Nga Rafael Floqi-Michigan/
Udhëheqësit republikanë janë duke u akuzuar kohët e fundit për mbajtjen e disa takimeve sekrete, lëshimin e një memoje konfidenciale dhe bërjen e denoncimeve publike – për një qasje dhe shprehje të një gjendje paniku, mbi atë çka Donald Trump-i është duke bërë në partinë e tyre. Dhe është e mjaftueshme kjo, për të bërë, që disa të besojnë se zotit Trump, nuk i intereson në thelb fitorja e Partisë Republikane, pasi ai nuk është një republikan me zemër. Ndaj mundet, që Donald Trumpi, të jetë një agjent sekret i dyfishtë, i dërguar nga demokratët për të shkatërruar partinë Republikane nga brenda?
Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili e ka bartur barrën më të madhe të akuzave ndaj tij, më shumë se disa nga kandidatet e tjerë presidencialë republikanë, mendon se ka edhe një mundësi të tillë.
“Ndoshta Donaldi pat negociuar një marrëveshje me miken e tij Hillary Clinton,”, tweet-i zoti Bush, gjatë kësaj jave, pasi zoti Trump citoi një sondazh, që tregonte se mbështetësit e tij do të rrinin me të, edhe nëse ai do të largohej nga Partia Republikane, dhe se vazhdimi i tij këtë rrugë do ta çonte atë, sidoqoftë, në Shtëpinë e Bardhë.”
Miliarderi nga New York-u ka një histori luhatjesh politike. Të paktën, ai ishte fillimisht republikan, pastaj u kthye në një demokrat pro-abortit, dhe tani, është një deklarues i zjarrtë i frymës, konservatore populiste, kundër-emigracionit.
A mund të jetë kjo situatë përsëritja e fundit “brand-it” politik të zotit Trump? A mund të jetë kjo vetëm një dinakëri e mbuluar dhe përpunuar nga një sabotator liberal, i cili do t’ia lerë bombën në dorë partisë, duke kërcënuar unitetin e asaj partie, që ai u zotua se do ta mbështeste?
Ai i nënçmon kolegët e tij republikanë. Ai e ka tërhequr partinë drejt të djathtës nativiste, në konflikt të drejtpërdrejtë me qëllimin e përcaktuar nga strategët e GOP në vitin 2013, për të apeluar për një komb më të larmishëm etnikisht. Ai është duke ua marrë oksigjenin politik kandidatëve të tjerë, duke e bërë shumë të vështirë për ta, që të përcjellin mesazhet e tyre. Në fund të fundit, shumë ekspertë thonë se ai është duke e bërë shumë më të vështirë që një republikan t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme vjeshtën që vjen. Dhe, se ndoshta ai e bën atë me qëllim.
Kjo teori që po vlonte shumë kohë para akuzës së fundit të zotit Bush në Twitter.
“Nëse Donald Trump, është një urith demokrat i vendosur në Partinë Republikane, gjërat do të ndërpriteshin e ngatërroheshin disi dhe sjellja e tij do të ishte më ndryshe?” argumentonte komentuesi politik konservator, George Voluntair, në korrik. “Unë nuk mendoj se ai është i tillë.”
Por pak më shumë se një javë më vonë, kongresisti republikan, Carlos Curbelo nga Florida e quajti z. Trump “një kandidat fantazmë, i rekrutuar nga e majta për të krijuar vetëm një cirk politik.” Duke vënë në dukje atë çfarë ç’ka përbën themelin e teorive konspirative të Trump-it.
“Z. Trump ka një miqësi të ngushtë me Bill dhe Hillary Clinton,” tha ai. “Ata ishin të pranishëm në dasmën e tij të fundit. Ai ka kontribuar për mbështetjen e Klintonëve. Ai ka kontribuar në fushatat e Senatit për Klintonët. E gjitha kjo, është shumë e dyshimtë.”
Sigurisht Z. Trump ka kontribuar, gjithashtu, edhe për shumë republikanë. Atij i pëlqen të mburret duke thënë, madje, se ai ka “blerë” politikanët e të gjitha ngjyrave”. Dhe ftesa e dasmës e zotit Trump ishte një ftesë për të gjithë elitën e Nju Jorkut, pjesë e së cilës janë padyshim, Klintonët.
Por ka edhe shumë gjëra të tjera.
Është, e dyshimtë gjithashtu – për ata që janë të gatshëm të dyshojnë, të paktën – është “mister” një telefonatë e bërë në mes të z. Trump dhe Bill Klintonit, në maj, një muaj para se manjati i pronave të patundshme, të deklaronte pjesëmarrjen e tij në ringun presidencial.
Detajet e asaj telefonate janë mbajtur të fshehta, por kjo nuk i ka ndaluar konservatorët të spekulojnë se fara e një plani makiavelian mund të jetë hedhur qysh aso kohe.
Disa mendojnë se Hillary Clinton përfiton sa herë që Donald Trumpi thotë diçka të diskutueshme.
“Klinton inkurajoi përpjekjet Trump për të luajtur një rol më të madh në Partinë Republikane dhe i ofroi atij pikëpamjet e veta mbi peizazhit politik aty,” raportoi në atë kohë gazeta, Washington Post.
Komentatori konservator Brian Cates është më pak i kujdesshëm, kur thotë se:
“Trump nuk është hedhur në këtë garë për shkak të dashurisë së tij të thellë të qëndrueshme për Amerikën, apo prej së qenit një republikan i mirëfilltë, apo për shkak të kujdesit ndaj konservatorizmit, Trump u fut në këtë garë, sepse Bill Klintoni ia kërkoi atij këtë gjë.”
Dhe qysh atë ditë fatale, në mes të qershorit, kur ai zbriti nga një shkallë e artë lëvizëse e ndërtesës së zyrës së tij, për të njoftuar kandidaturën, zoti Trump ka dominuar skenën politike, si me deklaratat ndaj emigrantëve meksikanë, myslimanëve, e kandidatëve të tjerë, të medias dhe çdo gjëje tjetër, që ia kap syri”.
Në fakt, Noah Rothman-i analisti i revistës Commentary, të cilit i dedikohet modeli i spiunit për z. Trump, argumentonte se ai lëshon deklaratat e veta, pikërisht në kohën “kur ka një tendencë të shtypit për të pasqyruar në media veprimet skandaloze të politikanëve demokratë”.
Z. Trump, për shembull, i bëri komentet e tij në lidhje me mbylljen e kufijve amerikanë për të gjithë myslimanët, vetëm një ditë, pasi pa reagimin e dobët ndaj fjalimit të presidentit Barak Obama mbi të ashtuquajturin shtet islamik.
Skandalet për serverin e email-eve të favorites Demokratike, Hillary Clinton, dhe veprimet e mëvonshme të saj, gjatë sulmit ndaj konsullatës në Bengazi në vitin 2012 kanë qenë gjithashtu mbytura nga Trumpomania mediatike.
“Një fakt, asnjë nga këto ngjarje, nuk krijon një lidhje shkak-pasojë, por koincidenca është aq shpesh e pranishme, sa shpesh herë, Donald Trump, i ka shpëtuar demokratët, nga nofullat e një cikli të tmerrshëm lajmesh dhe hetimesh përcëlluese të shtypit,” përfundon ai.
Pastaj përsëri, duke pasur parasysh numrin dhe kohën sa herë Z. Trump i ka bërë këto akuza flakë ndezëse, qe zënë menjëherë gjithë titujt e gazetave, i ka bërë konservatorët t’i perceptojnë ato si tepër të dëmshme dhe bash në momentin kur akuzat ndaj demokratëve do të duhej të kishin zënë vendin kryesor në titujt e gazetave. Ndaj nuk është për t’u habitur, se lista e shembujve të Rothmanit është aq gjatë.
Por, siç duket, madje dhe paranoiakët duket se paskan armiq realë. Edhe në mos qoftë ashtu siç shkruante poeti amerikan, Ralph Waldo Emerson “Mos më lini mua të bëj gabimin e zakonshëm të ëndërroj se po përndiqem, sa herë që dikush më kundërshton”, të paktën, për momentin, ka disa republikanë që po e shohin Donald Trumpin, shumë më tepër si një armik sesa një kundërshtar.