• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përfundon qetë protesta në Mitrovicë

March 30, 2013 by dgreca

Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”/

Ka përfunduar në mënyrë të qetë protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila nisi nga ora 13 në në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Mitrovicë njofton se në protestën e sotme kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, të cilët i janë bashkuar thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, për të protestuar kundër, siç kanë thënë ata, “padrejtësive që po ndodhin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Masës së qyetarëve të mbledhur në sheshin “Mehë Uka”, i është drejtuar Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe vetë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili duke kërkuar reziprocitet në bisedime, ka paraljmëruar protesta të reja në rast se ndodh ndryshe.
“Duhet të ketë reciprocitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse më shumë ka shqiptarë në Serbi, se sa që ka serbë në Kosovë. Nëse do të ketë marrëveshje më 2 prill, ne do të demonstrojmë në Prishtinë kundër tradhtisë së Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Protesta e sotme mbahej nën moton “Bashkohemi në Mitrovicë”, dhe u zhvillua vetëm tri ditë para takimit të ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun serb, Ivica Daçiq.

 Albin Kurti: “Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”

Albin Kurti, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka kritikuar bisedimet në mes të dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të cilat po zhvillohen në Bruksel. Ai tha se Plani Ahtisaari është i dëmshëm, pasi që ndan Mitrovicën në dy pjesë.

“Mitrovica nuk mund të ndahet në dy pjesë. Është një qytet që duhet të bashkohet”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për autostrada, por për fabrika, që do të punësonin popullatën e do të dilnim nga varfëria e skajshme.

“Kosovën e ka ngufatur korrupsioni dhe SHIK-u”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.
*****

Ahmeti: “Pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, duke iu drejtuar masës së tubuar, tha se “pa Mitrovicë të bashkuar, nuk ka Kosovë”.

Teksa Ahmeti po fliste, turma brohoriste “Jo pazare me Veri”, “Hashim Hajni”, e thirrje tjera të ngjashme.

Ai tha se Mitrovica ka qenë këtu tash e 14 vjet në këtë gjendje, dhe atij iu kujtua ky vend vetëm një ditë para protestës sonë.

Protestuesve ende nuk u është drejtuar askush me ndonjë fjalim. E tëra që po degjohet janë parullat e protestuesve. “Jo Kosovë dhe veri, bashkim me Shqipëri”, “Jo negociata Vetëvendosje”.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Protesta ne Mitrovice, Shpend Ahmeti

TRETJA E SHTETESISE

March 2, 2013 by dgreca

Tretja e shtetësisë përmes ‘njohjeve’ të Serbisë/

Nga Albin KURTI/

Të thuash që dialogu politik Kosovë-Serbi është i pashmangshëm dhe Thaçi si kryeministër i Kosovës është i pashmangshëm, paraqet të njëjtën gjë. Në çastin që Thaçi s’është më kryeministër, dialogu me Serbinë s’është më i pashmangshëm. Dhe, gjersa Thaçi është kryeministër, dialogu me Serbinë është njëmend i pashmangshëm. Thaçi s’mbahet dot si kryeministër pa këtë dialog me Serbinë. Ky dialog s’bëhet dot pa kryeministër Thaçin. Dy padrejtësi janë bërë komplementare dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra. Padrejtësia e avansimit të Serbisë drejt BE-së përkundër faktit se në Beograd bashkëqeverisin kriminelët e luftës. Dhe, padrejtësia e sundimit të Thaçit në Kosovë përkundër korrupsionit skandaloz të qeverisë së tij.

Për pasojë, përparimi i Kosovës drejt integrimeve evropiane edhe nuk po ndodh edhe është lidhur ngusht me dialogun me Serbinë. Kosova duket keq, angazhohet pak dhe trajtohet mbrapshtë, që të mund të ecë drejt Brukselit. Paralelisht me këtë, jo demokracia, zhvillimi e drejtësia në Kosovë, por dialogu me Serbinë, na janë shndërruar në mënyrën për integrim evropian. Ky dialog i cili, në fakt, është obligim për Serbinë nëse ajo do rrugëtim drejt Brukselit, brenda disa muajsh u transformua në obligim për Kosovën – tani është Kosova ajo që ia paska borxh Brukselit këtë dialog. Kjo ka kuptim vetëm në variantin pervers: Kosova po integrohet bashkë me Serbinë!

Dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për përfaqësimin rajonal të Kosovës (me ç’rast na u shtua fusnota në emërtim duke na e kontestuar shtetësinë dhe na u hoq fjala ‘Republikë’ nga emërtimi i shtetit), Serbia e Tadiqit kurrsesi s’do ta fitonte vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për BE. Njësoj, dihet që pa marrëveshjen me Serbinë për veriun dhe strukturat kriminale shtetërore të saj në Kosovë, Serbia e Daçiqit s’do të mund ta fitojë këtë vit datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Ndërkohë, neve na thuhet që me këtë dialogun me Serbinë Kosova po lëviz në integrimet evropiane megjithëse sërish as vetëm liberalizimin e vizave s’do ta fitojmë në këtë vit!

Të gjithë ata që janë në pritje të rezultateve të dialogut me Serbinë në Bruksel duhet ta mendojnë për një çast se rezultat i çkafit ishte vetë ky dialog që u imponua në vjeshtën e vitit 2010. Në njërën anë, kishim shtetin e Kosovës, qeveria e të cilit edhe s’arriti as pas dy vjetëve e gjysmë të pavarësisë së Kosovës ta bashkojë Mitrovicën, edhe u korruptua deri në vetulla. Në anën tjetër, kishim kompromisin BE-Serbi, përkatësisht Ashton-Tadiq, që u shpreh me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2010, përmes së cilës u rikuptimësua mendimi këshillues i GjND-së së korrikut 2010. Rezultati i dialogut, porsi vetë dialogu, gjithsesi varet nga shkaku i dialogut, nga ajo që e bëri vetë dialogun rezultat.

Te korniza e këtij dialogu që u etablua në vjeshtën e vitit 2010, gjendet arsyeja pse marrëveshjet e deritanishme Kosovë-Serbi jo vetëm që nuk vijnë asnjëherë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës por zakonisht as që publikohen. Mungesa e theksuar e transparencës përgjatë procesit të dialogut (si atij teknik po ashtu edhe këtij politik) tregon që ose nuk duan të dihet përmbajtja e atyre marrëveshjeve ose forma e tyre. Pra, ose ka diçka shumë të dëmshme në elementet përbërëse të marrëveshjeve ose forma e tyre nuk është ajo e marrëveshjeve ndërkombëtare midis dy shteteve andaj nuk duan t’i shfaqin fare ato (përveçse preferohet nga negociatorët kosovarë që ato të quhen konkluzione të dakorduara). Ose, si zakonisht, të dyja këto – marrëveshjet janë edhe të dëmshme në substancën e tyre dhe segmentet e saj, edhe të padrejta në formën që vulos asimetrinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që thuhet se po normalizohen (sic.).

Është absurde të besosh që nëse e bën një koncesion shumë të madh (si puna e Planit të Ahtisaarit) kjo do t’i përfundojë koncesionet si të tilla. Askush nuk është kundër dialogut në parim, mirëpo, dialogu pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës, patjetër që paraqet dialog pa parime. E, në një këso dialogu, koncesionet përherë do të interpretohen si dobësi e palës që bëri koncesione dhe inkurajim për të kërkuar koncesione të tjera shtesë. Në këtë dialogun politik në Bruksel, Serbia shfaqet si dëshirë e pashuar për më shumë, ndërkaq Kosova si kënaqësi që e ndërpren përkohësisht atë dëshirë.

Nuk është e thënë që statusi special, autonomia, Ahtisaari +, kantonizimi, federalizimi etj. të jenë tema në dialogun politik në Bruksel në mënyrë që ato të realizohen. Thjesht, ato do të mund të jenë pasoja pa qenë tema, duke iu falenderuar motivit, karakterit dhe kornizës së dialogut politik me Serbinë. Pa kushte për Serbinë dhe për çështjen e brendshme të Kosovës paraqet qasjen më se të mjaftueshme për t’i përjetuar Kosova dëmet dhe humbjet gjymtuese pa folur për to në mënyrë eksplicite. Kantonizimi i Kosovës që nis me autonominë e veriut e përfundon me federalizimin e brendshëm të Kosovës po zbatohet prej së poshtmi. Autonomi financiare, kufitare etj. ashtu që emërtimi në fund të jetë çështje formale dhe disi tashmë e përfunduar. Autonomia e veriut po ndërtohet pak e nga pak për t’u shndërruar më pastaj në një fakt të kryer. Ndërkohë, secilin koncesion ndaj Serbisë, Thaçi dhe Tahiri do të na e interpretojnë si edhe një njohje që Serbia ia bëri Kosovës! Kësisoj, Serbia tanimë na ka njohur në aspektin e vulave doganore, diplomave universitare, dokumentacionit kadastral, regjistrave civilë, përfaqësimit rajonal, pikave kaluese në kufi etj. dhe kanë mbetur edhe vetëm dhjetëra (ndoshta qindra!) aspekte të tjera për të na njohur Serbia. Numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet e ndryshme të botës po i lëshon vend numrit të aspekteve të njohjes që po na i bën Serbia! Nuk është vetëm bota e zbërthyeshme në shtete që (s’)na njohin por edhe njohja qenka e zbërthyeshme në aspekte që (s’)na i njeh Serbia. Mirëpo, sa më shumë aspekte të njohjes së Serbisë për shtetin e Kosovës aq më pak aspekte të vetë shtetit të Kosovës. Edhe pak më shumë njohje të Serbisë do të thotë edhe ca më pak shtetësi për Kosovën. Me këtë logjikë, në fund, Serbia do të na e njohë plotësisht shtetin e pavarur mu atëherë kur do ta kemi humbur atë tërësisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, tretja e shtetsise

Platforma e Thaçit dhe Strategjia e Daçiqit

February 5, 2013 by dgreca

Nga Albin Kurti/

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj aq shumë e aq shpesh kanë theksuar se s’kemi pse merremi me Rezolutën e Platformën e Serbisë saqë ajo mbase edhe nuk duhej lexuar fare sipas tyre. Njëkohësisht, vazhdonin ata, Kosova nuk ka pse harton Platformë të saj për dialogun politik meqenëse ne s’duhet ta imitojmë Serbinë dhe fryma, germa e vijat e kuqe për neve tashmë i ka shkruar ish Presidenti finalandez Marti Ahtisaari. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi i mblodhi pardje krerët partiakë të koalicionit qeverisës dhe ata opozitarë që s’e kundërshtojnë dot, për të përpiluar një dokument i cili si në strukturë po ashtu edhe në përmbajtje i ngjan pikërisht një Platforme për dialogun politik me Serbinë.

Shumëçka do të mund të thuhej për këtë Platformë dhe kontekstin e saj politik, mirëpo këtu po kufizohem në pesë elemente që m’u dukën më të rëndësishme. E para, kjo Platformë i referohet territorit gjeografik në veri të lumit Ibër në Kosovë si Veriu i Kosovës, pra me ‘V’ të madhe thua se bëhet fjalë për një entitet të veçantë, tërësisht në përputhje me aspiratat e Serbisë. Së dyti, problematizimi i strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë kufizohet vetëm te ato të MUP-it famëkeq duke mos i quajtur ato as armiqësore, as kriminale dhe, në fillim, as ilegale, por vetëm struktura të sigurisë. Më tej, kërkohet veçse largimi i këtyre strukturave, gjë që paraqet një lloj amnistie për krimet e tyre të panumërta në këto vitet e pasluftës. Së treti, është ofenduese që kjo Qeveri të zotohet që do të themelojë ‘Fondin Zhvillimor për Veriun’ në kohën kur edhe qasja e vizioni, edhe buxheti shtetëror, sipas kësaj Qeverie e vitet e saj të qeverisjes, mund të jenë gjithçka tjetër përveçse zhvillimore. Së katërti, asnjë fjalë nuk thuhet në këtë Platformë për Luginën e Preshevës, përkatësisht Kosovën Lindore, ashtu qysh e kishim parashikuar qysh moti. Dhe, së pesti, fjalia “Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi…” shfaq mirëkuptim sa të çuditshëm aq edhe të dëmshëm të Thaçit dhe të të tjerëve për Serbinë. Kjo do ta trimërojë Serbinë dhe do të ketë pasoja të mëtutjeshme në zbutjen e qëndrimit të faktorëve ndërkombëtarë karshi saj.

Platforma e Qeverisë së Kosovës me të cilën u pajtuan edhe disa opozitarë po e përgatit terrenin për kompromisin e radhës për Kosovën. Ky kompromis nis me veriun por zgjatet edhe te njëfarë bashkësie e komunave me shumicë serbe si dhe sërish te trashëgimia kulturore ortodokse. Meqë ky dialog nuk bazohet në drejtësi ai s’mund të sjellë drejtësi. Nuk është i bazuar në drejtësi sepse nuk ka asnjë parakusht për Serbinë dhe aty dialogohet veçse për çështje të brendshme të Kosovës. Nuk do të sjellë drejtësi andaj më shumë koncesione drejt marrëveshjes së kompromisit do të kërkohen nga pala më e dobët e që në këtë rast është Kosova.

Bashkimi Evropian dhe Serbia pajtohen që ndërmjet idesë së ndarjes së Kosovës dhe Planit të Ahtisaarit ekziston një hapësirë. Zyrtarë të shumtë të BE-së që janë preokupuar me rajonin e Ballkanit perëndimor, në kohëra dhe forma të ndryshme, e kanë pohuar këtë gjë. Këta zyrtarë evropianë dhe qeveritarët serbë mund të mos pajtohen për madhësinë e asaj hapësire por jo edhe për faktin nëse ajo ekziston. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës duket se pretendon të kundërtën, së paku deklarativisht e para publikut kosovar. Mirëpo, kjo Platformë tash porsi edhe vetë hyrja në dialog me Serbinë më herët, e demantojnë Qeverinë e Kosovës.

BE-ja dhe Serbia po nxitohen për njëra-tjetrën, kurse Kosova po përfundon si dëm kolateral. Thaçi është këtu në Kosovë (dhe jo vetëm atëherë kur shkon atje në Bruksel) për ta riemëruar këtë dëm si ndonjëfarë fitore të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është abnormalizim i veriut dhe i krejt Kosovës. E gjithë kjo për normalizim të marrëdhënieve të Thaçit me BE-në ku ky jep shtetësi e territor të Kosovës ndërkaq merr imunitet politik nga EULEX-i për korrupsionin e tij. Po ky kryeministër që para disa muajve thoshte që nuk do të ketë dialog politik me Serbinë, kurse para disa javëve që nuk do të dialogojë me Serbinë për veriun e Kosovës, tash na thotë që nuk do të lëshojë pe në këtë dialog politik i cili qartazi me 17 janar 2013 do të jetë (edhe) për veriun e Kosovës. Siç e tha vetë Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Baroneshës Ashton: “Raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd do të jetë më i vështirë se takimet e tjera të mbajtura deri më tani dhe tema e veriut do të jetë temë  kryesore”.

Dihet që Serbia është faktor destabilizues dhe destruktiv në Kosovë. Nëpërmjet dialogut politik në Bruksel me Kosovën e për Kosovën, Serbia po legalizohet si faktor stabiliteti dhe faktor konstruktiv në sytë e BE-së. Kësisoj, ajo po ribëhet hisedare në stabilitetin dhe ndërtimin institucional në Kosovë. Nga këndvështrimi i BE-së, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë komplementare në Kosovë si faktor stabilizues e ndërtues. ‘Normalizimi i marrëdhënieve’ ndërmjet Kosovës e Serbisë është sajimi i kësaj marrëdhënie komplementare në Kosovë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, platforma e Thacit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT