NGA FRANK SHKRELI- Të djelën që kalojë, në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet për parliament të atij venid, të cilat përfunduan një rezultat tepër të ngushtë midis partive politike. Gara kryesore ishte midis Partisë Demokratike Socialiste të Milo Gjukanoviqit – njërit prej kleptokratëve të Ballkanit që ka qeverisur për 30-vjet – dhe partive të koalicionit të opozitës serbe. Por sipas lajmeve, asnjëra palë nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhëshme, pa ndonjë koalicion të dy tre partishë më të vogëla, siç është ajo e “E Zeza në të bardhë”, që udhëhiqet nga politikani me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq. Varësisht si shkojnë punët, ka mundësi që edhe tre muaj të mos dihet se kush dhe cilat koalicione do të formojnë qeverinë e Podgoricës, duke mos përjashtuar as mbatjen e zgjedhjeve të reja, si mundësi për të dalur nga qorrsokaku i kësaj situate, nëqoftse asnjë nga koalicionet që merren me mend tani – të mos jenë të afta të formojnë qeverinë e ardhëshme – duke detyruar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Prandaj, dua që modestësisht, të paralajmëroj të gjithë ata, sidomos disa media dhe analistë shqiptarë në Ulqin, në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët me eufori kanë shpallur tanimë “shqiptarin” Dritan Abazoviq, si “kryeministrin” e ri të Malit të Zi. Se si një kandidat i një partie që ka fituar katër vende në parlament mund të bëhet kryeministër i një vendi, unë nuk e di, por natyrisht në këtë rast Abazoviq duket se mund t’i bashkangjitet koaliciont të partive serbe, koalicionit të mbështetur nga kisha ortodokse serbe.
Unë nuk dua ta paragjykojë se kush është Dritan Abazoviq, pasi të gjithë ne, si të drejtë të parë, kemi të drejtën e identifikimit, kush jemi, përkatësisë kombëtare e tjera. Dritanin, dashtë e pa dashtë, ndoshta e përcakton emri i tij si një person me origjinë shqiptare, por kam lexuar në disa raste se ai e konsideron veten thjesht si një “qytetar”, duke mos thekësuar ndonjë identitet të veçantë kombëtar. Natyrisht, se është e drejtë e tija të identifikohet kombtarisht si të dojë vet, ose aspak dhe vetëm si qytetar, siç ka thekësuar, vazhdimisht.
Por, ajo që nuk më pëlqen mua është fakti se Abazoviqi, në të vërtetë ka kaluar përtej kufijve të mohimit të identitetit të vet kombëtar si shqiptar, megjithëse flet shqip mirë dhe është me origjinë i tillë, është hedhur në sulm kundër simboleve dhe personaliteteve më të dalluar të historisë së Kombit shqiptar – përfshir heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin –Skenderbe. Me qëndrimet e tija kundër personaliteteve të tilla historike shqiptare, Dritan Abazoviqi u bashkohet krijesave të tjera shqiptare, të “njeriut të ri” të komunizmit, brezit të humbur post-komunist, pa ide, pa kulturë, pa histori dhe pa identitet kombëtar. Megjithse kjo ideologji ka dhënë shpirt në pjesën më të madhe të botës, por jo ndër shqiptarë — anë e mbanë trojeve shqiptare duke filluar nga Tirana e Prishtina, deri në Ulqin, Shkup e në Manastir. Sulmet kundër historisë, kulturës dhe personaliteteve të mëdha historike të shqiptarëve nga qendra jo miqësore shqiptare, kalojnë në heshtje dhe pa u kundërshtuar nga askush zyrtarisht, megjithëse shpesh vijnë nga kryeqytetet me synime, historikisht, jo miqësore ndaj shqiptarëve. Mohimi dhe shpifjet ndaj figurave historike të Kombit shqiptar, nga vet shqiptarët, është e pa precedencë në historinë e kombeve. Duke filluar nga Skenderbeu e Nenë Tereza, mohimi i tyre si shqiptarë dhe paraqitja e tyre sikur të ishin me prejardhje sllave, ishte për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë një rast, si zbavitje e ditës në te(leh)vizionet shqiptare anë e mbanë trojeve — e deri tek kohët e fundit –përfshir debatin dhe baltosjen e shkrimtarëve Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nga disa individë të caktuar të këtij brezi të humbur, e krijesave “të njeriut të ri” të komunizmit.
Duket se në këtë grup të brezit të humbur politikanësh shqiptarë post-komunistë që heshtin përballë këtyre baltosjeve, ose që marrin vet pjesë në debate të tilla kundër identitteit të shqiptarëve, i përket edhe politikani i ri me emër “shqiptar” nga Ulqini nën Mal të Zi, Dritan Abazoviqi. Këta, në të vërtetë, janë më të rrezikshëm se komunistët dikur, sepse ky lloj njerzish sot na paraqiten si mbështetës të lirisë dhe të demokracisë (me këmish të bardhë e kravate në qafër, thonte dikur Ronald Reagan), ndërsa me komunistët dihej se ku qëndronin. Por, në të vërtetë, këta të sotmit janë të kundërt, bëjnë punën si komunistët, por në paraqiten si demokratë dhe mbështetës të fjalës së lirë. Uroj që Dritan Abazoviqi, nëqoftse merr ndonjë rol udhëheqës në qeverinë e re të Malit të Zi, të mos përdoret kundër interesave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të mos shërbejë si “kal troje” për interesat serbo-ruse në atë vend dhe më gjërë. Historia shqiptare e shekullit të kaluar dhe e 500-vjetëve më parë është plot shembuj të tillë, fatkeqësisht. Shitja e interesave kombëtare të shqiptarëve po shiten çdo ditë, ditën për diell, ndërkohë që për sulmet e mbrendshme dhe të jashtme kundër identitetit kombëtar as kush nuk i jep pesë pare.
Në një intervistë para nja një vit e gjysëm, Dritani “shqiptar”, në rolin e historianit, me këmbëngulje e shpallë babain dhe nenën e Gjergj Kastriotit Skenderbe, si serbë. Dhe thotë se përmendorja e Kastriotit nuk ka vend në Ulqin. Është më mirë, deklaron ai në intervistën me një televizion serb, t’i ngrihet një përmendore Sevantesit (shkrimtarit spanjol që thuhet se ka banuar në Ulqin për një kohë të shkurtër), ose detarëve të atij qyteti, sipas Abazoviqit, pasi Ulqini është i njohur për detarët e tij. Në të vërtetë, Abazoviqi këmbguli aq shumë, gjatë asaj intreviste me gazetarin serb, se prejardhja e Skenderbeut është sllave, dhe se e ama e tij ishte serbe, sa që edhe intervistuesi serb e ndjeu veten të turpëruar, se “shqiptari” Dritan Abazoviqi po e tepronte me historinë e tij shpifëse ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve, sa i thotë, mjaft me historinë e Skenderbeut dhe ndërron subjektin e bisedës. Mirë që dikush nuk ka propozuar ndërtimin e ndonjë ndonjë statuje të Nenë Terezës në Ulqin se do ishte tmeruar Dritani me shokë. Sepse permendoren e Gjergj Kastriotit Skenderbe në Ulqin, Dritan Abazoviqi e ka kundërshtuar bazuar, thjeshtë, në qendrimet e tij parimore dhe jo për arsye financiare, sepse diaspora e madhe e atyre anëve ka premtuar fondet, për një përmendore të tillë.
Dihej se ndërhyrja e e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare para zgjedhjeve në Mal të Zi, në mbështjetje të njerës ose tjetrës parti ose koalicion të shqiptarëve në Mal të Zi, vetëm dëm do të bënte. Ja ashtu edhe ndodhi, fatkeqësisht. Por jo vetëm dëm për shqiptarët në rajon, por kam drojë se ndërhyrjet pa kurrfarë ideje e strategjie nga Tirana dhe Prishtina, varësisht se cila qeveri do të formohet në Podgoricë, ka mundësi të ketë pasoja të mëdha gjeostrategjike, jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për gjithë rajonin dhe më gjerë.
Dritan Abazoviqi deklaroi mbrëmë se Mali i Zi nuk do të bëhet “Sparta serbe” dhe as një “Krahinë e Shqipërisë e së Madhe”. Mos ki merak, Z. Abazoviq se për Serbinë e madhe ose Spartën serbe në Mal të Zi, siç po e quan ti, ka kush lufton se është Kisha Ortodokse Serbe, Beogradi zyrtar, përfshir Akademinë e Shkencave të Serbisë, të gjitha këto në bashkrendim me interesat e Rusisë në Ballkan, siç ka ndodhur gjithmonë, historikisht. Fatkeqësisht, për interesat dhe për identitetin e asaj që ti, siç duket me përbuzje e cilëson si “krahina e Shqipërisë së Madhe”, nuk ka kush kujdeset, as në Ulqin e Podgoricë, as në Tiranë e Prishtinë. Nën periudhën e “artë” të komunizmit, shqiptarët preferonin të ishin “proletarë ndërkombëtarë” – “në anën e duhur të historisë”, sipas dissave. E sot, politikanët shqiptarë të brezit post komunist – që unë po e quaj me këtë rast, brezi i humbur shqiptarë, pasi të tillë duken me fjalë dhe me vepra — preferojnë të identifikohen thjeshtë, si “qytetarë” të Ballkanit dhe të botës, pa identitet, pa heronjë kombëtarë dhe pa figura historike. Sipas këtij brezi politikanësh “shqiptarë”, është më mirë që, ashtu si edhe në trojet e tjera shqiptare ku janë ndërtuar përmendore për të huajt– turq, sllavë e grekë — në vend të Gjergj Kastriotit Skenderbe, edhe në Ulqin, të kujtohen detarët e Ulqinit dhe shkrimtari spanjoll Servantesit, i cili mos qofsha gabim e ka një statujë në Ulqin.
Shkrimtari malazias Andrej Nikolaidis, i cili thotë se nuk simpatizon as bllokun politik të Gjukanoviqit as koalicionin e opozitës pjesë e të cilës është Dritan Abazoviqi, për “Indeksin kroat”, shprehet shumë pesimist nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi. Ai madje thotë se Mali i Zi ka mbaruar. Unë nuk besoj se Mali i Zi ka mbaruar, por jam shumë i shqetësuar për ato që mund të ndodhin si përfundim i këtyre zgjedhjeve në atë vend. Jam i shqetësuar se një Mal i Zi pa stabilitet politik dhe pa paqë, i influencuar, ose Zot ruajna i qeverisur nga një koalicion politik i mbështetur nga Kisha Ortodokse serbe me përkrahje të Rusisë –do të ishte një zhvillim tragjik jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një goditje fatale ndaj përpjekjeve për integrimet eventuale evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Sidoqoftë, si një shqiptar, që për një gjysëm shekulli jetoj në Amerikë, por që kam lindur në rrethin e Ulqinit, uroj që paqa dhe stabiliteti të mbretërojnë në ato troje tona, sot më shumë se kurrë, sidomos për bashkvëllezërit tonë shqiptarë të atyre viseve, të cilët siç duket, as sot 30-vjet post-komunizëm nuk po gjejnë paqën e sigurinë për të kaluar një jetë normale. Por që vazhdojnë të largohen nga trojet autoktone shqiptare, kryesisht, për shkak të mohimit të drejtave të tyre bazë të njeriut, përfshir të drejtën e identifikimit kombëtar dhe të njohjes së simboleve dhe të heronjëve kombëtarë, siç është Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Nga udhëheqësit e ri politik shqiptarë, kudo qofshin ata, nuk pritet asgjë më pak as më shumë, se mbrojtja pa kompromis e vlerave dhe e identitetit historik të Kombit shqiptar, përfshir figurat më të njohura të historisë së tij.