(Viti 1467: Sulltan Murati II, do të shprehej: Kush do të më ndalojë t’i shfaros të krishterët shqiptarë?Ata kanë humbur shpatën dhe mburojën (Gjergj Kastriotin) e tyre)/
Nga Klajd Kapinova/ Në qytetin e lashtë të Shkodrës, prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës së Bekuar, e cila ndodhet edhe sot në Gjenacan të Italisë.
Historia e saj, është vetë historia e katoliçizmit ndër shqiptarë, i cili, me vdekjen e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit.
Gjatë gjashtë shekujve të robërisë të kohës së barbarisë dhe persekutimit sistematik të shqiptarëve katolik të Shkodrës nga Perandoria Islame Osmane, një pjesë e madhe e banorëve autokton, në saj të dhunës me motive të pastra fetare do të detyrohej të ndërronte fe, kurse një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mundimshme të mërgimit, në dheun latin e gjetkë.
Ndër kohë vetëm një pakicë e popullsisë autoktone të krishterë shqiptare, do të mbetej besnike, duke vuajtur kalvarin e mundimshëm për shekuj e shekuj me radhë.
Shqiptarët emigruan kryesisht në Itali. Valët më të fuqishme të emigracionit gjatë kësaj periudhe për arsye politike dhe gjenocidi osman islamik ishin në fund të shek. XIV, 1415 1417 gjatë pushtimit të disa kështjellave të viseve bregdetare, me 1466 1467 gjatë Rrethimit të II dhe III të Krujës, pas vdekjes së kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit (1468), pas rënies së Krujës, të Shkodrës (1478-1479) etj.
Rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe xhihadiste islame e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, Figurja e Zojës së Shkodrës, u shkëput nga muri i Shenjtorës rrëzë kështjellës Rozafa, për të mos u dhunuar nga hordhitë islame anadollake.
Zoja e bekuar e qytetit e mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna – u ndalua në Gjenacan, afër Romës në Itali.
Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Ata sapo arritën në Romë, figurja në fjalë u zhduk nga sytë e tyre.
Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta.
Në histori kjo ka mbetur e shënuar si data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.
Kjo figurë, nderohej në kishën dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa më e vjetra në Shqipëri, e cila në këmbët e saj prej shekujve ka pritur per me qindra dhe mijëra besimtarë të krishterë dhe të besimeve të tjera.
Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura komuniste ateiste enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
Kjo figurë murale e Zojës së Shkodrës e quajtur ndryshe si Drita e Shqypmiis, u zhvendos mrekullisht nga kisha bri kalasë së Shkodrës për në Gjenacano në vitin 1467. Për fat të mirë, Ajo u shpall figurë mrekullibërëse nga Papa Pali II (1464-1471), duke u vlerësuar si një ngjarje me përmasa botërore.
Historia e figurës së Zojës së Bekuar, rikthen si kujtesë lashtësinë e Arbërisë, dhe në veçanti në qytetin antik të Shkodrës, e cili me Dioklenë, ishin qytete të rëndësishme ilire, të cilat luanin një rol shumë të madh në rrafshin gjeopolitik, të zhvillimit kulturor e pagëzimor në kohën romake.
Historikisht dihet se Shkodra, ishte një nyje e lidhjeve në mes Lindjes dhe Perëndimit, si vijimësi e rëndësishme në periudhën veneciane.
Prifti franceskan Barleti, ndër të tjera shkruan, se në qyteti dhe përreth e qark, që më parë kanë funksionuar kishat në kala: Kisha katedrale e shën Shtjefnit, e shën Nikollës, e shën Gjergjit përreth kalasë, shën Aponalit, shën Teodorit, shêjtes Krygjë, shën Pjetrit e shën Palit dhe shën Vlashit.
Pikërisht, përhapja e rregulltarëve në Mesjetë në këtë zonë, si: Bendediktinët, Dominikanët, Françeskanët, Karmelitanet etj., tërhiqte me vete, pos të tjerave, nderimin e madh që kishin ndaj Nënës së Krishtit, të lumes Mari, e cila në krishterim ka një rol tejet të rëndësishëm, sikurse perëndesha Vesta që kishte për Pellazgët e më vonë për Ilirët pagane, shkruan ndër të tjera studiuesi bashkohorë dr. dom Nikë Ukgjini.
Arbëria u pushtua nga Perandoria Osmane në vitin 1434. Në krye të ekspeditave të përgjakshme kundër arbërorëve ishte venë vetë fanatiku islamik sulltan Murati II. Qëllimi i Perandorisë ishte nënshtrimi i vendeve të krishtera të Ballkanit dhe islamizimi i domosdoshëm tyre përmes shpatës, masakrave dhe kuranit.
Ngjarjet që kanë lidhje me zhvendosjen e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë për në Gjenecano, ishte fushata e egër xhihadiste islamizuese e asimiluese e ndërmarrë në Arbërinë e Mesme dhe Veriore nga sulltan Mehmeti II, në vitin 1466-1467.
Duke dëgjuar për sëmundjen e Gjergj Kastriotit, në fillim të vitit 1467, sulltan Murati do të shprehej: “Kush do të më ndalojë t’i shfaros të krishterët shqiptarë? Ata kanë humbur shpatën dhe mburojën e tyre.”
Kërcënimet e sulltanit pasuan ngjarjet e pranverës të vitit 1467, si: Rrethimi i Dytë i Krujës, Lezhës, Drishtit, Shkodrës dhe pushtimi i Danjës.
Me këto djegie, perdhunime, barbarizma, tortura e vrasje kolektive të shqiptarëve nga Mehmeti II, populli ynë ishte trullosur dhe u mendua së mbërriti dita e gjykimit të Hyjit, ku e gjithë Shqipëria do të përfshihej në shfarosje.
Hakmarrja turke i bëri arbërorët, që të parashikonin jo vetëm humbjen e menjëhershme të pasurive, konvertimin me dhunë gjak, dhe kuran, por edhe shtypjen më brutale, shfarosjen e plotë të shumë qyteteve e fshatrave, shfarosjen e besimit dhe të qytetërimit.
Duke mos parë asnjë rreze shprese nga këta njerëz, populli iu drejtua qiellit: mbushte tempujt e shenjtë, shumëfishonte lutjet publike, mbante kreshmë të rreptë dhe i lartësonte Hyjit premtime të çdo lloji, që ta ndalte fatkeqësinë e zemërimit të tij.
Mes këtyre mërgimtarëve dalloheshin për mëshirën e tyre dy vëllezër katolikë, të pikëlluar thellë për fatet e ardhshme të atdheut të tyre.
Njëri prej tyre ishte familja De Sklavis, dhe shqiptari tjetër, me mbiemër Gjergji. Nëse i referohemi aspektit teologjik, afresku i Zojës në mënyrë të mrekullueshme ishte shkëputur nga muri, duke u paraprirë dy rojeve, Gjergjit dhe Sklavis, kishte kaluar detin e Adriatikut dhe kishte zënë vend afër Romës në Gjenacano, më 25 prill, 1467.
Zëri i një shfaqjeje të mrekullueshme të Virgjëreshës në Gjenacano vjen deri në Romë, dhe papa Pali II, në vitin 1467, ngriti një komision, i cili në bazë të studimeve të kryera, shprehet se, Figura e Zojës është mrekullibërëse.
Këtë figurë, si të tillë, e kanë konsideruar edhe papë të tjerë në vazhdim: Siksto IV, 1475; Urbani VIII, 1630; Benedikti XIV, 1753; Pio IX, 1854; Leoni XIII 1883; Gjoni XXII 1959; e deri tek papa Gjon Pali i II, më 25 prill 1993, me rastin e ardhje së tij në Shqipëri.
Pas ikjes së saj, kohë të errëta mbërritën dhe banorët mjerimin që i pushtoi pas shpërnguljes së Zojës së Shkodrës, do e përjetësonin në vargje, “Qysh at ditë që na u largove, t’tana t’zezat na kan ra”.
550 vite më parë, afresku i Zojës së Shkodrës u shpërngul nga qyteti që po binte nën pushtimin xhihadist islam osman dhe u vendos në Genacano pranë Romës, në një kishë të etërve agostinianë.
Në 550 vite, legjendat për të, mrekullitë e saj e kanë rrethuar Figurën e Zojës me një vel mistik dhe i kanë shtuar asaj më shumë misterin. Në shekuj, besimtarë të shumtë kanë bërë pelegrinazhe.
Megjithatë, gjithçka nisi një ditë prilli të vitit 1467, në kishën rrëzë kodrës, ku ngrihet ende sot shtatlartë kështjella Rozafa. Mbi atë imazh që iku në kohë rrebeshi, në shekuj me radhë janë krijuar riprodhime të figurës së Zojës së Shkodrës.
Ndërsa Këshilli i IV i Peshkopëve Shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës si Pajtore të Shqipërisë.
Pas më shumë se 600 vjetëve, studimet që i janë bërë në Romë kanë treguar se Figura ose Fugurja e Zojës (në të folmen e Shkodrës) është më e madhe se ç’dihej në përmasa. Imazhi i plotë i afreskut u zbulua nga studiuesit bashkëkohrë, gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare kushtuar Asaj, në Tiranë në vitin 2018.
Historia e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë, është një histori mes legjendës së mrekullisë dhe historisë së përshpirtërisë. Shpërnguljes së Zojës së Këshillit të Mirë, është një histori sa fatkeqe aq edhe frymëzuese, sa e ngjashme me historinë kombëtare aq edhe e veçantë, sa është legjendë aq është edhe historike.
Duke u mbështetur në legjendën, që është transmetuar brfez mbas brezi dhe sipas një tradite të shenjtë, ajo u largua nga kisha që e strehonte, duke shpëtuar kështu për mrekulli nga pushtimi turk i vitit 1467.
Në vitin 1467, fillon pushtimi i Shqipërisë, nga fuqita e Perandorisë Osmane. Kjo përkon me vdekjen apo kalimin në amshim të Atletit të Krishtit, siç është quajtur kampioni i mrekullueshëm i krishtërimit të kohës së tij, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti.
Të krishterët ikën gjithnjë e më në very mes malëve dhe jashtë vendit të shqiponjave, për t’i bërë ballë pushtimit osman. Në këtë situatë të vështirë për popullin shqiptar, piktura e Zojës së Shkodrës, u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit, mbi detin Adriatik, për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.
Pelegrinazhet në Genazzano u bënë të shpeshta, sa që Papa Pali II dërgoi atje dy ipeshkvij që të merrnin një informacion mbi situatën, siç rezulton nga një biografi e shkruar në vitin 1478 pranë Arkivit të Vatikanit.
Në vitin e “ardhjes” së Zojës, siç e përshkruajnë gjenacanasit faktin, u redaktua nga një noter “kodi i mrekullive”, që përshkruan 161 mrekulli të ndodhura në kapele në periudhën 25 prill deri më 14 gusht të vitit 1467, vlerëson studiuesi dr. dom Nikë Ukgjini.
Figurja e Zojës, është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar pa flokë.
Thuhet se është pikturuar kështu, mbasi në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri.
Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi.
Duke marrë parasysh se Zoja e Këshillit të Mirë, e njohur si Zoja e Shkodrës, është edhe Pajtorja e Shqiptarëve, Misioni Katolik në Luzern të Zvicrës dhe kisha katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York, vendosën që ta zgjedhin si Pajtore të veten, duke i kushtuar të gjitha familjet nën mbrojtjen e Saj.
Në këtë aspekt, kisha e jonë në New York, me në krye Të Përndershmin dom Pjetër Popaj dhe ndihmësin e tij dom Viktor Deda, falë edhe bashkëpunimit të mirë me besimtarët, vazhdon të jetë oazë pranë së cilës ata organizohen në aktivitete fetare e kulturore, duke shuar sado pak etjen dhe mallin për vendlindje, mbi të gjitha duke ushqyer jetën shpirtërore në gjuhën e vet amtare.
Kuvendi i III i Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës.
Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua Atit të Shenjtë, Papës Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe me 26 prilli u shpall si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së Pavarësisë prej zgjedhës turke (28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodrës i Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin gërmadhat e shenjtërores së lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës XIX austriake, Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik 1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Pastaj më 31 korrik u bekua guri i parë.
Në vitin 1944 erdhën kohë të errëta për kishën dhe kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist ateist, u sul me furi kundër gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri.
Me kthimin e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe e dendur për të rindërtuar gjithçka që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës.
Figura e Zojës së Shkodrës në New York
Festa e “Zojës së Shkodrës” ose e njohur si “Nana e Këshillit të Mirë”, mbledh cdo vit besimtarët bashkëatdhetarë në një mbrëmje festive të organizuar nga kisha katolike Zoja e Shkodrës, për të përkujtuar 27 prillin si Dita e Pajtores së famullisë të kishës katolike me të njëjtin emër në Hartsdale New York.
Qendra Katolike Shqiptaro-Amerikane Zoja e Këshillit të Mirë, është themeluar nga i ndjeri mons. Zef Oroshi (1915-1989) më 1969 në Qendrën Katolike shqiptare shën Pjetri e Pali themeluar nga mons. Zef Oroshi dhe dom Lazër Shëldija.
Në vitin 1973, si rezultat i bashkimit të këtyre dy qendrave u formua ajo që sot quhet krenaria e të gjithë besimtarëve katolikë shqiptaro-amerikanë kisha e Zojës së Shkodrës në New York.
Qendra Katolike shqiptaro-amerikane “Zoja e Këshillit të Mirë”, është themeluar me formimin e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane me 16 qershor të vitit 1962, me nismëtarët e përkushtuar meshtarët shqiptarë dr. mons. Zef Oroshi dhe prof. dr. at Andrew Nargaj, të mbështetur nga një grup të vogël besimtarë katolikë shqiptarë të porsa ardhë nga kampet Italisë dhe Austrisë. Kurse Lidhja Katolike u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të Shën Qiricit në Manhattan New York. Ky tubim inkurajoi të gjithë besimtarët dhe barinjtë shpirtërorë që të fillojnë kishën e parë katolike shqiptare në ShBA dhe në përkujtim të Zojës së Shkodrës.
Që prej vitit 1973 tradicionalisht filloi të përkujtohet edhe festa e pajtores së famullisë Nana e Këshillit të Mirë ose Zoja e Shkodrës, e cila si një nënë e kujdeshme i ka mbrojtur e i ruan gjithnjë të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë në vendlindje dhe diasporë…
Që nga ajo kohë e deri më sot festa e shoqëruar me darkë të madhe, ka 30 vjet që festohet në New York nga të gjithë besimtarët katolikë të kishës shqiptaro-amerikane.
Ata vijnë nga shumë shtete të Amerikës për të gëzuar së bashku me ish-famullinë e parë të kishës shqiptaro-amerikane.
Figura e Zojës së Shkodrës, që është e realizuar në pikturë edhe në kupolën e kishës me të njëjtin emër, ka një histori të hershme.
Ajo ka qenë e vendosur në lterin e kishës në qytetin e vjetër të Shkodrës dhe nderohej me një devotshmëri të posaçme, sikurse një engjëll i gjallë.
Shtegtarët shkodranë po i luteshin Zojës së Shkodrës për ndërmjetësinë e Saj dhe se si figura në një mënyrë të mrekullueshme shkëputet nga muri i kishës së Shkodrës, duke kaluar brigje, kodra e lumenj dhe më pas detin Adriatik dhe u vendosën në Itali.
Që prej vitit 1467, kur iku nga Shkodra, figura origjinale e “Zojës së Shkodrës” sot pushon në Bazilikën e Gjenacanit disa kilometër afër Romës.
Në atë kohë ushtria pushtuese otomane e rrethoi kalanë “Rozafa” në Shkodër, ku figura gjendej.
Shqiptarët i bënë rezistencë ushtrisë otomane, por edhe përballë rezistencës qyteti ra nën sundimin e pushtuesve. Forcat turke praktikonin shkatërrimin e kishave dhe qytetërimin e populli të arbërit. Ata për dy javë e kthyen kishën kushtuar shën Shtjefnit protomartir në xhami, por që më vonë u rikthye besimtarëve të mëparshëm katolikë.
Sot gërmadhat e kishës gjenden në mënyrë fragmentare si rrënoja me disa faqe muri në kalanë 2400-vjeçare Rozafa. Qyteti zhvendoset nga kodra rreth kalasë në drejtim të zonës fushore, ku edhe vendoset popullsia e krishterë qytetëse.
Për qytetarët shkodranë dita e 7 prillit e vitit 1858 është një nga ditët që ka mbetur e gdhendur në kujtesën e historisë.
Vetë fjala aq e njohur në Kisha e Madhe siç e thërrasin ende sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të jenë të pranishëm sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme. Nga arkitektët italianë ndërtues, ishte menduar që Kisha të zënte mbi 7500 besimtarë…
Edhe pse u largua prej Shkodre prania e saj si nënë mbrojtëse ishte gjithnjë për të gjithë shqiptarët. Ajo i ruajti dhe ndihmoi popullin shqiptar gjatë shumë çasteve të vështira, që të mbajnë gjallë fenë e shenjtë katolike.
Termeti i vitit 1905 dhe bombardimi i qytetit më 1913, shkatërruan vetëm një pjesë të vogël të qytetit dhe objektet kishtare. Edhe gjatë regjimit të ashpër komunist është përdorur një barbarizëm i madh ndaj fesë dhe meshtarëve të popullit shqiptar.
Në pjesën ballor të kishës në lter ka qenë figura e Zojës së Shkodrës, e cila u ripikturua më 1958 nga një sërë piktorësh të njohur të qytetit të krishterë dhe muslimanë.
Më 1995 meshtari dom Ndoc Noga, me një grup piktorësh të rinj të talentuar si Jozef Martini, Zef Paci, Adrian Paci i rikthyen buzëqeshjen besimtarëve të devotshëm katolikë, kur ato ripikturuan “Zojën e Shkodrës” në kupolën e Kishës katedrale të shën Shtjefnit…
Në dekadën e fundit Zoja e Shkodrës e adhuruar nga të gjithë besimtarët katolikë kthei lirinë e besimit popullit tonë, ku u ngritën dhe u rihapën kishat e reja. Pas vizitës së Papa Gjon Pali II në kishën Zoja e Shkodrës në Shkodër
Të gjithë ata që kanë patur rastin të udhëtojnë për vizitën si turistë në hyrje të qytetit të Shkodrës, kanë verën re një kishë të re të ndërtuar më 1995. Kjo kishë është rrënuar me themel dhe lëndë plasëse nga sistemi ateist, duke zhdukur dhe vrarë me dhe pa gjyq një pjesë të madhe të klerikëve katolike që kanë shërbyer edhe në këtë kishë.
Skicë idea e ndërtimit të kishës për herë të parë është bërë nga poeti kombëtar at Gjergj Fishta (1870-1940), që është pjesë e 25 punimeve që ruhen në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol Shkodër.
Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë papa Gjon Pali II bekoi gurthemelin e ndërtimit të kishës së re si dhe shuguroi katër ipeshkjëvij të rinj të hierarkisë së re të kishës katolike pranë katedrales shën Shtjefni.
Papa solli dhe i dhuroi Katedrales së Madhe në Shkodër një kopje të figurës së Zojës së Shkodrës, që sot gjendet në Gjenacan afër Romës.
Si përputhje historike të përkushtimit shpirtëror edhe ipeshkëvijtë e shuguruar të ndjerët imzot Frano Illia, imzot Robert Ashta dhe Shkëlqësinë e Tij imzot Zef Simoni ipeshkëv ndihmës i arqipeshkëvisë metropolitane të Shkodrës dhe Shkëlqësinë e Tij imzot Rrok Mirdita arqipeshkëv në arqipershkëvinë Durrës-Tiranë (sot Tiranë-Durrës), kanë pasur figurën e Zojës së Shkodrës.