TIRANË, 13 Janar/ Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, me të cilin zhvilloi dhe një bisedë të ngrohtë dhe shumë miqësore.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit Lu suksese për fillimin e mandatit të tij në Shqipëri, si dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare në përmbushjen e axhendës së tij diplomatike në Tiranë, në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në kryerjen e reformave të nevojshme për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Presidenti i kërkoi Ambasadorit Lu që t’i përcillte Presidentit Barack Obama përshëndetjet e tij më të mira e të përzemërta, dhe garancinë se Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë miq të mirë dhe të sinqertë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatë të ngushtë në të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në botë.