• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë në front gjatë luftës…!

March 7, 2014 by dgreca

Tërheqja edhe taktike edhe konceptuale/

Nga Albin KURTI/
Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë në front gjatë luftës. Ai paska qëndruar larg fronteve. Kështu ai e deklaroi me gojën e vet gjatë një interviste për “Euronews”. I pyetur nëse ka vrarë dikë ose nëse ka dhënë urdhër që të vritet dikush, para dy javësh, Thaçi tha: “Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe.” A thua si ndjehen e çka mendojnë gjithë ata ushtarë të UÇK-së që janë në burg kur ky ju thotë që ka qenë larg fronteve? Si ndjehen e çka mendojnë familjet e dëshmorëve dhe martirëve tash që po shënohet 15 a 16vjetori i rënies së më të dashurve të tyre kur dëgjojnë këtë intervistë? Apo, si ndjehen e çka mendojnë mijëra veteranë e invalidë të luftës së UÇK-së? Si ndjehen e çka mendojnë qindra historianë të cilët besojnë ta kenë ditur ecurinë dhe kuptimin e luftës historike të UÇK-së? Mbi të gjitha, si ndjehen e çka mendojnë dy milionë qytetarë të Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi?

Besoj se të gjithë këta ndjehen keq dhe gjithsesi e rimendojnë këtë intervistë posaçërisht këto ditë. Tash, kur po flitet që EULEX-i po i përshpejton rastet e hetuara për shkak të transformimeve në qershor, kur gjithnjë e më shumë normalizohet ideja e njëfarë Tribunali për krimet e luftës në Kosovë (që nganjëherë madje quhet edhe Tribunal për UÇK-në), tash kur na ndajnë pak muaj deri te publikimi i të gjeturave të hetuesit Clint Williamson sipas pretendimeve të Dick Marty-t për trafikimin e organeve, nuk ka se si të mos e kuptosh më mirë këtë deklarim të Thaçit pa mirëkuptim për vetë atë. Jemi mësuar tashmë me këta njerëzit si Thaçi të cilët porsa ndjehen të rrezikuar japin gjithçka përveç vetes së tyre dhe japin gjithçka që të mos ju cenohet vetja e tyre. Nuk duan t’ia dinë për ata që mbijetuan luftën apo nuk e mbijetuan atë sepse në mendje kanë veçse luftën e tyre për mbijetesë vetjake. Dëmtimi që ia bëjnë historisë së popullit e luftës çlirimtare, shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së shtetit, është i papërfillshëm për sojin e këtij njeriu që shkel çkado që i del përpara e anash për të mos mbetur vetë prapa dhe anash.

Tërheqja e këtillë e Thaçit njëmend është taktike për nga motivi (individual) por është edhe konceptuale për nga pasojat (kolektive). Lufta çlirimtare e UÇK-së po braktiset nga Thaçi e të ngjashmit bashkë me domethënien e asaj kryengritjeje të armatosur. Thaçi po shfaqet edhe më paqësor se Rugova për interesa edhe të ngushta edhe momentale – të ngushta sepse personale dhe momentale sepse një çast më vonë sërish nuk ka kurrfarë garancioni se do të mund të shpëtojë ai vetë. Kot thotë Thaçi që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër kur në fjalinë pasuese sprapset ai vetë dhe nuk është në gjendje të sakrifikojë aspak asnjëherë për ta mbrojtur pohimin e tillë edhe personalisht. Natyrisht që në luftë çlirimtare vritet armiku, prandaj të sprapsesh para një pyetje të tillë direkte do të thotë të kontribuosh në kriminalizimin e luftës çlirimtare. Ata që paskan vrarë policë, ushtarë e paramilitarë serbë në luftë kësisoj ekspozohen nga vetë kryeministri i Kosovës para persekutimit të prokurorive gjithnjë speciale në Kosovë e jashtë saj. Madje, të gjithë dëshmorët që dihen se u vranë në fronte të luftës ku me shumë gjasë kanë vrarë forca armike para se të vriten, sipas Thaçit, na paskan qenë kriminelë çfarë nuk është vetë ky që merrej me politikë larg fronteve të luftës!

Kur njeriu dëgjon këso qëndrimesh e tezash të Thaçit, nuk është e rastësishme që mandej themelohen tribunale ndërkombëtare që ngjashëm sikurse EULEX-i nuk na e pranojnë as pavarësinë dhe as luftën çlirimtare, dhe madje edhe njerëzit që do të duhej t’i arrestonin (sipas misionit të proklamuar) për korrupsion ua mbath për krime lufte, ndërkaq me krerët e krimit të organizuar që vegjetojnë në qeveri e rrotull saj e mirëmbajnë stabilitetin e padrejtësisë. Tribunalet e tilla, sikurse edhe EULEX-i, nuk do të duhej ta hetojnë luftën e UÇK-së, jo pse ajo është luftë e drejtë por pse tribunalet e paralajmëruara porsi EULEX-i nuk e njohin atë luftë si të drejtë dhe çlirimtare. (Nuk mund t’i hetojë krimet e lëvizjes çlirimtare të Algjerisë kundër Francës një organ a instancë që nuk e pranon pavarësinë e Algjerisë, vetëvendosjen e popullit të Algjerisë, dhe vetë luftën çlirimtare e anti-kolonialiste atje.) Për tribunalet ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in këtu, në Kosovë nuk ka pasur luftë dhe as luftë çlirimtare, por, megjithatë ka pasur krime lufte (sic.).

Nuk është aq e çuditshme se si deklarimi i tillë i Thaçit nuk i çuditi fort qytetarët e Kosovës. Mbase, duke pasur parasysh dallaveret e tij të panumërta të pasluftës, njerëzit nuk befasohen nga qëndrime të tilla super meskine ose, madje, ka edhe jo pak të tillë të cilët, në fakt, edhe e besojnë Thaçin teksa thotë se ishte larg fronteve të luftës! Me këso tërheqjesh edhe taktike edhe konceptuale, thjesht, nuk po mbetet kush prej personaliteteve të njohura politike qeveritare e afër qeveritare që ka qenë me gjithë mend UÇK. Të gjithë ata po tërhiqen dhe, në njëfarë mënyre, në UÇK po mbeten vetëm dëshmorët e kombit. Duke pasur parasysh bëmat e pasluftës së shumicës dërrmuese të këtyre komandantëve të luftës, mbase UÇK-ja mund të shpëtohet pikërisht dhe vetëm përmes dëshmorëve të kombit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, gjatë luftës...!, Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë, në front

Serbia: edhe-edhe, Kosova: as-as

February 5, 2014 by dgreca

Nga Albin Kurti/

Duke iu falenderuar dialogut me Thaçin në Bruksel, Serbia nuk po ka fare nevojë që të zgjedhë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo po avanson në të dy drejtimet: edhe në integrimet evropiane, edhe në Serbinë brenda Kosovës. I fitoi edhe negociatat për anëtarësim në BE, edhe Asociacionin e komuave me shumicë serbe. Negociatat e Serbisë në këto dy rrafshe sot, po bëhen pakrahasimisht më të suksesshme sesa luftërat e saj në dy fronte para dy dekadash.

Askujt në BE, sikurse edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk i shkon fare mendja të bëjë sadopak trysni mbi Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të jetë ndryshe përderisa Thaçi negocion për Kosovën me Serbinë pa kushte për të. Negociatat me Serbinë gjersa ajo nuk e njeh dhe pranon pavarësinë e Kosovës përkthehen në mirëkuptim për këtë mosnjohje dhe mospranim të shtetit tonë. E këtillë është pasoja edhe kur i këtillë nuk ka qenë qëllimi.

Paralelisht me këtë, BE-ja don që kur të zgjerohet me shtete të reja anëtare ato t’i delegojnë asaj sovranitet. Kosova nuk ka sovranitet dhe s’ka se çfarë realisht t’i jep BE-së andaj ajo nuk na e ofron e nuk na e mundëson anëtarësimin. Serbia është sovrane dhe ajo me anëtarësimin në BE ka se çka i bart BE-së.

Dialogu Thaçi-Daçiq në Bruksel paraqet platformën nga e cila Serbisë i hiqen pengesat në shtegun e integrimeve evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërkaq Kosovës i shtohen pengesat në shtetndërtim duke ia rrudhur perspektivën për sovranitet e integritet territorial, për demokraci dhe drejtësi. Pra, jo vetëm që Serbia po përparon kah Brukseli, por përparimi i saj brenda Kosovës e zgjat rrugën e i zvogëlon gjasat për inkuadrimin e Kosovës në BE (që aktualisht ka mbetur e ngujuar te premtimi bajat për liberalizimin e vizave).

Në anën tjetër, Serbia nuk po ka nevojë as të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë. Ajo sërish po avanson në të dy drejtimet. Mjafton të shikohen takimet e vizitat e ndërsjellta midis krerëve shtetërorë serbë e rusë për ta marrur vesh këtë. Nga përmbledhja e lajmeve për vitin 2013, kuptojmë që kryetari i Serbisë, Nikoliq, i ka zhvilluar tri takime me udhëheqësit politikë të Rusisë. Së pari, dy takime me Putinin: më 24 maj 2013 në Sochi ku nënshkruan Deklaratën për Partneritet Strategjik dhe herën tjetër gjatë vizitës së tij dyditore në Rusi më 29 tetor 2013. (Nikoliq me 25 shkurt 2013 e dekoroi Putinin për “merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore midis Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse” me urdhrin e Republikës së Serbisë me qafore.) Po ashtu, Nikoliq u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me 12 nëntor 2013 kur ai e vizitoi Beogradin. Gjatë vitit që lamë pas edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq, ishte në një vizitë dyditore në Rusi kur me 10 prill pati takim me Putinin. Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, u takua me ministrin rus të mbrojtjes, Shoigu, më 22 maj 2013, kur po merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë evropiane në Moskë.

Serbia nuk ndodhet para zgjedhjes a mundësisë ose-ose por pas përzgjedhjes e zgjidhjes edhe-edhe, kurse Kosova ndodhet në pamundësinë problematike as-as. E, sërish, nuk ka mundur të jetë ndryshe…

Para koncesioneve që vijnë nga negociatat kemi koncesionin që u paraprin negociatave. Negociatat e Kosovës me Serbinë tashmë janë koncesion. Negociatat janë ura që lidh koncesionin themeltar të përgjithshëm që shënon fillimin e negociatave me fundin e urës që shënon koncesionet e panumërta të veçanta. Mirëpo, dialogu Thaçi-Daçiq nuk është aty për t’u përfunduar por për të mos përfunduar. Ky është një dialog që e do vetveten dhe jo marrëveshjen. Marrëveshja e mbyll dialogun, ajo i lidh palët si të ndara për t’i përforcuar ato si palë. Jo edhe në dialogun e Brukselit ku ne s’njihemi as nga pala tjetër e as nga ndërmjetësuesi. Ky dialog na lidh pa na trajtuar ndaras. Ky dialog sjell marrëveshje për të pasur edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog…  Dialogu i keq sjell marrëveshje të këqija për edhe më shumë dialog të keq. Nuk mund të ketë gjëra të mira nga zbatimi i marrëveshjeve të këqija. Çfarëdo zgjidhjesh të arrira në orientime të gabuara janë të kota në rastin më të mirë dhe kundërproduktive përndryshe. Problemi i negociatave Thaçi-Daçiq nuk është thjesht rezultati i keq por premisa e padrejtë; pra, jo gabimet në negociata, por iluzionet për to.

Kundërshtimet e Thaçit (ndaj kërkesave të Serbisë) janë veçse në funksion të prodhimit të iluzioneve (te qytetarët e Kosovës). Gjithçka në Kosovën e Qeverisë bëhet për imazh. Kosova është kthyer në një shesh gjigant xhirimi, në një film set enorm, ku horizonti nuk është ende kufiri.

Të gjithë ata që thonë se ka edhe më keq, duhet t’iu tregojmë që është duke u bërë më keq.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, kosova, Serbia

Angazhimi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës

January 9, 2014 by dgreca

Opinion Nga Albin KURTI/

Kudo që serbët janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës, po ndodh dyzimi përmes një nënndarje të veçantë për përfaqësimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ndryshimet e ligjeve po bëhen gjithandej sepse gjithandej duan t’i sigurojnë pjesëmarrje këtij Asociacioni. Anekënd institucioneve të shtetit të Kosovës duan t’i sigurojnë prani Serbisë. I këtillë ishte rasti edhe te tendenca për ndryshimin cilësor të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Për më tepër, aty Asociacioni nuk quhej ‘Asociacion’, as ‘Asociacion/Bashkësi’, por vetëm ‘Bashkësi’, ashtu qysh është emërtimi i kërkuar dhe i preferuar nga Serbia. Projektligji që synonte këtë gjë nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ky nuk është fundi i përpjekjeve përderisa e kemi këtë Qeveri. Të gjithë e mbajmë mend se si para vetëm gjashtë muajsh Kuvendi e refuzoi projektligjin për amnistinë që i falte kriminelët serbë nga veriu për dhunën dhe shkeljet sistematike të tyre. Por, kjo vetëm sa rezultoi me trysni shtesë vendore e ndërkombëtare që, së pari, e riktheu projektiligjin në Kuvend, dhe, së dyti, e kaloi atë edhe me votat e shumë ‘opozitarëve’. Nëse një projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës atëherë ai njëmend ka kaluar, por nëse nuk kalon kjo nuk do të thotë ende që nuk ka kaluar për shkak se deputetëve do t’iu ofrohet liria e zgjedhjes deri atëherë kur ta bëjnë zgjedhjen e duhur!

Të gjithë ata që thonë se nuk ka gjasë të sajohet një republikë serbe brenda Kosovës mbase nisen prej hartës politike ku shihet se serbët në Bosnje kanë gjysmën e territorit nën kontrollin e tyre. Por, këtu nuk duhet harruar që serbët në Bosnje kanë qenë 1/3 e popullsisë së Bosnjes, ndërkaq serbët në Kosovë as 1/10 e popullsisë së Kosovës. Në Kosovë, ata nuk do të kenë gjysmën, por çerekun e territorit, përkatësisht së paku nëntë komuna që bëhen bashkë sipas marrëveshjes së 19 prillit 2013 të ratifikuar me 26 qershor 2013 në Kuvend. Mbi të gjitha, Republika Serbe në Bosnje nuk konsiston vetëm në përgjysmimin e territorit të shtetit por edhe te gjymtimi që i shkaktohet institucioneve të shtetit e të cilat asisoj bëhen jofunksionale. Të tillë çfarë është Republikën Serbe në Bosnje e bën pasoja që e lëngon e gjithë Bosnja prej saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ngelet fare prapa në këtë aspekt, aq më tepër kur dihet që Kosova ka pozitë edhe më të dobët ndërkombëtare sesa Bosnja e cila njihet si shtet nga e gjithë bota dhe ka ulëse në OKB. Banja Lluka dhe Pale e kanë ndryshuar Sarajevën politikisht e zyrtarisht dhe të njëjtën gjë po ia bëjnë edhe veriu i Mitrovicës e Graçanica kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Paralelisht me këtë, negociatat në Bruksel nuk kanë përfunduar për dallim nga ato në Dayton të ShBA-ve. Marrëveshjet Thaçi-Daçiq nuk po i mbyllin por po i shtojnë negociatat e të cilat, më tutje, po i shtojnë koncesionet ndaj Serbinë.

Kryeministri Thaçi është arsyeja kryesore pse Serbia jo vetëm që po e lë mbrapa e përfundi Kosovën por po e tejkalon me shpejtësi edhe Shqipërinë. Thaçi e bëri Serbinë sërish lidere në Ballkanin perëndimor. Shqipërisë iu shty statusi i vendit kandidat për qershorin e vitit 2014, Kosova u ngujua në premtime të vjetra për liberalizim vizash dhe MSA-në, kurse Serbia fillon negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Duket që modelin franko-gjerman BE-ja nuk arriti ta përdorë në relacionin Kroaci-Serbi (me Bosnjën në mes). Tash po orvaten ta bëjnë këtë te marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ku Kosova është Bosnja e re midis Shqipërisë e Serbisë. Me këso paqe e stabiliteti pa drejtësi, doemos inkurajohet barazimi i krimeve dhe relativizimi i fajësisë.

Kontributi personal i Thaçit për largimin dhe dobësimin e Serbisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar tashmë është më i vogël sesa kontributi i tij për kthimin dhe forcimin e Serbisë në dekadën e dytë të këtij shekulli. Pra, kontributi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës e ka tejkaluar kontributin e tij për Kosovën jashtë Serbisë. Sikur kryeministri Thaçi t’i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të Kosovës sikurse ato të Serbisë, Kosova do të përparonte shumë. Nuk është që Thaçi s’brengoset fare për Kosovën, por ai brengoset shumë më tepër për veten e tij sesa për Kosovën. Gjithfarë kompromisesh marramendëse i bën në kurriz të shtetësisë së Kosovës vetëm dhe vetëm ta postojë burgun për korrupsion që i kanoset si shpata Damokleut. Në këtë kontekst, Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën për vitin 2013 nuk është raport i regresit sa i heshtjes së regresit. Problemi konsiston që nuk gjejmë progres në realitetin që e jetojmë dhe jo që nuk e gjejmë atë në raportin që lexojmë. Për dialogun me Serbinë dhe lëshimet pe ndaj saj, Thaçi rregullisht u shpërblye personalisht me minimizim të krimit e korrupsionit në konstatimet për të.

Teksa i afrohemi kohës kur do të shënojmë një dekadë e gjysmë të largimit të Serbisë nga Kosova, Thaçi po i shton koncesionet që e ndryshojnë rregullimin dhe përbërjen institucionale të Kosovës në mënyrë që t’i bëhet vendi Serbisë brenda Kosovës.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, opinion, per Thacin

Paqja pa anti-fashizëm?

December 7, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Gabimi i pacifizmit evropian kundrejt fashizmit ndërmjet dy luftërave botërore po përsëritet në Ballkan, në vigjile të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Paqja nuk është qasja e drejtë dhe as e dobishme karshi fashizmit. Nuk kemi nevojë për përvoja të hidhura të na përsëriten për të mësuar atë që tashmë e dimë. Pacifizmi nuk e pacifikon fashizmin (të cilin kështu vetëm sa e inkurajon), por pikërisht pacifikuesin. Paqja ndaj fashistëve është marrëdhënie e njëanshme: mund të japësh paqe por s’merr dot paqe mbrapsht.   Fashizmi serb aktualisht përfaqësohet nga treshja Nikoliq-Vuçiq-Daçiq. Origjina e tij është Nikola Pashiqi kurse prindërit e drejtpërdrejtë të këtyre bijve të fashizmit serb janë Milosheviqi e Shesheli. Si asnjëherë më parë ky fashizëm po shpërblehet jo vetëm duke u toleruar si nga Brukseli zyrtar po ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Dialogu politik në Bruksel shënohet nga kërkesat e Daçiqit, koncesionet e Thaçit dhe ndërmjetësimi i Baroneshës Ashton. Vëllimi ishte anormal: për vetëm një vit, që prej tetorit të vitit të kaluar, Thaçi është takuar plot 18 herë me Daçiqin. Ajo që po normalizohet është gjithsesi anormale.        

Dikur Serbia e konsideronte Kosovën çështje të brendshme të saj. Sot, Serbia është bërë çështje e brendshme e Kosovës. Thaçi dikur s’e pranonte tezën që Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, mirëpo vetëm 15 vjet më vonë ai edhe e pranon edhe e zbaton tezën që Serbia të jetë çështje e brendshme e Kosovës. Dalja e Kosovës nga Serbia po zëvendësohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Me dialogun në Bruksel po normalizohet Serbia brenda Kosovës. Ky normalizim është gjithsesi forcim i Serbisë jo vetëm brenda Kosovës: ajo po forcohet edhe në kontekstin rajonal edhe në raport me BE-në. Dikur, në kohën e Milosheviqit e të Koshtunicës, Serbia mbante qëndrim kundër BE-së dhe NATO-s dhe i dirigjonte serbët e Kosovës përkundër perëndimit. Tash, nëpërmjet dialogut politik me Thaçin, ajo po e vazhdon dhe shton kontrollin mbi serbët pa pasur nevojë të jetë kundër perëndimit.   

Baronesha Ashton në Bruksel (me EULEX-in në Kosovë) dhe Daçiqi në Beograd (me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë) janë shndërruar në pronarët e vërtetë të Kosovës. Qeveritarët e Kosovës janë menaxherët, kryeministri Thaçi është CEO (Chief Executive Officer), ndërkaq ambasadorët e Quintit në Prishtinë paraqesin Bordin e Drejtorëve. CEO-së, apo ‘shefit’, i japin bonuse, teksa pronarët menaxhojnë gjithë menaxherët (me në krye shefin). Ishte simptomatike ajo shprehja e famshme ‘shefi i shefave’ te afera Pronto, apo jo?        

Në raport me Serbinë, Kosova nuk i ka problem vetëm krimet e luftës, por edhe qëllimet kriminale të saj që vazhdojnë të gjallojnë. Thaçi nuk do t’ia dijë për asnjërën prej këtyre. Thjesht, shumë më tepër Daçiqi beson në Serbinë si shtet sesa që Thaçi beson në shtetin dhe Republikën e Kosovës. Thaçi beson në para e në pushtet dhe që të dyja i do për vete. Paratë i ka për pushtet; pushtetin e ka për para.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të dominohet nga veriu, pavarësisht numrit dhe popullsisë më të madhe në komunat me shumicë serbe në jug. Një aksion i mundshëm që do të dëshmohej posaçërisht problematik do të ishte bartja e kërkesave të gjera dhe të pazgjidhura pronësore të Serbisë anekënd Kosovës (p.sh. përtej 10 komunave anëtare) te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për më tepër, disa frikësohen që dykuptimësitë do të shfrytëzohen nga Asociacioni që të grabis pushtet në Kosovë. Siç tha një diplomat evropian i intervistuar, ‘Beogradi do të përgatisë serbët lokalë të thonë që gjithçka që nuk është eksplicite është kompetencë e Asociacionit’. Nëse njëra apo dy nga këto mundësi do të realizohen, kjo do të përmbushte druajtjen e errët që Asociacioni do të bëhet një ‘entitet’, sikurse Republika Serbe në Bosnje e Hercegovinë”. Kështu thuhet në një raport të botuar këto ditë nga Këshilli i Politikës për Demokratizim (DPC) e që mban titullin “Ujdi ende e papërfunduar: Kosova dhe marrëveshja Prishtinë-Beograd”. Fundja, Lista Serbe e Daçiqit njëherë u quajt Lista Serbia, ashtu qysh edhe Bosnja quhej Serbi për t’u kurorëzuar me Republikën Serbe atje që paraqet vetë arkivolin e shtetit të Bosnjes.

9 maji, Dita e Evropës, lidhet me deklaratën e burrështetasit francez, Robert Schuman, nga viti 1950. Mirëpo, nuk duhet harruar që, para kësaj, saktësisht pesë vjet më herët, u shënua ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë, më 9 maj 1945. Themeli i Bashkimit të sotëm Evropian nuk është thjesht paqja, por (edhe) anti-fashizmi. Fitorja mbi fashizmin e solli paqen kurse paqja ndaj fashizmit e solli Luftën e Dytë Botërore.     

Me qasjen e saj në Ballkan, Baronesha Ashton po e shpërfill anti-fashizmin nga parimet themeltare të BE-së duke e lënë aty të vetmuar paqen. Paqja pa anti-fashizëm është spostim i luftës për ‘ditë më të mira’. E, kushedi, Baronesha Ashton mund të jetë vetëm një gur në mozaikun e madh evropian ku tolerimi i partive të djathta ekstreme i kombinuar me fjalën magjike ‘austerity’ (shkurtesat) vetëm sa e ka forcuar fashizmin prej Greqisë e deri në Holandë, prej Francës e deri në Finlandë…    

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Paqja pa antifashizem

Shërbëtori Thaçi dhe “e drejta” e tij

November 7, 2013 by dgreca

Opinion nga Albin Kurti/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mbron Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, nga diskriminimi! Ja cili është rezultati politik e konceptual i dialogut pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore por edhe pas zgjedhjeve, Daçiqi dhe të gjithë zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë do të mund të hyjnë e vijnë në Kosovë, të flasin e të veprojnë. Në mbrëmjen e 7 tetorit, pas negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Thaçi sërish lëshoi pe dhe u nënshtrua.

Pas raundit më të fundit dhe më të ri të negociatave të vazhdueshme në Bruksel, në njërën anë, Thaçi deklaroi që ‘askush nuk mund të pengohet në lëvizjen e lirë’, ndërkaq, në anën tjetër, ai theksoi që ‘Kosova do ta respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim’. Herën e parë bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes si një e drejtë, kurse herën e dytë për marrëveshje politike mbi lirinë e lëvizjes. E para gjithsesi do të ishte e pamjaftueshme sepse dihet që kriminelët e armiqtë, siç e mendojnë Daçiqin shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, nuk kanë liri të lëvizjes. Prandaj, vjen kjo e dyta për marrëveshjen politike me Serbinë e cila e zgjeron lirinë e lëvizjes (duke e shkelur në thelb atë) edhe për Daçiqin e zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë.

Kështu Daçiqi, Nikoliqi, Vuçiqi dhe krerët e tjerë të Serbisë e fituan lirinë për pelegrinazhin e fashizmit serb në Kosovë. Ata që nuk do të duhej të kishin liri të fjalës, tubimit e veprimit as në Serbi i fituan ato në Kosovë. Thaçi po ia jep lirinë e lëvizjes Serbisë në Kosovë. Pas lirisë së krijimit të Asociacionit a Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pas amnistisë ligjore për kriminelët serbë, Serbia e fitoi edhe lirinë e fushatës për Serbinë në Kosovë. E legalizuan krimin e deritanishëm për të kaluar në një fazë të re për zgjerim e forcim shtesë.

Marrëveshja e këtillë na thotë që diskriminuesi më i madh nuk duhet diskriminuar! Sepse dihet kush është Ivica Daçiq: tetë vjet zëdhënës i partisë famëkeqe të Milosheviqit (SPS) dhe një Milosheviq-junge i spikatur; ishte bashkë me Milosheviqin kur ai ushtronte apartheidin në Kosovën e paraluftës, kur zbatonte gjenocid në Kosovë gjatë luftës dhe kur Milosheviqi i la trashëgim strukturat paralele në Kosovë pas luftës. Pas zgjedhjes në krye të partisë së Milosheviqit, më 4 dhjetor 2006, Daçiq tha se ‘askush nuk mund të thotë se nuk do të ketë përsëri luftë në Kosovë’, për të shtuar se ‘Kosova duhet të mbrohet me të gjitha mjetet’. Daçiq ishte bashkë me Nikoliqin e Vuçiqin gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe që prej vitit të kaluar u bënë bashkë sërish në qeverisje me qëllime të vjetra e për qëllime të vjetra (që i kanë të ndryshme mjetet e realizimit vetëm në masën e rrethanave të ndryshuara).

Me lejen e tij për Daçiqin, Kryeministri i Kosovës ka shkelur vendimet dhe qëndrimet e qeveritarëve më të afërt të tij: zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Para vetëm pesë ditëve sipas shtypit ditor në Kosovë, Kuçi deklaroi: ‘Ka qenë një kërkesë e z. Daçiq që ta vizitojë Kosovën nesër dhe i është anuluar kjo vizitë dhe të tjerat me arsyetimin se gjatë fushatës zgjedhore nuk lejojmë të ndërhyjë në procese të brendshme. Kërkesat e tij gjatë fushatës do të refuzohen. Vizitat e karakterit politik dhe partiak nuk do të lejohen. Po ashtu kryeministrit Daçiq i është thënë se niveli i lartë në Serbi gjatë gjithë fushatës nuk do të lejohet të vijë në Kosovë’. Ndërsa para vetëm dy ditëve Kuçi tha se ‘ne jemi për atë që të inkurajohen serbët lokal për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por jo që të kemi fushatë elektorale të Serbisë në Kosovë’. Vendimin e tij qysh në fillim e pat përforcuar Ministri Enver Hoxhaj kur potencoi që ‘kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel’. Mirëpo, duket se një presion tjetër ishte më i rëndësishëm sesa presioni i Serbisë në Bruksel – presioni i Brukselit mbi Thaçin apo edhe ai direkt i Serbisë mbi Thaçin. Kuçi dhe Hoxhaj nuk janë të vetëdijshëm se sa pak trysni nevojitet mbi Thaçin që të kryhen punë të shumta për Serbinë. Deklarimeve të tij të mësipërme, Kuçi ia pat shtuar edhe atë se ‘pala kosovare nuk do të zmbrapset karshi shantazhit të kryeministrit serb’. Tash, ose Kuçi nuk e njeh fare kryeministrin e tij, ose nuk e konsideron atë të jetë pjesë e palës kosovare.

Serbia në dialogun në Bruksel vazhdimisht shtron kërkesa të reja e kërkesa shtesë, ndërkaq Kosova bie në defanzivë duke i plotësuar pjesërisht ato (hëpërhë) për t’i plotësuar tërësisht (ca më vonë). Në Bruksel ku ndërmjetëson Baronesha Ashton, edhe koha e raundit të ri të bisedimeve edhe substanca e tyre përcaktohen nga interesi dhe nisma e Daçiqit. Kur ai është i pakënaqur (ndërkohë që është i pangopshëm) organizohen bisedime e negociata ku pak e ngapak, por gjithnjë dhe përherë e më shumë, Thaçi lëshon pe, zmbrapset dhe bën kompromise.

Pasi që iu nënshtrua Daçiqit sa i përket datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Thaçi pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për përmbajtjen e zgjedhjeve duke futur 12 mijë serbë shtesë në listat zgjedhore për komunat në veri të Kosovës. Madje, pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për fushatën e zgjedhjeve ku Serbia po bëhet njëri ndër opcionet elektorale. Kompromiset e Thaçit nuk janë të tilla që të mos ketë më kompromise të tjera, e aq më pak të atilla që mundësojnë të ecet para. Mbase shumë më tepër Daçiq beson në shtetin e Serbisë sesa që Thaçi beson në Republikën e Kosovës.

Në shekullin e kaluar Serbia nuk kishte një kryeministër në Kosovë sikurse që tash e ka Thaçin. Ky njeri është bërë shërbëtor i dyfishtë: në njërën anë është shërbëtor i privatizimit neoliberal e në anën tjetër shërbëtor i shovinizmit serb. Është e qartë që Thaçi është në lloç të gjallë. Problemi është se teksa po fundoset gjithnjë e më shpejt, ai po e shtrëngon gjithnjë e më fort Kosovën që don ta marrë me vete.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, e drejta e tij, sherbetori Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT