Nga: Perparim Gjeka/
Sa herë kërkoja vendin tonë në radhitjen alfabetike të shteteve dhe me dilte i pari Afganistani, aq herë mendoja se sikur të mos ekzistonte ky shtet Albania do ishte e para, prandaj e kisha marre inat. Pastaj kur u poqa pak me shumë, dhe kuptova se ky vend jo vetëm është afër nesh në rend alfabetik, por edhe në rende të tjera ekonomike si një nga vendet me pasuri të mëdha e me varfëri të madhe, mendoja sa mirë që ka edhe shtete poshtë nesh si Afganistani, si nje lloj vetngushellimi. Kjo afërsi vitet e fundit u shtua sepse Afganistani zinte vendin e parë në botë si prodhues i një lloj droge, kurse Albania vendin e parë në Europe në një lloj tjetër droge. Afërsi të tjera të ngjashme ka plot si përshembull vendi atje kontrollohet faktikisht nga katër klane ose shure kurse Albania sipas ambasadorit amerikan Lu nga ekzaktesisht katër familje mafioze. Por afërsia më serioze nuk është përmendur nga askush seriozisht publikisht dhe po e ndiej detyrim moral ta ndaj me publikun shqiptar. Le ta trajtojmë si gjithmonë logjikisht situaten e tërheqjes amerikane dhe fitoren e talebaneve. Ushtria dhe fuqia amerikane bashkë me ate qeveritare afgane nuk ka asnje mundesi teorike dhe praktike të jetë më pak e fortë se në vitin 2001 kur u hap kjo luftë dhe Talebanet e tanishem nuk ka asnje mundesi teorike dhe praktike të jenë më të fortë se sa ishin ateherë kur kontrollonin vendin dhe kishin mik Bin Ladenin. Pra Amerika nuk mund ta humbte këtë luftë, por e ka braktisur atë kryesisht sepse u arrit qëllimi kryesor; të ndeshej me terroristët në vendet e tyre dhe jo të mbrohej nga ata në vendet e veta, keshtu që Sekretari Blinken nuk gabon kur thotë se ajo lufte ishte sukses në prizmin amerikan. Dhe këtë arsye e thonë hapur. Ajo që nuk thonë është arsyeja pse e lanë qeverinë afgane vetëm edhe kur u kuptua qartë që talebanët ishin më të fortë ushtarakisht e organizativisht se sa qeveria. Dhe këtu vijmë te afërsia e neveritshme e sjelljes së qeverive e liderve afgane në 20 vjet me qeveritë tona në Shqipëri e Kosovë; korrupsion galopant, bashkepunim me krimin e organizuar, flirtim me kundërshtarët, shtypje e shfrytëzim për masat popullore, luftë bërrylash për dominim tarafesh brenda pushtetit, kaos në çdo hapësirë të jetës shoqërore, e mbi të gjitha dyfytyrësi, hilera, mashtrime, “grid” dhe mosmirënjohje me amerikanet. Ajo që mund t’i ketë vënë vulën “fed up-it” amerikan ose shqip tejlodhjes me këta mosmirenjohës e plangprishës është mosdakordimi në bisedime për bashkëqeverisje me talebanet, bisedime te cilat u ndermjetësuan nga amerikanet e ndoshta përgjegjësia ka rënë mbi kapadaillekun e liderve qeveritarë. Dhe amerikanet i lanë në meshirë të fatit për të parë sa u vlen lëkura pa ndihmen amerikane me të cilën u mesuan dhe e patën pa kursim. Këta njerëz të vegjel me orekse të medha, këta funderrina morale të një Kombi luftëtar si ai afgan janë përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së sotme afgane bashkë me talebanet. Sa afër me dy shtetet tona, sa afër po na e sjellin tejlodhjen e braktisjen e mbrojtjes amerikane këta liderucat tanë, në qeveri e opozitë, me cic micet e tyre të pështira, duke kujtuar se ua hedhin amerikaneve, duke kujtuar se vetëm këta janë të zgjuar, vetëm këta janë të pafajshëm, gjithë faji është i kundershtarit politik e në mos i popullit të paemancipuar sa të kuptojë këta. Dhe mos më thoni që është faji i Amerikës se jemi tejlodhur. Se Amerika çliroi, ndihmoi e njohu shtet edhe Gjermaninë, Korenë e Japoninë, jo vetëm Kosoven, Shqipërinë e Afganistanin. Pse ne nuk zgjedhim të jemi afër me Gjermaninë por jemi afër me Afganistanin?