ALFRED M. UÇI (1930-2016)-PERKUSHTIM I THELLE ME RASTIN E DY-VJETORIT TE VDEKJES/
Shkruan: Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina- U.S.A./
- Filozof, estet, studiues i madh shqiptar!
- Autor i një mali me libra akademikë të një niveli teoriko-shkencor të pakrahasueshëm!
- Personalitet i mirënjohur shkencor brenda dhe jashtë Shqipërisë!
- Figurë e ndritur e historisë, jetës dhe kulturës së kombit shqiptar!
PARASHTRIM
Duke studiuar thellë librat akademikë të Uçit mbi estetikën, folklorin, letërsinë, artin, kulturën, shoqërinë, pa dyshim se, çdo studiues shqiptar i shkencave letrare e artistike, nxitet në punën e tij hulumtuese, frymëzohet në veprmitarinë e tij shkencore, pasurohet ndjeshëm përsa u takon njohurive të tij në tërësi, etj. Nëse më lejoni që të shprehem në mënyrë të figurshme, me entusiazëm mund të them se, brenda veprës teorike të Uçit, idetë, mendimet, analizat, përgjithësismet, lidhen midis tyre ashtu sikurse gurët e mëdhenj të kështjellave mesjetare shqiptare. Duke pasur një peshë kolosale, ata qëndrojnë fort bukur njëri mbi tjetrin. Po ashtu, harmonizohen natyrshëm midis tyre. S’është aspak e nevojshme që, për t’i lidhur gurët e mëdhenj njëri me tjetrin, të përdoren gurë të vegjël: një veprim i tillë vetëm se do të cënonte monumentalitetin e tyre. Pastaj, bari i egër, që mbin vazhdimisht midis gurëve të mëdhenj, sikur i bashkon ata në një mënyrë vërtet të mrekullueshme! Nëse më lejoni që të shprehem në mënyrë realiste, gjithashtu me entusiazëm mund të them se, brenda veprës teorike uçiane, idetë, mendimet, analizat, përgjithësimet, lidhen së brendshmi midis tyre, plotësojnë njëri-tjetrin, shkojnë duke e rritur vazhdimisht ngarkesën logjike intelektuale. Të thellë e të pasur, të bukur e të madhërishëm, parashtrimin e një objekti të caktuar, ata e shoqërojnë gjithmonë me vlerësimin e këtij objekti në plane të ndryshëm, mundësisht në çdo plan.
Sapoqë ke lexuar paragrafin e parë të një artikulli të Uçit, kërkon që të lexosh patjetër tërë artikullin e tij! Sapoqë ke lexuar kapitullin e parë të një libri të Uçit, dëshiron që të lexosh patjetër tërë librin e tij! Sapoqë ke lexuar një libër të Uçit, kërkon që të lexosh patjetër të gjithë librat e tjerë të tij! Një dukuri e tillë vjen thjesht për shkak se, idetë, mendimet, analizat, përgjithësimet, që ata përmbajnë, janë të rëndësishëm. Uçi të mahnit me gjerësinë e informacionit të librave të tij! Uçi të mrekullon me pasurinë e informacionit të librave të tij! Uçi të magjeps me thellësinë e informacionit të librave të tij! Përmes ideve, mendimeve, analizave, përgjithësimeve të librave të Uçit, mendja e lexuesit ndriçohet fort, ndërsa shpirti i tij ngazëllehet pa masë! Uçi është pa dyshim një dijetar i shquar, i madh, i pakrahasueshëm! Brenda rretheve shkencoro-artistikë shqiptarë të çdo epoke historike, vetëm një numër i vogël figurash të tjera diturore mund të qëndrojë përkrah tij!
Formimin tim profesional si studius etnomuzikolog, unë ia detyroj, mbi të gjitha, pikërisht veprës teorike të Uçit. Prandaj jam një ithtar i madh i tij. Uçi ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë modeli im në jetë. Jam i sigurtë se, përkrah meje, qëndrojnë shumë e shumë studiues të tjerë shqiptarë të shkencave letrare e artistike. Sa më shumë që të kalojë koha, aq më tepër do të rritet edhe numri i tyre.
Filozofi, esteti, studiuesi i madh shqiptar, Alfred M. Uçi, mbylli sytë dy vite më parë, më 26 tetor të vitit 2016, në moshën 86-vjeçare. Por, emri, jeta dhe vepra, që ai arriti të krijojë në dobi të kombit shqiptar, do të rrojnë përgjithmonë! Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se Uçi është një personalitet i vështirë, kompleks, shumë-dimensional, në këtë artikull, do të përpiqem që të vë në dukje shkurtimisht vetëm disa aspekte të jetës dhe veprimtarisë së tij. Do të përpiqem, gjithashtu, të nxjerr në pah se si e kam njohur unë atë personalisht. Kështu, shpresoj se, gjithsesi, do të hidhet sadopak dritë mbi figurën e tij.
DREJTUESI
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, epiqendra e studimeve etnologjiko-folkloristike shqiptare ka qenë Instituti i Kulturës Popullore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, Shqipëri) (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit). Ky institucion u ngrit në fund të viteve 70-të të shekullit XX si ristrukturim i Institutit të Folklorit, themeluar në vitet 50-të të njëjtit shekull. Një qendër tjetër e rëndësishme kërkimoro-shkencore e historisë, jetës dhe kulturës shqiptare ka qenë Instituti Albanologjik i Prishtinës (Prishtinë, Kosovë), i cili u themelua në fund të viteve 60-të të shekullit XX. Afërsisht, gjatë viteve 1979-87, plotësisht si një domosdoshmëri historike, si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, ka qenë pikërisht Alfred M. Uçi. Drejtues largpamës, atij i detyrohen një radhë meritash historike, përsa i takon studimit të aspekteve të identitetit etnik të kombit shqiptar, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Midis tyre, lejomëni që të përmend:
Së pari, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, u arrit që të sigurohet një armatë e tërë punonjësish shkencorë e ndihmës shkencorë. Ai e dyfishoi numrin e punonjësve shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore, duke tërhequr pranë këtij institucioni tërë studiuesit etnologë, të cilët më parë e ushtronin veprimtarinë e tyre shkencore pranë Institutit të Historisë. Rrjedhimisht, krahas Sektorit të Folklorit Letrar dhe Sektorit të Muzikës e Koreografisë, të cilët ekzistonin qysh më parë brenda Institutit të Folklorit, tashmë institucionit të ristrukturuar iu shtuan edhe dy sektorë të tjerë: Sektori i Kulturës Materiale dhe Sektori i Kulturës Shpirtërore. Vështirë se mund të imagjinohet një organizim më i mirë i veprimtarisë kërkimoro-shkencore të një institucioni etnologjiko-folkloristik.
Së dyti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, u bënë përpjekje serioze për të përgjithësuar teorikisht dukuri, çështje e aspekte të ndryshëm të kulturës tradicionale shqiptare. Një arritje e tillë u bë e mundur përmes tri rrugësh kryesore: i) shtypit të specializuar në fushën e studimeve të kulturës tradicionale shqiptare; ii) monografive shkencore mbi muzikën tradicionale, vallëzimin tradicional dhe kulturën tradicionale shqiptare në tërësi; iii) veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si: takime, simpoziume, konferenca, etj. Në shtypin e specializuar, u botuan sistematikisht artikuj të shumtë studimorë mbi aspekte të muzikës tradicionale, vallëzimit tradicional dhe kulturës tradicionale shqiptare në tërësi. Pa mohuar aspak rëndësinë e artikujve të botuar në shtypin qendror letraro-artistik dhe atë lokal të vendit, janë, në radhë të parë, artikujt e botuar në këtë lloj shtypi—shtypin e specializuar–, ata që i dhanë një shtysë të ndjeshme përparimit të mendimit shkencor folkloristik, etnologjik, etnomuzikologjik, etj. Duke e nisur jetën e tij në vitet 60-të të shekullit XX, shtypi i specializuar në fushën e studimeve të kulturës tradicionale shqiptare, u rivitalizua në vitet 70-të të të njëjtit shekull. Tashmë ai u përfaqësua nga tre organe të rëndësishëm shkencorë, që të tre pronë e Institutit të Kulturës Popullore:
- Revista Kultura popullore
- Përmbledhësi Çështje të folklorit shqiptar
- Përmbledhësi Etnografia shqiptare
Së treti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, dolën në dritë një numër monografish akademike mbi aspekte të muzikës tradicionale, vallëzimit tradicional dhe kulturës tradicionale shqiptare në tërësi. Po ashtu, u bë i mundur botimi i një numri veprash të rëndësishme në fushën e folklorit e të etnografisë shqiptare, brenda serisë Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar, si: Epika legjendare, Epika historike, Fjalë të urta të popullit shqiptar, Këngë të Luftës Nacional-çlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist, etj.
Së katërti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, s’kanë munguar as veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilave, kronologjikisht, lejomëni të vë në dukje:
- Simpoziumi kombëtar “Festivali Folklorik Kombëtar 1978 dhe problemet aktuale të
shkencave etnografiko-folkloristike” (Tiranë, 1979)
- Simpoziumi ndërkombëtar “Epika heroike shqiptare” (Tiranë, 1983)
Së pesti, janë botuar, pastaj, edhe përmbledhje studimesh kushtuar një zone të vetme etnografike, si:
- Shpati i Sipërm: Gjurmime rreth kulturës popullore (Tiranë, 1987)
Së gjashti, me aftësitë e tij të shquara shkencore, Uçi i solli Institutit të Kulturës Popullore—tempullit të shkencave etnologjiko-folkloristike shqiptare—autoritetin e dëshiruar dhe të shumë-kërkuar shkencor, si nga rrethet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga rrethet shkencoro-artistikë në veçanti!
STUDIUESI
Brenda fushës së letërsisë e të arteve, autorët e veprave letraro-artistike, nga njëra anë, dhe autorët e veprave teoriko-shkencore, nga ana tjetër, bëhen të njohur duke kaluar përmes një rruge të ndryshme përsa i takon aspektit kohor: moshës së tyre. Një poet mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, madje përmes librit të tij të parë me poezi e poema! Po kështu, një shkrimtar mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, madje përmes novelës, dramës, komedisë, romanit të tij të parë! Mirëpo, një studiues vështirë se mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, përmes monografisë së tij të parë! Si rregull, ajo del në dritë vetëm pas botimit të një numri të ndjeshëm artikujsh e studimesh, pra, në krahasim me librin e parë të një poeti o shkrimtari, nga pikëpamja e kohës, vjen relativisht më vonë, ose shumë më vonë. Shprehje e vetë natyrës së veprimtarisë letraro-artistike, nga njëra anë, dhe asaj teoriko-shkencore, nga ana tjetër, një dukuri e tillë, është me karakter objektiv.
Ndërkohë, mund të pranohet se, shkalla e njohjes së një poeti, shkrimtari, studiuesi, etj., kushtëzohet, midis të tjerash, nga faktorë, si: rrethi i lexuesve dhe koha e shqyrtimit të veprave. Në përgjithësi, rrethi i lexuesve të veprave letraro-artistike, është më i gjerë, ose shumë më i gjerë, sesa rrethi i lexuesve të veprave teoriko-shkencore. Po ashtu, veprat letraro-artistike, zakonisht, mund të shqyrtohen disi më shpejt, ose shumë më shpejt, sesa veprat teoriko-shkencore. Sidoqoftë, kur poeti, shkrimtari, studiuesi, etj., arrijnë që të bëhen të mirënjohur, interesimi i shoqërisë për emrin, jetën dhe veprën e tyre rritet nga dita në ditë.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mendimi intelektual shqiptar në fushën e letërsisë e të arteve, u pasurua ndjeshëm në saje të veprimtarisë kërkimoro-shkencore të një plejade të tërë studiuesish të mirënjohur. Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si: Koço Bihiku, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Adriatik Kallulli, Rexhep Qosja, Dalan Shapllo, etj. Në dallim nga studiues të tjerë, brenda kësaj periudhe historike, Alfred M. Uçi u shqua më shumë si studiues i aspekteve estetikë të letërsisë e të artit shqiptar. Në plan të përgjithshëm, përsa i takon përmbajtjes, veprimtaria e tij e pasur kërkimoro-shkencore, ndoshta do të mund të ndahej në katër kategori kryesore:
- Kategoria e parë: Libra thjesht teorikë mbi estetikën, folklorin, letërsinë, artin, kulturën, shoqërinë, si: Estetika, jeta arti (Uçi 1970), Probleme të estetikës (Uçi 1976), Labirentet e modernizmit: kritika e estetikës moderniste (Uçi 1978), Mitologjia, folklori, letërsia (Uçi 1982), Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (Uçi 1986), Estetika, vëll. I, vëll. II, vëll. III (Uçi 1986-1988), Estetika e groteskut, vëll. I, vëll. II, vëll. III, vëll. IV (Uçi 2001), Estetika në letërsinë shqipe (Uçi 2001), Paradigma të ndërgjegjes shoqërore bashkëkohore: estetikë filozofike e politike, vëll. I, vëll. II (Uçi 2001), Universi estetik i atnikitetit greko-romak, vëll, I, vëll. II, vëll. III (Uçi 2004-2007), Estetika e folklorit (Uçi 2007), Klasika apo nonklasika, vëll. I, vëll. II (Uçi 2008), Ese dhe etyde filozofiko-estetike (Uçi 2015), etj.
- Kategoria e dytë: Libra mbi figura të shquara të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si: Jani Vreto (Uçi 1965), Filozofia e Teodor Kavaliotit (Uçi 2004), Petro Nini Luarasi: mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare (Uçi 2012), Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare (Uçi 2015), etj
- Kategoria e tretë: Libra mbi figura të shquara të letërsisë e të artit shqiptar, si: Grotesku kadarean: Sprovë estetike për analizë stilistike (Uçi 1999), Parime të estetikës e Jeronim De Radës (Uçi 2003), Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni (Uçi 2003), Estetika migjeniane: fryma moderne në letërsinë shqipe (Uçi 2013), etj.
- Kategoria e katërt: Libra mbi figura të shquara të letërsisë e të artit ndërkombëtar, si: Shekspiri në botën shqiptare: koncepti shekspirian i tragjikes (Uçi 1996), Dostojevski në kohën tone: shënime kritiko-letrare (Uçi 1997), Ferr-parajsa danteske: Komedia hyjnore (Uçi 1998), Prometeu dhe Hamleti (Uçi 1998, greqisht), Filozofia e “donkishotizmit” (Uçi 2010), etj.
Unë nuk jam aspak në gjendje që të krahasoj librat akademikë të Uçit midis tyre. S’jam kurrsesi në gjendje që të nxjerr në pah se cilët janë librat më të mirë të këtij dijetari. Por, me bindje të plotë, pranoj se, librat akademikë të Uçit, që të gjithë, janë vepra mjeshtërore klasike. Ata qëndrojnë me dinjitet të lartë profesional brenda trashëgimisë më të mirë të kulturës së kombit shqiptar. Librat akademikë të Uçit mbajnë, sigurisht, nënshkrimin e një dijetari me penë të artë, e një dijetari me aftësi hulumtuese që i kalon caqet e çdo lloj imagjinate, e një dijetari me mendje të ndritur!
Një analizë të mrekullueshme të veprës teorike të Uçit, ka bërë, midis të tjerëve, studiuesi i mirënjohur, Josif Papagjoni, në artikullin e tij akademik me titull Alfred Uçi: Eseisti i fundit. I ngazëllyar prej gjerësisë, pasurisë dhe thellësisë së veprës teorike uçiane, ai sjell një karakterizim të mprehtë të figurës së autorit të saj, kur shkruan:
“… në mendjen time, ai [Uçi] ka fjetur përherë në dimensionin më të madh të mundshëm, pa mëdyshje ndër ‘ikonat’ e pakta meritore të asaj çka kanë krijuar me punë akademikët e vërtetë shqiptarë. … Në 60 vjet punë të parreshtur, asnjëherë ‘barka’ e tij prej dijetari nuk lundroi mbi vetëkënaqësitë e mediokritetit, mburrjeve, zhurmës, farfurive dhe gjësendeve të rëndomta, përkundrazi …” (Papagjoni 2016)
Thelbin e veprës teorike të Uçit e përbën, pa dyshim, doktrina e tij estetike. Përmes saj, ai solli një ndihmesë të rëndësishme në një radhë drejtimesh, disa nga të cilët mbase do të mund të formuloheshin si më poshtë: Së pari, përmes doktrinës së tij estetike, Uçi e institucionalizoi estetikën si shkencë në Shqipëri. Rrjedhimisht, në arsimin e lartë shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, ndodhi një mrekulli e vërtetë: Nëse, afërsisht para vitit 1960, estetika thuajse nuk njihej fare si shkencë në botën arsimore e diturore shqiptare, pas këtij viti, ajo nis që të jepej si lëndë e veçantë teorike në disa fakultete të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), etj. Ndihmesa e Uçit si studiuesi që institucionalizoi estetikën në Shqipëri, është vënë aq bukur në dukje nga studiuesi i mirënjohur, Moikom Zeqo, në artikullin e tij akademik të titulluar Kujtimi i Alfred Uçit, kur shkruan:
“Nëse De Rada në shekullin XIX botoi traktatin e parë për estetikën, duke u bërë kështu një pionier i një hullie dhe mjeshtërie mendore të panjohur më parë për shqiptarët, në shekullin XX, Alfred Uçi u bë në Shqipëri zëri përurues i institucionalizimit të estetikës si shkencë e mëvetësishme. … Të jesh një pasardhës i De Radës nuk është pak, por ajo që bëri Alfred Uçi mund të quhet një vepër pioniere, që i dha qytetarinë përfundimtare estetikës në Shqipëri.” (Zeqo 2016)
Së dyti, përmes doktrinës së tij estetike, Uçi i dha një shtysë të ndjeshme zhvillimit e përparimit të mendimit kritik letrar e artistik shiptar. Vepra teorike uçiane përbën një themel të fortë dituror për veprimtarinë e shkencave letrare e artistike shqiptare. Po ashtu, ajo hap një horzont të madh dituror për veprimtarinë e shkencave të tilla. Roli i veprës teorike të Uçit në veprimtarinë e studiuesve shqiptarë të shkencave letrare e artistike është i shumanshëm. Disa aspekte të këtij roli, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:
- Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, fare mirë, mund të shuajnë etjen e tyre për dituri, sado e madhe qoftë ajo.
- Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të formohen më së miri teorikisht, thuajse në çdo drejtim të veprimtarisë së tyre shkencore.
- Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të përvetësojnë metodologjinë e nevojshme për shqyrtimin e dukurive të ndryshme të estetikës, folklorit, letërsisë, artit, kulturës, shoqërisë.
- Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të njohin nocionet, konceptet, kategoritë estetike, të domosdoshme për veprimtarinë e tyre hulumtuese.
Së treti, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi disa nga figurat më të shquara të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si: Teodor Kavalioti (1718-1789), Jeronim De Rada (1814-1903), Jani Vreto (1822-1900), Naim Bej Frashëri (1846-1900), Petro Nini Luarasi (1864-1911), etj.
Së katërti, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi, gjithashtu, disa nga figurat më të shquara të letërsisë e të artit shqiptar, si: Naim Bej Frashëri (1846-1900), Gjergj Fishta (1871-1940), Faik Konica (1875-1942), Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) (1907-1967), Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla) (1911-1938), Ismail Kadare (1936-), etj.
Më në fund, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi disa nga figurat më të shquara të letërsisë e të artit ndërkombëtar, si: Dante Aligieri (c. 1265-1321), Miguel de Servantes (1547-1616), Uilliam Shekspir (1564-1616), Fjodor Dostojevski (1821-1881), etj. Në këtë aspekt, ai n’a kujton aq shumë figurën e Theofan S. Nolit. Që të dy—Noli dhe Uçi—s’rreshtën që t’u bënin të njohur shqiptarëve dukuri të kulturës së popujve të tjerë. Por, nëse Noli bëri më shumë shqipërime të disa prej kryeveprave të letërsisë ndërkombëtare. Uçi shqyrtoi mendimin teorik e estetik të disa prej figurave më të shquara të kësaj letërsie.
NJERIU
Uçi-studiues dhe Uçi-njeri janë dy aspekte të të njëjtit person, aspekte të cilët plotësojnë njëri-tjetrin. Por, ndërsa Uçi-studiues mund të shqyrtohet duke studiuar veprën e tij teorike, Uçi-njeri nënkupton njohjen e tij nga afër. Duke e pasur Uçin si Drejtor për vite të tërë me radhë (1981-87), kur punova si Punonjës Shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore, m’u dha mundësia që t’a njihja atë edhe si njeri. Natyrën e tij të veçantë, unë do të doja që t’a karakterizoja, shkurtimisht, si më poshtë:
- Në paraqitjen tërësore të tij, ai shfaqte një lloj krenarie të veçantë, të hijshme, të pëlqyeshme! (Atë ndoshta e sillte, midis të tjerash, gëzimi i brendshëm që shkaktonte vetë veprimtaria e tij aq e frytshme kërkimoro-shkencore.)
- Ai ishte, sa serioz, aq edhe miqësor; sa i përqëndruar, aq edhe i hapur; sa i ditur, aq edhe i thjeshtë!
- Ai nuk fliste kurrë për librat e tij akademikë.
- Ai kishte një kujtesë të fortë: nuk shfaqte asnjë lloj hutimi (sikurse ndodh, herë-herë, me akademikë të shquar.)
- Njeri i jashtzakonshëm, ai udhëhiqte, në radhë të parë, përmes vetë punës së tij të madhe: botimit sistematik të librave akademikë.
- Ai i trajtonte vartësit e tij—punonjësit shkencorë ose ndihmës-shkencorë—gjithmonë me drejtësi, me dinjitet dhe me respekt.
- Ai i lexonte artikujt tanë, që do të botoheshin në organet shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore, –revista Kultara popullore, përmbledhësi Çështje të foklorit shqiptar, përmbledhësi Etnografia shqiptare—me vëmendje të posaçme, duke vënë në dukje objektivisht, si meritat, ashtu edhe mangësitë.
- Përgatitja e tij teoriko-estetiko-filozofike ishte, sigurisht, e pakrahasueshme: e gjerë, e pasur, e thellë! Por, ai asnjëherë nuk iu impononte të tjerëve mendimet e tij. Gjatë diskutimeve të ndryshëm, që organizoheshin vazhdimisht në Institut, ne, punonjësit shkencorë, —vartës të tij–vetëm se vlerësonim lart mendimet që ai shprehte: i pranonim ato me bindje të plotë si mendime shkencoro-profesionale objektive.
EPISODE
Kur Uçi u emërua si Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, unë u gëzova pa masë! Mendova se, një njeri i ditur si ai, sidoqoftë, do të simpatizohej me përpjekjet e një studiuesi të ri, që, sa me dëshpërim, aq edhe me entusiazëm, kërkon të gjejë rrugën e tij në jetë. Unë doja të ëndërroja se, një ditë, Uçi, ndoshta do të mund të më tërhiqte me punë në institucionin që ai drejtonte. Por, realizimi i një ëndrre të tillë, kishte përpara pengesa serioze, të cilat i sillte e mallkuara luftë e klasave: parimi që Partia Komuniste e Shqipërisë ndiqte sistematikisht në jetën politiko-shoqërore. Në muajin gusht të vitit 1975, për arsye thjesht politike, mjerisht, mua më kishin shpërngulur nga Tirana, megjithse, para një viti, kisha qenë emëruar zyrtarisht si pedagog, pranë Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! Uçi e dinte shumë mirë një ngjarje të tillë. Sidoqoftë, në sytë e tij, unë kurrë nuk lexova pesimizëm, por gjthmonë besim se mund të transferohesha vërtet në tempullin e shkencave etnologjiko-folkloristike shqiptare, aq të dëshiruar prej meje. (Endrra ime u bë realitet vetëm në saje të dashamirësisë, fisnikërisë dhe parimësisë së tij të madhe!)
Më lejoni që, në mënyrë kronologjike, të jap shkurtimisht disa episode të marrdhënieve të mia me Uçin. Duke qenë se kanë ndodhur brenda një konteksti jetësor, përmes tyre, dalin qartë në pah, si tipare të Uçit-studiues, ashtu edhe tipare të Uçit-njeri. Tipare të tillë, të cilët, në asnjë rast, nuk mund të ndahen njëri nga tjetri, e tregojnë, si figurën e studiuesit, ashtu edhe atë të njeriut, në një dritë plotësisht të vërtetë.
Episodi i parë: Takimi i ëndërruar prej vitesh
Në muajin shtator të vitit 1973, duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës, unë, një student i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë, si rrastësisht, pashë në vitrinat e një librarie të kryeqytetit librin teorik me titull Estetika, jeta, arti. Ai ishte shkruar nga Alfred Uçi. E bleva menjëherë. Për fatin tonë të madh, libri shërbeu si tekst mësimor bazë në lëndën Estetika, e cila jepej në Institutin e Lartë të Arteve.
Pasi bleva librin e titulluar Estetika, jeta, arti, unë doja që patjetër të njihja sa më parë autorin e tij: Uçin. Prandaj, një paradite, vendosa që të shkoj në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare, duke shpresuar se ai do të ndodhej atje. Shkoj drejt tek Përgjegjësja e Sallës Shkencore, prezantohem dhe e pyes atë nëse Uçi ndodhej në Sallë. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë Sallës Shkencore, duke buzëqeshur, ajo më thotë: “Tani për tani, Uçi nuk ndodhet në Sallë. Ejani një ditë tjetër, por mos ejani gjatë orëve të paraditës. Uçi studion vazhdimisht këtu, por, zakonisht, ai vjen gjate orëve të pasdrekës.”
Kur vajta ditën tjetër në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare, Përgjegjësja e Sallës, sa më pa, duke buzëqeshur, më tha: “Ja, ku është Uçi. Ai studion gjithmonë në të njëjtën tavolinë.” Pasi falenderoj Përgjegjësen e Sallës, tërë ndrojtje, bëj disa hapa drejt tavolinës ku studionte Uçi, duke synuar që të prezantohesha. Por, emocionet e forta nuk më lejuan … Do të kalonin gjashtë vite të tjerë që unë të kisha fatin për të zhvilluar bisedën e parë me ‘të.
Në takimin e parë, në muajin mars të vitit 1979, Uçi—tashmë Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore–donte të dinte për origjinën, për familjen, për vend-banimin tim. (Kur i thashë: “Unë jam arumun,” ai vazhdoi: “Edhe gruaja ime, Rozeta, është arumune.”) Uçi donte të mësonte, gjithashtu, për shkollimin tim, për artikujt që kisha botuar derimë atëherë, për interesat e mia shkencore në përgjithësi, etj. (Ndërkohë, iu përgjigj negativisht kërkesës sime që të pinim një kafe! Sipas gjykimit tim, një veprim i tillë s’ishte vetëm se një tregues tjetër i personalitetit të tij të veçantë!”)
Episodi i dytë: Diskutimi i kumtesës me titull “Dukuri novatore të këngës shumë-zërëshe labe”
Sapo u emërua si Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, Uç ndërmorri organizimin e simpoziumit kombëtar me temë Festivali Folklorik Kombëtar 1978 dhe problemet aktuale të shkencave etnografiko-folkloristike. Një veprimtari e tillë u mbajt në Pallatin e Kulturës, në Tiranë, në datat 28-29 qershor, 1979. E nënshkruar nga vetë Uçi, ftesa për të marrë pjesë në këtë tubim shkencor të rëndësishëm, më gëzoi shumë! Unë e titullova kumtesën që do të mbaja Dukuri novatore të këngës shumë-zërëshe labe. Gati dy javë përpara Simpoziumit, si çdo kumtesë tjetër, edhe e imja iu nënshtrua një diskutimi të gjerë shkencor. Me këtë rast, dëshiroj që të vë në dukje se, gjatë diskutimit, vlerësimet dhe vërejtjet më me vend, u bënë prej Uçit. Më në fund, në prani të një numri studiuesih folkloristë, etnologë e etnomuzikologë me përvojë, pasi u drejtua ndaj meje, dashamirësisht, ai tha: “Duke gjykuar prej kësaj kumtese, mund të them se, megjithse i ri, ti di sesi t’a mbash penën në dorë!” Sapo dëgjova këto fjalë, u mrekullova! Unë nuk e dija se Uçi e kishte pëlqyer vërtet kumtesën time! Madje, deri atëherë, në përgjithësi, s’isha shumë i sigurtë nëse shkruaja me një nivel të kënaqshëm! Vlerësim më të mirë nuk do të kisha ëndërruar ndonjëherë në jetën time! Isha gati që t’a përshkoja rrugën e kthimit Tiranë-Tepelenë më këmbë!
Episodi i tretë: Rëndësia e formimit teoriko-estetik në veprimtarinë e një etnomuzikologu
Unë nuk mësova vetëm prej librave akademikë të Uçit: mësova, gjithashtu, prej përvojës së tij të madhe si studiues. Gjatë viteve që punova si Punonjës Shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore (1981-92), unë studioja në një dhomë të vogël, brenda së cilës fatmirësisht kishte edhe një piano. Gjatë orëve të punës, si për t’u çlodhur, nuk ngurroja që të ushtrohesha në tastierën e këtij instrumenti me aftësi shprehëse të pakufishme. Luaja me kujdes tepër të madh që të mos shqetësoja punonjësit e tjerë shkencorë. Duke qenë i ri në profesion, unë, në atë kohë, mendoja, pak a shumë, në këtë mënyrë: “Eshtë fat i madh që mund të luaj sadopak në piano! Sa më shumë që të ushtrohem, aq më i përgatitur do të arrij që të bëhem edhe si studiues! Procesi i të ushtruarit në një instrument muzikor e nxit drejtpërsëdrejti procesin e studimit teorik të muzikës tradicionale o profesioniste! S’ka sesi të jetë ndryshe!” Vazhdova të mendoj e veproj kështu për muaj e vite të tërë me radhë. Por, një ditë, si rastësisht, ndodhi diçka që i ndryshoi përgjithmonë idetë dhe veprimet e mia, përsa i takon rolit që luan të ushtruarit në një instrument muzikor në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.
Atë ditë, në orën 10:00 të mengjezit, do të organizohej diskutimi i disertacionit të një punonjësi shkencor etnomuzikolog, i cili e paraqiste atë për të mbrojtur gradën shkencore Kandidat i Shkencave. (Sipas sistemit të atëhershëm të kualifikimit shkencor pas-universitar, kjo gradë merrej përpara gradës Doktor i Shkencave. Kështu, ndiqej modeli i vendeve të Europës Lindore dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Në ditët tona, një gradë e tillë, nuk jepet më as në Shqipëri. Sipas modelit të vendeve të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë ajo është zëvendësuar me gradën Doktor i Shkencave.) Siç mund të merret me mend, një diskutim i tillë ishte tepër i rëndësishëm. Ne, punonjësit shkencorë etnomuzikologë, e kishim studiuar disertacionin qysh disa ditë më parë. Filloi diskutimi. Ishte kërkesë e Uçit, si Drejtor i Institutit, që, çdo punonjës shkencor, të diskutonte mbi disertacionin në fjalë: të vinte në dukje meritat, metodologjinë, analizat muzikore, mangësitë e mundshme, etj. Pasi diskutuan të gjithë punonjësit shkencorë me radhë, fjalën e mori vetë ai: Uçi. Përqëndrimi im ishte tepër i madh: doja që të kuptoja se, në çfarë mënyre do të mund t’a vlerësonte ai një vepër etnomuzikologjike. Më tërhoqën vëmendjen sidomos çështje, si: konteksti brenda të cilit ai e përfshiu disertacionin, analizat që bëri, nocionet estetike që përdori, përfundimet në të cilat arriti, etj. Në çast, unë pata një tronditje të madhe psikologjiko-emocionale. Me vete mendova: “Uçi nuk është muzicien! Ai nuk luan në piano! Ai nuk transkripton këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle traditionale! Ai madje nuk njeh as shkrimin muzikor! Megjithatë, diskutimi i tij mbi një libër entomuzikologjik, solli, pa dyshim, ide të rëndësishme, që n’a hapën horizont të gjithëve!” Diskutimi i Uçit, ndërsa, nga njëra anë, më frymëzoi pa masë, nga ana tjetër, i përmbysi një herë e mirë mendimet dhe veprimet e mia, përsa i takon rolit që luan të ushtruarit në një instrument muzikor në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu. Megjithse duket e tepërt, sërish nënvizoj faktin se, në vend që të vazhdoja të humbisja kohë duke luajtur qetësisht në piano, unë tashmë u përqëndrova edhe më shumë në studimin e librave teorikë, një pjesë e mirë e të cilëve qëndronte vazhdimisht aty, mbi tavolinën time të punës. (Sidoqoftë, përmes episodit të mësipërm, në asnjë mënyrë nuk dua që të nënvlerësoj sadopak rolin e rëndësishëm e të pazëvendësueshëm që luan përgatitja thjesht artistiko-muzikore, pra, edhe aftësia për të luajtur në një instrument muzikor, në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu. Pa një përgatitje të tillë, s’ka sesi të arrihen, midis të tjerash, analizat muzikore, të cilat janë aq të domosdoshme në një studim etnomuzikologjik ose muzikologjik. Përmes episodit të lartpërmendur, doja vetëm që të nënivizoja rëndësinë e madhe të përgatitjes teoriko-estetike në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.)
Episodi i katërt: E papritura e simpoziumit “Epika heroike shqiptare”
Simpoziumi ndërkombëtar me temë Epika heroike shqiptare u mbajt në Muzeumin Historik Kombëtar, në Tiranë, në datat 20—22 tetor, 1983. Në këtë tubim të rëndësishëm shkencor morën pjesë studiues shqiptarë të fushave të ndryshme diturore: folkloristë, etnologë, etnomuzikologë, gjuhëtarë, shkrimtarë, etj. Po ashtu, morën pjesë edhe mjaft studiues ndërkombëtarë. Duhet thënë se, Simpoziumi ndiqej nga shumë pjesmarrës, të cilët dukeshin vërtet entusiaztë. Për këtë veprimtari, unë kisha përgatitur kumtesën me titull Përmbajtja ideo-emocionale e muzikës së eposit heroik legjendar. Sipas programit, duhet që t’a mbaja atë gjatë ditës së tretë dhe të fundit të tubimit. Siç mund të merret me mend, mezi e prisja një moment të tillë. Mirëpo, në mbarim të ditës së dytë të Simpoziumit, Uçi zhvillon një mbledhje me të gjithë punonjësit shkencorë, të cilët s’i kishin mbajtur ende kumtesat. Aty ai n’a njoftoi se, gjatë ditës së tretë, Simpoziumi mund t’i kufizonte punimet e tij. Rrjedhimisht, disa kumtesa nuk do të mbaheshin. Unë s’e prita mirë një njoftim të tillë! Sidoqoftë, kumtesa ime nuk u mbajt! Me mbarimin e Simpoziumit, Uçi zhvilloi një mbledhje të shkurtër me të gjithë punonjësit shkencoë të Institutit, duke i falenderuar ata për ndihmesën e tyre në mbarëvajten e kësaj veprimtarie. Përsa më takonte mua, unë nuk meritoja asnjë lloj falenderimi, sepse nuk mbajta kumtesë. Për më tepër, kuptova se, Uçi kishte dashur që unë të kisha shprehur i pari dakortësinë për të mos e mbajtur kumtesën. Kështu, dashur-padashur, përkohësisht, sikur u krijua një lloj ftohjeje në marrdhëniet tona. Për ditë e javë të tëra me radhë, unë e kisha shumë të vështirër të harroja situatën e krijuar gjatë Simpoziumit, çka pasqyrohej drejtpërdrejt në gjendjen time të rënë shpirtërore. Por, ishte Uçi vetë, ai që e ndryshoi një gjendje të tillë: Përmes një bisede që kërkoi të bënte me mua, ai më tha se, tashmë e konsideronte të kapërcyer ndodhinë e Simpoziumit. Kështu, arrita edhe një herë në përfundimin se, ai nuk ishte vetëm një studiues i madh, por edhe një njeri i rrallë! Eshtë fat të kesh eprorë të tillë!
Episodi i pestë: Nxitje e principtë në veprimtarinë time studimore
Një ditë, rreth orës 11 të paraditës, sekretarja e Uçit më njofton se, ai donte të më takonte në zyrën e tij. Vajta menjëherë, pothuajse pa marrë mirë frymë. Fillimisht, ai më pyeti se, si shkonte puna studimore në drejtim të përfundimit të disertacionit me temë Polifonia labe. Por, siç kuptova, qëllimi i tij kryesor në këtë takim ishte një çështje tjetër: nxitja që unë të studioja, shkruaja e botoja sa më shumë. Duke i peshuar fort fjalët, me një ton të ngadalshëm bashkë-bisedues, me një pamje sa serioze, aq edhe miqësore në fytyrë, ai u shpreh: “Studio! Studio! Studio! Studio sa më shumë1 Shkruaj! Shkruaj! Shkruaj! Shkruaj sa më shumë! Boto! Boto! Boto! Boto sa më shumë! Vetëm në këtë mënyrë ti do të bëhesh një autoritet i etnomuzikologjisë shqiptare.” Kështu, takova sërish, sa dijetarin e madh, aq edhe njeriun e rallë! U largova prej tij me një ndjenjë frymëzimi e mirënjohjeje të thellë!
Episodi i gjashtë: Diskutim mbi disertacionin me temë “Polifonia labe”
Në muajin maj të vitit 1988, unë mbrojta gradën shkencore Kandidat i Shkencave, me librin akademik të titulluar Polifonia labe. Gjatë procesit të diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Kulturës Popullore, i pari e mori fjalën Uçi–tashmë Ministër i Kulturës i Repulikës së Shqipërisë. Propozimi i tij ishte që disertacioni të kalonte për gradën shkencore Doktor i Shkencave. (Sipas sistemit të atëhershëm të kualifikimit shkencor pas-universitar, kjo gradë, rregullisht, merrej vetëm pas gradës Kandidat i Shkencave.) Një propozim i tillë, siç duket, s’u pëlqeu aq shumë anëtarëve të nderuar të Këshillit Shkencor! (Të mos harrojmë se, asnjëri prej tyre s’kishte gradën Doktor i Shkencave.) Prandaj, ata bënë ç’është e mundur që, pasi e vonuan dramatikisht vendimin, në fund të fundit, disertacioni të kalonte për gradën Kandidat i Shkencave! Sidoqoftë, unë do t’a kujtoj gjithmonë propozimin e Uçit si shprehje të objektivitetit të tij shkencor!
Gjatë viteve të mërgimit tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenca ime me Uçin ka qenë e vazhdueshme. Studuesi i madh dhe njeriu i thjeshtë iu përgjigjej vazhdimisht në kohë letrave të mia. Duke qenë se, ato, herë-herë, nuk mundnin që të fshihnin, as mallin tim të madh për atdheun e dashur dhe as vështirësitë dramatike, që kaloja për t’u përshtatur në mjedisin e ri shoqëror, ai më jepte zemër në një mënyrë të tillë që vetëm një mendimtar i madh mund t’a bëjë.
EPILOG
Në përfundim të këtij artikulli, më lejoni që të vij me një radhë çështjesh themelore, përsa i takon emrit, jetës dhe veprës së Alfred M. Uçit, si:
- Çfarë vendi zë, vallë, Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar?
- Në çfarë kategorie krijuesish e studiuesish mund dhe duhet vendosur, vallë, ai?
- Cili është, vallë, grupi i veprave teoriko-shkencore, brenda fushës së letërsisë e të arteve, ku mund dhe duhet të hyjë vepra e tij?
- Vallë, ku qëndron, në thelb, ndihmesa e Uçit si filozof, estet, studiues i madh shqiptar?
Çështja e rëndësishme se, çfarë vendi zë Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar, me siguri që do të vlerësohet nga rrethet shoqërorë në përgjithësi dhe ata shkencoro-artistikë në veçanti. Sigurisht, një çështje e tillë, do të qartësohet edhe më mirë me kalimin e kohës. Por, duke qenë një ithtar entusiast i Uçit, unë dëshiroj që të shpreh mendimin tim, modest e të sinqertë, rreth saj, qysh tani.
Që të arrijmë t’i japim një përgjigje sa më objektive çështjes se, çfarë vendi zë Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar, mund dhe duhet që t’i drejtohemi, në radhë të parë, pikërisht veprës së studiuesit. E gjerë, e pasur dhe e thellë, në tërësinë e saj, vepra teorike e Uçit është monumentale. Si e tillë, ajo ka rrezatuar, rrezaton dhe do të vazhdojë të rrezatojë ndjeshëm në mendimin teoriko-shkencor shqiptar të shkencave letrare e artistike në përgjithësi dhe atyre të identitetit etnik në veçanti. Vepra teorike uçiane është, pa dyshim, përjetësisht universale! Po ashtu, ajo është, sigurisht, universalisht e përjetshme! Me veprën e tij teorike të pavdekshme, mendoj se, Uçi qëndron fare natyrshëm përkrah një radhë figurash të ndritura të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si: Sami Bej Frashëri, Naim Bej Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta, Theofan S. Noli, Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj. Sa më shumë që të kalojë koha, aq më tepër do të shkëlqejnë edhe emri, jeta dhe vepra e tij. Shqyrtimi i veprës teorike monumentale uçiane mbetet një detyrë e rëndësishme e studiuesve të sotshëm e të ardhshëm shqiptarë të shkencave letrare e artistike.