Një mbrëmje shtatori të vitit 2011, Ali Rahimi, një azilkërkues 27-vjeçar afgan, po rrinte me miqtë e tij, jashtë banesës së tij në qendër të Athinës, kur dhjetëra grekë iu afruan.
Disa nga ta e sulmuan me thikë. I frikësuar, ai iku në banesën e tij dhe luftoi përsëri, për t’i larguar njerëzit nga dera. Gjaku shpërtheu në gjoksin e tij, nga pesë plagë që mori me thikë në shpinë dhe gjoks, nis artikullin “International Herald Tribune”.
Rahimi mbijetoi dhe është duke qëndruar në Greqi. Por, shoku i tij, Reza Muhamedi, i cili u plagos gjithashtu në sulm, është duke marrë parasysh atë që dikur do të ishte e paimagjinueshme: të kthehet prapë në Afganistan. Ai ndjen se tash atje do të jetë më sigurt sesa në Greqi.
Greqia, shkruan IHT, është pika kryesore e hyrjes për emigrantët aziatikë dhe afrikanë dhe azilkërkuesit që synojnë Evropën; sot në këtë vend ka rreth 1 milionë nga ta. Kjo, si pasojë e dështimit të qeverive të njëpasnjëshme greke për të krijuar një politikë funksionale të emigrimit apo azilit si dhe një rregulloreje të BE-së, e cila i lejon vendet anëtare që t’i kthejnë azilkërkuesit në vendin e parë ku kanë hyrë në Evropë, që shpesh është Greqia.
IHT përshkruan se disa pjesë të Athinës duken si zona lufte.
“Bandat raciste lundrojnë natën rrugëve në kërkim të viktimave”, thuhet në artikull.
Themis Skordeli, një anëtar i grupit që është akuzuar për therjen e zotit Rahimi, konkurroi pa sukses për Parlament në kuadër të “Agimit të Artë”, një grup fashist që aktualisht është subjekti i tretë politik më i popullarizuar në Greqi.
Agimi i Artë, u themelua në vitin 1985 me urdhrin e liderit të burgosur të juntës greke. Partia u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi disa prej anëtarëve të saj thuhet se morën pjesë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 kundër myslimanëve boshnjakë.
Grupi në publikimet e tij, lavdëron Rajhun e Tretë dhe shpesh paraqet fotografi të Hitlerit dhe nazistëve të tjerë.
Duke shfrytëzuar boshllëkun e sigurisë dhe ksenofobinë në rritje, partia fitoi një ulëse në Këshillin e Qytetit të Athinës në vitin 2010.
Në zgjedhjet e Greqisë në fillim të këtij viti, partia kapitalizoi ndjenjën anti-emigrante duke e përbuzur establishmentin politik që solli vendin në prag të kolapsit ekonomik. Ajo fitoi pothuajse 7 për qind të votave kombëtare dhe 18 vende në parlament, thuhet në IHT.
Sondazhet e fundit tregojnë se forca e saj vazhdon të rritet, dhe mbështetja e saj është deri në 50 për qind në mesin e punonjësve të policisë, të cilët vazhdimisht dështojnë të hetojnë një numër në rritje të krimeve të urrejtjes.
“Grupet ultranacionaliste të ekstremit të djathtë janë duke shfrytëzuar armiqësitë e vjetra dhe frikën e re në të gjithë kontinentin”, thuhet në artikull.
Edhe pse kjo nuk është Evropa e vitit 1930, qytetarët e zhgënjyer në vendet si Greqia dhe Hungaria po kërkojnë gjithnjë e më shumë përgjigje të thjeshta, duke zgjedhur partitë që fajësojnë dashin e kurbanit – hebrenjtë, romët, homoseksualët dhe të huajt- për të këqijat e tyre.
IHT tërheq vërejtjen se në rrezik, “është shëndeti i demokracisë evropiane, si dhe vlerat dhe institucionet, mbi të cilat qëndron unioni”.
Të zënë me krizën e euros, liderët evropianë nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të ndalur, apo kthyer kahjen e tendencave të rrezikshme politike të unionit.
Ndryshe nga Greqia, Hungaria ka një histori të grupeve fashiste, përfshirë Frontin Kombëtar Hungarez, një grup anti-semit, anti-rom, që ka themeluar një ngjarje vjetore ndërkombëtare neo-naziste dhe rregullisht mban stërvitje paramilitare ne një bazë ushtarake sovjetike. Që nga kriza ekonomike e Hungarisë, grupet ekstremiste të reja kanë dalë në pah, ndërsa, Fronti Kombëtar Hungarez ka fituar rëndësi në nivel kombëtar, vë në pah gazeta.
Në vitin 2009, Jobbik, një parti e vetëquajtur “partia radikale patriotike e krishterë” me lidhje me një milici, hyri në Parlamentin e Hungarisë. Për të mbledhur njerëz në tubime, partia shpesh është mbështetur në marshimet e urrejtjes dhe fushatave të kërcënimit që shërbejnë si ushqim për racistët, thekson ndër të tjera IHT.
Udhëheqësit evropianë nuk duhet të heqin dorë nga beteja në luftën e ideve. Ata duhet të denoncojnë publikisht partitë që përqafojnë doktrina raciste dhe vjellin urrejtjen e mbushur me retorikë dhe në mënyrë të qartë të përcaktohen në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të një Evrope gjithnjë e më të integruar, vë në pah gazeta.
Për ta bërë këtë, thuhet në artikull, ata duhet të zhvillojnë një qasje pan-evropiane për monitorimin dhe hetimin e krimeve të urrejtjes të rrjeteve ekstremiste të krahut të djathtë, që veprojnë përtej kufijve.
“Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që të gjitha shtetet anëtare, të vjetra dhe të reja, duhet të respektojnë të njëjtat kritere, që aktualisht janë vënë si kushte për vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, sidomos ruajtjen e stabilitetit të institucioneve, që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”.
Përndryshe, shkruan IHT, Evropa përballet me një spektër më të gjerë të dhunës ksenofobe dhe prishjen e rendit liberal demokratik, që i ka tërhequr kaq shumë njerëz të persekutuar të kërkojnë azil dhe mundësi në brigjet evropiane.
Përgatiti: Albana Isufi