Nga MSc. Albert R. HABAZAJ*
Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” e Vlorës nuk bën pushim. Ajo ndez qytetin dhe fshatrat e krahinave të saj me zjarr atdhetar dhe dritë kulturore çdo stinë, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë; në disa raste realizon edhe dy veprimtari në ditë, njërën më të bukur se tjetra, njërën më mbresëlënëse se tjetra. Ka pasuri gjeografie, grupmoshash, profesionesh, gjinie, tematike, cilësisht të mira, estetikisht të pëlqyeshme, shoqërisht të dobishme.
Një veprimtari e veçantë ishte takimi në trajtën e një mikrosimpoziumi shkencoro – kulturor në nderim të mësuesit veteran Dasho Miftar Ramosaço, që për nga pjesëmarrja, kumtuesit, serioziteti, mesazhet dhe konteksti i zhvillimit, qe takim kalibri; një model për veprimtaritë në vijim. Jemi mësuar të bëjmë takime të mëdha, me pjesëmarrje, me fjalë, me dekorata. Janë bërë takime shumë të mira. Janë nderuar sidomos figura të traditës historiko- kulturore nga treva e Labërisë apo nga treva të tjera që kanë merita edhe për krahinën e Labërisë. Janë nderuar veprimtarë shoqërorë me kontribute të veçanta për përparimin e sotshmërisë. Janë vlerësuar këngëtarë popullorë, artistë, poetë, shkrimtarë, regjisorë, aktorë, edhe mësues të shkencave humane. Rasti i Dashamir Ramosaçajt përbën një veçanësi e ndoshta është i pari si aplikim ndër vlerësimet e Labërisë për bijtë e saj intelektualë, kur përvoja e tyre arsimore – shoqërore është në dobi të komunitetit. Përse? Sepse Dasho Ramosaço, i cili ka lindur në Radhimë, në Gji të Perëndisë, që vetë Zoti, këtij vendi me diell, kaltësi e gjelbërim shkëlqimtar gjithëvjetor, i ka falur më të mirat visare që ka bota njerëzore, ka qenë mësues, një jetë të tërë mësues matematike, inspektor zone dhe përgjegjës i sektorit përkatës në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Vlorë. Nga monografia “Bota radhimjote” e autorit Neki Lameborshi mësojmë edhe për traditën e arsimit të këtij fshati të bekuar, edhe për stafetën fisnikërisht të bukur që vijoi në vitet e Pasçlirimit: “Duke qenë pra një fshat arsimdashës, radhimjotët, kudo që shkuan, në shkolla të përgjithshme e profesionale, u dalluan si nxënës të zellshëm e cilësorë. E ndër ta, me hapjen e Universitetit në Tiranë dhe instituteve të larta, u diplomuan në profesione të ndryshme. Nga një llogari e përafërt, rreth 200 djem e vajza nga Radhima përfunduan studimet e larta. E një plejadë e tërë, nga këta zgjodhën profesionin e bukur të mësuesit. Mbas përfundimit të studimeve, nisur nga dëshira e mirë për të dhënë kontribut në vazhimin e shkollësisë në Radhimë, shumë prej tyre si Abedin Hamiti, Avni Begotaraj, Tefta Lagji, Lefter Lameborshi, Gani Gjimara, Fatime Gjimara, Mustafa Lagji, Sadik Ruko, Kadrie Limo, Vjollca Lameborshi, Aneta Begotare, etj., filluan karierën e mësuesisë në fshat, duke dhënë me pas kontributin si shpërndarës të diturisë e dijes anë e kënd atdheut si shumë e shumë radhimjotë të tjerë, si Shezai Radhima, Piro Radhima, Jazo Bilani, Xhebro Vera, Hasan Cekodhima, Fitus Radhima, Farfuri Bilani, Dashuri Begotare, Tok Radhima, Spartak Hamiti, Bujtina Lameborshi, Dasho Ramosaço, Ilirjan Selmani, Hektor Radhima, Enver Dani, Hasan Havari, Agron Begotare, Muhedin Begotare, Reta Selmani, etj, etj. E këtu nuk mund të lihen pa përmendur dy mësuesit veteranë, që nuk jetojnë më, Bejko Selmani e Tare Kojani, që breza të tërë mësuan prej tyre A-B-C-në në Fshat”. Një nga ata dritanë të dritës, me të cilët krenohet jo vetëm Radhima, por edhe Vlora, është Dashua, icili spikati gati një gjysmë shekulli kontribut në mësimdhënie për edukimin arsimor dhe qytetar të bijve dhe bijave të Labërisë së Vlorës. Aq më tepër, që zhvillimi arsimor, në periudhën, kur ka dhënë mësim Dashua qe jo për t’u përmendur shumë pozitivisht dhe matematika nuk mirëpritej aq sa duhej. Lënda e matematikës klasifikohet shumë e vështirë, aq sa e bukur dhe e dobishme për përparimin civil. Dashua në këtë drejtim ka vlera të dallueshme, sepse qe i aftë si mësues, i zoti si metodist, me virtyte si njeri. Ai përgatiti një plejadë të tërë mësuesish matematike, që nderuan veten dhe mësuesin e tyre. Nuk ka fshat të krahinës së Labërisë së Vlorës që Dashua të mos e ketë shkelur, nuk ka banor të Labërisë së Vlorës, e cila plotësohet me anëlumas e me anëdetas, që Dashua mos ta ketë njohur, mos të ketë pirë kafe e raki në në shtëpi të tyre e mos t’ua ketë kthyer respektin në Vlorë në shtëpi të tij apo dhe në lokal, duke i mikpritur sipas traditës së bujarisë labe, sepse edhe ai është një djalë i mirë Labërie. Për këto vlera u diskutua në takim, për virtytet, për sakrificat, vullnetarizmin e solidaritetin me përparimtaren, që reflektoi një jetë të tërë Dasho Ramosaço dhe Dashamirët e tjerë të Dritës së Diturisë, që Vlora duhet t’i ruajë si perla të arsimit vlonjat në kohëra. Kishe vërtetë ç’të dëgjoje dhe ç’të mësoje nga fjalët e mençura të mësuesve të shkëlqyer, sot veteranë të arsimit në Vlorë, si Ilirian Selmani, Vitri Zyka, Hajri Allushi, poeti i fizikës Vaso Pata, apo nga Ahmet Dema, i cili është dhe kryetar i shoqatës “Labëria” për degën e Vlorës dhe që i dorëzoi Dashos dekoratën e lartë në një atmosferë festive dhe shumë të ngrohtë. Për këto u fol dhe për librin e tij “Rrugëtim në Origjinë”, që Dashua ua dhuroi miqve, si shenjë respekti, që kaluan momente të shkëlqyera miqësore dhe kulturore së bashku. Lajtmotivi i monografisë së Dashos është “Prindërit e mirë e lenë të pastër rrugën e fëmijve, por edhe fëmijët e mirë ua lehtësojnë peshën e barrës së moshës prindërve”. Vlera burrërore e Dashos u bë më evidente, sepse vlerësimi i tij qe planifikuar të bëhej në një kohë, kur atij i ndodhën dy ngjarje të dhembshura familjare. Dashua nuk kërkoi shtyrjen e aktivitetit. Dhembjen e përballoi me të tijtë. Nderimin që i bëri shoqëria ua ktheu me nderim. Për realizimin shembullor të aktivitetit të Dashos ka meritë nipi i tij fisnik, Dr. Miftar Ramosaço, pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Matematikës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
*) sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë.
OPUSI POETIK I MAKU PONES-DRITË E BARDHË E ARTIT TË FJALËS
Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ*/
Emri i Maku Pones është ndier në skenën poetike qysh në vitet ’50 të shek. XX. Profili letrar i tij shfaqet në disa plane: si poet, si prozator (tregimtar, novelist e romancier) dhe si dramaturg, me kontribute të dukshme në dy fusha: në letërsinë për të rritur dhe në letërsinë për fëmijë. Në nënfushën letrare të dramaturgjisë, sipas studiuesit të njohur kanadez, Robert Elsie, ndër autorët shqiptarë, që i kanë kushtuar energjitë e tyre me shumë sukses skenës, është edhe Maku Pone. [shih: Elsie, Robert, “Histori e letërsisë shqiptare”, Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, f. 433]. Shtylla vertebrale, që mban në këmbë konstruktin e fortë poetik të Pones është drita e bardhë e artit të fjalës së kulluar, sa hënore, aq tokësore. Dy këmbët, që mbajnë harmoninë e urës poetike nga koleksioni klasik i letërsisë së sotme shqiptare në poezinë bashkëkohore, janë ndjenja me “gjak dashurie në rrënjë” dhe mendimi filozofik, që fqinjësohet me “rrufetë” e perëndishme, si “vizion brirësh a eshtrash”. Libri më i ri “Dritësi e terr”, (2014) është pjesë e trilogjisë poetike të autorit të njohur fierak, dhe përbën vëll. 2, i cili ka pararendës vëll. 1 me titull “Në kërkim të fytyrës” i cili pritet të botohet së shpejti. Po ashtu, pret të shikojë dritën e botimit edhe vëll. 3 i trilogjisë me titullin metaforik “Zjarr i hidhur”. Spunton për këtë vëllim poetik, autori e ka marrë nga shkrimtari dhe diplomati i njohur grek Vassilis Vassilikos (18. 11. 1934), trajtuar, kuptohet, sipas këndvështrimit të tij poetik. Libri më i ri “Dritësi e terr” i poetit Maku Pone është një gëzim letrar për ne, lexuesit e vëmendshëm të librit të mirë dhe përdoruesit e dobishëm të penës. Gjykoj të shpreh një vlerësim sentencial në trajtë urimi, sepse bisturinë kritiko – redaktoriale e ka përdorur me ndershmëri profesionale në parathënien e librit, kritiku letrar, poeti, publicisti dhe mësuesi i dashuruar me letërsinë, tepelenasi i fierakizuar, Bujar Xhemal Rama, të cilin e përgëzoj për punën e vlertë që ka bërë për vëllimin poetik të profesor Makut, ndërtuar për jetën reale mes antitezës “dritësi” dhe “terr”. Në këtë kohë, ende të pakthejlltësuar letrarisht, kur gufosemi nga lukunia barbare e librabërësve, që unë po i cilësoj vandak me bezga të njoma, që s’ndezin as në palcë të korrikut [shprehje frazeologjike, mospërf. njeri i trashë nga mendja], libri me poezi “Dritësi e terr” i Maku Pones, vjen si thërrime diellore, që na ngroh bukurisht me fisnikëri botën tonë shpirtërore, duke na përmirësuar në ndjenjë, në mendim dhe në shijet estetike. “Dritësi e terr” na ngarkon me emocione të fuqishme pozitive dhe vjen si një mrekullim mëngjesor i këtij poeti interesant për vullnetin e tij balzakian në portën e moshës e bardhë, ku sapo ka trokitur si hirësi me reflekse vezulluese të mesazhit universal të poetikës poniane. Në fakt, unë kam ardhur sot nga Vlora, që të zihem me punonjësit e Gjendjes Civile të Rajonit Nr. 2 të qytetit të Fierit, ku banon profesor Maku (bëj shaka), sepse jam zemëruar me ta, nga që më kanë dhënë informacion të paduhur. Sipas tyre, poeti Maku Pone qenkërka 75 vjeç për 76! Në fakt, sipas këndvështrimit tim (dhe besoj me mua janë dakord gjithë poetët këtu), poeti Maku Pone na duket 57 vjeç, se aq është me shpirtin poetik, me vitalitetin shembullor, me idealin qytetar, misionar dhe vizionar. Ai diti shkëlqyeshëm dhe natyrshëm ta kapërcejë traun e vjetër (biles, as dhe nuk mori infeksion nga vjershërimet e angazhuara, të kërkuara, të porositura e të përkushtuara). Ai udhëtoi e udhëton i sigurt në shinat e poezisë së re, ecën pa pengesa në hapësirat e saj të pamatë. Poeti universal i dashurisë Maku Pone shquan për artin e bërthamës së dashurisë, sepse siç qe nëna e tij çadër mes shiut për të, edhe ai bëhet “çadër për t’i ruajtur e për t’i mbrojtur/ jo vetëm nga një shi/ gruan e jetës dhe fëmijët”, pasardhësit, njerëzit, miqtë, dashamirësit. Për këtë humanizëm të prekshëm altruist kërkon vend, aq sa zë një fill bari. Duke lexuar poezinë “Për pasardhësit”, mua më shfaqet imazhi i Uitmanit myzeqar (Walt Whitman, 1819 – 1892) në kohën që jetojmë me banim në Fier. Ky imazh më bëhet më i qartë, kur lexoj poezi të tjera të Pones, ku vërej një lidhje të plotë e shpirtërore me natyrën, si novator dhe për ndjesitë mistike. Maku Pone njihet tashmë edhe si mjeshtër i portretit poetik, sepse pena e shpirtit të tij ka gdhendur emrat e fisnikëve të poezisë shqipe, mesdhetare, europiane e botërore, që nga Fatos Arapi e Alen Boske, Janis Ricos e Migjeni, Jorgo Luis Borges e Frederik Reshpja, Dhimitër Jano e Majakovski e deri te i biri, Edvini, që ka vizatuar portretin e mëmës në mur. Kur lexova poezinë “Obeliskët”, kushtuar poetit të paharruar Ilia Kule (1944 – 1987), u ndala, pulita sytë dhe shijova artin e ndjesisë së hidhërimit te vargu “Varret u dashkan hapur në qiell”. Këtë varg nuk e kam dëgjuar apo lexuar më parë ndër poetë të tjerë. Është prodhim original (bio, si i thonë sot) i imagjinatës krijuese sa magjike e hyjnore, aq tokësore e të prekshme të poetit të bardhë Maku Pone. Dëshiroj të nënvizoj në këtë kumtim urues, se Maku Pone ka siguruar mbështetjen e tokës në poezi. Ai ka arritur ta ketë të sigurt dhe mbështetjen e ajrit me artin e tij brilantin të fjalës së zgjedhur poetike. Poezi si “Funerali i një zogu”, apo “Personaliteti i qenit” janë shembëlltyra artistike e mbështetjes së ajrit dhe të tokës që ka siguruar krijmi i Maku Pones. Opusi letrar i M. Pones përbën një ndihmesë për çiltërsinë e letrarishtes poetike në gjuhën shqipe, duke kryer njëherazi një obligim për artin e fjalës dhe një detyrë atdhetare e qytetare. M. Pone është një figurë me integritet letrar dhe, me vëllimin “Dritësi e terr” klasifikohet memorie poetike e kohës, e moshës që përfaqëson. Ai, ndërkohë, ravijëzohet si poet i kontrasteve dhe i ngjyrave, që ka privilegjin si i pranueshëm i të dy kohëve për nivelin artistik, cilësinë poetike dhe funksionin estetik të krijimtarisë së tij të bukur, të mirë dhe të dobishme, duke arritur të jetë person kontakti për poezinë e brezave. Pone do të ketë fatin të rrojë sa poezitë e tij, si një zog në fluturim të përhershëm, si poet e si njeri. Është fat i bukur, që në Principatën e Shkrimit, një dritë e bardhë si Maku Pone, na e bën shkëlqimin e poezisë së lartë. Për shoqërinë tonë letrare, Maku Pone, me 34 libra të botuar, nga të cilët, 14 me poezi, 4 me prozë, 6 libra për fëmijë dhe me 10 drama, është një florin në formë njeriu, që ka shtydhur mushtin poetik të jetës njerëzore për ne.
Biografia: Maku Pone – (lindur më 1 Mars 1939 në Fier, Shqipëri) është poet, prozator dhe dramaturg shqiptar. Fëmijërinë e kaloi në qytetet e Fierit, Pogradecit dhe Tiranës. Studimet e mesme i kreu në Shkodër; studimet e larta në Moskë për inxhinieri nafte. Ka studiuar gjithashtu për filozofi. Pasi u diplomua, punoi si inxhinier për një periudhë relativisht të shkurtër në industrinë e naftës. Në vitin 1974, filloi punë si kryeredaktor në gazetën lokale të qytetit të Fierit. Pas debutimit me disa drama, që u vunë në skenat profesioniste, në vitin 1983, filloi punë si libretist (dramaturg) pranë teatrit “Bylis”, Fier. Më pas punoi në televizionin rajonal TV Apollon. Pavarësisht nga punët që ka kryer në vite, krijimtaria letrare ka qënë drejtimi kryesor i jetës së tij. Në letërsi ka botuar qysh në vitet pesëdhjetë të shekullitXX. Në vitin 1969, ka dalë me librin e tij të parë poetik “Kur buzëqeshin shokët”. Përveç poezive, ka shkruar mjaft për teatrin dhe një kohë i është kushtuar edhe letërsisë për fëmijë. Ka fituar pesë çmime të ndryshme në konkurset kombëtare: në gjininë e poezisë (2 herë), në prozë (2 herë) dhe në dramaturgji (1 herë).
Libra të botuar:
I – Poezi (14 libra): “Kur buzëqeshin shokët” (1969), “Yje mbi bar” (1973), “Në brazdat e kësaj toke” (1975), “Lulëzim” (1982), “Gjaku i verdhë i lulediellit” (1998), “Në portat e erërave” (1999), “Çeku i reve” (2001), “Dëbora e Orientit” (2005), “Triologjinë poetike” (2009): “Qiparisat e muzgut”, “Muzikë dimri”, “Një kafe me gurin”, Në kërkim të fytyrës (2014), “Dritësi e terr”, (2014) dhe “Dritësi e terr”, (2014).
II – Dramaturgji (10 libra): “Shpërthimi” (1976), “Fundi i sinorëve” (1977), “Asgjë nuk është harruar” (1979), “Atje në Ebro” (1979), “Natë e pagjumë” (1980), “Udhë të mbarë” (1982), “Shokë dhe vite” (1984), “Dosja 63” (1985), “Shqetësimet e një mjeku” (1988) dhe “Një vajzë e fyer” (1990).
III – Prozë (4 libra): “Shtëpia midis mollëve” (1984) (novelë), “Trëndafilat e mesnatës” (1987) (roman), “Motër e vëlla” (2003) (roman) dhe “Balona me bedena” (2004) (tregime).
IV – Letërsi për fëmijë (6 libra): “Naftëtarët e vegjël” (1969), “Ne jemi gjeologë” (1969), “Postieri ynë” (1970), “Na thërret trumpeta” (1971), “Pushimet dimërore” (1971) dhe “Motër e vëlla” (2003).
*MSc. Albert HABAZAJ
Drejtor i Bibliotekës Qendrore ‘Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.
PESËSHJA E PANDARË ÇAME PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE
Nga MSc. Albert HABAZAJ/
Në kujtesën sociale të komunitetit çam në Vlorë është e pashlyeshme pozitivisht puna e pashembullt që ka bërë pesëshja e parë e çamëve më të përkushtuar, në shërbim të çështjes kombëtare, për vlerat morale të trevës së tyre emërmadhe, për traditat, doket, për historinë dhe kulturën çame, ruajtur e transmentuar brez pas brezi, kudo ku kanë banuar, kudo ku kanë punuar, herë trajtuar si muhaxhirë, herë si zot shtëpie, si ai deti me lule dhe furtunë… Po kush janë emrat e kësaj pesëshje të pandarë, që u tretën në kohë të reja për Mëmën e xhanit, Çamërinë e tyre dhe tonën, për Çamërinë e Shqiptarisë?! Ibrahim Banushi, Nuredin (Dino) Isufi, Skënder Beqiri, Servet Iljazi dhe Fadil Zeqiri, u bënë flakadanë të çëshjes çame, qysh kur ishin ende të rinj, në fillimet e viteve ’50 të shekullit XX, që lamë pas. Pesë djem nga Çamëria, si ato bletët e kosheres, që mbledhin nektar e prodhojnë mjalt, punuan si ata dhe u bënë mishërimi i idealit kombëtar, i përparimit qytetar, i veprimit të guximshëm e i mendimit të mençur, në funksion të mbarësisë shqiptare. Fillimisht, ishin katër shokë të ngushtë e besnikë tërë jetën për çështjen e mëmës Çamëri, të cilët i bashkoi Vlora me ardhjen e tyre të dhembshme nga jugu mesdhetar, ku lanë vatrat e ngrohta familjare, shpërngulur e përzënë prej Çamërie barbarisht nga terrori i zi i klanit më mizor grek, në vitin 1944. Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi nuk u ndanë gjatë gjithë jetës së tyre, duke patur një shoqëri të sinqertë, me përkushtim e ideale dhe e shtrinë atë edhe në familjet e njeri – tjetrit. I pari, Ibrahim Banushi dhe më i mençuri, djalë nga katundi Arpicë e Çamërisë, tok me me Nuredin Isufin, kishin qenë në Çamëri dhe kishin luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e territoreve çame kundër bandave shoviniste greke. Agresorët i kapën dhe i internuan. Menjëherë, mbas internimit deri në gusht 1944 nuk i lëshuan armët nga dora për mbrojtjen edhe me gjak të tokave çame. Me ardhjen në Shqipëri, Brahimi rreshtohet në Brigadën V Sulmuese si partizan dhe lufton kundër nazizmit gjeman, që kishte pushtuar trojet shqiptare. Luftoi deri në Kosovë e në tokat jugosllave, ku u plagos dhe ngriu në borë, në malet e Jugosllavisë. Nga ajo luftë me ideale të larta e qëllime të pastra çlirimtare, Ibrahim Banushi mbeti invalid nga këmbët. Në vitin 1946, kthehet nga spitalet e Jugosllavisë, merr pjesë në ndërtimin e rrugës verilindore të Shqipërisë dhe vjen në Vlorë. Në vitin 1947, emërohet në punë, drejtor i Ndërmarrjes Rruga – Ura, detyrë të cilën e ushtroi me devotshmëri e ndërgjegje shembullore deri në vitin 1981. Atë vit, i rënduar dhe nga plagët e luftës, ndëroi jetë, duke lënë deri më sot në popull gjurmët e pashlyeshme të respektit. U përcoll me nderime dhe respekt të dhembshur qytetar. Fatkeqësisht, asnjë nga pushtetarët apo shtetarët nuk e kujton për kontributin e tij në luftë dhe në punë. Është e çuditshme, me tërë mend, që për Brahimin nuk është dhënë asnjë vlerësim, edhe pse veteranët e LANÇ e kanë çuar propozimin atje ku duhet, qysh para 100 vjetorit të Pavarësisë, e kanë përsëritur edhe tani, në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit
I dyti, Nuredin Isufi mbahet mend si vullnetar në Brigadat e Rinisë Shqiptare për rindërtimin dhe ringritjen e Shqipërisë, shkatërrruar nga Lufta e Dytë Botërore. Ka qenë vullnetar në ndërtimin e rrugëve në veri të vendit dhe në hekurudhën Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Në vitin 1948, emërohet nëpunës i Gjendjes Civile në Vlorë dhe shef i këtij sektori të rëndësishëm, ku punoi me ndershmëri e përgjegjesi, vërtet si ai, kur thonë. Gjithë koha 50 vjeçare, që kaloi ka shënimet e tij të sakta e korrekte, fakt që ka evidentuar punën e tij të mirë dhe të dobishme në qytetin dhe në rrethin e Vlorës. Ky volum pune i duhur, i mirë dhe i dobishëm është i verifikueshëm, sepse regjistrat që ka plotësuar Dinua janë edhe sot në përdorim të përditshëm. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dinua rron, është 91 vjeç, në moshën e bardhë të pleqërisë.
I treti, Servet Iljazi ka punuar në sektorë të ndryshëm dhe të vështirë, ku është dalluar për punë cilësore dhe përkushtim ndaj detyrës, sikur punonte për shtëpinë e tij. Ka punuar edhe si shofer në ndërmarrjet shtetërore, deri sa doli në pension, në vitin 1990. Bashkëmoshatarët e paktë që kanë ngelur, kujtojnë me mall e respekt vitte e stuhishme në aksionet e rinisë mbas Çlirimit, për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ku kontributi i Servetit dukej, sepse ai punonte një sa për 10 vetë. Mbylli sytë në vitin 1992.
I katërti, Skënder Beqiri, qysh në vitin 1946 qe nga dallëndyshet e para të Vlorës që doli vullnetar dhe ka marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Peqin, Durrës – Tiranë. Me Brigadën “Misto Mame” u nis në Jugosllavi vullnetar për hapjen e autostradës Beograd – Zagreb, ku punoi dy muaj në sektorë të ndryshëm të ndërtimit të rrugës. Nga viti 1950 ushtron profesionin e fotografit dhe vazhdon si përgjegjës i këtij sektori deri në vitin 1961. Në këtë kohë emërohet drejtor i Kino- klubit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Vlorës deri në gusht 1970. Nga kjo periudhë emërohet përgjegjës i ekspozitës “Vlora Sot”, deri në vitin 1990, kur doli në pension. Të katër, Brahimi, Dinua, Serveti dhe Skënderi, janë të dekuruar për punën përkushtuese, shpirtin e garës, vullnetarizmin dhe sakrificën e treguar në ndërtimin e Rrugës së Rinisë, si quhej atëhere Rruga Kukës – Peshkopi, në vitin 1946. Skënderi rron dhe bën një jetë aktive edhe sot që është 87 vjeç. Ai njihet si Marubi i Çamërisë dhe i Vlorës. Fotografët profesionistë që ngrihen do të krahasohen me Skënder Beqirin. Një merak ka Skënderi, që gjithë ky qytet i madh e me vlera të jashtëzakonshme historike, si Vlora nuk ka një fototekë. Fototeka e Vlorës është ëndrra, dhembja dhe amaneti i Skënder Beqirit.
I pesti, Fadil Zeqiri u lind në Kajcanj të Paramithisë së Çamërisë, më 15. 07. 1937. Shovinistët grekë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë prindërit dhë shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri. U strehua në Sarandë, në jetimore. Katër ditë udhëtoi për në Durrës e pastaj shkoi në Tiranë, ku dhe u rrit e u edukua në Shtëpinë e Fëmijës. Kreu Shkollën e Mesme “Skënderbej” dhe më pas, në Bashkimin Sovjetik, studioi për Marinë Detare. Pesë vjet i bëri atje, nga të cilat tre në Riga të Lituanisë dhe dy në Azerbaxhan për ABD dhe Marinë të Përgjithshme. Emri i tij ka qenë nderi i Sazanit, Karaburunit, Orikumit, Vlorës e Babicës, ku shërbeu me përkushtim e devotshëri në funksion të forcave detare shqiptare. Pa u shkëputur nga puna studioi për Letërsi si dhe thelloi studimet duke përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Për shumë vite ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë. Ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare – Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, ku ka qenë i ndjeshëm qëndrimi i tij kombëtar, në shërbim të rritjes së ndjenjës së atdhedhashurisë dhe respekimit deri në adhurim të simboleve të ndritura kombëtare si Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, Hasan Tahsimi, Elena Gjika, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini e gjithë ata pishtarë drirëbërës për të orientuar shqiptarët në rrugën e diturisë, e lirisë, mirësisë e vëllazërisë, se vetëm ajo na sjell përparim. Fadil Zeqiri ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh nga viti 1965. Ai ka debutuar kryesisht në prozë, por ka shkruar dhe poezi, skenarë filmash, ekranizuar a botuar sidomos për interesa të ushtrisë, në radhët e së cilës kaloi tërë jetën, qysh nga fëmijëria e derisa mbushi moshën e doli në pension. Në prozë ka nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” librat: “Midis dallgëve të oqeanit”, “Me vështrim nga deti” – tregime, “Shtegëtimi i fundit” – roman, “Nëndetësja 61” – roman, “Dhembi i tretë” – tregime, “Udhëtim në një hambar” – tregime, “Shënjestra dhe manushaqja” – tregime, monografinë “Ilia Dashi”, kushtuar heroit nga Poro e Myzeqesë së Vlorës. U nda nga jeta më 2 gushtit 2008. Erdhi 6 vjeç në Vlorë. Fëmijërinë dhe jetën e tij me halle shumë e përshkruan me ndjenjë, vërtetësi, art e dhembje tek romani “Shtegtimi i fundit”. Jetimi çau mbi dallgët e jetës dhe iu bashkua grupit çam të Vlorës më vitin 1965. Ai u bë oficer marine dhe mori emër të lartë si një nga prozatorët më të mirë jo vetëm të Ushtrisë, por në mbarë botën e letrave shqipe. Fadili ngjante me një zgalem deti. Ai i dha impulse të fuqishme punës atdhetare jo vetëm të çamëve të Vlorës, por të mbarë Shqipërisë. Ai edukonte me veprim. Vrulli i vijueshëm i Fadilit dukej, edhe sepse ai shkruante bukur e mirë. Të pesë këta djemtë mirë Çamërie janë të shënuar në Regjistrin e Atdhetarizmës si pesë themeltarë të Shoqatës Patriotike “ÇAMËRIA”.
LAMTUMIRË PIKTORI I VLORËS, NJERIU I MIRË, ILMI BANI!
Shkruajnë nga VLORA: Albert R. HABAZAJ & Jorgo V. TALO/
Fjala e Lamtumirës. Miq e dashamirës të artit dhe të familjes! Sot kemi ardhur që t’i japim lamtumirën e fundit piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani. Hutim, trishtim, tronditje, shokim na shkaktoi kjo ikje e papritur dhe e padrejtë. Lajmi i hidhur për vdekjen e hershme pikëlloi pa masë piktorët, shkrimtarët, mësuesit, pegagogët, nxënësit, studentët, miqtë e shokët, të gjithë qytetarët që e njihnin, apo që i kishin dëgjuar emrin nga veprat e tij të mira, të bukura dhe të dobishme. Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Vlorës, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri”, Vlorë, si dhe me dëshirën e familjes për të shprehur fjalën e lamtumirës, dua t’i them Ilmiut, se vërtet ike, por do të jetojë dhe do të na frymëzojë vepra jote artistike, pikturore e kërkimore – shkencore me karakter të thellë humanitar. Pikëllim i madh, dhembje e thellë shpirtërore, humbje e madhe për artin, arsimin dhe kulturën në qytetin e Vlorës e më gjerë, deri në rang kombëtar, sepse kontributi i tij ka qenë i dukshëm dhe i spikatur. Me pikëllim të thellë po ndahemi nga Ilmi BANI, njëri prej emrave emblematikë të pikturës Vlonjate, figurë e dalluar e pikturës shqiptare dhe e kritikës së artit. Një shpirt i etur për qytetari e për dituri dhe i gatshëm kurdoherë atë qytetari e dije ta transmentonte me zotësi te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, korrekt si ai, me predispozitë e me kërshëri të admirueshme për kërkime e studime didaktike e shkencore në fushën e shkencave humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të pikturës e të kritikës së artit. I paharruar miku im i shtrenjtë, Ilmi Rexhep Bani! S’kam fuqi të të shpreh dhembjen që më shkaktoi ikja jote si meteor i shndritshëm i artistit qytetar dhe të kulturuar. Mundohem ta mbaj veten, të ngrihem mbi të, se të nderoj shumë. Ashtu sikurse i paharruari Vasil Talo, mësuesi yt dhe i gjithë piktorëve me emër të Vlorës, edhe ti ike shumë shpejt nga një aksident fatal, jo për faj tënd… Koicidencë?! Një odise e tërë të ndodhi, por e pamerituar një fije floku. Ti ishe njeri me kulturë, me zemër të madhe e bujare, balancë ekuilibri, simboli ynë i mirësisë, etaloni i korrektesës. Ti ishe një njeri që qëndroje stoikisht dhe nuk ligështoheshe. Ti punoje vazhdimisht me të gjitha forcat. Luftoje për jetë, për jetë të ndershme, qytetare dhe të lumtur. Pakkush sa ti inkurajonte dhe përkrahte talentet e reja. Do të kalojnë vitet dhe ti, i paharruar Ilmi do të jesh më pranë nesh, ashtu si të kujtojmë të gjithë, të dashur, me buzëqeshjen e jetës, që nuk të ndahej kurrë nga fytyra jote fisnike. O Ilmi, më prishe punë me ikjen tënde, sepse do të më mungojë miku i vërtetë, këshilltari i duhur, modeli i këkuesit ndaj punës studimore, mjeshtri i shkrimeve lakonike, redaktori i rreptë dhe i drejtë te Zoti, busulla e përparimit të punëve të mira të letërsisë dhe artit.Ti, si intelektual i formuar, ishe orë e çast i përkushtuar për mirëvajtjen e punës arsimore, shkencore dhe artistike në Vlorë, i përzemërt dhe i devotshëm në realizimin e projekteve të Pemës së gjelbër dhe të shëndoshë të krijimit në qytet. Dashamirësia jote, ndjenja e sakrificës, solidarësia dhe besnikëria, ishin virtyte morale tuajat, si njeri modest dhe i dashur. Puna këmbëngulëse në procesin kompleks të studimit, përgjegjësia intelektuale, guximi dhe talenti krijues, si dhe objektiviteti shkencor të shquajnë, miku ynë, në kuadër të brezit të krijuesve dhe studiuesve që kanë merita për zhvillimin dhe pasurimin e kritikës së artit, didaktikës dhe pikturës në veçanti, patjetër dhe shkencës bashkëkohore në përgjithësi. Ilmi Bani – Është lindur më 1942 [15. 09. 1942] në Vlorë, nga nënë Sania, bijë nga Kafaraj, matanë Vjosës, e cila rrojti rreth 70 vjeçe, duke i rritur dy jetimët Ilmiun, dritën e syrit dhe Buqen, vajzën e vetme, me sakrifica e me nder, me punë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme në Ndërmarrjen Ushqimore të Vlorës, ku la një emër të respektuar. Babai i Ilmiut, Rexhep Bani atë pranverë të ’44 – ës “këndonte duke rënkuar për lirinë/ dhe kur në ferr të Mathauzenit e flakën, se shumë nuk u kthyen tok me të. Ata që u kthyen qenë me kokrra…e kujtimi i Babait, dëshmor Lirie mbeti për Ilmiun tonë Përshpirtje për Ëndrrën. Ilmiu u martua me Viton nga Tragjasi me origjinë, mësuese, njërën nga të bijat e Kamber Xhulevit, emër i njohur i arsimit të Vlorë, i cili është i biri i Patriotit Xhafer Xhulevi, sekretari besnik i Ismail Qemalit. Ilmiu me Viton lindën dy fëmijë: një djalë, Blendin, arkitekt, i cili është martuar me Almën, inxhiniere nga fisi Thomai, i nderuar në Elbasan, si dhe një vajzë, Bojkenën, arkitekte, e fejuar me ing. Elton Lala, në Sarandë. Blendi dhe Alma kanë dy fëmijë, Entonin dhe Irsën. Irsës së vogël do t’i mungojë gjyshi më i mirë në botë! Familjarisht Ilmiu jetoi e punoi në Vlorë. E aksidentuan tragjikisht më 13 gusht 2014, rreth orës 20. 30’ – 21.00 në Skelë, Vlorë , gjatë ditëve të ekspozitës “Vlora në Telajo”, me 500 piktura nga 60 artistë të peizazhit, mbylli sytë më 23 shtator, ora 10.00 në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce, Itali dhe sot, këtë të enjte të datës 2 tetor kur merr dhè, dhe ky dhè i qoftë i ëmbël, se për ëmbëlsi e mirësi të jetës jetoi e krijoi…U diplomua në Insitutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më vitin 1974 kryen kursin mbas universitar për teori dhe kritik arti. Ka punuar mësues i lëndëve: Vizatim, Pikturë dhe Teori Arti në Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”, në disa shkolla tetëvjeçare dhe në Fakultetin e Edukimit të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Mbahet mend si një nga themeluesit e LSHA të Vlorës dhe për një kohë të gjatë, deri sa mbylli sytë, kryetar i LSHA, Vlorë. Para viteve ’90 të shekullit të kaluar ka botuar në organet e shtypit letraro – artistik dhe politik të kohës në fushën e arteve figuartive. Ka fituar dy çmime kombëtare (të I dhe të II) në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor (të I) të revistës “Nëntori”. Më vitin 2007 botoi librin monografik “Përtej mjegullës”, biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos, që është vlerësuar si një libër i vyer për pionierin e Shkollës së Pikturës vlonjate. Mbas këtij botimi përgatiti librin “Didaktika e Edukimit Figurativ” tekst mësimor për shkollat e mesme, 2010, si dhe librin studimor “Lira udhëheq popullin dhe Delakrua [Delacroix, Eugène], 2012, për të cilin punoi nga viti 2009 – 2012, dhe përsëri iu kthye për përpunim sa më mirë shkencor. Tabloja “Lira udhëheq popullin” – më thoshte shpesh profesor Bani – e bëri romantikun KAMPION TË ARTIT TË RI”. Përgatiti dhe punim serioz tepër të guximshëm dhe interesant për artin e Da vinçit “Buzëqeshja e Monalizës dhe sfumatura Leonariane”. Të gjitha këto punime të vlerta janë në komjuterin tim. Ilmi, për gati 10 vjet ishim dhe punuam bashkë në LSHA, Vlorë për zbukurimin e jetës letraro- artistike në qytet, me ty, si Kryetar të Lidhjes. Ti u ndave përgjithmonë prej nesh duke na lënë veprën tënde të bukur, të mençur e fisnike dhe kujtime të paharruara. Do të jesh midis nesh dhe do të komunikosh me bashkëkohësit e brezat që do të vijnë. Jeta dhe vepra jote kanë sfiduar vdekjen. Kujtimi për njeriun e dashur dhe artistin e dalluar do të mbetet gjithmonë i paharruar . të jetë i paharruar kujtimi yt, miku im, siç ka qenë e nderuar vepra dhe emri yt. Miku im i vërtetë, qofsh i paharruar e dritë të bëftë emri! Të qoftë i lehtë dheu! Në kujtim të emrit të Ilmi Banit, ju ftoj të mbajmë 1’ heshtje nderimi.
P.s. Fjala e mbajtur me rastin e varrimit të piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, e enjte, më 2 tetor 2014,ora 14, në banesën e fundit, Babicë, Vlorë, nga Albert Habazaj, Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë.
Situata pikturore. Punë intensive, telajo të shumta peizazhesh, larmi situatash koloristike, penel herë i shkathët, herë herë i qetë, konstruktiv, dritë e bollshme, etyde edhe në tepër variacione të ndryshme të ditës, agim, mesditë, perëndim, muzg etj. Kjo është prurja gjatë 2- 3 muajve të fundit nga organizimet e grupuara të piktorëve në Vlorë dhe shumë vende të tjera përreth, si Himarë, Kuç etj. Një studio e mbushur plot dhe papritmas gjithshka ndërpritet nga një lajm i zi: Ilmi Bani aksidentalisht largohet nga kjo jetë!
Jeta. I lindur në Vlorë më 15. 09. 1942 nga prindër të varfër, në moshën 1 vjeçare mbetet jetim. Këtu fillon stërmundimi i nënës Sanie për të rritur dy fëmijët…Në vitet e para të shkollës lind dhe dëshira për të vizatuar…Më pas ndjek kursin e pikturës, si shumë djem të talentuar me piktorin e palodhur, plot dëshirë e passion, themeluesin e pikturës në Vlorë, Vasil Talo. Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, student në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vitin 1967 diplomohet. Ilmi Bani i përket brezit të piktorëve të fundit të viteve ’60, një grupi piktorësh në Vlorë, të cilët bënë emër me krijimet e tyre në Shqipëri. Mësuesi. Shtator 1967, Ilmiu fillon punës si mësues vizatimi për 2 dekada në disa shkolla të qytetit. Punon disa vjet në krye të Seksionit të Kulturës. Kryen një kurs pasuniversitar për kritik arti. Në vitin 1983 emërohet arsimtar në Shkollën Artistike “Naim Frashëri”. Modest, komunikues, i çiltër, plot humor, i apasionuar në punë, liberal në koncepte – ky ishte Ilmiu në marrëdhënie me kolegët. Në vitin 1998 emërohet drejtor i shkollës, shpaloset përpara nesh, kolegëve artisti vizionar, organizator me mendim të qartë perspektiv, këmbëngulës me kulturë dhe edukatë, cilësi këto që i manifestoi kudo ku drejtoi. Krijuesi artist. Në thesarin e pikturës vlonjate, Ilmi Bani ka vendin e tij të veçantë dhe shumë të merituar. Punëtor e i palodhur krijimet e tij janë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare, në Galerinë dhe Muzeun Historik, Vlorë, në Gjirokastër etj. Krijimtaria e tij prek të gjitha zhanret, por i parapëlqyer mbetet kompozimi, biles në këto vite të vështira për piktorët, ku shumë ju përshtatën edhe tregut, Ilmiu nuk e la mënjanë kompozimin. Këmbëngulës në kërkimin e gjetjes artistike, konsekuent i idesë së tij, ai nuk heziton që mbasi e ka mbaruar tablonë ta fshijë dhe ta rinisë edhe një herë, por këtë radhë me më shumë dinamikë, përmirëson elementët artistikë, kolorin, shpërndrjen grafike etj., siç ndodhi me tablonë e titulluar “28 Nëntori”, por edhe herë të tjera. Në vendin tonë, deri në vitet ’70, nuk ishte praktikuar puna në grup në piktura; e kundërta ndodhte në skulpturë, me grupin Paskali, Mano, Paço, por vazhdonte edhe me grupin tjetër të suksesshëm Dhrami, Rama dhe Hadëri. Tentativa e parë në pikturë ndodhi në Vlorë. Shtypi i kohës, kritika e vlerësoi tablonë kompozicionale me dimensione të mëdha të paraqitur me rastin e Ekspozitës së 30 vjetorit të Çlirimit, të grupit të piktorëve Ilmi Bani, Skënder Milori dhe Nestor Jonuzi. Lirizmi, delikatesa, koloriti plot dritë, dashuria për jetën karakterizon tablonë e kompozuar vertikalisht “Nëna e ve”. Ilmi Bani është fitues edhe i çmimeve kombëtare në pikturë gjatë konkurseve të ndryshme. Ide filozofike trajton në kompozime me dimensione të vogla por të fuqishme në përgjithësimin e temës, gjetjes kompozicionale e përgjithësimin artistik të idesë; kemi parasysh titujt si “Mbijetesa”, “Zanafilla e jetës”. “Vjeshta”, ekspozuar në Berat, në Galerinë “E. Lear” ishte një kompozim i vogël me një femër, ekzekutuar me lirshmëri, bukur dhe shumë i freskët. Në këto vite të trazuara dhe të hallakatura, të bie në sy se Bani mbeti besnik i formimit dhe i individualitetit të tij artistik, duke mos bërë plagjiatura. Brenda studios ka piktura për popullin, por ka edhe “Krijime artistike kontemporane”, si u thoshte ai punimeve bashkëkohore. Portreti një zhanër që piktori nuk e la pa e prekur, e ndër vite realizoi shumë, të njerëzve të dashur, të personaliteteve të letrave, të patriotëve etj. “Fishta” është një nga këto, portret shumë i bukur me një dritë të brendshme vezulluese. Në disa kompozime për I. Qemalin, Plaku i Vlorës, herë i ulur, herë në këmbë, në situate të ndryshme koloristike dhe grafike paraqitet me një kolorit dhe plastikë të ngrohtë, natyrshëm, i qetë dhe shumë fisnik. Por, padyshim, portreti i kompozuar “Nëna” është një nga veprat më të bukura të realizuara, ku përveç kompozimit impozant të figurës, qëndrimit artistik, organizimit grafik, drita përqëndrohet vetëm te portreti. Përmes ekzekutimit të lirshëm të një plastike shumë të ndjerë, një koloriti të kursyer, kompozimi mbyllet tek dy duart e kryqëzuara në hije, një individualizim i përkryer, që sugjeron gjithë dashurinë dhe respektin e piktorit për nënën e tij. Janë të panumërta peizazhet, natyrat e qeta të realizuara e natyrisht në këtë shkrim homazh nuk mund të përmenden të gjitha. Mjeshtëria e këtij piktori modest por të fuqishëm duket edhe në një teknikë tjetër të artit figurative, në akuarel. Në studio ka shumë akuarele të realizuara ndër vite, të paekspozuara: portrete, peizazhe, natyra të qeta, teknikisht të përkryera. Ilmi Bani shpalosi vetvetiu dimensionin e tij human, intelektual, erudicionin, shpirtin e tij artistik edhe një një fushë tjetër, atë të mendimit estetik të kritikës artistike me shumë artikuj për ekspozita kolektive dhe personale për kolegë, studime të ndryshme për probleme të artit, tablo kompozicionale etj. Kohë më parë, piktori na njohu me një studim akoma në proces për tablonë “Liria në barrikadë” të Delakruasë, për tendencën artistike, filozofinë e kohës, por mbi të gjitha, për afeksionin e tij personal për artin Grek, që lidhet me figurën symbol në qendër të kësaj kryevepre të pikturës botërore. Vlen të veçojmë studimin e tij: “Kërkime për kolorin, linjën, karakterin dhe detajet” për ekspozitën e piktorit Skënder Milori, një punim i plotë, i thellë, me kompetencë profesionale. Si asnjë piktor vlonjat i brezit të tij, Ilmi Bani tregoi një cilësi tjetër të karakterit: Mirënjohjen. Mirënjohës për punën e palodhur të mësuesit të tij, por edhe për vlerën si piktor, ai realizoi monografinë e letrarizuar “Përtej Mjegullës”, kushtuar Vasil Talos. Ky libër me nivel të lartë artistik, është shkruar me dashuri dhe vërtetësi, me ndershmëri profesionale dhe, ndërkohë, është i vetmi libër deri më sot në Shqipëri, ku një piktor shkruan për mësuesin e tij të artit të ngjyrave.
KUJTESA SOCIALE DHE KULTURA E SHKRIMIT…
…për Luftën e Vlorës, 1920 në optikën bashkëkohore/
Pamje e përgjithshme shqiptare e periudhës së 1920- ës nga syri i shkrimit europian/
Shkruan: MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Janë mbi 45 studiues që janë marrë instensivisht qysh atëherë, që e vrojtonin dhe e shkruanin Shqipërinë me lentet e tyre kulturore. Mund të përmendim (sipas rendit alfabetik) studiues të tillë si: Baldacci, Bouè, Brailaford, Callan, Chumckv, Cozem – Hardv, Cozzi, Cvijic, Degradd, Dumont, Edlinger, Eliot e deri tek Nvoni, Windish,Wirthi etj, të cilët i japin edhe virtytet, edhe veset e shqiptarëve. Mis Durham thotë se të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë muhamedanë, as të krishterë: feja për ta është një formë e jashtëzakonshme, diçka fare formale. Kanë rregull të madh për mbledhjet. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Ndodh, thotë, që pas vrasjes iu vjen keq për plumbin…Njw tjetwr studiues, Woods, bën këtë portret: “Shqiptari është i egër, luftarak, tolerant në çështje fetare, i pabindur por besnik dhe i ndershëm”.
Etnografi, gjeologu dhe paleontologu hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa: 1877 – 1933) ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë v. 1903 – 1922 dhe për herë të parë përdori metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të Mesdheut dhe të Azisë së Afërme dhe ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Duke folur për karakterin e shqiptarëve Baroni Nopça, qysh në fillim të studimit kërkimor shkencor në Shqipëri, thekson se, për të asgjë nuk është më e zorshme se sa të njohë një i huaj thelbin e karakterit të një populli dhe “asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes se sa ta përshkruajë atë pastaj në mënyrë objektive dhe siç ndodh realiteti” .
Nga natyra shqiptarët e asaj kohe janë cilësuar si krenarë, luftarakë, gjaknxehtë, sensibël, me moral shoqëror, sidomos në lidhje me femrat qëndron shumë lart, që bëjnë shumë shpenzime për mikpritje dhe festa. Por Jastrebovi thotë sikur mikpritjen shqiptarët e kanë dogmë, sikur kanë prirje për t’i zmadhuar gjërat, sikur janë dinakë, gënjeshtarë dhe hipokritë, sikur janë armiq të këshillave të mira, idololatër të një nderi të gabuar, nuk durojnë cënimin botërisht të gjërave të shenjta. Ippen bën një prerje horizontale ndër shaljanë dhe quan kapadainj, që tëdobëtin e përdorin keq, pse nuk merren me grabitje, po kështu banorët e Nikaj – Mërturit. Seksualitetin as që e njohin. Jarav gjen që shqiptarët janë luftëdashës, të prapambetur, kanë inisiativë, janë të guximshëm dhe kundër çdo lloj autoriteti. I quan partikularistë, të cilët fillojnë të dyshojnë sa herë kërcënohen të drejtat e tyre. Studimi i punimeve që ata kanë lënë për vendin tonë është ndoshta një mozaik kompleks për ne, ku shfaqen metaforikishtbanorët e tokës dhe qiellit shqiptar me të gjitha ngyrat e ylberit. Me shumë prej mendimeve të tyre nuk mund të jemi dakort, por ato janë “rekorde” të regjistruara në Kujtesën e Shkrimit të Botës dhe janë, ndërkohë, për studimet tona e të tjerëve, të huaj apo vendas, referenca se si na shikojnë ne të tjerët, ngaqë mungon ajo edhe ajo ndarja e famshme që na ka pëlqyer, që si historinë, si këngën ta reduktojmë në një ndarje kaq binare (bardhë e zi). Shumë nga udhëtarët, studimet e të cilëve kemi lexuar, janë objektivë në shënimet e vlerësimet e tyre, pavarësisht se diku, ku ata na mburrin, ne krenarohemi e na ngrihen veshët dhe diku, siç dhe perifrazuam grimca, ku ata na shajnë (më saktë, jo na shajnë, por na nxijnë portretin, ndoshta ashtu paska qenë) ne mërzitemi, ulim kokën, ulim veshët dhe fillon të pllenohet urrejtja për ta në psikën dhe shpirtin tonë. Për informacionet e të huajve, që sipërpërmendëm, i shikojmë me lente kulturore për të parë më mirë, për çka na shërbejnë në funksion të Njëzetës. Hecquard nënvizon se, në rast lufte, në Shqipërinë e Veriut, çdo shtëpi pajiste një burrë, pavarësisht nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të shtëpisë.
Ndërkohë historiografia dhe kujtesa sociale e LV njofton se në Beun, më 1920 u mblodhën nga çdo fshat shtëpi e burrë e burrë e pushkë. Merr dimensione të reja informacioni historik dhe folklorik që na vjen për atë ngjarje, se në LV ndihmuan, biles morën pjesë edhe gratë. Kur flet për sjellje e zakone të shqiptarëve, kur shkruan për Shqipërinë, sakrifikuar për interesat e Europës, Ismail Qemali thekson: “Tre objektet kryesore të përkushtimit të shqiptarëve janë: nderi i tij, familja e tij dhe atdheu. Ai preferon vdekjen përpara një çnderimi që nuk është larë”. Nga të pashkruarat dhe të pathënat për Njëzetën, edhe sot e kësaj dite, në Vlorë, nga më moshatarët që rrojnë akoma dhe që kanë një kujtesë të admirueshme, mund ta shprehim mendimin sipas tyre se “Njëzeta qe një luftë që çeli e shpërtheu nga rubineti i çesmës morale. E vërteta është se italianët bënë punë e ndërtuan goxha në qytet. Çuan rrugë deri në mal të Çikës. Për interesa të tyre, patjetër, por edhe nevej mirë na bënej. Kishim interesin tonë, se po zhvillonej vëndi. Këtë e dinin dhe e shihnin të gjithë. Këtë e shohni dhe ju sot. Se, ja, fjala vjen, godinën ku është Bashkia e Vlorës dhe Qarku e ka bërë italiani. Po ku qëndron problemi? Këtu ndryshon puna, se ata e shkelën në kallo shqiptarin, vlonjatin, labin. Ulën krenarinë e shqiptarit, e prekën atje ku s’mba më, e cenuan në moral, (mos qesh), i prekën nderin, gjënë më të shenjtë. Të futemi në kohë, more bir, e të flasim. Në atë kohë kishte tradita të mira që ishin ligj i pashkruar për njerëzinë. Ajo psikologji e kulturë zotëronte mënyrën e jetesës, zakonet tona, sjelljet, fejesat, martesat, vdekjet, këngët që keshëm, të gjitha çar’ bënim. Kështu duhen parë gjërat e gjykojmë kollaj pastaj. Kur flasim për dje, do gjykojmë me atë mendje; kur flasim për sot, kemi të tjera kondita e raporte, tjetër psikologji dhe edukatë më të avancuar. Sipas vëndit, kuvëndi, e more vesh djalo?! . Logjika e bisedës, nga e cila shkëputëm këtë paragraf, që mendojmë se përfaqëson jo vetëm mendësinë e tyre, por mentalitetin e kohës të komunitetit vlonjat, na dikton të gjykojmë se, jo gjithmonë diversiteti kulturor prodhon gjëra të mira, të bukura dhe të dobishme. Në atë kohë shqiptarët ishin konservatorë, italianët me frymë liberale. Ai sfond psikologjik nxorri në pah, me një reliev dhe efekt të mahnitshëm, ngjarjet e asaj vere të vitit 1920. Fjala e vjetër “shqiptari për një nder rron” ndezi sedrën e banorëve, të kryefamiljarëve, të burrave të shtëpisë, të mëhallës, të fisit, të lagjes, të fshatit, të krahinëzës, krahinës, parësisë, burrave të kazasë, se kështu klasifikoheshin në atë kohë burrat, sipas hierarkisë trimërore – morale e atdhetare. Për cenimin në nder, krisi pushka. Vendasit nuk u treguan miqësorë me ata që nuk erdhën si të tillë. Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, që prishi “kavalierllëkun” e atyre që e quanin se s’kishte ndonjë problem të kullosje në kopsht të tjetrit, në “baçe” të botës… Kjo është logjika e funksionimit të gjërave, nga e cila shpërtheu ndjenja e kolektivitetit për t’u bashkuar si një trup i vetëm, deri sa të vihej nderi në vend. Kjo logjikë dhe praktikë e drejtë luftarake bëri që të lindte dhe të forcohej edhe ndjenja e solidaritetit me LV. Ndërsa optikën e ndriçimit të historisë së LV e kemi nga profesori ynë i nderuar Muin Çami, gjykojmë të paraqesim dhe të interpretojmë, për herë të parë, edhe një autor tjetër të huaj, vepra e të cilit (ku përfshihen dhe shënimet e tij për LV) nuk ka qenë e njohur për ne më parë, sepse vonë është botuar në gjuhën shqipe.
Në vitet ’20 sistemi arsimor në Shqipëri ishte shumë i kufizuar. S’kishte program ndërkombëtar ndihmash, vetëm lakmi e interes shfrytëzimi.
Miranda Vickers është një analiste e ngjarjeve bashkëkohore, e cila, ndër botimet e tjera, ka botuar edhe librin “Shqiptarët – një histori moderne” (“THE ALBANIANS A Modern History”). Ç’ka e bën më interesant këtë monografi, është edhe detajimi i qartë i sjelljes së qeverive perëndimore me fatet e Shqipërisë, me një informacion të jashtëzakonshëm e koherent edhe për mënyrën se si u copëtua territori shqiptar (fushë e pa eksploruar apo e papublikuar deri në fund, asnjëherë deri më sot nga studiuesit e nivelit akademik, shqiptarë apo të huaj.
Autorja na sjell një histori marramendëse të Shqipërisë, edhe për atë periudhë kohore, (që kemi në fokusim të kësaj kumtese), pa lënë mënjanë edhe përçarjet e mëdha të vetë Shqiptarëve brenda për brenda . Tekstin e lexojmë në këtë formë: Në vitet ’20 sistemi arsimor në vend ishte tejet i kufizuar. Gjithashtu, nuk kishtendonjë program program ndërkombëtar ndihmash me asistencë ekonomike dhe teknike për Shqipërinë, për të vcilat ajo kishte nevojë të modernizohej e zhvillohej.“Prandaj edhe vendi ishte detyruar të mbështetej në ndihmën që jepnin në forma të ndryshme agjenci dhe individë filantropë”.
Ka gjasa që, pa mohuar kurrë fajet dhe përgjegjësitë e fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha, që dominuan 20 vjeçarin e parë të shek. XX, kemi vërejtur se ne, shqiptarët e kemi më kollaj t’ja lëmë tjetrit dopio gjashtën, t’ja ngarkojmë gjithë barrën e përgjegjësive të huajve e për vete dalim të larë, s’kemi asnjë faj, por vihemi në radhë për t’u shpallur njëri më hero se tjetri. Dhe kemi këtë interpretim: Ndoshta është ravijëzuar, fatkeqësisht në skenën e asaj kohe edhe një element negativ, siç ishte mercenarizmi i kollajshëm i disave, siç thonë banorët. Po seç m’u kujtua një fjalë e vjetër, që aplikohet edhe sot e kësaj dite në viset jugore të vendit, që thotë: “O balo të hëngërt tënja/ se e ke të keqen brenda”, te vetvetja pra, te bashkësia jonë. Ky fakt dhe libri i Vickersit na nxjerrin në evidencë një problem lokal (lokaliteti shtrihet nga Preveza e Janina, nga Sazani e Gjirokastra, nga Vlora e Prishtina, nga Labëria e Drenica, nga Skrapari e Berati, nga Tirana e Dibra, nga Shkodra e Hasi, nga Tuzi e Plava, nga Peja e Gjilani, nga Ulqini e Mitrovica…). Shqetësimin na e shkakton një virus i rrezikshëm i tërbimit kulturor që quhet “INDUSTRIA E DEKORATAVE”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 19
- Next Page »