen se Selca, Nikqi dhe Vukli me e ndalue turrin e Brigadës së Parë. 51 Dhe me datën 15 Kallnuer 1945 filloi rezistenca e përgjakshme e Petritave te Kelmendit kundër bishës së terbueme komuniste. 52
Nderisa Kelmendi luftonte heroikisht, me qendresë të pashembullt, Kuvendi i Maleve u caktue në Poicë, në katundin Dedaj-Shkrel, në shtëpinë e Rrok Nikollë Zefit tre ditë ma vonë (me 18 Kallnuer 1945) për me caktue datën për një sulm të përgjithshëm. 53 Morën pjesë Llesh Marashi me Shtabin e tij, Marash Kolë Mali (Vojvoda i Dedajve) me gjithë kumbarën Nikollë Zefi, Luket Marash Grishaj, Pal e Dedë Thani nga Dukagjini, 54 Gjelosh Luli, Pjetër Gjokë Bajraktari, Nikollë Prekë Dedaj, Dom Nikollë Gazulli, Gjon Martin Lulati, Mirot Paloka, dhe Caf Smajli me disa Lohjanë. 56 Per arsyena jo të kjarta munguen perfaqsuesit e Shkodrës dhe të Postribës, ndonëse jo vetem Malësia e Madhe por edhe Shkodra, Postriba dhe nën-Shkodra ishin në bashkpunim me Llesh Marashin për një kyrengrijtje te armatosun, ku mbas tubimit Llesh Marashi me shokë u nisën për ne Grishaj te Luket Marashi dhe do në Cukaj te Zef Nikë Colaj dhe Gjergj Prelë Colaj, e ku qendruen deri kur plasi pushka para afatit të caktuem, me 23 Kallnuer 1945.
Komandanti i Postkomandës se Bajzës Jonuz Naci (Aliaj-Bajze) dha urdhen qe të niset një toge partizanësh për në Grishaj-Zagores, për me arrestue Luket Marashin qe ishte nën shikimin e komunistavet prej kohesh, nën komandën e Gjosh Nikës (Vuçetaj-Bajzë) te cilët iu ngjitën brisës se Jeranit për në Grishaj. Aty, barijtë e vendit ishin te porositun prej Luketit që te lajmërojnë çdo lëvizje që bahet prej ma shumë se pesë ose gjashtë vetash. Kur partizanët erdhën në fund te brises se Jeranit barijtë në shpejtësi shkuen me lajmrue Shtabin nacionalist, se komunistat janë tue iu ngjitë malit për në Grishaj. Menjëherë, Llesh Marashi lajmëroi luftarët qe të bëheshin gati, me dalë prej ku ishin në Grishaj dhe me shkue në Cukaj, me u bashkue me shokët e tjerë, dhe prej andej me u nisë për në Poice. Kur u bashkue Shtabi në Cukaj, u bisedue shkurtimisht, mbasi nuk priste koha. Dhe ndodhi një mosmarreveshje për sa i përket drejtimit, se ku me shkue Shtabi. Disa thoshin,“ma mirë për në Stol, ” kurse të tjerët, “ma mirë për në Poice, ” qe ishte propozue nga vetë Llesh Marashi. Si perfundim, trimat Gjon Martin Lulati dhe Mirot Paloka ngulën kambë se nuk do te kthehemi mrapa prej komunistave, dhe se do ta fillojshin pushkën, ata qiten pritat në vendin stratigjik, prej kah do të vijshin partizanët në Grishaj. Llesh Marashi dhe Luket Marashi nuk u pajtun me këtë mendim, tue thanë, se sulmi ishte pesë ditë parakohet, por pjesa dermeuse vendosi, ose sot ose kurrë! Dhe ashtu u bë. Partizanët u njitën në Grishaj dhe u banë një rrethim shtëpive. Gjosh Nika me tre ushtarë iu afrue shtëpisë se Luket Marashit dhe fjalët e para qe tha kjenë: “A ashtë Luket Marashi këtu? Ku gjendet?” Axha i tij, Franë Luca, tue mendue se Shtabi iku prej Çukajve, u përgjergj: “Luketa nuk ashtë neë shpi, por noshta ashtë te shokët tonë në Cukaj. ” Gjoshi atëherë e nisi Franë Lucën me dy partizanë për në Cukaj. Sa u nis Franë Luca me ta, partizanët i zbuluan rojet e kryengritësave dhe në atë çast plasi pushka. Një pjesë e partizanëve sulmuen dhe të dy palët u ndeshën grykë për gryke. Në pushkët e para u plagosen Pjetër Gjokë Hoti (nipi i Gjon Martin Lulati, i cili mbas disa diteve vdiq në Bajzë), Gjosh Nika me dy partizanë të tjerë mbetën të plagosun. Mbas një luftimi të rrept, fuqitë partizane u thyen dhe për shpetim afër pesëmbëdhjetë ushtare u futën nëpër shtëpitë e Grishajve dhe u dorëzuen. Llesh Marashi urdhëroi qe tu merren armët dhe të lihën të lirë. Thuhet, se disa prej tyne shkuen me fuqit e kryengritjes për në Bajze (marrë prej Llesh Luket Grishaj që ishte një ndër ata që furnizonte bashkë me familje luftarët e lirisë dhe ai vetë e perjetoi këtë ngjarje). 57
Kështue filloi kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe me 23 Kallnuer te vitit 1945. Forcat e kryengritjes zbritën në Bajzë, ku mbas një përpjekjeje t’ashper morën Postkomandën ku Zef Tomë Ceka i Shkrelit u vra ballëpërballë me Januz Nacin. Edhe Lulash Cuk Curanaj (Uldedaj-Bajzë) mbet i vdekun. Mbas marrjes se Postkomandës, luftarët e lirisë u grumulluen te oborri i Kishës së Bajzës, ku Franqeskani patriot Pater Ciril Cani rrahu kumbonet e kishës në shenjë kushtrimit dhe i bani lutje Zotit me iu pri mbarë forcave nacionaliste. Në të njejtën kohë, edhe me bekimin e famullitarit te Shkrelit, Dom Nikollë Gazulit, Kolë Nikë Prela Marcinaj (Cekdedaj-Bzhetë) u ra kumonëve për me mobilizue Shkrelin në luftë. Burrat e Shkrelit u nisën për me u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik. Tue dijtë rrezikun, Komisari i Rrethit te Malësisë së Madhe, Çun Januzi (i biri i Januz Nacit), u nis për në Shkodër për me i përballue kryengritësat. Mbas një qëndrese në Koplik këta u nisën për në Shkodër. Forcat partizane lajmërue prej Cun Januzit, zunë pozicion te Ura e Rrjollit. Aty u zhvillue beteja ma e ashper dhe vendimtare për kryengritjen ku trimënisht u vranë Gjon Martin Lulati dhe Mirote Paloka, dhe u plagosen shumë të tjere. 58 Ndër kohë, te kisha e Shkrelit luftoi Marash Tomë Gjeloshi (Makaj-Bzhetë) kundra një toge te njekjës dhe u vra tue luftue me gjithë Luigj Kolë Shetajn, Mirash Gjonin e Prekë Kolën. 59 Mbas luftimesh të rrepta, kryengritësit u tërhoqen në male, ku kishin shpresë se vëllaznit e tyne malësorë me gjithë forca të tjera nacionaliste te Shkodrës dhe krahina tjera, do te organizoheshin për një kundersulm , edhe pse kryengritja filloi para kohet. Në këtë kohë, simbas Vasel Pjetër Gjokës, disa luftëtarë të Hotit ishin pregaditë për me u hjedhë në luftë por Kadri Deli Meta (Bajraktari i Hotit) nuk i la me marrë pjesë, tue thanë: “Na jemi tue u mundue me i ndalë vrasjet, e kush e ka fillue, e pastë për vedi, e ju ne me ndigjoshi mue, nuk shkoni në at vend. ”60 Porosia e Kadriut kje e randë edhe për Hotin, sepse ai nuk mori parasysh se trimi i shtëpisë se Dedë Gjo’ Lulit, Gjelosh Luli, ishte në bashkpunin me mikun e tij të ngushtë Llesh Marashin kundra komunizmit. Rrjedhimisht, ai qendroi në Kastrat i strehuem te probatimi i tij, Marash Doda dhe në Traboin te vllaznit Mark e Kolë Miri (Dedvukaj-Hot). Këtu forcat e Toger Babës torturuen Kolë Mirin tue pjekë në hell, për me gjetë prej tij se ku ishte Gjelosh Luli, dhe vetem me ndihmën guximtare te trimit Marash Lushk Gjoni (Dushaj-Hot), Kolë Miri muejti me u ikë prej durve të tyne. 61
Në mal qendruen luftarët e Shkrelit dhe të Kastratit. Si ndeshkim për pushkët e para qe krisen në shtëpinë e Luket Marashit, Çun Januzi qoi vëllanë e tij, Qelën, misioni i të cilit ishte me e burgosë familjën e Luketës së bashkut me gjithë robët e axhave të tij (Zef e Franë Luca). Ata plaçkiten dhe djegën shtëpinë sikurse pat ba turku me 1911 dhe shkjau me 1913. Shtëpia e Luket Marashit kje e parë në Shkrel dhe Kastrat së cilës komunistat ia vunë zjarrin, 62 për të cilin shkrimtari dhe historiani i mirëfilltë Uran Butka, tha: “vullkan u pa shtëpia e Luket Marashit, qe ishte një potencial i madh bese e burrërie në Malësinë e Madhe. ” 63 Kështu filloi hakmarja ndaj Malësisë së Madhe!
Viti i 1945 kje i vështirë edhe për atë pjesë të Malësisë së mbi Shkodrës qe mbetën nën okupacionin Malazias, sidomos për Hotin dhe Grudën, ku për te nënshtrue Malësorët, Bajo Stankoviqi do të bashkpunonte me Toger Babën dhe me Petro Bullatoviqin. komunistët jugosllavë do te këndonin, “Tito-Enver-Stalin, Trisine, ” kurse komunistët shqiptarë, “Enver-Tito-Stalin, jemi të gjithë për një betim!” Bajo Stankoviqi qe kishte danën e hekurt kundra kësaj zone, filloi me arrestue malësorët. I biri i Prekë Tomë Ujkes (Selisht-Grude) Luc Preka Lulgjuraj me kushrinin e tij, Mirash Zef Kola u kthyen prej Kelmendit (ku ishin luftëtarë vullnetarë) dhe dhanë kushtrimin për me ndihmue vllaznitë malësorë të Kelmendit, Shkrelit dhe Kastratit. 64 Në atë kohë, vdiq Shab Smaku Berisha dhe në hatrin e tij në Priften-Grudë u caktue një bashkim për me bisedue për luftimet qi ishin zhvillue kundra komunizmit në Malësinë e Madhe dhe viset tjera në Shqipni. 65 Dhe në këtë hater Luc Preka Lulgjuraj lexoi letrën e Prekë Calit qi mes të tjerash thonte, “… Kush e nie vetin Shqiptar dhe beson në Zotin, i baj therrje te dalin në nime Kelmendit dhe te Malësisë së Madhe kunder kumunizmit!”66 Për fat të keq, rrethanat kjenë faktori për të cilin paria e Grudës dhe e Hotit nuk muejti me marrë pjesë në këtë bisedim, sepse ishin ndermjet dy zjarresh. Nji pjesë e Rapshes dhe krejt Troboini, me gjithë Grudën, mbeten prap nën-pushtimin jugosllav, ku Bajo Stankoviqi me partizanët e tij terrorizuen malësorët, ndërsa n’anën tjetër kjenë Toger Baba me gjithë jugosllavin Petro Bullatoviq. 67Kështu, aleanca e pathyeshme gjatë pesë shekujsh e nepërmjet luftnash të përgjakshme për lirinë dhe integritetin tokësor shqiptar u këput në Malësinë e Madhe!
Në Fruer t’atij viti, komunistat jugosllavë arrestuen famullitarin e Traboinit, At Leonard Tagaj (i quejtun Patër Zefi nga malësorët) me Pjetër Zekun Camajn (kushëri me Smajl Mark Lulin) dhe Vasel Mirash Camajn (Vojvoda i Vuksanajve). Këta u pushkatuen pa proçes juridik. 68 Fillë mbas këtyne, Gjelosh “Losh” Gjokë Lajcaj (djali i hallës i Luket Marashit) shkoi në Selisht të kumbara i tij dhe dashamir i Luketës, Zef Miliqi Lulgjuraj me qëllim për me strehue dy djemtë e Luketës (Palokën dhe Dedën) dhe kushrinin e tij (Prel Franë Grishajn) qe ishin në Hot. Edhe këtu Bajo Stankoviqi arrestoi në Selisht Luc Prekën për veprimtarinë e tij antikomuniste, bashkë me dy vëllaznit e tij, Dodë dhe Gjergj Lulgjuraj, Kolë Gjel Cakun (Ujkaj-Treipsh), dhe Zef Miliqin e Gjelosh Gjokë Lajçajn dhe i pushktatuen të gjithë pa gjyq, te kisha e Grudës (këtë ngjarje e dijmë prej nipit te Gjelosh Gjokës, Vasel Pjetër Lajçaj). 69 Si shenim, vlenë për tu përmendë, se në kohën e Inform-Byrosë Bajo Stankoviqi kërkon strehim politik në Shqipni dhe Enver Hoxha menjëherë e prenoi tue shperblye barbarizmin e tij ndaj shqiptarëve nën Mal të Zi dhe e emnoi Kryetar i Zyrës se Rrefugjatëve të nënshtetasve jugosllavë në Shqipni, ku pjesa dermuese kjenë shqiptarë. 70
Në pranverë, po t’vitit 1945, Toger Baba i shoqnuem nga partizani i vendit, Nikollë Mirash Gjonaj shkoi në Drume-Hot tue kerkue me arrestue Shkodranin Gjysh Pistullin me Vasel Pjetër Gjonaj. Në mënyrë barbare u torturuen Marash Uc Gjonaj, Franë Pjetër Gjonaj (vëllaun e Vaselit), Lene Kolën Gjonaj (kushrina e Vaselit), dhe u muer në hetusi Gjeto Dedë Vatë Gjonaj. 71
Gjatë viteve 1945-46 kishin mbetë vetem disa çeta luftare, që ndiqeshin prej forcave komuniste. Të tjerët u pushkatuen, u burgosen, u internuen, ose prej rrethanavet te njohuna u dorëzuen. Në fillim te 1946, Prekë Lekë Gjoni, me vëllanë Pashkun u rrethuen nga brigada partizane, por nuk u dorëzuen dhe në Bjeshkë, mbi Kronin e Kurriles së Dedajve u vranë mbasi qendruen heroikisht. 72
Po atë vit, dijetari dhe patrioti Dom Nikollë Gazulli u vra prej forcave te sigurimit. Gazeta Komuniste “Kohe e Re” e Shkodrës trumbetoi, “Me datën 23 mars 1946 vritet Dom Nikollë Gazulli në Sukë te Madhe, Katundi i Kastratit në Nën/Prefekturën e Koplikut, bashkëpuntor i Llesh Marashit, tradhëtar i popullit. ” 73
Per 18 muej rresht, Luket Marashi qendroi në rezistencë për mos ra në duert e sigurimit të shtetit. Një ndihmë të madhe për qëndresen e Luketës dhanë miqët e tij, shpeshherë tue e strehue dhe tue e furnizue me ushqime. Në një rrethim te forcave ndjekëse në Kastrat, ai u plagos tue ça rrethimin. Trupi i tij, gjysëm i dekompozum, u gjet të Premtën e Madhe, 1946, tek brija e Kastratit në Gurët e Bardhë, prej kushëririt të tij Gjon Zefi bashkë me të jatin Zef Luca (axha i Luketës). 74
Në arrati qendruen edhe Llesh Marashi me Pjetër Gjokë Bajraktarin dhe Rrok Kantin, me bazë në Bjeshkët e Vrrithit. Këtu forcat e ndjekjës i zbuluen dhe i rrethuen. Pjetër Gjokë Bajraktari u plagos randë, Rrok Kanti tentoi me vra veten për mos me u dorëzue. Lleshi u dorëzue me kusht qe mos ta vrisnin Pjetrin e Rrokun. 75Mbas kapjes se tyne gazeta “Kohe e Re” i njoftoi lexuesit se Gjykata Speciale do te zhvillonte procedurën kundër Llesh Marashit dhe shokëve të tij t’akuzuem si “tradhtarë” dhe “bashkëpuntorë” me anmiqë të huej. Gjyqi filloi me 10 Korrik, 1946, në Kinema “Rozafat” dhe perfundoi me 17 Korrik, me këtë: “Llesh Marashi dënohet me vdekje, me varje në litar. ” Ai u var te Dugajat e Reja në Shkodër. Po me te njajtin vendim, u denue me pushkatim edhe një prijës tjetër i Shkrelit, Nikollë Prekë Dedaj dhe Dom Alfons Trackin (famillutari i Velipojës, ku pjesa dermuese e famullisë ishin Shkrelas t’ulun prej malit) si bashkpuntorë i Lleshit. 76
Me deshtimin e Kryengrijtjes se Malësisë së Madhe filloi kalvari i Malësisë te mbi Shkodrës, që mbeti nji ndër krahinat ma të përnjekuna dhe te terrorizume në të gjithë Shqipninë prej regjimit Stalinist-Enverian. Si përfundim, kujtojmë fjalët e John Adamsit që tha: “Detyrimet tona ndaj atdhuet nuk pushojnë derisa te jena gjallë. ” Dhe, me të vërtetë, shpirti liridashës i malësorit nuk u perkul, por përkundrazi u ba fli për idealin e naltë të nacionalizmit shqiptar, që do të thotë – ideja Kombëtaro-Shqiptare!
Pra, tue i rikujtue edhe njiherë fjalët e Schillenbeeck-ut, e besoi qe ashtë e kjartë, se kush i sherbeu lirisë, kombit, fesë dhe atdhuet.
I përjetshëm kjoftë kujtimi i tyne!
Lista emnore e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit. 77
Vrrith:
1) Pjetër Gjokë Deda Milaj, Bajraktar 101 vjet burg
2) Preq Pjetër Vulaj Vdekje prej torturave
3) Mirash Gjoka Arratisë, varrue dhe vdekë në Jugosllavi
4) Martin Franë Popaj Vra
5) Kolë Tomë Deda Vra
6) Gjokë Dedë Milaj Vdekë në internim (Berat)
7) Franë Cul Kroni 20 vjet burg
8) Prekë Gjergj Milaj 10 vjet burg
9) Pjetër Prekë Pacaj Burgim, djegë shtëpia
10) Gjergj Kolë Luca Burgim
11) Gjeto Prekë Ramaj Burgim
12) Lukë Mac Tucaj Burgim
Bzhete:
1) Mark Tomë Gjeloshi (Makaj) Vra në rezistencë
2) Nikollë Zef Patanaj Vra me forcat partizane
3) Prel Tomë Makaj 101 vjet burg
4) Kolë Nikë Marcinaj 25 vjet, vdekë në burg
5) Gjon Lekë Mirukaj 20 vjet burg, torturohet, vdes
6) Zef Murran Luca 25 vjet burg
7) Franë Zef K. Gjeli 25 vjet burg
8) Gjeto Lekë Miruka 25 vjet burg
9) Prel Tomë Gjeloshaj 20 vjet burg
10) Pjetër Lekë Mirukaj 20 vjet burg
11) Gjokë Zef Cekaj 15 vjet burg
12) Marash Zef Cekaj 10 vjet burg
13) Gjelosh Nikë Vukelaj 5 vjet burg
14) Pashko Vat Malota Burgim, djeg shtepia
15) Tomë Franë Brrakaj Burgim
16) Prel Vat Malotaj Burgim
17) Lulash Palok Vrucaj Burgim
18) Tereze Prekë Xhaj Torturohet në mënyrë çnjerëzore, dhe
(motra e Nikollë Prekë Dedaj) heroikisht nuk e tregon vëllanë.
Dedaj:
- Nikollë Prekë Dedaj Pushkatue me Dom Alfons Tracki etj.
- Gjokë Koka Pushkatue
3) Prekë Gjon Dedaj Pushkatue
4) Mirash Gj. Sokolaj Pushkatue
5) Pjetër Kolë Sokolaj Pushkatue
6) Mark S. Sokolaj 20 vjet burg, djegë shtëpia
7) Marash Kolë Mali, vojvode 3 vjet burg
8) Marash Kolë Stake Burgim
9) Kolë Tomë Stake Burgim, djegë shtëpia
10) Gjelosh Martini Burgim
11) Zef Mali Burgim
12) Gjek M. Sokoli Burgim
13) Rrok Nikollë Zefi Burgim
Zagore:
1) Major Llesh Marashi Varje në Konop, djegë shtëpia
2) Luket Marash Grishaj Vra në mal, djegë shtëpia
3) Prekë Lekë Kolaj Vra në mal, djegë shtëpia
4) Pashko Lekë Kolaj Vra në mal
5) Dan Coli Vucaj Vra kundra partizanët (Kisha e Lezhës)
6) Franë Pjetër Marashi Pushkatue
7) Ndue Gjelosh Marashi Pushkatue
8) Nrekë Pjetër Zef Culaj Pushkatue
9) Mark Gjokë Leknikaj Vdekë në burg
10) Rexhë Mehmet Vucaj Vdekë në burg
11) Gjelosh Marashi 101 vjet burg
12) Edvard Llesh Marashi Burg, lirohet pasi ja pret dy këmbet
13) Rrok Kanto Marashi 10 vjet burg, internim deri 1990
14) Pjetër Marashi Burgose, vdes pas daljes
15) Mark Gjelosh Marashi 10 vjet burg
16) Kolë Nikë Colaj 10 vjet burg
17) Mirash Prec Grishaj 10 vjet burg
18) Prel Gjelosh Marashi 7 vjet burg
19) Gjelosh Ndoc Marashi 7 vjet burg
20) Marash Vat Gjelosh Marashi 7 vjet burg
21) Franë Luc Grishaj Burgim, torturue, 3 vjet burg
22) Brahim Xhigji Vucaj Burgim
23) Sadri Zekë Leknikaj Burgim
24) Dyl Qerim Leknikaj Burgim
25) Prec Curri Grishaj Burgim
26) Zef Luc Grishaj Burgim
27) Prel Franë Grishaj Burgim
28) Palok Luket Grishaj Burgim, internim
29) Dedë Luket Grishaj Burgim
30) Familja e Llesh Marashit (gra e femijë) internim në Berat (afer 2 vjet).
31) Familja e Luket Marashit (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës dhe internim ne Berat (së bashku 16 mujë).
32) Familjet e Zef e Franë Luc Grishaj (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës.
33) Palok Luket Grishaj internohet për të dytën herë në Saver, prej vitit 1957 deri 1990 (internim me familja), ku edhe vdes në internim.
Famullitari i Kishës Shkrelit:
1) Dom Nikollë Gazulli Vra nga forcat e ndjekjës komuniste në vitin 1946
Meshtarët që i sherbyn famullisë së Shkrelit dhe vdiqën nga Komunizmi:
1) Dom Ndre Zadeja Pushkatue në vitin 1945
2) Dom Gjergj Volaj (Imzot) Pushkatue në vitin 1947
3) Dom Pjetër Quni Vdekë prej torturave në vitin 1948
4) Dom Aleksander Sirdani Vdekë prej torturave në vitin 1948
6) Dom Ndoc Nikaj Vdekë në burg në vitin 1951
7) Dom Pjetër Gruda Vdekë në burg në vitin 1989
Shenim: Shkrimi që vijon është paraqitur për të parën herë në Simpoziumin Shkencor për 60 Vjetorin e Rezistencës dhe Kryengritjes anti-komuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, në sallën “At Gjergj Fishta” të kisha katolike shqiptare të Shen Palit në Rochester Hills, Michigan, U. S. A. , me 6 Fruer 2005. Autori me kënaqësi ia dorëzon për botim Këshillit Organizues për Ndriqimin e Historisë Shqiptare.*Kortezi-Albemigrant