• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

19 vjet më parë- Shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit

May 31, 2020 by dgreca

Jusuf Vrioni-(16 mars 1916 – 1 qershor 2001)./

Shkruan: FOTAQ ANDREA-STRASBURG/

Ai ishte i pari, Ai ishte mbi të gjithë ne/

Është e vështirë të shkruash për mbresa dhe vite të shkuara, mbërthyer në kuadrin e tyre të caktuar historik, politik e shoqëror, ku përfshihet një pjesë e mirë e jetës sonë, sidomos vitet më të ethshme të rinisë profesionale. Është e vështirë, sepse, ndonëse nga një pikëpamje ato mund të cilësohen si “vite të humbura në marrëzi të kohës”, përsëri, pleksen në kujtesë edhe ndjenja të ngrohta, një jetë kolektive nga më kompaktet, mall e miqësi e vyer, deri në dashuri vëllazërore, kur shok e miq tashmë na mungojnë dhe kur gjithkush, nga ai kolektiv i atëhershëm përkthyesish e redaktorësh të Redaksisë së Gjuhëve të Huaja vijoi udhën e vet të fatit në jetë.  

E tillë ishte koha : kohë totalitare, sistem i ngërthyer politiko-shoqëror, ku gjallonte izolimi nga Perëndimi, lufta e klasave, militarizimi i plotë paralizues me bunkerizimin e shpirtrave, mendjeve, vetëdijës. Për fatkeqësinë tonë, si të një populli të tërë përvuajtur historikisht, ne ishim produkt i asaj kohe dhe totalitarizmi domosdo ushtrohej mbi ne me të gjitha format e veta; donim s’donim, ne ishim pjesë e tij dhe puna jonë profesionale, e detyruar dhe e kontrolluar nga lart, ishte pjesë e mbijetesës të një populli nën diktaturë, kur lypsej mençuri, maturi dhe dashuri për të jetuar jetën.

Veçse, për ata përkthyes e redaktorë të gjuhëve të huaja që përbënin numerikisht redaksinë më të madhe të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, vetë gjuha e huaj ishte si një dritare e hapur drejt botës, e mbi të gjitha drejt Perëndimit, që i “thyente” disi kornizat e indoktrimimit total dhe të izolimit totalitar për njëmijë arsye. Mbi të gjitha, sepse vetë gjuha e huaj është qytetërim e kulturë, përfaqëson shpirtin e ndritur të popullit që e flet, penën e shkëlqyer të njerëzve të mëdhenj të Letrave, që e kanë përpunuar atë në rrjedhë të Historisë. Dhe një përkthyes i mirë duhej të kapte pikërisht shpirtin e asaj gjuhe, të mendonte në të dhe të kish njohuri të gjera për lëndën që përpunonte gjatë përkthimit, pa harruar parimin kryesor të atij “zanati” nga më të vështirët, që përkthimi, mbi të gjitha, është art. Fakti është që, në mjetet e punës të përkthyesit, krahas fjalorëve të vëllimshëm gjuhësorë – te sektori i frëngjishtes ndodhej Le Grand Robert prej 6 vëllimesh shoqëruar nga Le Supplement (fjalorë këta që e shfaqin gjuhën frënge nëpërmjet një pafundësie citimesh nga autorë të ndritur për të pasqyruar kuptimin më të saktë dhe nuancën më të hollë të fjalës – mbi tryezën e punës ndodheshin edhe Fjalorët Enciklopedikë (Si Larousse, tre vëllime), ilustruar me ngjyra, ku domosdo flitej në to me gjuhën e artit, shkencës, historisë, letërsisë klasike dhe moderne. Pra, fjalorët, dhe në raste të veçanta, ajo letërsi e paktë bashkëkohore që gjenim në Lidhjen e Shkrimtarëve, përbënin njëfarësoj mjetet minimale të punës së përkthyesit. Sigurisht, nuk duhet harruar këtu tërë ajo letërsi klasike politike e përkthyer që vilej për frazeologji dhe për nuanca gjuhësore.

Por, le të hyj më mirë drejt e në kujtime, duke shmangur teorizimet e njohura në këtë fushë, shkollat e ndryshme përkthimore, ku rrugë të mundimshme kishte çelur shkolla ruse që në vitet 1920-30, tek kishte bërë emër me talentet rusë të bardhë ushqyer nga shkolla klasike frënge e Rusoit me shokë. 

Në fakt, ende pa filluar të flas për ato vite, dhe veç kur stepem në çast. Përpara më del figura e Mjeshtër Vrionit, si një ikonë. Po, po. Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu Fisnik, që nuk u thye një herë nga hallet dhe vuajtjet. Me gjak shqiptar dhe zemër franceze, ai na çeli dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe qytetërimit frëng. Mbërthehem nga emocion, nga shumë emocion dhe pesha e nostalgjisë më bllokon, më mban një hop frymën, më ndal gishtat mbi tastierë, më dretjon halën e shpinës si në një minutë heshtjeje, sa të ngopem mirë me frymë, të shfryj një “heeeeh” të zgjatë e të çlirohem nga tërë ai mall. E shoh, si të jem ndarë me Profesor Vrionin jo më larg se dje, përherë të gjallë, në lëvizje plot energji, tek vjen në zyrë çdo mëngjes rruar freskët, veshur gjithë elegancë, me kombinim këmishe, pantalloni e xhakete, me kravatë plot gusto e me frymën që i merrej pak, pasi kish ngjitur tre katet e godinës me lehtësinë sportive të kërcimit në litar. E shoh të lëshojë “bonjour”-in e tij të ngrohtë, duke i mëshuar fort rrokjes së parë, por duke ëmbëlsuar me zgjatje të r-së rrokjen dytë me atë theks parisiani. E shoh të prekë e të rregullojë alfabetikisht që në fillim Fjalorët në krye të tryezës, atë çka përfaqësonte mrekullisht Perëndimin, si të merrte që andej energjinë vitale ditore dhe, oburra! kërcitja e menjëhershme si muzikë vagneriane e gërmave të makinës së shkrimit mbi cilindrin metalik…

Përkthim, përkthim, përkthim… Redaktim; pa fund redaktim; deri në boca; mbi shtatë a tetë herë redaktim; pasandaj, korrigjim, konfrontim, stërkorigjim e stërkonfrontim; dhe tërë kjo vetëm për një tekst, për një libër, për një autor… Shkruaj me laps, hidh në makinë, fshi me gomë. Qindra faqe, mijëra faqe. Apo më konkretisht, 33 mijë faqe të botuara, kaluar shumë herë me radhë në duar nga secili anëtar i redaksisë, për njëzet e kusur vjet rresht, tek i besojmë humorit të hollë të Mjeshtrit të Madh të përthimit Zef Simoni. Shtereshin kështu gjer në fund energjitë, kapacitetet, talentet, dhe vetë institucioni i lartë i punës shtrydhte pikën e tij të fundit, kur dita efektive e punës shkonte deri në 14 orë, sidomos në valë “aksionesh” që pasoheshin pandalshëm si valë deti. O tempora o mores! Ishte si një industri e tërë përkthimi, sidomos kur grupoheshin gjithandej përkthyes, redaktorë e daktilografë në tetë a dhjetë gjuhë të huaja në SHQUP, ardhur nga Radio Tirana, ATSH-ja, 8 Nëntori, etj., mbi pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vetë, e kur kërcisnin, taratata, makinat e shkrimit në garë, për të përkthyer urgjentisht, e me stap mbi kokë (me roje te dera hyrëse) materiale “top sekret”, si në një kantier e bunker përkthimi…

Dhe ja ku përsëri, përpara më shfaqet Jusufi tek i fluturojnë gishtat mbi tastierë, tek i renditen papushim rreshtat e përkthyer, paragrafët, faqet, njëzet e pesë faqe përkthim në ditë, një normë përkthimore rekord, e barabartë me normën ditore të daktilografimit. 

Po se mos veç kaq. Ashtu si në rininë e tij të hershme, kur ishte kampion tenisi dubël dhe lojtar në hokej mbi akull i ekipit kombëtar francez Sélection de Paris në vitet 1932-1933 (oh! ç’kënaqësi për mua kur gjeta emrin e tij te disa numra të revistës frënge Neige et Glace, mes patinatorëve Thomas, Bottenheim e Belanger), ai mbeti kampion në artin e përkthimit letrar, tek çau i pari në Perëndim, që në vitet 60, rrugën e Letrave shqipe me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë. Si një argjendpunues i vërtetë anonim, e punoi dhe e përpunoi variantin frëngjisht disa herë me radhë, tek nxori nga duart një stoli të rrallë përkthimi nga më intrigueset për Perëndimin, një rubin vetëtitës që do merrej për bazë përkthimi në shumë gjuhë të huaja jo vetëm i asaj vepre, por edhe i krejt veprës pasuese të shkrimtarit të madh shqiptar.  

Pak, shumë pak, fliste Profesori për vete, për punën e tij jashtë zyrës, e sidomos për vitet e tij të shkuara, të lumtura a të përvuajtura. Të lumtura, në ato vite 30 shtrausiane të cilësuara  “années folles”, që sikur paralajmëronin furtunën e luftës së dytë botërore dhe tërë atë periudhë të gjatë të vuajtjes në tortura e izolim që do pasonte për vetë Jusufin tonë, intelektualin e klasit të parë me disa diploma në xhep dhe me shpirt rinor sportiv, të cilin e ruajti tërë jetën. 

Më kujtohet si sot kur na fliste tepër i kursyer, shkarazi, për garat e rinisë së tij të hershme në slalomin gjigand alpeve franco-zviceriane, për Chamonix-in, për ndeshjet e tenisit dhe mini-kampionatet gjatë viteve 1945-46 te Shallvaret në Tiranë, dhe kur të ardhurat modeste që vinin nga spektakli i atyre ndeshjeve shkonin të gjitha në favor të viktimave të luftës dhe të bonjakëve. 

Rezervohej, ruhej, druhej, i gjori Profesori ynë, të fliste për të shkuarën, për më tepër se mos keqinterpretohej, i rrahur me vaj e me uthull siç ishte, e mbi të gjitha, nuhatës i finesës kuptimore të fjalëve, i ambivalencës semantike e sidomos i vetë tipave e karaktereve që e rrethonin në lagje e kudo. Sepse e dinte më së miri që gjuha e ligë kocka s’ka, por kocka thyen. Andaj dhe ishte i kursyer shumë në fjalë, kur spiunllëku e keqdashësia vepronin sheshazi e skuthazi, dhe kur te Naim Frashëri arrestoheshin brutalisht përkthyes e redaktorë thjesht “për të dhënë shembullin”, me mesazhin: “Mos na lëvizni bishtin!” Madje edhe kur donte të pohonte diçka pozitive nga përvoja e tij e pasur, sidomos profesionale, Jusufi i dashur e fillonte fjalinë me një shprehje të bukur në frëngjisht që, si shumë të tjera, më është ngulur në mendje: Sans fausse modestie, je dois dire que (pa modesti të shtirur, me duhet të them që). 

Nuk është një fjalë goje të thuash: Jusufi ishte shkollë për ne, ishte profesori ynë. Tek kishte moto të tij Stili është vetë njeriu, ai ishte i prirë jo thjesht pas përkthimit të saktë, por sidomos pas elegancës gjuhësore, pas bukurisë së frëngjishtes, duke pasur parasysh sa postulatin “Traduttore, traditore” që në çdo çast të merrte keqas në qafë, aq edhe “postulatin e tij personal”, në kushte të reja të fatit në jetë, “je traduis, donc je vis” (përkthej, pra jetoj). 

Në fakt, pa kurrfarë emfaze, lypset të them se në përkthimin që Profesori nxirrte nga dora,  kishte krijimtari, dozuar bukur, si mjeshtër i lidhjes së fjalëve plot zhdërvjelltësi; kishte krijimtari edhe kur një lëndë shterpë dhe e ngurtë, me varfëri ideore, ai e bënte të shfaqej bukurisht shterpë dhe bukurisht të ngurtë e të thatë. Me mjeshtëri të rrallë e lëmonte fjalinë, hiqte të tepërtat e saj, (e zbuste llafollogjinë), duke mos harruar një çast se në gjuhë nuk ka sinonimi absolute a papërkthyeshmëri, por ka transpozim ideor përmes pengesash gjuhësore që duhen kapërcyer artistikisht bukur, apo “sportivisht” të themi, në mënyrën e tij jusufiane. Qëllonte shpesh që teksti shqip, politik e letrar, shfaqte, veç ngurtësisë ideore, edhe një ftohtësi artistike, një varfëri e monotoni leksikore, me stil të rëndë a të rëndomtë (na kishte qëlluar të lexonim shqip në një faqe dialogu intensiv letrar deri në dymbëdhjetë herë fjalën “tha”, “tha ai, thashë unë” etj). Po Jusufi, me kurajo profesionale e guxim krijues, e bënte tekstin e përkthyer të këndshëm, duke përdorur aq bukur në frëngjisht të barasvlefshmit e foljes “tha” në format: “u përgjigj”, ‘ia pati”, “ia priti”, “ia ktheu”, “ia preu”, etj. tek shfaqte kësisoj vetë gjendjen emocionale të personazheve në dialog. Në këtë drejtim, në ato vite 70, dhe në atë nivel të caktuar përpunimi që kishte arritur gjuha dhe sidomos letërsia shqipe, Jusufi jep shembullin e përmirësimit dhe të përsosjes së vetë stilistikës shqipe, si ta tërhiqte nga lart, ta “kapte për leshrash”, për ta zhdërvjelltësuar gjuhën e shkruar shqipe. Dhe nuk do ta teproja po të thosha se mjaft shkrimtarë, me përkthimin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe të Lettres albanaisesmësuan pikërisht në shkollën e tij si të shpreheshin shqip me elegancë, dhe jo thjesht e vetëm me figura letrare.   

Kishte Profesori një gjë tepër të veçantë: i konsultonte fjalorët shumë më shpesh nga ne, dhe pa kurrfarë përtese; madje i shfletonte me mjaft kënaqësi, edhe pse koha kishte për të një vlerë të veçantë, kur darkave gjer vonë e prisnin përherë përkthimet letrare e shkencore. Vazhdimisht na e këshillonte këtë praktikë edhe neve, që përtonim pakëz, përderisa vetë fjalorin e gjallë, Jusufin, e kishim para syve, një metër larg, “fjalor” që na joshte e na përshtatej për bukuri, sepse përgjigjen e pyetjes sonë, ai e kishte përherë të gatshme, në majë të gjuhës. Dhe jo një, por dy-tre përgjigje radhazi sipas kontekstit të fjalës a shprehjes.  

Po kishte Profesori edhe një teknikë mahnitëse të përdorimit të vetë fjalorit: brenda dy sekondash, e çelte vëllimin te germa e parë e fjalës që kërkonte; me dy-tre fluturime të shpejta të faqeve që ritmoheshin një pas një nga gishti i madh, binte shi te fjala që hulumtonte; dhe pasandaj, me një rrëshqitje të shpejtë të tre gishtave të mesit të bashkuara, kërkonte me vështrim përthithës kolonave të gjata shpjeguese nuancën që donte, në morinë e germave të vogla, duke ditur paraprakisht se çfarë konkretisht po gjurmonte. E tëra nuk zgjaste më shumë se 15-20 sekonda, dhe hop, fjalori i trashë mbyllej me një përplasje të lehtë, e në çast renditej në etazherin e tij të vogël. Ishte një proces hulumtimi si të kërkonte të rizgjonte në kujtesë, falë ngacmimeve shpjeguese terminologjike, pikërisht atë çka kishte ditur shumë më parë, por fashitur. Dhe kishte të drejtë kur na thosh: “Një gjë që nuk e di, s’ke si ta gjesh në fjalor. Fjalori është thjesht për të vërtetuar diçka që e ke me dyshim”. Ja pse e pikaste me shpejtësi atë për të cilën ngulmonte, aq sa kishte raste kur e dinte paraprakisht edhe vendin e shpjegimit të nuancës në tërë atë piko fjalor, gjë që fliste për një memorie të rrallë e të gjallë vizuale. Dhe nëse Profesori na rekomandonte ne të rinjve konsultimin e shpeshtë të fjalorit, kjo sepse, duke ngulmuar për atë që donim të gjenim, do të ishim të detyruar të lexonim edhe shpjegime të tjera shtojcë. Kësisoj, drejtpërdrejt a tërthorazi, nën shembullin e Mjeshtrit, hidhte rrënjë të thella te ne të rinjtë profesionalizmi dhe vinte duke u zgjeruar diapazoni ynë gjuhësor e kulturor. 

Puna me fjalorët ishte njëra anë e medaljes, ana tjetër ishte puna me skedat gjë që, me thënë të drejtën, me gjithë ngulmimet e drejtuesve, neglizhohej, na dukej si punë angari. Fakti është që, nën kujdesin e Jusufit, ishte ndërtuar një lloj skedari në sektorin e frëngjishtes nga Rajmonda Vuçini, veterania e sektorit, përkthyese e zonja, gjithë gjallëri e energji, vetë motori ndërsektorial i frymës së shëndoshë kolektive të redaksisë. Kishte në ato skedina mori shprehjesh frazeologjike të vështira, proverba shqipe me të barasvlefshmet e tyre frëngjisht, terma të rrallë, nuanca semantike e ndonjëherë edhe struktura të bukura stilistikore në frëngjisht. 

Por çka dua të vë këtu në dukje është se shpesh Jusufi, kur konsultonte letërsi franceze – politike a artistike qoftë -, me një lexim të mahnitshëm gati vertikal, dinte të pikaste pikërisht një shprehje të veçantë, një strukturë të bukur gramatikore, një elegancë gjuhësore. Dhe atëherë nuk mungonte të vendoste në margjinë diezisin e tij të famshëm #, për të tërhequr vëmendjen, një zakon që unë vetë e kam ruajtur prej tij, krahas shkurtimit nb (nota bene) me atë vizimin e tij të lehtë me laps, anash.

Nga ana tjetër, kishte në përkthimin e Mjeshtrit një siguri dhe një përgjegjësi të plotë për atë që nxirrte nga dora. Shpesh e dëgjonim, të mahnitur, tek e lexonte me zë të ulët tekstin që kishte përkthyer ai vetë, sidomos kur bëhej fjalë për tekste letrare, konkretisht për përshkrime peizazhesh a portretesh, apo për dialogë intensivë me tonalitet të lartë dramatik. E lexonte tekstin me zërin e tij murmuritës, për të ndjerë me veshë bukurinë muzikore të rrjedhshmërisë në frëngjisht, ritmikën e rreshtimit të fjalëve në fjali, dhe në çast ndalej kur një term nuk ishte në vendin e vet; shpejt e korrigjonte dhe rifillonte sërish leximin; ndalej përsëri, për të vënë një presje të shpejtë, presjen e famshme jusufiane, aq elegante, dhe që hapi aq telashe meskine kur vuri me guxim në kopertinë titullin frëngjisht “l’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme”, sipas modelit prudonian “La propriété, c’est le vol”. Po për këtë histori, me sa më kujtohet, ka folur edhe ai vetë në librin e tij Kujtimet e një europiani, libër gjithë përkorë e modesti jusufiane.      

Veçse ia vlen këtu të përmend një episod të veçantë, tepër domethënës. Me rastin e një turneu jashtë shtetit të Ansamblit të Këngëve e Valleve, P.K., që e njihte disi Profesorin, i jep një tekst të përkthyer në frëngjisht që do botohej si fletëpalosje (historiku i shkurtër i Ansamblit) dhe i thotë: “Hidhi një sy, do paguhesh”. Aq u desh që Profesori të shpërthente: “E çfarë do të thotë “hidhi një sy”? Që t’i jap një të lexuar e shko tutje? Kaq të sigurt jeni për përkthimin që keni bërë? Atëherë, pse ma jepni mua? Po qe për të më paguar, ja ku po ju paguaj unë ju, më parë, dhe shkoni gjeni një përkthyes tjetër që t’i “hedhë një sy”. Jo, kjo punë s’bëhet në këmbë. Ose do ulem e ta punoj, ose gjeni një tjetër, dhe e paguaj unë”. I zënë ngushtë, tjetri u përligj se “nuk kishin kohë, se ishin në minutë të fundit dhe se priste shtypshkronja”, ashtu sikurse ndodh gjithmonë te ne edhe sot e kësaj dite kur gjërat bëhen alla shqiptarçe. 

Ndonëse ky episod më bën të vë edhe sot buzën në gaz për fuqinë e arsyetimit të Jusufit, që e kapte shpesh mat, me logjikë të shëndoshë, bashkëbiseduesin kur e kundërshtonte, ka në të dy elementë për t’u vënë në dukje: së pari, mendimi “po e pa Jusufi përkthimin, e ka parë Perëndia”, domethënë po vuri dorë ai, është siguria dhe përsosmëria vetë; së dyti, mendimi “ç’e ka Jusufi një përkthim, është kaq i shpejtë dhe kaq i saktë, sa ta jep “llokum” në dorë”. E vërteta  e thjeshtë është se ai kishte edhe shpejtësi, edhe saktësi, pikërisht atë çka përbën një tipar gjeniu. Po ama, vullneti dhe këmbëngulja e tij për të arritur më të mirën e mundshme ishin vërtet për t’u admiruar. Ngulmonte për të bukurën përherë i pakënaqur nga vetja, tek e ripunonte një tekst si ta qendiste, dhe variantet përkthimore vinin valë-valë te ai, gjer te bocat e shtypshkronjës. Aq sa u qiste “telashe” linotipistëve të papërtuar, duarartit Gjergji me shokë, faqosëses së qeshur Lejla me shoqe. Dhe një gjë mësuam më së miri në shkollën e tij: bocat ishin pasqyra e vërtetë e librit, përpjekja e fundit dhe përfundimtare për të arritur maksimalen (gjithnjë të mundshme), si vetë ajo provë gjenerale për një shfaqje të suksesshme. Andaj dhe u bëmë mjeshtër të lexonim në shtypshkronjë paragrafë të tërë së prapthi, nga fundi në fillim të rreshtave, drejt e në plumb, qoftë gjatë radhimit, qoftë gjatë faqosjes, madje të pikasnim në çast gabimin tipografik, makar një spacio tepër. 

Nga puna në shtypshkronjë atyre viteve, më kujtohet një pasdite vonë kur përgjegjës Stathi më thërret në kthinën e tij për të më dhënë fashikuj në frëngjisht dhe, në prani të Shqipes, një grua e fortë dhe e zonja në profesion, më pyet me zërin e tij të ngrohtë por të trashë, si t’i gërryente honinë e grykës: “Si e shpjegon ti që Jusufi bën gjithë këto ndryshime në boca? Pse s’i keni bërë më parë korrigjimet, po i lini për t’i bërë këtu te ne? Na e keni bërë gjithë punën çorap! Kaq të pazotë jeni?” I zënë në “faj”, për më tepër që duart e buavitura dhjamore të Stathit po më tmerronin me ato plagë gjak të psoriazisit që i kishte shkaktuar rrezatimi i plumbit për 30 vjet në shtypshkronjë, u mundova të shpjegoj se të bësh ndryshime papushim – jo vetëm në përkthim, por edhe në shqip – nuk është paaftësi, përkundrazi, është zotësi, aftësi që tregon se përsosja s’ka të sosur. Dhe kjo arrihet vetëm kur ke njohje të thellë të gjuhës dhe të profesionit. Pasandaj u ripërsërita shprehjen e Zaferit kur thosh: “Bocat janë si ai thesi i zbrazur i miellit, që shkunde sa të duash, prapë miell do qisë”. Zaferi, në mos gaboj, ishte pinjoll i familjes fisnike të Vila-Frashëllinjve me emër, një burrë elegant tek të gjashtëdhjetat, simpatik e me mustak të bardhë, mik i hershëm i Jusufit, që korigjonte e konfrontonte bocat me të ëmblën Eli, e cila do martohej më pas me kolegun dhe mikun tim aq të mirë e të zotë Eqerem Mete. Zaferi, me humor të hollë, të cilin e mbulonte me një pamje serioze prej babaxhani, çdo qui të shpeshtë të frëngjishtes e shqiptonte shkarazi gjatë konfrontimit në mënyrën e vjetër dialektore të shqipes qi, dhe ne mezi mbanim buzëqeshjen, edhe pse ai gjoja vërenjtej e rrudhosej si për të na thënë: “Po ju, ç’keni, pse zgërdhiheni?”

Po le t’i rikthehem Mjeshtrit, pa u hallakatur kujtimeve. Eh, Jusuf përsosmëria! Sa do desha sot, o Zot, të më binte në dorë një faqe daktilografimi mbushur me redaktime jusufiane, një tekst krejt të nxirë nga portamina e tij, ku formohej ajo perla e përsosur përkthimore brenda guaskës së vet të nxirë! E ta merrja atë faqe daktilografike ta vija në kornizë që ta kisha përherë të shenjtë para syve, si hajmali përkthimi!

E vërteta e thjeshtë është që unë vetë mësova të përkthej thjesht nga korrigjimet e Jusufit. Qindra, mijëra faqe të redaktuara, të nxira krejt nga dora e Mjeshtrit, më është dashur t’i kaloja në makinë ato vite të para pune, të dekriptoja shkrimin e tij të imët si ata murgjit mesjetarë që kopjonin e rikopjonin tërë jetën tekstet e shenjta. Falë asaj pune të dorës së dytë, të dorës së tretë, të korrektorit letrar a teknik, punë disi “bedeli”, por sidomos falë punës intensive gjatë netëve të tëra në shtypshkronjë, në prani të Mjeshtrit, do mund të ecja fillimisht këmbadorazi profesionalisht, për t’u ngritur shpejt e me siguri në këmbë. Sepse, përmes varianteve të njëpasnjëshme gjuhësore të Jusufit, do pikasja forcën, saktësinë dhe bukurinë e veçantë të përkthimit të tij. 

Ja një episod tjetër i atyre viteve, përsëri aq domethënës (dhe episode të tilla do thoja, kam plot, që do t’ia vlente një ditë t’i hidhja në letër). Kërkohej nga lart, aty nga mesi i viteve tetëdhjetë, një listë shprehjesh të vështira në shqip për çdo botim, për të ditur se si ishin përkthyer ato në gjuhë të huaj, e në radhë të parë në frëngjisht. Ishin shprehje të tipit “bëj be e rrufe” (jurer les grands dieux), “nxis urat” (jeter de l’huile au feu), “t’i rikthehet copa në diell”” (regagner sa place au soleil), “mbërritën si kofini pas të vjelave” (ils arrivèrent comme la moutarde après le dîner), e plot të tilla, që për fat të mirë i kam ruajtur. Dhe ja ku shfaqet në shqip, si shprehje e vështirë për përkthim, shprehja “të shtrëngojmë rripin”. Dhe Mjeshtër Vrioni që e përkthen bukur: serrer la ceinture d’un cran (të shtrëngojmë rripin një vrimë). Po pyetja drejtpërdrejt nga lart në margjinaturë të fletës daktilografike ngulmonte: “përse një vrimë?” I sikletosur për të dhënë përgjigje, Profesori vjen e më takon në shtëpi (sa kënaqësi për time më kur e përshëndeste ëmbël: “mirëdita Zonjë!”, ndërkohë që fjala “Zonjë” ishte zhvlerësuar krejt në thelbin e vet të fisnikërisë). Dhe më “qahet”: “Fotaq, të lutem, një a dy vrima, zgjidhe këtë muhabet ti vetë, po unë kam dashur të japë idenë e sakrificës, se të shtrëngosh rripin gjer në fund të barkut është si të bësh hara-kiri.” Ia ktheva me buzëqeshje, ëmbëlsi e mirëkuptim, e qetësova tek folëm gjatë në dhomën time modeste që ai e pëlqente, ku mbisundonte një bibliotekë faqe muri me serinë e librave klasikë të Garnier Flammarion. E sigurova plotësisht se do bëhej siç e kishte përkthyer ai. Dhe ashtu ndodhi: profesori im i dashur u çlirua edhe nga ai siklet!…  

Vihej re përgjithësisht një dallim midis intelektualëve shqiptarë të formuar në Perëndim para çlirimit dhe atyre të formuar në ish Bashkimin Sovietik, dallim që e kanë pasqyruar në librin e tyre 57, Boulevard Stalin, Paris, 1990 edhe çifti i pedagogëve frëngj në Shqipëri  në atë kohë Elisabeth e Jean Pierre Champseix: intelektualët e grupit të parë shfaqeshin më sportivë, më elegantë në trup, më “bons viveurs”. (Ja ku po ndesh këtu në vështirësi përkthimi shqip. Jo, kjo shprehje nuk është thjesht në kuptimin “qejflinj”, siç e jep Prof.Vedati në Fjalor, me njëfarë konotacioni negativ që e ka vetë shqipja; një “bon viveur” a një “bon vivant” (le të kujtojmë që nuk ka sinonimi absolute!) është përherë një njeri me humor të gëzueshëm, që shijon kënaqësitë e jetës, pa shpërdorime, është pra një njeri i dashuruar pas vetë artit të të jetuarit – pikërisht kjo që na ka munguar historikisht.)

Pra, në atë grup intelektualësh të shquar, nga të parët që kanë bërë me biçikletë itinerarin Tiranë-Durrës (plazh) gjatë sezonit të verës kanë qenë Petro Zheji, Sherif Delvina, Dhimitri Pilika, vëllezërit Kokona, Jusuf Vrioni, Riko Konica, Zafer Vila, etj. Shpirti i tyre sportiv shfaqej në tërë format dhe natyra (det, mal, pyje, rërë, liqen, diell) mbetej burim i pashtershëm për energji jetësore. 

Dhe ja ku aty nga fundi i viteve 70, Jusufi më kërkon një ditë qershori, me shumë drojë, në mund të flija netëve në shtëpinë e tij për nja dy javë gjatë verës, si për t’i  ruajtur shtëpinë, kur vetë do shkonte familjarisht në plazh të Durrësit. Pa e vrarë shumë mendjen dhe nisur nga adhurimi që kisha për të, i premtova, dhe ashtu bëra: fjeta në shtëpinë e Profesorit dhe mbrëmjet e gjata i kaloja në kabinetin e tij të vogël të punës, ulur në tryezën e punës të Mjeshtrit, duke shfletuar libra nga etazheri i tij i vogël me pesë rafte, e sidomos fjalorë të vyer që ndodheshin të rreshtuar në të. Më është ngulur në mendje që nga ajo kohë një fjalor analogjik i trashë, një fjalor i vështirësive gramatikore, një manual për pastërtinë e gjuhës frënge (me përshtatje të foljes dhe emrit), libra këto të vjetër, ashtu sikurse edhe ca vizatime në format të vogël, me fletë të zverdhura nga koha e me korniza të holla metalike varur në murin e sallonit të pritjes mbi një tryezë të madhe që, vërtet ishin antikuare, por flisnin për luks të dikurshëm dhe për dhuratë të vyer. Dhe një ditë prej ditësh, kur unë “bëja roje” në shtëpinë e vogël dykatëshe të prof. Vrionit, venë e i thonë tim eti, duke i fryrë gjërat, se “yt bir shkon në shtëpinë e filanit, se kështu e ashtu”, për ta tmerruar. I qetë, im atë jep përgjigjen: “Po mirë, ai bën punë të nderuar, e dini ju?” Dhe andralla, për fat të mirë, u mbyll me aq. 

Flet me hollësi Profesori te libri i tij Kujtimet e një Europiani për atë ditë gushti 1984 kur në moshën 68 vjeçare i ra infarkt në plazh në 30° C (u fol se kishte luajtur volejboll me një grup të rinjsh dhe se, më pas, kish bërë me not pash 100 metrat e tij të përditshme.) Vetë Jusufi e përshkruan me detaje dhe gjithë dramaticitet atë shuarje graduale të pulsit dhe atë “ikje” të mjegullt lehtake, si një “ngritje” e ngadaltë në ajër e trupit të tij, me atë pëshpëritje e lutje të fundit në buzë: “më lini, mos më ngacmoni, më lini të ikë kështu”, apo siç shprehet ai vetë mrekullisht bukur në libër: “më lini t’i bëj reverencën e fundit kësaj jete”. 

Edhe sot e kësaj dite, Sherif Delvina, miku dhe adhuruesi im, më kujton herë-herë, me atë të folur të tij elegante e të gjallë prej poeti, se si ia kishte përshkruar skenën e infarktit vetë Jusufi në shtratin e reanimacionit, ku nuk mbeti shok e mik pa i vajtur në spital. “Isha – kujton Sherifi fjalët e Jusufit -, si në një ëndërr të bukur. Ah! Ajo re e trëndafiltë që po më merrte me vete, po më çonte përpjetë, aq ëmbël, puhizë e vërtetë qiellore. Sa e desha, sa e kërkoja një ëmbëlsi të tillë, një fund të tillë, një shpërblim të tillë, pa pikë vuajtje!”…

Por flet me adhurim Profesori te libri i tij jetëshkrimor edhe për dy miqtë e tij të dashur të punës: lopata, në vitet e prangosjes së lirisë së tij dhe makina e shkrimit Triumf, me të cilën triumfoi betejave të vështira të përkthimit. Dhe më kujtohet fare mirë ajo ditë kur mbollëm pemë kolektivisht në kopshtin e vogël para godinës së Shtëpisë Botuese: ca shkurraje gjelbrane si gardh përgjatë trotuarit dhe disa ligustra me trung të brishtë e të shtrembër, përkrah dy pishave të larta të hershme, njëra prej të cilave ekziston edhe sot e kësaj dite. Admirova atë ditë mënyrën si e manipulonte mjeshtërisht lopatën Jusufi, tek e mbushte me dhé pa sforcim, me një ritmikë të rregullt, dhe tek kalonte lehtë majën e gjuhës në buzën e poshtme, si për ta njomur, tepër i përqendruar e serioz, si t’i jepte jetë pemës nga vetvetja, nga djersa e tij. 

Sot, pas kaq vjetësh, sa herë që më bie rruga të kaloj nga ish Shtëpitë Botuese, nuk përmbahem pa u ndalur një hop me admirim përpara të vetmes ligustër që ka mbetur aty, pa kaluar dorën përgjatë trungut të saj dhe pishës së lartë, tek i përkëdhel lehtë si për të përshëndetur tërë atë plejadë përkthyesish, redaktorësh, korrektorësh, tërë atë kolektiv që gjallonte e gumëzhinte në atë godinë për vite të tëra, me ato mbrëmje vallëzimi “Te Xhaja” dhe fytyra të qeshura që më janë skalitur në mendje. Pikërisht, në një nga ato mbrëmje, më 1981, me rastin e 65 vjetorit të lindjes së tij, pata fatin dhe nderin t’i vendosja në gjoks Mjeshtrit një dekoratë (Urdhërin Naim Frashëri) dhe duart po më dridheshin nga emocionet. Nuk po arrija dot të mbërtheja nga pas telin e sertë me majë të dekoratës, dhe një çast u shpova në gisht. Tek pa pikëzën e gjakut në gishtin tim, i emocionuar sa dhe unë, Jusufi më pëshpëriti në vesh, me një buzëqeshje të ëmbël, nga ato që shkëmbenim shpesh me shumë domethënie: “U la me gjak edhe kjo punë, mon cher”. 

Vite më vonë, me ardhjen e demokracisë, u takova me Jusufin kur drejtonte Komitetin shqiptar të Helsinkit për të drejtat e njeriut. U interesua me se merresha, më këshilloi të mos hiqja dorë nga përkthimi, duke më përmendur përvojën e fituar. Më pas, do takoheshim në Pallatin e Europës në Strasburg në maj 1998, do admironim bashkërisht statujën e Poseidonit në lëndinën përpara Këshillit të Europës, ku më shpjegoi gjithë finesë të pazakontë se “statuja origjinale me siguri duhet të ketë pasur edhe heshtën tredhëmbore, përderisa dora e djathtë e statujës është mbledhur rrumbullak, si të mbajë diçka, dhe kur krejt pozicioni i saj është ai i një heshtari”. Shëtitëm krah për krah të lidhur, nën një diell të rrallë pranveror alzasian, ku vozisnin në ajër një çiflt lejlekësh të Parkut të Oranzhërisë dhe ndjehesha i lumtur, fatlum që vazhdoja të kisha përkrah Mjeshtër Jusufin. 

Ruaj nga ai takim, si kujtim të çmuar, një fotografi me të në holin qendror të Këshillit të Europës, ku në mes kemi vënë Meritën, time shoqe. Por kujtimin më të vyer nga Profesori kam pikërisht librin e tij me autograf, ku më përshëndet Frater – Paternellement (Vllazërisht e Atërisht) atë nëntor 1998.

Vite më pas (2007), i kushtova Mjeshtrit antologjinë time Pena të arta franceze për shqiptarët, me rreth 150 autorë, duke e mbyllur vëllimin me kapitullin “Shkrime rreth jetës dhe veprës së Jsuf Vrionit” nga miqtë e tij francezë, Eric Faye, Jacques Lang, Marc Semo, Vincent Hugeux, Alain Salles, Yves Mabin, etj. Dhe, ashtu si në vëllim, po e mbyll edhe këtë shkrim për Mjeshtrin dhe Profesorin e nderuar me përshëndetjen tonë, të përditshme e të përhershme: “Bonjour Jusuf”. 

*(botuar në librin “Përkthimi një histori pasioni”, nga prof. Eshref Ymeri)

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, Jusuf Vrioni

Jusuf Vrioni, Adoleshenti i përjetshëm

March 16, 2016 by dgreca

Sot njëqindvjetori i lindjes/ Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi/

Nga Klara Buda/

Sot mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin ta njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!

Është e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar marrëdhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bënte atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shembullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes: “Mondes effacés”, botë të fshira, si me gomë, shqipëruar “Botë të harruara”.

Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqësuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht: akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.

Më 13 shtator 1947, arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpunëtor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do t’i vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalimin pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koci Xoxes. Ja si shkruan revista franceze “Ekspress”, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në Francë: “Pas diplomimit në HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris, Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me klanin Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. Më 29 qershor 1950, Vrioni dënohet me 15 vite burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të anëtarit të ekipit kampion të Francës në hockey mbi akull”.

Në këto kujtime, ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura, por një kujtim të nënës së tij: “Një herë shqova nga larg një grua plakë të kërrusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë…Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmerrshëm i jetës sime!”

Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte që kuptoi se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos ekzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze, do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallëkush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.

Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së ekzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ridënuan dhe u riburgosën, duke u asgjësuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.

Në personin e tij vetëm, Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të procesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bënte këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hedhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk mori asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar. Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85-vjeçare.

Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”

E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”.

E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga precizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se: ” … jo, ndjeshmëria e germave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet…” Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.

Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994, përmes çmimit prestigjioz “Halperin Kaminski”, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të mëdhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.

Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

Ai u nda nga jeta në Paris, më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë te të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e francezë me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”. Miku i tij, shkrimtari Claude Arnaud, për mënyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: adoleshenti i përjetshëm. Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit, kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik, të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqësoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës shpresoj do ta nderojnë atë në këtë përvjetor të vdekjes, për kontributin e tij në shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë!(Shqip)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Adoleshenti i përjetshëm, Jusuf Vrioni, Klara Buda

Ikona e artit të përkthimit

March 16, 2016 by dgreca

Në nderim të kujtimit të Jusuf Vrionit/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Sinsinati, Ohajo/

  Sot, më 16 mars 2016, është 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit, i një figure emblematike të artit të përkthimit në Shqipëri, i një intelektuali erudit të nivelit evropian, i cili zë një vend nderi në panteonin e personaliteteve të shquara të kombit shqiptar.

Në librin tim me titull “Përkthimi, një histori pasioni”, të cilin Shtëpia Botuese “Omsca-1”, me titullar zotërinë e nderuar Luan Pengili, e nxori nga shtypi më 02 tetor 2015, pjesën e dytë ia kam kushtuar përkthimit të letërsisë politike në gjuhë të huaja. Këtë pjesë e kam titulluar “Universiteti i përkthimit në gjuhë të huaja”. Aty kam përshkruar punën me profesionalizëm të lartë që ka përballuar Redaksia e përkthimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë Botuese “8 nëntori” gjatë një periudhe gati 20-vjeçare, deri në vendosjen e sistemit pluralist në vendin tonë.

Në mënyrë që në këtë pjesë të librit të pasqyrohej sa më afër realitetit kontributi i përkthyesve dhe i redaktorëve, disa ish-kolegëve të mi te Redaksisë, iu drejtova me kërkesën për të më dhënë mbresat e tyre për atë punë të jashtëzakonshme që na është dashur të përballojmë në afate shumë të ngjeshura në tetë gjuhë të huaja. Nga sektori i frëngjishtes, më dërguan mbresa fort interesante dy përkthyes mjaft të talentuar, profesori Edmond Tupja dhe përkthyesi dhe studiuesi i njohur Fotaq Andrea, për çka u jam shumë mirënjohës. Që të dy këta përkthyes me emër, në mbresat e tyre ndaleshin posaçërisht në përshkrimin e artit të përkthimit të Jusuf Vrionit. Ato mbresa përbëjnë një homazh të shkëlqyer në nderim të këtij mjeshtri të rrallë të përkthimit.

Mbresat e studiuesit Fotaq Andrea pata kënaqësinë t’i rilexoj në faqen e internetit të gazetës Shqiptarja.comtë datave 13 dhe 15 mars 2016. Këtu dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të thellë Redaksisë së gazetës “Shqiptarja.com”, e cila veprën time të lartpërmendur e vlerëson si “një libër me vlera enciklopedike, një monument i artit të përkthimit”.

       Me këtë rast, dëshiroj të ndaj me lexuesit e nderuar ca kujtime të mia nga koha kur isha koleg më Jusuf Vrionin, me këtë ikonë të artit të përkthimit, kujtime këto që i kam përfshirë edhe në librin tim.

Për sektorin e frëngjishtes ishte një fat i jashtëzakonshëm që kishte në radhët e veta Jusuf Vrionin, një personalitet i shquar i kulturës kombëtare. Si një figurë e mirënjohur në radhët e elitës intelektuale evropiane, duke rënë pre e xhelozisë çmendurake të Enver Hoxhës, i cili kurrë nuk qe i aftë të pajisej me kulturë universitare, Jusuf Vrioni u torturua më shumë se një vit në qelitë e diktaturës komuniste, pa as më të voglin faj, dhe mandej u dënua me burg, prej nga doli në vitin 1958. Ishte një krim i rëndë që diktatura enveriane kreu kundër këtij intelektuali erudit që ishte diplomuar për shkenca ekonomike dhe politike në Paris, ku kishte jetuar për shumë vite me radhë.

Për përkthyesit e sektorit të frëngjishtes, Jusuf Vrioni ishte një enciklopedi e vërtetë. Ai ka shërbyer për ta si një shkollë kualifikimi me vlera të jashtëzakonshme.

Kujtova shtatorin e vitit 1978, kur unë, si bashkëpunëtor i jashtëm, fillova të njihesha për herë të parë më nga afër me kolektivin e Redaksisë. Pikërisht asokohe u njoha me Jusuf Vrionin. Por njohja jonë u bë edhe më e afërt pas muajit mars të vitit 1979, kur, siç e kam përmendur në libër, u emërova përkthyes aty dhe më pas përgjegjës i Redaksisë. Njohja jonë vazhdoi deri në fund të dhjetorit të vitit 1991, kur u riktheva në Universitet. Ishin vitet e kristalizimit të një universiteti të vërtetë përkthimi. Dhe kryeprofesori i atij universiteti ishte Jusuf Vrioni. Prandaj jo më kot të gjithë përkthyesit e kishin Jusufin si Yllin e Karvanit.

Për përkthimin e fjalive apo edhe të paragrafëve të sikletshme, kur ishte bukur e vështirë të zbulohej qartazi nënteksti politik i idesë së autorit, përkthyesit, jo vetëm të rinjtë, por edhe ata më me përvojë, merrnin si pikë orientimi variantin e përkthimit të Jusuf Vrionit.

I jashtëzakonshëm është kontributi i Jusuf Vrionit në përkthimin e veprave të Kadaresë. Shkrimtari i njohur Visar Zhiti thotë:

“Do të ishte Jusuf Vrioni që do të punonte i paemër dhe si rob në diktaturë në përkthimin e veprës së tij në frëngjishte, ku pas asaj gjuhe do ta merrnin dhe gjuhë të tjera dhe Kadarea do të njihej si një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit XX në botë. Dhe Jusuf Vrioni, ashtu si ish-të gjithë të burgosurit politikë, mbetet i padëmshpërblyeri” (Citohet sipas: Visar Zhiti. Debati Jorgaqi Kadare? Në diktaturë nuk kishte disidencë”. Marrë nga faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 29 korrik 2014).

I pajisur me një kulturë të gjerë, enciklopedike, Jusuf Vrioni mund të konsiderohej denjësisht si patriark i letrave shqipe. Për të mund të shkruash dhe të flasësh pambarimisht. Por këtu dëshiroj të ndalem në dy tipare themelore të karakterit të tij të admirueshëm që e nxirrnin në pah si një intelektual të shquar.

Së pari, thjeshtësia. Të befasonte kultura e tij e jashtëzakonshme në shumë fusha të dijes, por të linte pa mend thjeshtësia e tij proverbiale në komunikimin me të tjerët. Ishte një privilegj përjashtimor i formimit të tij intelektual aftësia e rrallë për të zbritur aq natyrshëm nga maja e Olimpit të dijeve dhe për t’u shfaqur para çdokujt si një bashkëbisedues i barabartë, pa folur kurrë për vetveten. Për thjeshtësinë e njerëzve të shquar, Tomas Mani(Paul Thomas Mann – 1875-1955) thotë:

“Thjeshtësia e njerëzve të shquar, e cila shpesh na duket befasuese, në shumë aspekte shpjegohet pikërisht me faktin se ata, si rregull, pak gjëra dinë për veten e vet, rrallë herë mendojnë për “un”-in e vet dhe me të drejtë e ndiejnë veten njerëz të zakonshëm”.

Së dyti, fryma kombëtare e formimit të tij intelektual. I shkolluar në Perëndim për një kohë të gjatë, i pajisur me disa diploma, i doktoruar në drejtësi, Jusuf Vrioni kishte përvetësuar si rrallëkush shkencën e dashurisë për atdheun e vet. Në personin e tij ndërthurej përsosmërisht vizioni shumëpërmasor i intelektualit me kulturë të gjerë, me dashurinë për gjithçka kombëtare. Rrallë mund të hasësh intelektualë të nivelit të Jusuf Vrionit, tek të cilët kultura perëndimore të ketë ngulitur tërthorazi aq mrekullisht ndjenjën e një dashurie të pamatë për kombin shqiptar dhe për trashëgiminë e tij kulturore.

Prej Jusuf Vrionit duhet të mësojnë shumë të gjithë ata intelektualë, të cilët, duke u ngritur kundër nacionalizmit shqiptar, mendojnë se do të parapëlqehen nga Perëndimi. Aq më tepër duhet të mësojnë prej Jusuf Vrionit ata politikanë shqiptarë, të cilët ushqejnë shpresa se me frymën e tyre të antinacionalizmit, do të jenë të mirëpritur në Perëndim. Në të vërtetë, të dyja palët, në heshtje, janë objekt humori dhe qesënditjeje në Perëndim. Këta intelektualë dhe politikanë duhet të kenë parasysh fjalët e Dostojevskit, i cili ka thënë:

“Sa më shumë nacionalë të jemi, aq më shumë evropianë do të bëhemi”.

Ishte pikërisht ai formim i përkryer intelektual me një frymë të theksuar kombëtare i Jusuf Vrionit që i linte aq shumë mbresa Suzana Anjelit(Susanna Agnelli – 1922-2009), personalitet i kulturës dhe i politikës italiane, ish-ministre e punëve të jashme, e cila i pati thënë një ish-kryediplomatit tonë pas vitit 1991:

“Ta kishit ambasador te ne, do të ishte nder për Italinë”.

Jusuf Vrioni u largua për në botën e përtejme në vitin 2001, por ai la pas trashëgimtarë të denjë në fushën e përkthimtarisë, të cilët ditën ta përvetësojnë mjeshtërisht artin e përkthimit që e mësuan në “universitetin jusufian” që funksionoi për gati dy dekata nëRedaksinë e përkthimeve në gjuhë të huajapranë Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”. Profesori i frëngjishtes Edmond Tupja që doli nga “bankat e atij universiteti”, sot është përkthyes i 45 veprave artistike nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht, është leksikograf dhe publicist i talentuar, është autor i rubrikëssë përjavshme “Kundër rrymës”të çdo numri të së dielës të gazetës “Panorama”,një rubrikë kjo me emër në fushën e publicistikës humoristike shqiptare.

Studiuesi Fotaq Andrea, gjithashtu, po aq mjeshtërisht kaloi nëpër “kudhrën e universitetit jusufian”, çka e dëshmoi me aftësitë e tij si përkthyes i talentuar gjatë viteve që punoi në Redaksi dhe më vonë. Ai sot shquhet si një përkthyes dhe hulumtues i mirënjohur në shërbim të kulturës kombëtare. Përveç pëkthimit të disa veprave nga frëngjishtja, ai ka rënë në sy të lexuesit shqiptar për veprën me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët”, që doli nga shtypi në vitin 2007.Kjo është një vepër madhore me një vëllim prej mbi 700 faqe dhe përbën një kontribut të jashtëzakonshëm për pasurimin e kulturës sonë kombëtare me mendimin filozofik të shumë figurave të shquara franceze për shqiptarët. Shumë i çmuar është kontributi i studiuesit Fotaq Andrea edhe në hulumtimin e veprës së Faik Konicës. Këtu bie në sy puna e tij e zellshme në zbulimin e dy romaneve të panjohura më parë të këtij personaliteti të kulturës dhe të diplomacisë shqiptare, romane këto, të cilat, në muajt e ardhshëm, do të vihen në dorën e lexuesve.

Sinsinati, Ohajo

16 mars 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ikona e artit, Jusuf Vrioni, Prof. dr. eshref Ymeri, të përkthimit

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT