NGA ELMI BERISHA- Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”/
Të dashur vatranë, së bashku kemi kaluar përmes një viti tepër të vështirë që na ka vënë pengesa të jashtzakonshme, duke na izoluar nga njeri-tjetri, komuniteti, vendlindja. Pandemia e Coronavirusit na mori jetë vatranësh. Shkuan vatranët e devotshëm Jonuz Ndreu dhe Zef Perndocaj, Andon Rrumbullaku e të tjerë. I përcollëm me dhimbje. Pushofshin në Paqe! Disa nga ju miq vatranë keni humbur të dashurit Tuaj, Ju ngushëlloj të gjithëve! Disa nga vatranët dhe familjet e tyre kanë përjetuar dhimbje nga sëmundja që ka shkaktuar COVID-19. Me shpirt kam qenë pranë tyrë. E kalofshit sa më lehtë!
Edhe pse i kemi pasë nëpër këmbë pengesat e pandemisë ne jemi përpjekur që të përshtasim punën tonë dhe ta mbajmë gjallë Vatrën, kemi bërë që të dëgjohet emri dhe historia e saj, jo vetëm këtu në SHBA e Kanada, por edhe në Evropë, trojet tona etnike.Kemi kontribuar për çështjen kombëtare.
Unë u jam mirënjohës vatranëve, veçanërisht delegatëve të Kuvendit të 19 Janarit 2020, që ma besuan mandatin për ta udhëheqë VATRËN.Kam mendimin se Kuvendi i 19 Janarit ka shënuar një moment historik edhe për faktin që për të parën herë mandatoi në krye të saj një shqiptar nga Kosova.
Unë ashtu siç Ju premtova në Kuvendin e Detroitit, kam një projekt afatgjatë: Vatra e shekullit XXI. Projekti ynë synon modelin e ri të “qeverisjes” dhe organizimit, drejtimit dhe delegimit të vendimmarrjes, zgjerimit të Kryesisë, Këshillit të Vatrës, zgjerimit të Degëve të reja dhe mbi të gjitha dëgjimi i çdo zëri, respektimi i çdo ndjeshmërie dhe përqafimi i çdo vizioni apo ideve të reja.Falenderoj Kryesinë e vatrës që edhe pse në kushte të vështira ka bashkëpunuar dhe ka marrë përsipër detyra e kontribute.
Disa punë i kemi bërë:Hapja e degës së re në Manhattan nën drejtimin e anëtarit të Kryesisë së re të Vatrës Agustin Mirakaj, riorganizimi i degës në Worchester nga studiuesi Thanas Gjika, krijimi i grupit organizator për krijimin e degës në Bostonin historik, ku lindi VATRA, janë gjurmë që tregojnë se Vatra e ka tejkaluar izolimin që na vuri pandemia pas Kuvendit. Ne synojmë ngritjen e degëve edhe në qendra të tjera në shtetet kryesore të Amerikës, ku banojnë shqiptarët, por edhe shtimin e anëtarësisë në degët ekzistuese..
VATRA DHE KUJTESA HISTORIKE
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ishte prezent me evenimente historike për kombin dhe shtetin shqiptar duke organizuar konferenca on-line rreth ngjarjeve më të rëndësishme që kanë shënjuar kombin tonë. Edhe pse në kushte pandemie globale në kushtet kur ishte e pamundur veprimtaria fizike, Vatra nëpërmjet organit të saj mediatike Gazeta Dielli, arriti ti sillte komunitetit dhe lexuesve në faqet e saj figura historike që nga shpallja e pavarësisë, mbretëria, qëndresa antikomuniste, demokracia dhe kohët moderne të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Dekorimi me medalje i Familjes Haradinaj dhe Jashari në Kosovë për qëndresën historike dhe luftën e jashtëzakonshme për Liri e Pavarësi ishte një akt vlerësimi që jo vetëm çmon vlerat njerëzore e Kombëtare, por i bën mirë edhe Vatrës. Ne jemi treguar të vëmendshëm që çdo date historike ta sjellim në vëmendje dhe e kemi përkujtuar ose nëpërmjet organizimeve on-line, aktiviteteve në Vatër apo intervistave, profileve, reportazheve, analizave, komenteve apo dosierëve në faqet e Gazetës Dielli. Pavarësia e Kosovës, Pavarësia e Shqipërisë- Festa e Flamurit,ditëlindja e Diellit e Vatrës, revoltat e Spaçit, qëndresa antikomuniste e shumë evenimente të tjera u sollën në Vatër fizikisht, virtualisht dhe mediatikisht.
VATRA DHE MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE
Mendoj se pas Kuvendit ka marrë një zhvillim pozitiv ndihmesa e VATRËS në fushën diplomatike me veprimtari e aktivitete të ndryshme.Në rolin e Kryetarit të Vatrës unë kam shfrytëzuar përvojën afro 30-vjeçare në fushën e diplomacisë në Uashington. Duke përfituar edhe prej marrëdhënieve personale me miqtë e njohjet në Senat e në Kongres, po përpiqemi që Vatrën ta kthejmë në një pikë strategjike të koordinimi duke e ndërthurur në vendimmarrjet diplomatike në interes të kombit shqiptar. Kujtoj këtu praninë e delegacionit vatran në Uashington, i cili ishte vazhdimisht pranë qeverisë së Kosovës me këshilla e lobime në interes të Kosovës përpara se të firmosej marrëveshja Serbi-Kosovë, e nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump.
Vatra jonë ka marrë mbështetje të sinqertë dhe aktive, të cilat u shoqëruan me vizita dhe me takime të rëndësishme, gjate vitit 2020 në Vatër, ku mund të veçojmë disa prej tyre si: vizitën e Kongresistit Amerikan, Eliot Engel; Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi; Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare; Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington Floreta Luli Faber; Konsulli i Shqipërisë në New York, Najada Sojli; Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku; Konsulli i Kosovës në New York, Ambasadorja Teuta Sahatçija; si dhe Frymëzim Isufaj. Falë lobimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme në fushën e Diplomacisë, Vatra përmes meje, nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, z. Meliza Haradinaj Stublla, me qëllim avancimin e një agjende Kombëtare dhe diplomatike të përbashkët, një memorandum pritet, që pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, të nënshkruhet edhe me Tiranën zyrtare, me Ministrinë e Diasporës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2020, Vatra si institucion u prit edhe nga Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, nga Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, z. Ruçi, lideri i Opozitës z. Lulzim Basha si dhe nga lideri historik i Partisë Demokratike dhe demokracisë në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha. Vatra, përmes meje, këmbënguli së fundmi, se është një domosdoshmëri përfshirja e zonjës së hekurt Madlen Ollbajt në bisedimet Kosovë-Serbi,si një garanci dhe sukses i vazhdueshëm i Shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar.
VATRA DHE KERKIMI SHKENCOR
Vatra po merr një drejtim të rëndësishëm në kërkimin shkencor. Nevoja për një punim historik dhe arkivor të plotë mbi historinë dhe trashëgiminë e Vatrës për më shumë se një shekull veprimtari pa ndërprerje, në Tiranë u arrit marrëveshjae Kryetarit të Vatrës me Akademik, Prof. DR. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë për botimin e historisë së Vatrës në dokumentet historike, me një kolanë dokumentesh, të hulumtuar nëpër arkiva brenda dhe jashtë Shqipërisë, e përbërë prej pese vëllimesh rreth veprimtarisë patriotike-historike të shqiptareve të Amerikës.
Unë mendoj se edhe vlerësimi i kryetarit të Vatrës me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Luarasi” Tiranë dhe angazhimin si pedagog i jashtëm pranë këtij Universiteti,i bën mirë Vatrës.Një arsye më shumë pse Vatra ka marrë një profil akademik pas Kuvendit të 19 janarit, është afrim i intelektualëve në radhët e Vatrës,i njerëzve të letrave, gazetarëve me qellim që në të ardhmen e afërt të krijohet një departament shkencore pranë Bibliotekës së Vatrës për kërkime të thelluara Albanologjike.Mendoj se karakterin shkencor Vatrës do t’ia jap projekti për hapjen e Shkollës së Vatrës pranë qendrës së saj dhe nënshkrimi i marrëveshjes sapo të stabilizohet pandemia globale me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës për pasurimin e titujve shkencor të librave në bibliotekën e Vatrës.
VATRA DHE PANDEMIA GLOBALE
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra në kushtet e pandemisë globale Covid-19, nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të Vatrës dhe kryeredaktorit të Diellit e bashkëpunëtorëve të tij dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm duke sjellë në faqet e organit mediatik të Vatrës, Dielli, një informacion të pasur, përmes intervistave me mjekë shqiptarë kudo në botë.
Gazeta Dielli gjatë kësaj periudhe u bë burim i parë i lajmeve në fushën e mjekësisë për mediet në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Mjekët shqiptarë më të suksesshëm në USA, Kanada, Angli, Gjermani, Spanjë, Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër, Austri, Greqi, Kroaci, Suedi, Norvegji etj. Me inicimin e Kryetarit të Vatrës dhe me profesionalizmin e drejtuesit të gazetës “Dielli”, me kontributin e jashtzakonshëm të gazetarit Sokol Paja, u kontaktuan dhe u intervistuan rreth pandemisë Botërore Covid-19 për të informuar publikun nëpërmjet medieve on-line dhe të shkruara, në faqet e “Diellit” u paraqitën heronjtë shqiptarë të fushës së shëndetësisë dhe jo vetëm. Gjate pandemisë janë intervistuar personalitete të larta dhe specialiste të ndryshme si: mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, profesorë universitetesh, punonjës të njësisë kërkimore-shkencorë, laborantë, punonjës të ndryshme që operojnë në katedra mjekësie dhe disa prej tyre janë pjesë e ekipeve kërkimore shkencore në zbulimin e vaksinës anti-covid si dhe persona që drejtojnë departamente kërkimi shkencor apo janë pjesë e laboratorëve më të avancuar në kërkimet e thelluara mjekësore. Mjekët shqiptarë u paraqitën në gazetën Dielli si heronj që meritojnë gjithë përuljen e qënies sonë për rrezikun, devotshmërinë, punën e palodhur, sakrificat sublime, profesionalizmin dhe humanizmin e jashtëzakonshëm. Këtu mund të veçojmë dhe të falënderojmë përzemërsisht për punën dhe kontributin e tyre të çmuar, dy vatranët e spikatur gjatë periudhës së Covid-19, nënkryetarin, Dr. Pashko Camaj, i cili është dhe profesor në “Lehman College” dhe Dr. Skënder Myrtezani, profesor në “Cornell University” te cilët ishin dhe gjenden aktualisht sa më afër vatranëve, komunitetit shqiptar dhe lexuesve të Diellit duke ndare eksperiencën dhe dijen e tyre shkencore e profesionale.
Dr. Skënder Murtezani është mjeku shqiptar që ka dhënë kontribut të veçantë për shqiptarët. Ai vazhdon që të jetë që nga fillimi në frontin e luftës me koronavirusit. Dr. Murtezani ka testuar rreth 2700 pacientë, nga të cilët 305 kanë dalë pozitivë të trajtuar, 10 të hospitalizuar, vetëm 2 pacientë kanë ndërruar jetë.Formulat e trajtimit dhe mjekimit që ai ka përdorë kanë qenë fikase. Veç këtij kontributi, ai është mjeku shqiptar në SHBA shumë i kërkuar nga Televizionet Kombëtare në Shqipëri, Maqedoni etj. Ka dhënë deri tani 26 intervista përmes të cilave ka këshilluar se si të mbrohen qytetarët nga koronavirusi.
VATRA DHE VIZIONI I SË ARDHMES
Vatra do vazhdojë të mbështesë e promovojë çdo lider zyrtar që vjen nga Tirana zyrtare e Prishtina zyrtare. Vatra do bashkëpunojë ngushte me qeveritë shqiptare në Tiranë e Prishtinë, të dala nga zgjedhje demokratike të lira e të ndershme dhe të njohura nga bashkësia ndërkombëtare. Vatra do mbështesë pa kushte çdo ide dhe veprim kombëtar që i shërben shtetit shqiptar, kombit shqiptar demokracisë në Kosovë e Shqipëri dhe mbi të gjitha zbatimit të ligjit reformave të thella dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut. Vatra ka vijuar me sukses të përmbushë misionin dhe rolin e saj Kombëtar, diplomatik në përmbushje të nevojave të vetë Federatës, komunitetit vatran dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Po punohet fort që të kemi një program dhe agjendë kombëtarë e ndërshtetërore për të ndihmuar reciprocikisht kryerjen e reformave si në Shqipëri dhe në Kosovë. Vatra po luan një rolin e saj në Uashington për të qenë prezent në çdo tryezë bisedimesh dhe sa herë merren vendime në dobi të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në Ballkan e çdo shqiptari anë e mbanë botës. Vatra ka ofruar dhe do të ofrojë eksperiencën, ekspertizën, personalitete profesionistësh te formuara në Amerikë dhe vatranët e spikatur në dobi të përmbushjeve të reformave dhe të një ndihme më të specializuar në përmbushje të nevojave që kanë institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë. Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë është dhe do të jetë historik. Shqiptarët janë një faktor i paanashkalueshëm. Vatra ka asistuar dhe do të jetë gjithmonë aty në proceset e mëdha diplomatike, politike e zhvillimore të shteteve tona Kosovë e Shqipëri. Ne kemi nënshkruar Memorandumin me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës, ku kemi garantuar se Vatra do të jetë e pranishme në Uashington dhe do të jetë aty me fuqinë e saj lobuese sa në të mirë dhe prosperitetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në thelb ne synojmë një strategji mbarëkombëtare integruese që identifikon të gjitha nevojat tona si komb dhe si shtete në mënyrë që të ofrojmë bashkëpunim dhe ekspertizë me qëllim që të jemi dinjitozë dhe të zhvillojmë politika të përbashkëta zhvilluese në të mirë të kombit e qytetarëve që jetojnë në shtet tona Shqipëri e Kosovë. Qëllimi i këtij memorandumi është qëllimi i vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit e lobimit reciprok në proceset zhvilluese dhe integruese. Ne do të ofrojmë për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë ekspertët tanë, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë në përmbushje të nevojave që do të paraqiten në raport me nevojat dhe proceset zhvilluese.
Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra përgjatë periudhës një vjeçare që drejtohet prej meje ka qenë më prezent se kurrë më parë në hapësirat mediatike dhe kanalet e komunikimit masiv. Ne kemi qenë të pranishëm në mediat më prestigjioze nga Amerika e deri në hapësirat shqiptare në Ballkan si Zëri i Amerikës, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, Gazeta Panorama, Gazeta Koha Jonë, Gazeta Nacional, Televizionet News 24, Ballkan-web,Gazeta Shqiptare, RTK, TV 21 etj.
Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra përgjatë periudhës një vjeçare ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme nëpërmjet gazetës së saj Dielli në promovimin etë gjitha shkollave shqipe në botë si formë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. Shkollat në USA, Kanada, Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Zvicër, Austri, Suedi, Norvegji, Finlandë, Greqi, Turqi etj.,kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të pranishme në gazetën tonë DIELLI.
GEZUAR 2021 !(Dielli ne Print-Dhjetor 2020)