Këtë për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besa Domi, zëdhënëse në EULEX, por nuk ka dashur të komentojë më shumë rastin.
“Është një aksion i gjerë policor i përbashkët, policia e EULEX-it me Policinë e Kosovës. Është aksion i bastisjeve dhe arrestimeve”, tha Domi.
Kurse, zyrtarët e Policisë së Kosovës thanë se në këtë aksion, policia është vetëm duke asistuar dhe përkrahur policinë e EULEX-it.
Mediat vendore kanë raportuar që nga mengjesi, se bastisjet kanë ndodhur në pronat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, por që sipas tyre, ka edhe të dyshuar të tjerë në këtë rast.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, thuhet se është duke u kërkuar si i dyshuar për krim të organizuar dhe shpëlarje parash.
Policia nuk e ka gjetur Sylën në shtëpinë e tij në Kizhnarekë të Drenasit.
Jozyrtarisht është thënë nga policia se zoti Syla është duke u kërkuar nga autoritetet për më shumë se 7 ditë, por policia nuk ka arritur ta gjejë.