-Kombi shqiptar ka vetëm një ditë të shënuar të historisë së tij. Kjo ditë është 28 nëntori 1912. Ajo është dita e pavarësisë, është dita e çlirimit kombëtar, është dita që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm./
Nga Reshat KRIPA/
Në këtë ditë festive të 28 nëntorit, ditës së përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dëgjojmë edhe disa zëra korbash të zinj që, për ta errësuar këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, nxjerrin në plan të parë një datë tjetër, një datë të turpshme për t’u përmendur, atë të 29 nëntorit, njëlloj si në vitet e errëta të sundimit të diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën e disa individëve të indoktrinuar nga propaganda jashtë kohe e atyre që i shërbyen me servilizëm diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të denjoja të bëja një shkrim apo t’u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim janë ata individë apo, më mirë, personalitete të politikës dhe jetës shoqërore në vendin tonë që ende i bëjnë elozhe kësaj date. Por të mos zgjatemi me llafe dhe le të shtrohemi në rrugën e argumentave.
Çfarë është 29 nëntori? Për idhujt e kësaj date është çlirimi i Shqipërisë. Por a është e vërtetë kjo? Shumë bij nënash ranë në luftë kundër okupatorit të huaj. Një pjesë prej tyre ranë në rradhët e çetave partizane, të tjerë në rradhët e forcave nacionaliste. Por përse ranë? Mos vallë për yllin e kuq të komunizmit apo për simbole të tjera të forcave politike që vepronin në vendin tonë? Absolutisht jo. Ata ranë për atdhe. Ndaj personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ i kombit tënd. A ndodhi kjo pas këaj date? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste më kujtohet një këngë popullore që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së bashku me disa luftëtarë të tjerë të lirisë dhe demokracisë:
Shqipëri e vogël, plot një milion,
Buzë Adriatikut edhe detit Jon,
Seç hoqi e ç’vuan mjaft nga të huajt,
Por dhe vetja jonë!
Po, ne nuk vuanim nga të huajt se ata, me të vërtetë ishin shporur nga vendi ynë, por në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte disa herë atij të pushtuesit. E pra ishin këta shqiptarë të atij shteti që na rrëmbyen mua dhe qindra fëmijë të tjerë, të moshës 14-16, vjeç për të na përplasur në qelitë e errëta të ish sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e tmerrshme të punës së detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të jetuarit. Ju mund të thoni se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju e keni harruar atë kohë, apo bëni sikur e keni harruar, kur thërrisnit “kriminelët në litar” për ne, vetëm e vetëm sepse, në kundërshtim me ju, thërrisnim “Për Liri, Për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”
Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një “supermen” dhe çdo ballist apo zogist si Sali Protopapa i filmit tuaj “I teti në bronx”, apo ballistët e filmit tjetër “Kur zbardhte një ditë”. Por, fatmirësisht, hyra në burg. Them fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij kombi. Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t’i vijnë më këtij vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në zë të botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh e Kudret Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të tjerë. Këta burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita e zisë për kombin shqiptar.
Po, ajo nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Është e tillë pasi personifikon mbi 6.000 martirët e rënë në luftën për demokraci. Simbolizon mbi 25.000 të dënuarit politik nga regjimi i urryer. Simbolizon mijra familjet e internuara nëpër kampet e tmerrshme, ku një pjesë e tyre gjetën edhe vdekjen. Nje datë e tillë nuk mund të jetë data e çlirimit të Shqipërisë. Ajo është data e një robërimi të ri të saj dhe, për fat të keq, kësaj radhe, nga vetë shqiptarët.
Çfarë solli ky “çlirim”? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar. Ekzekutime burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja ishte shpëtimi prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të regjimit, gjë që bëri që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër që, po të kishin mundësi, t’i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli “çlirimi” i 29 nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë të nderuar lexues.
Shpesh herë dëgjojmë funksionarë të ndonjë partie që thotë se u dashkan vlerësuar meritat e diktatorit Hoxha. Dua t’ipyes këta zotërinjë:
- Cilat janë meritat e diktatori Hoxha?
Nuk e di se për çfarë merite flasin zotërinjtë në fjalë, por unë diktatorit i njoh vetëm vrasjet prapa shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend këtu Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te Kadri Hazbiun dhe të tjerë me të cilët kishte qenë “shok armësh”.
Kjo është vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë nga e gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto janë merita që duhet t’i vishen diktatorit? Thuhet se një gjë e tillë bëhet për të fituar votat e spektrit të majtë. Unë do ta quaja një gjë të tillë flirtim me djallin. Në rast se një veprim do të gjykohej me “moralin e lartë” të një lideri, atëherë edhe unë do ta pranoja një “lajthitje” timen një veprim të tillë.
Përse ndodhin fenomene të tilla pikërisht në këtë ditë historike të kombit tonë? Mendoj se shkaku kryesor është shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të popullit shqiptar në këtë përvjetor të madhërishëm, ndjenjë që kishte munguar për vite të tëra. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve të tyre të përmbysura nga mbarë populli shqiptar. Këtë e vërtetoi qysh njëzetetë vjet më parë përmbysja e përmendores së diktatorit dhe nuk mund ta ngjallë më askush sado të mundohet. Kjo është edhe një kërkesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.
Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një ditë të shënuar të historisë së tij. Kjo ditë është 28 nëntori 1912. Ajo është dita e pavarësisë, është dita e çlirimit kombëtar, është dita që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm.