• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MËNYRË TJETËR PËR TË THËNË TË VËRTETËN

March 1, 2014 by dgreca

 nga Albert HABAZAJ/

Fillimisht nuk më shkaktoi ndonjë ndjenjë të këndshme titulli i këtij libri “Revolucion” për vetë faktin se më ngjau si ato shprehjet tradicionalisht të lodhura dhe thashë me vete: “Po kjo Ermelinda, çupë e re, gocë qyteti, vajzë me kulturë…, si nuk gjeti një titull të bukur, një metaforë të gjallë për këtë libër, se që librin e parë të saj, që më dhuroi i ati Pëllumbi, miku im, e pati realizuar goxha mirë “. Por qysh në poezinë e parë vërejta se Ermelinda kishte të drejtë, sepse ndjeva që varg pas vargu e vjershë pas vjershe po rritej një urugan pështjellimi ndaj venitjes së vlerave e virtyteve të kulluara njerëzore, që kanë ardhur brez pas brezi si margaritarë të shoqërisë, të ruajtura e të pasuruara për ta bërë më të bukur jetën, duke e vlerësuar si gjënë më të shtrenjtë dashurinë e pastër dhe fisnikërinë e familjes. Sidomos poezia “Etër të përdalë” më bindi plotësisht se titulli i shkonte përshtat pëmbajtjes së materialit që më dha për redaktim autorja. Në këtë kohë të kalbur, kërkohet plugim në mentalitet, në sjellje, në sjellje, në veprim, në edukimin estetik e artistik, sepse jemi Njerëz. Dhe NJERIU visaret më të çmuara në jetë ka Emrin dhe Nderin. Dhe për këtë synim të lartë, si me frymëzim hyjnor jep mesazhet e saj Ermelinda Nebiu për të bërë gati një revolucion biblik.Po i jap që në krye lexuesit një klithmë rrëqethëse të kohës nga pena e autores së re me të nesërme letrare, E. Nebiu: “Etër të përdalë!

Ku jeni ju, fëmijë nënash? / Ju tradhëtarë,/ Që Emrin dhe Nderin e përfolët si të ulët!/ Mallkuar qofshi ju, etër epshndjellës!/ Ju, mëkatarë trutharë,/ Që kurrë s’do të keni sy për të parë!/ Mallkuar qofshi të gjithë ju, etër,/ Që zemrave të njëjtin emër i vutë!/ Ju s’keni as gjak, as lavdi, as nder/ Por veç helm, që lëndojnë shumë./ Përdalësinë, përkatësinë e rreme/  Ditët ta zbukuronit plot nur./ Në këtë botë të ndyrë e të përmjerme,/ Etër të etur ka ca si shumë.” Kjo vajzë e thjeshtë Vlore ka marrë jo penën, por vërtet levën e Arkimedit dhe i thotë shoqërisë: Shkundu! ” Etër të përdalë” është një vjershë tronditëse, por fatkeqësisht plazmë e hidhur e realitetit, që lëviz nga themelet njerëzimin, apo të paktën këtë mikrokozmos njerëzor që ne njohim dhe autorja e rrok artistikisht si një bulëz migjeniane. Me një varg larg folkorizmit të vjetër dhe artificializmave, embrioni poetik i Ermelindës çeli zërin individualist të protestës së sotme, të zhgënjyerën dinjitoze, që nuk bën poezi për moral, por MORALIN e ngre në art, sepse ka forcë depërtuese sa që pastaj ka shpresë e del mbi natyrën pesimiste depresive, të diktuar nga rrethanat e kohës së kalbur me liliputët e saj të shpërfytyruar nga viruset e skamjes morale. Ajo lëshon kushtrimin qytetar tepër e shqetësuar:” O njerëz, o bij nënash, o etër, o meshkuj të pështirë! Mblidhni mendtë e kokës e mos e shkatërroni këtë begati të shëndetshme që quhet FAMILJE”! Në këtë shoqëri njerëzore, ku familja ka qenë, është e duhet të jetë bekimi i jetës së qetë e të lumtur dhe burimi i energjive të pastra, autorja me neveri këlthet djemve të nënave, që prishën familjen, venitën shoqërinë, saqë e thanë jetën si një gjethe të kalbur vjeshte.“Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur s’ më kanë mbetur?” nga tradhëtia e pabesë.  Revoltimi i autores është ngritur dhe artistikisht në nivel, kështu që bëhet më shpotitës, më civil, më papajtues dhe bën efekt tek lexuesi. Për mirësinë njerëzore ajo flet me erën, me retë, me diellin, bën aleancë qiellore për të mos guxuar askush të bëjë biznes me zemrat.Ajo shkund shpirtin e prishur të njeriut dhe i drejtohet pjesës lakmitare të gjinisë mashkullore,  me dinjitetin e virtytshëm të femrës shqiptare si motër, si vajzë, si shoqe- atyre bijve të nënave, meshkujve, burrave (që kuptohen se janë të tillë jo nga vlerat shpirtërore e morale, por thjesht nga seksi).Ajo ka një logjikë të fortë dhe argumenton bindshëm me pak fjalë mendime të mëdha, të forta, të qartë, konkretë, të dobishëm, të guximshëm. Shprehjet lakonike dhe të figurshme ilustrojnë botën e brendshme të autores: të pasur, të pastër, të shëndetshme, që nuk pranon të bëhet pis nga soji i lyrashëve zuzarë. Ajo me vargjet e saj i shkul veset e tyre si krisjet në arë. Ajo s’ kërkon as fytyrë, as shpirt dhe as gjak fals. Forca e abstraksionit ngjizet me këtë realitet  harbutërisht tallazitës dhe mendimi krijues vezullon kthjellët, sa që ” Kafshatën e thartë kapërdiva me dhembje“- vjen si një ofshamë migjeniane në trajtë të re, kur ajo shikon lakuriqësitë e ëndrrave, kur poshtërsia përdhunon realitetin, kur zjarr i zhveshur nga të tjerë vjen si ngadhënjim i çliruar ligësie. Të flas nuk dua/ për një askush pa emër/ që e humbët kur e donit/ Të zbuloj dua një askush të humbur. Me shigjetën e mprehtë të vargut të ri poetja vlonjate fshikullon kopenë demode maskiliste, që rrezikon të shndërrohet shoqërisht e dëmshme dhe logjikisht e papranueshme. Dhe autorja e enjtur rend pas buzëqeshjeve, pa fjalë si ushtarë të paepur,kur siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të trishtë, kur tradhëtohen kaltërsitë e grisen mijëra herë,s’ka kthim tek ti, se thyhet dashuria, s’ka as rrugë, as pema s’mbin më. Mëshiron autorja dhe përsëri shumë denjësisht. Ajo pothuaj  shprehet:” Nuk vij tek ti, por do të kërkoj një kishë ku të falem për ty, se je një lamash që s’di se ç’bën!”. Përsëri ajo ka guximin qytetar ta imponojë me virtytet e larta që mbart atë, të cilit i besoi, por që ai s’ e meritoi, sepse  u katandis në një frymor që e rrëmbeu vesi në pellgaçet me zhul. Ajo e imponon robin e vesit: “ Të nderosh ndjenjat e mia- hesht/ të mos bëhem pis nga fjalët e ndyra, o mbret i zemërimit!”. Është një fjalë e vjetër persiane:” Humbe paranë-s´ke humbur asgjë. Humbe shëndetin- ke humbur diçka. Humbe dinjitetin- ke humbur gjithshka”.  Ermelinda Nebiu  dinjitetin e ka frymën, shpirtin, pasqyrën dhe të vërtetën jetësore, duke u bërë një model i ri shembullor qytetarie,  natyrshëm dhe simbol i ri i karakterit të vajzës së sotme vlonjate. Në këtë libër të vogël në volum, por të mirë në realizim gjejmë dhe sentenca si “ Realitetin e urrej/ por urejtjen s’e çmoj” apo dhe fjalëformime si fundëron:” fundëron ndjenjat e mia “. Ndihet vargu modern, solemniteti i fuqisë artistike të autores. E enjtur rend pas buzëqeshjeve. Siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të  trishtë, se është faji i dhembjes që  forcë s’ka, thotë shumë e sinqertë në vjershat e saj poetja e re nga Vlora, një talent premtues sikurse Alisa Velaj e pak të tjera, që po të punojnë mund të përfaqësojnë poezinë moderne nesër. Libri “Revolucion” është vëllimi i dytë me poezi i Ermelinda Nebiut dhe ngjyrat befasuese që poetesha e re ka zgjedhur për të pasqyruar kozmosin e saj jetësor janë tejet emocionuese e tronditëse. Lexuesi shtanget qysh në fillim, sapo hedh një vështrim nga dritarja artistike e Ermelindës, sepse ajo e sheh botën me një sy tjetër, të freskët, duke hedhur poshtë apo shpërfillur shumë nocione apo paragjykime të pranuara jo vetëm nga një shumicë qytetare por edhe nga mjaft librabërës. Tek kjo autore e re e me kulturë vërej rikthimin me elegancë te letërsia dhe mishërimin e shprehjes që theksonte Kassireri (Cassirer): “ Njeriu prej kohësh nuk jeton vetëm në botën fizike, ai jeton edhe në një farë bote simbolike”.  Autorja e re është në rezonancë me kërkesat e reja, kërkon dimensione të reja, ekzistenca yjësish, duke u bërë grimcë dhe valë e pluhurit kozmit të krijimit.   “Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur më s’ më kanë mbetur? – shkruan autorja- se “Gjithësia luan me lotët ” e bën të kthejë në gllënjkë me ëndrra dhe përsëri beson se mbi fletët e bardha ka një  qenie plot botë!  Vargu i Ermelindës ka dritë, ka muzikalitet, ka ngjyra, horizont e botë. Ka ritëm të brendshëm në vargjet e saj,. Ka poezi të bukura si “Hirësi e marrë”,”Love+”, “Poshtërsi”,”Etër të përdalë”,” Lodhje”,”Revolucion”,”Aleanca qiellore” etj. Kur ajo mërzitet harron të psherëtijë, ende më poshtë zbret në mbretërinë e heshtjes, fjalorin tres, thotë dhe regjistron jo lehtë me dëshpërim në kujtësën e shkruar mendimin e sintetizuar, të shtrydhur si musht, për ta fisnikëruar këtë jetë nga kjo palo kohë e kalbur. Lumturia shkon si dhe unë-  konkludon autorja në një poezi, ndërsa mua mu kujtua një shprehje e  poetit nobelist Janis Ricos “…ndjenja, mendimi , fjala, lidhen në një bashkim monolit të pathyer ”. Mu kujtua, si duket, nga që edhe Ermelinda ka ditur ta respektojë këtë pirosti magjike të artit. Arrij në këtë përfundim sepse vargu i saj lëviz, është në veprim, ka ngyrë, ka erë, ka terren, ka fenomene, ka hapësirë e të gjitha këto jo të ngjyera me art, por dalin nga bërthama e artit të fjalës.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, NJË MËNYRË TJETËR PËR, TË THËNË TË, VËRTETËN

ALI ASLLANI, PASQYRA E NJË KOHE TË TRAZUAR

February 25, 2014 by dgreca

nga Albert HABAZAJ /studiues*/

Politikani. Ali Asllani u shkollua në Vlorë, Janinë dhe Stamboll. Pas studimeve të larta në Stamboll, u dërgua të kryente stazhin në prefekturën e Janinës. Më 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910, pas internimit, u kthye në Stamboll. Nga fundi i vitit 1912, u emërua nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës. Pasi mori lajmin e ngritjes së flamurit në Vlorë, u kthye në vendlindje. Ismail Qemali i besoi detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, si dhe të këshilltarit të kryeministrit.  Gjatë kësaj kohe, kryen edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës. Shoqëria “Përlindja kombëtare”, gjatë Luftës së 1920 – ës, e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, kurse Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  e zgjodhi kryetar të “Katundarisë së Vlorës”. Në vitet tridhjetë Ali Asllani përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë vendit si konsull në Trieste dhe ambasador në Sofie e në Athinë.

Mund të pohohet, se periudha e Rilindjes është dhe djepi ku u përkund Ali Asllani. Qëllimi politik i lëvizjes kombëtare – pavarësia, ishte arritur dhe shqipja qe bërë gjuhë zyrtare. Intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Këtë e dëshmon krijimtaria e tre poetëve: Çajupi në Egjipt, Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.

Portreti poetik i Ali Asllanit nuk u mjaftua vetëm me mallin romantik të poetëve të mëparshëm. Në poezitë patriotike, si “Ç’do të thotë patriot?”, “Gjoni”, “Dëshpërim dhe shpresë”, “Buza ime kur do qeshë?”, “Do na bënet Shqipëria?”, “Sazani”, “Ismail Qemali”, “Unë dhe bota”, e sidomos vjersha e famshme “Vlora, Vlora!”, “Ah ky vend …” etj., të realizuara gjatë viteve 1916 – 1924, tok me idealizmin romantik kombëtar, dallohen  dhe ngjyrat shqetësuese qytetare të krijuesit. Poezia “Vlora – Vlora” u bë himn e kushtrim në luftën për dëbimin e pushtuesit. Kur preken interesat e Atdheut, ai del në skalionin e parë të protestës dhe shkruan: “Shtatë prill / kopilove, o kopil / e u lute, u këpute / njëqind pashë në dhé u fute!”.

Poeti patriot. Tema atdhetare në poezinë e Ali Asllanit pati dy kulme: Ciklin për Luftën e Vlorës dhe poemën “Hakërrimi”. Në ciklin kushtuar Luftës së Vlorës, sundon dufi dhe sulmi ndaj armikut, lufta e përgjakshme e mbarë popullit, entusiazmi dhe heroizmi i luftëtarëve shqiptarë. Te “Hakërrimi” kanë ndryshuar situatat; s’ka më entusiazëm e dufe fitoresh mbi armikun. Poeti u vërsulet shërbëtorëve të fashizmit, “çakenjëve” që presin errësirën për të pasur “gostitë e veta”: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka / të pa bukë ju gjeti dreka, milioner’ ju zuri darka …” Ky teh i stigmatizimit të shërbëtorëve të fashizmit, futja në përmasa të mëdha e personazhit negativ të botës shqiptare, i jep dimensione të reja jo vetëm poezisë së tij, por gjithë poezisë shqiptare të kohës.

Poeti lirik.  Ky poet është zëri më i bukur lirik i kohës që jetoi, një mjeshtër i fjalës në poezitë e dashurisë. Është ky poet qejfli që i këndon aq bukur vashës, guguftusë me atë ngjyrë të llahtarshme të  dashurisë. Është ky Ali Asllan që këndon me po atë bukuri vendlindjes, fshatit Vajzë, Vlorës së mrekullive që, siç thotë autori, ka shkuar gjer në fund të botës, por “si Vlorën time s’pashë!” Dashuria për vendlindjen është sa e thjeshtë në të shprehur, aq e madhërishme në të ndjerë: “Vlorën, vetëm Vlorën/ Thelb e kam në zemër./ Ditën e kam dritë,/  Natën e kam ëndërr”.

Ndonëse, Ali Asllani ka shkruar lirika dashurie të ndjera – nënvizon prof. Aurel Plasari – ai përmendet veçanërisht për “Hanko Hallën” me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor.  “Hanko Halla” është një rrëfim plot humor në vargje, që pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat që sjell në jetë rinia e që, njëherazi, vë në lojë konservatorizmin e vet. Robert Elsie, në veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare”, shkruan: ““Hanko Halla” hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare”.  Poema rrëfimtare “Hanko Halla” shquhet për satirën e hollë dhe frymën e ngrohtë popullore: “Hedhur si lastare, hedhur si billonja; / Zonjat mu si çupa, çupat mu si zonja;/ Palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,/ Duket thanë e kuqe edhe femr’e vjetër!/ Dhe ajo që duket, ëngjëlleshë e butë,/ Në një shishe brenda dy shejtanër futë!/ Llëra lakuriq, këmba lakuriq,/ Demek, sa për mua… edhe burri vdiq!”.  Me këtë poezi kaq lirike, në kohën kur Shqipëria qe katandisur “flamur zhele –  zhele” i skamjes, varfërisë dhe injorancës, kur për shqiptarin drita e begatia e jetës qe “mollë e ndalueme”, siç thotë “uragani i ndërprerë”, Migjeni, ai duket sikur jeton në një vend dhe në një kohë tjetër nga ajo që gjejmë në veprën e Migjenit dhe të shkrimtarëve të tjerë realistë të mesit të viteve ’30.

Kjo vepër humoristike me Hankon krijoi tipin e gjyshes sonë dhe përmes kësaj poeti mishëroi kompleksin e ndjenjës e të mendimit me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, plot fytyra plastike dhe krahasime poetike. Në të gjithë poemën përshkohet një frymë stërgjyshore shqiptare, që thithet me buzën në gaz e pa keqdashje nga çdo zemër vajzërore e djaloshare.

Ali Asllani hyri në historinë e letërsisë shqiptare me një tufë poezish. Poeti nuk kërkon brumë për poezinë e tij më larg nga zemra e vet, e cila nuk rreh për askënd dhe asgjë tjetër pos për një vashë guguftu. Nuk është e papritur që lumturinë jetësore e barazon me vashën dhe para vetes nuk shtron ideal më të lartë se këtë. Pra, ai këndon për veten, për lumturinë e tij dhe vetëm ta dojë guguftuja e çdo gjë vete si mos më mirë.

Figuracioni i pasur, rimat e zgjedhura dhe organizimi i përsosur akustik i vargut të poezisë dashurore i sigurojnë asaj një vlerë të pamohueshme artistike. Natyrshmëria dhe qartësia e shprehjes, pasuria, pastërtia dhe afërsia me gjuhën e unifikuar letrare pa dyshim i mundësuan një jetë të gjatë veprës së tij. Poezia dashurore e Ali Asllanit, edhe ajo liriko – epike në përgjithësi, është si një vajzë e bukur në kohë të lulëzimit e pjekurisë së saj femërore, që s’ia shohim dot veset, sepse na verbon bukuria. Ali Asllani kuptohet dhe vlerësohet i plotë si njeri, si poet, si shtetar e diplomat, për synimet e shumanshme që i vuri vetes dhe i realizoi mjeshtrisht në kohën, në të cilën jetoi, punoi dhe shkroi, ku gjurmët  e tij të dukshme vazhdojnë të na lënë një frymë të ngrohtë.

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. 

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Ali Asllani, pasqyra e nje kohe te trazuar

FRIEDRICH DÜRREMATT DHE MESAZHE E TIJ LETRARE DHE FILOZOFIKE NË NJË PROZË BRILANTE

January 31, 2014 by dgreca

nga  MSC. Albert HABAZAJ*/ studiues/

Prozës modern  europiane i mungon një gjeni vetëm fizikisht, sepse para 23 vjetësh e ca, pikërisht më 14 dhjetor 1990 përfundoi fryma e Fridih Dyrrenmat ( Friedrich Dürrenmatt), i cili radhitet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit të pas luftës. Vendlindja e tij, Zvicra përrallore, me pena të tilla të rralla, fiton një status të ri, të lartë gjysmën e dytë të shek. XX, që e ka zili dhe e admiron tërë Planeti i Letrave.

Lindur më  5 janar 1921, me një pjekuri jetësore, filozofike dhe artistike të spikatur, Dyrrenmat na shfaqet në disa plane: si dramaturg, si shkrimtar, si piktor, si filozof, një autor i jashtëzakonshëm, një misionar i palëkundur në betejën universal të së mirës ndaj të keqes. Me një imazh shenjtori, mbetet një 69 vjeçar që plotëson njerëzit me urtësinë e tij dhe me modelin shembullor bëhet shkollë për letrarët seriozë jo vetëm të Europës Qendrore, por edhe të Ballkanit, pje jo dhe të Shqipërisë apo vlorës sonë deri në çdo kënd të kontinentit plak. Dramaturgu zvicerian eksploron suksesshëm edhe si autor tregimesh policeske me tone ironike. I joshur pas absurdit dhe groteskut, Dyrrenmati përdor në komeditë e tij të hidhura “Vizita” (1956) dhe “Fizikanët” (1962) situate dhe dialogë me humor, për të qenë më i qartë nëpërmjet tyre në mënyrë serioze, se problemet morale që ngre nuk janë për të qeshur, por për t’u dhënë zgjidhje qytetare.

Teksti i Dyrrenmatit ofron disa mundësi për të vënë në pah një dukuri të pranishme edhe në jetët tona, sepse letërsia e tij mendoj se aktualizohet me ç’ka ngjarë e ngjan ndër ne. Mesazhi i veprës së tij është i qartë: “Që njerëzit të përpiqen për jetën e tyre, t’i përkushtohen vetes, të mos shikojnë përtej, të jenë të sinqertë së pari ndaj vetvetes dhe se është e nevojshme të ketë secili përkushtimin human për njerëzit”.

Shkrimtari i dramave teatrale, me një frymëzim të pastër gëtian shfaqet në tregimet e shkurtra me një ironi kafkiane befasuese. Lessing dhe Brecht ishin artistët të cilëve u referohej; mori nga ata modelin për një denoncim të vrullshëm moral ngagroteskut, paturpësisë dhe makabritetit si plagë sociale. Dyrrenmat ishte autor i njohur i prozës, i aftë të përdorte dendur metaforat tragjike, të përdorte simbolikën fine, të përdorte edhe provokimet dramatike.( “Është e shkruar”, “Vizita e zonjës plakë”, “Një ëngjëll zbret në Babiloni” janë disa nga veprat që e bënë  të famshëm në skenat europiane dhe amerikane). Në fushën e gjerë të romanit, i çliruar nga rregullat skematike, që shpesh karakterizojnë këtë gjini, ai vetë e ka pranuar se ishte “ i prapambetur”, por me raste as ai vetë nuk ishte i ndërgjegjshëm për vlerën artistike të projekteve të tij narrative. Më shumë se tablotë ambicioze imagjinare, i rezultoi më i pëlqyeshëm një lloj i shkruari, që në dukje ishte më i lehtë: romani i verdhë e polices. Dyrrenmat, në faza të ndryshme të krijimtarisë, synoi në kufijtë e letrësisë së lartë. Herë pas here e braktiste këtë ambicie për të kaluar një kohë të lirëme pushime, duke praktikuar hobitë, thënë më shkurt, të kalonte kohën prej pensionisti. Në fakt, gjatë kësaj periudhe ka lënë një kryevepër të papërfunduar, postum, që shtëpia botuese “Casagrande di Bellinzona” e hodhi në tregun Italian para tre – katër vjetësh, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së gjeniut. Në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse skicimi i një trilleri “Fragment eisnes criminal romans”, por  sërish mbetet një nga tekstet më domethënëse dhe përfaqësuese të tij. Ka gjithshka nga Dyrrenmat në ato faqe. Aty gjen humoristin shpotitës, nihilistin e shkëlqyer, prozatorin verbues, rrëfimtarin e dorëzuar. Nuk është rastësi që përparatavolinës së punës së tij të mbuluar me hartën e ndritshme të botës, me fotografi e fletë  të plotësuara me atë shkrimin e tij kaligraik, gjendej edhe një teleskop, me të cilin shikonte yjet për orë të tëra. Qysh i vogël, i magjepsur nga tregimet brilante të ët atit, një pastor protestant, Dyrrenmat ngjitej në majë të pemëve për t’iu afruar yjeve… Dhe sot ai bën dritë të shkëlqyeshme në Yjësinë e Letrave. Në librat e tij ndeshen kriminelë e policë, përballen torturuesit dhe viktimat, sepse i biri i pastorit protestant, edhe pse deklarohej ateist, e quante Zotin si “shpikjen” më të madhe njerëzore; ishte i fiksuar pas luftës mes të mirës dhe të keqes. Plaku i malit, siç e quanin zvicerianët apo Plaku i Yjeve të Letrave, Dyrrenmati vigan e quante botën një fuçi baroti  ku nuk ndalohet duhani; vendet fasadiste si burgje, ku të burgosurit ndihen të lirë, sepse bëjnë edhe rolin e atyre që bugosin dhe nuk i trembej syri e nuk i dridhej zëri nga këto cilësime, por shpirti i tij prej artisti shpërthente pa u tutur si Liberator i Fjalës dhe i Mendimit të Lirë e të Mirë. Të marrim vetëm dramën “Vizita e zonjës plakë”, e cilaështë një dramë klasike e teatrit bashkëkohor, temat e së cilës janë ato të hidhërimit, korrupsionit, drejtësisë dhe demokracisë. E shkruar më 1956, kjo tragji – komedi e dimensioneve epike “Vizita e zonjës plakë” tregon rrëfimin e banorëve të një qyteti të shkatërruar europian, të një heroi të thyer dhe të një zonje të vjetër, e cila është kthyer në shtëpi në kërkim të hakmarrjes. Është e hatashme, në kuptimin më të lartë të fjalës dhe e papërsëritshme simbolika Dyrrenmate tek shprehja e tij (më falni, por do ta citoj): “Virgjëresha bën para në bordello dhe kërkon të mbetet e pastër”. Si në pikturat me motive mitologjike dhe religjioze e sidomos në letërsinë e tij të famshme kaprezencë humori i zi dhe prêt si shpatë kritika e Dyrrenmatit hipokrizinë në lokalitete, në komunitete, në shoqëri.

38 libra me tregime, 9 me drama e 4 romane etj., plotësojnë një profil të rrallë të shkrimtarit të letërsisë së re europiane e më tej, të prozatorit të vërtetë, që të ëvrtetën e sheh me sy, drejtpërdrejtë, jo me size. Dhe puna etij letrare është e pasur me elemente makabër, të errët,që degjenerojnë me vrasje, me tortura e vdekje, që kanë ndodhur e ndodhin. Temë kryesore e prodhimtarisë së autorit është edhe koncepti nga drejtësia. Kompleksi policesko – juridik për Dyrrenmat, në mekanizmin e vet është indinjues nga paaftësia e treguar, që këpusin sensing më autentik të profesionit: të vërtetën njerëzore.

Vetëm tre vjet pas vdekjes së Dyrrenmatit, më 1993, me përkthimin e Nasi Lerës, ndër prozatorët e sotëm shqiptarë stilist nga më të mirët, lexuesi ynë ka në dorë një libër të vogël në faqe, por margaritar në vlerat artistike, filozofike, jetësore, morale, të ngarkuar me dashurinë për ët vërtetën, për jetën, për njeriun. Është fjala pikërisht për romanin “Premtimi”. Është rrëfimi i një shkrimtari me shtysë nga një konferencë mbi artin e romanit policor…Rrëfehet në vetën e parë, njëjës. Ndihet sinqeriteti i rrëfimit, qysh në faqet e para, qysh në fjalitë e para, ato të fillimit. Të dikton për lexim me materialin e ngjeshur, dhënë bukur, pastër siç është, me lakonizëm, me personazhet sa simpatike, aq antipatike. Terminologjia e pasur, ushtrimi për krijim të togfjalëshave përcaktues e shprehjeve të ndritura frazeologjike janë garniture e nevojshme në dorën e mjeshtrit të madh që, në pak faqe të na japë lëndë të përmasave shekspiriane. Ky libër na njeh me doke e zakone, me mënyrën e jetesës së banorëve të kantoneve të Zvicrës; njohim komunitete, pëlqejmë njerëz, krijojmë antipati për të tjerë, sipas rastit të mbartjes që ata kanë me virtyte apo vese. Personazhe si Mateu na mësojnë, se komunikimi me njerëzit është çelës i suksesit të profesionistit. Tema e romanit është një çështje morali: përdhunimi i një të miture 14 vjeçare me torturë e finale përfundim i jetës, se e prenë gonxhen. Personazhe si Mateu më krijojnë imazhin e humanistit, engjëllit mbrojtës të fëmijëve, detaje për një sy të sprovuar të specialistit, që më kujton të përndritshmin e paharruar Llazi Plaku, këtu, në këtë Vlorën tonë, që përherë më shfaqet si kanton i Zyrihut, pse jo si Berna, por ngelet Vlorë me kulturën e malit, të fushës dhe të detit, me dritëhije mesdhetare…

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,

 Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Fridich Durrematt

NJË NGA ATA NJERËZ QË NDËRTUAN VLORËN E RE

January 7, 2014 by dgreca

  nga Albert HABAZAJ*/ studiues/

 Ne Foto:Pamje nga qyteti i Vlores/

 -Babai asnjë ditë s’rrojti për vete, – më tregonte miku im i mirë, Çela, para nja gjashtë muajsh, kur Xhelal Avdulla Veizi, 86 vjeçar, qëndronte akoma si një bredh i plotë, i drejtë e i pathyer nga erërat dhe borërat e gati një shekulli të tërë. – Edhe tani që ka këtë moshë rron e flet për të tjerët, për Vlorën, me merak, me besim…

Ai, bredhi i rëndë  me kurorë i lartësive të Barçallait, në shpatull të malit të Lungarës,  mbi Dukat, i ka rrënjët të thella e të përhapura  deri në Vlorë, nga ku ushqehen filizat e gjelbër të tij për jetën. Emri i tij mbahet mend në Vlorë e nderohet sikurse edhe emri i Kristo Papajanit, Misto Meles, Petro Dodes, Vasillaq Ndinit, Sihat Tozajt, Baki Balilit, dr. Llukë Gjidedes, Teki Mukës, Hysen Gjondedës…Vlera e tyre qëndron se urbanizuan Vlorën, i dhanë një fytyrë të re qytetit, sikurse Petro Marko, Fatos Arapi e Kudret Velça që e futën frymën dhe kulturën qytetare në Vlorën e tyre, duke u bërë  pjesë e  elitës  së re të botës letrare shqiptare.

Ndërsa shkruaj këto radhë për një nga ata burra që dhanë nga vetja e tyre, nga shpirti, nga mendja dhe nga trupi i tyre, për të ndërtuar Vlorën e Re të Pasluftës, më kujtohet një fjalë e urtë popullore, që në Labërinë e Vlorës transmentohet si këshillë e mençur brezave:

“Respektoni të vjetrit, se ata janë përmendore të gjalla në tokë”.

Dhe shembulli më kuptimplotë i mishërimit të urtësisë zakonore vërehet edhe në familjen Veizi, me vëllezër, motra, vajza, djem, nipër, mbesa e deri te Drini Veizi i vogël, djali i djalit të vogël, Asqeriut apo Çelos, si i flasin në shtëpi e shoqëri atij djali të zot e vijimi fisnik të Xhelalit, të atij Xhelali që sot qetësohet në paharrim, përjetësisht…

 

Pak historik.

 

Fisi Veizaj është ndër më të vjetrit në Dukat. Dega në Dukat quhet Çeloaliaj, në Himarë Veizaj, në  Vlorë njihen si vlonjatë të hershëm.

Xhelal Avdulla Veizi është lindur më 23 mars 1920 (1922). Avdulla Veizi është ndër flamurtarët e Plakut të Bardhë, Shenjtit të Flamurit, ndodhet i fiksuar dhe në fotografi me Ismail Qemalin e gjithë ata trima të tjerë. E ëma quhej Shero, ishte vlonjate dhe rridhte nga një familje tregtare. I ati, qysh i ri, ka punuar sipas motos: “Adoleshentit – sa më pak  kohë të lirë”. Kur punonte te “Monai”, u njoh me  Hysni Kapon e Rrapo Dervishin. Njihet si komunist i ’42 – shit, nga ata idealistët e lirisë; ishte me gjimnaz të përfunduar dhe pjesëmarrës i njësitit  guerril  të qytetit deri në Çlirim, mik i  Arif Haskos, Rrahman Perllakut, Mico Eminit… Pas Çlirimit ka qenë deri në Shkodër, tok me gjeneral Vehbi Hoxhën. Kërkoi lirimin nga ushtria, se i vdiq dhe nëna, pasi babai kishte kohë që i kishte vdekur dhe Xhelali kishte tashmë në ngarkim dy vëllezër: Ejupin dhe Xhevdetin. Ishte njeri i pastër, nikoqir e u bë parakohe zot i shtëpisë; nuk la njeri në jetimore e u bëri ballë halleve të jetës. Në Vlorë hapi Parkun e Mallrave me të burgosurit (i nxorri nga burgu e bënte punë me ta). Caktohet të ngrerë kooperativat artizanale të Vlorës, si rrobaqepësinë, këpucarinë etj. Pasi u jep fytyrën e duhur për kohën, këtyre sistemeve  të organizimit të punës së shoqërizuar, ngre Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi ” e i jep emër. Me përkushtim, përgjegjësi e zotësi, në vijim ngre shkollën e Rezervave të Punës. Një veçori dalluese e tij, gjë që ndikoi tek fitimi i një respekti mbarëqytetar, ishte se Xhelali asnjëherë, me asnjë nuk zhvilloi luftë klasash, por kërkesën e llogarisë e mbante gjithmonë në standartet e domosdoshme për mbarëvajtjen e punëve në çdo sektor që krijonte e drejtonte. Shëtitorja Vlorë – Skelë, Rruga  e Re, Galeria e Arteve, Studioja e Piktorëve, Uji i Ftohtë e sa e sa vepra të bukura kanë firmën fantaziste të atyre burrave të vlefshëm, që ndërtuan Vlorën në ato vite të vështira emrat e të cilëve i përmenda në fillim të shkrimit e që qyteti ynë i kujton me adhurim përherë)

Tregon vajza, Shero Fejzullau: “…Njërin nga vëllezërit, Selametin, e nxorri partizan, siç qe dhe vetë. Selameti u vra aksidentalisht në mal, gjatë pastrimit të armëve, jo duke luftuar kundër pushtuesit. Babai nuk kërkoi ta bënte vëllain partizan dëshmor, edhe pse kishte luftuar për liri. Vrasja e tij rastisi e tillë, aksidentale, nuk u vra në luftë kundër armikut, edhe pse qe partizan! – kështu na thoshte babai ne, fëmijve, se ky qe botëkuptimi i tij. Kaq i pastër qe babai, kaq i vërtetë, kaq i virtytshëm. E ne jemi krenarë për një baba të tillë, e mbajmë lart ballin me të.

Ai punoi një jetë të tërë me djersë, me nder, pa kërkuar as më të voglin privilegj. Edhe pse rridhte nga një familje tregtare, asgjë s’mori për vete. Një lagje të tërë ndërtoi. -Të rregullohen të gjithë – thoshte i bardhi.

Shpirti atdhetar e i pastër i tij na bën ne sot të jemi të nderuar me të. Ai ishte ballëlarë e ne na bëri ballëlart me punën e tij, me jetën e tij, me veprën e tij. E ne s’mund të na rritet mendja, se s’duhet ta turpërojmë, veç të ndjekim shembullin e tij, se na hapej dera me nderim kudo ku trokisnim.

Petro Dode na thoshte “Po punove sa gjysma e Çeçoit, me ne je në rregull (Çeço shokët i flisnin Xhelalit, babait tonë të dashur e të paharruar).

“Xhan i babait, po bëri punën tjetri, vlerësoje ! – na porosiste Xhelali ne. – Dy vezë po u përpoqën, xhan i babait, njëra do thyhet. Njerëz jemi. Një grusht njerëz!…Bën punën?! Është në rregull! Ke mundësi t’i bësh tjetrit mirë? Bëji! S’ke mundësi? Mos i bëj keq, lere në punë të tij!” Këto ishin këshillat e vyera të tij për ne, që të bëheshim të mirë e të vlefshëm për vete, për familjen e për shoqërinë…

Xhelali me Feruzen, bijë e Halim Çobos, (tregtar nga Trevllazri, familje e pasur në Topallti e me miqësi me Hajredin Cakranin) bënë nëntë  fëmijë: 5 djem e 4 vajza. Për respekt dhe për kujtesë po i përmëndim konkretisht e me radhë: Afërdita e datëlindjes 1949, e martuar me Dilaver Muhon, nga Tepelena, kanë 4 vajza; Nexhmia, e datëlindjes 1951, martuar me Xhevat Fejzullaun nga Mallakastra, me universitet, kanë 2 vajza  dhe 1 djalë, (njëra vajzë, Ticiana është piktore e spikatur dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës); Ëngjëlli, i datëlindjes 1953, martuar me Adelinën, vajza e Danish Hoxhës, kanë  dy djem, të dy në Itali; Leka, i 1955 – s, martuar me Eleni Sakon nga Vlora, kanë dy djem; Shero, martuar me Ali Fejzullain nga Fieri, banojnë në Tiranë, kanë 4 çupa me universitet; Elisabeta; Iliriani, martuar me Silvanën nga Selenica, me dy djem, njëri nga ata quhet Xhelal (në kujtim të babait); Qemali, martuar me Majlinda Koçin  nga Vlora, kanë 1 djalë;  Asqeriu (Çela), martuar me Irena Haxhiaj, kanë 1 vajzë dhe Drinin, pinjollin e fisit, me të cilin mburren të gjithë Veizajt e Xhelalit, sikur është një trim – kordhëtar me pallë!…

Ejup Veizi, i datëlindjes 1 shtator 1934, është vëllai i Xhelalit. Shkollën 8 vjeçare e ka bërë në Muradie, te shkolla nr. 2. Jetëshkrimin e tij e ka të pasur, por flet telegrafisht për vete. Ka punuar mekanik dhe elektro – mekanik, më 1978 nga Komiteti Ekzekutiv i Vlorës, seksioni i Industrisë, merr  titullin e lartë  “Mjeshtër i punës”. Më 1. 06. 1997 del në pension…Gjatë bisedës, pasi dëgjon mbesën, ai sikur kërkon me ngulm ta plotësojë historikun dhe thotë : – Avdullai, para shpalljes së Pavarësisë erdhi nga Janina, me 10,12 patriotë të tjerë, veshur me kostum kombëtar. Di që babai është lindur në Vlorë, nga vitet1874 – 1875, në lagjen e Re (sot “Partizani”); në Janinë merrej me tregëti. Vdiq më 1941. Ka qenë pjesëmarrës i Luftës së 1920 – ës; ishte dhe kundër Zogut, se ai ishte shtypës i popullit. Kështu mendonte ai. Ne rrjedhim nga një familje atdhetare, që përherë ka përkrahur lëvizjet popullore dhe luftërat për liri. Babai ka strehuar, kur u bë kryengritja e Fierit, njerëzit e Riza Cerovës e shprehej: “Nga revolta lindin ideologji të reja”.

Avdullai qe martuar tre herë. Me të parën, Hamiden nga Karbunari s’pati fëmijë, ajo vdiq shpejt. Me të dytën, nga Mallakastra bëri Nezirin, Shabanin dhe Sadikun; ajo vdiq 48 vjeçe. Metë tretën, Sheron, bijë  në Trevllazër e mbesë  në Rrapaj, bëri pesë fëmijë: Xhelalin, Selametin, Faton, Ejupin dhe Xhevdetin. Babai i Sheros (nënës time) quhej Ejup, ishte nga Veriu dhe  merrej me tregëti lëkurësh. Emrin e tij e kam unë… Xhelali, djali i madh i Avdullait e Sheros, u martua me Feruzenë, bijë nga Çobajt e Trevllazrit, vajza e madhe e Halim Çobos, martuar më 1948, me të cilën lindi 9 fëmijë. T’i tha mbesa ime, Sherua ca gjëra, po dua të shtoj akoma të jenë për brezat: Xhelali mbaroi shkollën fillore, pesë klasë te “4 Heronjtë”, afër te godina e Kokajve, te Aneta e Thoma Koleka, te shkolla modelore, shkollë femërore, ku në vitet 1941 – ’42 mësohej dhe italisht. Pas shkollës fillore, që e mbaroi në vitet 1936, në moshën 14 – 15 vjeçare, babai e mbante me vete, bënte tregëti, si kasap etj. Xhelalit ky zanat nuk i pëlqeu dhe  filloi punë në ofiçinën italiane “Tenda” të Monait. Pikërisht aty u fut në aktivitetin e P. K. të qytetit dhe u angazhua me njësitet guerrile të Vlorës, ku si detyrë kishte përgatitjen politike të anëtarëve të rinj për t’i bërë kontigjent të rreshtave partizane për lirinë e Atdheut. E di që ka punuar së bashku me ish -kuadro të P. K. të rrethit të asaj kohe, si Nuri Arapi (banor  i lagjes), Hetem Gjinushi etj. Me njësitet ka qenë deri më çlirimin e vendit. Më 1945 u emërua kryetar i këshillit të tre lagjeve: të lagjes së Re, (sot “Partizani”), të Topanasë (sot “4 Heronjtë ”) dhe të Karabashit (sot “15 Tetori”) dhe  e la këtë detyrë më 1948, kur u thirr për të kryer detyrën ushtarake, dy vjet në veri, në Kukës. Pas lirimit nga ushtria, kontribuoi, me urdhër të Partisë që drejonte vendin, në ngritjen Parkut të Mallrave, në fillim në Skelë, te Plazhi i vjetër, te ofiçina, te kripa, që më vonë erdhi këtu ku është dhe sot. Qe nëndrejtor teknik dhe shef i ofiçinës (në vitet 1950 – 1957). Xhelali njihet si themeltar e krijues i Parkut të Mallrave. Nga vitet 1957 – 1969 kemi këtë  ecuri të karrierës së tij: Transferohet për organizimin  punës në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi” si kryeteknik; ndërkohë emërohet drejtor i kursit të shoferëve, që ka qenë atje ku sot ndodhet Ndërrmarrja Rruga. Mbas mbylljes së këtij  kursi, pas dy vjetësh, (1961 – 1963) u krijua Shkolla Një vjeçare e Rezervave të Ndërtimit dhe Xhelali ka qenë  drejtor i kësaj shkolle nga viti 1963 – 1970. Ai qe kuadro i spikatur, i praktikës, i veprimit, i duhur, saqë dhe kur u lirua nga kjo detyrë, në vitet ’70, inxhinierët e rinj me arsim të lartë e kërkonin për këshillim në vijimësi. Në këtë kohë fillon punë në Ndërmarrjen e Përpunim – Drurit si  teknik makinerie, deri sa doli në pension, në vitet ’86-’88… Xhelali, përveç 9 fëmijëve të tij, rriti dhe dy vëllezërit e tij, nga nëna e nga babai: Ejupin dhe Xhevdetin dhe u bë prind për ta. I mbajti deri në moshën  që ata u bënë zotër të jetës së tyre, biles njërin prej tyre, Ejupin e nisi me bursë në Poloni, në vitet 1953 – ’56 për degën teknik, elektromekanik i mesëm, (tre vjeçar) …

Jo se Xhelali është vëllai im, por ai ishte nga ata burra, që, për qytetin e  Vlorës, për kontributet e dhëna për ringritjen e jetës qytetare pas Çlirimit, emrin e kishte sakrificë, në emër të idealit, për hir të dinjitetit njerëzor, në respekt të mundësive dhe vlerave që mbartnin…

Sot, një rrugë në qytetin bregdetar të Vlorës është emërtuar pikërisht “Xhelal Veizi”.

Në nderim të personazhit për të cilin po shkruaj këto radhë dhe për mirënjohje të visareve morale, shpirtërore e atdhetare që na lanë të përkushtuarit deri në vetëmohim, prindërit tanë të mrekullueshëm thura dhe këto vargje:

 

NJERËZ QË NDËRTUAN VLORËN

 

Baladë për Xhelal A.Veizin –

 

Hedh shikimin lart nga mali,

e zgjat tutje, buzë detit;

ca rrënjë fisnike më flasin,

mallin me valët e tresin.

 

Është një mall i bardhë, i ëmbël,

buron nga kurorë e bredhit,

plot’ dëshirë, porsi në ëndërr

t’i mbajë dinjitetin emrit.

 

Emrit që nuk përsëritet

as edhe një herë të vetme,

me erë Dukati flladitet,

me Jonin të bëjë marrëveshje.

 

Ia ka gdhendur koha emrin:

Xhelal Avdulla Veizi.

Mirësia njerëzore

e ka palcën e kurrizit.

 

Emrin ia ka gdhendur koha,

diti jetën ta jetojë;

për të s’kishte kuptim mosha,

por fjala si mjalt zgjoi.

 

Si mjalt zgjoi iu bënë të nëntë,

stinë me gonxhe Drini i vogël.

Ec, Xhelal e mos u çmënd!

Po ti ke fituar botën!…

 

Si Xhelal Veizi, burra,

njerëz që ndërtuan Vlorën,

vijnë të kthjellët nga Gurra

ta pranverojnë metaforën.

ALBERT R. HABAZAJ

 *) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

 Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Habazaj, Nje nga ata, qe ndertuan Vloren

ANSAMBLI “ÇAMËRIA”

December 30, 2013 by dgreca

Ansambli “Çamëria” i Vlorës,  sipas krijuesit të grupi të madh folklorik, Skender Beqiri /

Nga Albert HABAZAJ/                                                                                                

Ai që ka krijuar ansamblin “Çamëria” të Vlorës, quhet Skënder Beqiri. Është 85 vjeç e banon në qytetin e Vlorës, ku ka krijuar një familje shembullore dhe atdhetare. I thonë dhe Marubi i Vlorës e i Çamërisë. Fotograf mjeshtër, i talentuar. 70 vjet me aparat në dorë. Shkollë për brezat. E gjetëm në shtëpinë e tij të vjetër, por të pastër si bora, atje, në lagjen e vjetër të Vlorës, që sot mban emrin e simbolit të Epopesë së Vlorës, Osmën Haxhiut, në rrugën “Jani Vreto”. Në arkivin e tij të pasur pamë një miniarkiv kombëtar të çmuar me fotografi bardhë e zi, sidomos të ansamblit të famshëm “Çamëria”, qysh nga fillimet. Pas pritjes tradicionale fillojmë bisedën në trajtën e një interviste:

Kush është Skënder Beqiri në Vlorë?

Unë vij me rrënjë kah Çamëria, kushurira e parë e Labërisë dhe e Vlorës patjetër, e cila na priti, siç di të presë ajo. Vlorën e dua si dheun e të parëve të mi, atje në jugun mesdhetar, diellor, epiriot, shqiptar. Dhe Vlora më do. Pyet… Le që s’ke nevojë të pyesësh, se ndër ata që më nderojnë, je dhe ti me Pelivan Bajramin, me Bardhoshin e me gjithë ata shokë e miq e labë e vlonjatë e vëllezër. Unë kam bërë vetëm detyrën atdhetare. Jam munduar sa më mirë ta bëj. Atë e thoni ju. Po kur themi Bardhosh Gaçe, kemi thënë Vlorë e Çamëri bashkë.

More, xha Skënder po unë të pyes për Skënder Beqirin në Vlorë, ti më flet…

Dëgjo, dëgjo, nuk më takon mua të flas për vete, se më qorton imatë atje ku prehet, lëviz nga varri dhe vrehet: pse thyen doket e zakonet e vëndit, do më thotë dhe do mërzitet pastaj e as unë s’mund të jem i qetë, as në varr…

Të lutem…

Në qytetin tonë hero, ku kam punuar për gati një gjysmë shekulli (nga viti 1945 – ’90) me ndershmëri, përkushtim e profesionalizëm të lartë, gjurma ime më e dukshme është në fushën e fotografisë. Këtë e dëshmojnë qytetarët, shkrimet për punën time dhe fototeka që ruaj, në kushte të vështira shtëpiake, të cilin e kam thesarin e jetës sime, të cilës i kam kushtuar gati jetën time. Ju faleminderit njerëzve të mirë për vlerësimet, por ai ngelet i madh, ndërsa  unë jam thjesht ky që jam: punëtor dhe atdhetar i vendit tim.

Te fototeka juaj pamë shumë fotografi të ansamblit “Çamëria”, ndërkohë di e kam dëgjuar, se ju e keni krijuar këtë grup. Si është e vërteta?

Ansambli Folklorik “Çamëria” e nis historinë e tij artistike kombëtare në vitin 1978, kur është krijuar, si duket dhe në nderim të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qe i pari ansambël që u krijua në Shqipëri, ai që mban emrin e Çamërisë martire për Atdhe. Ashtu është, siç ju e dini dhe e keni vërejtur. Patjetër që pati drejtim ansambli i Çamërisë, se u krijua si plotësim i shpirtit kombëtar, se rrezet e nderimit ngrohnin nga Lidhja e Prizrenit, e 10 qershorit të 1878 – ës, se pati suksese të bujshme, që jehojnë dhe sot. Unë, Skënder Beqiri isha drejtues i këtij grupi të madh artistik, bashkë me Halim Halimin. Nga intelektualët çamë kanë ndihmuar Nexhat Veipi dhe shkrimtari i njohur, i paharruari ynë Fadil Zeqiri.

Kush tjetër ka kontribuar?

Kanë kontribuar të gjithë pleqtë e asaj kohe, ardhur nga Çamëria, qysh më 1944 në Vlorë. Ata erdhën me gjithë origjinalitetin e këngëve dhe valleve çame. Ata kanë vlera me tërë mënd, kanë meritë të veçantë, se e sollën të pastër folkorin burimor çam. Krahas Hajredin Balo Shabanit, ishin edhe pleqtë e tjerë, mbi 80 vjeçarë, në vitin 1978, si Abaz Dasho, Nuredin Resuli, Jaho Çapuri, Zeqir Zeqiri, Elez Hyseni, Ali Nuhu etj. Kanë kontribuar për ansamblin “Çamëria” edhe Mustafa Suljoti, Nuredin Isufi, Xhevdet Malaj etj. Nuk mund të harroj këmbënguljen e shoferit të parkut Caqe Gërra, që shoqëroi me autobus ansamblin tonë në Tiranë. Nderim përjetë të ndjerit Agron Çobani, drejtor TVSH në atë kohë, që sa i predispozuar u tregua me ne! Shumë mirë na trajtoi. Edhe Sali Nuredini ka punuar shkëlqyer me ansamblin “Çamëria”.

Si qe organizuar ansambli?

Ansambli qe i organizuar me grupe, sipas moshave dhe gjinive. Kishim grupin e burrave. I pari Hajredin Balo Shabani. Nuredin Resuli, Jaho Çapuri, Ali Nuhu, Abaz Dasho, Zeqir Zeqiri, Elez Hyseni, Tofik Mete, Jasin Balo Shabani, Afif Çano. Grupi i vallëtarëve burra përbëhej nga Osman Zeneli, Hamit Agaçe, Nuredin Resuli, Jaho Çapuri e Ali Nuhu. Kishim grupin e valltarëve pionierë, që përbëhej nga Afrim Tahsini, Arjan Beqiri, Petrit Zeqiri e Isuf Çufe. Po kështu, kishim dhe grupin e plakave, me gratë e vjetra,  pastaj grupin e grave të mesme dhe të vajzave. Në grupin e vjetër të mjeshtreve të folklorit çam, Anife Shabani qe kryesorja. Xhite Hysa, Mine Teme e Alije Beqiri (nëna e Skënderit, shën. im, AH) qenë mëmat çame, që u mësuan grave dhe vajzave të reja që të luanin vallet e grave të traditës dhe këngët e bukura çame, që vijojnë edhe sot e kësaj dite, si perla të shpirtit epiko – lirik të ligjërimit dhembshuror çamërisht. Grupi i grave të mesme qe shumë simpatik, i guximshëm dhe serioz. Art kullonin në zë, në veshje, në pamje, në qëndrim, në lëvizje, në meloditë që interpretonin, sipas teksteve dhe muzikës së burimit, të traditës, pra.  Tamëm folklor sinkretik, siç e quani ju sot. Pjesëmarrëset e grupit të parë, gra ishin Habibe Beqiri, Adixhe Teme, Bibì Halimi, Sadije Kasëmi, Vjollca Beqiri, Renata Beqiri, një e Mete, të tjera artiste me mbiemra (se emrat s’po më kujtohet tani, …ndoshta mosha, por mbiemrat s’i harroj kurrë, se janë mbiemra kënge e historie), si, Balo, Resuli, Malaj, Gjuzeli. Më vjen në kujtesë një rast. Viti 1981. Qe rinovuar grupi i dytë me ndërhyrjen e të madhit Agron Çobani. Ikën ansambli urgjent në Tiranë dhe menjëherë e në studio për inçizim e shfaqje. Ndihmë të madhë në këtë rast ka dhënë Gjyslime Hasani, me motrat dhe kushurirat e saj, sidomos për vallet e këngët e vajzave. Sa e rreptë qe në prova, aq e ëmbël dhe e dashur tregohej, pas shfaqjeve, kur zjarri i duartrokitjeve të spektatorëve i mbushte me kënaqësi e krenari, se kishin nderuar jo vetëm veten e tyre apo grupin, por tërë Çamërinë.

Gratë e Çamërisë janë bartëse të folkorit çam dhe margaritarë të folkorit shqiptar e të muzikës popullore shqiptare. Ku qëndron sekreti që këngët e vallet çame erdhën deri sot dhe aq mahnitëse?

Korife për vallet e grave qe e papërsëritshmja Anife Shabani. 80 vjeçe, m’u si flutur. Qysh në vitet ’70 , plaka Anife u mësonte vajzave të reja këngët e vallet, që asaj ia kishte mësuar gjyshja e saj dhe që i kish parë nga e ëma t’i këndonte me moshën e saj, atje. Ua mësonte Anifeja këtyre të rejave këtu, se s’i dinin këto, nuk i kishin praktikuar as më shkollë, as me shoqet e tjera në Vlorë. Ajo plakë 80 vjeçe, Anifeja, qe thesar, flori e kaluar floririt, kur thonë, vërtet. Bashkë me ca moshatare të saj, mblidheshin te shtëpia ime (e Skënderit) e bënin prova deri sa e realizonin me nivel të lartë artistik atë do t’u transmentonin vashave të reja. Ngrohej Vlora nga “Tumakuqja” apo “Vallja e syzezës”, që këndonin Anifeja, Resmia ime, (e shoqja e Skënderit) me shoqet moshatare për t’ua mësuar çupave. Më kujtohet një festival i kohës. Në juri kanë qenë Profesor Panajot Kanaçi, Namik Xhafa, Xhebro Gjika; nga Ministria e Kulturës ka qenë Kozma Vasili nga Vunoi. Më kujtohet një moment, kur u ngrit Panajoti e tha: “Për të tillë valle grash, shkruajnë e thonë, se është hedhur në shekullin e 18 – të në Paris!” Edhe vallja e burrave “Xhamadani” është një vlerë e rrallë, që pak kush e ka. “Osman Taka” pëlqehet shumë nëpër festa, gëzime e dasma, jo vetëm në komunitete çamësh, por kudo në Shqipëri. Dhe kjo na bën të ndihemi me tërë mend krenarë për punën që kemi bërë e që kemi prurë deri tani, nga burimi të parëve tanë.

Ndonjë detaj që dallon në ecurinë e grupit. Si vijoi stafeta?

Stafeta e ansamblit “Çamëria” ka vijuar e ngritur mbi dy kolona: në ndjenjën e lartë kombëtare dhe në nivelin e lartë artistik. Ne u kërkonin këngëtarëve e valltarëve çamë, që mblidheshin vullnetarisht, por me shumë dëshirë atdhetare, sikur të ishin profesionistë, sikur të ishin artistë të Ansammblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të tërë Shqipërisë. Dhe ata e kishin të qartë. Në prova kishte disiplinë. S’ishte gjë disiplina ushtarake para disiplinës artistike të ansamblit “Çamëria”. Stafeta; po ja,  nëna e Sali Nuredinit, përgjegjësit të ansamblit, mbas meje (Skënderit) ishte mbesa e Muharrem Rushitit, kapetanit kordhëtar jo vetëm të Çamërisë, po të mbarë Shqipërisë, i cili luftoi në krye të çetës së Çamërisë, me 200 vullnetarë të lirisë për çlirimin e Vlorës nga Italia e Parë, më Njëzetën. dhe ky fakt vjen edhe nëpërmjet gurrës popullore të krahinës sonë, se e ka kënduar grupi i burrave: “Alush Taka me Muharremë/ Me djelt’ e vëndit skifterë/ Në ndihmë Vlorës i vanë,/ U shtruan mbi istikamë,/ Krahpërkrahë me Selamë,/ Lëftuan me breshkamanë:/ Llogora – Kanin’ Mavrovë,/ Gjersa Italin’ e shporrë.”  Dhe, si tani më kumbon në vesh ajo këngë që na ngrinte peshë të gjithëve, na frymëzonte, na bënte trima. S’e harroj atë zërin e Haredin Balos, që s’e arrin dot njeri! Çmimet e shumta, dhjetra çmime të para lokale, kombëtare, edhe ndërkombëtare, i dedikohen  padiskutim, sidomos Haredinit, pastaj ne të tjerëve.

Ma keni përmendur emrin e Hajredinit, duke e theksuar disa herë. Ç’të veçantë kishte nga të tjerët?

Dëgjo, more djalë! Në ison e këngës së bukur çame, ka kohë që mungon (dhe një lot i bukur, i dhembshur, i kulluar, i shket paleje faqeve si eshkë furtune artistit plak të Çamërisë , qesh e më vë  dorën në sup, tok gotën me mua e më sheh dritë në dritë të syrit). Një zë shpirti, por shpirt që u derdh në këngë, një  jetë të tërë. Dhe ky zë është i mikut dhe shokut tim të paharruar, Haredin Balos. Thonë, se një popull edhe mund të shuhet, po kënga e tij, kurrë jo. Se dalin djelm si Haredin Balua, që i japin shpirt e ndezin zjarr këngësh. Haredini nuk duket, por ai është i pranishëm në këngën çame, në ison çame dhe në tërë epikën çame, që nga fillimi e deri sa të ketë  jetë kjo këngë e bekuar. E ne, sa herë që mblidhemi tok e kujtojmë Haredinin. I them brezit që ngrihet, sa herë të këndojnë të mos e harrojnë, se ne s’e harrojmë, se është me ne, ai që ndezi këngën çame, Haredin Balua. Zëri i tij i ëmbël, melodia e shtruar dhe fjalët e tij të dhembshme janë simbolika e shpirtit të Çamërisë, ikona e  folklorit çam. Ato thesaret e tij të paçmuara na bëjnë ta ndjejmë veten më afër Çamërisë tonë atje. Vetëm një patriot si Haredin Balua mund t’i këndojë kaq me dhimbje e dashuri Çamërisë, që është akoma “gonglël e lidhur grekçe”, siç e quan biri ynë dhe poeti i madh çam Xhemil Lato. Haredini kish’ shpirt artisti dhe këtë shpirt  e derdhi në këngët e vendit të tij, të Çamërisë që e deshi shumë, që e duam shumë, që ta duan shumë të pasmit. Më fal që u zgjata, po do të vijnë breza të tjerë në jetë e do të këndojnë këngën çame, se ne jemi të ikshëm, kënga s’vdes. E meqënëse kënga nuk vdes, edhe Haredini s’ka vdekur. Ai është kënga çame, ai jeton në këngën çame dhe do të jetojë atje, tek isua çame, si e këndoi ai vetë.

Si ecën sot puna artistike me ansamblin tuaj tashmë të famshëm?

Fluturon kënga e valla çame, si shqiponja. Në kohët e reja, Luziana e ëmbël, e freskët, e bukur, e veshur hijshëm me veshjen në ngjyrë të simbolit tonë kombëtar dhe e magjishme në interpretimin e këngës popullore çame, është nderi dhe bukuria e një Çamërie të tërë. Po kam vërejtje për shoqatën “Çamëria” dhe i bëj kritikë që s’e mbështet artin e pasur të trevës. Atë që bën Sali Nuredini sot, mbështetur vetëm mbi bazën e foklorit burimor, që shkëlqen nga dekoratat e marra (s’po flasim për to), s’e bën akoma shoqata dhe e kritikoj me dhembje e me besim, që do ta përmirësojë punën kulturore – artistike dhe atdhetare, që mos të na qortojnë ata, që prehen.

Vlorë,  e premte, 27. 12. 2013, ora 13: 05’

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Habazaj, Ansambli Cameria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT