• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kompozitori Abaz Hajro, “babai” i serenatave Korçare

May 12, 2017 by dgreca

1 abaz Hajro

Nga Vepror Hasani/I pari ishte Ibrahimi. E qante violinën. Kur e dëgjonin nëpër dasma nuk mbetej njeri pa lotuar. Pas tij erdhi i bri, Hajroja, edhe ai mësoj ta bënte violinën të qante. “Të qarën e Hajros”, e interpretojnë edhe violinistët e sotëm, por dy shpirtra nuk janë kurrë njëlloj. Hajroja pati tre djem: Demkën, Rushanin dhe Shefkën. Dy të parët mësuan violinën, kurse Shefka llahutën. Vëllezërit i dhanë dimension tjetër artit të të qarit. Shpirtin e gjysh Ibrahimit dhe të Hajros, e bashkuan me shpirtrat e tyre; u bënë tre breza bashkë. Virtuoziteti i tre vëllezërve magjepsi banorët e Korçës. Prej Rushanit dhe Shefkës lindën muzikantë të talentuar, kurse Demka la pas 5 djem dhe 2 vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin, Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë të lindur për muzikë. Një armatë e tërë muzikantësh. Por ne do t’ju tregojmë për fisarmonicistin e famshëm, kompozitorin, dirigjentin, drejtuesin e Orkestrës së Estradës Profesioniste të Korçës, muzikantin e Orkestrës Simfonike dhe “babain” e serenatave korçare, Abaz Hajro.

Abazi ishte njeri i çuditshëm. Gjithnjë i menduar kur dilte mëngjeseve prej shtëpie, kur ecte në rrugë, kur vinte në studio, kur ulej në tavolinë e ngrihej prej saj, kur hynte në lokal e dilte prej andej. (Abazit i pëlqente edhe të pinte). Ata që e njohën nga afër, i njohën edhe trishtimin që sytë e tij nuk e fshihnin dot. Pse ndodhte kështu? Çfarë e mundonte kompozitorin Abaz Hajro? Fal qëmtimit që i ka bërë jetës së tij gazetarja Shirma Minga, sot njohim misterin e të menduarit të tij të përhershëm. Të fshehtën e misterit të Abazit e zbulojnë kujtimet e aktores dhe këngëtares së mirënjohur, Dhimitra Mele, e cila tashmë nuk jeton më: “Abazi ishte një kompozitor i mrekullueshëm dhe një ekzekutues gjithashtu shumë i mrekullueshëm. Kishte aftësira të veçanta. Gjithnjë e shihja të menduar: Abaz, pse rri kështu? – e pyeta një herë. Po mendoj për diçka  të re që dua ta kompozoj… m’u përgjigj.” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Misteri i Abazit ndriçohet më tej prej muzikantit Viktor Çani. Abazi kishte aftësi të kompozonte pa instrument, kudo që ndodhej: “…Për Abazin ruaj kujtime shumë të mira. … shquhej për aftësitë e tij. Nëse të tjerët donin orë të tëra të studionin, Abazi i thithte në pak kohë dhe jepte rezultate.… Ishte i zoti në instrument, luante “a prima vista” – “me një të parë”. …Kishte aftësi të veçanta në kompozicion. Kompozonte pa instrument, rrinte në tavolinë dhe shkruante…” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

“Pjesën tjetër të së vërtetës e gjejmë te rrëfimet e  Vasil Ballaurit: “Abazi ishte intelektual, ishte artist, ishte fisnik. Ai kish një botë shpirtërore me thellësi të tillë që mund të matej vetëm kur kompozonte meloditë e tij me vargjet e Alfred de Musesë, kish shpirtin e revoltës së heshtur, dufin e së cilës e nxori gjithë jetën ose duke lëshuar lot anës syve kur pushtonte gjithë pasion fisarmonikën ose duke pirë. Unë të paktën personalisht, Abazin nuk do ta harroj.” (Vasil Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Këngëtari Nystret Frashëri rrëfen muzikën hyjnore të Abaz Hajros, e cila la të mahnitur banorët e Shkodrës. Ishte koha kur bëheshin olimpiada teatrore. Regjisori Dhimitër Orgocka kishte vënë në skenë dramën “Shtëpia në Bulevard” të Fadil Paçramit. Pjesë të saj ishin ilustruar me muzikën e Abaz Hajros. Ishin në Shkodër për konkurim kombëtar:

“Pas shfaqjes një grup njerëzish më pyetën:  Ç’ishte ajo muzikë që dukej sikur binte nga qielli? Unë iu përgjigja: autori i saj është Abaz Hajro!” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)  

Ashtu siç e shkruante krijmtarinë e tij, pa instrument, ashtu e arkivonte edhe në kujtesën e tij, për ta nxjerrë prej andej kur i duhej, pavarësisht nga koha kur ishte shkruar. Një histori të tillë rrëfen Agron Pojani:“Ishim në Vlorë. Abaz Hajro kishte harruar në shtëpi partiturën e operetës “Agimi”. U kujtua vetëm pak çaste më parë se të luante operetën. Po tani? Kjo ishte pyetja e tij dhe e të gjithve ne. Mbetëm të hutuar. Ai luajti pa partiturë. Gjithçka kishte qenë e fiksuar në shpirtin e tij. Na mahniti të gjithëve!” (Referuar kujtimeve të Agron Pojanit, valltar)

Prej këngëve të Abaz Hajros drithëroheshin gjithë këngëtarët. Ishte virtuoziteti i tij që emociononte si këngëtarët me përvojë ashtu edhte këngëtarët e vegjël. Kompozimet e tij ishin njerëzore, të kapshme, të pëlyeshme, emocionuese, të paharrueshme, sikur vinin prej qiellit. Në festivalet e fëmijve çonte këngët të mrekullueshme. Jorgjeta Lalazi rrëfen fëmijërinë e vet si këngëtare:

“Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj. Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fisarmonikë.” (V. Hasani “Solistja e grupit ”Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi: Ju rrefej jetën time”)

Abaz Hajros i duhej të mendonte për këngët e muzikës së lehtë, për këngët popullore, për këngëtarët e Estradës së qytetit, për  kupletet, paroditë, pantonimat etj:

“Me krijimin e Estradës së Ushtaritë e cila ishte e dyta që u hap në Shqipëri pas asaj të Tiranës, Spanja u aktivizua duke kënduar këngë popullore e të muzikës së lehtë. Në vitin 1960, në Estradën profesioniste të qytetit të Korçës, ajo doli si soliste kryesore me këngë të kompozuara nga Abaz Ajro dhe kompozitorë të tjerë…” (Raimonda Moisiu, “Tingulli i zemrës e ka emrin serenatë”)

Abaz Hajro njihte çdo dashuri të qytetit, çdo dhimbje dhe brengë, çdo pikë loti të rrënë prej syrit. Njerëzit i kërkonin që loti i padukshëm i tyre të bëhej serenatë, dhe ai ulej dhe kompozonte. Këngëtarja Spanja rrëfen:“Abaz Hajro ua u gjente “telat” serenatave. Këto ishin tamam serenata, si përshembull “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur:

Shkoj përditë rrugës sate si më parë,

por më parë të kisha ty,

sot kam mall.

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh).

Serenata tjetër e Abaz Ajros:“Ti më erdhe në netët e qeta”. Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura, çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën “ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike, po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke? Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që solli tekstin e serenatës, që përmenda më lart”. (Rajmonda Moisiu, “Spanja Pipa, artistja që theu tabutë”)

Edhe kënga e mëposhtme u kompozua prej Hajros në pragun e një viti të ri, kur jashtë dëbora shtrohej si qilim, kur bota festonte, por dikush e vetmuar rrinte në shtëpi…I këndohet trishtimit që ndoshta ngandonjëherë vjen edhe pa arsye, por ndoshta edhe nga diçka që duhet mbajtur e fshehtë, edhe pse brenga të mundon:

“Sonte festë ka e gjithë bota,

botë moj gjithmonë paç gëzim,

verë e kuqe derdhet nëpër gota,

bora jashtë shtrohet si qilim.

Të gjitha shoqet në gostira vanë

vetëm unë sonte nuk festoj,

trimin e zemrës, që s’e kam pranë,

me mendime do ta shoqëroj…”.

Kështu u krijua edhe kënga tjetër ku dhimbja dhe dashuria, ndarja dhe malli rrinë bashkë, por ti nuk ia thua dot askujt; vetëm kënga të çliron shpirtin:

Ti më erdhe në netët e qeta,

në krahët e mia si demon,

më dehe me puthjet e fshehta,

si ëndrra që vjen edhe shkon…

Fisarmonika e Abaz Hajros nuk heshti asnjë çast; ajo ishte atje ku ishte dhimbja dhe trishtimi i njerëzve. Vasil Ballauri sjell një panoramë më të plotë të përpjekjeve të Abaz Hajros:

“Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve 60 e 70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës luajti fisarmonika e papërsëritshme e rrëqethse, vajtuese dhe sidomos virtuoze e Abaz Hajros.” (V. Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Abaz Hajro mbajti gjallë serenatat e Korçës edhe në vitet e komunizmit, kur këto këngë nuk i shihnin me sy të mirë. Kështu shprehet muzikologia Mikaela Minga:

“Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat ndonse nuk këndoheshin në skenë u bënë shumë të njohura. Ndër ta shumë të rëndësishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fisarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i vargjeve Aleko Skali” (Ani Jaupaj, “Si u ruajtën serenatat korcare”)

Kontributin e Abaz Hajros për ruajtjen e serenatës Korçare e vë në dukje edhe Spanja Pipa:

“Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fisarmonicisti i shquar korcar Abaz Hajro ua gjente “telat” serenatave. Ato ishin tamam serenata…” (Rajmonda Moisiu, “Rrëfehet Spanja Pipa me serenatën ndër buzë”)

Krijimtaria e Hajros është gjallë edhe sot e kësaj dite. Ende këndohen serenatat e tij. Ai ishte pjesëmarrës i përhershëm në  koncerte e festivale, krijues i këngëve qytetare të Korçës; pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Drejtues i Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës që nga viti 1956. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Lindi më 25 mars 1930 dhe u nda nga jeta në 6 shtator 1996. (V. Hasani, “Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog”)

Kurse këngëtari Gaqo Prifti thotë:“Mjafton të dëgjosh vetëm këngët e tij dhe do të kuptosh sa i madh ishte dhe çfarë botë të gjerë shpirtërore kishte.” (Shirma Mnga, “Gishti i tij rridhte mjaltë”)

Në shenjë nderimi ndaj vepër së Abaz Hajros, prej disa vitesh, ai ka bustin e tij në lagjen ku lindi dhe jetoi, por shumëkush mendon se Hajro nuk ishte krijuesi i nj lagjeje por kompozitori që i këndoi me pasion Korçës, ndaj busti i tij duhet të jetë në qendër të qytetit. Kështu mendon edhe skulptori Bujar Sula, i intervistuar nga gazetari Tonin Froku, i cili thotë se Abazi i dha jetën Korçës:

“Abazi ishte ikona, e serenatës korçare, këngët që ka bërë Abazi janë të pavdekshme, janë korniza të mrekullueshme për kengën. Abazit i takon të jetë në qendër të qytetit. Këngët e Abazit i këndojnë korçarët e mirëfilltë, njerëz me kulturë, njerëz me horizont. Ishte i jashtëzakonshëm. Ai i dha jetën Korçës…” (Tonin Froku, “Ku duhet të vendoset busti i Abaz Hajros”)

Dalja në skenë e kompozitorit të famshëm Abaz Hajro nuk ishte e rastësishme, Korça ka patur shoqëri muzikore që nga vitet 1670, dhe më parë, por kjo e vërtetë është lënë në heshtje. Na ndiqni fundjavën që vjen, do të mësoni më shumë për shoqëritë e para muzikore të Korçës, për këngëtarin Muço që i këndonte Ali Pashë Tepelenës dhe për shumë sazexhinj të tjerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abaz Hajro, babai i sernatave, korcare, Vepror Hasani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT