-Opozita proteston, gjuan me vezë drejt kryeministrit derisa ai fliste në Kuvend. Kundër marrëveshjeve edhe me afër 53 mijë nënshkrime në katër ditë/
-Presidentja e Republikës, Jahjaga dënon sulmin ndaj kryeministrit Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/
-Qeveria dënon aktet e dhunshme të deputetëve të opozitës,siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Në Kuvendin e Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa, e nisi informimin për katër marrëveshjet me Serbinë në Bruksel, por seanca u ndërpre me thirrjet e kryeparlamentarit Kadri Veseli për “10 minuta pushim”, pas reagimeve protestuese të opozitës në sallën e seancës edhe me gjuajtje vezësh drejt kryeministrit. Kreu i qeverisë së Kosovës, nën mbrojtjen e sigurimit, u largua nga foltorja dhe salla e seancës. Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).
“Në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 ne i përfunduam marrëveshjet për katër dokumente: 1. Asociacioacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, parimet e përgjithëshme, përkatësisht elementet kryesore; 2. Konkluzionet e lehtësuesëve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë të vitit 2013 për heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë; 3. Plani i veprimit për telekomunikacionin; dhe 4. Konkluzionet për urën mbi Ibër, përkatësisht heqja e barrikadave nga ura e Mitrovicës”, tha Mustafa.
“Duhet të theksoj para këtij Kuvendi se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje të reja, por kemi të bëjmë me precizime të veçanta që derivojnë nga Marrëveshja e parë e ratifikuar me Ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto katër dokumente, pra që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë, janë nënshkruar nga dy shtetet, nga Republkika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga kryeministrat e dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, vijoi ai.
Kryeministri Mustafa në seancën e Kuvendit arriti ta thotë edhe këtë në vazhdim: “Dakordimi mbi këto dokumente, si dhe të gjitha tjerat në dialogun e Brukselit janë arritur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njëherit janë edhe mbështetësit për zbatimin e plotë të tyre nga të gjitha palët.
Kjo pako (e marrëveshjeve) është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun në Bruksel….”
DEKLARATË E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në një deklaratë e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. “Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, shprehet ajo.
Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që “t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”.
QEVERIA DËNON AKTET E DHUNSHME TË DEPUTETËVE TË OPOZITËS, FTON KUVENDIN E KOSOVËS QË TË KRIJOJË KUSHTE NORMALE TË PUNËS
Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se dënon aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Në komunikatën e dërguar, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura.
Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, përfundon komunikata nga Kryeministria kosovare.