Në një fotografi të publikuar në rrjetin Twitter shihet kryeministri Abadi i veshur në uniformë të zezë ushtarake dhe me kapelë, derisa arriti në Mosul për ta shpallur rimarrjen e kontrollit në këtë qytet.
Operacioni për Mosulin ishte lansuar në muajin tetor të vitit të kaluar nga forcat ushtarake irakiane, të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë betejës për Mosul, që është qyteti më i madh të cilin e kanë kontrolluar militantët, janë vrarë mijëra civilë dhe afro një milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Zyrtarët kanë tërhequr vërejtjen se derisa beteja kryesore për Mosulin ka përfunduar, militantët ende mund të ndërmarrin sulme sporadike nga afërsia e qytetit, ku grupi ekstremist, Shteti Islamik, ende ka hapësira që i kontrollon.