• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE – ÇUDI E RADHËS NGA MINISTRI LLESHAJ

December 5, 2020 by dgreca

Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit…

Shkruan:Abdurrahim ASHIKU- Athine-

Një shkrim fluturues përcjell faqeve të internetit. Titull bombastik: “Emigrantët, deklarim të adresës me detyrim”.
Of ma! “Deklarim me detyrim” a thua se po luajmë damë.
Nuk është hera e parë që na venë para alternativës së deklarimit të adresës.
Nuk është hera e parë, veçse kësaj radhe na kanë vënë përpara tabelën e “damës” dhe thonë: “Haje këtë që të them unë”.
Përpara, tash të paktën dhjetë vjet që shkruaj për këtë temë, ishin më të butë. Bënin edhe autokritikë.
Po përcjell njërën, jo atë me titullin “Regjistrimi i emigrantëve dhe autobusit për votim”  kur ministri Tahiri në një takim me emigrantët në Selanik foli për regjistrimin e emigrantëve si një hap të vonuar për një shtet të organizuar i cili e ka mbajtur (dhe e mban frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve”.
E tha në prill 2016…
“Jemi i vetmi shtet në Evropë, deklaronte në fund të vitit 2015 kryeministri Rama, që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit”…
E thoshte këtë në shkurt 2018…
E thoshte këtë kur afro dy vjet më parë, më 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin: “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: “Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…”. 
I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 parashikonte që brenda 6 muajve të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë. Ligji i jepte Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetdeklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”…
Si gjithnjë nuk mund të rrinte pa folur (i pari) Kryeministri Rama  i cili u shpreh: 
“Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjithë territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund t’i përfshijmë shqiptarët jashtë vendit në procesin demokratik duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet”.
Dhe për pesë vjet nuk e gjeti “kohën e vet” kur Kosova në vetëm shtatë vjet shtet e gjeti kohën dhe i regjistroi të gjithë mërgimtarët e saj nëpër botë (!)
Më në fund u krijua Ministria për Diasporën me ministër Pandeli Majkon.
Edhe ai, si çoban i grigjës të ikanakëve tek në të parën dalje publike për regjistrimin e emigrantëve foli:
“Regjistrimi i shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka një rastësi pozitive i cili është plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve te identifikimit. Kjo do të thotë që ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një moment administrativ shumë i rëndësishëm. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo në konsullatën respektive të shtetit ku jetojnë, për tu pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, të shtetit shqiptar, për herë të parë, apo kur i ka përfunduar afati i vlefshmërisë 10 vjeçare së dokumentit apo është deklaruar i humbur, sipas Kontratës Koncesionare, duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e kërkuara përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë (sipas formularit përkatës). “Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 913 të datës 21.12.2011 pasaportat jo biometrike nxirren jashtë përdorimit duke filluar nga data 01.03.2012. Nga kjo date pasaportat jo biometrike nuk do vlejnë më si dokument udhëtimi”
Personalisht, disa muaj më parë kur aplikova për Pasaportën dhe letërnjoftimin e ri, kërkova të deklaroj adresën e banimit dhe të plotësoja “formularin përkatës”.
Askush nuk e kishte idenë se për çfarë flisja…
Në shkrimin e përcjellë në shkurt 2018 sugjeroja:
Të gjithë emigrantët legalë, në të gjithë vendet e botës, janë të regjistruar në amzën e shtetit ku punojnë dhe jetojnë.
Të gjithë, pa përjashtim, janë të detyruar që të tregojnë vendbanimin në adresë të plotë. Të gjithë janë të detyruar që në rast ndërrimi të vendbanimit, brenda dy muajve të deklarojnë vendbanimin e ri. Mos deklarimi shoqërohet me gjobë që të “dhemb në kurriz” dhe në “portofolin e jetesës”.
Të gjithë emigrantët kanë një numër amze  (A.M.K.A , A.M.A. dhe A.F.M. në Greqi) pa të cilët nuk mund të trokasësh në asnjë zyrë e nuk mund të paraqitesh për mjekim e ilaçe.
Shumë e thjeshtë: Një marrëveshje me shtetet ku shqiptarët punojnë e jetojnë, një shkarkim të të dhënave të tyre në “zarfet kompjuterikë” të shtetit shqiptar dhe regjistrimi merr fund për shumë pak kohë.
A është e mundur kjo?
Për mendimin e përparuar të kohës, PO!
Për burokracinë e shtetit tim që ende nuk ka mësuar “shkrim e këndim”, JO!
Tash, shteti ynë, nëpërmjet ministrit të vet të punëve të brendshme përcjell ultimatumin: “EMIGRANTËT, DEKLARIM TË ADRESËS ME DETYRIM” !!!
Dhe në një shpjegim çapraz me shtypje butonash e fjalësh që fluturojnë pa arritur tu kapësh kuptimin, ministri Lleshaj, nën kërcënim policesk del e bën shoun e radhës, shfaqje estrade që tash e dëgjojmë dhe e lexojmë duke qeshur me lot.
Dhe, së fundmi një PYETJE dhe një VËREJTJE për ministrin Lleshaj.
PYETJE: Si do të aplikojnë për regjistrimin e adresës ata që nuk kanë dhe nuk i njohin mjetet moderne të lidhjeve për të deklaruar gjithë ata të dhëna që kërkoni? PO ata që janë të paligjshëm? Po ata që tashmë kanë marrë nënshtetësi tjetër?
VËREJTJE: Në Shqipëri, as ti e as unë, as presidenti e as kryeministri, askush nuk ka në xhep “Kartë identiteti”, ka “LETËR NJOFTIMI”.
Mësoje vetë dhe mësoi edhe policët që të na kërkojnë kur vjen rasti “LETËR NJOFTIMI”.
Ia thuaj edhe kryeministrit… 

Abdurahim Ashiku

Athinë, 4 dhjetor 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Minisitri Lleshaj, Regjistrimi i emigranteve

ARJAN MELONASHI – ZË I MADH I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË

August 15, 2020 by dgreca

-A keni dëgjuar për Arjan Melonashin?
– A i keni parë dokumentarët e tij për shkollimin shqip të fëmijëve të emigrantëve, për heroikën e punës së krahut dhe asaj mendore në emigracion?
– Një bisedë e zhvilluar dhe filmuar me të shpresoj që ta zgjerojë shikimin tuaj për këtë ambasador të fjalës shqipe në mërgatë…
– Dhe jo vetëm ty si lexues…
Në radhë të parë për ata “lart”…
që nuk kanë qafë  ta ulin kokën poshtë… 


Ishim ulur në hijen e pemëve të hotelit “Vincenzo” në ishullin e Tinosit në Greqi. Thuajse kishim mbaruar punë. Kishim qenë edhe në Siros, edhe në Mikono, në tërë ishullin e Tinosit, mes fëmijëve që më ngjanin me zogjtë tek cicërijnë me germat e fjalës së bukur shqipe në gojë, mes emigrantëve që djersitnin për bukën e ditës të fëmijëve të tyre…
I kishim fiksuar ndjenjat, pamjet, portretet…
Ai në kujtesën e kamerës televizive e unë në kujtesën fotografike…
Në një moment u gjendëm ai e me kamerën në dorë, unë me aparatin fotografik…
Qetësi…
– A mund të bëjmë një punë? – i them unë.
– Punë?
-Vendose kamerën në stativ dhe drejtoja vetes. Dua të bëjmë një bisedë bashkë. Ashtu, thjesht, një bisedë njohje për vete, por edhe për të tjerët…
Dua të di se kush është Arjan Melonashi…
Dhe jo vetëm unë, por të gjithë ata që të shohin tek lodhesh e djersin duke kërkuar njeriun e punës, mësuesin, punëtorin, intelektualin…
Kështu nisi biseda me Arjan Melonashin, pas filmimit të dokumentarit “VERA-MËSUESE NË DY ISHUJ”, një ditë mes qershori 2014 në ishullin e Tinosit, në hapësirën detare të Egjeut të Greqisë…
Filmi u dha në Seminarin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, në Berat, 29 korrik 2014…
Një film që duhej dhënë në hollin e Presidencës, në “Sallën e Hartave” të Kryeministrisë, në sallën e Ministrisë së Arsimit…
Të jepej me zë e me figurë përkushtimi i një mësueseje për gjuhën shqipe në dy ishuj të Greqisë, përkushtim që e gjen në mësues vullnetarë të gjuhës shqipe, Rilindës të kohës sonë, siç i ka cilësuar Dritëro Agolli…
Në tërë Greqinë…
E më gjerë…
E kisha mbyllur në arkiv. Po e zgjoj…

Abdurahim Ashiku, gazetar në Athinë, zë në bisedë…

 
                                ***

ASHIKU: Arjan Melonashi, jemi takuar për herë të parë bashkë në gusht  të vitit 2007 në Durrës. Që atëherë e deri sot, të kam parë gjithnjë me aparat në krah, gjithnjë me filma të rinj, midis mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në emigracion. Kush është Arjan Melonashi? Është një pyetje që e bëjnë të gjithë.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

MELONASHI: Kush është Arjan Melonashi?! Është ky që sheh. Ky që sheh sot, pasi në kohë kanë qenë dy. Një në Shqipëri dhe tjetri në Itali. Në Itali unë jam transformuar pak edhe në sensin profesional, edhe në atë patriotik por jo si patriot flamujsh, parullash, mbledhjesh, këngësh, të pirash, por në kuptimin e mungesës së atdheut, mungesës së njerëzve të tu, që çon në mall. Dhe malli është bazë e patriotizmit, në emigracion e kupton. Kur nuk i ke gjërat e kupton, kur nuk e ke atdheun e kupton se çfarë është atdheu. Kur je larg mungesat të çojnë në zbulime të reja. Dhe unë jam ky. I jam dedikuar kësaj pune, sepse kështu e ndjej, kështu më vjen… Kështu më vjen, siç u vjen edhe ju që shkruani libra. 

ASHIKU: Siç më thatë ju keni mbaruar inxhinierinë mekanike…

MELONASHI:  Inxhinieri mekanike në vitin 1985-1986. 

ASHIKU: Dhe keni punuar ku?

MELONASHI:      Kam punuar një vit në Plug të Lushnjës, ndërmarrja bujqësore si quhej atëherë. Plugu i Lushnjës ishte një fermë gjigande me mbi dhjetëmijë hektarë tokë, nga Gradishta, Grabjani deri në Lushnjë, gjithë atë fushë që ka qenë bonifikuar. 

ASHIKU:  Më thatë se keni hipur në autokombajnë dhe keni korrur sojë… 

MELONASHI: Po. Kam korrur sojë sepse isha inxhinier mekanik, punoja në ofiçinën e fermës së Plugut, por nuk është që i drejtoja mjetet. Dhe më vinte turp. Thashë: pa të korr edhe unë njëherë, të merrem me punën në fushë. Dhe kam korrur sojë një ditë të tërë me autokombajnë. 

ASHIKU:    Prej fushës së Myzeqesë… 

MELONASHI:      Prej fushës së Myzeqesë në Ministrinë e Bujqësisë. Më thirrën në një grup pune për modernizimin e parkut të makinave dhe traktorëve të sistemit bujqësor në Shqipëri.

ASHIKU:  Sa kohë punuat në Ministrinë e Bujqësisë? 

MELONASHI:  Disa muaj. Ndoshta gjashtë, ndoshta tetë. Nuk më kujtohet sepse ndërkohë u krijua një vend, ose donte të shtohej një vend për një gazetar në televizionin shqiptar. Bëra një konkurs, konkurs të cilin në fund e fitova. Ishim katër vetë, dy vajza dhe dy djem. Nuk ishte konkurs teorik. Shkuam të punojmë. Dhe zgjati një vit. Ky ishte konkursi. E tregova me punë. Në fund, mbas një viti thanë: na pëlqen ky. Dhe ky ishte Arjan Melonashi. Dhe më morën në punë. Nuk ishte e thjeshtë. Unë besoj se e fitova me meritë, sepse nuk është se kisha mik, apo kisha një biografi për atë kohë kush e di se çfarë, përkundrazi. 

ASHIKU: Prej televizionit lëvizët prapë në hapësirën shqiptare në Tiranë apo… 

MELONASHI: Në ç’kuptim? 

ASHIKU:  Më thatë që keni punuar edhe tek “Koha jonë” 

MELONASHI: Po. Profesionalisht po. Nuk është që lëviza nga Televizioni Shqiptar. Mua më zbuan nga Televizioni Shqiptar. 

ASHIKU: Në cilin vit? 

MELONASHI:Duhet të ketë qenë nëntëdhjetë e dyshi. Po, në nëntëdhjetë e dyshin u gjend një pretekst, një udhëtim… thonë “i paautorizuar drejt Vjenës”. Nuk është e vërtetë pasi unë mund të shkoja edhe i paautorizuar, por pajisjet e televizionit nuk mund të dilnin pa autorizim institucioni. Ishte një drejtor që jepte urdhër. 

Megjithatë ishte një pretekst, kush na donte jashtë, mua, Gazmir Shtinon dhe Arian Negron, kishte forcën, kishte fuqinë që ta bënte. Dhe e bëri. Një odise gjyqesh, shkalla e parë, shkalla e dytë deri në seancë parlamentare. Zgjati dy vite. I fituam të gjitha por nuk fituam asgjë në praktikë. Pas seancës parlamentare ne u kthyem në punë por… 

ASHIKU                Në një klimë të ftohtë… 

MELONASHI       Klima nuk ishte e ftohtë. Ne na futën në frigorifer, në frizer, menjëherë. Na dërguan si mua, ashtu dhe Gazmir Shtinon e Arian Negron, në një redaksi që s’kishte lidhje gati me punën tonë, me atë që kishim bërë, me atë shpirt që kishim dhënë. Ne punonim tek lajmet. Nuk kishim të bëjmë me redaksinë artistike apo ekonomike. Shkuam dhe nuk pati asnjë program që mund ta drejtoja unë, nuk kishte një kamera për Gazmir Shtinon që ishte operator. Kështu që rrinim gjithë ditën kafeneve. Është e vërtetë. 

ASHIKU:               Pas kësaj u larguat? 

MELONASHI:      Na lanë kështu gjashtë muaj, na paguanin, por nuk na jepnin punë. Dhe mbas gjashtë muajsh na thanë: ju të tre nuk keni bërë asnjë gjë, nuk keni realizuar gjë dhe na nxorrën sërish nga puna. Këto ishin kohërat. Nuk e di, më mirë apo më keq? Mendoj, më mirë.

ASHIKU:               Largimi? 

MELONASHI:      Lajmi i pushimit tonë nga puna bëri bujë, ndaj më kërkuan që të nesërmen tek gazeta “Dita informacion”. Punova për disa muaj atje. Më tej kalova tek “Koha jonë”. Punova edhe atje rreth gjashtë muaj. Por ishin kohë të ashpra, kohë kur unë u ndjeva i kërcënuar edhe fizikisht. Jo unë, por familja mbi të gjitha. 

Derisa mbërriti një moment që thashë: “Çfarë po bëj?”. 

Unë s’mund të mbaja një bajrak që nuk më çonte askund. Mund të thosha fjalën time, por në fund të fundit do të rrezikoja veten, familjen. Nuk isha unë ai që do të ndryshonte sistemin, mentalitetin. Atë ndryshim ose do ta sillnim të gjithë bashkë, ose do të vinte prej një grupi në komandë. Unë isha vetëm një e nuk komandoja. Unë isha vetëm një zë. I vura në balancë dhe i thashë vetes “Arjan! Gjej një rrugë tjetër!” 

ASHIKU:               Ku u vendosët? 

MELONASHI:      U vendosa direkt në Itali.

ASHIKU:               A mund të m’i përshkruani pak hapat tuaj të parë dhe vazhdimin në Itali? 

MELONASHI:      Në Itali unë shkova vetëm. Gruaja mbrriti mbas tetë muajsh. Pas gjashtë muaj të tjerë mbërritën edhe fëmijët. Bashkimi i familjes na mori relativisht pak kohë e nuk vuajtëm shumë, krahasuar me shqiptarët e tjerë. Rreth një vit, një vit e gjysmë pra. 

Punë gjeta menjëherë, në një magazinë artikujsh elektrikë. Më pas gjeta një punë në një qytet, afër vendit ku banoja, në Frosinone, në rajonin e Lazios. Atje punova për 5-6 vite, si përgjegjës ofiçine. Punë e natyrës elektromekanike, avolxhim motorrash elektrikë për industritë e mëdha italiane, Marelli, Fiat etj. 

ASHIKU:               Gati u ktheve në profesionin bazë… 

MELONASHI:      Po, u ktheva në profesionin bazë. Megjithatë nuk isha i kënaqur.

Z. Ashiku unë, që kur më nxorën, më përzunë nga televizioni, nga pasioni e dashuria ime, një javë po e një javë jo, do të shihja një ëndërr që nuk ishte ëndërr, por një lemeri. Gjithmonë më shfaqej e njëjta: zbimi nga televizioni dhe përpjekja ime që të kthehesha. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve, deri në vitin 2006, unë kam jetuar me këtë lloj ankthi të përdyjavshëm: ëndrrën që më përsëritej, makthin që më përsëritej. Kjo, derisa mbërriti një ditë që – për motive pune – u transferova në një qendër tjetër. Shkova të jetoj në Latina, një qytet i themeluar në kohën e Musolinit në vitin 1932, arkitektura e të cilit është shumë e ngjashme me arkitekturën e Tiranës, arkitekturë racionaliste – fashiste. Është një qytet ku kam gjetur atë Tiranë që lashë, jo atë që është sot. 

Rasti pastaj, ndihmon atë që kërkon. Ai bëri që të mundur të punoja si kameraman në një televizion të zonës. Ndihesha i gëzuar, i kënaqur, i lumtur. Dhe mbi të gjitha makthi nuk mu përsërit më. 

Nuk mu përsërit më. 

Nuk e kam parë më atë ëndërr. 

I kthehem pyetjes suaj të pakmëparshme: shkoi më mirë, a shkoi më keq? Nuk di. Jam i kënaqur me jetën time ashtu siç rrodhi deri më sot. Nuk ka mbaruar ende. Shpresoj. 

ASHIKU:               Të shoh shumë të apasionuar pas shkollës shqipe në mërgim. Si dhe pse? Të shoh gjithnjë në veprimtaritë e shkollës shqipe në emigracion… 

MELONASHI:      Keni të drejtë të pyesni.  Unë, edhe pse kam formim inxhinierik, kam gjithashtu edhe një pasion, kam pasur gjithë jetën një pasion për letërsinë. Më ka pëlqyer ajo, poezia, muzika klasike. E kam kultivuar, kam lexuar, vazhdoj të lexoj – me aq sa sytë më lejojnë tani sepse me moshën gjithçka fillon e bije. 

Edhe në televizion më çmonin për zgjedhjen e frazës, sepse leximi i shumtë të ndihmon. Unë nuk jam as shkrimtar e as poet, por leximi i shumtë, i shumtë, i shumtë, të bën që të jesh përzgjedhës i fjalës, përzgjedhës i fjalisë, i frazës. E mos harrojmë edhe faktin që inxhinieria të jep një logjikë, të jep racionalitet, të shkarkon nga ujërat e tepërta. Besoj që kam shkruar mirë, në mënyrë korrekte shqipe letrare dhe nuk e kam lejuar, më ka dhënë një bezdi të llahtarëshme të shkruarit keq të gjuhës. Këtë e kam pasur përpara, nuk është se erdhi tani në emigracion. E kam pasur që në televizion dhe më përpara. 

Në emigracion pastaj hasëm në një fenomen të çuditshëm. Nuk është një fenomen i ri që më la pa gojë veç mua, por edhe shumë e shumë të tjerë. Ve re, me shumë keqardhje, që gjuhën letrare shqipe e mbajmë ne, emigrantët, ndërkohë që është bastarduar e prishur në Shqipëri. Kjo më dhemb. Se gjërat të dhembin kur të mungojnë, siç thashë, kur je larg, atëherë i vë re. Kjo më ka dhembur shumë. Më dhemb shumë që ka ndryshuar struktura e fjalisë, i është dhënë një strukturë anglosaksone fjalisë. 

ASHIKU:               Theksit? 

MELONASHI       Jo theksit, strukturës. Ne nuk kemi nevojë të vendosim detyrimisht përemrat. P.sh: “të them”. Vetëm me kaq kuptohet se unë jam duke të komunikuar diçka ty. Pra nuk është e nevojshme, është e stërngarkuar, madje edhe e shëmtuar të shprehet me “Unë të them ty”. Në Shqipëri kanë filluar të fusin këtë you (ti, ju). Është një majmunëri nga gjuha angleze, dhe më vjen keq. 

Më vjen keq për një gjë tjetër, për fjalët e huaja që futen në shqip, ose më mirë: futen në Shqipëri. 

Nuk qëndron problemi për koncepte, mekanizma, teknologji të reja, për të cilat nuk ekzistojnë terma në shqip, ata do të huazohen patjetër dhe e pasurojnë gjuhën. E keqja është mania për të zëvendësuar fjalën shqipe me fjalën e huaj, pra për të humbur, për të varfëruar gjuhën shqipe. Kjo më shqetëson. 

Morëm në intervistë Muratin në Panormus, këtu në ishullin Tinos. Dikur më tha: 

unë nuk e kuptoj pse duhet të thuhet interpelancë? 

Ma tha ai, një njeri i thjeshtë. Pyetja ime si kundërpërgjigje ishte: 

E si mund ta zëvendësojmë? 

Më përgjigjet menjëherë: 

Kërkesë. Kemi ftuar për ti kërkuar ministrit një sqarim lidhur me këtë apo atë. 

Sqarim. E kuptoni sa bukur e thjesht u përgjigj Murati, një emigrant pa ndonjë shkollë të madhe?

Në Shqipëri përdoret në masë termi aplikim. Nuk e di pse ndodh kjo kur kemi fjalën kërkesë siç e kemi pas një jetë të tërë: kërkesë. Përse aplikim? Çfarë aplikon? Unë kërkoj, nuk aplikoj. Aplikim është një fjalë latine që sipas kontekstit do të thotë afroj, përshtas, jap, detyroj, zbatoj. Nuk është fjala e duhur pra, kur kemi të bëjmë më një kërkesë. Ne kemi fjalën e duhur që e hedhim në shportë, e hedhim në plehra. Këtë bëjmë, hedhim në plehra një fjalë shqipe se na pëlqen të jemi majmunë e të shfaqemi si “majmunë të mësuar, të studiuar”, “majmunë me gramë” si do të thoshte ndonjë gjyshe, nga ato të qëmotëshmet.

ASHIKU:               Kemi në Shqipëri një Ministri të Inovacionit. Fjala inovacion – duke kërkuar në fjalorë – gjen se mund të përkthehet lehtësisht si risì. Pse të mos i themi Ministria e Risisë por i themi Ministria e Inovacionit? Pse duhet t’i themi patjetër Lungomare kur është thjeshtë shëtitore bregdetare? 

Pse duhet t’i themi pedonale kur i themi këmbësore?

MELONASHI:      Këmbësore, po. 

ASHIKU:               Jemi në Tinos. Erdhe dhe kalove disa mijëra kilometra, nuk e di se sa, që nga Latina, Roma dhe udhëtove me avion, autobus e traget dhe u vendosëm këtu, në ishullin Tinos, në kërkim të një mësueseje që jep mësim shqip në dy ishuj, të Vera Shkurtit. Si e ndjeni veten, pikërisht gjatë këtyre ditëve që i ke jetuar emocionet dhe ke jetuar këtë mjedis që është krijuar, që ka krijuar më mirë të themi kjo mësuese? 

MELONASHI:      Unë po e bëj me një dëshirë shumë të madhe jo sepse njoh Verën, ose njihja Verën – e kam takuar dy tre ditë në seminarin e vjetshëm në Ulqin – por sepse historia ishte shumë e bukur dhe ishte krejtësisht e ngjashme me atë që ka bërë ime shoqe bashkë me mua gati njëzet vite të shkuar… 

ASHIKU:               Më shkruanit se do të kishe dashur ta bëje një gjë të tillë për tët shoqe. 

MELONASHI:      …dhe problemet (referuar emigracionit) janë të gjitha njësoj. Këtë dokumentar e kam me shumë zemër se po e bëj për një vajzë megjithëmend të thjeshtë, por po aq edhe heroinë. Dhe gjëja e mirë është se nuk janë pak këto vajza. Dhe gjëja e keqe është se nuk janë në Shqipëri por në emigracion. 

Po e bëj jo vetëm për Verën por e bëj edhe si brerje ndërgjegje. Unë druhesha ta bëja për time shoqe se do të mund të dukej si nepotizëm, unë i ruhem këtyre gjërave pasi i urrej… 

ASHIKU:megjithëse nuk ka lidhje fare. Gjëja që njeh më shumë, del më e bukur. 

MELONASHI:Epo pikërisht atje ke frikë se mos e tejkalon masën nga dashuria, të vlerësosh më shumë ose t’i heqësh vlerat. Frika më e madhe është kjo, t’i heqësh vlerat sepse i ruhesh nepotizmit. 

ASHIKU:               Të pashë tek kaloje me pasion të madh rrugicave të Pirgosit dhe më the që t’u kujtua Korça. 

MELONASHI:      Mu kujtuan fshatrat e Korçës. Unë jam nga Progri, nga Devolli. Dhe është e njëjta kulturë në të mbajturin e shtëpisë, njëlloj. Të njëjtat shkallë, të njëjtat pllaka, e njëjta gëlqere, të njëjtat ngjyra, i njëjti kujdes, të njëjtat lule. Janë të njëjtat lule. Mua më sjellin, më japin nostalgji, më japin mall për vendlindjen e prindërve të mi. Unë kam lindur në Tiranë por çdo verë do të shkoja në fshat. Çdo verë do të gjeja gjyshen me një furçë që fillonte të lyente rreth e rreth pllakat me gëlqere. 

ASHIKU: Ndoqëm shqiptarët në tre ishuj. Shkuam në Siros. Këtu jemi në Tinos. Ishim edhe në Mikono. Do më thuash diçka se si e përjetove çastin kur filmoje ato muratorët, njerëzit e thjeshtë, njerëz që takuam. 

MELONASHI:      Nuk e di se çfarë të them. Më dhimben. Më dhimben sepse punojnë, punojnë sa të vijnë lot kur i sheh. Se si punojnë, si luftojnë me gurin. Si luftojnë me ndershmërinë e tyre, si luftojnë për tu siguruar fëmijëve një të ardhme. Nuk mendojnë për veten. Dhe kjo është shumë e dhimbshme. Jeta është një. Je prind, a je gjysh, njeriu duhet të mendojë për vete. Ata nuk mendojnë për vete, mendojnë vetëm për fëmijët, mendojnë për të konstruktuar, për të bërë atë që me shekuj ne nuk kemi bërë: 

Duan të lenë një gjurmë, të ndërtojnë qoftë edhe një shtëpi, si një dëshmi që këta njerëz kanë ndërtuar. Unë nuk gjej gjurmë të historisë në Shqipëri. I kemi shumë të rralla sepse i krahasoj me njëzet vitet në Itali që më kanë bërë të shoh diferencat, të shoh dallimet e mëdha. Ne kemi pasur si kulturë, atë antikulturën e mohimit. Mohojmë. Një regjim që mohon tjetrin. Dhe e mohon tjetrin, dhe e mohon tjetrin dhe asnjeri të ketë dalë dhe të thotë që paraardhësi i tij ka bërë mirë e ai vetë po e çon edhe pakëz më përpara. Jo. Gjithmonë kundër. Kjo frymë pastaj hyn edhe në shpirtin e njerëzve, dhe kjo është shkatërrimtare për shoqërinë. 

ASHIKU: Filmove fëmijët. Duke i parë ata, të dashuruar pas gjuhës shqipe edhe në Siros, edhe në Tinos, cili do të ishte mesazhi i një gazetari për Ministrinë e Arsimit dhe për shtetin shqiptar? 

MELONASHI:      Unë nuk kam ndonjë shpresë të madhe në Ministrinë e Arsimit dhe shtetin shqiptar. Nuk kam asnjë lloj shprese. Më vjen keq që flas kështu. Nuk duhet folur në këtë mënyrë, ndoshta bëjmë një gabim shumë, shumë të madh, por në më se njëzet vite, kemi vetëm zhgënjime, vetëm zhgënjime. Rrallë e tek, kur ka ndonjë arritje, shohim që papritur mbërrin një ambasador, thotë: “Ju lumtë!”, ngre një dolli, ha një drekë dhe ikën. Dhe mbaron puna me aq. 

Nuk është kështu. Nuk funksionon kështu. Ne jemi kaq pak dhe po mbetemi gjithmonë edhe më pak në Shqipëri. Gjuhën, themelin e kulturës, po e bastardojnë. Çfarë do të mbetet pas njëqind vitesh? 

Dua të di në se ka një politikan që shtron këto pyetje: 

Me këto ritme, çfarë do të na mbetet pas njëqind vitesh? 

Sa shqiptarë do të ketë këtu? 

Sa shqiptarë do të kenë mbetur jashtë? 

Sa do të jenë shqiptarë dhe sa do të jenë të asimiluar? 

Sa do të mbetemi si komb? 

ASHIKU: Sa do jenë me origjinë shqiptare, kur nuk dinë as gjuhën dhe as zakonet… 

MELONASHI: I shtrojnë këta pyetje? Politikani është ky: jo të mendojë për sot, të mendojë për njëqind vite, të mendojë për pesëdhjetë vite, qoftë edhe për dhjetë vite… Po jo për xhepin e vet, sot, të gjitha, pa i dhënë gjë ndonjërit, vetëm për vete… Nuk di. 

Mesazh? Asnjë mesazh. Tu them “Vini dorën në zemër”? Sadaka për njerëzit? Është e shëmtuar. Njerëzit kanë zgjedhur. Këtu në Tinos dëgjova dikë që tha: ne jemi një gregjë, që barinjtë i kemi pasur gjithmonë të pazotët. 

ASHIKU: Barinj që futin ujkun në vathë…

MELONASHI: Barinj që futin ujkun në vathë! Ca më keq.

ASHIKU: Mirë. E mbyllim?

MELONASHI: E mbyllim.

ASHIKU: Të faleminderit! Shpresoj të shihemi e të flasim sërish në dokumentarë të tjerë.
Ishte kënaqësi për mua që jam njohur me ju, tash shtatë vjet. Dhe kënaqësia më e madhe ishte se iu përgjigje dëshirës time për të ardhur në Tinos dhe bëre gjithë këtë rrugë.

MELONASHI:  Jam i lumtur. Gjeta një realitet edhe të dhimbshëm, edhe të bukur…

Tinos,Greqi- 16 qershor 2014 

*Mes shume foto gjeni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Interviste Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Arjan melonashi

ALLISHVERISHET E AMBASADES SHQIPTARE NE ATHINE

July 9, 2020 by dgreca

-PËR PAK GJË, SHUMË PAK, HUMBNI DHE NA HUMBNI NDERIN DIPLOMATË NË ATHINË/

Nga Abdurahim Ashiku/Gazetar, Athinë/

Kisha aplikuar për pasaportë dhe letërnjoftim që në nëntor të vitit të kaluar. Dokumentet më skadonin më 4 prill 2020.
Më erdhi përgjigja: Do të shkoja për aplikim më 5 maj 2020.
Ra epidemia  e koronavirusit…
U shtynë, si gjithçka që u shty dhe u bllokua për muaj të tërë.
Më në fund ndodhi hapja. Më njoftuan që të jemi në ambasadë më 13 qershor, e shtunë.
U çudita derisa e saktësova sepse mendova që të shtunën nuk punohet. Njoftimi ishte i saktë. Do të paraqiteshim në ambasadë fiks në orën 09.30 të mëngjesit.
Për të qenë korrekt me orën shkuam një gjysmë ore përpara.
U befasova…
Përpara hekurave në hyrje të konsullatës një turmë njerëzish. Po, po, turmë e vërtetë, pa kokë e pa këmbë. Shtyrje me bërryla kush të kapi i pari hekurat. Për distancë nga njeri tjetri, për maska e masa të tjera detyruese për parandalimit e infektimit nga sëmundja që ka tronditur botën, nuk bëhej fjalë. Të gjithë me celularë të kohës në dorë. Të gjithë me sa zë kishin bërtisnin se janë të thirrur në orën nëntë e gjysmë, as më përpara dhe as më pas.
Nuk bëra fotografi. Kisha shkuar si qytetar i thjeshtë…
Më vonë doli një punonjëse e konsullatës me numra në dorë. Kush kishte krahun më të gjatë e kush bërtiste më shumë mori i pari. Në një çast u kujtuan që ka fëmijë të vegjël dhe të moshuar. Morën edhe ata…
Hekurat u çliruan…
Filloi procesi i thirrjes sipas numrave …
Nuk kam vërejtje për shërbimin brenda. Disa sportele për të bërë dokumentet dhe disa tavolina fotografimi e depozitimi të shenjave të gishtave, ofronin shërbim të kulturuar…
Ajo që më bëri të shkruaj ishte së pari turma e egërsuar para hekurave dhe së dytinjë “kërkesë e detyrueshme” për marrjen e pasaportë “tri javë më pas”.
Për të parën pyeta veten: “Pse kjo rrëmujë para ambasadës sonë me mëngjes, ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj për një shërbim të paralajmëruar, me një ftesë zyrtare për takim nga ambasada dhe nga portali “Shqipëria që duam” dhe “e-Albania”?
Pse kjo rrëmujë në një mjedis publik rrethuar me shumë ambasada të vendeve të ndryshme,në mejdanin e një rruge të madhe të Athinës?
Pse ambasada apo portali “Shqipëria që duam” dhe “e- Albania” thjesht nuk merr të kopjojë përvoja tashmë dhjetëra vjeçare që autoritetet greke e kanë në bazë të shërbimit ndaj qytetarëve?
Po marr njërën, më të zakonshmen…
Me një telefonatë në 14900, 14884 ose 14784 siguron takim me mjekun specialist. Të jepet dita, data dhe ora e takimit. Po qe se atë ditë mjeku nuk është në shërbim të marrin në telefon dhe të caktojnë një datë tjetër sa më afër të parës. Takimet kanë një diferencë kohore prej 20 minutash.
Pyes a nuk mund ta bëjë një gjë të tillë ambasada? Po portali “Shqipëria që duam”? Po “e – Albania”?
Thjesht duke të njoftuar ditën, datën dhe orën e paraqitjes, për pasaporta apo shërbime të tjera konsullore. Jo të gjithë në një orë, në “09.30 minuta” por në distancë nga 20-30 – 40 apo 50 minuta, në radhë deri në mbarim të orarit zyrtar.
Kështu unë po të isha njoftuar që të paraqitesha në orën 12.30 do të shkoja “si zotni” në kohën e duhur.Nuk do të dergjesha gjashtë orë në pritje në një ditë të nxehtë qershori
Nuk e bëjnë këtë gjë.
Mbase u pëlqen rrëmuja…
Mbase prej kësaj rrjedh ndonjë euro…
Mbase…
E dyta: Kur mbaron aplikimin punonjësi të thotë se për 3-4 javë pasaporta dhe letërnjoftimi janë gati. Shton se pasaportën do ta dërgojmë në shtëpi pas adresës që do të na përcjellësh kur do të njoftojmë për daljen e pasaportës.
Më pëlqeu dhe u ngazëlleva për këtë formë lidhje e shërbimi ndaj qytetarëve shqiptarë në mërgim.
Por kjo e kishte një bisht thurur keq prapa.
Më njoftonin:
Në vijim të komunikimit tuaj përmes postës elektronike, ju bëjmë me dije se pasaportat tuaja janë prodhuar dhe gjenden në Ambasadë.
Në kuadër të evitimit të grumbullimeve fizike dhe cenimit të rregullave të mbrojtjes së shëndetit publik në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, Ambasada ju mundëson dërgimin e pasaportave përmes postës me përgjegjësinë tuaj në rast vonese, humbjeje ose dëmtimi të dokumenteve. Shërbimi postar courier paguhet nga vetë shtetasit ditën që dërgesa merret në dorëzim nga courieri.
Nëse bini dakord për sa më sipër, lutemi na dërgoni faturën e aplikimit që keni marrë ditën e aplikimit në Ambasadë, adresën e saktë të banimit (emri, nr. i rrugës, Kodi Postar, qyteti, rrethi) dhe numrat tuaj të kontaktit (fiks dhe celular) në përgjigje të këtij e-maili.
Qartësohet se kartat e identitetit (nëse keni aplikuar) nuk mund të dërgohen pasi nevojitet paraqitja fizike e qytetarit në Ambasadë për aktivizimin e tyre.
Si gazetar isha në dijeni të një ngjarje të paprecedent kur humbën, ditën me diell 100 pasaporta për të mos u gjetur kurrë. As atëherë dhe as më vonë nuk u tha se ku përfunduan këta pasaporta të shqiptarëve të thjeshtë, kush i mori dhe si i përdori.
Kësisoj ambasada, Portali “Shqipëria që duam” dhe “e-Albania” duhet ti ishin  larguar këtij njoftimi. Ata duhet të mbanin përgjegjësi për dorëzimin e dokumentit kryesor shqiptar personit në dorë, me firmë e gjithçka ligjore, dhe jo: “Ambasada ju mundëson dërgimin e pasaportave përmes postës me përgjegjësinë tuaj në rast  vonese, humbjeje ose dëmtimi të dokumenteve.” 
Kur po bëhesha gati për të përcjellë publikisht  shqetësimin qytetar për atë që ndodh përditë para ambasadës sonë në Athinë  vjen një lajm:
“Media e njohur greke ProtoThema ka raportuar shkarkimin e ambasadores shqiptarë në Athinë Ardiana Hobdari dhe trupit diplomatik.Sipas medias në fjalë shkarkimi ka ardhur për shkak se ajo dhe konsulli i përgjithshëm i Janinës, Pervin Gjikuria janë të përfshirë në vjedhjen e 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në Athinë. ProtoThema, shkruan se ka informacione se Ardiana Hobdari është direkt e përfshirë në vjedhjen e pasaportave natën e 13 shkurtit në Athinë, kur nga makina e  Gjikurias u zhdukën 100 pasaporta, nga 300 që ndodheshin brenda në mjet.”
Më pas reagimi zyrtar shtetëror:
SHKARKOHET I GJITHË STAFI I AMBASADËS SHQIPTARE NË ATHINË, PËRFSHIRË EDHE VETË AMBASADOREN…“Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka shkarkuar të gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinë përfshi edhe ambasadoren.
Mediat raportojnë se kjo “furtunë” ka ardhur si pasojë e performancës së dobët të trupit diplomatik.
Sipas burimeve nga Ministria, vendimi që ka prekur edhe anëtarët e tjerë nga stafi i ambasadës, ka ardhur për shkak të shërbimeve të dobëta ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi të cilët janë ankuar shpesh për mungesë kontakti dhe shërbimi.
Emri i lakuar në media për zëvendësimin e ambasadores së shkarkuar Ardiana Hobdari, është Luela Hajdaragaj.”

E ndërsa përtypja me përtesë lajmin që një emigranti ia ul kokën, më vjen në kujtesë një skandal, një shkrim në një gazetë shqiptare në Greqi me titull “Shejku i ambasadës”, me emër e mbiemër të një punonjësi të ambasadës, dhe masën drastike të ministrisë së jashtme greke që çdo dokument, nga ai çast, konsiderohej i pavlefshëm kur mbante firmën dhe vulën e ambasadës dhe shërbimit konsullor në Selanik e Janinë.
Deri atëherë, kundrejt një pagese prej 30 eurosh, certifikata dhe dokumente të tjerë, me firmë dhe vulë të ambasadës dhe konsullatave ishin të pranueshme nga administrata greke.
Nga shuma e parave që merreshin nga shërbimi ynë konsullor në Greqi u ble dhe mori formë Ambasada Shqiptare në Athinë. Ikëm nga ai mjedis ku era e fasules që gatuhej në katin e pestë mbushte gjitha katet, edhe zyrën e ambasadorit (!)
Allishverishet, firmosja e vulosja e dokumenteve fallco kundrejt pagesave nën dorë “shejkëve”, preu me hanxhar të mprehur mirë miliona euro të ardhura ambasadës, miliona që po të ishin marrë me korrektësi qytetare e përgjegjësi të ambasadorit dhe punonjësve të ambasadës do të kishin ngritur “Qendrën kulturore” në Athinë, qendër e premtuar nga Fatos Nano e të tjerë pas tij. Do të ishin hapur shkolla anë e kënd Greqisë që fëmijët e emigrantëve të mësonin të shkruanin, lexonin e këndonin gjuhën e bukur shqipe…
Për këtë skandal nuk u ndëshkua askush…
Dhe nuk u fol publikisht asnjëherë…

                     *                      *                  *

Në përfundim një këshillë si qytetar dua të përcjell për zonjën Hajdaraga.
Merruni me shërbimin, kulturën e pritjes dhe përcjelljes së qytetarëve në ambasadë, atyre që më pagesat dhe remitancat mbajnë në këmbë ju dhe vendin. Lexojeni mesazhin që po përcjell që në titull:PËR PAK GJË, SHUMË PAK, HUMBNI DHE NA HUMBNI NDERIN…

Athinë, 9 korrik 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine

EMIGRANTI QE FJETI 4 MUAJ NE PARK NE ITALI…

May 6, 2020 by dgreca

E DESHËM ATDHEUN, POR, ME SA DUKET, NJË PJESË S’NA DESHI/

Bisedë me Meleq Beqirin, mërgimtar në Itali/

Nga Abdurahim Ashiku/

  • Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur…
  • “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
  • As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat.. – 
  •  Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë, por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem…

    Hyrje në bisedë…

E kam njohur maleve të Bulqizës, atyre maleve që më shumë se floririn e nëntokës kanë atë të mbitokës, atë që lëviz, atë që ngjitet kreshtave dhe zbret thellësive, NJERËZIT… Punëtorë si ata, familjarë si ata, të shoqërueshëm deri në gaz shpirtëror.
E kam njohur edhe në kalimin e kohëve, kur drejtonte rrethin, në periudhën më të vështirë për Bulqizën…
Më humbi për shumë vite…
E gjeta një ditë në shoqërinë e madhe të internetit…
Një ditë më kërkoi numrin e celularit në Shqipëri…
U takuam disa herë. Pimë kafe dhe udhëtuam luginës së Bulqizës për tu ngjitur me mend në Dhoks e në Tërnovë, për të zbritur në nivelin e dhjetë asokohe në ndërtim, për tu takuar e biseduar me miqtë e përbashkët…
Një ditë në plazhin e Malit të Robit, tek gjerbnim kafen shtypa butonin dhe i “shkrova” në diktofon zërat me të…
Po e përcjell zërin dhe emocionet e tij, zërin e një mërgimtari që nuk e ka harruar dhe nuk e harron vendlindjen…

* * *
Meleq Beqiri! Mirëserdhe në Atdhe!
Mirë se ju gjeta!
Ç’e mirë ju solli?
Dashuria për atdheun. Veçanërisht dashuria për prindërit, për nanën, për shokët, për gjithçka që kemi lënë mbrapa dhe gjithçka që kërkojmë të gjejmë.
Sa vjet t’u bënë në Itali?
Njëzet e një vjet.
E mban mend si ike?
Natyrisht. Dhe nuk do ta harroj kurrë në mënyrën si kam ikur. Sigurisht një nga mënyrat e vetme që nuk do të dëshiroja të ikja. Për fat të keq situatat ishin të tilla dhe na detyruan të iknim. Ne e deshëm atdheun por me sa duket një pjesë e atdheut nuk na deshi.
Si u vendose në Itali?
Me shumë vështirësi. Pa bazë, pa asnjë pikë mbështetje. Dalëngadalë u integrova. Kam fjetur jashtë për katër muaj.
Kur thoni jashtë si ta kuptojmë?
Kam fjetur në park nga data 5 shtator 1993 deri më datën 9 janar të vitit 1994.
Ike nga parku dhe u strehove në…
Gjeta punë dhe pastaj gjithçka mori rrugë…
Mund të më përshkruash ditën e parë të punës?
Qesh…
Punë me kazmë e lopatë.
Po ajo kazma dhe lopata kishte lidhje me kazmën e gjeologut në malet e Bulqizës?
Qesh…
Jam i gëzuar që mësova edhe nga kazma dhe lopata e vërtetë që na u desh kur nuk e prisnim.
Cili është formimi intelektual i juaji?
Kam mbaruar Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera në degën e gjeologjisë. Kam punuar në minierën e Bulqizës inxhinier gjeolog. Nuk kam pasur mundësi të bëj specializime të mëtejshme që ka qenë ëndrra ime.
A mund të kthehesh paksa në Bulqizë, tek miqtë, tek shokët, në nostalgjinë tuaj për kërkuesin e mineralit të kromit në vendburimin më të madh të kromit në Shqipëri dhe në një ndër vendburimet më të mëdha në botë?
Bulqizën e konsideroj vendlindjen time të vërtetë, pa harruar Strikçanin ku kam lindur. Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur.
Nga shokët kë kujton me mall?
Nuk mund të veçoj asnjë. Kujtoj të gjithë ata shokë me të cilët kemi kaluar rininë, pjekurinë, pushimet e verës, punën, përpjekjet, veprimtarinë shoqërore, profesionin. Pa përjashtim, të gjithë.
Si u integrove në punë dhe në jetën shoqërore në Itali?
Dalëngadalë. Më duhej të rritesha profesionalisht. Kam një histori tepër të veçantë të integrimit. Më mori një usta goxha i moshuar. Dëshironte të rregullonte shtëpinë e djalit i cili shpejt do të martohej. Pas disa ditësh punë më pyeti për profesionin. I thashë se kam qenë inxhinier gjeolog. Nuk më besoi. Kur po sistemonim materialet e ndërtimit brenda në dhomë i thashë t’i sistemojmë rreth mureve sepse momenti i forcës në mesin e dyshemesë është shumë i lartë dhe mund ta rrëzojmë atë.
-Çfarë është ky momenti i forcës? – më pyeti
Ia shpjegova duke bërë një skicë…
Atëherë më tha se me siguri duhet të kesh studiuar për inxhinieri.
Kur erdhi djali, i cili ishte inxhinier ndërtimi, i bëra një pyetje teknike. Ai hezitoi për momentin të përgjigjej.
Babai i tha: “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
Në vijim të ditëve më sugjeroi që t’i ve objektiv jetës time që të mos vazhdoj të punoj me kazmë e lopatë por t’i ve dijenitë në shërbim të një pune timen.
Vite më vonë, kur u transferova nga Roma në Veneto një zonjë e moshuar e cila kishte prej trembëdhjetë vjetësh një problem të pazgjidhur në shtëpinë e saj, kur e zgjidha më tha “Ti je i zoti të bësh një numër trembëdhjetë në loto”. Kur e përshëndeta në darkë më pyeti: “Pse vazhdon të punosh nën padron?”. I them se kam familjen për të mbajtur. Më tha që nesër të shkosh të hapësh një llogari pune në bankë. Dhe në qoftë se gruaja dhe vajza jote do të rrezikohen të vdesin për bukë bjeri se do t’i mbaj unë. Ti vetë mund të vdesësh në qoftë se nuk  je i zoti të mbijetosh.
Të nesërmen hapa llogarinë e punës. Që atëherë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj në punën time. Partita iva   është ajo që identifikon ndërmarrjen. Nga momenti që e hap ke një ndërmarrje mbi bazën e të cilave paguan taksat dhe zhvillon gjithë veprimtarinë e punës. Edhe tash, në kohë krize, ndërmarrja vazhdon të ketë sukses, relativisht të mirë. I rezistuam krizës. Jemi 3-4 familje që jetojmë me këtë ndërmarrje.
Çfarë veprimtarie bëni konkretisht?
Kemi një ndërmarrje ndërtimi. Kryesisht merremi me rikualifikimin e ndërtimeve të vjetra plus edhe ndërtime të reja si dhe shërbime të ndryshme.
Sa është vlera e punimeve?
Afërsisht 150-200 mijë euro në vit, nganjëherë edhe më shumë.
Çfarë mjetesh pune keni në përdorim?
Kemi mjete të lehta që quhen betoniere, trapano fleksibele, dy kamionçina 35 kuintal. Pothuajse të gjitha veglat e lehta.
Nga kush përbëhet ndërmarrja?
Jam unë si titullar. Kam edhe tre të tjerë dhe sipas rastit marr edhe 5-7-10 të tjerë sipas volumit të punës.
Të tjerët janë shqiptarë apo edhe italianë apo emigrantë?
Janë të gjithë shqiptarë për momentin por në disa raste thërres edhe hidraulikun që është italian, elektricistin po italian. Me ta koordinojmë punët. I ftoj ose më ftojnë që unë të bëj pjesën e ndërtimit.
Si je i stabilizuar familjarisht në Itali?
Goxha mirë. Jam ndalur në Padova sepse pikësynimi im është që të krijoj një të ardhur ku fëmijët të mund të shkojnë në një universitet prestigjioz siç është universiteti i Padovës, i dyti universitet më i vjetër në Itali pas universitetit të Bolonjës.
Sa vite ka që është hapur?
Me siguri diku tek pesëqind vite më parë. Di që kanë studiuar dhe dhënë mësim Galileo Galilei, Lermontovi, Mendelejevi, Isak Njutoni…dhe personalitete të tjerë të kohës sonë.
Familja jote e ngushtë?
Jam unë, bashkëshortja dhe dy fëmijë. Gruaja, Fazile Lleshi vajzë Gjorice por nga Zogje, vajza e Tufik Lleshit. Kam edhe vajzën Aurorën, vajza e madhe 11 vjeç dhe djalin 6 vjeç, Endrin. Vajza vazhdon shkollën që po ta llogarisin me sistemin në Shqipëri i bie të jetë në klasën e gjashtë. Djali është akoma në kopsht.
Je shtetas italian apo…?
Që nga data 9 gushti jemi të katërt me shtetësi italiane. Unë ka 4 vjet që bashkë me fëmijët e kam marrë shtetësinë italiane kurse gruaja e mori më 9 gusht 2014.
Në Shqipëri kë keni?
Nga familja e ngushtë kam nanën, vëllezërit, motrat. Kam dy vëllezër këtu, kam edhe tri motra. Kam edhe një motër në New York. Janë të martuar dhe me fëmijë. Djalin e kam edhe me shtetësi amerikane sepse ka lindur në New York.
Në fshat kë keni?
Kam nanën dhe vëllain që rrinë në Strikçan.
I keni shtuar ndonjë tullë shtëpisë së vjetër në Strikçan?
Kemi bërë një shtëpi të re atje ku rri nana dhe vëllai. Kemi mbajtur gjithë tokën…
Akoma i mban të gjalla, nuk i keni shkulur rrënjët në vendlindje?
As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat. Ne kemi gjithsesi shtëpinë tonë sepse atje rri nana dhe vëllai, që është shtëpia jonë edhe ajo, e vjetra fare që është e gjyshit ku rri vëllai dhe nana dhe mendojmë të ndërtojmë edhe nga një shtëpi tjetër që kur të vijmë të jemi tek shtëpia jonë.
Rruga e Arbrit del në prag të shtëpisë?
Më vjen shumë afër. Shpresoj që të mos ngelet premtim elektoral. Mendoj që ta kërkojmë, natyrisht në mënyra të ligjshme. E drejta e dibranëve për të pas Rrugën e Arbërit është më se e ligjshme, madje shumë e vonuar. Ka ardhur koha që dibranët të kenë rrugën e shumë premtuar.
Kur do të ikni në Itali?
Do të ik më 28 gusht. Më duhet të kthehem sepse për fatin e mirë jam shumë i ngarkuar me punë. Por përpara se të shkoj në Itali do të shkoj në Strikçan për tu çmallë me nanën, me njerëzit, me vendet e mia.
Do të lahesh në Zall?
Edhe në Zall do të shkoj. Do të çoj vajzën dhe djalin. Kanë dëshirë të lahen dhe ta përjetojnë realisht atë që u kam treguar unë se cili ka qenë plazhi jonë, Zalli i Okshtunit. Është me të vërtetë një Zall i mrekullueshëm me atë ujë qelibar të pastër me troftat që vallëzojnë mbi gurë.
Çfarë ndjen atje ku je, në mërgim, mall që të tundon e ta merr gjumin?
Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem. Me mall kujtoj veçanërisht ditët e festave, ditët veçanta të ditëlindjeve kur e ndjej të pamundur që mendjen mos e kthej dhe mbaj atje gjatë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

Bëni për Setën atë që bëtë për HEC-in e Holtës!

January 25, 2019 by dgreca

PO SETËN – BUKURINË E BUKURIVE, ÇIDHNËN –  VENDORIGJINËN E GJERGJIT TË GJON DIBRANIT  DHE  SHESHBETEJAT E TIJ, A I KE DËGJUAR ZONJA BALLUKU? PO JU ZOTI KLOSI?/

1 hec2 HEC3 HEC

Një letër në “Shqipëria që duam”/

Shkruan: Abdurahim Ashiku/ Athine/

Ra Zagoria dhe Kryeministri Rama foli…
“Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga HEC-e, gurore, etj.”
Ra Holta dhe ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjetikes Balluku doli publikisht, me zë e me figurë:
“I papranueshëm rasti i ndërtimit të HEC-it mbi kanionin e Holtës në Gramsh…”
“Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin…”
“Dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore…”
Mbase nuk i ka dëgjuar “Zërat e Setës” zonja Balluku. E re është dhe i falet ani se gazetat, emisionet televizive, me zë e me figurë, demonstratat e banorëve, gjyqi publik i hapur (por i shtyrë për në “kalendat greke” dhe “javën pa të shtunë”) kanë qenë “daulle me lëkurë dhie” sa nuk besoj të mos i ketë dëgjuar njeri brenda e jashtë kufijve (përveç pushtetarëve veshmbyllur me dyllë).
Me jua thënë me fjalë zor se i merrni vesh. Duhet të shkoni atje që krijuesi i asaj bukurie t’ju presë e tu uli gjunjët në tokë.
Dhe të faleni.
Kështu më ka ndodhë dekada më parë kur shoqëroja një delegacion gazetarësh liqeneve të Lurës.
U befasova, ndërsa ata i luteshin Zotit për bukurinë që u kishte mbirë në sy…
Seta është një ndër degët e Drinit të Zi, 13 kilometra që nga burimet e saj në Gurë Lurë e deri në Arras, ujëplotë gjatë gjithë vitit…
Seta rrethohet e thellohet nga një histori trimërie dhe heroizmi, qëndrese dhe sakrificash sa në sipërfaqe tokësore nuk e ka asnjë vend në Shqipëri, (mbase edhe në botë), në mesjetë veçanërisht, por edhe në ditët tona.
E kam jetuar Setën në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve (nuk ta rekomandoj Ju zonja Balluku, Klosit i them që të kalojë sapo të shkrijë bora) pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”.
Është krim që nuk është shpallur “Monument kulture”…
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej tu jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…
Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane e Skënderbejane…
Nuk dua të hy në “thekrën e historisë”. Është e dendur, më e dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…
Seta, burimet e saj, kanionet madhështore shpallur “Monument natyre” po humb bukurinë, po humb atë fjalë që faqeve të gazetave dhe gojëve të pushtetarëve nxirret me pasthirrmë, TURIZMIN, po i mohon trevës së Çidhnës e Sinës të ardhmen e vet, po u shkul rrënjët atyre banorëve që brez pas brezi rrënjë e degë të reja vegjetuan.
Flitet për jo një por për katër hidrocentrale mbi Setë….
Po citoj nga shtypi…
“…Tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Setës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantues, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm. Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godinë që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.”
Nuk mund të heshtja.
Shënova…
Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën….
Ju zonjë jeni arkitekte. Lexojini këto e bashkë me ato që thuhen para e prapa, shikoni projektet, shkoni edhe në vend, takohuni me banorët, bisedoni me ta për të kaluarën historike dhe për të ardhmen jetësore, ftoni në  një takim intelektualin Mustafa Tola, historianin Ali Hoxha, studiuesin Murat Koltraka me shokët e tyre…
Dhe bëni atë që bëtë për HEC-in e Holtës.
Edhe pse këmbët nuk mbahen fort nga pesha e 78 vjetëve jetë, edhe pse jam syrgjyn njëmijë kilometra larg, do të mblidhja fuqitë dhe do të bëhesha kallauzi juaj zonja Balluku dhe zoti Klosi në një udhëtim Setës nga derdhja në burim…

Shkruan: Abdurahim Ashiku

Gazetar

Athinë, 25 janar 2019

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Abdurrahim Ashiku, HEC, Holta, SETA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT