NGA AGIM SHEHU/ GJENEVE/
Rrallë ndodh te popujt në botë si në Shqipëri, që një figurë e madhe e historisë së tij të qëllohet kaq shumë e kaq gjatë me baltë si vigani Ali Pashë Tepelena. Të tjerë edhe kur s’i kanë të tillët, marrin gurë e i bëjnë ‘heronj’. Ne marrim heronjtë e i kthejmë në gurë për t’i shkelur. Sigurisht nuk është thjeshtë rastësi. Kjo bëhet ose nga ‘historianë’ krimba me mungesë kulture e me etje për t’u dukur. Bëhet më tej nga të paguar prej shovenëve fqinjë, armiq të përjetshëm të Shqipërisë, pasi siç gjykojnë dijetarët: “Historia e një vëndi është historia e personaliteteve të tij.” Në krye të kësaj kryqëzate të shëmtuar e të paprerë kundër Pashait Tepelenas është Athina.Mjetet kundër herojve kryesorë të shqiptarëve janë njollosja, përvetësimi dhe heshtja mospërfillëse.
Ali Tepelena ai është aq i lartë sa pështymat i arrijnë vetëm te këpucët e i lajnë pluhurin e bronzit-monument. Ngulur në trojet e të parëve Ai u ndodh në kryqëzimin e historive të Ballkanit me të tëra ngarkesat që mbartin popujt e trazuar të kësaj siujdhese. Guximit për t’i përballuar ato erëra mbi Atdheun e tij doemos do t’i paguante haraç. E pagoi të madh haraçin për vete që t’ia lehtësonte atë vendit të tij nga tirania osmane. Brezat që e vazhduan gjer në Pavarësinë e Shqipërisë, me shpatë apo me penë, e ruajtën në kujtesë më tepër si një humbës të fituar se sa fitimtar të humbur.
Dy shekuj me radhë që nga dukuria e tij Ai troket madhërishtnë çdo ndërgjegje të trazuar që ka pjellë koha mbi të. Në horizontin e Ballkanit dhe më larg në Evropë, detyrimisht i dukshëm nga të gjithë, me përmasat e mëdha ai e ka detyruar natyrshëm leximin dhe vlerësimin tij. Shumica dërmuese, gjer personalitete dinjitoze të letrave dhe shteteveduke mos pasur asnjë interes e ngrenë tepër lart. Liliputët kanë synuar ta futin në lente zvogëluese. Të ligjtë, shovenët e më tej vazhdojnë ende ta nxijnë. Bujashkat mbi trungun vigan, më tepër produkt i klimës jashtë tij se i genit tëbrendshëm nuk e zvogëlojnë lartësinë e tij. Kur ra trungu mbi të e rrotull tij mbinë fidanë Shqipërie që ia vazhduan dhe ia plotësuan shqetsimin parësor, një Shqipëri të pavarur të kombit shqiptar, shkëputur nga Perandoria Osmane. Ky vizion shoqëruar me guximin tejnjerëzor që kërkontepër kohën e për të cilin Ali Tepelena dha jetën, mjafton për të mbetur në histori i madh mes të Mëdhenjve. Se qe i tillë, ai do të luftohej për t’u errësuar dhe nga ata që harrojnë se Ali Pashë Tepelena qe pika nisëse e lirisë së tyre.
Mbetet detyrim për shqiptarët, sidomos për institucionet përkatëse që të bëjnë detyrën për figura të tilla. Kjo do të jetëdhe përgjigje për tërë ato shpifje (për fat të keq dhe brenda Shqipërisë) që synojnë të njollosin të parët e ndritur, që qimja i pengon të shohin trarin.Shpifësve do t’u dridhej dora po të kujtonin sadopak këngën e popullit, edhe të rralluar, mbi të: “O gjëmimi që gjëmon”;“Gjarpëri që drodhi dhenë”; “Duro top e kumbara/ moj kalaja mbi bedena/ se lufton me Padishah/ Ali Pashë Tepelena/”; “Njëmijë gegë e dymijë toskë / qëndruan me Ali Pashanë/, ata vunë kryet poshtë / dhe me të me besë u vranë”; “Ali Pasha i kalave…E kish lindur balli i grave”. “Luani i Janinës”…Historia bën të vetën por Ai është i pandarë nga Janina ku bëri rrënjë pasi Mëmë e Bir (Janina dhe Ai) qenë njëri më shqiptar se tjetri e nga kjo krijuan atë harmoni si në jetë dhe në vdekje. Kryeministri anglez Bikonsfild i shkruan të emës: “Isha në Janinë, Kryeqyteti i Shqipërisë”. Kryeministri i parë grek me prejardhje shqiptare, Kapodistria tha botërisht se “Janina është e banuar kryesisht prej shqiptarëve” (e vranë grekët e zinj Mavromihali tek dilte nga kisha në Korfuz). Janë pohime se Janina e Ali Pasha qenë dy sy të një balli e kur flet për njerin nënkupton dhe tjetrin.
Për të vënë duart në kokëështë vlerësimi zyrtar që i jepet te “Historia e Shqipërisë” nga S. Pollo e K. Frashëri: “Ali Pasha ka bërë jetë kaçaku e plaçkitësi…që në rini u regj me jetën e hajdutërisë…akoma 20 vjet në krye të një bande hajdutësh…synonte të përfshinte krahina greke si Thesalinë, Epirin…nuk kish besim te aleatët…” Të bën përshtypje shpërthimi i befasishëm i disa arumunëve në Shqipëri që duke menduar se u bë deti kos për ta në gjëra që s’u takojnë, kanë fyer si askush rëndë figurën e Ali Tepelenës. Brenda nesh në sy tonë shkelin e përbaltin personalitetin e madh të kombit shqiptar në atë shkallë që asnjë shtet nuk do t’i lejonte ta fyenin të ardhurit, aq më tepër kur i kemi quajtur miq e vëllezër. Njëri thotë: “Gjenocidi i pashoq i satrapit të Tepelenës…sulmuan Voskopojën e cila u shkatërrua, u grabit e u rrënua”. Tjetri, K. Goçi shkruan: “Voskopoja – margaritari vllah… nuk iu nënshtruan asimilimit mysliman të Ali Pashës dhe hordhive të tij, e u dogj i tëri”.
Por le t’u përgjigjemi me fjalët e figurave të ndritura të historisë sonë për Ali Tepelenën. Përballë tyre shpifësit e xhuxhërit sidomos zyrtarë e ‘shkencorë’,edhe me një çikë mend do t’u takonte të pështynin publikisht veten. Kurse çdo shqiptari duhet të ndjejë turp që është shqiptar kur i njollosen hapur njerëzit e mëdhenj të tij.
Në ‘Kujtime’ Ismail Bej Vlora gjykon: “Pas një qëndrese burrërore Ali Pashës, Luani i Janinës, iu pre koka”. Në Enciklopedinë e tij Sami Frashëri shkruan: “Mençuria, zgjuarsia, shkathtësia, aftësia politike dhe shpirtmadhësia e Ali Tepelenës kanë habitur Europën. Kryerja prej tij e disa veprave pak si të egra që i lypte koha e atëhershme nuk mund të shlyejë gjithë këto merita të tij dhe nuk ka si njollos një komb”. Ai qe Pasha si do vetë Zoti e me Sulltanin mund të bënte jetën më të lumtur. Mirëpo përtej vetes ai mendoi për Shqipërinë, për popullin e tij. Me rrebelimin madhështor e të habitshëm nga guximi Ai i tha Sulltanit“Ne jemi ‘Shqipëri’.” Në shpirtin e tij i mërmërinte mendimi “Ti Shqipëri më ep nder…” e për këtë qe gati të flijohej. Mirëpo për një pjesë të dëgjuar bejlerësh si në Delvinë, Berat etj. atdheu qe prona e tyre e nuk shihnin përtej gardhit të vet. Ndaj kësaj këmbënguljeje të tyre Ali Pashë Tepelena u tregua i ashpër e i pamëshirshëm. Konica spjegon: “Aliu urrehej se kish idenë e unitetit, disiplinës”. Noli plotson: “T’u shenjtërofshin kockat o Ali, se vetëm ti dije si t’u përgjigjeshe shqiptarëve të cilëve u pëlqen mëndja e tyre”. Është një habi komike e tragjike bashkë te shqiptarët: Pjetri i Madh, megjithë meritat e tij qe një pushtues drejt Europës. Ai bëri thirrjen, se ‘Rusisë i duhet një dritare në Balltik’, dhe e pushtuan me gjak. Pushkini, poet kombëtar e hymnizon te poema ‘Polltava’: “Në shpatën e tij qe e shkruar drejtësia…”. Ali Pasha ynë deshi të ngrinte si shtet më vete kombin shqiptar, dhe s’lënë baltë pa i hedhur!..
Vaso Pasha vlerëson më tej: “Mustafa Bushati i Shkodrës e Ali Pasha i Janinës arritën një shkallë të tillë fuqie që nuk pushoi së shqetësuari Portën e Lartë. Të dy ditën të bashkonin elementin mysliman, krishter dhe bajraktarë në ide atdhetare e në të njëjtën vrull për lavdi ushtarake. Të dy kishin guxuar të synonin ndryshime të pashembullta nga rëndësia”. Më tej pohon disi me pikëllim: “Rivaliteti që ish shfaqur mes tyre ua hëngri kokën më në fund… Preng Lleshi, bajraktar i Mirditës mori anën e Mustafa Pashës kundër Ali Pashës”. Më tej kronika thotë se Ali Pasha nuk e ndihmoi Sulltan Selimin e III-të në fushatën kundër Mahmut Pashës së Shkodrës. Në të njëjtën kohë Aliu me kthjelli të veçanë kombëtare i shkruan atij se “rusët qenë armiqtë nga të cilët duhej të ruhej më shumë”. Së fundi Vaso Pasha përcakton: “Ishin kleftët dhe kapedanët shqiptarë…në shërbim të Ali Pashë Tepelenës të cilët i dhanë Greqisë së re burrat më trima të Luftës për Pavarësinë”.
Faik Konica shprehet: “Ali Pasha pa shkollë, pa shokë, i rrethuar me armiq arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore…nuk pushoi asnjë ditë të rreshtojë një ushtri shqiptare. Mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë”. E. Çabej shkruan se pas Gjergj Kastriotit “shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton dhe sot që prej Çamërie në Shkodër; e prej kësaj edhe kënga popullore greke e aromune”. Me krenari për Ali Tepelenën prof. Aleks Buda përsërit këngën për të: “Moj kalaja me bedena / çfarë luani paske mbrenda / Ali Pasha me shtatë zemra!”.
Do thonë se këto vlerësime të bujëshme e të pakundërshtueshme janë zëra Shqipërie! Ahere po sjellim zërat e huaj të cilat janë të papërballueshme për mashtruesit zvarranikë.
I njohuri kancelar i Perandorisë së Vjenës princi Meternik, bashkëkohës i Ali Tepelenës tërheq vëmendjen për lartësinë sovrane në nivele europiane të tepelenasit të madh. Siç e citon dhe Konica, ai shkruan: “Ali Pasha më dërgoi më 3 mars 1821 një njeri të besës…lutej t’i dërgoja një këshilltar për të bërë një konstitucion e një Kanun themeltar të shtetit për Shqipërinë”. Napoleon Bonaparti shkruan për Pashallëkun e Janinës“një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve…Ali Pasha, një kundërpeshë ndaj grekëve e serbëve që qenë ushtri rezervë të Rusisë në Ballkan”. Hygo shkruan madhërisht: “Ali Pasha – i vetmi vigan që shekulli 19 mund të verë kundruall Napoleon Bonapartit…Ai ishte Bonaparti muhamedan”. Pastaj shkruan në poezi: “Një ditë Aliu shëtiste. Kokat gjer në re/ të arnautëve të tij u ulën gjer në dhè./ Një jatagan nën qyrk Aliu kish / dhe pushkë e lartë, bukur mbushur ish./ Kobure tri. Një thikë- hataà!”. Hajne përforcon: “Gëte është ‘Ali Pasha’ i letërsisë gjermane”.
Kronika e kohës njofton se “Mbreti Gustav i Suedisë në udhën për Jerusalem u ndal në Prevezë, të piqej tërë nderim me Ali Tepelenën”. Bonaparti i shkruan vëllait në Napoli duke vlerësuar çiltër: “Ju duhet të vazhdoni të keni marrëdhënie me Ali Pashën dhe t’i bëni të njohur se unë jam mësuar me keqardhje që ai nuk ka më ndjenjat e para për mua”! GjetkëBonaparti shkruan: “Unë e shoh me keqardhje që ata lejojnë të përlyhet flamuri ynë nga Ali Pasha dhe anijet e tij, komandanti i anijeve të mia të hidhet mbi anijet e tij e t’i ç’dukë!”. Në këtë këndvështrim Pukvili shkruan: “Është më lehtë të bësh marrëveshje me një oborr të madh se me Ali Pashën. Ali Pasha na bën një luftë të drejtpërdrejtë dhe më shkatërruese se Anglia”.Më tej e cilëson atë, se “i kundërvihet paqes pa dashur të marrë vetë pjesë në luftë. Ai kërkon të përfitojë nga ajo për të rritur zgjerimet e tij dhe për të çimentuar pavarësinë e tij. Po e shoh në revoltë të hapur kundër Sovranit të tij. Unë herë e kërcënoj atë herë e përkëdhel po tani i kam humbur shpresat fare”. Gjetkë thotë: “Në kohën e Sulltan Selimit të III unë kam parë të grisen e të shkelen me këmbë pa pikë nderimi fermanet e Sulltanit”. Nga ana e saj Porta e Lartëmë 1810 i shkruan Francës të vërtetën e madhe dramatike shkaktuar guximshëm nga Aliu: “Ju po e shihni gjendjen tonë, ne nuk mund ta ndëshkojmë dot atë!” Studiuesi i njohur gjerman Fallmerajer vlerëson lart: “Në lashtësi shqiptarët i udhëhoqi Pirroja, në mesjetë Skënderbeu, në kohën e re, Ali pasha”. Studiuesi A. Blunkamp më 1882 gjykon: “Aliu… ka qenë njëgjigant dhe zhdukja e tij nga mezi i një populli të cilit ia hoqi barbarinë la një boshësi të madhe”. Më 1868 studiuesi Spenser përgjithëson: “Ali Pasha kish energjinë dhe kurajon e racës së tij, një shqiptar i vërtetë që po të kishte arritur të flakte zgjedhën e osmanëve, më në fund vendi do të përparonte nën sundimin e tij”. Studiuesi A. Slade më 1823 shkruan: “Ali Pasha është heroi i shqiptarëve, temë e këngëve të tyre që i robëronte pavarësisht nga despotizmi i tij, me një influencë qës’e kish pasur askush që nga koha e Skënderbeut”. “Njeriu është më i sigurtë në shtetin e Ali Pashës se në rrugët e Londrës” i shkruan në letër Bajroni nënës. Më tej shton: “Ali Tepelena thirri një luftëtar shqiptar, Vasilin i cili si gjithë shqiptarët është trim, i ndershëm pa masë dhe besnik” dhe shton: “Vasili e Dervishi të cilët i caktoi Vezir Aliu të më ruanin i thanë mjekut kur isha sëmurë, se po të mos më shëronin do t’i prisnin gurmazin brenda një kohe të shkurtër”. Historiani Erhart kur zbriti në Artë gjykoi hapur e saktë: “Para meje shtrihet toka e Pirros, e Skënderbeut, e Ali Tepelenës”.
Në udhën për Jerusalem, Baroni Ifubset shënon në kujtime: “Urdhërat e rrepta që veziri i Madh (i Sulltanit) i dërgon atij ai nuk i dëgjon fare. Aliu shpall e komandon në Shqipëri si senjor i madh në Kostandinopojë”. Gjetkë Gëte shkruan: “Ali Tepelena në krye të shqiptarëve kundër osmanëve myslimanë, u bashkua me grekët krishterë e me shqiptarë të pamposhtur, trima, çajnë mes osmanëve ku mbjellin vdekjen”. Studiuesi E. M. Vogne më tej: “Trevat e Janinës ruhen me zili nga shqiptarët që nuk pranojnë ligjin nga asnjë zot tjetër. Epirotët e vjetër të Pirros, tëAleksandrit, të Ali Tepelenës e të Mehmet Aliut nuk u shpërbënë. Ata mbetën luftëtarë të pakrahasueshëm që i siguruan fitoren dhe ruajtjen e pushtetit gjithëfitimtar të Lindjes”. Publicisti gjerman Arnold gjykon: “Ali Pasha – në fillim shtypës e më pas shok armësh i helenëve. Ditët e karnavaleve në jetën publike një maskë veçanërisht e dashur qe ajo e Ali Pashë Tepelenës”. Gabriel Remerand thotë: “Emërimi i Ali Pashës thyente traditë e zëvendësonte autoritetin e pashallarëve të bindur te Porta e Lartë me atë të një njeriu të vendit, të një kryetari fisi ambicioz”. Uliam Plomer Ali Tepelenën e quan “Diamanti i Janinës”. Personalitetet franceze Bessier dhe Pukvil i shkruajnë Tajleranit: “Ali Pasha është një burrë i matur që llogarit mirë dhe nuk nënvlerëson asgjë. Nuk ka asnjë arsye të dyshojmë në besimin e tij”. Dhe Bonaparti i shkroi Ali Tepelenës si të barabartë: “Unë i jap shumë rëndësi miqësisë suaj! Unë do pres me kënaqësi gjithçka që do vijë dhe nga ana juaj!”.
Është e njohur një vjershë e shpifur që i vihet në gojë Ali Pashës, kinse me urrejtje gjaku kundër të krishterëve: “Çaush bej, Çaush Hormova/ dyll e dhjamë të kullova/ po dot fenë s’ta ndërrova!”. Për të qeshur e për të qarë! Ç’është ky i krishterë me myslimanizma – dhe ‘bej’ dhe ‘Çaush’ me të cilin po merret Pashai i madh!? Ai u martua me krishteren Vasilika dhe ajo mbante ungjillin e vinte në kishën e lirë karshi oborrit të Pashait. Luftëtari dhe miku më besnik i tij qe ortodoksi nga Lekëli, Thanas Vaja. Kapedanë të tjerë të ngushtë të tij e të krishterë qenë ‘vëllemër’ me të si Andrucot etj. Dhe të huajt pohojnë të vërtetën: Historiani gjerman Gervinus: “Ali Pasha nuk bënte asnjë dallim mes myslimanëve e krishterëve”. Anglezi Hjuz përmend: “Një Dervish i tha Aliut që të vriste 30 të krishterë, dhe Aliu e dëboi me urrejtje atë”. Alfred Lemaitre plotson: “Në pallat të Ali Tepelenës ku fëmijët shqiptarë myslimanë mësonin Kuranin përmendësh nën kontrollin e një turku të mësuar, të rinjtë grekë mësonin gramatikën e tyre me një prift ortodoks”. Dijetarja rumune me origjinë shqiptare Dora D’Istria shkruan: “Aliu… ish njeri i jashtëzakonshëm nëse e krahasojmë me veprat e shekullit tonë”. Gjetkë ajo vlerëson duke e quajtur Ali Pashën Bir dhe përfaqësues gjenetik të Labërisë: “Labëria e Aliut nuk është e përkëdhelur nga Qielli si luginat e bukura të banuara nga çamërit…” Dijetari Le Konté de Gobino vlerëson më 1905: “Ali Tepelena ish njëri nga njerëzit më të shquar të kohës së tij”. Studiuesi dhe personaliteti rumun Nikolla Jorga shkruan: “Asnjë tjetër në Perandorinë Osmane nuk qe bërë kaq i fuqishëm sa ky shqiptar toskë. Ai mendoi të krijonte një shtet të ri, të aftë për progres… reformator i madh në kuptimin evropian… i ngjashëm me Skënderbeun i cili u përpoq si edhe Ali Pasha t’i hapte një vend botës perëndimore në Gadishullin Ballkanik…kurioz i pazbërthyeshëm për atë që nuk e njeh Lindjen, e cila po ashtu është plot të kundërta sa dhe vetë jeta, sa dhe natyra”. Historiani Finlej shkruan: “Aliu ish në krye tënjë kombi luftarak dhe kish shpresa tëbazuara për të ngritur një fron të pavarur në Shqipëri”. Studiuesi italian T. Kandileri thotë: “Aliu nuk duhet të krahasohet me qeveritarin ideal europian por me pashallarët e tjerë të Perandorisë Osmane. Një shqyrtim i saktë i hollësive të qeverimit të tij tregon se kurrkush nuk mund t’i afrohet sadopak përsa u takon aftësive të tij”. Në maj1820 “Revista e Debateve” në Paris shkruan: “Rebelimi kundër Sulltanit është në karakterin e një njeriu të tillë. Dihet, ai nuk do përkulet para sundimtarëve të tij, dhe akoma më pak para armiqve të tij në Stamboll”. Më tej revista shkruan: “Cilido qoftë fundi i tij Ai do mbetet një njeri me të cilin do merret historia, dhe shkatërrimi i tij nuk do t’i fshijë efektet që shembulli i ngritjes së tij ka prodhuar në mendjen e kombit shqiptar, më luftaraku nga gjithë sa ka sunduar Turqia”. Funksionari i Carit rus E. Gollubinski thotë: “Atdheu i tij, qyteti i Artës nuk gjendej në Perandorinë e Kostandinopojës po në një principatë të lirë shqiptare që qe pushtuar nga turqit më 24 mars 1449”. Kronika osmane shënon: “Qëndresën më të madhe na e kanë bërë shqiptarët, Ali Tepelena, Mustafa Bushati, Z. Poda, T. Buzi, Gjoleka”. Kjo në një kohë kur Porta e Lartë, siç shkruan përfaqësuesi francez Morier, “i vendoste rusët në kufi me Ali Tepelenën që t’i merrnin pushtetin”. Pushtuesi rus admiral Ushakov shpallte: “Nuk e ndaj fitoren me Ali Tepelenën” edhe sepse e dinte që kontributi i tij qe vendimtar në çlirimin e shtatë ujdhesave. Studiuesi udhëtar Evans shkruan në “Letra ilire” më 1878: “Fustanella e bardhë dhe e gjerë… jeleku bojë karafili është veshja më e shkëlqyer në Europë…Këta janë me të vërtetëbashkatdhetarët e Skënderbeut e të Aliut të Janinës, raca më luftarake dhe më e pamposhtur e cila i qëndronende Sulltanit”. Hobhauz, mik i Bajronit shkruan kur ishte pranë Pashait: “Nuk kish këngë që të mos bërtisnin e të mos mbanin zërin me një energji të veçantë kur përmendej emri i Aliut”. Pukvili kujton për Aliun kur iku nga Porto Palermoja në Janinë: “Himarjotët, pas tregimeve me kujtime të çuditëshme kënduan, kërcyen e pinin për shëndetin e udhëheqësit e prijësit e si mbaruan, shtrinë dorën për të na përshëndetur”. Duke i parë nga afër këto këngë e valle, anglezi Holland shkroi: “Ashtu kërcenin luftëtarët në kohën e Pirros”. Për këta njerëz Hurshit Pasha që rrethoi dhe vrau Ali Tepelenën me kurth, më 1822 shkruan: “Me gjithë thirrjen që u bëra shqiptarëve dhe zotimet për t’i bashkuar me trupat e mi, nuk munda t’i bëj për vete”. Pukvili kujton më tej: “Ali Pashë Tepelena, i shkathët si Ai, rrinte në krye të kërcimtarëve të valles ‘komitçe’ ose ‘pirrike’”.
E më poshtë, kur qeveria ruse i ndërhynte në punët shqiptare: “A do na lejohej neve të ndërhynim në punët tuaja? Pse ju ia quani të drejtë vetes kërkesa të tilla?” Hygo i bën vlerësim tjetër të lartë në lartësi Europe: “Aliu qe i vetmi personalitet i shekullit për t’u krahasuar denjësisht me Napoleonin. Sunduesi i Janinës dhe Perandori i Francës shkonin përbri njeri tjetrit si tigri me luanin”. Tepër bukur e jep historiani Hofman: “Aliu qe përbindëshi më romantik që ka parë historia, një nga tmerret më të bukura që ka lindur natyra”. Ferdinandit të 4-t i shkruan me botë kulture të adhurueshme: “Shkëlqesi, duke qenë i sigurt se madhëria juaj e njeh përparësinë që rrjedh nga qytetërimi i shqiptarëve…t’i jepni nga ana juaj nder e mbrojtje mbretërore, gjë qëështë e nevojshme që ai (i riu shqiptar) të fitojë dije. Unë bazohem më tepër në dashurinë tuaj se në porosinë time. Do jem shumë i kënaqur nëse do të arrija të jem në borxh te shkëlqesisa juaj. Vezir Aliu”. Bessierit i shkruan me vizion të gjerë prej shtetari kombëtar për Bonapartin: “I ofroj këtë shpatë të Khanit të madh të Krimesë Napoleonit të Madh i cili u hakmor aq mirë kundër rusëve në Austerlic”. Tjetër saktësi në marrëdhënie tregtie, Bonapartit i shkruan dhe me një lloj humori nga Korfuzi: “Derdh paratë të marrësh grurin! Aliu!”Ka dhe shumë ngjarje të tilla në botën intime të Pashait të madh thënë lirshëm prej tij në biseda dite, shpesh me humor të hollë Tepelene. Në një rast pakënaqësish me Francën i dhuruan një kuti të bukur ari prej Bonapartit, e Ai u tha me nënqeshje ironie: “Nuk kam mall as për kutinë, as për të zotin e saj!..” Për arsye kundërshtimi, ushtarët e tij dogjën një shtëpi në Zagori. E zonja, e pajtuar me fatkeqësinë u ul karshi flakëve e po ngrohej qetësisht. Vanë ia thanë Aliut atë që panë e Ai, me adhurim për të zonjën burrneshë urdhëroi që t’iaq ngrinin shtëpinë më të re nga sa e kish…Pyeti një njeri, se me cilën anë të kundërshtarëve qe! Ai iu përgjegj se s’qe me asnjë palë, nga ta shpinte ryma. Pashai që i kish inat asnjanësit urdhëroi ta lidhnin në një trung, ta shtinin në lumë e ryma ta përcillte nga të donte!..Mjeshtrit himariotë i thanë se kalanë e Palermos, dhuratë për të shoqen-Vasilikën ia kishin ndërtuar për mrekulli! Ai dyshoi e u tha mjeshtërve të futeshin në kala pasi do t’i provonte muret me të shtëna të fuqishme topi. Ata panë njeri tjetrin e kërkuan të bënin koregjimet…
Kur i pa kokën madhështore vënë në kamare në Stamboll, historiani R. Volsh shkruan citimin te koka e tij: “Këtu pushon koka e të famëshmit Ali Tepelena, pashai i Janinës që gjatë 50 vjetëve punoi për Pavarësinëe Shqipërisë”.
Sa herë del figura e tij, pothuaj nuk lihet pa u përmendur si ‘mizor’ etj. E këtu kihet parasysh dënimi tepër i ashpër që u bëri kardhiqotëve. Sigurisht nuk jemi me ato dënime të tmerrshme. Por nuk duhet harruar koha kur u bë e sidomos arsyet pse u bë. Kardhiqotët i kishin dhunuar e fyer si burracakë të pështirë vatrën aq të shenjtë për shqiptarin, familjen, nënën dhe motrën. Akt i pafalshëm sidomos për krahinën e tij. Ato ia lanë amanet marrjen e hakut e ai nuk mund ta harronte. Nëna e tij, Hankua qe një zonjë sovrane Tepelene sa e hijëshme dhe me ndjeshmëri njerëzore. Kënga popullore e përjetëson në vargje të paharrueshme si vajtore e rrallë sa kur qante të vdekurit si në elegji Iliade ndodhte e jashtëzakonshmja: “Hanko, mos shko nëpër varre/ se të vdekurit i ngjalle/, të gjallët i vdiqe fare!..” Shtojmë se në çështje nderi Ali Tepelena edhe si Pasha mbeti besnik i vëndlindjes, nuk kish harem. Dëgjoi që lavirja greke Frosina arriti të futej gjer te gjiri i të birit, Myftar Pashës, e i ati e mori atë dhe e hodhi në liqen (grekët e bënë ‘heroinë’ e i thurën këngë mallëngjyese).
U gjet rasti e u pyet ambasadori grek në Tiranë, Rokanis e për Ali Pashë Tepelenën ai u përgjegj me mospërfillje cinike e injorante: “Ka ndihmuar në artin e kulturën greke”. Kaq. Asnjë vlerësim për ndihmën vendimtare të tij në Pavarësinë e Greqisë. Mirëpo dijetarë të huaj nga çdo anë e të çdo vlere vlerësojnë të vërtetën, se një nga motivet e prerjes së kokësështë ndihma vendimtare që Aliu i dha Filiqi Eterisë për Pavarësi, tok me një yllësi të tërë të ndritur të figurave shqiptare, heronj për lirinë e Greqisë. Pukvili, mik i grekëve dhe armik i shqiptarëve shkruan megjithatë: “Duhet t’i kushtohet Ali Pasha Tepelenës fillimi i kryengritjes greke”. U. Miler më 1895 shkruan: “Pashai i Janinës ish-pararendës i Revolucionit grek”. Studiuesi i njohur J. Irmscher më 1965 shkruan: “Filiqi Eteria predikonte, kundër mendimit të Rigës se kisha jo kombësia do formonte bazën e saj, dhe eteristë të zellshëm qenë gati t’i propozonin shqiptarit Ali Tepelena fronin e Konstandinit (perandori i fundit i Bizantit), mjaft që ai të pagëzohej”. Mendelson – Bartoldi gjykon: “Ali Pasha i dha shtysë shpërthimit të Revolucionit grek. Lëvizja e tij kundër Sulltanit dhe organizata e fshehtë greke “Filiqi Eteria” përgatitën në radhë të parë Revolucionin e vitit 1821”. Dijetari Bartoldi plotëson: “Ali Pasha shtypi Mesjetën dhe i hapi rrugë qytetërimit. Në Shqipëri e në Greqi duhet të ndërhynte forca e Aliut që këto vënde të kalonin në kohën e re”.
Para këtij vlerësimi të bujshëm si një vërshim meteorësh mbi figurën e madhe të tij mbeten me baltë të pistë në fytyrë ata që e shajnë. I tillë mbetet dhe ambasadori grek i cili mesa duket e ka të saktë mbiemërin “Rokanis” (që ‘rokanis’ me fjalë). Pas tij vinë dhe shërbëtorët e vet të tipit Panajot Barka kur shton shpifjen se ‘Ali Pasha dogji Voskopojën ngaqë ajo po ia kalonte Janinës” (një grekoman me virus grek në çdo qelizë bëhet arbitër i qyteteve shqiptare!) Fushata e gjatë zyrtare e Athinës kundër viganit Ali Pashë Tepelena bëhet për të përligjur pabesinë e tyre që nuk e ndihmuan atë në çastin vendimtar siç bëri Ai për ta. Populli grek thotë nëmënyrë intuitive një këngë: “Arvanites peremeni/ pu in’ Ali Tepeleni?!…” (Arvanitë o fatkeqë/ ku është Ali Tepelena?).
Vazhdojmë më tej mestudjues objektivë grekë që me logjikë objektive kundërshtojnë dhe mashtruesit e tjetërsuesit e historisë brënda tyre?Shkencëtari grek Kosta Biri shkruan: “Të kujtojmë… se fara e tyre dha figurat më të shquara në Kryengritjen greke, një Xhavellë, një Miaul, një Marko Boçar, një Bubulinë… një Ali Tepelenë. Përsa i takon trimërisë, kryelartësisë, karakterit, këto janë cilësi të njohura për shqiptarët, të njohura edhe nga ata të cilët nuk ushqenin simpati për ta”. Dijetari Aravantinoi, i njohur si antishqiptar vlerëson: “Është punë që nuk mohohet dot, Ali Pasha kish vënë që me kohë në mend të bërit e një mbretërie shqiptare”. Më tej shton: “Ideja e rimëkëmbjes kombëtare greke nuk do zhvillohej dhe as do përparonte me të tillë shpejtësi nëse nuk do gjente truall veprimi kaq të begatë e të përgatitur nga duart e Aliut”. Studiuesi P. Rodhaqi duke hymnizuar Pavarësinë e Greqisë shton: “Kjo ështëhistoria e lëvizjes së Ali Tepelenës i cili luajti një rol aq të madh e të rëndësishëm si në shpërthimin e revolucionit ashtu dhe në përfundimin e tij”. N. Zhegu më tej: “Shteti i Ali Pashës kish karakter përparimtar për kohën”. Në “Kleftët dhe Arvanitët” 1975, P. Rodhaqi shton: “Ali Pasha shkëputi realitetin shoqëror nga mesjeta e feudalizmi dhe i hapi rrugë qytetërimit”. S. Aravantinoi përcakton më tej në hapsirën e qytetërimit grek: “Aliu vendosi rendin dhe e forcoi atë; i dha shtysë përpara tregtisë e industrisë së vendit. Në asnjë kohë tjetër të mëparshme nuk u ndërmorën vepra të tilla botore që u bënë prej tij në të katër anët e vendit ku ai qeveriste”. Vurnas në “Burime greke”: “Prej asnjë pashai tjetër grekët nuk u respektuan në shkallë të tillë, në kundërshtim me ligjin osman, se nga Ali Pasha”. Duke polemizuar me falsifikatorë Dh. Hasioti shkruan në mbrojtje të Ali Pashës: “Kush tjetër u rrezikua e luftoi tre vjet të tëra në dobi tëgrekëve veç shqiptarit nga kombësia, Ali Pashë Tepelena?”. “Njeriu është më i sigurtënë shtetin e Aliut se në rrugën e Londrës”, shkruan Vurnas Tassos.
Para të tilla vlerësimeve që mund të zgjaten shumë ç’mund të thonë shpifësit në shtypin tonë e mediet tona? Le t’u përgjigjemi me fjalët e Konicës: “Është turp të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vend që të përpiqen të rrëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin faje të asaj kohe, vlera ish vlera e tyre… Po kur mendohemi se çfarë shqiptarë janë ata që duan të mbulojnë me këlbaza emrin e Luanit që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi”.
Me figurën që i ngriti vetes Ali Tepelena nuk i shpëtoi vëmendjes as të personaliteteve historike e shkencore, as të krijuesve. Mëson diçka nga veprat që janë shkruar për të nëpër botë me adhurim, dhe ndjen pikëllim si ato nuk i njeh populli i tij! Dikur Teodor von Haupt ka shkruar melodramën në tre akte “Ali Pasha” më 1825. Po këtë vit, tri drama në një titull “Pjesë nga jeta e Ali Pashë Tepelenës”, autorë gjermanë. Albert Larzing ka shkruar operën e parë për Luanin e Janinës. Më 1823 në Paris u luajt melodrama “Ali Pasha”. Më 1840 në të famëshmen Skala të Milanos jepet baleti “Ali Pasha i Janinës”. Autori E. Schul jep veprën “Ali Pasha – despot i Janinës”. Kronisti Ibrahim Mensur Efendi boton veprën kronike“Kujtime për Ali Tepelenën”. O. Grimaldi jep baletin “Rrënojat e Janinës”. Melodrama “Ali Pasha” me autorë M. Aleksandër e H. Alfred, koreografi i Renancit, Paris 1822, “Ali Pasha nga Janina” – opera e Gustav Albert Lorcig 1924. Veprimi pantomimik “Ali Pasha i Janinës – 1840, krijim i G. Golceranit. E me radhë, pa përmendur artet figurative.
Sa pak në Shqipëri! Sa keq është shikuar biri i madh i tij që e nderon kaq gjerë bota! Një vepër e mrekullueshme e shkrimtarit Sabri Godo, e denjë për figurën e Aliut ka zënë vënd në fondin e veçantë të artit shqiptar. Po ashtu, një studim i gjerë monografik qindrafaqesh për Ali Tepelenën me burime të rralla tëpanjohura nga studiuesi Ilir Ushtelenca. Poema brilante e poetit Pertrit Ruka për kokën e prerë të Ali Pashës të cilën ai e ka sjellë në vëndlindje mbi krahët e baladës. Është për t’u nderuar në mënyrë të veçantë nisiativa e djemve të vendit në Tepelenë që me bujari të paharrueshme e nderuan me një monument nga mjeshtri i madh Mumtaz Dhrami Birin e madh të tyre e të gjithë kombit shqiptar.
Si një epigram mbi Monumentin e tij do të shkonin fjalët e madhërishme që Ai i tha konsullit rus Flori: “Unë e urrej Divanin tim dhe Qeverinë time. Unë e parashoh vdekjen e tyre. Unë dua të rroj me nder në këtë sundim të vogël që drejtoj e dua të vdes si njeri i nderuar”