• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“RRNOFT SHQIPNIA EDHE PA NE”!

November 16, 2016 by dgreca

SHTETI SHQIPTAR U KËRKON FALJE  38 MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE/

                                                   1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një ceremoni me rëndësi jashtzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënje historike, e cila fatkeqsisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë në këto 25 vjetë të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike, me urdhërin e lartë të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani — në emër të shtetit që ai kryeson —  siç u shpreh ai, përunjësisht, u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.1-presidenti

                 Megjithse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetve të Kuvendit, përfaqsuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38 Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të cilës u njohën dhe u kurorëzuan — publikisht — sakrificat dhe vuajtjet e këtyre viktimave të komunizmit.  

2-ilir-meta-berisha

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqsues të Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përunjësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ — na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.”

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit”, vazhdoi fjalën e tij Presdienti Nishani, “E ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

“T’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijoi, ndër të tjera, Kryetari i Shtetit shqiptar.

                        ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani)

Presidenti Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë shekujve.  Në historisë shekullore të shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrsve në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani.

Dinjiteti kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e vdekjes — në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotëme — u jep këtyre heronjëve një pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqsuesve më të mirë të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  u shpreh:  “Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’   Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’.

                 Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe grupeve të dalluara.   Kjo ishte një ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të lartin Urdhër Shtetëror — atë të Flamurit Kombëtar — 38 klerikët martirë.   Kjo ceremoni mori përmasa të jashtzakonshme sepse për herë të parë në këto 25 vjetë post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i Shqipërisë — në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto 25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e pallateve me para burimesh të dyshimta, ose me ndërtimin e rrugëve e të fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë ligjet dhe rregullat proceduriale të një shteti.  Përfaqsuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohsisht të mibilizojnë edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet — me fjalë të tjera, ata duhet të pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krjimin e një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohen.  

Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk më kujtohet tani për tani, ka thënë se nëqoftse nuk mund t’i dallojmë të mirat nga të këqiat midis komunizmit dhe anti-komunizmit — që mund të thuhet se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit 20 — atëherë është tepër e vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë, racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjetë pas shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt nëse shoqëria e gjërë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh në përgjithësi, veçanërisht përsa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar — siç ka thënë edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet, kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik.

Me këtë veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejtë një Shqipërie me standarde morale — duke ndarë të mirën nga e keqja– dhe duke i dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.   

***

KRONIKE610

Presidenti Nishani vlerëson Imzot Zef Skanën (pas vdekjes) me Dekoratën “Nënë Tereza”

222Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i akordoi Imzot Zef Skanës (pas vdekjes) Dekoratën “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e shquar si klerik që shkriu jetën për idealet “Fe e Atdhe”, për edukimin e virtyteve të larta morale si misionar i pajtimit të gjaqeve në Mirditë, përhapës i kulturës, paqes dhe përparimit, si veprimtar shoqëror në lëvrimin e letrave shqipe dhe në përhapjen e arsimit në mesin e shekullit XX”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 38 martirët, Frank shkreli, kërkon falje, shteti shqiptar

Lumturohen 38 Martirë të klerit katolik

November 5, 2016 by dgreca

Nga Anila Struga/

lumturimi-i-martireve-te-fese-foto-agim-dobi-14SHKODËR, 5 Nëntor- 38 Martirë të klerit katolik, të pushkatuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitet 1945-1974 për shkak të besimit në fe, u Lumturuan të shtunën nga Vatikani, në një meshë të organizuar  në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, nje qytet me tradita ne kulture ne verilindje te vendit.
Kjo ngjarje, e konsideruar më e rëndësishmja pas vizitës së Papa Françeskut dhe Shenjtërimit të Nënë Terezës, mblodhi  disa mijëra besimtarë  dhe qytetare nga  Shqipëria , Kosova, Mali i Zi, dhe vende të tjera.  Në Meshë ishin të pranishëm autoritete të larta të Vatikanit, klerikë nga vende të ndryshme të botës  dhe drejtues të komuniteteve fetare në vend.
lumturimi-i-martireve-te-fese-foto-agim-dobi-7

Arqipeshkvi Massafra i shprehu mirenjohjen Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut për dhuratën që i fali tokës Shqiptare duke pranuar t’i numërojë ndër të Lumet edhe Shërbëtorët e Hyjit Ipeshkvin Vinçenc dhe Shokët e tij, Martirë”.

Dekreti për Lumturimin e 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare, u firmos në muajin prill nga Papa Françesku, një veprim që i vendos ata përkrah figurave më të shquara të katoliçizmit botëror.

lumturimi-i-martireve-te-fese-foto-agim-dobi-12Të gjithë klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë kryer së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj. Ndërkohë që të gjithë klerikët katolikë shqiptarë kishin kryer së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës.  Lumturimit të 38 Martirëve të fesë katolike, i parapriu miratimi dy ditë më parë nga parlamenti shqiptar i një rezolute që dënonte krimet e komunizmit ndaj klerit. Kjo ngjarje  ka terhequr vemendjen e opinionit jo vetem brenda Shqiperise, por edhe ne rajon e me gjere.

Filed Under: Histori Tagged With: 38 martirët, Lumturohen, shkoder

ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !

November 5, 2016 by dgreca

Për 38 martirët e klerit katolik shqiptar/sami-repishti-c1200x600-2-300x136Nga Sami Repishti, Ph.D.*/1-shkoder

5 nandor 2016. Ridgefield, CT. SHBA.-  Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë Shkodër-Pult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi  – dhe mirënjohja e jonë!

Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme. Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martir먴që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore…nji dhe të pandame !

”Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.)

******

“Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë.

“Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).

Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve  ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë.

Katoliçizmi mori hov me Gjergj Kastriotin-Skenderbeu dhe me lidhJet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe  që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”. Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli.

Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703. Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona, dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes.

Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri. Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit).

Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental.

Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar. Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritë-dhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman. Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata. Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “…U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare….”.

Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq. Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme!

(Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)

Në nandor 1944, pa pritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet….pa mëshirë, pa pushim!

*****

Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba!

Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje.

Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengpn sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve” – meturina toksike të komunizmit – që na ndajnë kaq shumë.

Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton. E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne- tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot. ka qenë dje, dhe do të jetë edhe nesër!

Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmeron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngushëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që  reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.

Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. ”Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “…punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “ janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”. Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot.

Në vitin 1984, në New York, SHBA., unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco,) : “ …si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe, se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau!

Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e  botës sonë sot.  I ndjeri Imzot Rrok MIrdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010:

“…të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë.(Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”. (Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39)

Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot  shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: ”Rrno, vetëm për me tregue”.

Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë,  sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës….që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!

Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme. Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frengjishtja- e konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: ”Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”. E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.

Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin  vlerësimin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.

Nga qelitë e errëta të torturës, dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re  po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne- si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes….! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue”, dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.

Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.

Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!

*City University of New York

Filed Under: ESSE Tagged With: 38 martirët, ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !, Sami repishti

Së shpejti të Lum, 38 martirët, viktima të komunizmit në Shqipëri

April 27, 2016 by dgreca

Papa Françesku autorizoi botimin e dekretit përmes të cilit shpallen të Lum  Shërbëtori i Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë ndërmjet viteve 1945-1974, gjatë regjimit komunist.

Ditë e shënuar, kjo e 27 prillit 2016, për Kishën dhe për mbarë popullin. 38 martirët e parë shqiptarë, vrarë gjatë komunizmit, ndërmjet viteve 1945-1974, për të cilët prej vitesh ishte hapur çështja e kanonizimit kishtar, tani njihen nga Papa dhe Selia e Shenjtë të Lum, martirë për shkak të fesë në Krishtin. Kjo do të thotë se pas procesit kanonik në nivelin dioqezan për vërtetimin e martirizimit të tyre, përfundoi edhe procesi  pranë Kongregatës së  Selisë  së  Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve, në Vatikan.

Vërtet, dje, më 26 prill, pikërisht në festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores Qiellore të mbarë popullit shqiptar, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, Papa Françesku u takua me Prefektin e Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, të cilin e autorizoi të botojë dekretet, që kanë të bëjnë me njohjen e një sërë mrekullish, virtytesh heroike dhe martirizimi. Ndër ta, njihet

– martirizimi i Shërbëtorëve të Zotit, Vinçenc Prennushi, i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, kryeipeshkëv i Durrësit, dhe i 37 shokëve të tij, vrarë ndërmjet 1945-ës dhe 1974-ës.

Festa e Zojës do të marrë edhe domethënie të tjera për Shqipërinë, popullin e Kishën shqiptare. E pikërisht në solemnitetin e Nënës së Zotit, Nënës së Këshillit të Mirë, janë shqyrtuar dokumentet e dëshmitë, që i dhuruan popullit e Kishës shqiptare martirët e parë, të periudhës së regjimit komunist 1945-1974-ë, të cilët i nderonte si të tillë që më parë.

Së bashku me ta, Ati i Shenjtë Bergoglio autorizoi publikimin e dekreteve edhe për dy mrekulli, katër martirizime të tjera dhe 8 virtyte heroike, që u njihen njerëzve të denjë për t’u konsideruar ndjekës të vërtetë të Krishtit e dëshmitarë të Tij në këtë botë. Së bashku me martirët shqiptarë hyjnë në plejadën e shenjtorëve e të Lumëve, pranë Hyjit të Gjithëpushtetshëm.(Radio Vatikani)

Filed Under: Histori Tagged With: 38 martirët, Radio Vatikani, viktima të komunizmit në Shqipëri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT