• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANSAMBLI “RUGOVA” MBUSHI 70 VJET

December 2, 2017 by dgreca

1 rugova asmabel

 -Kryeministri Haradinaj: Manifestimi në 70-vjetorin e Ansamblit “RUGOVA” i bënë nder Rugovës kreshnike dhe gjithë kombit/2 Ramush Rugova

  -Kryeministri Haradinaj uroi 70-vjetorin e Ansamblit “RUGOVA”, i cili siç tha, koincidon me ditëlindjen e presidentit Ibrahim Rugova/1 Rugova shfaqje

PEJË, 2 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/1 dekorata

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në manifestimin artistik tradicional me rastin e 70-vjetorit të Ansamblit Folklorik Autokton “RUGOVA”, që u mbajt nën patronatin e Kryeministrit.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, uroi 70-vjetorin e Ansamblit “RUGOVA”, i cili siç tha, koincidon me ditëlindjen e presidentit Ibrahim Rugova.

“Ne kudo që jemi krenohemi me ju, me Ansamblin Autokton “RUGOVA”. Kjo është një festë e madhe, me shumë domethënie, dhe ky bashkim i yni e vërteton rrugëtimin 70 vjeçar të një thesari tonë, por që është mijëra vjet”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ky manifestim i bënë nderë jo vetëm artistëve, Rugovës kreshnike, por edhe kombit.Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë tha se Kosova, Qeveria, dhe të gjithë të tjerët, e kanë për nder ta rregullojnë statusin ligjor të Ansamblit Autokton “RUGOVA” si Ansambël Nacional, dhe siç tha ai, kjo do të ndodhë.“Dëshiroj të them se të gjithë e dimë se modernja është e të gjithëve, të gjithë kanë hise në të, por tradita është vetëm e atyre që e ruajnë dhe unë ju përgëzoj që e keni ruajtur për vete dhe për ne kudo që jemi”, tha kryeministri Haradinaj. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin ansamblet nga e gjithë hapësira shqiptare./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: - 70 Vjet, Rugova Ansambeli

70-VJETORI I MARTIRIZIMIT TË AVOKATIT MUZAFER PIPA

September 29, 2016 by dgreca

 

1-frank-shkreliNga Frank Shkreli/

”Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi”, (ishte fjala për Koçi Xoxen), e për prokuror një ish-“kafexhi”, (e kishte fjalën për Bedri Spahiun), të munden sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?”,

Kështu është shprehur Avokat Muzafer Pipa më 22 mars të vitit 1946, drejtuar trupit që gjykonte, ndër të tjerë, At Gjon Shllakun, At Gjon Faustin, At Daniel Dajanin, përfshirë studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku, të cilët u dënuan me pushkatim nga trupi gjykues në Shkodër.  Në këtë gjyq, ku Avokat Muzafer Pipa shërbente si avokat mbrojtës i tyre, ai, sipas dëshmitarëve, me të vërtetë pat treguar një guxim  dhe trimëri të paparë, por edhe altruizmin njerëzor, në mbrojtje të klerikëve katolikë.  Megjithse ai nuk kishte ndonjë lidhje me jezuitët, françeskanët, ose me klerikë të tjerë, Muzafer Pipa u shty nga guximi, ndershmëria, nga heroizmi dhe ndjenja e drejtësisë për të afërmin — si avokat besnik që ishte ndaj profesionit të tij, për t’u ardhur në ndihmë klerikëve të pafajshëm.Ndërgjegja e tij nuk e lejonte të rrinte duar kryq përball padrejtsishë të tilla, madje megjithse ishte i vetdijshëm se një mbrojtje e tillë e klerikëve katolikë nga ana e tij, mund të çonte edhe në dënimin e tij me vdekje, gjë që më në fund edhe ndodhi më 30-shtator, 1946.  Vëllai i Muzaferit, Profesor Arshi Pipa më ka thënë se avokati mbrojtës i klerit katolik, Muzaferi e bëri këtë punë krejtësisht në baza vullnetare, pa u marrë asnjë lek të akuzuarve për shërbimet e tij.  Për më tepër, ai e bëri këtë detyrë me pasion dhe me bindjen më të madhe, duke dhënë prova të pa-diskutueshme dhe duke bërë një mbrojtje të jashtzakonshme me fakte se akuzat shpifëse të gjyqeve komuniste kundër klerikëve shqiptarë ishin fals.  

Disa muaj pas këtij gjyqi dhe pas pushkatimit të klerikëve katolikë të lartë përmendur, autoritetet komuniste e arrestojnë edhe Muzafer Pipën duke i mohuar atij të drejtat e tija bazë, si avokat dhe si qytetar.  Ai u torturua nga autoritetet komuniste me një hakmarrje të egër për kurajon dhe vendosmërinë e tij civile dhe profesionale që ai tregoi në mbrojtje të të drejtave të klerikëve katolikë shqiptarë.

Profesor Arshi Pipa shënon në “Librin e Burgut” se, “Im vëlla, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer, 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuer dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte”.   Arshi Pipa, në “Librin e Burgut” shënon gjithashtu se vrasjen e vëllait të tij Muzaferit ia kishin mbajtur të fshehtë dhe se e kishte mësuar vetëm gjatë procesit të dytë kundër tij, në Prokurorinë e Durrësit.  Në “Elegjinë Vëllaznore”, kushtuar vëllait Muzafer, në lidhje me këtë deshpërim të thellë, poeti shprehet se:

                        “Ma thonte zemra e ngrata

                          Se jeta t’kishte lanë

                          Edhe pse shokët e miqtë

                          Nuk dojshin me ma thanë”.

Fatkeqsisht, Muzafer Pipa si shumë intelektualë patriotë shqiptarë të kohës së tij e pësoi jo vetëm nga komunizmi por edhe nga fashizmi.  Me okupimin e Shqipërisë nga Italia, Muzafer Pipa, së bashku me shumë studentë të tjerë shqiptarë dërgohet në kampe përqëndrimi në Itali, ndërkohë që lirohet pas dy vjetësh dhe i jepet mundësia të vazhdonte studimet që përfunduan me diplomimin e tij në universitetin e famshëm të drejtësisë në Padua.  Profesor Arshi Pipa, në lidhje me vuajtjet dhe mundimet e të vëllait gjatë kësaj periudhe mundimesh për mbarë familjen Pipa, ka shënuar se, “Im vëlla pat qenë burgosë nga auktoritetet fashiste italiane në ishullin Ventottene, afër Gaeta-s, më 1940 dhe ma vonë qe internue në kampin nazist të Prishtinës, më 1944”, duke u shprehur në poemën Elegjia Vëllaznore, kushtuar vëllait të vrarë se:

                            “Ti vuejtje, ti rreziqe

                              Durove simbas stinës

                              Nga ishulli i Ventottenës

                              Ndër telat e Prishtinës”            

Në fund të vitit 1944, Muzafer Pipa lirohet nga kampi nazist i përqendrimit në Prishtinë dhe këthehet në Tiranë për të ushtruar detyrën e avokatit.  Megjith aftësitë dhe edukatën e tij si avokat i diplomuar në Itali, Muzafer Pipa refuzon t’i bashkohej regjimit komunist të posa vendosur në Tiranë, pasi kishte venë re qyshë heret shkeljen brutale të të drejtave bazë të shqiptarëve nga regjimi i ri komunist i Enver Hoxhës.

Në vitin 2008 Shkodra e tij i akordoi titullin “Qytetar Nderi”. Ndërkohë që ish-Presidenti i Shqipërisë Topi e ka dekoruar Muzafer Pipën me Urdhrin, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”.

Në kujtim të vëllait të martirizuar nga regjimi komunist, megjithse poeti nuk dinte për veten e tij nëse do të dilte i gjallë nga burgjet komuniste të  të asaj që ai e ka cilësuar si “kohës së robnisë”, i betohet vëllait të vet  të vrarë, Muzaferit se:

 

                         “Kur ndofta nga mizori

                          Po përgatitet ura,

                          Për mue këtë herë, e kanga

                          E mbramë asht kjo që thura.

                          Me gjakun tand deshmori

                          Vulosi sot nji be

                          Përbuzi komunizmin

                      E truhem për atdhe.”

Avokati Muzafer Pipa sakrifikoi jetën e vet me dinjitet dhe ndershmëri, duke luftuar për kauzën e drejtësisë dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut për bashkadhetarët e tij, pa marrë parsyshë përkatësinë e tyre fetare dhe as dallimeve të tjera.  Prandaj, është me vend që në këtë 70-vjetor të martirizimit të Avokatit Muzafer Pipa – këtij, “Armiku të shtypjes e bir besnik i Atdheut” — jo vetëm katolikët, por mbarë kombi shqiptar ta kujtojë me nderim dhe respekt ketë hero të kombit, me shpresën që gjaku i tij të mos jetë derdhur më kot dhe që shembulli i altruizmit të tij human, guximi, trimëria dhe vendosmëria e tij si shqiptar dhe si jurist, në mbrojtje të drejtësisë për bashkombasit e vet para xhelatëve sllavo-komunistë, të frymëzojë brezat e rinjë të shqiptarëve.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Avokati Myzafer Pipa, Frank shkreli, pushkatimi

70 VJET NGA VRASJA E AT LEONARD TAGAJ PREJ SLLAVO-KOMUNISTET

February 4, 2015 by dgreca

Ne Foto: At’Leonard Tagaj O.F M 1910-1945/
Nga Fritz Radovani/
At Leonard Targaj(pagezuar me emrin Zef)asht le me 16 nandor 1910 ne fshatin Ljarje të Dioçezit të Tivarit, Tokë Shqiptare në Malin e Zi, por e lanun nën robninë e sllavokomunistëve të Jugosllavisë së Titos, mbas 29 nandorit 1944 edhe njëherë, mbas largimit forcave ushtarake gjermane nga Shqipnia. Kalimi i Trojeve Shqiptare që ishin të Lira nga viti 1941 edhe njëherë me “marrveshjen” Tito – Enver, nën robninë Jugosllave, nuk më lejon me i konsiderue veprat tradhëtare të komunistëve të Tiranës vepra të tyne, ndonse, qeveria kukull e Tiranës zbatonte urdhnat dhe dëshirat e sllavokomunistëve për shkombtarizimin e Trojeve tona, ma mirë se ata vetë. Këte thanje të timen e verteton ma mirë se gjithshka tradhëtia, robnia dhe shfarosjet e Trojeve tona nga Jugu e deri në skaj të Tivarit, me masakren e njohun të kosovarëve të premë në besë nga vetë shqiptarët.
Qeveria komuniste Jugosllave tashti me aprovimin e Aleatëve, do të fillonte atë veper të andrrueme shekullore të shovenistëve sllavë, me një anadollak antishqiptar i quejtun nga vetë Tito “komandanti i pergjithshëm” Enver Hoxha “Hero i Popujve të Jugosllavisë”.
Jugosllavët i treguen Tiranës tradhëtare se, Gjenocidi fillon me Klerin Katolik Shqiptar!
Edhe vetë ata ashtu e filluen me At Leonard Targai…
At Leonardi filloi studimet në seminarin e Troshanit, pranë Shkodres dhe i perfundoi në Insbruck Austri, në vitin 1936, atëherë kur veshi edhe Zhgunin e Fratit t’ Asizit.
Filloi misionin fetar në Traboin, në Kosovë, Malësi të Madhe dhe në vitin 1945 ishte prap në Famullinë e Traboinit të Burrave të Flamurit të 1911… Në Hotin e dashtun të Tij…
Nga libri i Kolec Pikolinit “Rregjimi i hienave”, botue në Shkoder në 2001, mësojmë disa nga veprat e kryeme jashta kufinit shtetit Shqiptar mbas vitit 1945, me shumë vlerë, mbasi Koleci, në atë liber historik paraqet fakte të pakundershtueshme dhe të sakta.
Aty shpjegohet edhe kjo vrasje makaber e Fratit At Targaj, ku agjenti Prek Gjoni u pat prij forcave jugosllave në disa aksione tradhëtije kunder Atdhetarëve tanë. Jugosllavët me një mjeshtri të vjeter kriminale kanë mërrijtë me gjetë atëherë ashtusi sot, mjaftë vegla tradhëtare për me krye veprat e veta pa e nxjerrë koken e gjarpnit sllavokomunist.
Jugosllavët per këte vrasje ngarkuen komandantin e vet serb Bajo Stankoviq.
Me At Leonardin ata masakruen e pushkatuen edhe Atdhetarin Vasel Mirashi.
Bashkpunimin “vllaznor” të komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, kunder Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar, e verteton shumë shpejtë edhe pushkatimi i Imz. Nikollë Nogës (Tusha), i cili u dorzohet malazezëve se kishte ngritë Flamurin e Kastriotit bashkë me Atdhetarin Cafo Beg Ulqini në vitin 1941… E masakrat me vrasje vazhdojnë!
At Konrrad Gjolaj O.F.M. në librin e vet “Çinarët”, botue në Shkoder 1996, fq 89 shkruen per momentin kur po ndigjonin në radio Shkodra, vendimin që gjykata po u jepte të gjithë antarëve të Grupit të Organizatës Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”:
“Atë ditë të zezë kur u dha vendimi, shperthyen prej zemres së At Matisë (Prennushi, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë – Shenimi im), këto fjalë:
“Ah… të lumtë o Serb, se ia dole me i diftue sot botës se, na Shqiptarët, me bisht e pa bisht, jemi me të vërtetë egersina…!” Na heshtëm dhe u shperndamë ndër dhoma…”
Vrasja e At Leonard Targaj me 4 Shkurt 1945, asht masaker tipike sllavokomuniste!
Tito e “dashuronte” PKSh dhe udhëheqjen e saj… Shpesh ai i porosiste me dashamirësi:
“Vëllezër komunistë shqiptarë! Vetëm kështu, siguroni pushtetin tuaj personal!”
Një porosi që vazhdon edhe sot nga viti 1941…

Melbourne, Shkurt 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, e Pater Leonard Tagaj, Fritz radovani, nga vdekja

Aqif Blyta – 70 Vjet nga vrasja

January 20, 2015 by dgreca

Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Nga Ismet Azizi/
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Aqif Blyta, Ismet Azizi, nga vrasja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT