• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE TË VITIT 1945

January 6, 2019 by dgreca

 

Njihuni me emrat e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit/

1 a franz-llesh-grishaj

NGA FRANZ-LLESH GRISHAJ/*

Simbas Frederick Douglass, “e verteta asht e pershtatshme dhe e bukur ne çdo kohe dhe ne çdo vend. ” Por për fat të keq, kjo e vërtetë kje e kunderta në shtetin tonë Amë dhe nëpër viset tjera shqiptare nën sundimet shoviniste greke dhe sllavo-komuniste-jugosllave. E verteta historike jo vetem që ëshë mohue e lanë n’erresinë por ashtë edhe shtremnue në një mënyrë të pafalshme. Për shembull dokumenti i Shpalljes se Pamvarësisë Shqiptare të vitit 1912 falsifikohet nga historiografët e Akademisë së Shkencave të RPS e të Shqipnisë tue mbulue firmat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Merlika Krujës. 1

Në të njajtën kohë, ata qe patën guximin për të folë, me shkrue ose me veprue te vërtetën janë denue me burg ose vra me gjyq apo pa gjyq nga pushtetmbajtësit. Çka ashtë edhe ma tronditëse ashtë se edhe sot përseritet politizimi i historigrafisë sonë kombëtare. Lufta ma e madhe qe vazhdohet të bahet në Akademinë e Shkencave në Shqipni ashtë botimi i plotë i Historisë së Popullit Shqiptar, sepse te njajtet “historianë” që deri dje përdoren epitete të ndryshme ndaj figurave të shqueme dhe ngritën në Altarin e Kombit figura si Haxhi Qamili me shokë do të ishte një paradoks që të merreshin me pjesën e tretë të historisë së viteve 1913-1939, dhe atë të katertën, të viteve 1939-1991 . Prandaj, kemi një detyrë të madhe morale, para vetvetes, para kombit dhe para së vërtetës historike me folë për të vërtetën. Dhe këtu përdori fjalët e Edward Schillebeeckx, kur tha se “paanësia historike nuk ashtë rindertimi i faktave të kohës së kalueme, por ashtë e verteta e se kaluemes nën dritën e kohës se tashme. ” Në këtë kontekst, çdo njeri qe e don dhe e perkrahë të vërtetën historike ka të drejtë për hirë të se vërtetës me shprehë këtë fakt si një realitet pa mohime, zmadhime, ose ilustrime.

Për këta burra të maleve kreshnike të Malësisë së Madhe që na bashkuan sot në këtë seminar për Rrezistencën stoike te Malit te Kelmendit ku i printe luani i kësaj krahine Prek Cali (Hasanaj-Vermosh), i cili i kushtoi krejt jetën e tij çeshtjes gjithëshqiptare bashkë me fatosat Gjergj Lul Toma (Gjeloshaj-Selce) e Gjek Marash Selca (Tinaj-Selce), të dalluem për luftnat e tyne kundra forcave komuniste nëpër tanë anët e Shqipnisë si dhe për kryengritjen antikomuniste te Malësisë së Madhe të vitit 1945 e udhëhequn prej Major Llesh Marashit të Shkrelit, e para kjo në krejt bllokun komunist – na, bijt dhe bijat e tyne kena përgjegjësi për me paraqitë realitetin historik ashtu sikurse ashtë. Këta burra qe na mësuan si me jetue, me luftue dhe me vdekë për të mirën e Atdheut nuk pritën pasuni, lëvdata, kangë, darka ose shpërblime të ndryshme. Ata vetem iu përgjegjën kushtrimit të Nanës Shqipni te robnume, kushtrim të trashiguem prej t’parvet tynë! Prandej çka ata kërkuen dhe e meritojnë nuk ashtë “rehabilitimi” i tyne! Ata nuk banë ndoj mëkat ndaj atdhuet, por përkundrazi, ata rrokën armët e lirisë për mbrotjen e Shqipnisë, brez mbas brezit. Edhe pse i lindun dhe i rritun jashtë shtetit amë, dhe si autoditakt i shqipës, jam bir i këtyne trevave. Rrjedhimisht, kjo kumtesë me titull: Shkreli dhe Roli i Tij në Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe të Vitit 1945, ashtë për mue si fjala e bukur dhe kuptimplote Amerikane, “a labor of love” [një punim i dashunisë].

Çka kje Shkreli? Dhe kush kjenë shkrelasit qe më gjithë Malësinë e Madhe patën guxim për ti dalë me pushkë pushtetmbajtësit të ri komunist? Historikisht Shkreli si një etno- gjeo-politike, ekonomike dhe shoqnore i përket Malësisë së Madhe dhe radhitet si mali i pestë mbas Hotit, Grudës, Kelmendit, dhe Kastratit. 2 Këto pesë male së bashku me bajraqet e Recit, Lohes, Koplikut, Grizhes, Rrjollit dhe Postripes, përbajnë Malësinë e mbi Shkodrës. 3 Gjithashtu, edhe Triepshi me Kojen (qi Kongresi i Berlinit, 1878, i cungoi prej vilajetit të Shkodrës dhe ja dhuroi padrejtësisht Malit të Zi), shkojnë me Malsinë e mbi Shkodrës.4 Gjeografikisht Shkrelin e ndan Prroni i Thatë dhe kufizohet në veri, nga Bogë-Kelmend, në lindje me Dukagjinin, në jug me Koplikun, Recin dhe Lohen, dhe në perëndim me Bajzën dhe katundin e Kastratit. 5Domethanë se Shkreli shtrihet për se gjatit prej qafës së Grishajve te Zagorës deri në kullën e Ducajve te Bzhetës.

Malësia e Madhe, në përgjithësi ka një histori të lavdishme për mbrojten e interesave kombëtare të Shqipnisë etnike kundër sundimeve turko-otomane dhe serbe-malezeze-jugosllave. Si pjesë e kësaj krahine malore të Shqipnisë së Veriut, Shkreli kje i pandamë prej këtyne trevave të Malësisë së Madhe në betejat e përgjakshme kundër pushtimeve të hueja. Për shembull, në vitin 1614, Shkreli, Hoti, Kelmendi dhe fiset e tjera lidhën besën kundër forcave të Turqisë. 6 Në vitin 1621 Imzot Pjetër Budi organizoi kryengritjën kundër Turqisë, në të cilin mori pjesë edhe Shkreli. 7 Persëri, në 1645 Shkreli dhe Kelmendi në një rezistencë të përbashkët përjashtuen me forcë fuqitë Otomane dhe fituen njifarë lirijet deri më 1700. 8 Në vitin 1835 Dasho Shkreli dhe Hamza Kazazi kjen prisat e forcave antiosmane te qytetit Shkodër. Gjithashtu, në vitin 1840 Dasho Shkreli me qetën e tij mori pjesë në luftën e Kalasë së Shpuzës kundër forcës grabitçare te Malit te Zi e ku heroikisht Dasho Shkreli u vra me gjithë vëllanë Sefon. 9 Në luftën e Kernicës të vitit 1862 edhe Shkrelasit me Shkodrën morën pjesë kundër forcave malazeze, ku mbet i vramë edhe Kaso Shkreli, vëllai i Dasho Shkrelit. 10 Po kështu kur pjesa Katolike e Shkodrës ishte e pernjekun prej ushtrisë osmane, që Shkreli qe u shkoi në ndihmë katolikëvet me ma shumë se 250 vetë. 11 Edhe në Lidhjën Shqiptare të Prizrenti, 1878-1880, mori pjesë bajraktari i Shkrelit, Marash Dashi megjithë krentë tjerë të Malësisë së Madhe, 12 dhe firmuen kërkesa e ndryshme kundra aneksimit te tokave shqiptare nga Mali i Zi. Gjatë vitit 1883 u ba lidhja e burrave të fisevet të Shkrelit, Kastratit, Hotit dhe Grudës për me i ndalue pazarlleqet e komisioneve ndërkombëtare, në vazhdim e sipër me Malin e Zi për grabitjen e trojave shqiptare. 13 Formimi i lidhjes së Shkrelit (”Bashkimi Kombëtare” ose “Lidhja e Mfshehet”) në vitin 1893 prej famullitarit të Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj, me gjithë Abatin e Mirditës, Imzot Preng Docin, Dom Mark Shllakun, Dom Zef Shkrelin, Dom Jak Serreqin, Dom Dodë Kolecin dhe të tjerë për lirimin, bashkimin dhe arsimin tonë kombëtar. Në vitin 1911, me iniciativën e Nikollë Mirash Lucës dhe Gjelosh Gjokës u ba një besëlidhje e re mes Shkrelit dhe Kastratit në shtëpinë e Zef Mirash Shytit, në Dedaj-Shkrel. Prej këndej ata dolën në Bzhetë, te Tomë Nika i Shkrelit, dhe së bashkut me dy djemtë e Tomës, Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, u nisën për Bogë, Rec dhe Lohë tue krijue lidhjen me e luftue okupatorin turk. 15 Në kryengritjen e Malësisë së Madhe, t’udhëhequn nga trimi legjendar i Traboinit, Dedë Gjo’Luli, Shkrelasit jo vetem qe morën pjesë në luftën e përgjakshme në majën e Bratilsë, 16 por edhe patën Tomë Nikën si një prej prisave kryesorë të kryengritjes, 17 dhe nënshkrusi i Memorandumit të Grecës. 18 Kishte me kenë një shtremnim dhe boshllek i madh historik mos me vlerësue këtu edhe ndihmën e pazëvënsushme të barijvet shpirtnorë të këtyne kreshnikëve d. m. th. te klerit katolik i cili qe dhe vazhdoi me qenë gjithmonë krah për krah me besimtarët e tyne si pershembull priftin e Shkrelit, Dom Nikollë Ashten megjithë famullitarët e Kastratit, të Hotit, të Grudes dhe të Kelmendit. 19 Mbas një qëndrese te shkurtë qe bani Shkreli me 25 Maj në sukën e Sterkujes në Dedaj, ushtria e Shefqet Turgut Pashës i dha zjarrin Dedajve dhe Zagores, 20 dhe si hakmarrje ndaj kryengritsave plaçkiten dhe ia vunë flakën krejtë Malësisë së Madhe. 21 Kur Ms. Durhami shkoi personalisht për me pa damin në Bajzë-Kastrat dhe në Shkrel, ajo perdori fjalët Biblike që e përshkruen katastrofën në luginën e Shkrelit “si luginën e hijes së vdekjës”22 (Psalm 23:4). Kastrati dha kushtrim atëherë dhe Shkreli u solidarizuen me ta si vllazën të pandamë, tue luftue trimnisht në Sukat e Moksetit te Bajzës, Kastratit kunder njië force të madhe osmane. 23 Për t’u përmendë ashtë edhe Memorandumi i Hierarkisë së kishës katolike shqiptare të 2 korrikut 1919, dergue Kryesisë se Konferencës se Paqës në Paris kundër copëtimit te tokave shqiptare, e ku ashtë nënshkrimi i famullitarit të Shkrelit, Dom Frano Karma bashkangjitun me firmën e bajraktarit te Shkrelit, Vate Marash Dashi, me gjithë 106 kryefamiljarëve shkrelas. 24 Në luftën e Koplikut (1920/21), mandej, qe Vat Marash Dashi që i prini Shkrelit kundër ushtrisë ndërhyrëse serbo-malezeze-jugosllave, e cila pushtoi Koplikun, Shkrelin, Kastratin dhe Kelmendin. 25 Gjithashtu, duhen përmendë fatosat e Shkrelit qe poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, O. F. M. , i bani të pavdekshëm në vargjet e tij rrapsodike të veprës epike Lahuta e Malcis – Bibla e nacionalizmit Shqiptar! Këta kjen: Kacel Doda26 dhe Kerrni Gila27 të Zagorës, Bajraktari Marash Dashi28 i Vrithit, vllaznit Bec dhe Cul Batani29 të Bzhetës, dhe Rrushman Hasani. 30

Perveç këtyne burrave, duhen me përmendë edhe disa prej meshtarëve që sherbyen në famullinë e Shkrelit e u banë prelatë te shquem si për shembyll Imzot Luigj Bumqi dhe Imzot Gjergj Volaj; Monsinjorët Ndoc Bozhi e Nikollë Ashta; dhe klerikët intelektualë si Dom Ndoc Nikaj, Dom Aleksandër “Lek” Sirdani, Dom Kolec Prenushi, Dom Ndre Zadeja, dhe Dom Nikollë Gazulli. 31 Dhe nuk duhet harrue faktin se mbledhjet e prisave shqiptarë u banë për mborjtjen e Shqipnisë në oborrin e Kishës. 32

Në përgjithësi, ngjarjet historike nuk ndodhen pamvarësisht prej vetvetes, por ato janë reaksion i nderlidhun nga ngjarjet e tjera. Prandaj, për me arritë te kuptojmë kompleksitetin e kryengritjes antikomuniste te Malësisë së Madhe jam i detyruem për me paraqit një lidhje te ngjarjeve nderkombëtare, kombetare dhe krahinore për me arritë në një kuptim të mirëfilltë historik.

Fill mbas pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, 33 Llesh Marashi ikë nga Shkodra dhe del në katundin e tij në Zagore-Shkrel kunder okupatorit, ku e strehojnë vëndasit e tij shkrelas. 34 Gjithashtu, në Zagorën e Llesh Marashit bashkidealistat e tij, Dom Zef Sheshtani, Dr. Bahri Kopliku dhe Zef Logoreci janë aktivistë antifashistë. 35 Në përgjithësi, rezistentët kunder okupatorëve të ri ishin nacionalistë dhe intelektualë të shquem. Një nga këta dallohet Mid’hat Frashëri, krijuesi i Ballit Kombëtar, që jo vetem deshti çlirimin e Shqipnisë, por edhe bashkimin e gjithë trojeve të saja nën një qeveri demokratike. 36 Disa grupe të vogla komuniste që ishin të shpërdame nëpër disa qytete, nuk morën pjesë aktive kundra invazionit fashist derisa Gjermania Naziste sulmoj ushtarakisht Bashkimin Sovietik në 1941 dhe këtë me organizimin e dy emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha që i bashkun grupet nën një parti të vetme komuniste Shqiptare, por gjithnjë nën influencën jugosllave. 37 Me 30 dhe 31 te Korrikut 1943, plas Lufta e Recit (deri tash krejt përvetësue nga regjimi enverian), por e verteta ashtë së pjesa dermuese e luftarëve ishin nacionaliste si Jup Kazazi, Llesh Marashi me çetën e tij, Zenel Kazazi, Ujk Tahiri, Zef Ashta, Rrok Kanto Marashi (nipi i Llesh Marashit), Caf Smajli, Zef Luka, Sokol Bajrami, Metë Rrustemi, Brahim Bishja, Rexhep Lani, Lan Sokoli, Halil Sokoli, Ramë Meti, Qamil Tahiri, Fejzi Boriqi, Isuf Muça, Shaban Binaku, Oso Bishja, Ragip Meta, 38 Sali Myftia, Daut Komi, 39 etj. Depertimi i thellë i influencës sllavo-komuniste u vertetue mbas presionit që Svetozar Vukmanovic-Tempo i bani partisë komuniste shqiptare. Menjëherë Enver Hoxha e denoncoi marrëveshjen e Mukajt (2-3 gusht 1943) te dergatës se Ballit Kombëtar dhe te Lëvizjes Nacionale Çlirimtare, vetem për arsye se nacionalistët kerkuen këtokushte: 1) Nji luftë të përbashkët, 2) Luftë për nji Shqipni te pavarun dhe etnike, dhe 3) Luftë për nji Shqipni të lirë, demokratike dhe popullore. 40 Dhe këtu u nda shapi prej sheqerit! Në shator te 1943, me shtymjën jugosllave, lufta civile në Shqipni fillon me nji sulm të ashper ushtarak kunder Ballit Kombëtar, 41 dhe mandej, kunder forcave te Abaz Kupit (Legalitetit) si dhe te nacionalistëve të tjerë. 42

Mbas kapitullimit t’ Italisë Fashiste, Fronti Nacional Çlirimtar dergon Riza Danin me gjithë profesor Mark Prelën, për të ba një takim me Llesh Marashin, tu e ftue te bashkohet me Lëvizjen anti-fashiste. Lleshi u përgjegj me këto fjalë: “kjo ashë punë qe s’ bahet more burra. Po ju a nuk i keni sytë n’ ballë e s’ e shifni se si komunistat janë tue luejt teater me ju? Nuk e shifni ju se ata udhëhiqen prej serbve? Mlidheni menën e kthejuni n’ rrugë t’ komtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pre krenat! Ju asgja s’ ju lidhë me ta. ”Rizaja ja pret, “mirë qi ti e luftove fashizmin, po prej gjermanve c’ pret? Pse s’ i lufton?” Lleshi ju pergjegj,“ushtria gjermane ashtë kalimtare e ne s’ na hin gjem n’ kambë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e na prej saj kem se shka me perfitue. ” (Këtë bisedë e thotë Mergim Korça, deshmi kjo prej tezës se tij, bashkeshortja e Riza Danit). 43

Jemi në vitin 1944. Perfundimi i luftës së Dytë Botnore ishte e hidhun, sepse fitorja e komunistave ishte krejt e kjart. Mbasi Shqipnia e Veriut me, kryeqytetin e saj te Teutës e Gentit -Shkodrën, kishin pësue gjatë luftimeve shekullore me serbo-malazezët, kjo pjesë e Shqipnisë e kuptoi se komunistat ishin të indoktrinum me ideologjinë bolshevike, që, jo vetem se ishte e huej por edhe sllave. Me 13 Maj në kinema “Rozafat”, 152 përfaqësues të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Postribës, të Anës se Malit, te Gurit të Zi, te Nën-Shkodrës, etj, u mblodhen në Shkodër dhe krijuen Lidhjen e Shkodrës kunder rrezikut sllavo-shqiptar-komunist. 44

Malësia e Madhe, me krahinat e tjera te Shqipnisë së Veriut u organizue për një sulm kunder komunizmit. Prisat e Shkrelit kjen këta: 1) Major Llesh Marash Vata (Marvukaj-Zagore), Qark Komandant i Shkodrës dhe Kryekomandanti që do të kryesonte Kryengrijten e Malesisë se Madhe. Familja e tij ishte ma e dalluemja në krejt Malësinë e Madhe për pregatijen ushtarake. Prej gjashtë djelmëve te Marash Vatës tre prej tyne, Kanti, Gjeka dhe Lleshi, u bënë oficerë, kurse një tjetër ishte oficer reserv, Pjetri. Gjithashtu, dy nipa tue e vazhdua këtë tradit familiare u bënë oficera, Fran Pjetër Marashi, dhe Vat Gjelosh Marashi. Rrok Marashi u shugurue frat dhe nipi Ndoc Gjelosh Marashi prift. 45 2) Pjetër Gjokë Deda (Milaj-Vrithe), z. bajraktar i Shkrelit, trim, besnik e i urtë, simpatik dhe anëtar i shtabit te Llesh Marashit; 3) Nikollë Prekë Gjeka (Dedaj), kryetari i komunës se Shkrelit, i arsimuem dhe i njoftun si orator, guximtar, trim dhe besnik. 46 4) Prekë Lekë Gjoni (Kolaj-Zagore), një ndër djemtë më te zgjedhun të Shkrelit, trim, besnik, i pashem dhe luftar i denjë kunder Komunizmit. 5) Luket Marash Luca, i pagëzuem Lukë, (Grishaj-Zagore), i njoftun në Malësi edhe në Shkodër, e i cili mori pjesë në moshë të re në Kryengritjen e Malësisë, 1911, dhe në luftën e Koplikut. Ai ishte mësus popullor. Gjithashtu, në vitin 1932 ai mori pjesë në delegacionin Kreshnik te Malësisë së Madhe pranë Atit Shejt, Papë Piu XI në Shejtorën e Zojës se Shkodrës, në Genazzo-Itali. 47 Së bashku me këta trima mori pjesë në organizimin e kryengritjes edhe dijetari, poligloti (që zotnonte pesë gjuhë të hueja), fetari, patrioti dhe themeluesi i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, Dom Nikollë Gazuli, që ishte famullitari i Dekanatit të Malësisë se Madhe – Kisha e Shkrelit. 48

Gjatë vjeshtës se vitit 1944, krenët e Kastratit, Gjon Martin Lulati (Ivanaj-Bajzë), Mirot Palok Kokaj (Ivanaj-Bajzë), Nikë Gjelosh Gjokë Dodaj (Pjetroshan-Bajzë), Kolë Llesh Malaj (Ivanaj-Bajzë), Kolë Ujk Osllani (Pjetroshan-Bajzë), etj bashkë me Vasel Pjetër Gjoka që ishte bashkpunëtor i Nikës (kushrinit tij), dhe me krenët e Shkrelit kjen në marveshje për ta shmangë rrezikun që e kërcenonte mbarë popullin shqiptar. Takimet e shpeshta të tyne u zhvilluen në shtëpinë e Luket Marash Grishaj, një ndër qendrat e bisedimave ndermjet këtyne dy maleve. 49

Në katundin Ivanaj në Bajzë, me 24 dhjetor 1944 në shtëpinë e Gjokë Tomë Kokaj u zhvillue mbledhja e krenvet te Kastratit, thotë Vasel Pjetër Gjoka e ku morën pjesë edhe krenët e Shkrelit, dhe ku të gjithë lidhen besën për me e luftue komunizmin. 50 Në fund te dhetorit, Llesh Marashi u nis prej Zagoret dhe shkoi në katundin Brojë, me u takue me krenët e Kelmendit, si Kolë Gjon Bajraktarin, Franë Gjergj Uçin, Gjergj Lul Toma, Gjekë Marash Selca etj. Aty vëndosen se Selca, Nikqi dhe Vukli me e ndalue turrin e Brigadës së Parë. 51 Dhe me datën 15 Kallnuer 1945 filloi rezistenca e përgjakshme e Petritave te Kelmendit kundër bishës së terbueme komuniste. 52

Nderisa Kelmendi luftonte heroikisht, me qendresë të pashembullt, Kuvendi i Maleve u caktue në Poicë, në katundin Dedaj-Shkrel, në shtëpinë e Rrok Nikollë Zefit tre ditë ma vonë (me 18 Kallnuer 1945) për me caktue datën për një sulm të përgjithshëm. 53 Morën pjesë Llesh Marashi me Shtabin e tij, Marash Kolë Mali (Vojvoda i Dedajve) me gjithë kumbarën Nikollë Zefi, Luket Marash Grishaj, Pal e Dedë Thani nga Dukagjini, 54 Gjelosh Luli, Pjetër Gjokë Bajraktari, Nikollë Prekë Dedaj, Dom Nikollë Gazulli, Gjon Martin Lulati, Mirot Paloka, dhe Caf Smajli me disa Lohjanë. 56 Per arsyena jo të kjarta munguen perfaqsuesit e Shkodrës dhe të Postribës, ndonëse jo vetem Malësia e Madhe por edhe Shkodra, Postriba dhe nën-Shkodra ishin në bashkpunim me Llesh Marashin për një kyrengrijtje te armatosun, ku mbas tubimit Llesh Marashi me shokë u nisën për ne Grishaj te Luket Marashi dhe do në Cukaj te Zef Nikë Colaj dhe Gjergj Prelë Colaj, e ku qendruen deri kur plasi pushka para afatit të caktuem, me 23 Kallnuer 1945.

Komandanti i Postkomandës se Bajzës Jonuz Naci (Aliaj-Bajze) dha urdhen qe të niset një toge partizanësh për në Grishaj-Zagores, për me arrestue Luket Marashin qe ishte nën shikimin e komunistavet prej kohesh, nën komandën e Gjosh Nikës (Vuçetaj-Bajzë) te cilët iu ngjitën brisës se Jeranit për në Grishaj. Aty, barijtë e vendit ishin te porositun prej Luketit që te lajmërojnë çdo lëvizje që bahet prej ma shumë se pesë ose gjashtë vetash. Kur partizanët erdhën në fund te brises se Jeranit barijtë në shpejtësi shkuen me lajmrue Shtabin nacionalist, se komunistat janë tue iu ngjitë malit për në Grishaj. Menjëherë, Llesh Marashi lajmëroi luftarët qe të bëheshin gati, me dalë prej ku ishin në Grishaj dhe me shkue në Cukaj, me u bashkue me shokët e tjerë, dhe prej andej me u nisë për në Poice. Kur u bashkue Shtabi në Cukaj, u bisedue shkurtimisht, mbasi nuk priste koha. Dhe ndodhi një mosmarreveshje për sa i përket drejtimit, se ku me shkue Shtabi. Disa thoshin,“ma mirë për në Stol, ” kurse të tjerët, “ma mirë për në Poice, ” qe ishte propozue nga vetë Llesh Marashi. Si perfundim, trimat Gjon Martin Lulati dhe Mirot Paloka ngulën kambë se nuk do te kthehemi mrapa prej komunistave, dhe se do ta fillojshin pushkën, ata qiten pritat në vendin stratigjik, prej kah do të vijshin partizanët në Grishaj. Llesh Marashi dhe Luket Marashi nuk u pajtun me këtë mendim, tue thanë, se sulmi ishte pesë ditë parakohet, por pjesa dermeuse vendosi, ose sot ose kurrë! Dhe ashtu u bë. Partizanët u njitën në Grishaj dhe u banë një rrethim shtëpive. Gjosh Nika me tre ushtarë iu afrue shtëpisë se Luket Marashit dhe fjalët e para qe tha kjenë: “A ashtë Luket Marashi këtu? Ku gjendet?” Axha i tij, Franë Luca, tue mendue se Shtabi iku prej Çukajve, u përgjergj: “Luketa nuk ashtë neë shpi, por noshta ashtë te shokët tonë në Cukaj. ” Gjoshi atëherë e nisi Franë Lucën me dy partizanë për në Cukaj. Sa u nis Franë Luca me ta, partizanët i zbuluan rojet e kryengritësave dhe në atë çast plasi pushka. Një pjesë e partizanëve sulmuen dhe të dy palët u ndeshën grykë për gryke. Në pushkët e para u plagosen Pjetër Gjokë Hoti (nipi i Gjon Martin Lulati, i cili mbas disa diteve vdiq në Bajzë), Gjosh Nika me dy partizanë të tjerë mbetën të plagosun. Mbas një luftimi të rrept, fuqitë partizane u thyen dhe për shpetim afër pesëmbëdhjetë ushtare u futën nëpër shtëpitë e Grishajve dhe u dorëzuen. Llesh Marashi urdhëroi qe tu merren armët dhe të lihën të lirë. Thuhet, se disa prej tyne shkuen me fuqit e kryengritjes për në Bajze (marrë prej Llesh Luket Grishaj që ishte një ndër ata që furnizonte bashkë me familje luftarët e lirisë dhe ai vetë e perjetoi këtë ngjarje). 57

Kështue filloi kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe me 23 Kallnuer te vitit 1945. Forcat e kryengritjes zbritën në Bajzë, ku mbas një përpjekjeje t’ashper morën Postkomandën ku Zef Tomë Ceka i Shkrelit u vra ballëpërballë me Januz Nacin. Edhe Lulash Cuk Curanaj (Uldedaj-Bajzë) mbet i vdekun. Mbas marrjes se Postkomandës, luftarët e lirisë u grumulluen te oborri i Kishës së Bajzës, ku Franqeskani patriot Pater Ciril Cani rrahu kumbonet e kishës në shenjë kushtrimit dhe i bani lutje Zotit me iu pri mbarë forcave nacionaliste. Në të njejtën kohë, edhe me bekimin e famullitarit te Shkrelit, Dom Nikollë Gazulit, Kolë Nikë Prela Marcinaj (Cekdedaj-Bzhetë) u ra kumonëve për me mobilizue Shkrelin në luftë. Burrat e Shkrelit u nisën për me u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik. Tue dijtë rrezikun, Komisari i Rrethit te Malësisë së Madhe, Çun Januzi (i biri i Januz Nacit), u nis për në Shkodër për me i përballue kryengritësat. Mbas një qëndrese në Koplik këta u nisën për në Shkodër. Forcat partizane lajmërue prej Cun Januzit, zunë pozicion te Ura e Rrjollit. Aty u zhvillue beteja ma e ashper dhe vendimtare për kryengritjen ku trimënisht u vranë Gjon Martin Lulati dhe Mirote Paloka, dhe u plagosen shumë të tjere. 58 Ndër kohë, te kisha e Shkrelit luftoi Marash Tomë Gjeloshi (Makaj-Bzhetë) kundra një toge te njekjës dhe u vra tue luftue me gjithë Luigj Kolë Shetajn, Mirash Gjonin e Prekë Kolën. 59 Mbas luftimesh të rrepta, kryengritësit u tërhoqen në male, ku kishin shpresë se vëllaznit e tyne malësorë me gjithë forca të tjera nacionaliste te Shkodrës dhe krahina tjera, do te organizoheshin për një kundersulm , edhe pse kryengritja filloi para kohet. Në këtë kohë, simbas Vasel Pjetër Gjokës, disa luftëtarë të Hotit ishin pregaditë për me u hjedhë në luftë por Kadri Deli Meta (Bajraktari i Hotit) nuk i la me marrë pjesë, tue thanë: “Na jemi tue u mundue me i ndalë vrasjet, e kush e ka fillue, e pastë për vedi, e ju ne me ndigjoshi mue, nuk shkoni në at vend. ”60 Porosia e Kadriut kje e randë edhe për Hotin, sepse ai nuk mori parasysh se trimi i shtëpisë se Dedë Gjo’ Lulit, Gjelosh Luli, ishte në bashkpunin me mikun e tij të ngushtë Llesh Marashin kundra komunizmit. Rrjedhimisht, ai qendroi në Kastrat i strehuem te probatimi i tij, Marash Doda dhe në Traboin te vllaznit Mark e Kolë Miri (Dedvukaj-Hot). Këtu forcat e Toger Babës torturuen Kolë Mirin tue pjekë në hell, për me gjetë prej tij se ku ishte Gjelosh Luli, dhe vetem me ndihmën guximtare te trimit Marash Lushk Gjoni (Dushaj-Hot), Kolë Miri muejti me u ikë prej durve të tyne. 61

Në mal qendruen luftarët e Shkrelit dhe të Kastratit. Si ndeshkim për pushkët e para qe krisen në shtëpinë e Luket Marashit, Çun Januzi qoi vëllanë e tij, Qelën, misioni i të cilit ishte me e burgosë familjën e Luketës së bashkut me gjithë robët e axhave të tij (Zef e Franë Luca). Ata plaçkiten dhe djegën shtëpinë sikurse pat ba turku me 1911 dhe shkjau me 1913. Shtëpia e Luket Marashit kje e parë në Shkrel dhe Kastrat së cilës komunistat ia vunë zjarrin, 62 për të cilin shkrimtari dhe historiani i mirëfilltë Uran Butka, tha: “vullkan u pa shtëpia e Luket Marashit, qe ishte një potencial i madh bese e burrërie në Malësinë e Madhe. ” 63 Kështu filloi hakmarja ndaj Malësisë së Madhe!

Viti i 1945 kje i vështirë edhe për atë pjesë të Malësisë së mbi Shkodrës qe mbetën nën okupacionin Malazias, sidomos për Hotin dhe Grudën, ku për te nënshtrue Malësorët, Bajo Stankoviqi do të bashkpunonte me Toger Babën dhe me Petro Bullatoviqin. komunistët jugosllavë do te këndonin, “Tito-Enver-Stalin, Trisine, ” kurse komunistët shqiptarë, “Enver-Tito-Stalin, jemi të gjithë për një betim!” Bajo Stankoviqi qe kishte danën e hekurt kundra kësaj zone, filloi me arrestue malësorët. I biri i Prekë Tomë Ujkes (Selisht-Grude) Luc Preka Lulgjuraj me kushrinin e tij, Mirash Zef Kola u kthyen prej Kelmendit (ku ishin luftëtarë vullnetarë) dhe dhanë kushtrimin për me ndihmue vllaznitë malësorë të Kelmendit, Shkrelit dhe Kastratit. 64 Në atë kohë, vdiq Shab Smaku Berisha dhe në hatrin e tij në Priften-Grudë u caktue një bashkim për me bisedue për luftimet qi ishin zhvillue kundra komunizmit në Malësinë e Madhe dhe viset tjera në Shqipni. 65 Dhe në këtë hater Luc Preka Lulgjuraj lexoi letrën e Prekë Calit qi mes të tjerash thonte, “… Kush e nie vetin Shqiptar dhe beson në Zotin, i baj therrje te dalin në nime Kelmendit dhe te Malësisë së Madhe kunder kumunizmit!”66 Për fat të keq, rrethanat kjenë faktori për të cilin paria e Grudës dhe e Hotit nuk muejti me marrë pjesë në këtë bisedim, sepse ishin ndermjet dy zjarresh. Nji pjesë e Rapshes dhe krejt Troboini, me gjithë Grudën, mbeten prap nën-pushtimin jugosllav, ku Bajo Stankoviqi me partizanët e tij terrorizuen malësorët, ndërsa n’anën tjetër kjenë Toger Baba me gjithë jugosllavin Petro Bullatoviq. 67Kështu, aleanca e pathyeshme gjatë pesë shekujsh e nepërmjet luftnash të përgjakshme për lirinë dhe integritetin tokësor shqiptar u këput në Malësinë e Madhe!

Në Fruer t’atij viti, komunistat jugosllavë arrestuen famullitarin e Traboinit, At Leonard Tagaj (i quejtun Patër Zefi nga malësorët) me Pjetër Zekun Camajn (kushëri me Smajl Mark Lulin) dhe Vasel Mirash Camajn (Vojvoda i Vuksanajve). Këta u pushkatuen pa proçes juridik. 68 Fillë mbas këtyne, Gjelosh “Losh” Gjokë Lajcaj (djali i hallës i Luket Marashit) shkoi në Selisht të kumbara i tij dhe dashamir i Luketës, Zef Miliqi Lulgjuraj me qëllim për me strehue dy djemtë e Luketës (Palokën dhe Dedën) dhe kushrinin e tij (Prel Franë Grishajn) qe ishin në Hot. Edhe këtu Bajo Stankoviqi arrestoi në Selisht Luc Prekën për veprimtarinë e tij antikomuniste, bashkë me dy vëllaznit e tij, Dodë dhe Gjergj Lulgjuraj, Kolë Gjel Cakun (Ujkaj-Treipsh), dhe Zef Miliqin e Gjelosh Gjokë Lajçajn dhe i pushktatuen të gjithë pa gjyq, te kisha e Grudës (këtë ngjarje e dijmë prej nipit te Gjelosh Gjokës, Vasel Pjetër Lajçaj). 69 Si shenim, vlenë për tu përmendë, se në kohën e Inform-Byrosë Bajo Stankoviqi kërkon strehim politik në Shqipni dhe Enver Hoxha menjëherë e prenoi tue shperblye barbarizmin e tij ndaj shqiptarëve nën Mal të Zi dhe e emnoi Kryetar i Zyrës se Rrefugjatëve të nënshtetasve jugosllavë në Shqipni, ku pjesa dermuese kjenë shqiptarë. 70

Në pranverë, po t’vitit 1945, Toger Baba i shoqnuem nga partizani i vendit, Nikollë Mirash Gjonaj shkoi në Drume-Hot tue kerkue me arrestue Shkodranin Gjysh Pistullin me Vasel Pjetër Gjonaj. Në mënyrë barbare u torturuen Marash Uc Gjonaj, Franë Pjetër Gjonaj (vëllaun e Vaselit), Lene Kolën Gjonaj (kushrina e Vaselit), dhe u muer në hetusi Gjeto Dedë Vatë Gjonaj. 71

Gjatë viteve 1945-46 kishin mbetë vetem disa çeta luftare, që ndiqeshin prej forcave komuniste. Të tjerët u pushkatuen, u burgosen, u internuen, ose prej rrethanavet te njohuna u dorëzuen. Në fillim te 1946, Prekë Lekë Gjoni, me vëllanë Pashkun u rrethuen nga brigada partizane, por nuk u dorëzuen dhe në Bjeshkë, mbi Kronin e Kurriles së Dedajve u vranë mbasi qendruen heroikisht. 72

Po atë vit, dijetari dhe patrioti Dom Nikollë Gazulli u vra prej forcave te sigurimit. Gazeta Komuniste “Kohe e Re” e Shkodrës trumbetoi, “Me datën 23 mars 1946 vritet Dom Nikollë Gazulli në Sukë te Madhe, Katundi i Kastratit në Nën/Prefekturën e Koplikut, bashkëpuntor i Llesh Marashit, tradhëtar i popullit. ” 73

Per 18 muej rresht, Luket Marashi qendroi në rezistencë për mos ra në duert e sigurimit të shtetit. Një ndihmë të madhe për qëndresen e Luketës dhanë miqët e tij, shpeshherë tue e strehue dhe tue e furnizue me ushqime. Në një rrethim te forcave ndjekëse në Kastrat, ai u plagos tue ça rrethimin. Trupi i tij, gjysëm i dekompozum, u gjet të Premtën e Madhe, 1946, tek brija e Kastratit në Gurët e Bardhë, prej kushëririt të tij Gjon Zefi bashkë me të jatin Zef Luca (axha i Luketës). 74

Në arrati qendruen edhe Llesh Marashi me Pjetër Gjokë Bajraktarin dhe Rrok Kantin, me bazë në Bjeshkët e Vrrithit. Këtu forcat e ndjekjës i zbuluen dhe i rrethuen. Pjetër Gjokë Bajraktari u plagos randë, Rrok Kanti tentoi me vra veten për mos me u dorëzue. Lleshi u dorëzue me kusht qe mos ta vrisnin Pjetrin e Rrokun. 75Mbas kapjes se tyne gazeta “Kohe e Re” i njoftoi lexuesit se Gjykata Speciale do te zhvillonte procedurën kundër Llesh Marashit dhe shokëve të tij t’akuzuem si “tradhtarë” dhe “bashkëpuntorë” me anmiqë të huej. Gjyqi filloi me 10 Korrik, 1946, në Kinema “Rozafat” dhe perfundoi me 17 Korrik, me këtë: “Llesh Marashi dënohet me vdekje, me varje në litar. ” Ai u var te Dugajat e Reja në Shkodër. Po me te njajtin vendim, u denue me pushkatim edhe një prijës tjetër i Shkrelit, Nikollë Prekë Dedaj dhe Dom Alfons Trackin (famillutari i Velipojës, ku pjesa dermuese e famullisë ishin Shkrelas t’ulun prej malit) si bashkpuntorë i Lleshit. 76

Me deshtimin e Kryengrijtjes se Malësisë së Madhe filloi kalvari i Malësisë te mbi Shkodrës, që mbeti nji ndër krahinat ma të përnjekuna dhe te terrorizume në të gjithë Shqipninë prej regjimit Stalinist-Enverian. Si përfundim, kujtojmë fjalët e John Adamsit që tha: “Detyrimet tona ndaj atdhuet nuk pushojnë derisa te jena gjallë. ” Dhe, me të vërtetë, shpirti liridashës i malësorit nuk u perkul, por përkundrazi u ba fli për idealin e naltë të nacionalizmit shqiptar, që do të thotë – ideja Kombëtaro-Shqiptare!

Pra, tue i rikujtue edhe njiherë fjalët e Schillenbeeck-ut, e besoi qe ashtë e kjartë, se kush i sherbeu lirisë, kombit, fesë dhe atdhuet.

I përjetshëm kjoftë kujtimi i tyne!

Lista emnore e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit. 77

Vrrith:

1) Pjetër Gjokë Deda Milaj, Bajraktar 101 vjet burg

2) Preq Pjetër Vulaj Vdekje prej torturave

3) Mirash Gjoka Arratisë, varrue dhe vdekë në Jugosllavi

4) Martin Franë Popaj Vra

5) Kolë Tomë Deda Vra

6) Gjokë Dedë Milaj Vdekë në internim (Berat)

7) Franë Cul Kroni 20 vjet burg

8) Prekë Gjergj Milaj 10 vjet burg

9) Pjetër Prekë Pacaj Burgim, djegë shtëpia

10) Gjergj Kolë Luca Burgim

11) Gjeto Prekë Ramaj Burgim

12) Lukë Mac Tucaj Burgim

Bzhete:

1) Mark Tomë Gjeloshi (Makaj) Vra në rezistencë

2) Nikollë Zef Patanaj Vra me forcat partizane

3) Prel Tomë Makaj 101 vjet burg

4) Kolë Nikë Marcinaj 25 vjet, vdekë në burg

5) Gjon Lekë Mirukaj 20 vjet burg, torturohet, vdes

6) Zef Murran Luca 25 vjet burg

7) Franë Zef K. Gjeli 25 vjet burg

8) Gjeto Lekë Miruka 25 vjet burg

9) Prel Tomë Gjeloshaj 20 vjet burg

10) Pjetër Lekë Mirukaj 20 vjet burg

11) Gjokë Zef Cekaj 15 vjet burg

12) Marash Zef Cekaj 10 vjet burg

13) Gjelosh Nikë Vukelaj 5 vjet burg

14) Pashko Vat Malota Burgim, djeg shtepia

15) Tomë Franë Brrakaj Burgim

16) Prel Vat Malotaj Burgim

17) Lulash Palok Vrucaj Burgim

18) Tereze Prekë Xhaj Torturohet në mënyrë çnjerëzore, dhe

(motra e Nikollë Prekë Dedaj) heroikisht nuk e tregon vëllanë.

Dedaj:

  1. Nikollë Prekë Dedaj Pushkatue me Dom Alfons Tracki etj.
  2. Gjokë Koka Pushkatue

3) Prekë Gjon Dedaj Pushkatue

4) Mirash Gj. Sokolaj Pushkatue

5) Pjetër Kolë Sokolaj Pushkatue

6) Mark S. Sokolaj 20 vjet burg, djegë shtëpia

7) Marash Kolë Mali, vojvode 3 vjet burg

8) Marash Kolë Stake Burgim

9) Kolë Tomë Stake Burgim, djegë shtëpia

10) Gjelosh Martini Burgim

11) Zef Mali Burgim

12) Gjek M. Sokoli Burgim

13) Rrok Nikollë Zefi Burgim

Zagore:

1) Major Llesh Marashi Varje në Konop, djegë shtëpia

2) Luket Marash Grishaj Vra në mal, djegë shtëpia

3) Prekë Lekë Kolaj Vra në mal, djegë shtëpia

4) Pashko Lekë Kolaj Vra në mal

5) Dan Coli Vucaj Vra kundra partizanët (Kisha e Lezhës)

6) Franë Pjetër Marashi Pushkatue

7) Ndue Gjelosh Marashi Pushkatue

8) Nrekë Pjetër Zef Culaj Pushkatue

9) Mark Gjokë Leknikaj Vdekë në burg

10) Rexhë Mehmet Vucaj Vdekë në burg

11) Gjelosh Marashi 101 vjet burg

12) Edvard Llesh Marashi Burg, lirohet pasi ja pret dy këmbet

13) Rrok Kanto Marashi 10 vjet burg, internim deri 1990

14) Pjetër Marashi Burgose, vdes pas daljes

15) Mark Gjelosh Marashi 10 vjet burg

16) Kolë Nikë Colaj 10 vjet burg

17) Mirash Prec Grishaj 10 vjet burg

18) Prel Gjelosh Marashi 7 vjet burg

19) Gjelosh Ndoc Marashi 7 vjet burg

20) Marash Vat Gjelosh Marashi 7 vjet burg

21) Franë Luc Grishaj Burgim, torturue, 3 vjet burg

22) Brahim Xhigji Vucaj Burgim

23) Sadri Zekë Leknikaj Burgim

24) Dyl Qerim Leknikaj Burgim

25) Prec Curri Grishaj Burgim

26) Zef Luc Grishaj Burgim

27) Prel Franë Grishaj Burgim

28) Palok Luket Grishaj Burgim, internim

29) Dedë Luket Grishaj Burgim

30) Familja e Llesh Marashit (gra e femijë) internim në Berat (afer 2 vjet).

31) Familja e Luket Marashit (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës dhe internim ne Berat (së bashku 16 mujë).

32) Familjet e Zef e Franë Luc Grishaj (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës.

33) Palok Luket Grishaj internohet për të dytën herë në Saver, prej vitit 1957 deri 1990 (internim me familja), ku edhe vdes në internim.

Famullitari i Kishës Shkrelit:

1) Dom Nikollë Gazulli Vra nga forcat e ndjekjës komuniste në vitin 1946

Meshtarët që i sherbyn famullisë së Shkrelit dhe vdiqën nga Komunizmi:

1) Dom Ndre Zadeja Pushkatue në vitin 1945

2) Dom Gjergj Volaj (Imzot) Pushkatue në vitin 1947

3) Dom Pjetër Quni Vdekë prej torturave në vitin 1948

4) Dom Aleksander Sirdani Vdekë prej torturave në vitin 1948

6) Dom Ndoc Nikaj Vdekë në burg në vitin 1951

7) Dom Pjetër Gruda Vdekë në burg në vitin 1989

Shenim: Shkrimi që vijon është paraqitur për të parën herë në Simpoziumin Shkencor për 60 Vjetorin e Rezistencës dhe Kryengritjes anti-komuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, në sallën “At Gjergj Fishta” të kisha katolike shqiptare të Shen Palit në Rochester Hills, Michigan, U. S. A. , me 6 Fruer 2005. Autori me kënaqësi ia dorëzon për botim Këshillit Organizues për Ndriqimin e Historisë Shqiptare.*Kortezi-Albemigrant

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 1945, FRanz Llesh GRISHAJ, Kryengritja Antikomuniste, Malesi e Madhe, shkreli

Banorët, Kisha dhe historia e Shkrelit ndër shekuj

July 4, 2017 by dgreca

1 kisha_e_shkrelitNga Gjon Frani Ivezaj*/Sipas shumë studiuesve, albanologëve, fiologëve, poetëve dhe shkrimtarëve tanë dhe të huaj, emri “Shkrel”, gjendet në forma të ndryshme fonetike, ndër shkrime të studiuesve dhe albanologëve. E gjejmë si emer: “Schirelli”, “Schereli”,  “Shkripol”,  “Scariel”, “Strelli”, “Ikreli” etj.

Kjo me sa duket historikisht, ka ardhur nga përdorimi i ligjeve të ndryshme fonetike të gjuhëve, në të cilat janë shkruar veprat e tyre. Prej vështrimeve antropologjike mund të vihet re se ky emër kaloi nga antroponim (emër njeriu) në patronim (mbiemer njeriu) dhe me vonë në emër vllaznie dhe së fundi në emër fisi. Por, etimologjia e kësaj fjale, duket se i ka rrënjet edhe më thellë.

Megjithatë, për herë të parë në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, pra si emër fshati apo si mbiemër, e shohim në vitin 1416 në rregistrimin e Kadastrës së Shkodrës. Aty mund të shohim të gjitha format e përmendura më sipër, si mbiemrate banorve kryefamijarësh: Vlassi Schirelli (Vlash Shkreli), Morici Schirelli (Moriç Shkreli) etj.

Po me këtë mbiemër, gjenden edhe persona që kanë jetuar ndër fshatra të tjerë të qytetit Shkodrës, si: në Rrjoll, Pulaj, Malkolaj, Prekal, Grykë të Bunës etj. Kurse si toponim e gjëjmë në rrethin e Lezhës, në anën e poshtme të Matit, si dhe në Velipojë.

Etnografi i shquar shqiptar, Rrok Zojzi, thotë se: “Fisi i Shkrelit si dhe fiset e tjera të Malësisë së Madhe, kanë ardhur si blegtorë nomadë prej viseve të epërme të Ballkanit nga krahina e Dallmatëve, e Novi Pazarit, Sanxhakut e të Bosnjës, e populluar në atë  kohë me shqiptarë, të cilët kishin si epiqender Judbinën, ku banorët e tyre kanë ardhur nga trungu i fiseve të  lashta ilirë besët, ardianët, dalmatët, paonet, pirustët, legjendat e shumta mbi prejardhjen e tyre, lidhjen toponomastike dhe onomastike me bazën e vjetër etj.

Një tjetër dëshmi, është dhe ajo e historianit Millorad Ekmeciq. Këto fise të Malësisë, ka shumë mundsi të kenë zbritur me formimin e shtetit serb në kohën e Stefan Nemanjes (1166-1196). Për shkak të torturave të egra e keqtrajtimeve, kjo popullatë autoktone, e cila nuk desh kurrsesi t’i nënshtrohet okupuesit e të asimilohej, u detyrua të shërngulet nga tokat e plleshme të trungut ilir.

Për më tepër, duhet theksuar se në shekujt mëvonshëm si pasojë e pushtimit të gjatë otoman, këto troje iliro shqiptare sllavizohen dhe islamizohen, ku sot mbas shumë shekujve njihen me emrin e shtetit Bosnje – Dalmatcia.

Historia e krahinës së Shkrelit, dëshmohet më së pari prej zbulimesh arkeologjike të bëra përgjatë luginës së Prronit të Thatë. Në pikëpamje arkeologjike kjo luginë ka qenë e njohur për vendbanimin e fortifikuar ilir të Marshejit, në dalje të saj, dhe për gjurmë të tjera lashtësie perreth. Fortifikimi i Marshejit, është një vendbanim ilir prehistorik i ndërtuar në periudhën e parë të hekurit.

Veç kësaj, tumat e gërmuara pranë fshatit Dedaj dhe materiali arkeologjik i gjetur në to, i përkasin bronxit të hershëm dhe lidhen me grupin kulturor Kotorac – Cetinë. Kultura e gjëndur në krahinën e Shkrelit përbëhet nga komponentë që lidhen edhe me vendbanime të tjera të vendit tonë, me ato të Veriut, dhe në një kuptim më të gjëre me atë ballkaniko- përëndimor.

Sipas burimeve historike del se i pari i fisit të Shkrelit ishte Skeni, i cili zuri vendbanim në Vrith të Malësisë. Kështu  studiuesit dhe historianët vendas dhe të huaj, Skini kishte gruan Tinën dhe katër djem: Verlinin (ku rrjedh emri Vrith), Dejani, (Dedajt), Zagojani (Zagora), Bishtaja (Bzheta).

Nga ana tjetër, kemi edhe dëshmi gojore, që mbështesin variantin e albanologut italian At Giuseppe Valentini (sikurse njihej asokohe në qytetin e Shkodrës, si At Zef Valentini, shënimi im Gj.F.I.). Kështu thuhet se kur Shkreli erdhi për herë të parë në vendbanimin e ri, gjeti aty një popullatë autoktone të quajtur “Anas”. Anasit, qenë të përbërë nga  popullsia Xhaj.

Armiqët tanë shekullorë turqit, me pushtimin e qytetit verior të Shkodrës, të vitit 1479, ku më vonë përfundimisht trojet shqiptare ranë në sudimin e Perendorisë Otomane në vitin 1571.

Gjatë vërshimeve të ekspeditave barbare turke, ushtarët aziatikë dogjën, shkatërruan, rrënuan dhe kovertuan të krishterët me dhunë në fenë islame të gjithë trojet tona, duke tjetërsuar gjithcka kristiane autoktone iliro-shqiptare.

Përballë këtyre rreziqeve të asimilit u gjend edhe Shkreli dhe banorët e tij, të cilët luftuan ndër shekuj për të ruajtur  identitetin shqiptar, gjuhën, zakonet dhe vijimsinë e pastër shqiptare (shekulli XVII), ekzistojnë të dhënat e shkrimtarit dhe kronistit të njohur turk Evlia Celebiu.

Ky jep shënime të hollësishme për jetën ekonomike, shoqërore etj. Për më tepër, edhe fakti historik i pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria e Veriut, sidomos nga trevat e Kelmendit dhe Shkrelit.

Në Luftën Austro-Turke më 1690, nen komandën e arkipeshkvit të Shkupit imzot Pjetër Bogdani, në Bosnje u zhvilluan luftra të ashpra midis dy perenadorive të krishterë dhe islame…

Austria dhe shqiptarët humbën luftën kundër otomane. Menjëherë mbas kësaj filloj hakmarrje e ushtarëve turq, të cilët filluan raprezaljet, djegiet e shtëpive, vrasjen e grave e të fëmijeve në djep, dhe pleqve, të cilët nuk mund të iknin nëpër male të thepisura. Në këtë kohë filloi edhe shpërngulja më e madhe e malësorëve të Malësisë të Kelmendit e të Shkrelit në vitin 1700, drejt qendrave të banimit në Serbi, Novi Pazar, Rugovë, Pejë, Roxhajë, Kotorr, Dalmaci, Zadër (Shibenik) etj.

Etnografi serb Andreja Joviqeviq shënon vitin 1870 kur u bë shperngulja e dytë e madhe e banorëve malësorë të Shkrelit, të cilët u vendosën në Amull, Shën Gjergj dhe Shtoj të Ulqinit, ku edhe sot këto familje malësore shqiptare mbajnë mbiemrin Shkreli, duke ruajtur ndër shekuj traditat e zonës nga ato kanë ardhur shumë kohë më parë.

Historia e trimave shkreljanë, është vazhdimisht e lidhur me fatet e gjithë kombit tonë, si një histori luftrash dhe mbijetese, për mbrojtjen e identitetit etnik,  kulturorë etj.

Po kështu kryengritjet kundër turqve, që kryesoheshin prej Osman Pashës, gjatë vitëve 1834-1835 kryengritjet malësore kundër turqve u udhëhoqën nga luftëtari i madh Dasho Shkreli. Ky kryekomandant i shquar popullor kryesoi luftrat e pandërprera kundër turqve dhe shovinistëve serbo malazezë. Në vitin 1840, në luftën e kalasë së Shpuzës ra heroikisht Dasho Shkreli së bashku me vëllanë e tij Sefon.

Nga ana e tjetër, dihet se qeveria islame osmane, shpesh herë bajraqet e fiseve shqiptare i përdori për t´i shpypur kryengritjet breda  vendit, duke krijuar armiqësi mes tyre dhe luftra të shpeshta vëllavrasëse.

Po japim një shembull nga hisoria, që tregon se Turqia futi vëllavrasjen mes shqiptarëve katolikë dhe muslimanë të Gjakovës. Për të shuar këtë gjakderdhje të pakuptimtë mes shqiptarëve, me inisiativë personale nisën drejt Gjakovës disa nga burrat më të shquar të Malësisë të kryesuar nga Marash Vata Shkreli etj. Pra, ishte i pari bajraku i Shkrelit, ai që ndërhyri për të shmangur e për t´ i ndalur vëllavrasjet.

Malësorët, trima të Shkrelit gjithënjë kanë qenë përkrah komunitetit katolik të qytetit të Shkodrës. Kështu në vitin 1871 ishin shkrelasit ata që u dolën zot 250 familjeve katolike të Shkodrës, meqënëse turqit kishin mbyllur Pazarin, gjatë periudhës nga 19 deri më 25 gusht, ku trimat shkreljanë thyen barrikadën turke dhe hynë Brenda në pazar.

Shkreli dërgoi përfaqsuesin e vet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, bajraktarin Marash Dashi së bashku me krerët e Malësisë së Madhe. Në këtë kuvend Bajraktari i Shkrelit tregoi edhe një herë urtinë dhe oratorinë tipike malësore, me shprehjet lapidare dhe simbolikën tradicionale për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.

Një përmbajtje të ngjashme pati edhe peticioni tjetër i dërguar nga këto burra më shkreljanë në vitin 1883. Gjatë vitit 1883 midis Shkrelit, Hotit, Grudës dhe Kastratit u bë lidhja me besën e burrave, për të penguar pazarlleqet e Komisioneve Ndërkombëtare me Malin e Zi, në ndarjen e tokave shqiptare.

Ëshë fort i rëndësishëm kontributi i madh që dhanë shkrelasit në kohën e kryengritjës së Malësisë së Madhe, kur Porta e Lartë e Stambollit në vitin 1910 dërgon kryegjaksorin, Turgut Pashën, për të përdhunuar Dukagjinin dhe Malësin e Madhe, së bashku me Bedri Pashën, valiun e Shkodres. Siç thotë historiani dhe njohësi i shquar i historisë shqiptare, gjermani Peter Bartl: “Malësorët e Shkrelit u bashkuan edhe me bajraqet e Shalës, Shoshit dhe Nikaj-Mërturit për t’i bërë ballë këtij sulmi të ri.” Në këtë menyrë, të bashkuar tashmë edhe me malësitë e tjera, ata u përgatitën për të zhvilluar beteja më të vertëtë të ashpra.

Në këto beteja të ashpra u dalluan malësorët: Nikollë Mirash Luca i Kastratit, me vojvodën Gjelosh Gjekës, të cilët shkuan në Dedaj të Shkrelit, në shtëpi të Zef Mirashit, ku lidhën besën dhe prej këtej dolën në Bzhetë të Tomë Nika, me djemtë e të tij zhvilluan një betejë luftarake në Përrua të Thatë, ku u derdh gjaku i shumë trimave shkreljanë.

E gjithë kjo histori lufte, ishte një përgatitje shpirtërore dhe atdhetare për Kryengritjen e përgjithshme të 6 prillit 1911. Me 24 mars 1911 Turgut Pasha shpalli tradhtarët e Malësisë së Madhe, në mesin e të cilëve edhe komandantin e djelmisë Tomë Nikë Shkrelin, i cili ishte protagonisti kryesor bashkë më Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, vojvodën e Kastratit, që kishte luftuar për t´i kundërshtuar heroikisht Turgut Pashës dhe synimeve të tij, për ta djegur Malësinë, duke ia filluar nga Shkreli e deri në Majën e Deçiqit.

Këtë ngjarje e pershkruan në kujtimet e tij historike imzot Nikollë Ashta, famullitar i Shkrelit. Ai ndër të tjera kujton: “Me 24 mars 1911, djelet e Malësisë së Madhe të Shkreli, të Hotit, të Grudë të Kelmend, të Kastratit, me nji heroizem, pushtuen të gjitha postat ushtarëve turke, u marrin armët,i kapen rob shume ushtar turq,e rrethuen Tuzin e kështjellën e Shipshanikut“.

Ndër burrat trima dhe sypatrembur ndaj armikut ishte edhe luftëtari i lirisë Rrush Man Hasani dhe Bec Patani, Cul Patani, të cilët luftojnë me shpatë, për të mbrojtur trojet shqiptare Plavës dhe Guci, ku shpata e tyre i shtiu tmerrin ushtrisë së Mark Milanit,te Malit te Zi, të cilët braktisën frontin e luftimit nga frika.

Sipas Poetit Kombëtar atë Gjergj Fishta O.F.M., në poemën e famshme të tij “Lahuta e Malcis”, shkruhet se shkrelasit shquhen për urti, trimëri dhe virtyte të larta kombëtare, duke mbetur të pavdeshmëm me figurat e tilla si: Gjon Dedë Shkreli, Bec Patani, Dasho Shkreli, Marash Dasho Shkreli, Kacel Deda, Kermik Gila, Llesh Marash Shkreli, Vat Marash Shkeli, Luket Marashi, Tomë Nika, Pjetër Gjoka nga Shkreli etj.

Shkreli me burrat e tij të shquar, luajti një rol të rëndsishëm në periudhën e Pavarësisë të vitit 1912, ku disa nga bijtë më të mirë të tij nënshkruan Memorandumin dërguar Kryesisë së Konferencës së Paqes në Paris më 2 korrik 1919.

Ky memorandum i hartuar kundër copëtimit të trojeve shqiptare u nënshkrua jo vetëm nga Arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, ipeshkëvi i Sapës Gjergj Koleci, ipeshkëv i Pultit at Benardin Shllaku, dom Zef Gjonali administrator i abacies së Mirditës, Dom Nikollë Kimëza delegat epishkopal i Lezhës, etj., por edhe nga famullitarët e famullive, që u përkasin këtyre dioqezeve me bajraktaret e fisëve të malëve të Malësisë, ku nder të tjerë të bie në sy emri i bajraktarit të Shkrelit Vatë Marashi, bashkë me famullitarin e kishës dom Frano Karma.

Duhet theksuar se edhe një delegacion atdhetar i burrave të Shkrelit muren pjesë në Kuvendin e Gerçes (bjeshkë midis Triepshit-Bekajt dhe Selcës) të mbajtur me 10-23 qershor 1911, ku u nënshkrua një Memorandum (Libri i kuq) me 12 parashtrime, që i perkisnin kuadrit kombetar te levizjes mbarëshqiptare për autonomi të Shqipërisë. Në këtë kuvend morën pjesë përveç bajraktarit Vat Marashi, edhe Tomë Nika, e Martin Preka prej Shkreli.

Por vuajtjet e shkreljanëve nuk mbarojnë asnjëherë. Kështu Shkreli gjatë regjimit komunist kaloi kalvarin e gjatë të persekutimit nga diktatori antishqiptar dhe antikatolik Enver Hoxha.

Komunistët me ardhjen në pushtet me mashtrime dhe dhunë fizike në vitin 1944, për Shkrelin dhe gjithë Malësinë erdhën ditë të zeza, të cilat do të vazhdojnë deri në vitin 1990.

Shkreli, është një zonat më atdhetare, liridashëse e fetare, ndaj të cilit nisi një epokë e zezë e persekutimit komunist. Enver Hoxha si nip hoxhe nga Gjirokastra bëri një kasaphane e gjakederdhje në trevat e Malësisë, sidomos në Klerin Katolik në gjithë Shqipërinë.

Pikërisht njerëzit e Shkrelit ishin ata të cilët të parët kundërshtuan rregjimin e dhunshëm komunist, sepse nuk mund ta duronin shtypjen dhe nënshtrimin. Shkreljanët të mësuar ndër shekuj me kryengritje kundër pushtuesve shumë shekullorë, dhanë shenjat e para të kundërshtimit antikomunist nga viti  1945-1990.

Kujtojmë, se në muajin e ftohtë të janarit të vitit 1945 plasi kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe ndoshta në gjithë Evropën Lindore, e kryesuar prej burrave të Bajzës dhe të Shkrelit, për të penguar hyrjen e forcave partizane në këto zona të pamposhtuara.

Forcat antikomuniste udhëhiqeshin nga komandanti trim Llesh Marashi nga Zagora, i cili ishte edhe komandanti i të gjithë forcave nacionaliste.

Lleshi kishte  bashkëpunetorë trima, si: Pjetër Gjokën, bajraktar i Shkrelit, Nikollë Prekë Gjeka – Dedaj, kryetar i komunës së Shkrelit, Luket Marashin prej Grishajve, Gjergj Kolë Lucën prej Vrrithi, Zef Tomë Çeken nga Çekdedaj, si dhe Gjon Martin Lulen Ivanaj, me Mirot Palokën Ivanaj nga Bajza.

Mbas këtyre thirrjeve për liri nga komunizmi i zi, rreth 100 burra të Shkrelit u mblodhën të armatosur në Stol të Zagorës afër Grishajve, ku u bë mobilizimi në shtëpinë e Zef Nikë Colajt.

Mbledhja përfundimtare u mbajt në Grishaj në shtëpinë e Luket Marashit. Detyrat luftarake u dhanë prej komandantit Llesh Marashi.

Lufta kundër forcave komuniste i çoi kryengritesit deri te Kisha e Bajzës. Me çlirimin e Bajzës, kryengritja zgjerohet me trima të Kastratit dhe Hotit, dhe të gjithë së bashku u drejtuan për në qytetin e  Shkodrës, ku mendohej të hynin edhe forcat nga Postriba, të udhëhequr nga nacionalisti antikomunist Jup Kazazi.

Beteja për marrjen e qytetit të Shkodrës, u bë në urën e Rrjollit, ku malësorët u gjendën të vetmuar dhe pa mbështetjen e parashikuar. Në këtë betejë nga malësorët ranë dëshmorët e lirisë dhe demokracisë: Gjon Martini dhe Mirot Paloka si dhe u plagosën mjaft të tjerë. Gjatë kësaj trazire, të Kisha e Shkrelit u vra edhe Mark Tomë Gjeloshi nga Makajt.

Padyshim që historia e kësaj krahine është e lidhur ngushtë me historinë e kishës, kjo gjithashtu e bën atë edhe një histori kulture përpos se një histori luftërash e betejash të përgjakshme.

Historikisht e para dëshmi e shkruar për ekzistencën e kishës shenjte, si objekt ne këtë krahinë, vjen prej albanologut të shquar austro-hungarez Franc Baron Nopsca, i cili, në një dorëshkrim të vetin, na tregon sesi një farë Mal Pepa nga Shkreli diku rreth vitit 1625, ka ndertuar shtëpinë e vet në Prelë Ivanaj, pas malit te Bulecit, ku aty gjen rrenojat e një kishë të vjetër kushtuar Shën Prenës.

Për të njëjtën gjë flet edhe i dërguari i Selisë Shenjtë në Shqipëri, imzot Shtjefen Gaspri në vitin 1671. Ai ndër të tjera thotë se Shkreli ka Kishën e vet kushtuar Shën Prenës dhe kujdesin për Kishën e ka prifti i Rrjollit, atë Klementi nga Brindisi i Italisë.

Për kishat katolike ne Shkrel dëshmon edhe imzot Frano Bardhi në relacionin e vet dërguar,nje leter Papes ne Selisë Shenjte në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë.

Historikisht, dokumentohet nga arkiva e Raguzës Dubrovnikut, nga imzot Pjetër Abrnori, se kishte edhe kisha më të vjetëra, si në Gerben, Serkuj, Zagorë, në mahallen e Kolajve, te Brija e Fierkuqe dhe në Ducaj, ku ekzistojnë edhe sot e kësaj dite themelet e kishave të lashta shekullore.

Deri në këto vite për të cilën po flasim, kisha e Shkrelit ka fituar dhe atributet e një famullie. Prej kësaj kohe e këndej kisha e Shkrelit është bërë gjthnjë e më tepër një vend i shenjtëruar procesionesh, lutjesh e qendër kulture e fetare.
Rregjistri i kishës dhe i famullisë së Shkrelit mbetet sot e kësaj dite, si një ndër burimet më serioze e më të besueshme sa i takon referimeve historike, duke qenë një dokument i pazëvendësueshëm.

Tani  më lejoni të falënderoi për kontributin e madhe,   që ka dhënë për disa dekada në Kishën tonë, djali i Shkrelit, profesor Mark Koliqi Shkreli, i cili gjithnjë dhe pa u lodhur, si një aktivist i Kishës dhe komunitetit tonë, ka drejtuar disa herë Këshillin e Kishës, si drejtor i Qendrës Kulturore dhe Fetare Nënë Tereza, dhe vazhdon të drejtoi më shumë sukses si kryeredaktor i revistës Jeta Katolike.

Së fundit duke ju përshendetur të gjithëve juve, fjalë të ngrohta zemre, po i përcjellim edhe meshtarit të shquar, udheheqësit tonë shpirtëror dhe atdhetar Të Përndershmin Dom Pjetër Popaj, dhe ndihmësin e tij të palodhur Dom Viktorin, për kontributin e madh, që ata po japin çdo ditë për të mirën e komunitetit tonë.

Është meritë e klerikut të shquar të komunitetit tonë Dom Pjetër Popaj, i cili na bashkon në një familje të madhe të gjithë shqiptarët, duke nxitur ruajtjen e fesë së të parëve tanë të krishterë, kulturën amtare, gjuhës e bukur shqipe, zakoneve dhe traditave të bukura shqiptare.

Kjo kishë sot është kthyer në një vatër të madhe, dhe të ngrohtë të ushqimit shpirtëror fetar dhe kombëtar, të djemve dhe vajzave  nipave dhe mbesave tona, që janë lindur dhe rritur këtu në Amerikë, duke ruajtur si gjithmonë frymën e humanizmit, duke mbledhur gjithnjë ndihma për vendlindjen, dhe njerëzit në nevoj pa dallim feje dhe krahine.

Nën udhëheqjen e Dom Pjetër Popaj, këtu janë pritur dhe përcjellë personalitete të shquara të trojeve etnike shqiptarë, që kanë vizituar Kishën tonë.

Është pikërisht ky meshtar i palodhur dhe i përkushtuar për Fe e Atdhe, i cili gjithnjë po udhëheq fushatat humanitare, për mbledhjen e fondeve për popullin shqiptar në trojet etnikë, për ndërtime e riparime të kishave shëjte e katedralave si në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Eshtë meritë e madhe të klerikut tonë, Dom Pjetër Popaj, me kontributin e tij të pa lodhshëm, e me idealet e pastra kombëtare dhe fetare, është kleriku më i madh, përsonaliteti më i shquar dhe figura më e shtrenjtë e të gjithë  shqiptarëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.

Një falënderim për këtë darkë dhe bashkimin në një sofër  të madhe të shqiptarëve në ketë restorant, dua të falënderoj edhe kryetarin aktual të Këshillit të Kishës zotit Tonin Lumaj, për kontributin e madh, që po jep gjithëmonë, duke qenë i pa lodhshëm për kishën tonë Zoja e Shkodrës. Ai është  i biri i Prekë Mark Sokolit, një derë e mirënjohur në Dedaj të Shkrelit dhe mbarë Malësinë, si shtëpi me famë e me za, e cila ka nxjerrë shumë figura të shquara dhe  personalitete të dalluar si luftarë trima, të besës, bujarisë tipike shqiptare, që lanë gjurmë të thella në historinë e popullit shqiptarë.

*Nga fjalimi mbajtur ne takimin fondmbledhes organizuar në Nju Jork per riparimin e Kishës historike të Shën Nikollës në Shkrel

Filed Under: Histori Tagged With: Gjon Frani Ivezaj, Kisha dhe Historia, shkreli

Ç’KA SHKRUHET ME GJAK ATDHETARËSH ATJE, NUK SHLYHET KURRMA !

September 22, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1-okay-shkreli-1

 Foto:PAMJE E KRAHINËS SË SHKRELIT/

■E PRA, NDER KËTO MALE QË JU SHEH SYNI KISHTE BURRA ANALFABET QË DININ PËRMENDËSH EDHE “LAHUTEN E MALCISË”…

Ndërsa sot, Shqiptarët e këtyne Alpeve pa përjashtim duhet të dijnë thanjen e Atdhetarit ■PREK CALI: “S’ka shka më duhet jeta nën hijen e trobojnicës (flamurit malazez), ma mirë me u kalbë në dhe, zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!” (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë) Ishte 17 Janari 1945, kur u dorzue Preka, dhe krimineli Mehmet Shehu me dredhi e pyeti: “T’u thafshin krahët o Prenkë që nuk bashkpunove me ne, do e kishe mbyllur historinë tënde me shkronja ari!”

■Atdhetari Prekë Cali, “Shtiza e Bajrakut Shqipnisë” si e thërrisnin Malësorët e Alpeve, nuk e shiti Atdheun si tradhtarët Mehmet Shehu, Enver Hoxha, Sheuqet Peçi, Koçi Xoxe e kriminelët tjerë, që per një sterlinë tradhëtuen Shqipni e Kosovë, Çamëri, Hot’ e Grudë e të gjitha Trojet tjera, bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit, që e kishin zhigatë me yllin e kuq bolshevik. Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 72 vjet po mretnon tradhtia!

Tradhtia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e Historisë, dhe duhet ti bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Kastriotit në 1944 nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë, bolshevikët stalinistë, kinez etj.

■Kur nder krahinat e Berdicës vazhdonte qendresa antikomuniste nga Dhjetori 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën…

■15 JANAR 1945: Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye priten e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, që morën pjesë në luftën kunder Malësorëve të Kelmendit perkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të Mehmet Shehut, e mbasi vrane 118 Burra të Malësisë, i hollën nder lumej e prroska…

■Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Kriminelët vrastarë janë ata që ka dekorue kryeministri Rama.

“Mbetën katholikë Malësorët e Veriut me armë në dorë!”…shkruente Fan Noli.

 

23 JANAR 1945: Komandanti LLESH MARASHI, plasi Kryengritjen e Burrave të BAJZËS dhe të SHKRELIT, bashkë me Pjeter Gjoken, Bajraktar’ i Shkrelit; Nikollë Prekë Gjeken – Dedajn, Kryetar i Komunes së Shkrelit; Luket Marashin, Gjergj Kolë Lucen, Zef Tomë Çekaj, Gjon Martin Lulen Ivanaj, Mirot Paloken nga Bajza. Kumonëve të Kishës urdhnoi me i ra Don Nikollë Gazulli. Kol Nik Prela u ra kumonëve!

■U mblodhën ma shumë se 100 Burra të armatosun në Stol të Zagorës. Me lirimin e Bajzës me Kryengritjen u bashkue Kastrati dhe Hoti. Pritej edhe Postriba!

Beteja per me vazhdue rrugen nga Shkodra u ba tek Ura e Rrjollit, ku Malësorët mbetën të vetmuem dhe pa ndihmesën e premtueme… Tek Kisha e Shkrelit u vra Mark Tom Gjeloshi, ndersa mbas Tij, u vrane edhe Gjon Martini e Mirot Paloka.

■Mbas masakrave të Kelmendit, komunistët vazhdojnë vrasjet, djegëjet e plaçkitjet e kullave (me porosi Jugosllave) në krahinat katolike Atdhetare, per të cilat shkruen Noli.

■U pushkatuen e ua dogjën shtëpijat me porosi të “heroit popullit”, gjen. Enver Hoxha:

Gjok Kola, Mirash Gjon Sokolaj, Pjeter Kol Sokolaj, Nikoll Prel Gjeka, Luket Marashi, Dan Coli, Prek Leka, Pashko Leka, Llesh Marashi (u var në Shkoder), Fran Pjetri, Vat Gjelosh Marvukaj, Ndue Gjelosh Marvukaj, Ndrekë Pjeter Çulaj, Mark Gjok Leknikaj,

Martin Frani Popaj, Nikoll Kolaj, Kol Tom Deda, Preç Pjeter Vulaj, Mark Tom Gjeloshaj

Makaj, Gjon Lekë Mirukaj Xhaj dhe, pabesisht vritet edhe Don Nikoll Gazulli…

■Këtu nuk perfshihen Emnat e Atdhetarëve që vuejtën disa mija vite burg e interrnime.

Fatkeqsisht, mungon edhe persekucioni barbar i atyne Trojeve, që Konferenca e Jaltës ua kthej edhe njëherë shovenistëve sllavokomunist me i shkombtarizue.

■Kush kerkon me zhdukë nga Historia e Shqipnisë, Atdhetarizmin e Maleve të Veriut,

rezistencen dhe Kryengritjet Antikomuniste të Tyne, nuk ban asgja tjeter vetem kerkon me mëshef krimet e Enver Hoxhës, por edhe me fshij nga fletët e Historisë së Popullit Shqiptar, dhunen e pashoqe të terroristëve të Sigurimit shtetit komunist.

***

■Nga majet e Atyne Bjeshkëve të Nêmuna buron një ujë i freskët dhe i kulluem…

■Ai ujë asht kenë nder Shekuj që ka ruejtë të paster Identitetin e Popullit Shqiptar!

Merrej nder ata burime nga duertë e Vashave me xhubleta, mbushej buljera dhe rrugës mund të pinte aty, vetem ndonjë udhtarë… që ishte nder Shenjat e Pushimit…

■Ishin bash Ato Burrnesha që shumë shpejtë mbas vitit 1944, u vishën me ruba të zeza dhe sermët e postavat ua plaçkitën “çlirimtarët”, që ua grabitën edhe varset me Kryqa…

■Gurtë dhe Shkamijtë mbetën aty…

■Janë të shkruem me Gjakun e Atyne Atdhetarëve, që nuk shlyhet kurrma!

            Melbourne, 20 Shtator 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, gjak atdhetaresh, Lahuta e malcise, shkreli

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT