• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tjerrësit e leshit

August 30, 2018 by dgreca

1 GrishajkryetaresNga Alfons Grishaj/

Skajet e larta të horizontit  nuk mund ti kapë çdo lloj syri, ashtu si  Mariana trench nuk mund të arrihet me fije leshi. Po ç’ti bësh , mendimtharët tanë  përdorin shumë fijet e leshit në vend të neuroneve logjike.

Para pak kohe , të persekutuarit politik përdorën një krahasim për vuajtjet e tyre në Kampin e Tepelenës , duke e  quajtur  “Aushvic”. Megjithëse qe një krahasim dhe të gjithë e dinë çdo të thotë krahasim , mendimtharët tjerrës filluan debatin duke bërë lesh e li  problemin delikat që ndan dy botë , atë të krimit kolektiv komunist , me liritë dhe  të drejtat e njeriut .Sot, më duhet tu vë një emër  mendimtharëve , duke i quajtur  “tjerrësit e leshit”. Ata  nuk dinë asgjë tjetër,  vetëm të bëjnë  lëmshe leshi, dhe asnjëherë nuk arrijnë për të realizuar  një punim serioz , për ti shërbyer vetvetes dhe shoqërisë , por  tjerrin  e tjerrin dhe asgjë  në dritë nuk nxjerrin.

Krahasimi i “Kampi Tepelenës” me “Aushvicin” nuk kishte pse shqetësonte “tjerrësit e leshit”, për të  ngjallur zemëratën e mijëra të vuajturve që përjetuan ferrin komunist. Po i kanë provuar ata vuajtjet e tmerrshme që  kanë hequr të përsekutuarit? Jo!

Nëse, mendimtharët kundërshtarë  nuk e kanë përjetuar një ferr të tillë, mbi cilin fakt mbrojnë teorinë e tyre , që Kampi i Tepelenës nuk qe një Aushvic i dytë , kur njërëzit që e kanë jetuar janë të gjallë akoma dhe japin detaje drithëruese? Të jetë kjo një shkarje delitantësh apo një ligësi demagogësh me ngjyrë? Si mund të gjykohet vrasja si ndryshim thelbësor kur është e njëjtja dhimbje dhe që të dyja kampet kanë të njëtën fyrtyrë, tmerr dhe vdekje ?! Atëherë ku  ndryshon thelbi i vrasjes? Tek dhomat me gaz , krematoriumet , vdekja nga  uria dhe torturat  , numri i viktimave apo iligjimiteti i vrasjes?! Unë mendoj,  iligjimiteti i vrasjes përbën thelbin e arsyes krahasuese të objektit dhe jo numri i të ekzekutuarvë dhe forma e vdekjes.

Sa për kujtesë :

Nazistët, fillimisht e nisën  shpagimin për padrejtësinë e Traktatit të Versajës dhe u bënë varrmihësit e saj. Si fillimi i të gjitha diktaturave shpagimi kthehet në etje dhe etja kërkon lumenjë gjaku. Mein Kamf , u mendua të jetë Bibla e gjermanëve dhe nazizmi filozofia e “Racës Ariane” . Në disa Kisha , nazistët hoqën Biblat dhe zevëndësuan me Mein Kamf. Ndërsa  Heidegger kërkoi që ta bënte nazizmin filozofi, ashtu si Lenini, marksizmin.

Komunizmi dhe nazizmi janë si vëllezërit siamez…por me një ndryshim, se komunistët nuk e nisën luftën me kundërshtarët internacionalë për të rivendosur “padrejtësinë” e Traktatit , se nuk patën ndonjë të tillë, por e nisën me çmontimin e vlerave të  civilizimit dhe ligjet e shenjta për të vendosur kultin e komunizmit.E kam shkruar dhe më parë, komunistët  shkallmuan  vlerat  intelektuale kombëtare , pronën dhe  besimin, trekëndëshin  e zhvillimit përparimit njerëzor. Nëse nazizmi qe jetëshkurtër, komunizmi jetoi shumë më gjatë se nazizmi dhe pasojat qenë më të tmerrshme si në këndvështrimin historik e shkencor  dhe në atë njerëzor. Midis tyre shenja barazuese vendoset në çmendurinë e aktit që përbën kultin kafshëror , kult që shkatërron vlerat humane.

Atëherë “tjerrësit…” përse kërkojnë  të ndërtojnë një rrjet pezishke merimange me neurone leshi ?

Mendoj… arsyet  janë dy :

1-Tradicioni dobët lind gjithnjë dashnorët e antivlerës, të cilët nuk e kanë për asgjë të manipulojnë shkallën e krimit si domosdoshmëri vetëmbrojtëse . Dhe si mbrojtës të origjinës  mundohen që me shoshën e fijeve leshit të mbulojnë dritën e diellit, përpjekje kjo që përbën nonsensin dramatik të ripërsëritjes , duke rënë nga krimi fizik   në atë moral.

2-Shikimi i të persekutuarve si qënie  inferiore , që nuk përbëjnë kërcënim hakmarrës për kulturën e tradicionit  krimit . Pra , mund të lozësh me “thëngjinjtë e fikur” se nuk  kanë fuqi zjarri për të  djegur dorën !

Ky është dhe kulmi i pafytyrësisë që e bën dhe më të rëndë çështjen e hapur. Megjithëse asnjëherë nuk kanë  kërkuar të falur për krimet e baballarëve të tyre…vazhdojnë të tallen?! Tallja e mendimtharëve po kthehet në një ritual që sa vjen dhe bëhet më i rëndomtë. Ndërsa të persekutuarit , po ndërgjegjësohen përditë për të ndërruar formën e përgjigjes për dashnorët e antivlerave.

Mendoj se, mendimi me vlerë dhe kritika objektive intelektuale është foleja e arsyes dhe gjeneratori i dijes. Në të kundërten e qëllimshëm,  qenëz bakteriologjike .

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Tjerrësit e leshit

Jehona e statujës Pjetër Arbnorit

July 30, 2018 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
2 arbnori statujaAi ishte…!/

1-Alfonsi2-300x225

            Në kohën e inkuzicionit primitiv komunist ka pasur shumë të dënuar “politik” (por pak politikanë të mirëfilltë të ndërgjegjes së kulluar politike). Një nga ata ishte Pjetër Arbnori. Mbase i vetmi i dënuar i ndërgjegjes  që u përpoq për krijimin e një Partie politike në oponencë me Partinë në pushtet. Nëse Priftërinjtë e Hoxhallarët, qenë kundër komunistëve se ata ishin  njerëz  pa fe e Zot , Pjetri u mundua të krijonte një opozitë, të frymëzonte një ndryshim politik, “ Partia Social Demokrate.” Për këtë“mëkat” normal Perëndimor, ai vuajti 28 vjet e gjashtë muaj burg. Në vitin 1990, u aktivizua në demonstratat anti-komuniste në Shkodër. Me themelimin ePD-së, u mundua të krijonte lidhjet me “Opozitën e Re”, por pësoi zhgënjimin e parë, pasi në mitingun e 12 Dhjetorit në “Qyteti Studenti”, njëri nga “liderit” e rinj i tha se nuk merreshin me të burgosur politik.

Na u desh pak kohë që, sëbashku me zotërinjtë  Kolec Ndoja, Eduard Grishaj dhe Mond Bushati, t’i mbushnim mendjen që ai t’i bashkohej PD-së, me besimin se ajo do të qartësohej shpejt si opozitë, lidhur me orientimin ndaj çështjes së angazhimit të ish të burgosurve politikë në rradhët e veta. Pas bashkimit me “Grupimin e Ri”, filluan ta luftonin kundërshtarët e tij të vjetër dhe të rinj. Të vjetrit, ishin sigurimi i shtetit dhe PP, por dhe ndonjë i burgosur i ndërgjegjes së pandërgjegjshme, i cili frymëzoi dhe ca injorantë (e kam shkruar dhe më parë) që…vonë u bashkuan me PD, dhe tani na hiqen si shpëtimtarë të PD-së, biles dhe si miq të Pjetrit.  Kundërshtarët e  rinj ishin laramanë me gjak të helmuar që nuk donin të udhëhiqeshin nga të dënuar politik. Këto të fundit zografisën dhe përrallat (që i dëgjoj dhe sot) që nuk munguan në muret e Shkodrës… shkarravina turpi!

            Turpi nuk ka fytyrë tjetër veç fytyrës së njeriut me trup krimbi. Me kohë, këto krimba u shfaqën duke kaluar sa në një krah në tjetrin, biles nuk munguan të përvetësonin simbolin serb të tre gishtërinjve, për të frymëzuar dhe djegur Vlorën, oficerët e shtetit, më pas Shqipërinë.

Pjetri… mbeti i njëjtë gjatë baticave dhe zbaticave. Politikanët perëndimorë, nuk vonuan t’i propozonin  udhëheqjen e vendit, por ai i ktheu prapa. Kur ma tregoi këtë, e përqafova duke i thënë se kish bërë një akt burrëror.

Pjetri kandidoi dhe  për kryetar partie në oponencë me  Sali  Berishën. Së bashku me disa shokë nuk mbajtëm krahun e tij, por të Berishës. Atij, jo vetëm nuk i mbeti hatri, përkundrazi më tha : “Alfons,  ke folë drejtë. Berisha  asht njeriu i duhun për të udhëheq vendin… unë nuk kam vitalitetin e tij. Sigurisht, ai ka gabime si të gjithë na, por askush nuk mundet sot për sot me pas karizmën e tij për me i ba ballë  kundërshtarëve tanë”.        Kryetar i OSCE, Daan Everts, do më thoshte një ditë(sipas origjinalit): “Zotni Grishaj, sikur Pjetër Arbnori të ish në krye të Shtetit, Shqipëria do lulëzonte. Europa dhe Bota do ta ndihmonin Shqipërinë shumë më tepër, biles dhe trazirat e sotme nuk do kishin shans të ndodhnin. Unë e thumbova: “Po Ai ishte Kryetar Parlamenti!” – Everts mu kthye, –  “Nuk jam duke folur për pushtetin ligjvënës, por pushtetin ekzekutiv.”

Arbnori hyri në grevë të urisë për fjalën e lirë. Shpirti i tij ishte në kufirin e braktisjes trupit. Falë fuqisë hyjnore ai u kthye tek ne dhe për një kohë të shkurtër. Gjatë ditëve të grevës së urisë, shkova disa herë për ta vizituar. Një ditë, Tritan  Shehu do më thoshte: “ Pjetri na duhet i gjallë… Ai nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të!”.

            Kazani po vlonte. Europa ishte shumë e shqetësuar për Pjetrin. Nuk jam i sigurtë për Genc Pollon, por  Jozefina Topalli shkoi në Bruksel. Parlamenti Europjan do të çohej në këmbë duke duartrokitur në nderim të Pjetër Arbnorit. Jozefina, momentin në fjalëe tregon: “ Të gjithë deputetët e Parlamentit Europian , të majtë e të djathtë u çuan në këmbë duke duartrokitur në mënyrë frenetike , m’u  duk vetja shumë e vogël në krahasim me të”.  Presioni i jashtëm i Amerikës dhe Europës detyroi Parlamentin e kallashnikovëve të aprovonte “Amendamentin Arbnori”.

            Arbnori ishte vigan, por jo të gjithë bashkëpunëtorët rreth tij ishin të tillë. Disa u përpoqën të bëheshin të mëdhenj, por kurrë nuk mundën të shkapërcenin vetveten. Eshtë shumë e vështirë të shkapërcesh unin, dhe ky uni pra, është armiku më i madh i mirëkuptimit dhe zhvillimit në shoqërinë moderne.

            Takoheshim shpesh. Kujtoj promovimin e librit të tij që zhvillohej në Hollin e Teatrit Migjeni. Ishin të ftuar Bardhyl Londo, Zija Çela dhe të tjerë që nuk i kujtoj. Kritikët e rinj, Arben Prendi, Eduard Grishaj, kritikuan ashpër letërsinë komuniste dhe tërthorazi sulmuan dhe miqtë e pranishëm, biles Eduardi shkoi më tutje (pak a shumë, ndër të tjera): “Zotni Pjetër, shumica e të pranishmëve sot nuk do ishin këtu sikur Ju të mos ishit Kryetar i Parlamentit Shqiptar”. Bardhyli, kërkoi një farë ndjese për neglizhimin e letërsisë së ndaluar dhe për teprimet e letërsisë socialiste. Prof. Hasan Leka nuk doli jashtë kontureve të takimit, por udhëhoqi takimin në mënyrë profesionale...

            Si letrar, dhe sponsor i atij aktiviteti  u ndjeva keq. Pas takimit i kërkova ndjesë Pjetrit, se më dukej sikur miqtë ishin prerë në “besë.”Ai duke vënë buze në gaz mu përgjigj:“Kena  kalu 47 dimra të gjatë, na duhen po aq  pranvera me i balancu .”

            Megjithëse Pjetri, thoshte se politika i kish zënë derën, asnjëherë nuk e shikova atë në këndvështrim letrar,  shtojcë e papërfillshme  për figurën e tij  politike. Ai kish lindur për politikë. Burgimi i tij i gjatë nuk ndodhi se i shpëtoi një fjalë nga dëshpërimi, apo se shkroi një poezi hermetike, jo ! Arbnori u përpoq të krijonte një parti kundërshtare për ndryshim… e cila qe e ndaluar kriminalisht. Në atë kohë as nuk mendohej që dikush të krijonte parti sepse akuzohei për supertradhëti nga ligji komunist, pra  ishte vetvrasje.

            Ai erdhi në PD për të kontribuar në politikë, për t’i shërbyer atdheut. Me mençurinë që e karakterizonte përfaqësoi atdheun në një numër takimesh ndërkombëtare duke dalë faqebardhë. Pjetri në takimin me Presidentin Klinton, do t’i kërkonte të ndërhynte për të shpëtuar popullin shqiptar nën zgjedhen serbe. Arbnorin, bota e njohu dhe e respektoi  si Politikan.

            Natyra e tij ishte sa e ndjeshme dhe e fortë. Në gëzimet e shokëve përmallohej.Në luftën për demokraci ishte i ftoftë dhe i kthjellët. Në ballafaqimet diplomatike, përpunonte mendimin për një përgjigje dinjitoze në staturën e një diplomati të prirur nga përgjegjësia e përfaqësimit të vendit.

            Ai nuk urrente askënd! Virtyt ky, i disa të dënuarve me burgim të gjatë që fatkeqësinë e kthyen në filozofi. Ai dhe kur kritikonte socialistët apo të tjerë, zgjidhte fjalorin për të mos lënduar askënd.–“ Mundesh me folë tue rrahë tavolinën dhe mos me të dëgju askush, të njëjtën fjalë mundesh me e thanë me za të ulët e me të dëgju dhe armiku jot” – Kështu shprehei ai.

            Ngjarjet u rrokullisen siç i dimë të gjithë. Ka disa gjëra që shkruhen sot, të tjerat do i plotësojmë nesër. Por nuk mund të lë pa përmendur, zhgënjimin e tij të dytë dhe të fundit. Ai dhe pse nuk dinte kurrë të ankohej, mendimin e thoshte pa doreza. Para se të shkonte në jetën tjetër, erdhi ne Amerikë me Suzanën. Biseduam gjatë për ngjarjet në Shqipëri. Për çfarë nuk folëm…bëmë humor, kujtuam ditët e lirisë, shokët emër për emër, por  për një moment u ndal tek njëri, pushoi pak dhe shtoi: “Nuk ka gja, po si ka mundësi që bashkëpunëtorët e mi me urue kundërshtarin tem, i cili përveç muskujve dhe bamave tij gjatë rregjimit nuk ka  asnji cilsi politike?!”Zhgënjimin nuk mund t’ia kuptoje kurrë në tonin  e zërit, por vetëm në sytë e tij dhe rrjedhën fjalës logjike.

            Mëpas, Ai  preku dhe momentin e Selisë së Shenjtë, ashtu siç shkruan dhe Visar Zhiti, por nuk qe ajo brenga etij. Meraku për atdheun ishte shumë më i madh se një karrige. Ai thoshte se duke shkuar në Vatikan, do t’i jepte shtysë njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ai vuante për ndryshim, vuante për popullin shqiptar që nuk po gjente vetveten. Vuante që gënjeshtra nuk po futej në folenë e vet për ta zënë vendin e vërteta. Nuk i vinte mirë që bashkëpunëtorët e vet i sollën shpinën. Kur fliste për atë problem, ai më shikonte drejt në dritë të syrit, sikur përgjigjen e kërkonte nga unë. Herën e fundit, para se të ndaheshim më tha: “Kur të vij herën tjetër…kena me folë për  gjana që u ka ardh koha me i vu në jetë mençurisht… po jo me za të naltë!”… Po nuk qe e thënë që të shiheshim më në këtë botë. Ai shkoi në paqe me Zotin, duke pasur ëndrra jetike për familjen dhe shtetin shqiptar. Sigurisht,pati kundërshtarë, por asnjë armik të mirëfilltë!

“Dasma Shkodrane”

            Pas vdekjes, Suzi erdhi me fëmijët e saj dhe më takoi. – “Të kam pru nji dhuratë prej Pjetrit, qi e ka pshtjell me dorën e vet, se mendonte me ardh’ me ta dhanë vetë, por…Pjerini (Pjetri) na iku para kohe… more vlla ”.

            E shikova dhuratën e Arbnorit, ishte “Dasma Shkodrane” e punuar mjeshtërisht. E mbaja në dorë dhe mendja më çoi tek dasma e tij, ku i ftuar qe dhe Dritëro Agolli. Kur erdhi Driteroi, u çuam në këmbë dhe duartrokitem . Respekt për burrin që ua perplasi në fytyrë Enveristëve të pandreqshëm që u përpoqen…dhe e konvertuan  pallton, por psikologjinë dhe shpirtin nuk e ndryshuan kurr!  Nuk e di pse, por me syrin e mendjes, në tabllonë e “Dasmës Shkodrane”vendosa miqtë e mi të asaj kohe. Ndjeva mall për ta dhe  Shkodrën. Më vonë, mendova se kjo dhuratë duhej të qëndronte si amanet për Shqipërinë  në dorën e një politikani Amerikan, mik i veçantë i çështjes shqiptare, një nga ata personalitete të shquara, i cili i qëndron gjithnjë besnik traditës së miqësisë shqiptaro-amerikane.Gjatë një darke në shtëpinë e patriotit Ekrem Bardha,“Dasma Shkodrane” iu dhurua pikërisht një personaliteti të tillë, Senatorit Amerikan,  Gary Peters. Në emër të “Kishës së Shën Palit”, ia dorëzoi zv/Kryetari i Këshillit të Kishës, patrioti Petrit Doda. I shpjegova Senatorit Peters, historinë e “Dasmës Shkodrane”, dhe kush e kish sjellur në Amerikë. Senatori Peters tha: “Qenka dy herë me vlerë.” Ai falenderoi për këtë nderim dhe u zotua se do ta vendoste në zyrën e tij.  

Statuja e tij!

  U derdhën lot krokodili… dhe për turpin e një politike pa princip, nderimi i tij u bë kalimtar, pa protokoll shtetëror.

            U premtua shumë se statuja e tij do vendosej brenda Parlamentit shqiptar, biles u rrah dhe gjoksi, por fjalët i mori era! “Politikanët”shqiptar janë të vetmit njerëz në glob që karrigia e shtetit ua errëson arsyen, duke menduar se nuk do zbresin kurrë prej saj, prandaj sillen si padronë. Kur bien…, përçudi u vjen arsyeja dhe pendohen si një i sëmurë mendor pas terapisë elektroshok. 

            U deshën vite statuja të bëhej realitet. Skulptori Sadik Spahia, realizoi skulpturën e sotme. Për mua, gjykimi për statujën nuk përbën habi. Habija ime do ishte sikur ta lëvdonin:“Post-modernizëm!”,“Fantazi Surealiste!”, “Portret Ekspresionist Politikani!” etj…Mjafton të shikosh Statujat e Shenjta tek Katedralja “La Sagrada Familia”, e Gaudi-t, statujën e Krishtit midis urës që lidh dy kullat e St. Bartolomeo dhe St.Toma,  dhe “Kurorën me Gjemba”  nga DonMcCullough.  Aty ka  përgjigjet e pyetjeve, pa  lodhur veten me shkapërcime logjike.

            Në zallamahinë e protektorëve diletantë, një bravo, për skulptorin dhe organizatorët, kushdo qofshin ata!  Gjithashtu, dhe për pjesëmarrësit e këtij evenimenti, të cilët treguan klas.

Jehona e statujës së Arbnorit , historikisht përbën një datë që skalitet si memorje, matematikisht bashkohet me statujat e tjera që  fshehin lotët në “heshtje”. Po kaluam qëllimisht pranë tyre ,  na sjellin një epokë, dhe nëse nuk i kemi kundruall ,  “harresa” , kjo humbëtirë e ndërgjegjes … çdo ditë zbret nga një shkallë në amfitatrin bosh  .

            Moment reflektimi, apo … ?    

Figura e Arbnorit mblodhi pozitë –opozitë, shtrëngim duarsh, biseda të ngrohta.Moment reflektimi? Një gjë është e sigurtë. Nuk është një rast për t’u paragjykuar.

            Edi Rama, aprovoi vendin ku do vendosej statuja. Gramoz Ruçi, ftoi personalitete të pozitës dhe opozitës. Ai vendosi dhe një buqetë me lule duke u përulur përpara bustit Arbnori. Berisha dhe Suzana hoqën vellon që zbulonte në përjetësi dhëndrrin Arbnori. Lulëzim Basha, do çonte lart figurën e Pjetrit.  O Zot ! Sa do kisha dëshirë që ky akt civilizimi të ishte në infinit, larg subjektivizmave primitive. Thellë në koshiencën time thashë, përjetova një ëndërr të bukur, por… subkoshienca ime që nuk më ka tradhëtuar asnjëherë, më solli të nesërmen, e cila  përftoi pasqyrën reale, ngjyrën e shëmtuar të viteve që përjetuam…..

Filed Under: Featured Tagged With: alfons Grishaj, Jehona e statujës, Pjetër Arbnorit

Kufiri i dhimbjes njerëzore

July 16, 2018 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1 alfons 2

1-Prejardhja/

Sa afër… dhe larg  “Australopit”,  “Homo Habilis”,  “Homo Irektus”, krijesa  të Teorisë së Mohimit që zhvarrosën fosilet për të identifikuar vetveten me kafshën. Mohimi është dyshek heshtash që askush nuk do dëshironte të flinte mbi të. E pra, marksisto-darvinistët guxuan të eksperimentonin për të degjeneruar ndërgjegjen e kulluar njerëzore me profilin e një specie që nuk plotëson asnjë premisë cilësore humane. Asnjë nga ata nuk pyetën se kush janë paraardhësit e majmunëve që u dihet zanafilla por jo filli alogjik i emërtimit majmunit-njeri! Dikur, kinezët përhapën një lajm sensacional sikur gjetën në një shpellë kafkën e njeriut 5 milion vjet të vjetër. Sikur të vërtetohej kjo, teoria për majmunin-njeri do shuhej,  dhe bashkë me të do vyshkej dhe  penelata e teorive pa bosht. Por komunistët kinezë u kujdesën për ta fshirë sensancionin bashkë me antropologun zbulues.

Konkluzioni i fundit se fosilja e gjetur në Izrael është dy herë më e vjetër se teoria e mëparshme e “Homo Sapiensit”, i ka ngatërruar matrapazët, të cilëve u duhet të korrigjojnë çmendurinë e stisur jo më prej 100 vitesh, por prej 100 mijë vitesh. Siç shohim,  entuziazmi dhe ego bie në kufijtë e faktit . Fodullëku i marksistëve kundërshton qënien e shpirtit, duke e ditur se shpirti është  thelbi i stoicizmit  hyjnor, që sjell të pastër zanafillën  e zhvillimit dhe  xhentilesën njerëzore.

2-Të njëjtët

Siç besohet, njeriu u ndërtua si frymë dhe shpirt i papërsëritshëm. Pas largimit në jetën tjetër, shpirti ndërton folenë gjetiu dhe trupi i brishtë bëhet pluhur. Me këtë  privilegj tallen majtistët. Këtu fillon dhe honi i ndarjes së  dy botëve, egërsia e botës shtazore dhe brumi i njeriut. Pandjeshmëria e majtistëve përkon me “Teorinë e Mohimit”: E djeshmja “shtazore”,  udhërrëfyesi ideal i së tashmes, e sotmja mëkati i së nesërmes, dhe e nesërmja  preludi i hiçit. Nata e ndërgjegjes tyre ngjan me errësirën e trogloditit që mbrohej me kopan për supremaci në shpellën e zymtë.

Forca e logjikës dhe e prekshmja: njeriu rrjedh nga njeriu dhe krijuesi i tij, Zoti. Po,  kur shoh krijesat e indoktrinuara nga ide dhe veprime delirante, pyes veten, a mos vallë “politikanët” e sotëm janë produkt i teorisë Darviniste, që mbijetojnë falë tolerancës së një populli pa memorje? A nuk kanë sy e vesh të dëgjojnë që, punëtorët dhe intelektualët e ndershëm flejnë në kufinjtë e dhimbjes njerëzore, mbi jastëkun e fosileve që bekoi skeletoni i djallit?

Çfarë fyerjeje për një popull që vjen nga qielli dhe zvarritet drejtë  ferrit!

3- Pasoja

Pas kaq vitesh demokraci, populli nuk ka dalë ende nga  hipnoza e Wichkraftëve komunistë, të cilët ndihmohen pareshtur edhe nga disa të “persekutuar”,  shërbëtorë që  bëjnë rolin e moderatorit, gjoja si rrjedhojë logjike perëndimore. Në fakt, më shumë tradhëtarë që kanë shitur gjakun e familjeve të tyre për privilegje të shëmtuara, këta janë   shndërruar në armiqtë më të mëdhenj të shoqërisë, popullit, përparimit dhe demokracisë në përgjithësi. Prostitucioni i dyfytyrësisë kompromenton qëllimin e shenjtë të lirisë, përparimin dhe orientimin perëndimor. Hilet e tyre janë të lexueshme. Darkat e drekat me të majtët dhe lobimet në dëm demokracisë për t’i dhënë ampula adrenaline një qeverie grabitqare, tregon karakterin e tyre të shitur. Diaspora mund t’i kishte dërmuar mbeturinat e komunizmit në Shqipëri, Dardani dhe Maqedoni, por falë pabesisë së këtyre maskarenjëve, përçarjes së persekutuarve dhe nacionalistëve, jeton dhe lulëzon neokomunizmi  në Shqipëri.

4- Opozita

Opozita, gjithmonë e pezmatuar dhe e përçarë, mendon se rastësia është çelësi opurtun. Frymëzimi është i rastit dhe aspak i detajuar. Momenti noton në ujë të turbullt pa polombarin me oksigjen. Mungesa e duelit frontal dhe krahor ka sjellur mungesën e llogoreve  të sigurta. Disiplina demokratike ka nivelet më të ulta në 28 vite në pluralizëm. Shumë demokratë (e kam stërpërsëritur) të sakrificës heshtin ose janë larguar jashtë atdheut. Bajraktarizmi dhe autoriteti klanor ka paralizuar shpirtin e luftës për ndryshim. Disa nuk e shohin Partinë Demokratike si pasuri kombëtare, por si objekt për shërbim personal. Ata kanë harruar, ose nuk e kanë kuptuar kurrë sakrificën e brezit që lindi dhe rriti PD-në, i cili bëri luftën  për t’i shërbyer demokracisë dhe atdheut. PD lindi si pasojë e nevojës për ndryshim  dhe jo si bibëron i parazitëve që përtojnë  të trokasin në dyert e demokratëve të vërtetë për të ngritur formacionin e fitores. Me dhjetëra demokratë të vjetër janë (apo i kanë) larguar me pretekste fëminore. Rrjedhja vazhdon, asnjë pardon dhe asnjë strategji për këtë?! Respekt për lidershipin aktual, por ai duhet të ketë bindje absolute dhe vlerësim maksimal për pozicionin që ka në PD. Duhet të jetë shumë serioz dhe të derdhë shumë djersë për të arritur objektivin. Ai duhet të mbajë afër të gjithë njerëzit që kanë dhënë prova për mençuri e shpirt luftarak. Kundërshtarin me lëkurë të huazuar nuk e mund dot përtej limitit të kondicionuar me plane afatshkurte, por me strategji afatgjate.

5- Impakti

Të gjitha Kombet po përparojnë duke zbutur ndryshimet subjektive, vetëm ne jo?! Atëherë mos më gjykoni, por më duhet të bie pre e logjikës pesimiste, duke anonçuar me fjalët e kompozuara nga Mozart,  tek “Lacrimosa” :  Judicadndus homo reus! Fajtorë për këtë gjendje që ka çuar popullin në kufinjtë e dhimbjes është Pozita, dhe pjesërisht Opozita, e cila nuk gjen fuqinë demokratike për të dhënë leksion ndryshimi si,  91-92 (98). Dikush do më thotë, po tani ne jemi anëtarë të disa Organizatave dhe po presim që të futemi në Europë dhe nuk do ish e mira të përdorim fuqinë e shpirtit demokratik, i cili është dhe  uragani i sakrificës sublime. Por unë po u kujtoj dashamirësve ligjin  e kafshës në filozofi: Po e munde kafshën, tërhiqet  zvarrë,  po u zbrapse,  bëhesh pre e saj.

Qytetërimi Europian dhe Amerika, e njohin këtë situatë. Ata nuk e duan komunizmin, as kriptokomunizmin. Oborret e tyre janë pastruar me kohë nga kolera e kuqe që sjell varfëri e regres. Vetëm shqiptarët nuk e kanë dënuar ende. Mendoj se, po nuk  e dënove krimin, je i destinuar ta jetosh atë.  Qytetërimi përendimor  nuk ka dëshirë të bëjnë eksperimente me një popull trim e liridashës për të frymëzuar një përmbysje, por nëse populli e bën, ata respektojnë verdiktin. Europa dhe Amerika nuk do i mbyllë dyert, por as nuk do i hapë  për ta bërë pjestar familjeje  neokomunizmin  dhe  kleptokracinë e kuqe.

6-Pasqyra dramatike

Prej pyjeve e shpellave (sipas predikimit baballar për “paraardhësit…”) tek pantallonat e dokut kinez, çorapëve të shqyera plotë erë, dhëmbë palarë me djersë javore, sot kundërmojnë parfume nga më të shtrenjtat. Dikur shkundnin xhepat për të gjetur qindarkën e fundit për të pirë një kafe… ose  prisnin të rrëzohej në trotuar ndonjë  bythçe cigareje  për të shijuar nikotinën (aktualisht drogën). Tani, treni ekspres i mësoi se si të villnin përvujtërinë për ta bërë instrument mashtrimi. Të ngrehur me puro e llogari bankare marramendëse, ndihen të sigurtë. Ndërkaq, ata kanë menduar dhe për vullkanin e mundshëm popullor, i cili po vuan për bukën e gojës: “Luani me bark bosh sado i fuqishëm që të jetë nuk ka fuqinë e rezistencës aktive, se lodhet dhe tërhiqet i mundur!” Prandaj nismat e opozitës fillojnë me mijëra, rrallohen në qindra e përfundojnë në dhjetëra.

7- Vëmendje për t’u marrë në konsideratë.

Lexues! Vështroni me vëmendje fasadën e patinuar me pudër groteske dhe do hasni fallsitetin e neokomunisteve në çdo milimetër të jetës. Këndvështrimin nuk e pushojnë në syrin e tjetrit, sepse vështrimin e kanë kalimtar e grabitqar. Bisedat nuk u përkojnë me filozofinë e kohës. Humori çalaman rrjedh si jargët e një hijene kur sheh prenë e vet. Kruarja e kokës dhe e fytyrës është identike instiktive si e shimpanzeve. Origjinë e huazuar veshur me kostume njeriu?! Përpiqen të jenë “intelektualë” dhe xhentëlmenë multitaskë, por shkërmoqen si breshëri që shurdhon asfaltet dhe qorron pullazet …

Rrogat e tyre të japin mundësinë për të ngrënë bukë e gjalpë, po kurrë të bësh pasuri dhe jo më të flasësh për luks. Çdo gjë është e dukshme, por syri i pafuqishëm i viktimës  gëlltit lotët dhe  arkivon  dramën në breza.

Kapitullim! Fatalitet!  Viktimizuesi fërkon duart në ekstazë tek sheh degradimin dhe hopa, frymëzohet për të bërë reforma mirëqënieje duke  ngritur  rrogat një cent! Dhe populli rri në ferrin e hipnozës së kuqe. Autobuzi fizarmonikë, transportuesi i varrezës  shtet. Ky është kulmi i ironisë së fatit!

Të ndodhte kjo në një vend me demokraci të zhvilluar, politikanë të tillë do jepnin shpirt nga thonjtë e masës dhe nuk do kishin asnjë shans për trofe e riciklim pushteti. Po! Kjo ndodh vetëm në vendin tim. Po, po! Në vendin e shiponjave ku ligjin e bëjnë korbat!

Sinqerisht, mendja turbullohet nga ky peisazh i thyer si krisja e paneleve diellore që nuk  thithin dot më rreze drite dhe jo më të krijojnë energji të brendshme. Trilli i trurit më çon larg… në rrjedhën e logjikës curse, duke pyetur veten: a thua na ka mallkuar Zoti?

 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Kufiri i dhimbjes njerëzore

ALFONS GRISHAJ ME CIKEL TE RI NE “SOFREN E DIELLIT”

June 15, 2018 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/1 alfonsi 5

Orkide  Mistike  (Ottava Rima)/

 Me akull ushqehet… blu petalet,/

 Çdo ind thith ujin tek shkrihet ngadalë,/

 Ngritur velat, stuhive s’ ndalet/

Dete dashuri, një ngjyrë valë-valë./

 Përgjumur mëngjesi, gjelat lajmëtarë

 Hesht trokthi,  shpërthejnë vargje metrike,

Në qiell deti rrjedh ujëvarë…

Transhendencë e shpirtit…  Orkide mistike!

 ***

Dashuria  jonë(Haiku)

Peshk hekuri ship

Dashuria jonëpërmes

Krisjes  së kohës.

 Varfëria (Nonet)

 Gjethe  vrarë pamja e skamllekut

Rrëpirëcopat e arnave

Lëkurë e kalbur peri

Fije jete varur

Tufanit- acar

Dridhet buza

Si bluza

Dy lot

Zot !!  

Kushtim  (Sonet)

 Të kujtova shpesh kur pranver’ stis shpirtrat

 Mes gjelbërimit, qeshur dhe brengosur

 Me syt’e menduar, burime tëpasosur

Ku jet’ gëzojnë lulet,vallëzojnë ëndrrat.

Kristal mbi botën meskine rreh flatrat

Dhe dritë i fal mendjes sëterrosur

Si nënë paqton vajin e vrerosur

Fashiten retë dhe diell marrin zemrat.

Ecën-ecën me hapin e ylberit

Simfoni heshtur tej trillit të territ

 Pëllumbeshë e prehur në kaltërsi.

 Në fokus celi vjollca plot mirësi

 Dhe pushon mbi buzë nektar ciltërsi

 N’parajsëtash qesh me dyert e ferrit!

 ***

 Zgjim  (latern)

    Vrik

  Veten

 Prej gjumit

Drejt ajrit

Kulm.

***

Vetmisë  (Monorimë)

Vetmia, shurdh-memece, hije diskrete,

 Pemë pa gjethe, pak shpresë piruete

Mikro kasolle me pullaz helmete

 Heshtja përditëshme monolog me vete

 Fjalët e pathëna pa fuqi adete.

 Helmi i saj,  heshtur  të largon prej jete…

***

“Kritikut”   (limerik)

 Pas kuintave, i panjohur

 Kollitet çalë,  ftohur:

   “Si mik  një këshillë…

Nuk bën ajo sillë,

 Merr pjatën time, ngrohur!”

Filed Under: Opinion, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, cikel poetik, Orkidé

SOFRA POETIKE E DIELLIT-ALFONS GRISHAJ

May 19, 2018 by dgreca

Alfons Grishaj/

Prova/

Prej kohësh  m’ asht’ sos durimi./

Syt’ gremisen  hijeve shterr,/

Neoret n’ prag të një gjëmimi/

Prej qenëve që lehin n’terr./

 

M’ faniten do  shkarravina/

T’ mavijosuna qysh në djep/,

Shëmti, fjalë  polovina,/

Leprozë  krupë, lëkura shtrep’ /

 

Prov’, t’ kalova mijë herë,

Eh,  sërish relike e hidhur…

Kalon lajmtar në timen derë?!

Qënien dytë e kam zgjidhur!

 

Mal me t’ vdekur kaluar n’rini,

Ferrit pa frikë  pash më pash.

Plagë luftari  pa agoni…

Zinxhirve t’ kuq përmes u rash.

 

Tash,  kërkojn’ me më provu prap

A m’ ka mbet ndonji shkëndi,

Bash   njata që janë veç skrap.

Jam brum’ njeriu, jo Perëndi!

Me politikanë të rremë

Me aktorë  fallso, nuk ka shfaqje të bukur,

Të rremë politikanë, humbës pa meritë.

Burrëria  e ulët … aksiomë e zhdukur,

Bishtuku  nën ujë  kurr nuk fal dritë.

 

Heshtja

Verbëri ësht’ heshtja  kur fjalosesh me zgavër,

Pasqyrave  t’ thyera ngërdheshet  reflektimi.

Prej damarëve t’ këqij  sakat  mbet gjykimi,

Kompromis  hibritesh  mbjellur  në  kadavër.

Diftongu

Si një pendë qe, diftongu.

Zanoret hallka zinxhiri,

Faqes fletores bie gongu,

Shkëlqejnë si xhevahiri.

Dikur….

Dikur, kërceja  fluturim mbi dyrdyl

Natën  nën hënën e madhërishme,

Yjet e qiellit i mblidhja në zymbyl,

Pastaj  stolisja  vashën e magjishme.

 

Me gjakun e  ndezur prej dlirësisë,

Me freskinë e joshjes djaloshare,

Me dhuntinë e paqes dhe mirësisë

Pajtoja nektarin e luleve ziliqare.

 

Asnjëherë nuk  hasa lule t’ shëmtuar,

Veç tranzicion të gjelbër pranveror,

Bukuria e jetës në tokë  përftuar.

Mesnatave magnetike  ndriçon  auror’.

 

Tani, ndjej mall për vrullin djaloshar,

Për çdo shok e mike që desha në jetë,

Kultin e fëmijërisë, Mësuesen e parë

Aromën e dijeve, engjëjt  me fletë.

 

Me gotën e verës, O mik, Omar Khajam,

Prej kësaj jete… të falem në atë botë!

Se në kët’ kohë, veç njëri është haram…

Humbësi pashije që  s’ ngre  dot një gotë!

 

Dikur… është e sotmja, të dashurit e mi,

Nuk ka kohë, as moshë në  hapësirë,

Kur shpirti të fluturojë në lartësi,

Çelësi mistik do çelë portën e lirë.

Dikush më tha

 Dikush më tha:

“Shkruaj një gjëagjëzë!”

Shkrova një aforizëm.

Më pas u kthye:

“Shkruaj një bejtë!”

Shkrova një poezi.

Më shikoi drejt në sy:

“Shkruaj një fjalëkryq!”

Shkrova enigmën matrikse,

Jo, shiun e gjelbër.

Pastaj, m’u qas:

“Shkruaj një këngë!”

Pikturova një bilbil!

Lodhje

Askush s’ më lodh më tepër

Sa i shkolluari  injorant.

Shkarravinat quan  vepër!

Dhe veprën,  Rocinant.

Ditëlindja e “buburrecit”

Mblidhen për të festuar “buburrecat”

Ditëlindjen e princit të kotësisë,

Harruan pse u mblodhën mistrecat,

Njëri-tjetrit duke i dhënë sisë.

 

Për vdekjen e armiqve ngren’ gotë,

Jo,  për ditëlindjen  princit t’hiçit?

Instikti i insektit i lë pa botë,

Çalë e zvarrë  pas ziles ‘ kriçit.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Prova, Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT