NGA ALBERT R. HABAZAJ/
Letërsidashësit nga kritika letrare shqiptare janë orientuar me letërsinë e viteve ’80-’85 të shekullit të kaluar. Vetëm pak bulëza të freskëta të viteve ’90 kujtohen si vegime dhe kaq. Duke lexuar librin e ri të Petraq Kotes, për mua më të plotin e tij, nuk e di se përse më erdhi nëpër mend një thënie e Kadaresë … “Madje krishtërimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav …”. Ka mbi 35 vjet që në Pemën e Krijimit, pikërisht (me apo pa dëshirën tonë) pashë në atë Fidanishte të Gjelber në Tiranë një syth të çelte freskët, shëndetshëm, pastër
Sot “portretin kam varur në muret e kohës” thotë miku im i vjetër. Unë e kundërshtoj:- Jo, Petraq, ti je tashmë një Gjethe e Gjelbër e Pemës së Krijimit që, nuk mund të thahesh asnjëherë, biles tashmë ngjyrat e gjelbëra te pena jote bëhen më të dukshme, që s’ka zot t’i fshijë, me kollaro a pa kollaro, sepse tullumbackë apo fyryfyçkë do të katandiset.
Miku ynë Petraq Risto evidenton që jemi grimca të pluhurit kozmik të Letrave në globin aq të vogël Njerëzor. Apo jo, Peço?
Ti, Kote je një identitet letrar i brezit tënd dhe më shumë se kaq . (Ndërkohë mosha 55 vjeçare është djepi i pjekurisë e përgjegjësisë qytetare për të mbajtur e rritur vlera në shërbim të njerëzve, për t’u fisnikëruar shpirtin atyre, për t’u zbukuruar ndjenjat, për t’u rrezatuar virtytet, për t’i bërë mirë shoqërisë ,kombit e qytetërimit në tërësi).
Edhe pse mos ekzistenca e kritikës letrare për grupmoshën tonë të krijimit ka lënë apo ka tentuar të lerë gjurmët e shpërfilljes apo të paktën të heshtjes ndaj Vlerës Letrare, ti, Petraq Kote e ca të tjerë si ti, që guxojnë me mend në krye, i thatë kohës: Unë jam! Të kam pritur, o kohë të vije tek unë. Di t’i them dhe vetes më fal, se pena ime i përket të nesërmes .
Me dhembje dhe dinjitet ti e thua veten sinqerisht, sepse “E thëna“ perëndia shqiptare e artit të fjalës është hyjnorja jonë për nesër, sepse ti di të gjunjëzosh edhe perënditë, sepse siç shkruan ti, i Miri i Penës:“Në gjunj i ulem vetëm Atdheut “…Më rritën në formë pushke /në duart e atdheut,/të vrisja armiq..
Por…eh…Endërr e keqe…Realiteti ynë i ashpër…Betonizimi i ndjenjave, i gjakut, i shpirtit nuk mundi të realizohej deri barbari.
Atëherë”nëna…”na pastroi me lotët e nderit …” e “ndoshta kam marr formën e librit “ thua ti vërtetësisht.
Petraq Kote,ti je poet që në shfaqje. Sytë e tu burojnë vargje jete, qëndrimi yt gurgullon poezi dinjiteti, trupi yt emeton krijim ilirik të paimagjinueshëm, ndërkohë shpirti yt është gurrë qytetarie e vjershërimit elitar .Ti je poet modern, biles po e përsëris me gërma të mëdha shtypi: PETRAQ KOTE ËSHTË POET MODERN NË SHQIPËRI. Libri yt me 159 faqe e mbajti, e mban dhe do ta mbajë syrin e mendjes e shpirtit tënd në harmoni ngjyrash e aromash me artin tënd e për këtë arsye, me vëllazëri poetike urimi im të vjen nga Vlora i ngrohtë: Të lumtë pena, Poet e mjalt prodhoftë dhe pesëdhjet vjet të tjera për të ëmbëlsuar në breza shqiptarët që do të vijnë, njerëzit që do të jetojnë!
Edhe pse e lexova, unë do ta kem hapur gjithnjë librin tënd, do të lexoj një poezi, dy ,tre, do ta mbyll prapë, do t’i rikthehem përsëri, por gjithmonë me kënaqësi e respekt, sepse vërej arritje në formë, edhe në përmbajtje, në figurat stilistike dhe në shëndetin e qëndrueshëm të poezive, për gjerësinë e thellësinë, për gjeografinë e hapësirat që rrok e mbi të gjitha për guximin artistik që u jep atë dinjitet të hijshëm krijimeve të tua, sa që edhe poetë me emër të përmendur do t’i kishin zili.
O Poet! Ti s’shkruan, s’mund, do para, nuk jemi ne apo s’ka lindur akoma ajo lloj kritike pa frerë krerësh me kollaro? Nërkohë krijimi yt është shprehje kyçe e poezisë sonë, më saktë identifikimi i asaj që kritika s’flet, s’shprehet. Ti je krijues dinjitoz, më vjen mirë që po ta them disa herë këtë vlerësim apo më saktë evidentim, konstatimin tim, sepse më kujtohet E.Kanti kur shprehej: ”Individi pa dinjitets’mund të prodhojë vepra dinjitoze.”
Libri yt, miku im i respektuar thot ëshumë gjëra, ka botë, ka jetë, ka dashuri, ka dhembje, ka vizion dhe identitet. Jep mesazhe të pastra e të mëdha njerëzore dhe qytetare. Ti asnjëherë nuk më ke folur për poezitë e tua. Interesant! Tani më vjen ndërmend. Askurrë nuk më je mburrur për çke shkruar e për ç’ke botuar. Dhe unë e di që ti shkruan bukur dhe shumë miq të lartë që ke t’i kanë vlerësuar krijimet e tua.Që te “Kënga e Marrë”, “Ranë Kambanat”, “Humbja”, “Muza”, “Këngë e parrëfyer”, “Këngët e Motmotit”, “Ngjarje ndër Muzakë” (vëll.1, vëll.2), “Mirë se erdhe Lamtumirë!…”, “Gjerana”, “Nesër” apo një nga librat me cilësi artistike të lartë jo vetëm të autorit, por edhe të krijuesve të Principatës Letrare Vlorë Fier, Lushnjë Berat, Rrogozhinë, vëllimi poetik “Portretin kam varur në muret e kohës, botuar nga Shtëpia Botuese “Globus R” ti, Petraq Kote je cilësuar si antidogmatist që “rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura…” Bukur ta ka gdhendur profilin artistik Prof. Agim Vinca, kritik i shquar i poezisë dhe poet i njohur kosovar, me origjinë nga Veleshta e Strugës.
Petraq! Kur mbarova librin tënd “Mirë se erdhe Lamtumirë!”, shkrova në shënimet e mia për librat e veçantë që lexoj këto radhë: “Një shërbim i madh po i bëhet poezisë së sotme shqipe me “Mirë se erdhe Lamtumirë”. Poeti P. Kote që rri zgjuar mbi vargjet e reja, shpreh ide të fuqishme poetike me dritë e tejdukshmëri. Që në poezinë e parë, atë për Atdheun dalloj stilin e tij të veçantë. Si një nga përfaqësuesit e mirë të krijimit hyjnor ai është tokësori i vërtetë i asaj të bekuare penë, që ngec, se thahet po e shpërdorove…Në 160 faqe libër pashë poezi në lëvizje, poezi të vrullshme, poezi të natyrshme, njoha ekzistencialistin e formatuar për të mos u tutur. Ndjehem mirë kur lexoj Petraq Koten. Ai bazamenton poezinë e re të brezit. Poezia e tij është mali i detit tim…
E këto mendime estetike të thjeshta nuk t’i shpreha asnjëherë gjatë bisedave. Apo jo, miku im.
Për të tjera gjëra kemi folur së bashku, për poezinë e kohës, për të nesërmen e saj, për shqetësimet që ajo ka…
Ndërsa rishfletoj “Portretin…” vërej se shpesh herë shfaqet dhe një bulëzim origjinal i Uollt Uitmanit.
“…mëzet e reja më hanë barin e shpirtit”, shkruan ti. E “Kur flet libri, autori duhet të hesht…” shkruan filozofi gjerman Friedrich Nietzsche (Fridrih Niçe).
Çipa- NJË FAMILJE KOMBËTARE, NJË FAMILJE ARTISTIKE
nga MSc. Albert R. HABAZAJ/
Lefter Çipa (gjyshi), Aleksandër Çipa (biri) dhe Akri Çipa (nipi) e zbukuruan Vlorën. E veshën Vlorën me kostumin e Flamurit Kombëtar dhe me kostumin e Diellit të Ngrohtë të Krijimit. Përurimi i trilogjisë “ETËR E BIJ – AUTORË” është një festë letrare për botën kulturore të qytetit dhe një spaletë morale e artit në Vlorë. Fakti që kjo sallë e madhe e teatrit “Petro Marko” është e mbushur plotë e për plotë, ka mjaft njerëz në këmbë, të tjerë janë në holl e dashamirës të shumtë mbetën jashtë për mungesë hapësire, tregon interesim deri në adhurim ndaj veprës sa letrare e kulturore, po aq atdhetare e qytetare të krijuesve të kombit, bij të palcës kombëtare pilurjote, me bërthamë nga Bregu i Himarës.
Të gjithë e pëlqejmë dhe e këndojmë Këngën e Madhe Shqiptare: “Kush është lule e vilajetit?/ Bota ia kanë sevdanë,/ Himara në breg të detit/ Shtatë fshatëra që janë,/ Të penës dhe të difekut,/ Aman, trima kapedanë!…”. Do t’ju pyesja, ju të nderuar miq, poetë, artistë, dashamirës të artit tonë, se ku më bukur, se në familjen e Lefter Andrea Çipës, këto vargje brilantine të këngës hyjnore labe himariote janë më kuptimplotë?
Lefter Çipa përbën një familje fisnike, sa tradicionale, aq dhe model qytetarie. Ata, si familje janë familje atdhetare; po aq sa janë edhe familje artistike: “të penës dhe të difekut…”, jo thjesht në kuptimin metaforik, por lartësisht të drejtpërdrejtë.
Lefteri është djali i madh i babë Andreas dhe mëmë Lelos, dy prindërve me uratë, që me shpirt e zemër ua lanë fëmijve Bekimin e Madh. Por edhe 4 vëllezërit, që vijojnë pas tij, Lefteri i ka artistë, të mirë, punëtorë, veprimtarë të dalluar shoqërorë e të ditur: Aristidhi vlerësohet si poet i thellë, ka qenë drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Vlorë, sot është pedagog letërsie në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë; Jorgua është piktor dhe ndërtues me emër; Llambros, aq të mirë nuk i ecën dhe aq shëndeti, ndërsa më i vogli, Kristua, duket, por në fakt, nuk po zë vendin e Lefterit, veçse ecën nën shembullin e tij, me edukimin e prindërve dhe moralin qytetar, po krijon individualitetin e vet’ të nderuar, po bën një emër të madh, me grupin polifonik të Bregdetit të Himarës, qysh nga viti 2004, me Eleni Mërkurin (marrëse dhe hedhëse), Eleni Joshin (marrëse), Dhimitraq Balën (kthyes) e ata bilbila kënge që konkurojnë bilbilat e qiellit. Kristo Çipa është poet dhe rrëfenjëtor i talentuar; ka botuar 3 libra deri më sot, (çdo 2 vjet, si duket, e ka si hobi): “Guri i rëndë në vend të vet”, poezi, 2008, “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, 2010, “Këmbana e dashurisë”, poezi, 2012, së shpejti presim botimin e radhës me krijime me burim nga gurra e pashtershme e prozës popullore. Kristo Çipa është edhe nënkryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulurore “Labëria”, për Vlorën; ai është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Atdhetare – Kulurore “Labëria”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Vlen të përmendim me nderim se Kristua është dhëndër në Bolenë, të Kurveleshit të Poshtëm, në krahinën e Lumit të Vlorës, sepse Leta është bijë e Maze Hysit të Bolenës, se djemtë e vajza e Kiços janë nipër të Hyse, në Labër, pra. Në fakt, Himara dhe Labëria janë sinonime të njëra – tjetrës, plotësojnë njëra – tjetrën, si pjesë e së tërës etnografike. Kur themi Himarë kemi thënë Labëri, kur themi Labëri kemi nënkuptuar Himarën. Lefteri ka tre motra: Rina, Vathia, Janulla, të tria artiste, shembullore në familjete tyre, që e kanë ndezur zjarrin, nuk e kanë shuar. Fap ia bëjnë degët e tyre, se i kanë të forta e të thella rrënjët! Lefteri me Qeranën, grua e zonjë grua, nga dera me emër e Lape të Pilurit lindën fëmijë e buruan si fieri. Një djalë u iku herët, Akroqerani; fat i hidhur që u pre ferishte. Lefteri me Qeranën i dolën zot jetës, që u vinte herë si det me lule, herë si det me furtunë. 4 djem dhe 1 vajzë janë fëmijët e tyre, të pesë të martuar. Djemtë me nuse shumë të mira dhe me familje të mrekullueshme, me fëmijë të shkëlqyer. Edhe vajza e vetme, Parashqevia ka mbaruar shkollën artistike dhe është nuse në Vranisht të Mesaplikut, në krahinën labe të Lumit të Vlorës. Jeton e punon në Tiranë. Është bashkëshorte e publicistit të njohur Pano Hallko, nuse e Azis Hallkos, burrë zakonlli nga fisi i njohur i intelektualit të shquar të viteve ’20- 30 – të të shekullit XX, Sali Hallkokondi. Në festën e Kulturës, që na nderoi “Dinastia Çipa” në Vlorë” Parashqevia erdhi me një suprizë për Babain, (pas 25 vjetësh) interpretoi në flaut meloditë e vjershërimeve të këngëve të Babait të saj, Kapedanit të Këngës Kombëtare Shqiptare, Lefter Çipa, të cilin, bujari i kulturës mbarëshqiptare, Bujar Leskaj e “emëroi” Mbret të Polifonisë, të Folklorit dhe të Kulturës Kombëtare Shqiptare. Djemtë e Lefterit e të Qeranës, e cila me tërë mend mund të cilësohet Presidente e Nënave Heroina të Shqipërisë, janë të katër të shkëlqyer, njëri më i mirë se tjetri. Po t’i veshim petkun tradicional modernitetit që jetojmë, mund të shprehemi se, djali i tyre, i madhi, Sandri, është për ta, Babëzoti i sotëm i Çipajve të Bregut. Andrea është piktor, Ardiani është artist, por bota shqiptare e njeh si një figurë të rëndësishme të policisë së shtetit. I vogli, Arbeni, është baletmaestër, kërcimtar i shquar i nivelit europian, ndërkohë edhe admistrator i agjencisë “Sipa Tours”, ideator e adhurues i turizmit alpin.
Lefter Andrea Çipa është shtiza e Flamurit Kombëtar në Poezinë e Lartë të Shqiptarisë. Përveçse, këngët e tij kanë një përhapje e popullaritet respektor në të gjitha trevat shqiptare, në të gjitha gjinitë e muzikës, në atë polifonike, folkorike, popullore, të lehtë e klasike, ai ka edhe botime të cilësuara për nivel të lartë artistik, sepse është mjeshtër i kalibrit për artin e fjalës së kënduar e sidomos për vargun e gdhendur, siç di Lefter Flamuri! Janë 11 libra të botuar me poezi, poema e balada dhe përkatësisht: e famshmja “Bejkë e bardhë”, 1976, “Shqipëri moj ballëhapur”, 1980, “Për Kosovën prapë do ngrihem”,1999, “Këngët e Akroqeranit”, 2002, “Kënga që tret lotin”, 2002, “Këngët e Ruzanës, 2004, “Flet princi i polifonisë”, 2007, “Engjëj të polifonisë: artikuj, esse, letra, refleksione dhe një poezi”, 2009, librat “Princi i dashurisë”, 2010 dhe “Vij nga drita”, 2014, me poezi, si dhe librin antologjik “Këngët e atdheut tim: vjershërimi i këngës këngëtare”, kolana”Traditë” vëll.1, 2014.
Miq të nderuar! Unë që kam nderin e flas sot para jush, në këtë festim letrar solemn të merituar, Lefter Çipën e kam të shtrenjtë familjarisht, sepse e kam mikun e babait tim (ndjesë pastë e bëftë dritë atje ku prehet!). E kam mikun e babait, qysh në vitet 1967- 1970, ku bulëzoi e lulëzoi artistikisht cilësor folklori lab i Vlorës së asaj kohe e bëri emër flamurtari në rang kombëtar. Nga viti 1983, kur unë fillova punë në Pilur e në vijim, deri sa të kem frymë personalisht dhe familjarisht, Lefter Çipa është e do të jetë mik i familjes sime, brez pas brezi, NDERI I MIQËSISË SË FAMILJES HABAZAJ! Takimi i sotëm është i veçantë, simbolik, gati i papërsëritshëm: Etër dhe bij – poetë. Tre brezat i transmentojnë njeri – tjetrit Stafetën Yjore të Krijimit. Tradita rezonon me modernen bukurisht si një dritë e ngrohtë diellore. Lefter Andrea Çipa është këngëtar i madhërishëm dhe poet kombëtar i folklorit të vërtetë shqiptar me palcë rilindasi në shtyllën vertebrale dhe në kockën e fortë të krijimit. Ai vjershëron këngët e madhëruara dhe krijon melodi të shkëlqyeshme epiko- lirike labohimariote për kombin. Vetë firma e tij (kush ka fatin ta ketë kujtim) është e shkruar përherë në një pentagram, sa herë ai lëshon autografe apo hedh në letër krijimet e tij. Djali i madh i Lefterit, Aleksandër Lefter Çipa është emblemë e gazetarisë së guximshme, qytetare dhe profesionale shqiptare, i krahasueshëm me gazetarët me emër europianë. Por Sandri është ndërkohë një poet elitar, jo vetëm i brezit të tij elitar, por edhe i letërsisë së sotme shqiptare, ku dallon për vargun lakonik, të zgjedhur, social – fiilozofik. Tre libra me poezi ka botuar Sandri: “Ikanakë të mbetur”, 2002, “Zhurma e qetësisë”, 2005 dhe “Mbi re s’ka stacione”, 2014. Poezia e tij nuk matet me sasi, me vëllim; poezia e Sandrit ka peshë specifike, sepse është një zë i dalluar në poezinë bashkëkohore shqipe. Sandri, që shquan për gjakftohtësinë e tij, natyrshëm sot po ndihet i emocionuar bukur, që na falënderon me zemër e më vijim shprehet “Sot provova diçka substanciale: Pa Bregdetin, pa Himarën, Vlora nuk do të ishte e plotë, kjo që është. Po kur flasim për kulturën, unë jam shumë krenar, që viset e mia janë kontribuese për kulturën” dhe më tej rrëfen apostulatin e gjyshit Andrea që ja pat treguar stërnipit Akri: “Të parët nuk na lanë emër për mbiemër. Kështu që ne e patëm të vështirë ecjen përpara. Jetuam, punuam, luftuam dhe u lamë emër për mbiemër. Ju e keni më të lehtë. Punoni për emrin tuaj, se mbiemrin e keni!”. “Etër dhe bij – autorë” është trilogjia e dinastisë letrare – kulturore Çipa, e Çipajve të Bregut, ku tre brezat, gjyshi, ati dhe biri paraqiten denjësisht në botën e letrave, të tre bashkë e secili me individualitetin e vet krijues. Lefteri thotë: “Në Vlorë duhet folur me zë të fortë, se vlonjatët janë polifonët e Europës”. Akri krenohet “Gjyshi është zanafilla”. Sandri citon: “Zanafillat nuk përsëriten”. Ja kështu ecën sfafeta e kulturës nga bërthama në kopështin me pemë të shëndetshme. Stafetën e vijon në sotshmëri Akri Aleksandër Lefter Andrea Çipa, i cili prezantohet me dinjitet letrar, duke bërë sfidë në botën e poezisë bashkëkohore shqipe, qysh me këtë vëllim poetik, të parin që boton, “Në modernitet humbëm”, 2014; njëkohësisht me gjyshin dhe babain, botuar nga shtëpia botuese serioze “Ombra GVG”, e cila meriton vlerësime për ndershmërinë profesionale të botimit.
Lefter Çipa funksionon me logjikën e floririt. Edhe floriri i vogël është, por ka vlerë të çmuar. Flori, kur thonë! Edhe Lefter Çipa trupvogël është, por flori i tëri, flori në trajtë njeriu! Kryestrofa Lefteriane: “Nga kjo balt’ e kësaj toke/ Merr një grusht e shtrydhe fort,/ Pika gjaku do kullojë,/ Luftën e Madhe tregon…”, sot merr kuptimin: Nga qenia, trupi e shpirti i Lefter Çipës, po ta shtrydhësh, kullon art, poezi, komb, qytetari. Vetë Lefteri, me vëllezërit, me motrat, me djemtë e nuset, me vajzën e dhëndrrin, me nipër e me mbesa gurgullon si gurrë kënge kombëtare, ku shndrit pastërtia si bora e malit të Çikës në vargmalin e Vetëtimave, në Arkokeraune. Gjyshi, Biri, Nipi. Dhe kështu vijon stafeta në plus infinit vija e krijimit Lefterçipjane.
NË PRAGUN E 100 VJETORIT TË 10 SHKOLLAVE TË PARA SHQIPE NË RRETHIN E VLORËS
NGA KUJTIMET E MURAT TËRBAÇIT DHE MUÇO DELOS PËR “KOMBIARËT” E VLORES/
nga Albert R. HABAZAJ/ studiues
Nga studimi i historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim njohuri të reja dhe plotësojmë dijet tona për ata pishtarë dhe flamurtarë të Vendit të Shqipeve, të cilët u përpoqën si ata, për ta nxjerrë Shqipërinë nga guvat e errëta në dritë të mirësisë. Në ballë të kësaj lëvizjeje përparimtare e çlirimtare nga peshat e rënda të pushtimeve, ravijëzohet si parësor roli dhe kontributi i burrave me “gramë”, njerëzve të shkolluar, mësuesve të shkollave të para shqipe. Viti 2013 përkon me 100 vjetorin e hapjes së shkollave të para shqipe në rrethin e Vlorës. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 1912, qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi një kujdes të veçantë arsimimit të popullit me gjuhën amtare. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në thirrjen drejtuar mësuesve theksonte: “çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore për rilindjen e kombit shqiptar…” Sipas vendimit të qeverisë së Vlorës, në vitin shkollor 1913 – 1914, u çelën 10 shkolla shqipe, 1 në qytet dhe 9 në fshatra, dhe, konkretisht në Kaninë, Tërbaç, Dukat,Vranisht, Kudhës, Tragjas, Oshëtimë,Drashovicë dhe Smokthinë. Viti shkollor filloi më 16 shtator 1913. Halim Xhelo ka qenë mësuesi i parë që çeli shkollën e parë shqipe në Matogjinin e largët të krahinëzës së Smokthinës. Mësues i parë i shkollës shqipe në Tërbaç u emërua Murat Miftari. Një ndër pishtarët e dritës ishte edhe Muço Delo, që me shtegun e dijes, hapur nga arsimtari shëtitës e patriot, Mihal Peço, qe arsimuar në Kolegjin e Shën Mitër Koronës, në Kalabrinë Arbëreshe, matanë detit. Përhapësit e arsimit kombëtar në Vlorë, si filiza të gjelbër të Bredhit të Lartë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbushur me dritërim dituror e humanist, të gjithë ata, stafetëmbajtës të Kostandin Kristoforidhit, Sami Frashërit e Naimit të Madh, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Hamit Lumi, etj., edhe sot, pas një shekulli, na duket sikur i drejtohen vargmaleve të Vetëtimës dhe Këndrevicës, për t’u thënë: “Na hapni pak vend të bëjmë dritë edhe ne bashkë me diellin, që të ngrohim njerëzit tanë të mirë,që të bëhemi si pjesëtarët e tjerë të familjes së madhe e të përbashkët europiane…!”
Mundësia dhe fati më ndihmuan të gërmoj në arkivat personalë të Murat Tërbaçit dhe Muço Delos, dy prej atyre mësuesve atdhetarë të fillimshekullit të XX, nga të cilat, mendoj se vlen të publikohen këto informacione burimore që kam përgatitur për gazetën “Dielli”, edhe si homazh për ata mësues me eshtër kombëtare, që duhet t’u falemi me nderim dhe respektin ndaj tyre, ta tregojmë duke vijuar misionin e tyre fisnik në kushtet e sotme të edukimit, të përparimit dhe të zhvillimit. Murat Tërbaçi është edhe një nga 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Luftës Çlirimtare të Vlorës, 1920, një nga 12 figurat simbolike të kësaj epopeje, në ballë të së cilës printe Osmën Haxhi Muhameti, Ezhdërhaja Osmën NURI, siç e mban mend kujtesa popullore.
Qysh në shekullin XIX, mjaft përfaqësues nga paria e Tërbaçit, sikurse edhe mesaplikas të tjerë të Lumit të Vlorës, kurveleshas, himariotë e burra të dëgjuar të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, që luftuan me shpirt, me pushkë e penë, për Mëmëdhenë, ishin të lidhur me “Kombiarët” e Vlorës, Delvinës, Gjirokastrës, Frashërit, Beratit e Janinës.
Në kujtimet e Murat Tërbaçit, flitet dhe për ndikimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë fshat malor. Midis atyre, që Mustafa Pashë Vlora dërgoi në Labëri e Tërbaç, për të mbështetur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin dhe Avdulla Nota, Sulejman Aliko e Musa Bodo. Sipas porosisë së Mustafa Pashë Vlorës dhe një tartari (korieri, lajmëtar) të dërguar nga Himara prej Odise Kasnecit, nga Tërbaçi u mobilizuan 35 vetë në luftën kundër grekut në Lëkurës, më 1879.
Këto lidhje me “Kombiarët” e Vlorës vazhduan dhe në fillim të shekullit XX. Në motet 1900 – 1907, në Tërbaç, Mesaplik, Brataj, Bolenë,Vranisht, Kallarat e Dukat kanë ardhur si mësonjës shëtitës Beqir Velo, Kristo Karbunara, Hamit Lumi, Peço Kauri, Ibrahim Avdullau dhe Elmas Kanina.
Sipas Murat Miftarit, në shtator – tetor 1908: “Na thirri Alem Mehmeti në konakët e tij në Tragjas, ku gjetëm Ibrahim Avdullaun, Hamza Isain, Zaçe Xhelon e Ymer Radhimën,
( nga Tërbaçi kanë qenë Murat Tërbaçi, Laze Malo e Xhezo Balo). Këtu u bisedua për dy çështje të mëdha:
E para qe për mbështetjen e Ismail Qemalit si deputet në parlamentin xhonturk. Pas takimit të Tragjasit, erdhi në Tërbaç Eqrem bej Vlora me suitën e tij në shtëpi të Kapo Miftarit, i cili kërkoi votat për babain e tij, Syrja bej Vlora, por ne i qëndruam Ismail Qemalit dhe bisedës që kishim bërë dhe fjalës që kishim dhënë më përpara në Tragjas.
Çështja e dytë ishte që “Shoqëria e Përhapjes së Shkollave Shqipe”, që ishte formuar pas fitores së “Xhonëve” (1908), të merrte një emër të ri: Klubi “Labëria” i Vlorës, ku nga Tërbaçi morën pjesë pesë vetë.
Gjatë muajve shtator – tetor (1908), të gjithë njerëzia e Tërbaçit, Bratit, Vranishtit, Mesaplikut, gjer në Kudhës – Grehot, votuan për Ismail Beun. Këtë e nxiti më tej ardhja e Ismail Qemalit në Mesaplik. Në Kuvend të Mesaplikut, në emër të popullit të Tërbaçit fola unë (Murat Miftar Habazaj Tërbaçi – shënimi im, A. H.), pas Memo Metes, Zaçe Xhelos e Pasho Ramadanit.
Edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë e qeverisë së Ismail Qemalit, ne, mesaplikasit bashkëpunuam shumë me Ibrahim Abdullahun, Aristidh Rucin, Ahmet Xhafën, Ali Asllanin, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Ymer Çelon.
Më 1913, Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit, vizitoi shkollën e Matogjinit, ku ishte mësues HalimXhelo. Atë e shoqëronin Zaçe Xhelo, Memo Mete Brati, Toto Hosi, Jani Minga e Ibrahim Abdullau. U bë darkë në Mesaplik për Luigj Gurakuqin, në konak të Zaçe Xhelos, ku nga Tërbaçi morëm pjesë unë, [Murati], Xhezo Balo, si dhe 25 shpirt të tjerë (nga krahina).
Luigj Gurakuqi na lexoi urdhërin e Ismail Beut për të mbledhur vetëdashës dhe për të forcuar frontin e Janinës.
Pas ca ditëve, në Va të Tërbaçit (Ura e Vaut), u organizua një kuvend i madh nga tërë krahina, ku morën pjesë dhe personalitete kombëtare, si Mehmet Pashë Dëralla, ministër i Luftës dhe Nexhip Draga, gjeneral, delegat, deputet i Kosovës, si dhe shoqëruesit e tyre Ibrahim Abdullau, Hamza Isai e Sali Hallkokondi. Në mbledhjen e Urës së Vaut, si përfaqësues i qeverisë së Vlorës, për të drejtuar vetëdashësit për në frontet e luftimit, u caktua Memo Mete Brati. Trimërinë e I. Abdullaut, H. Isait, I. Çelos, A. Mehmetit, ne tërbaçiotët, e kishim njohur qysh më 1911 -’12, qysh në të ngriturit krye kundër xhonturqëve në Vlorë e Mallakastër, si dhe në Kuvendin e Urës së Drashovicës. Mehmet Pashë Tetovari me përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës u ftuan nga Laze Malua, në konak të tij, ku u bë një darkë e madhe burrash.
Më 1914 u ndodha në fshat, kur mua e Laze Malos na dërgoi një kartë Bexhet Shapati
( kushëri i Çajupit të madh) e Ibrahim Abdullai, me anën e Sali Hallkokondit nga Vranishti, ku na thoshnin: “Këto ditë u sos prej Evropës Ismail Beu dhe po prënjtet në shtëpinë e Xhemil Vlorës. Për të qarë hallet e vatanit, lutemi të vini në Vlorë më 15 të korrikut, në shesh të Namazgjasë (tek është Sahati sot – shënimi im, A.H.), ku do të mblidhet populli i krahinës. Me besë: Bexhet Shapati, Ibrahim Abdullau”.
Në këtë mbledhje, më 15 të korrikut, kur Ismail Beu u kthye nga takimi me princ Vidin, në Durrës, u bë një kuvend i madh me përfaqësonjës të të gjitha viseve jugore të Shqipërisë (rreth 2000 vetë), ku u xgjodh Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, ku dhe unë, Murat Tërbaçi, bëja pjesë në këtë Komision.
Në kohët më pas , me “Kombiarët” e Vlorës kam marrë pjesë në Komitetin e Vlorës dhe në hartimin e protestave e memorandumeve drejtuar Konferencave të Paqit.
Në Kongresin e Lushnjës, sipas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe shpirti organizator i Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullaun, Dhimitër Qypin, Spiro Kolekën e Osman Haxhiun, që morën pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandat delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë…
Mjaft interesante për Lëvizjen Kombëtare në Vlorë janë dhe kujtimet e veteranit të arsimit kombëtar, Muço Delo. Ndër të tjera, në këto kujtime mësuesi hero nënvizon:
“Ne, tërbaçasit kemi patur mjaft bashkëluftëtarë nga Vlora dhe krahinat e tjera, në kohët e zeza të robërisë turke e italiane, për fatin e Atdheut si Osman Haxhiu, Ibrahim Abdullau, Imer Radhima, Abaz Mezin, Halim Risilia, Duro Shaska, Zaçe Xhelo, Alem Mehmeti, Hamza Isai e Ali Asllani.
Motet 1917-1918, kur kishte rënë gripi spanjoll dhe ushtria italiane na kishte prerë rrugët e shtigjet për të vajtur në Vlorë, kur ishin arrestuar 25 vetë nga krahina e Mesaplikut e dergjeshin në burgjet italiane për “trazirat në Mesaplik”, na thirrën në Vlorë disa mësonjës e parësi te Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Hamza Isai për të organizuar festimin e ditës së Flamurit, kundër pushtuesit italian. Ne kërkuam ndihmë nga Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Ibrahim Abdullau dhe morëm në Picar edhe drithë falas, pasi katundi ishte pa bukë.
Në organizimin e Luftës së Vlorës, më 1920, të deleguar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, përpara se të krijohej çeta e Tërbaçit, erdhën e na folën IbrahimAbdullai dhe Imer Çelua; erdhi dhe Halim Xhelua që po kthehej nga Kurveleshi, na foli si ai, e pastaj u formua çeta jonë, me komandant Selman Hysenin dhe zëvendës Selam Habazin e Selman Alikon.
Ibrahim Abdullau ka marrë pjesë në federatën “Atdheu” dhe ishte zëvendës i Avni Rustemit, si dhe, në vitet 1923 -’24, në shoqërinë “Bashkimi”. Sipas kujtimeve të Murat Tërbaçit e të Muço Delos dhe tërbaçiotëve të tjerë, këto figura të shquara të atdhetarisë së Vlorës kanë lojtur një rol të veçantë për gjallërimin e Lëvizjes Kombëtare në Tërbaç e Labëri. Ndërkohë një meritë të padiskutueshme për skalitjen historike të porteteve të këtyre pishtarëve të Lirisë dhe Diturisë në Vlorë e më gjerë ka Buldozeri i Kulturës Kombëtare, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.
*Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA. Vlorë, më 08. 07. 2013