
Shuhet aktori Adem Mikullovci, firmëtar i Deklaratës për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990

-Liderët institucinalë: Adem Mikullovci, edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 Korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 Shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjithnjë ishte në shërbim të vendit tonë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Shtator 2020/ Është shuar sot, në orën e parë të 15 Shtatorit 2020, aktori Adem Mikullovci, i cili si delegat i Kuvendit të Kosovës ishte firmëtar i Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut 1990, e në Kosovën e pavarur ishte deputeti më i vjetër zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit 2017.

“Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndëroj jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci!”, ka njoftuar bashkëshortja Lumnije Mikullovci, e cila është regjisore.

“Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka shkruar ajo.

Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri. Ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Mes tjerash, prej vitit 1968 e deri në Korrik të vitit 1990 Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore, si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.
PRESIDENTI THAÇI: KONTRIBUTI I ADEM MIKULLOVCIT DO KUJTOHET PËRGJITHMONË
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:
Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!
KRYEMINISTRI HOTI: AKTORI I MADH SHQIPTAR, ADEM MIKULLOVCI…
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar sot:
Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.
Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.
Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!
KRYEPARLAMENTARJA OSMANI: SOT, VENDI MBETI PA AKTORIN E POLITIKANIN E SHQUAR
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkruan: Sot me dhembje të thellë e mësova lajmin për ikjen nga kjo botë të klasikut të teatrit, mjeshtrit të skenës e ish-deputetit Adem Mikullovci.
Skena teatrore humbi njeriun e madh, i cili jetën e tij prej aktori nuk e ndante nga angazhimi qytetar, duke qenë delegat i përbërjes së Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut për ta përmbyllur angazhimin e tij politik në mandatin e kaluar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Guximin e skenës teatrore e manifestoi në cilësinë e delegatit/deputetit, duke u bërë personifikim i njeriut kauza e të cilit është interesi qytetar.
Aktroi për publikun, siç edhe foli për mbrojtjen e interesit të tij!
Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden!
Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë.
Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti!
Sipari i Teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas!
Familjes e komunitetit artistik, ngushëllime!
Prehu në paqe Adem Mikullovci!
TELEGRAM NGUSHËLLIMI I MINISTRES DUMOSHI ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË ADEM MIKULLOVCIT
“E nderuar familja Mikullovci,
Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem.
Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.
Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.
Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit.
Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt.
Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar.
Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.
Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.
Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”.
Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit