-Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh./
-Para 29 viteve, e diela e 24 Majit 1992 ishte dita kur Republika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991 mbajti zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind dhe Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë dhe historik/
-Para ditës së zgjedhjeve, Dr. Ibrahim Rugova kandidat i vetëm për President të Kosovës paraqiste Programin: Kosova republikë e pavarur e neutrale, shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë/
-Zgjedhjet në Kosovë të para 29 viteve u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut: Ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit…Këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën/
-Raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën para 27 viteve kam zhvilluar intervistën e parë ekskluzive me Presidentin historik Rugova, ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”/
-4 Mars 2002 – Ibrahim Rugova i rizgjedhur President në Kosovën e lirë: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë… Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 23 Maj 2021/ Para 29 viteve Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, i pari dhe historik, në zgjdhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.
Një ditë para votimit, në 23 Maj 1992, gazeta e rezistencës “Bujku” në ballinë me mbititullin “Programi i Dr. Ibrahim Rugovës, kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës” dhe kryetitullin “Kosova – Shtet i Lirë dhe i Pavarur” shkruante:
“Në konferencën e djeshme për shtyp të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i vetmi kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës, në pika të shkurtëra, paraqiti para gazetarëve programin e vet si kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës.
Si kryetar i Republikës së Kosovës, tha dr. Ibrahim Rugova, do të përpiqem ta zbatoj programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive politike shqiptare në Kosovë, do të përpiqem të zbatoj edhe programin e të gjitha partive të tjera politike në Kosovë si dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që Kosova të jetë republikë e pavarur e neutrale dhe që të vendosim institucionet demokratike dhe pushtetin demokratik në Kosovë, punë kjo që do të shkojë në të mirë të shumicës shqiptare, të serbëve, të myslimanëve dhe të turqve dhe që Kosova të jetë shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë.
Këto zgjedhje, tha Rugova, i çmoj edhe si një hap para në politikën dhe rezistencën tonë paqësore për të realizuar të drejtat tona demokratike.”
Kryetitull tjetër i gazetës në ballinë ishte “Përgatitjet për zgjedhje u kryen me sukses”, ku në raportimin nga konferenca për shtyp e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Kosovës theksohej: “Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të votojnë nëpër vendvotimet e tyre nesër, prej orës shtatë deri në orën 19. – Janë përgatitur mbi 900 mijë fletëvotime për deputetë dhe po aq për kryetar të Republikës së Kosovës në tri gjuhë. – Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë si dhe përcjellin delegacione të shumta nga bota, si dhe gazetarë të shumtë të redaksive dhe agjencive botërore”.
Një nga paralajmërimet në ballinë të gazetës kishte mbititullin “Telegram i dr. Sali Berishës dërguar Butros Galit”, titullin “OKB duhet të parandalojë sulmin e mundshëm në Kosovë” dhe nëntitullin “Vëzhguesit dhe forcat e OKB-së në Kosovë do të përcillnin edhe zhvillimin e zgjedhjeve dhe në përgjithësi do t’i shërbenin çëshjtjes së sigurimit të paqes, për të cilën ju personalisht angazhoheni, shkruan pos tjerash presidenti shqiptar”. Në atë kohë Butros Gali ishte Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork, SHBA.
Zgjedhjet presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në Kosovë ishin zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.
Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 29 viteve të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.
Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.
“Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.
Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se zgjedhjet e 24 Majit 1992 janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:
“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.
Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës 96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës 7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane 7 deputetë, Kandidatët e Pavarur 2 deputetë.
Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konfiskoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.
Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 Majit 1992 në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se, gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.
Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.
“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.
Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.
Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.
Po para 29 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë. Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.
Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që e kam zhvilluar para 27 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Në intervistë, Presidentin Rugova e kam pyetur edhe për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 e që u pasua me zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992. Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo:
“Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.”
Zgjedhjet e dyta presidenciale e parlamentare Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.
Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova ka mbajtur 8 palë zgjedhje parlamentare, 5 prej tyre pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete anëtare të OKB-së. Kosova e lirë gjatë 22 viteve ka mbajtur edhe 6 palë zgjedhje lokale, gjysmën prej tyre si shtet i pavarur 13 vjet.
ARKIV – FJALA E PRESIDENTIT RUGOVA NË 4 MARS 2002, I RIZGJEDHUR NGA KUVENDI I ZGJEDHJEVE TË PARA PARLAMENTARE TË KOSOVËS SË LIRË:
Ibrahim Rugova: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë
Prishtinë, 4 mars 2002 (QIK) – Presidenti i posazgjedhur i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, lexoi një fjalim para gazetarëve që përcillnin punimet e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e Presidentit Rugova.
Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.
Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.
Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit ë Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia dhe të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.
Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.
Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.
Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.
Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.
Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.
Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.
Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.
Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.
Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.
Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.
Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.
Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.
Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.
Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre.
Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.
Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.
Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.
Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.
Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.
Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.
Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.
***.
Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh.
Agjenda mediale e Presidentes Osmani për nesër (24 maj 2021)
Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh.
Në orën 09:00, Presidentja Osmani së bashku me ish-Presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga vendosin lule tek shtatorja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vendi: Sheshi “Ibrahim Rugova”;
Në orën 11:00, Presidentja Osmani merr pjesë në hapjen solemne të “Javës së Bibliotekës”.
Vendi: Biblioteka Kombëtare;
Në orën 13:00, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga vizitojnë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.