NGA RAFAEL FLOQI/
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë.
Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Woodrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922.
Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.
Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai.
Hugh Gladney Grant (1888-1972) në kujtimet e tij te botuar gjysme shekulli me parë rrëfen takimin e tij me Zogun pikërisht në prag të pushtimit italian. Eshte interesante qe ambasadoret amerikanë, te cilet nuk pertojnë të thonë realitetin sidomos ne kujtime, shkruajnë me superlativa për Ahmet Zogun. Në një paragraf të shkruar nga Hugh Gladney Grant, paragraf i cili, tek e fundit përbën thelbin e kujtimeve të tij në lidhje me këtë temë shkuhet: “Besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta permendë Zogun e parë, Mbretin e Shqiptarëve, si një nga udheheqësit me të famshëm politikë dhe ushtarakë, si një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë dhe zgjuarësi të jashtezakonshme, me te cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar.
Vërtet këtu ka edhe mjaft subjektivizëm dhe një këndvështrim personal, por ky këndveshtrim përbën edhe qëndrimin shtetëror të Shteteve të Bashkuara. Më 7 prill në ndryshim nga qendrimi anglez që në thelb thoshte se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste mund të ishte një shkak për të cilin bota do të hynte në luftë. E vetmja fuqi botërore që bëri një dënim të plotë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishin Shtetet e Bashkuara, por kjo natyrisht në qerthullin e politikës paqësore të SHBA të kohës.
Me aprovimin e Presidentit Rusvelt sekretari amerikan i shtetit Kordel Hull bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej pushtimi fashist i Shqipërisë. Në të duke pasur parasysh rrethanat e kohës dhe qendrimin amerikan për të ruajtur paqen ( ngjarjet e Perl Harbour nuk ishin ndodhur ende), thuhej:
“Pushtimi i dhunshëm dhe me forcë i Shqiperise është padyshim një kërcënim shtesë për paqen në botë.Do të ishte dritëshkurtësi të mos e venin në dukje këtë zhvillim të mëtejshëm. Çdo kërcënim i paqes i shqetëson seriozisht të gjithë kombet dhe dhunon vullnetin e popujve që qeveritë e tyre të mos i çojnë popujt e vet drejt Luftës, por drejt udhës së paqes. Është mëse e nevojshme të shtojmë se si efekt i paevitueshem i këtij incidenti, marrë së bashku edhe me incidente të tjera të ngjashme, është shkatërrimi i më tejshëm i mirëbesimit dhe stabilitetit ekonomik të çdo vendi në botë, duke prekur edhe mirëqënien tonë.” *1
Dhe në raportin e mëposhëm vetë ambasadori Grant thotë që të rinjtë që erdhën deri në mjediset e oborrit të ambasadës kërkonin mbështetjen e SHBA kundër pushtimit Italian. Shembulli i presidentit Willson ndihma që ai pat dhënë pavarësisë së Shqipërisë vazhdonte të ishte i gjallë. Ambasadori amerikan natën e 7 Prillit, duke iu druajtur përleshjeve në rrugë kishte mbledhur të gjithë amerikanët në Legatën Amerikane . Pas bashkimit të Shqipërisë me kurorën e Viktor Emanuelit, Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.
Më poshtë po japim raportin e ambasadorit Grant lidhur me takimin me Zogun në 6 prill 1939, ku shprehet qartë situate psikologjike e Mbretit Zog , para veprimit të largimit të tij që është parë si një dobësi e tij apo “tradhti kombëtare” .
***
Sot në mesditë,zhvillova një audiencë me mbretin Zog, ku Mbreti bëri deklaratën e mëposhtme e cila në thelb thotë*2 : “Disa ditë më parë ministri italian në Shqipëri më prezantoi mua disa kërkesa të caktuara të cilat, sipas gjykimit tim, synojnë vendosjen e një protektorati mbi Shqipërinë, gjë të cilën unë e refuzova kategorikisht ta merrja në shqyrtim. Propozimi ishte i tillë që drejtpërdrejt ose tërthorazi do të dëmtonte integritetin dhe pavarësinë e vendit tim. Sereqi, Ministri i ri Pergjithshëm në Itali, më pas pati një bisedë me Musolinin dhe Cianon, me të cilët kishte ‘Nënshkruar më 2 janar 1937, *3
Ku ai paraqiti pikpamjet e mia. Dje pasdite ministri italian bisedoi për dy orë me mua dhe më paraqiti më pas disa kërkesa, të cilat të marra së bashku ishin më shumë sesa një protektorat mbi Shqipërinë.
Ministri italian tha se donte një përgjigje për qeverinë e tij nga unë sot brenda orës 12-të. Unë refuzova t’i mirrja në konsideratë kërkesat e tij ,të cilat do të rezultonin, sipas mendimit tim, në një protektorat. Ministri italian pohoi se kërkesat nuk do të përbënin një protektorat .
Kërkesave të paraqitura nga Ministri italian më drejtoheshin mua në emër të Mbretit e kërkonin që ne t’u siguronin,: (1) kontrollin e të gjitha porteve, rrugëve të komunikacionit dhe aeroporteve në rast se pavarësia e Shqipërisë do të ishte në rrezik, (2) vendosjen e një organizatori italian në çdo ministri shqiptare, i cili do të kishte rangun e ofiqarit nën ministrin shqiptar; (3) që italianët në Shqipëri të kishin të drejta të barabarta civile dhe politike me shqiptarët; (4) si dhe ngritjen e nivelit të legatës italiane në Tiranë dhe të legatës shqiptare në Romë në rangun e ambasadave.
Në lidhje me kërkesën e parë,. tha mbreti, ai e kishte informuar ministrin Italian, që pranonte që kjo të bëhej vetëm sipas marrëveshjes të mëparshme, ku thuhej se vetëm në rast se do të lejohej zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri, vetëm nëse ai do të kërkonte dhe do të binte dakord. Mbreti tha se ai e kishte refuzuar kërkesën e dytë dhe se ai nuk do të binte dakord për organizatore italianë pasi kjo nuk i dukej e nevojshme meqë këshilltarë të të tillë ekzistonin në disa ministri edhe në kohën e tashme. Për pikën e tretë Mbreti tha se binte dakord vetëm me dhënien e të drejtave civile e italianëve, pasi po të bëhej plotësimi i kërkesave të tjera , kjo do të thoshte se italianët edhe mund të zgjidheshin në Parlamentin Shqiptar dhe mund të zotëronin toka në Shqipëri.
Mbreti tha se ishte dakord me kërkesën e katërt.
Mbreti deklaroi më tej se ai kërkoi që ministri italian ta takonte ministrin përsëri në mëngjes dhe do t’i paraqiste kërkesën për nënshkrimin e një dokumenti që përmbante kërkesat italiane. Mbreti tregoi më tej se për shkak të insistimin të disa prej ministrave të tij do të duhej që do ta rishqyrtonte vendimin dhe kërkoi nga ministri italian që ta mbante çështjen pezull deri në orën 6-të të asaj mbrëmjeje, në mënyrë që t’i jepte kohë kabinetit shqiptar dhe një delegacioni që e përfaqësonte atë të kishte një mundësi për ta shqyrtuar çështjen.
Ai tha se Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm ishin caktuar për t’i dhënë përgjigje qeverisë dhe ministrit italian. Mbreti tregoi se në funksion të kërkesave për ministrit të tij, ai e kishte lënë Kabinetin dhe Parlamentin të bënte zgjedhjen e tyre. Në përgjigje të pyetjes sime kategorike. nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane në rast se qeveria shqiptare vendoste t’i refuzonte këto kërkesa, Mbreti u përgjigj se ai kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria nuk kishte shumë ushtarë vetëm 373 dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgojnë vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai ishin vendosur në pozicione strategjike.
Ai tha se pjesa tjetër e [me mosveprim të dukshëm] ishin civilë të cilëve u ishin shpërndarë armë. Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë.
E pyeta Mbretin nëse ai kishte marrë ndonjë inkurajim a mbështetje nga anëtarët e Antantës Ballkanke *4 apo nga Anglia dhe Franca. Ai u përgjigj se ministri i tij në Beograd e kishte informuar atë se Qeveria jugosllave besonte se Italia ishte vetëm duke bërë blof dhe nuk bëhej fjalë për ta pushtuar Shqipërinë. E pyeta Mbretin, nëse ai kishte ndonjë mesazh të cilin Madheria e Tij i do të kërkonte dhe do të binte dakord t’ia transmetoja Qeverisë sime. Mbreti u përgjigj se ai do të ishte i kënaqur, nëse unë do t’i përcillja Presidentit Roosevelt, urimet e tij të përzemërta dhe miqësore dhe theksoi se në gjykimin e tij demokracitë e mëdha duhet të vendosin të përforcuar pika si në Shqipëri ku ato me sukses do të mund të përballonin agresionin e fuqive totalitare
Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. “Ai tha se ai në asnjë rrethanë nuk do të binte dakord të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake. Ai iu referua kësaj dhe faktit se italianët nisën ofensivën e tyre në momentin kur Mbretëresha ishte duke lindur një fëmijë me një hidhërim që shquhej në zërin e tij. Në këtë moment të veçantë ai vështronte nga dritarja dhe unë munda të shoh qartë lotët që përbushnin sytë e tij. Në këto momente ai mezi po kontrollonte veten. Ai të jepte përshtypjen e një njeriu që ndjente një zhgënjim të hidhur, për faktin se ai kishte qenë tradhtuar në mënyrë vulgare.
Në orën 4: 30 të pasdites 50 avionë italianë të grupuar në skuadrone nga 10-të fluturuan në një lartësi të madhe mbi Tiranë duke ardhur nga jugperëndimi dhe duke u zhdukur në drejtim të bregut perëndimor të Adriatikut. Ndërsa aeroplanët po fluturonin lart,një demonstratë e jashtëzakonshme po zhvillohej nga një turmë prej disa mijëra shqiptarësh qe organizuar në sheshin kryesor të Tiranës. Qindra të rinj shqiptarë po bënin thirrje për të armë për të mbrojtur vendin e tyre. Një delegacion nga turma tentoi të takohej pasdite vonë dhe në orën 08:00 me Mbretin. Përafërsisht 2,000 rinjt shqiptarë dhe djem që mbanin flamuj shqiptarë thërisnin: “Rroftë Shqipëria, rroftë liria jonë, rrofshin Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Roosevelt kur ata hynë në kompleksin legatës dhe parakaluan nëpër territorin përreth.
Kabineti i veçantë dhe parlamenti në takimin në fillim të kësaj mbrëmje votoi për t’i refuzuar kërkesat italiane dhe për të rezistuar me forcë zbarkimin e trupave italiane, por tregoi se ata do të ishin të gatshëm për të diskutuar me Qeverinë Italiane “Traktatin Italo-Shqiptar të Aleancës” për të sqaruar cështjet, per të cilat tani janë në mosmarrëveshje në me detyrimet ushtarake. Në lidhje me këtë u sugjerua, joformalisht që Ministri italian t’i transmetonte Qeverisë së tij, sugjerimin qe gjenerali Parianti, Sekretari italian i luftës i cili disa vite më parë kishte shërbyer si shef i Departamentit Ushtarak të Gjykatës Mbretërore, të vinte në Shqipëri, në mënyrë që të diskutonin pikat e kësaj çështjeje. Ministri italian, për këtë jam i informuar në mënyrë të besueshme, nuk i ka dhënë shumë inkurajim e sugjerimin, por besohet se ai do t’ia transmetojë kërkesën qeverisë së vet.
Duket se qeveria shqiptare jo vetëm kërkon kohë për një zgjidhje të vështirë me të cilat është duke u ballafaquar, duke kerkuar kohë por është duke luajtur për herë të pare me kërkesën e sigurimit të asistencës nga jashtë si për të siguruar gjithashtu një mundësi për largimin e sigurt të Mbretëreshës që lindi dje në mëngjes një fëmijë.
*****
1 Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog,.
By Owen Pearson
2 – See Foreign Relations, 1939 vol H
3 , League of Nations Treaty Series, vol. clxxvti, p. 241 ; for agreement signed April 16, 1938, reaffirming the 1937 agreement, see League of Nations Treaty Series, vol. cxcv, p. 77. 1Ronald Hugh Campbell, British Minister in Yugoslavia. * Earl of Perth, British Ambassador In Italy. • British Secretary of State for Foreign Affairs. “Prince Regent of Yugoslavia. a not printed. a Revue de Droit International, 1937, vol. 19, p 372
4 – See Foreign Relations, 1938, to I. i, pp. 657 .