• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jusuf Vrioni, Adoleshenti i përjetshëm

March 16, 2016 by dgreca

Sot njëqindvjetori i lindjes/ Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi/

Nga Klara Buda/

Sot mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin ta njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!

Është e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar marrëdhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bënte atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shembullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes: “Mondes effacés”, botë të fshira, si me gomë, shqipëruar “Botë të harruara”.

Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqësuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht: akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.

Më 13 shtator 1947, arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpunëtor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do t’i vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalimin pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koci Xoxes. Ja si shkruan revista franceze “Ekspress”, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në Francë: “Pas diplomimit në HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris, Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me klanin Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. Më 29 qershor 1950, Vrioni dënohet me 15 vite burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të anëtarit të ekipit kampion të Francës në hockey mbi akull”.

Në këto kujtime, ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura, por një kujtim të nënës së tij: “Një herë shqova nga larg një grua plakë të kërrusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë…Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmerrshëm i jetës sime!”

Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte që kuptoi se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos ekzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze, do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallëkush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.

Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së ekzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ridënuan dhe u riburgosën, duke u asgjësuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.

Në personin e tij vetëm, Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të procesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bënte këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hedhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk mori asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar. Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85-vjeçare.

Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”

E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”.

E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga precizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se: ” … jo, ndjeshmëria e germave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet…” Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.

Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994, përmes çmimit prestigjioz “Halperin Kaminski”, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të mëdhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.

Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

Ai u nda nga jeta në Paris, më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë te të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e francezë me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”. Miku i tij, shkrimtari Claude Arnaud, për mënyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: adoleshenti i përjetshëm. Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit, kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik, të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqësoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës shpresoj do ta nderojnë atë në këtë përvjetor të vdekjes, për kontributin e tij në shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë!(Shqip)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Adoleshenti i përjetshëm, Jusuf Vrioni, Klara Buda

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT