Nga Frank Shkreli/
Me 8 Korrik të këtij viti mbushen 15 vjetë ç’prej kohës që tre shtetas amerikanë, tre sokola trima shqiptaro-amerikanë, tre vëllëzërit e rijnë të familjes Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën pasi u arrestuan nga policia serbe, ndërsa—në një akt humanitar — po përcillnin disa anëtarë të minoritetit roma të kalonin kufirin për në Serbi, aksidentalisht kaluan në territorin serb dhe u arrestuan. (Në vitin 1999, ata kishin lënë familjen e tyre në New York dhe së bashku me nja 400-luftëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Brigadën e Atlantikut shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj kundër forcave terroriste serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.) Zhdukja dhe vrasja barbare e vëllëzërve Bytyqi ndodhi pothuaj menjëherë pasi mori fund ndërhyrja e NATO-s dhe pasi u çlirua Kosova. Për t’i ra shkurt historisë së tyre të hidhur, për kalimin e kufirit ilegalisht midis Kosovës dhe Serbisë, ata u liruan pas dy javë burg, me urdhër të një gjykatësi serb por, sipas të dhënave, ata nuk dolën kurrë nga burgu dhe për pothuaj dy vjetë askush nuk dijti gjë rreth fatit të tyre. Sipas të dhënave të zyrtarëve diplomatikë amerikanë të cilët e kanë ndjekur këtë çështje gjatë viteve, vëllëzërit Bytyqi, megjithëse ishin liruar nga burgu me urdhër të një gjykatësi serb, ata nuk u liruan por u morën me forcë nën kontroll nga forcat speciale kriminale të Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë dhe pasi u ekzekutuan në mënyrën më barbare, u hodhën në një varrezë masive së bashku me nja 75 shqiptarë të tjerë të vrarë nga Kosova. Pasi Slobodan Millosheviqi humbi zgjedhjet në vitin 2001, qeveria e re serbe e asaj kohe, “zbuloi” dhe hapi varrin masiv ku ishin hedhur trupat e pajetë të shqiptarve, përfshirë edhe vëllëzërit Bytyqi, trupat e të cilëve më në fund u identifikuan dhe më vonë u sollën për varrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e tyre të dytë, të adaptuar.
Gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet përfaqsuesve të tyre në Beograd dhe në konferenca ndërkombëtare, sidomos në Organizatën për Sigurim dhe Bashkpunim në Europë, me çdo rast, kanë kërkuar nga qeveria serbe që të identifikojë dhe të dënojë kriminelët e Ministrisë së saj të Mbrendshme, të cilët besohet se kanë vrarë tre vëllëzërit e pafajshëm Bytyqi. Deri më sot, Serbia nuk ka identifikuar as nuk ka dënuar asnjë person për këtë krim.
Por rasti i vëllëzërve Bytyqi nuk harrohet në kët anë të Atlantikut. Pothuaj në çdo përvjetor të zhdukjes së tre vëllëzërve Bytyqi, por edhe në raste të tjera, përfaqsues diplomatikë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, kanë vazhduar t’i bëjnë thirrje qeverisë serbe që të tregojë angazhimin e saj serioz për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve që vranë vëllëzërit Bytyqi, 15 vjetë më parë.
Kështu ndodhi edhe javën që kaloi, gjatë një seance në Kongresin amerikan mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor, ku Senatori i shtetit Mariland, Benjamin L. Cardin ngriti çështjen e vëllëzërve Bytyqi, familja e të cilëve ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Kongresit amerikan. Senatori Cardin tha me këtë rast se “Vëllëzërit Bytyqi u vranë në Serbi nga fundi i vitit 1999. Ata janë shtetas amerikanë dhe ne kemi vazhduar të kërkojmë llogari se pse deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje barbare, ndërsa presim që qeveria jonë të bëjë çdo gjë që është e mundur për zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi senatori amerikan. Senatori Cardin, në seancën e Kongresit javën që kaloi, iu drejtua Zëvëndës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Zotit Hoyt Yee me pyetjen se ç’po bëhet për këtë çështje dhe çfarë masash po merren për të çuar drejtsinë në vend për këto vrasje. Pasi i premtoi Senatorit Cardin se do i dërgojë atij shpjegime me shkrim në lidhje me ato që po bën qeveria serbe në lidhje me këtë çështje, Z. Yee deklaroi qëndrimin zyrtar të Amerikës para Komisionit të Kongresit duke thënë se, “Ne të Departmentit të Shtetit dhe e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjitha agjencitë të cilat janë të shqetësuara dhe të interesuara për këtë çështje, i marrim shumë seriozisht përpjekjet për të siguruar se ata që janë përgjegjës (për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi) të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë.”
Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, vazhdoi duke thënë se, “Ne jemi të përkushtuar që këtë çështje gjithmonë ta fusim në rendin e ditës kur bisedojmë me përfaqsues të qeverisë serbe, dhe çdo herë që na jepet rasti. Ai njoftoi Kongresin se numri dy i diplomacisë amerikane, Z. William Burns, në takimin e tij të fundit me Kryeministrin serb, drejtësia për vëllëzërit Bytyqi, ishte njëra prej çështjeve kryesore të agjendës së bisedimeve midis dy palëve. Z. Hoyt Yee siguroi Kongresin dhe anëtarët e familjes Bytyqi, të pranishëm në seancë, mbi ”angazhimin tonë të palëkundur” dhe shtoi se “ne nuk do të pushojmë së kërkuari zgjidhjen e kësaj çështjeje, për derisa të mos jemi siguruar dhe të bindur se drejtësia është çuar në vend” me identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi.
Këto janë angazhime publike personale, nga ana e zyrtarëve të lartë diplomatikë dhe institucionalë të Shteteve të Bashkuara, se çështja e vëllëzërve Bytyqi është një çështje me rëndësi nga e cila nivelet më të larta diplomatike të Shteteve të Bashkuara nuk do të heqin dorë, për derisa të gjëndet një zgjidhje dhe për derisa kriminelët e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë, që mendohet se janë përgjegjës për këto vrasje, të mos jenë identifikuar dhe të dalin para drejtësisë për këtë krim barbar kundër tre të rinjve shqiptaro-amerikanë.
Jeta është e shënjtë dhe e drejta kryesore e njeriut për të ekzistuar, për të jetuar është themelore. Vrasja e vëllëzërve Bytyqi nga forcat policore serbe ishte shkelja sublime e të drejtës njerëzore për të jetuar. Shtetet e Bashkuara e kanë traditë, dhe e ndjejnë si obligim moral, për të zbuluar të vërtetën dhe për të çuar të drejtën në vend, sado vonë dhe sa do kohë të marrë, kur është fjala për fatin e qytetarëve të vet, qofshin ata të vrarë e të humbur duke filluar nga Lufta e parë dhe e dytë Botërore, e deri tek Lufta e Vjetnamit dhe nga luftërat e kohëve të fundit. Kjo traditë amerikane duhet të na japë shpresë dhe të na bindë se qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vendosë që identifikimi dhe dënimi i vrasësve barbarë të vëllëzërve Bytyqi, të jetë një prioritet kryesor në marrëdhënjet me Serbinë. Njëkohësisht mund të mbështetemi në besimin se Washingtoni zyrtar nuk do të pushojë së punuari në këtë drejtim, për derisa drejtësia nuk është çuar në vend dhe për derisa Shtetet e Bashkuara, familja Bytyqi dhe komuniteti shqiptaro-amerikan nuk janë të kënaqur me status quonë në këtë rast dhe kërkojnë llogari dhe përgjigje nga nivelet më të larta të qeverisë serbe. Në një rezolutë të fund-vitit të kaluar, e në të cilën shprehej ndjenja e Kongresit në lidhje me vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, thuhej se “përparimi ose mungesa e përparimit mbi këtë çështje duhet të mbetet një faktor me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.”
Muaji Korrik që po vjen shënon 15-vjetorin e zi të vrasjes barbare të tre vëllëzërve Bytyqi. Le të shërbejë ky përvjetor si një rast — që nepërmjet angazhimit dhe influencës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — të mbahet lartë niveli i presioneve diplomatike ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të angazhohet për identifikimin dhe dënimin e vrasësëve. Dhe njëkohësisht –t’i kujtohet pa ndërprerje Beogradit, nga nivelet më të larta të Shteteve të Bashkuara siç ishte seanca e Kongresit javën e kaluar, se Amerika, familja Bytyqi, dhe besoj se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk do të pranojnë kurrë që këto vrasje të kalojnë në harresë dhe se as nuk do të pajtohen kurrë që vrasësit e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit, të mos identifikohen dhe të mos sillen para gjyqit, për t’u përballur më në fund me drejtësinë. Zyrtarët më të lartë amerikanë janë shprehur vazhdimisht se drejtësia për vëllëzërit Bytyqi është një angazhim i patundur i qeverisë dhe i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë 15-vjetor të vrasjes së tyre, ky duhet të jetë gjithashtu edhe zotimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që nepërmjet përfaqsuesve të tij në Kongres dhe në kontaktet me entet përkatëse të qeverisë amerikane, vrasja e vëllëzërve Bytyqi të mos harrohet dhe të këmbëngulet që vrasësit e tre shtetasve amerikanë të identifikohen dhe të dënohen për krimin e tyre.