Ambasada e SHBA Financoi Rinovimin e Qendrës së Zhvillimit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Shkodër/
Në një njoftim të Ambasadës së SHBA të këtyre ditëve shkruhet se, Ambasadori i SHBA Donald Lu dhe Nënkolonel Robert Johnston, Shef i Zyrës të Bashkëpunimit të Mbrojtjes {ODS}, iu bashkuan autoriteteve vendore të Shkodrës në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Zhvillimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, të rinovuar rishtazi. Rinovimi i qendrës u bë i mundur nëpërmjet fondeve të Programit për Ndihmë Humanitare të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.
Programi ofroi afërsisht 407 mijë $ për rinovimin e qendrës. Ky projekt përfshiu ndërtimin e një ashensori, përmirësimin e sistemit hidraulik dhe elektrik, instalimin e sitemit të ngrohjes qendrore, blerjen e makinave larëse dhe tharëse, riparimin e fasadës së ndërtesës.
Mjediset e përmirësuara dhe më të sigurta arsimore do të bëjnë të mundur që 93 personat me aftësi të kufizuara, të regjistruar pranë kësaj qendre, të kenë mundësi më të mira jetese dhe shkollimi. Ky projekt u mundësoi atyre shërbime efikase rehabilitimi për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, njëkohësisht dhe integrimin e tyre në shoqëri.Gjatë ceremonisë Ambasadori Lu në fjalëne tij tha: “Një nga presidentët më të mëdhenj amerikanë, Franklin Roosevelt, i komandoi Forcat Amerikane në Luftën e Dytë Botërore nga karrigia me rrota. Një nga muzikantët tanë më të mëdhenj, Ray Charles, ka qenë i verbër që nga fëmijëria. Shkencëtari më i madh i të gjithë kohërave, Albert Einstein, vuante nga një aftësi e kufizuar për të mësuar. Njerëzit me aftësi të kufizuara mund të bëjnë gjithçka. Jemi krenarë që punojmë në një vend i cili u kushton shumë vëmendje të drejtave dhe mundësive për personat me aftësi të kufizuara.”
***
Theksojmë se Departamenti i Mbrojtjes i SHBA, nëpërmjet Ambasadës së SHBA dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak {ODS} në Tiranë, për 26 vjet ka zbatuar programe të ndihmës jo vetëm për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por dhe për dhjetra shkolla të cikleve të ndryshme, spitale, qëndra humanitare, qëndra të kujdesit për fëmijët me aftësi të kufizuara, qendra “Save the Children”, etj. në mjaft qytete, bashki e rajone të vendit. {Shënim i “Dielli-it”}.