Nga Albert Z. ZHOLI/
”Magjia femërore”!Ky libër me intervista i dedikohet femrave (këngëtareve, pedagogeve, moderatoreve, juristeve, redaktoreve, stilisteve, modeleve) atyre që me zërin e tyre magjik, me modelin ndryshe të moderimit, me mënyrën elokuente të shpjegimit, me mënyrën delikate të sjelljes, me elegancën e paraqitjes,me artikulimin perfekt të shqipes, janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së jetës sonë. Për femrat nuk gjenden dot fjalët e dashurisë, fjalët e bukura të zemrës, sepse ato me sjelljet e tyre janë përcjellëset më të spikatura të virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, dashurisë njerëzore. Historikisht hireve dhe veçantisë gjenetike femërore si një krijesë e përkryer për ripërtëritjen e jetës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në letër dhe këngë. E kush nga ata që kanë provuar dashurinë, fjalën e ngrohtë femërore,brishtësinë e bukurisë, buzëqeshjen mikluese, ledhat prej zane, nuk kanë kaluar në “qiellin e shtatë” nga lumturia?! Personazhet e këtij libri modest janë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të “vjedhë” diçka të spikatur, magjepsëse nga fjalët dhe mendimet e tyre, nga sjellja, mençuria, zëri, interpretimi, përcjellja e shqipes së bukur. Të gjithë i duam këto personalitete të fushave të ndryshme, me mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e atij realiteti jetësor të tyre që përcjell mesazhe miqësie, respekti, kulture, emancipimi pse jo dhe krijim të një modeli jetësor. Jashtë idhujve “QIELLOR” që errësojnë mendimin korrekt, krijimi i një modeli pranohet në shoqërinë e sotme, si një idol për të parë të ardhmen më të bukur, më me guxim, më me optimizëm. Këto personazhe, Hermesi i ka përshkruar me thjeshtësi dhe ka mundur të hyjë brenda universit të tyre kompleks, ku jo çdo gazetar mund të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht…Në intervista (ku gazeta prestigjioze “Telegraf” ka qenë foleja e tij e ngrohtë), Hermesi ka krijuar individualitetin e tij, mënyrën e tij të komunikimit dhe të zhbirimit të personalitetit të tyre, ku edhe pse ndonjëherë bie në përsëritje të pyetjeve, ai mundet të dalë me finesë, për të kaluar në situata dhe provokime, që duhet njohje e mirë e personazhit për kapërcime të tilla. Këto intervista të shtyjnë të njohësh madhështinë, sakrificat, guximin, por edhe “marrëzitë” e personazheve që me këto cilësi i kanë çuar në “zyrtarizmin” e veçantë që të quhen VIPA. Me punën e tyre dhe idetë jetësore, këtyre personazheve populli i ka thurur lavdet e tij jo më kot. Virtytet e tyre të veçanta i kanë ngritur figurat e tyre në tempujt e shpirtit dhe në modelin e zemrës, respekti për to është liri dhe lumturi. Në këtë respekt dhe mirënjohje, ne jemi spektatorë të qeshur të një kohe të bukur mes njerëzve të artit dhe të kulturës, që përcjellin mirësi, kulturë për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave dashurinë njerëzore dhe atë ndaj atdheut.”Magjia femërore” le të jetë një libër modest por tepër intrigues, që është munduar të depërtojë në sekretet e bukura të disa prej femrave më të spikatura të shoqërisë shqiptare.
Flet poetja Liljana Dhimo (Ruço)
Intervistë me zonjën Liljana Dhimo (Ruço), autore e tre vëllimeve me poezi dhe mësuese fizike, në një prej gjimnazeve të Tiranës/
-Të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin ka nevojë më shumë/
– Mësuesi i vërtetë nuk bën pjesë në këtë bashkësinë e mitmarrjes/
-Vallë çfarë bëhet, të nderuar politikanë dhe ligjvënës, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet dhe nuk gjendet më?/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Grimcat e para poetike i kanë lindur që në fillore, në ato poezitë me dy strofa, të cilat e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë, veçanërisht në periudhën e gjimnazit, atëherë kur të gjithë të rinjtë e provojnë penën, sepse është ajo, që ua kërkon atyre. Ndonjëherë këto lloje poezish zënë një vend dominant në “krijimtarinë tënde”. Për herë të parë poezitë e saj e kanë parë dritën e tyre të botimit në gazetën “Studenti”, në vitet ’73-’74-’75. Mbase ndonjë poezi tjetër tek-tuk mund të ketë ngritur kokë edhe në ndonjë organ tjetër, si gazeta “Drita”, “ZP” apo revista “Ylli”, por që të botohej në këto organe, duhej të kalojë në një pafundësi filtrash të kohës.
– Sot, krijueset femra në Shqipëri, a kanë gjetur terren dhe mbështetje për vlerësim dhe propagandim?
Në këndvështrimin tim, mund të them pa frikë një “JO”. Kjo e thënë në mënyrë të përgjithshme, ndërkohë që të jesh në një tavolinë, të themi mes miqsh apo kolegë, mund të marrësh superlativa vlerësimesh, për arsye nga më të ndryshmet. Nëse i jep dikujt dorëshkrimin, entuziazmohet sikur ka zbuluar “çudinë e tetë të botës”, mund të të thotë, që filan autor, apo fistek poeti i është dashur një jetë, që të përdorë një figurë kaq të goditur si kjo e jotja e aksh poezie, apo të takon në rrugë pasi ka lexuar poezitë e tua dhe thotë, nuk më vjen keq që ti nuk je e afirmuar, por më vjen keq, që sa e sa te tjerë, kanë mundësinë të botojnë aq shumë gjëra pa vlerë, sa të vjen neveri nga pseudot që servirin. Megjithatë më shumë të dhemb indiferenca e grave krijuese, në “xhelozinë” e të cilave: është e mira të mos të bjerë kurrë fati që të trokasësh. Nga ato librat e mi të thjeshtë, unë jam e lumtur, që më kanë lexuar plot miq e shokë, njerëz që më njohin por që edhe nuk më njohin si fytyrë, por që kanë dërguar një feedback të tipit: “Më pëlqyen shumë poezitë e tua, por filan poezi, mu duk sikur ishte shkruar për mua”.
– A është e vlerësuar sot femra shqiptare dhe me raporte të drejta në politikë?
“Diçka duket se po “fryn për mirë”. Sa janë zhvilluar zgjedhjet vendore dhe ishte kënaqësi e veçantë, që për herë të parë kishte një numër të dukshëm zonjash, të cilat do të udhëheqin jetën dhe punën e vërtetë në mjaft qarqe të vendit. Kënaqësi dhe një urim të veçantë për këto zonja, të cilitdo krah që janë, ato kanë luftuar dhe janë privuar nga shumë kënaqësi që mund të kenë pasur pranë rehatisë familjare, por me dinjitet kanë arritur të jenë në krye, një BRAVO të madhe për ato, mbi të gjitha kur ato kanë fituar edhe ndaj burrave kandidatë. Por burrave me ADN-në e tyre u përshtatet një shprehje të cilën kurrë nuk duhet ta harrojnë: “Një dorë që tund djepin, tund sistemin!”
Në kohën e lirë jeni afër krijimtarisë apo keni ndonjë hobi tjetër?
Kohë të lirë kam, por edhe nuk kam. Megjithatë gjej kohën që gjen çdo grua për t’u marrë së pari me familjen, sepse familja ime përbëhet nga bashkëshorti im dhe dy djemtë, kështu që punët e nënës, nuk mund të anashkalohen për asnjë arsye. Gatimi, është një nga punët, për të cilën nuk përtoj asnjëherë, përkundrazi edhe aty e kap shpesh herë veten duke bërë receta të reja gatimi, ndërkohë më mbetet kohë të lexoj, të shkruaj sa herë që më bëhet domosdoshmëri, kur vërtet vjen momenti i bukur emocionues për të hedhur diçka në letër. Po kështu me pëlqen shumë të qëndis, por të qëndis panorama, apo portrete por te vështira, me numërim dhe jo të stampuara. Është një punë vërtet e vështirë, por tejet e bukur dhe më së shumti antistres, sepse provon një kënaqësi të veçantë. Nuk mund te rri pa dëgjuar muzikë, por muzikë të bukur, veçanërisht muzikë klasike, si Kamil Saint Sans, List, Vivald, Beethoven, Mozart, Shopen e plot emra të tjerë, një muzikë e mrekullueshme që nuk vdes kurrë.
…Kjo është një lloj agjende në vija të përgjithshme.
Mësuese fizike dhe poete, nuk është paksa paradoks?
Por ama një paradoks shumë i bukur. E vërteta është që unë lëndën e letërsisë në gjimnaz e kam zhvilluar me profesorin e letërsisë, një ndër poetët lirikë më të mëdhenj në kohën e tij, Dhori Qiriazi. Ishte një fat i madh të kishe një mësues të jashtëzakonshëm dhe një figurë poliedrike si ai, jo vetëm për mua, por për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” të Ersekës, respekti ndaj të cilit rritet dita-ditës, ndërkohë që profesorin nuk e kemi më mes nesh. Ora e mësimit të letërsisë për ne, ishte sikur ne dërrasën e zezë të shfaqej një ekran, ku çdo fjale e tij, ekranizohej dhe na fuste në një botë plot ngjyra dhe jetë, plot ëndrra dhe muzikalitet, ku ne ndryshonim këndvështrimin ndaj jetës dhe fenomeneve të saj. Ndaj te gjithëve na mbushej mendja, se edhe ne do bëheshim poetë, sepse ne na ishte transmetuar në çdo orë, shpirti poetik ndër vena…falë tij. Fizika ka qenë lënda që unë padyshim kam dhënë nëpër gjimnaze, në shumë të tillë, një shkencë bazë, ndër më të bukurat, e cila “të mpreh” gjykimin.
A është e vështirë sot të jesh mësuese në Shqipëri?
Do të them diçka dhe do të këmbëngul që: të jesh mësues në Shqipëri është shumë e vështirë, por është profesioni për të cilin Shqipëria ka nevojë më shumë, se për cilindo profesion tjetër. Para disa ditësh, një mike kish bërë një status në facebook: “Një grup inxhinieresh, ekonomistësh, mjekësh, etj i kishin kërkuar zonjës Merkel, t’iu ngrinte rrogat dhe t’ua barazonte me rrogat e mësuesve(!) -Jo, ishte përgjigjur ajo, janë ata që ju kane mësuar juve, mos pretendoni një gjë të tillë”!
Si do ta komentonit mitmarrjen në radhët e mësuesve?
Problem i thellë ky e dashur, por rrënjët i duken gjithsesi, bile i duken mirë fare, nëse do t’i shohësh. Kam bindjen e padiskutuar që, mësuesi i vërtetë nuk bën pjesë në këtë bashkësi. Por, figura e mësuesit për vite me radhë mbeti figura më e poshtëruar e shoqërisë, ju shpëla dinjiteti në mënyrën më të turpshme me ujin e turbullt që nxjerrin kanalet buzë Lanës. Mësuesi nuk u vlerësua si pjesa më dinjitoze e shoqërisë. Mësuesit nuk ju dha vendi që i takon. Ai u la që të vishej me çfarë t’i ofronte firma “Gabi”. Ndërkohë që nxënësi e kishte celularin 600 euro, mësuesi rrogën e kishte 30 000 lek. Vallë çfarë bëhet, të nderuar politikanë dhe ligjvënës, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm, lirohet dhe nuk gjendet më? Çfarë bëhet kur një kriminel i larguar në drejtim të paditur, i dënuar katër herë nga drejtësia… ikën? Këta juridiksa që i lirojnë dhe i çlirojnë, nuk bën vaki ndonjëherë që të dalin nëpër ekrane të mediave dhe të telendisen, nga ajo pjesë e respektuar e njerëzve, bashkëqytetarëve e bashkë nënshtetasve të mi. Çfarë do bëjë një familje e re, qeliza e jetës sonë kur lidhen dy të rinj, të cilët kanë mbaruar për mësuesi dhe punojnë si mësues, të cilët jetojnë në një apartament me qira 20 000 lek. Dy rroga mësuesish, ku 10 000 lek do jetë pagesa e energjisë, ujit e taksave, po nëse janë duke pritur edhe frytin e dashurisë së tyre, si do t’i përballojnë dhe a mund t’i përballojnë dot shpenzimet e përditshme, sepse nëse për t’u veshur e mbathur, firma “G” është gati, por për të ngrënë tri here në dite, kjo firme për fat të keq… nuk funksionon. Megjithatë mësuesit përsëri mbeten të ndershëm, pavarësisht se shpesh herë “ndershmëria” në një gjuhë (që të paktën nuk është shqip), përkthehet “budalla”. E lëmë me kaq këtë përgjigje, sepse “dhemb, por dhemb shumë!”
Kush e shpiku këngën?!
Nga Liljana Dhimo (Ruço)
Cila ish shtysë e arsyeja që filloi,
Njeriu i parë këngën për të kënduar?
Kur atij i lindi fëmija këndoi ninullën,
Apo kur ai këndoi si i dashuruar?
Kur shkuma e dallgëve lante bregun,
A kur luleçeljet s’ngopnin dot mëngjeset?
Kur dielli gjithësinë mbështillte në krahët e tij,
Kur gjelbërimi dehës brerohej nga pika vesë?
Se mbetet i famshëm,
paçka se emri gjithnjë s’dihet,
Se kush shpiku rrotën, relativitetin, A.D.N-në,
Por kurrë nuk u emërua se kush ish,
Ai i famshëm që shpiku KËNGËN!
Se nëse rrota shtyu përpara shkencën,
E relativiteti përshkon gjithësinë,
Kënga në jetë të jetëve do mbetet:
Rezonanca me shpirtin, që përsos njerinë!
Këngëtarja dhe inxhinierja Valbona Peraj flet pa dorashka…
PERSONAZH/ Flet këngëtarja dhe inxhinierja Valbona Peraj: Teksti, “Asnjëherë” është qëndisur nga Rozana Radi
-Nuk kam të dashur politikan, pas Bonës qëndron Bona, jo politikani/
-Të kisha të dashur biznesmen do sorollatesha me X5/
– Sfida?! Pse të mos jem dhe deputete?!/
-Nuk dua të më vlerësojnë nga bukuria, por nga intelekti dhe zëri/
-Unë besoj pak ose aspak në dashurinë sentimentale/
– Xhelozia e meshkujve është shumë arrogante, meskine/
– Më besim kam tek një shok se te një shoqe/
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI/
Çdo këngëtare e vërtetë ka personalitetin e saj, zërin e saj, profilin e saj. Kështu edhe Valbona Peraj. Kush e njeh shikon se ka të bëjë me një femër të qeshur, të dashur, të shoqërueshme me plot kërkesa ndaj vetes. E re, por që është përplasur shumë me jetën. Nuk ndalet me kokën mbrapa, por shikon gjithmonë para, shikon drejt së ardhmes. Një femër e bukur, por që asnjëherë nuk mundohet ta nxjerrë në pah bukurinë, pasi intelekti për të është cilësia parësore e çdo njeriu. Thashethemet për të nuk kanë të sosur, por ajo me qetësi i anashkalon dhe në këtë bisedë tregohet e sinqertë çka ndodh dhe me jetën e saj private. Tashmë ajo ndodhet në finalizimin e kripit të ri “Asnjëherë”, ku sipas specialistëve përbën një hap cilësor në rrugëtimin e saj muzikal. Dashuria e saj më e madhe është djali simpatik Albo, nëna që si ndahet në çdo çast, pasi ende tek Bona nuk ka trokitur dashuria e asnjë politikani apo biznesmeni.
Cili është klipi apo kënga juaj e fundit?
“Asnjëherë”
-Që do të thotë?
Në asnjë ndarje, s’ka të fituar
Unë do vazhdoj të jetoj
Tek asnjë femër nuk e kam dëgjuar
Se dashuria fiton…
-Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj, kompozitor, autor teksti, këngëtarë apo këngëtare në këto këngë-klipe?
Ky është një bashkëpunim me një nga bashkë-kompozitorët e parë që në fillimet e mia të para në skenë Gramoz Kozeli dhe De Vox, ndërsa teksti është qëndisur nga Rozana Radi.
– Ku ishte vështirësia më e madhe?
Vështirësitë janë në të gjitha detajet por duke shpresuar që do marrësh pëlqimin e fansave apo miqve të tu ath mendon se ja vlen pasi unë ec me mendimin se për gjërat e bukura gjithmonë duhet sakrifikuar.
– Cilat janë këngët më të suksesshme dhe kush janë autorët e teksteve?
Të flasësh për këngët më të suksesshme është pak e vështirë, pasi secila nga këngët e mia vjen me një hark kohorë relativisht të largët nga njëra-tjetra dhe secila që vjen ka ardhur në formë të veçante. Kujtoj këngët në Top Fest 2 ,”Të Dua Ty”e cila u realizua me një klip të mrekullueshëm. Kjo këngë u kthye ne hit për ato vite, madje dëgjohet edhe sot në Radio, këngë e Realizuar nga Kompozitori Gjergj Jorgaqi dhe Gramoz Kozeli, klipi nga “Infinit Studio”. Më pas kënga me titull “ Hipokrizi” me kompozitor po Gj. Jorgaqin dhe G. Kozelin. Klipi u realizua nga “Max Producion”. Por dhe mënyra e realizimit me një gjarpër prej 4 m e ktheu këngën sa të bukur dhe të frikshme… Më pas kënga “Hej Mulato”e kompozitorit Genti Lako, e cila ishte një nga këngët më të kërkuara të “Mikrofoni i Artë”, organizim i “Radio +2”… Më pas unë krijova një shkëputje drastike nga ekrani dhe nga muzika ku ju përkushtova më shumë jetës familjare dhe profesionit tim si inxhiniere… Por më pas, në 2014, u bë i mundur një bashkëpunim i shkëlqyer me super këngën “Jam arbnore”të kompozitorit Edmond Zhulali e tekst të Gjigandit Agim Doçi, realizimi i vidioklip nga “Max production” me një përkushtim mbresëlënës. Këngë e realizuar me shume kujdes pasi dihet se këngë të tilla janë këngë shekullore dhe jo këngë komerciale të stinës që i dëgjon në momentin e linçimit dhe humbasin me kalimin e ditëve ( e mos të flasim për kalim vitesh pasi harrohet dhe këngëtari). Unë këngën e kam pasion dhe jo profesion dhe provoj ,tentoj, jo të sjell këngë çdo sezon siç bëjnë shumë këngëtar që bëjnë klipe çdo ditë dhe askush nuk ju a di emrin, por dua të jem ndryshe dhe e veçantë në atë që sjell…
Ndërsa kënga dhe klipi i radhës për të cilin po punohet është një stil krejt ndryshe nga herët e tjera, pra është një këngë e qetë, ku ndërthuret me një stil timin po gjithçka ndryshe.
-Cila është veshja juaj kur këndoni . ?
Stilet normalisht janë verore pasi dhe 95% e xhirimeve janë të realizuar në bregdetin e vendit tonë. Kryesisht realizohet mes detit dhe tokës që dhe vetë kënga është e tillë, një ndarje e përjetshme me dy brigje ku thjesht kanë një pikë kontakti por kurrë nuk mund të jenë bashkë ..Por këtë herë ndryshe nga herët e tjera veshjet dhe bizhutë janë stil “Versace” kryesisht leopardi dhe tattu të theksuara. Mund të them një ekstravagancë, por jo e tepruar pasi do dilja shumë nga vetja. .
-Ku është bërë prezantimi juaj më dinjitoz dhe me cilën këngë?
“Jam Arbnore”.
-A keni realizuar ndonjë album…….?
Dikur ishte albumi “Interesant “nga “Albatred”.
-Ku këndoni gjatë vitit?
Unë nuk para preferoj të këndoj në lokale nate, vetëm kur bëhet fjalë për mbrëmjet muzikore në fundjava apo në gëzime familjare, dasma apo raste festash. Kjo është sigurisht një zgjedhje e imja ku alternoj më së miri, punën time të përditshme në Administratën Shtetërore dhe pasionit tim për muzikën.
– Në sa vende të botës jeni ftuar për koncerte?
Të them të drejtën janë shumë, madje filloj ti harroj nëse kam qenë për koncerte, për punë pune apo qoftë si turiste. Aktualisht jam e Ftuar në USA, por mendoj që do jem për festat e Nëntorit dhe të fundvitit…. nëse nuk del diçka më e mirë që të më ndryshojë mendjen.
-Ju këndoni këngë të veriut apo dhe të tjera?
Ndihem më mirë në këngët qytetare e të gjitha trevave por sidomos ato veriore pasi dhe vetë jam shkodrane.
-Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë?
Unë kam prindërit e mi në veçanti mamin tim..Babi më mësoi të jem kokëfortë, e “egër” por e vendosur në planet dhe qëllimet që i vë vetes ndërsa mami është një engjëll ku shpesh falënderoj Zotin që më ka dhënë një nënë të tillë. Ajo më mësoi si të buzëqesh dhe në momentet që jeta tregohet e ashpër me ty, si të ngrihem në këmbë kur sfidat e jetës më rrëzuan në gjunjë. Ajo më mësoi si të jem bija, motra, halla, tezja, shoqja, mikja e mbi të gjitha nëna e dikujt. Dhe për të gjitha këto i detyrohem asaj NENE. Por motivi im për të ecur para, e që më mësoi se në jetë nuk kemi ardhur si detyrim të jetojmë vetëm për veten tonë por dhe për ata që kemi për zemër, këtë ma mësoi djali im 5 vjeçar Albo.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Ka shumë por di të them që femra shqiptare është femër me ideale, fisnike, e sakrificës, e besës dhe e dashurisë. Pavarësisht që gjendja ekonomike i bën të dale jashtë kornizave të saj dhe kjo është për papërgjeshmërinë e meshkujve këtu. Femrat shqiptare në të shumtin e rasteve kthehen në forcë burrërore pasi maskilizmi është me tepri në shoqërinë shqiptare.
-Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?
Që në familje apo në ambientet ku ne punojmë apo dhe ku pimë kafen e përditshme. Pastaj mos të flasim në politikë, administratë shtetërore apo në art, ku ka konkurrencë mendimi e veprimi. Maskilizmi vende –vende është i padukshëm, por ka raste që maskilizmi shpërthen me arrogance sa vë dhe në dyshim veten për mos patjen e aftësive të të njohurit me njerëzit me të cilët ti jeton në përditshmërinë tënde.
-Jeni supersticioze?
Hhhahaah! Në përgjithësi jo, por ka dhe raste dobësie kur kalon situata jo të mira fillon e mendon në të tilla parashikime që janë shumë abstrakte.
– A janë më xheloze femrat se meshkujt në profesion?
Në punën time të përditshme ku unë punoj si inxhinier pranë DPSHTRR ( Ministria e Transporteve .Drejtoria e Përgjithshme Shërbimeve dhe Transporteve Rrugore),vë re se meshkujt janë më të ligj se femrat apo dhe në institucionet e tjera. Shikoj që xhelozia e meshkujve është shumë arrogante, meskine shpesh herë vulgare. Ndërsa xhelozia e një femre konfigurohet në gjëra të vogla, pa rëndësi gati të papërfillshme ( për mua), ku ato të përgojojnë,si vishesh, si ecën, si i mban flokët apo këpucët, e sigurisht kjo për mua kjo është xhelozi kalimtare ndërsa xhelozia mashkullore është e rrezikshme .
-Ku do ti kaloni pushimet verore..?
Problem kjo puna e pushimeve por këto ditë do nisem për ca pushimesh në Stamboll me djalin tim dhe në kthim ca Ditë në Bregdetin e bukur të Vlorës.
-Syzet dhe rrobat e banjës të preferuara?
Syzet që mbaj në zyrë apo kur udhëtoj me makinë natën janë të “Ray Ban” ndërsa syzet e diellit “Guçi”, këto për momentin.
-Ushqimi veror i preferuar?
Nuk është se jam shumë e dhënë pas ushqimit apo dhe që të bëj diferenca mes stinëve por shtoj dozën e ngrënies së akulloreve (hahahahhhahah) dhe pse e di që është e dëmshme për kilet që merr. Por nuk heq dorë lehtë nga gjërat që dua. .
– Si do ta përkufizoni dashurinë?
Akoma beson se ekziston sidomos pos – adoleshencës??? Nuk besoj se jam e aftë të jap një përkufizim në këtë pike, pasi një të saktë nuk e kanë bërë as studiues të këtij termi. Dashuria ka forma dhe mënyra të ndryshme të ekzistencës së saj. Ku ka dashuri për prind, fëmijë, të afërm , miq, apo dashuri për ushqim apo dhe gjërat e konsumit të përditshëm. Por nëse e keni fjalë për dashuri në lidhje me një person athere është gjë tjetër, pasi unë besoj pak dhe aspak në ekzistencën e saj..
-Kur ndiheni mirë kur ju thonë jeni e bukur, apo këndoni bukur?
Përsa ju përket pjesës së komplimenteve jam lodhur dhe madje, shpesh kthehem më arrogante apo me ironi pasi, sa më shumë kalojnë vitet, njeriu kërkon të vlerësohet për gjëra jo të konsumit të përditshëm, por për vlerat që ka ajo pjesë e dukshme apo fasada që disponon secili..
– Çfarë do të lexoni gjatë pushimeve?
Nuk po të gënjej nëse të them se kam marrë diçka të lexoj, nuk kam kohë as për veten time kur shkoj në pushime pasi e gjitha jam ne dispozicion të djalit tim. Të gjitha mamatë më kuptojnë shumë mire në këtë pjesë…
– Më mirë ndihesh mes meshkujve apo mes femrave?
Nuk e kam menduar ndonjëherë këtë zgjedhje pasi kur dal për kafe apo ndonjë darkë dal me shoqëri që ndihem mirë.
-Kush është ai ajo që ju frymëzon më shumë në punë apo muzikë?
Djali im.
-Flitet se Bona ditët e fundit para klipit ka bërë operacion gjokset. a është e vërtetë?
·Unë quhem Valbona Peraj dhe jo për mungesë lekësh por as që e mendoj të bëj ndërhyrje të tilla në fizikun tim. Gjokset i kam origjinal si mi ka dhënë perëndia. Nuk preferoj të qëndroj në tregun e muzikës apo ekranit duke u mbajtur nga operacionet plastike. Disa femra harrojnë se pamja të tërheq e para dhe vlerësohet e fundit. Në këto kushte më pëlqen të më pëlqejnë me të mirat dhe defektet që kam. Me një fjalë kjo është ajo që më bën të veçantë sa herë që vi në ekran. Pra të kanë gënjyer.. haahhahaha
-Thuhet se pas një femre të mirë, është një burrë i suksesshëm, por dhe pas një të dashuri politikan qëndron një femër e bukur që bën show? Kush qëndron pas Bonës?.
Deri diku keni shumë të drejtë .Por kjo nuk ka lidhje me mua, apo me punën apo prezantimet e mia aktuale, pasi nuk është se unë jam “non stop” në ekran apo i jam përkushtuar kësaj pjese shumë. Por mund ta rezervoni këtë pyetje ndoshta për një periudhë të më vonshme hhahahaha ( shaka) . . Aktualisht pas Bonës nuk qëndron askush, por vetëm Bona.
E vërtet është se keni të dashur politikan?
Hahahahah, nuk do ishte keq kjo që thua, por politikanët po i mbajnë me bukë biznesmenët ….Nuk kam as biznesmenë, se atherë do sorollatesha me X5.
– Keni shumë ambicie, tashmë diku keni hedhur idenë se në zgjedhjet e ardhshme do kandidoni si deputete, por me kë parti ende nuk dihet. Kjo është sfida juaj e radhës?
Hahahahha! NDOSHTA…PSE JO? He zot, më duket se as te pasqyra nuk duhet të besosh, se te këmisha që ke veshur jo e jo. Kam patur shumë oferta partish për të qenë pjesë e tyre por ….përsa i përket se cilës Parti do ta mësosh në momentin e duhur. Lajmi do kalojë më parë tek ju. Di të them se besimi në një parti është si besimi fetar që mban.
-Kur ndihet më mirë Bona pas një dreke të shijshme me prodhime deti apo pas një seksi me të dashurin e zemrës…apo të dyja bashkë?
As njëra e as tjetra …pasi nuk jam shumë hamëse, apo dashamirëse e madhe e ushqimeve dhe e dyta nuk kam të dashur e as që dua të kem për momentin. Dashuria ime është vetëm Albo dhe ma beso se po e shijoj në maksimum fëmijën tim,që e kam vetëm për vete e që se ndaj me askënd tjetër( nuk jam egoiste). Jam në një periudhë qetësie pas një rrebeshi të furishëm që më përballi jeta në rrugë time.. .
-Kë beson më shumë një shoqe të ngushtë apo një shok të ngushtë?
-Shoqja ime e vetme është mami im e adhurueshme…
Nga shoqet e kam pësuar, por mendoj se deri diku dhe kam mësuar nga pabesia e tyre, ku fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk besoj verbërisht më tek asnjë, ku me bindje them që, më besim kam tek një shok se te një shoqe….
Ruzhdi Pulaha:Si na shpëtoi Kadareja pa na i thyer “Shkallët” në Teatrin Kombëtar në vitin 1990
INTERVISTA/ Flet shkrimtari Ruzhdi Pulaha: Ismail Kadare u bë avokati ynë, që na shpëtoi me intuitën dhe personalitetin e vet/
-Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, udhëheqës të Partisë dhe të Lidhjes përpiqeshin të na bindnin se ajo që ndodhi në Rumani, s’kishte vend tek ne/
– Drama “Shkallët”, kishte ndeshur në kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës por dhe “kompetentëve “ të tjerë të censurës/
– Pas një lufte një vjeçare me Ministrinë e Kulturës, mbas shumë debatesh, diskutimesh drama u vu në skenë me regjisorin Gëzim Kame/
– Pra simbolika e dramës ishte që populli gjykon politikën dhe pushtetin/
– U dhanë rreth dyzet shfaqje, pa u hapur asnjëherë sporteli për shitje të lirë biletash/
– Personalisht i kam ftuar në shfaqje drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Shkrimtarëve por nuk erdhën/
– Ndonëse Kadri Roshi dhe Robert Ndrenika këmbëngulnin që të ishin të pranishëm, nuk i lejuan/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Kjo intervistë e dytë me shkrimtarin dhe komedianin Ruzhdi Pulaha, ka të bëjë me figurën e një prej korifenjve të letrave shqipe Ismail Kadare. Ishin vitet dramatike për atdheun tonë. Ishin ato vite kur rinia po shikonte me sytë nga perëndimi dhe regjimit totalitar po i vinte fundi. Pikërisht në fundvitet 1980, Ruzhdi Pulaha vë në skenën e Teatrin Kombëtar dramën “Shkallët”. Kjo dramë për vetë tematikën që ishte, për vetë interpretimin, u prit me entuziazëm nga publiku i gjerë kryeqytetas. Personalisht kur e kam parë këtë dramë, jam kthyer në shtëpi me lloj-lloj mendimesh në kokë. Pashë një botë tjetër, një mendim ndryshe nga i kohës që më bëri të reflektoj më shumë se miqtë e mi që se ndoqën këtë dramë. Kur shfaqja u dha në Tiranë, në Gjermani kishte rënë muri i Berlinit ndërsa në Rumani, sistemi socialist kishte marrë rrugën e tatëpjetës. Po në Shqipëri çfarë po ndodhte?! A e kishte radhën vendi i shqiponjave për një përmbysje të tillë? A ishin intelektualët shqiptarë të ndërgjegjësuar për ndryshimin? Cili ishte roli i Ismail Kadaresë në këtë ndryshim? Personalisht në atë kohë mësova shumë nga kjo dramë në atë vit të çuditshëm 1990. Shumë të rinjve që si përjetuan ato ditë, kjo vepër do të duket paksa utopi, por për mua dhe brezin tim ishte leksioni më i bukur i kohës, për artin që çau kornizat hermetike të regjimit.
Në pranverën e vitit 1990 në Teatrin Kombëtar u shfaq drama juaj “Shkallët” e cila bëri bujë dhe u prit me entuziazëm nga publiku, por shqetësoi së tepërmi Partinë dhe pushtetin e kohës. Si e kujtoni tani pas 25 vjetësh atë ngjarje?
-Në fakt drama ishte shkruar që ne vitin 1989. Ndërkohë kishte rënë Muri i Berlinit, kishte rënë komunizmi në Rumani dhe kampi socialist kishte mar rrugën e shembjes së përgjithshme si një tërmet i papërballueshëm. Sigurisht që dallgët e këtij tërmeti po ndjeheshin edhe në Shqipëri duke ndezur shpresat e popullit dhe frikën e pasigurinë tek pushteti, i cili me të gjitha format përpiqej të amortizonte rrezikun e këtyre valëve përmbysëse. Kudo bëheshin mbledhje, takime, të deleguarve s’u zinin këmbët dhe duke u përpjekur të mbulonin panikun për fundin e pashmangshëm dhe mundoheshin t’u mbushnin mendjet njerëzve se kjo furtunë historike që do të riformatonte politikisht botën, nuk do të kalonte në Shqipëri. Dhe pa dyshim një vëmendje e veçantë do t’i kushtohej shkrimtarëve, artistëve dhe institucioneve artistike, të cilët mbaheshin nën një vëzhgim të rreptë, sepse nga “ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave” mund të ktheheshin në armiq të Partisë dhe socializmit.
Ndër të tjera më kujtohet një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ku udhëheqës të lartë të Partisë por dhe të Lidhjes përpiqeshin të na bindnin se ajo që ndodhi në Rumani dhe po shtrihej me shpejtësi në gjithë Lindjen Komuniste nuk kishte të bënte me ne dhe Shqipëria do të vazhdonte e sigurt rrugën e socializmit. Ishte një përpjekje tejet e dëshpëruar sepse edhe ata dinin se komunizmi tek ne erdhi si një baticë ideologjiko-politike pas Luftës së Dytë Botërore, por me sa po dukej batica e kishte mbyllur ciklin e saj dhe tani kishte ardhur koha e zbaticës, për t’u tërhequr duke sjellë shembjen tragjike të atij sistemi diktatorial, shembje nga e cila nuk mund të shpëtonin as ‘kalaja jonë e kuqe’. Nën ndikimin e këtyre situatave kisha shkruar dramën “Shkallët”, për të cilën kisha ndeshur në kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës por dhe “kompetentëve “ të tjerë të censurës, për t’u vënë në skenë….Mundësia e fundit ishte që drama të zhvishej nga dimensioni politik e social e të mbetej një dramë e thjeshtë familjare.
-Megjithatë drama u vu në skenë?
-Po, pas një lufte më se një vjeçare me Ministrinë e Kulturës dhe Komitetin e Partisë, mbas shumë debatesh, diskutimesh dhe ripunimesh që bënim me regjisorin Gëzim Kame, skenografin e ndjerë Shaban Hysa dhe trupën, duke u përpjekur të ruanim thelbin e domethënies së dramës. Më në fund u arrit që drama të vihej në skenë. Dhe për hir të së vërtetës u prit me shumë entuziazëm nga publiku.
-Për herë të parë një pjesë teatrale atakonte direkt sistemin e kohës. Vetë titulli “Shkallët” kishte të bënte me thelbin e dramës?
-Sigurisht. Faqja e parë e dramës fillon me këta vargje të marra nga akti i dyte i “Jul Cezarit” të Shekspirit.
…………………………………………….
Po ësht’ e ditur prej të gjithëve
Q’ambicj’e re përunjen e ka shkallë,
Dhe ngjitësi përpjet’ e kthen fytyrën;
Po, me t’arrirë në majë fare,
Ja kthen aherë shkallës shpatullat,
Në retë sheh, përbuz të poshtmet grada
Nga u ngjit lart…
Pra drama përshkohet nga ideja se një shkallë që të ngjit, duhet dhe për të zbritur, kurse ju që u ngjitët atje lart, kujtuat se do të jeni të përjetshëm e thyet shkallën dhe tani do të bini me kokë. Sigurisht e thënë jo kaq drejtpërdrejt, por e lexueshme fare qartë nga publiku. Dhe ishte së pari kjo që e entuziazmonte spektatorin. Sigurisht falë edhe konceptit shumë domethënës të regjisorit që skenën e ngriti në mes të sallës si një ring boksi, kurse në skenë rrinin spektatorët. Pra simbolika ishte që populli gjykon politikën dhe pushtetin. U dhanë rreth dyzet shfaqje, pa u hapur asnjëherë sporteli për shitje të lirë biletash, sepse jepeshin me autorizim për grupe spektatorësh nga ndërrmarjet, shkollat, institucionet…jo vetëm nga Tirana por dhe nga rrethet…Por ndërkohë edhe shqetësimi i shtetarëve dhe politikanëve po rritej. Sigurisht edhe shqetësimi ynë. Zakonisht shfaqjet e mia nuk i shihja nga salla por nga kabina e elektricistëve, me sytë nga lozhat ku rinin “shokët” e udhëheqjes duke ndjekur me ankth si do të reagonin, a do qeshnin, a do duartrokisnin? A do nxirrnin ndonjë blok për të mbajtur shënime…Kurse me “Shkallët” ishte ndoshta rasti i parë që lozhat e udhëheqjes mbeteshin bosh. Sigurisht, nuk ishte shenjë e mirë dhe prisnim që diçka do të ndodhte. Dhe një ditë u dha urdhri që shfaqja të pezullohej. Po hiqeshin reklamat dhe afishet dhe u njoftuam se mbas shfaqjes së asaj nate do të bëhej një diskutim i mbyllur. Bashkë me regjisorin Gëzim Kame e ndjenim se mbas shfaqjes nuk do përgëzoheshim por do të gjykoheshim.
Nuk dinim ku të gjenim dikë që të na mbronte.
Gjëja e parë që më shkoi ndër mend ishte të takoja Ismail Kadarenë. E takova diku aty pranë hotel “Dajtit” dhe i thashë se atë mbrëmje do të gjykoheshim dhe kishim dëshirë të vinte edhe ai. Do të vij patjetër, tha, me të parën.
Aktorët ishin të tensionuar dhe ky tension i dha shfaqjes një nerv edhe më të fortë.
Dhe mbas shfaqjes u mblodhëm në studion e madhe të teatrit. Që nga pjesëmarrësit u mor vesh se si do të shkonte mbledhja. Përveç Ministrit te Kulturës dhe Ministrit të Tregtisë së Jashtme (ngjarjet e dramës zhvilloheshin në tregtinë e jashtme), salla ishte mbushur me punonjës të tregtisë dhe Komitetit të Partisë. Kurse nga ne, përveç drejtorit të teatrit, meje dhe regjisorit, nuk u lejua të merte pjese asnjë aktor, ndonëse Kadri Roshi, Robert Ndrenika etj, këmbëngulnin që të ishin të pranishëm. Pra dukej se kishte ngjyrat e një linçimi politik. Shkurt, akuzat që na bëheshin ishin politike dhe pjesa u quajt antisocialiste që nxin realitetin etj., etj. Nuk po zgjatem. Dua të përqendrohem tek Kadareja.
Ai u bë avokati ynë që na shpëtoi pa na i thyer “Shkallët” e Teatrit Kombëtar. Me sa më kujtohet nga diskutimet dhe replikat e Ismailit në thelb ai tha: Ç’është kjo mbledhje absurde? Mblidhen tregëtarët e preshve e të lakrave që s’vinë kurrë në teatër dhe gjykojnë artistët?! Ç’është kjo frikë? Ç’është ky panik sepse drama thotë vetëm gjysmën e së vërtetës? Dhe ju vini të gjykoni. Sipas logjikës suaj nëse autori do të bënte një dramë për burgun duhet të vijnë e ta gjykojnë të burgosurit? Si guxoni të merni përsipër të ndaloni një shfaqje të cilën publiku e pret me entuziazëm? Ky është skandal.
Dhe pas argumenteve, autoritetit dhe personalitetit të Kadaresë burokratët u tërhoqën. Reklamat u rivunë dhe shfaqja vazhdoi të jepej. Sigurisht edhe tre-katër netë dhe u gjend nja arsye apo u mbyll sezoni para kohe dhe nuk u shfaq më.
E falënderuam Ismailin, e falënderoj përsëri edhe sot i cili gjyqin kundër artit e ktheu në akuzë ndaj politikës. Dhe kjo ndodhte pak kohë para se ai të “arratisej” në Francë. Ndër të tjera edhe kjo është një alibi tepër domethënëse se Ismaili deri në fund ishte konsekuent në bindjet dhe përpjekjet e tij dhe mbrojtjen e artit nga dhuna politike.
– Po Lidhja e Shkrimtarëve çfarë qëndrimi mbajti për këtë shfaqje?
-Lidhja duke qenë tepër e politizuar mbajti një qëndrim për të ardhur keq. Personalisht i kam ftuar në shfaqje drejtuesit kryesorë të saj por nuk erdhën, sigurisht për t’iu shmangur përgjegjësisë. U botua vetëm një shkrim nga një gazetar i Lidhjes, por që nuk shprehte vetëm mendimin e tij, ku shkruhej se shfaqja ishte si një teneqe me gurë që rrokullisej duke bërë zhurmë dhe se drama kishte guxim ideor, po jo vlera artistike. Me këtë binin brenda sepse ishte koha mbi të gjitha kishte nevojë për guxim ideor dhe nga ana tjetër guximi artistik qëndronte veç të tjerash në ndërrimin e raporteve të artit me politikën, duke zbritur shfaqjen (Politikën) në mes të sallës dhe ngjitjen e publikut (Popullit) në skenë, për ta gjykuar politikën nga lart. U bënë disa shkrime kundër atij qëndrimi të Lidhjes por asnjë nuk u botua. Gjithashtu as që mund të bëhej fjalë që shfaqja të filmohej dhe të shfaqej në televizion.
-Sigurisht, ata që harruan shkallët e zbritjes ranë me kokë me gjithë sistemin e tyre, po ju jeni marë më tej me këtë simbolin e shkallëve?
Ky problem i shkallëve politike për të uzurpuar majat e pushtetit nuk është vetëm dukuri e sistemit komunist, por një fenomen i përhershëm, për çdo shoqëri ku demokracia nuk funksionon si duhet. Ka njerëz arrivistë e të paskrupullt që e shkojnë jetën me shkallë në krah për t’iu ngjitur mureve apo gardheve të pushtetit me të gjitha mënyrat. Rreziku ekziston gjithmonë. Unë kam shkruar një dramë tjetër, si vazhdim i “Shkallëve”, pas rënies së komunizmit, që ka në qendër shkalltarët e rij postkomunistë, të cilët pa asnjë skrupull shpërdorojnë pushtetin politik për t’u pasuruar padrejtësisht dhe ngjitin shkallët e pasunarëve duke shkelur mbi supet e lodhur të atyre që i kanë ngjitur duke i votuar përmes mashtrimit. Pra tani nuk bëhet fjalë për shkallë ideologjike, por për shkallët e sofistikuara të korrupsionit apo amoralitetit politik.
-Si titullohet drama e re?
-“Mallkimi”…Sepse këta shpërdorues e përdhunues të shoqërisë një ditë do t’i zërë mallkimi i popullit…Jo mallkim nga zoti, por nga ndëshkimi që u jep vet populli mbas ndërgjegjësimit se do të jemi një shoqëri e vërtetë demokratike ku sundon shteti i sa drejtës. Është në qendër përsëri Mentori, i cili kishte hedhur shkallën që e ngjiti aq lart në atë sistem, por me të rënë ai e mori shpejt veten dhe rrëmbeu një shkallë të re dhe si i regjur me “besnikëri ndaj partisë” filloi t’u ngjitet shpejt mureve të shtetit të ri demokratik, duke u ngjitur në poste shumë të rëndësishme dhe duke u bërë milioner, duke shkelur mbi supet e drobitur të atyre që e ngjitën aty lart, duke i përbuzur. Për fat të keq jemi një popull që harrojmë shpejt dhe falim shumë.
-Kur jeni takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë dhe si ishin mardhëniet e tua me të, a keni pasur debate?
-Si gjithë letrarët e rinj edhe unë, duke qenë student, ndiqja aktivitetet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe diskutimet letrare ku jemi njohur edhe me Ismailin, Dritëronë e të tjerë. Por me këta të dy, përveç interesave letrare kishim dhe një arsye më shumë për t’u njohur më nga afër. Dy shoqe të kursit tonë, Helena (Gusho) Kadare dhe Sadie (Kecaj) Agolli do të bëheshin bashkëshorte të shkrimtarëve të shquar. Sa për Ismailin, ai u kthye shpejt në idhull për ne më të rinjtë, sepse po shikonim që ai po përpiqej të zgjeronte hapësirat e lirisë krijuese dhe po sillte një frymë të re na letërsinë tonë. Përsa i përket marrëdhënieve të mia me Kadarenë kam dy momente të paharrueshme që lidhen direkt me krijimtarinë time. Në vitin 1968 u botua vëllimi im i parë me tregime “Ndodhi të ditës”. Atë kohë u bë një diskutim promovues për librin tim dhe një vëllim tregimesh të Shefqet Tiganit, si dy autorë të rinj që vinim me librat tanë të parë. Analizën e bëri Ismail Kadareja, me një diskutim me shumë dashamirësi dhe inkurajues. Ishte nota e parë që merja në krijimtari dhe nota ishte kaluese dhe premtuese. Momenti tjetër, edhe më i rëndësishëm i takon vitit 1990. Këtu duhet të ndalem pak më gjatë.
Tirane, Gazetashitësit nën presionin e pronarëve të lokaleve
Erion Veliaj ka premtuar se do të legalizojë kioskat e gazetashitësve/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e
vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”. Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur
mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri
i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.
Po si shitet gazeta në Shqipëri?
Problemet e gazetashitësve në vendin tonë janë tepër interesante. Në mos gabon vetëm në Tiranë ka rreth 111 pika shitje të shtrira në gjithë gjeografinë e kryeqytetit. Tirana është qyteti i gazetave, jo vetëm se aty prodhohen, aty shtypen, ato formatohen, por pikërisht në Tiranë ndodhen afërsisht 60 % e lexuesve. Pra kryeqyteti ynë është qyteti i shitjes së gazetave. Pika shitje shikon që nga fundi i Kombinatit dhe deri në fundin e lagjes Kinostudio. Lind pyetja në çfarë moshe janë shitësit e gazetave? Nga një vëzhgim i kryer për gazetën “Telegraf” rezulton se 80% e gazetashitësve janë të moshës 60-75 vjeç, 15 % të moshës 45-60 vjeç dhe pjesa tjetër e papërfillshme të rinj. Kjo ndarje moshe vjen për shumë arsye. E para sepse të moshuarit që nuk kanë pension të lartë, apo që janë mësuar me leximin dhe me punën e shohin jo vetëm si mënyrë jetese por edhe si mënyrë argëtimi dhe kalim kohe. Por është dhe ana tjetër që një pjesë e tyre nuk duan tu bien në qafë fëmijëve duke siguruar sadopak të ardhura shtesë.
Po çfarë ndodh me shitjen dhe si janë kushtet e shitjes?
Nga këto pika shtije vetëm 63 janë kioska dhe pjesa tjetër shesin në tavolina të improvizuara dhe me mbrojtje të thjeshtë me plasmas ose me beze. Pra kushtet janë tmerrësisht të këqija. Në dimër shumicën e tyre e sheh të strukur nën çadër apo të mbledhur si grusht brenda kioskës së ngushtë, ndrysa në verë i sheh me kanotiere të mbuluar me djersë dhe pluhur. Shpeshherë tavolinat e improvizuara kanë nga një këmbë të thyer ku llamarinat dalin jashtë kuadratit dhe mund të përbëjnë rrezik. Në tërë këto vite demokraci është folur për standartizmin e kioskave kush shiten gazetat. Në çdo vend të botës, kioskat janë të shpërndara në pika nevralgjike, anës rrugëve ku njerëzit ta kenë të lehtë gjetjen dhe blerjen e gazetave. Ndërsa Tirana vazhdon ende të ketë një problematikë të madhe në këtë drejtim. Një kioskë është ndryshe se tjetra. Disa janë të shëmtuara sa nuk shihen, disa të mëdha dhe ide artistike. Të gjitha kioskat janë bërë sipas shijes së gazetashitësve, ku dominojnë ato të lëvizshmet. Të gjithë ish-kryetarët e bashkisë në Tiranë kanë bërë premtime të vazhdueshme për konkretizimin dhe satndartizimin e pikave dhe kioskave të gazetashitësve pro deri tani asgjë nuk është bërë. Të gjitha pikat e shitjes, janë në mëshirë të fatit, të natyrës dhe të dëshirave të Kryetarëve të Bashkive që në çdo moment edhe mund ti hiqnin si të pa sistemuara dhe jashtë kushteve teknike. Por ato ende mbijetojnë nën këtë trysni politike, ekonomike por edhe me kushtet e natyrës. Mbijetojnë duke punuar 16 orë dhe duke fituar pak, pro që ën fund të ditës së punës sërishmi gazetashitësit i sheh të kënaqur por edhe me humor, që i shërbejnë komunitetit për atë çka kanë të domosdoshme, marrjen e informacionit për probleme të ndryshme ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe lajmet kryesore. Ndoshta gazetashitësit janë ata që hapin të parët punën në kryeqytet. Ata i sheh që në orën 04-00, në qendër të Tiranës duke marrë gazetat për ti çuar në pikat e shitjes. Shi apo bor, ftohtë apo nxehtë ata janë të parët që i japin qytetit sinjalin e zgjimit. Mbase është ora që edhe pastrueset kanë përfunduar punën në pastrimin e rrugëve të qytetit.
Problemet
Jo vetëm legalizimi, jo vetëm standartizmi i kioskave, por problem i kohëve të fundit për gazetashitësit e rrugës “Don Bosko” është dhe përballja apo debati me pronarët e lokaleve. Aktualisht në këtë rrugë, janë ndërtuar disa pallate, ku katet e para janë bërë Pab-e, ose kafenera. Pronarët e lokaleve të rinj, pa marr parasysh fare kohën e gjatë që kanë këta njerëz të heshtur të punës, po i largojnë ata nga trotuari, a thua se trotuari është pronë e tyre. Kushdo që i sheh këto lokale mëson se aktiviteti i tyre shtrihet disa metra larg trotuareve, pra disa metra larg gazetashitësve, por pronarët e duan shesh pamjen deri në kufijtë e rrugës, pasi gjasme kioskat e improvizuara u prishin sheshpamjen klientëve, u prishin qetësinë, u krijojnë ndjesi ndryshe nga aroma relaksuese e kafenesë. Në fakt këto janë vetëm dëshira meskine ët pronarëve, janë pretekse dhe kërkesa zemërngushtësie, pasi hollë hollë, të gjithë klientët që ndalin para gazetave, e shtojnë kohëqendrimin dhe shikimin ndaj kafeneve. Me një sy real, kioskat e gazetave e plotësojnë më mirë ambientin e rrugës me njerëzit kureshtarë të dijes. Pronarët duhet ta kuptojnë se kioskat nuk i prishin punë por i shtojnë punë çdo lokali, pasi aty mblidhen njerëz në çdo orë. Askush nuk i kupton marifetet e përdorimit të forcës dhe mekanizmit të njohjes (ndërhyrjes nga policia bashkiake) që përdorin pronarët e lokaleve ndaj gazetashitësve duke i larguar ata në qoshe të padukshme.
Konkretisht
Në rrugën “Don Bosko” ka katër kioska të shitjes së gazetave. Të katër kioskat dy të lëvizshme dhe dy stacionere kanë mbi 15 vjet që funksionojnë. Shpesh herë policia bashkiake u ka nxjerrë probleme, por asnjëherë nuk ka marrë vendime për largimin përfundimtar. Por dy muaj para zgjedhjeve, në kohën që përfunduan dhe dy lokale në rrugën anësore, pronarët e lokaleve kanë përdorur lloj-lloj mënyrash për largimin e tyre. Duke hasur në qëndresën e gazetashitësve, pronarët kanë përdorur policinë bashkiake për largimin e tyre nga trotuari dhe pse nuk është pronë e tyre. Ja si shprehet njëri prej tyre:
Ndrec Dod Seferi dhe Mrika Gjon Seferi
Kam 11 vjet që bëj këtë punë. Jam i dashuruar me gazetat dhe me librin. Është një punë që e bëj me kënaqësi. Kur u shërbej njerëzve më duket sikur u hap një dritare apo një rreze drite më shumë. Në çdo ditë shkoj që në katër të mëngjesit dhe marr gazetat. Këtu mbërrij në orën pesë. Tirana nuk është zgjuar ende. Lëvizjet janë tepër të rralla. Por edhe në këtë orë kam lexuesit e mi. Shumica e lexuesve thuajse janë si të abonuar. I di çfarë duan dhe çfarë lexojnë. Jemi miqësuar me njeri-tjetrin dhe nuk bëjmë gjë pa njeri-tjetrin. Kohët e fundit me ndërtimin e lokaleve të rinj kam ndeshur në një problem. Pronari i lokalit këtu afër më çoi haber të largohesha. Unë i them se kam 12 vjet këtu dhe jam shumë larg lokalit tuaj, jam në trotuar, larg pronës tuaj. Disa ditë nuk u largova dhe presionet ishin të përditshme. Një mëngjes kur u çova pashë trotuarin të rrethuar me vazo të mëdha pikërisht aty ku vendosja kioskën. Unë e çova sërishmi bri saj. Pas një ore mbërrin tek unë policia bashkiake. Pas asaj dite s’më lanë më në trotuar. Jam në gjendje stresi. Nuk mund të rri dot pa punë. Nuk mund të rri dot pa kioskën dhe miqtë e mi 11 vjeçarë. Gazeta është pjesa më e bukur e jetës sime. Besoj se Kryetari i ri Erion Veliaj do ta zgjidhë këtë punë.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- …
- 9
- Next Page »