• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Postmortem

June 30, 2015 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
Autori i rreth pesëdhjetë librave , gazetari Henry Louis Mencken thoshte:
“Democracy is a pathetic belief in the collective wisdom of individual ignorance…!”
Mendoj se , politika shiptare është si një fole grenzash që nuk lejon bletët për të prodhuar mjaltë dhe si e tillë krijon një demokraci patetike dhe inerte…
Pas këtyre zgjedhjeve shohim triumfatorë që dëmtuan imazhin e tyre (!), dhe humbës që nuk ditën dhe nuk dinë të analizojnë gabimin e humbjes !!!
Në një grupim , përgjegjësitë vijnë kolektive dhe ndahen në individuale.
Analiza nuk është produkt i pasionit apo anshmërisë, por arsyes së prekshme kritike , shifrave dhe zgjidhjes kohore të problemit.
Ditët e fundit ,lexoj e ç’nuk lexoj…Dikush mburret me torbën bosh , dhe tjetri apo tjetra dhe pse shoku i vet mburret , ia heq dhe atë palo torbë që ai mendon ta mbushë në të ardhmen! Opinionisti shan… e analisti Sanço Panço jep receta pas pilafit…Dikush shkruan për Dylqinjen e Topozës e një tjetër fryhet si lopa kur han jonxhë…!
Tragji-komedia e analizës është e mjerueshme si vetë politika shqiptare…
Konflikti i “romancës” është i njohur fort mirë, por ne asnjëherë nuk guxojmë të themi të vërtetën, pikërisht prej interesave meskine dhe hipokrizisë. Shkaku dhe pasoja…! A ka klasë politike Shqipëria apo udhëhiqet prej një lukunie nallbanësh të profesioneve të ndryshme , që nuk kanë lexuar një libër politik në jetën e tyre , por që vijnë të uritur me thasë në dorë vetëm për të bërë plaçkë?! A mund të ketë shpirt dhe të bëjë politikë një klasë e tillë ?!
Unë them jo! Po e ilustroj këtë duke ja filluar nga Ne…!
Dikur në një mbledhje të PD-së, propozova që të gjithë deputetët të hiqnin nga rrogat e tyre nga njëqind mijë lekë të vjetra që t’i vinin në ndihmë familjeve në nevojë…Një deputet i nderuar (shok i imi që nuk jeton më) brofi në këmbë dhe m’u drejtua , “ Jepja prej xhepit tan se ke pare boll!” deputetët e tjerë heshtën ,por të pranishmit në sallë e aprovuan .Nga deputetët vetëm Jozefina (Coba) Topalli e aprovoi me kokë propozimin… Megjithëse miku im e dinte mirë kontributin tim financiar e politik që ishte kudo , porsa fola për një sakrificë simbolike kërceu…Echo! Unë e propozova këtë , duke pasur parasysh dhe raportin e pagave të tyre që ishte dramatike në krahasim me pagat e popullsisë , dhe nuk e quajta për asgjë që ata t’a hiqnin nga rrogat e tyre një shumë të tillë. Nga ajo ditë e sot , mësova se, politikë nuk mund të bëjnë delitantët shpirtvegjël. Ata mund të bëjnë politikë minderesh, por jo politikë partiake ,se për politikë kombëtare as që nuk bëhet fjalë…Sa të tillë ka Shqipëria nga të dy krahët?!
Sa të tillë ka , që i kanë bërë paratë në mënyra të ndryshme (!!!) dhe nuk kanë asnjë organizatë bamirëse, por vetëm grabitëse?
Sa prej tyre bëjnë studime për të punësuar popullsinë dhe për të lehtësuar plagën e skamjes?
Sa prej tyre rrahin dyert e botës për të thithur investimet e huaja (pa interes personal) dhe për të bërë ndërmarrje prodhimi , që pa to , Shqipëria do të mbetet në kolibe artizane dhe papunësi dramatike ? Përveç vilave dhe apartamenteve të tyre të biznesit në bregdetin shqiptar (të cilat janë kundër ligjit urbanistik, pa infrastrukturë dhe kanalizime të ujërave të zeza e të bardha ) dhe vilave të tyre ndër bjeshkë , ku është strategjia e turizmit malor dhe e porteve të jahteve që mund të sillte një turizëm marramëndës kualitativ dhe miliarda dollarë , a kanë menduar seriozisht ndonjëherë për këto burime natyrore ? Me dhimbje mund të them Jo . Përveç ligjeve komuniste për zhvillimin e turizmit bregdetar , ndalimit të lundrimit dhe amendamente të tjera që bien ndesh njëra me tjetrën , nuk shoh ndonjë progres…Shikoni vetëm ligjin banditesk të pronësive , sa herë ka ndryshuar brenda këtyre viteve kundër çdo lloj ligji ndërkombëtar ? Bëma të tilla ka pa mbarim… ku me plot gojë , një mendimtar do ta quante , çorganizim i organizuar!
Partia Demokratike lindi si parti e shpresës dhe si e tillë përfshiu të gjitha klasat ,duke futur në gjirin e vet dhe element demokratë që kishin shërbyer dhe milituar në Partinë Komuniste.Disa nga këto, nuk e shikuan si privilegj pranimin e tyre ,por si transkendecë dhe aspak si përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare për zhvillim …Mendoj ,kjo është një nga pasojat që përjetojmë sot…
Kam pyetur disa shokë të mi me influencë në Shqipëri , nëse PD –ja i kishte thirrur për ndihmë apo kërkuar mendim për zgjedhjet.Të gjithë ishin në një përgjigje: “As nuk i ka ra ndërmend për ne!” Sa herë është fyer elektorati i djathtë me aleanca me erë të keqe ? Sa herë janë fyer antarët e PD-së ,që kanë kontribuar duke shpenzuar dhe paratë e bukës që vetëm të fitonte PD-ja, dhe askush nuk u interesua më për ta për ti punësuar apo zgjidhur problemet? Sa herë janë fyer nacionalistët ?
Nganjëherë të zgjedhurit e PD-së , arrinin ti thonin me përçmim disa militantëve të vjetër, “ Hajt more se një votë ke , e çoje ku të duash se nuk na prish punë!” Bukëshkalë dhe injorantë të tillë e çuan PD në këtë gradë . Nëse dikush kërkon t’ia veshë humbjen një njeriu e ka gabim … Kjo humbje nuk është e Lulzim Bashës apo e stafit tij të ri , por e të gjithëve ne , po e përfshij dhe veten time megjithëse jam 15 vite larg Shqipërisë . Fodullëku i vetëkënaqësisë , anashkalimi dhe injorimi i militantëve të PD-së, keqpërdorimi i pushteteve dhe ligjeve anti-qytetare e jo- juridike , nepotizmi pa fre, injorimi dhe keqtrajtimi i opozitës duke i trajtuar si anti-shqiptarë dhe jo si opozitarë, ballafaqimi aspak dinjitoz në disa përfaqësi diplomatike në botë e tjera…solli rezultatin e pritur që gëzojmë sot.
Stafi i ri i Bashës , duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara për të treguar aftësi për të rikuperuar dëmin e shkaktuar nga papërgjegjshmëria…
PD dhe zyrtarët e saj duhet ti braktisin zyrat dhe makinat luksoze… Ata duhet të bëhen një më hallexhinjtë dhe demokratët e harruar , por duke mos përbuzur dhe zërat kritikë brënda që kanë kontribuar në PD në vite .Të respektohet pozita dhe të lejohet të qeverisë dhe të bashkpunohet ndershmërisht për pikat jetësore kombëtare..PD duhet të rrijë zgjuar për të gjitha gabimet që bën pozita dhe ti kthejë ato në pikë për ti shërbyer fitores në të ardhmen .
Senatori Amerikan ,Gary Peters ,miku i disa shqiptarëve dhe imi gjithashtu, në fushatën e tij kishte një reklamë me një këpucë të shqyer …! Megjithëse kundërshtarja e tij shpenzoi miliona dollarë më tepër në fushatë , dhe me një spot negativ të pregaditur nga vetë shqiptarët e këqinj … Peters doli triumfues, pikërisht prej prekjes së problemeve jetike dhe prej thjeshtësisë së komunikimit me elektoratin …

Dikur , Unë më shokët e mi , Kolec Ndoja ,Shenasi Rama,Pjetër Arbnori,Azem Hajdari ,Blerim Cela , Ali Spahia, Mond Bushati,Tefalin Malshyti, Arben Broci, Eduard Perjaku ,Xhemal Uruçi, Zhani Sekuj,Ferid Hafizi, Dashamir Peko , Fran Gjergji, Nikolin Thana , Syrri Dizdari, Arben Lika ,Fatmir Bërdica , Arben Ibro, Agustin Shqalsi,Eduard Grishaj,Menduh Dërguti,Pjetër Pepa,Dodë Kaçaj , Skënder Lohja ,Brahim Bilali,Nikolin Narkaj etj… falë shpirtit demokrat dhe antikomunist te Shkodrës dhe punës tonë , i dhamë një të tretën e Parlamentit të parë pluralist në Shqipëri , në vitin 91…Ky rezultat nuk qe i thjeshtë , pasi shqiptarët kishin përjetuar një nga diktaturat më të egra dhe më barbare në Lindje. Për 47 vjet ,shqiptari u detyrua me dhunë të vishej herë si Jugosllav, herë si Rus, herë si Kinez,por kurrë si shqiptar .Sakrifica jonë për ndryshim përballej në momentet më të vështira të terrorit , të kërcënimeve për jetën … Na është dashur ditë e natë të ruajmë votën e demokratëve të sapo formuar .Komunistët në atë kohë ishin si bishat e plagosura , kërkonin gjak , kërkonin të votonin nga dy e tre herë vetëm e vetëm të fitonin Shkodrën “Reaksionare”. Megjithatë , ne , e mbrojtëm votën . Për themelimin e seksioneve , për të krijuar bazat tona dhe për të hapur fjalën e lirë ecëm ditë e natë në këmbë , jo si sot me mercedezë… Kundërshtarët tanë bënin anti-mitingje dhe na kërcënonin me jetë , por ne , asnjëherë nuk u dorëzuam , asnjëherëëëë !!! Gjatë kësaj rruge disa shokë na u vranë për ta vulosur lirinë me gjakun tyre ,siç qenë Martirët e 2 Prillit . Atë ditë u vra shoku jonë i paharruar Arben Broci. Endrra e tij u ndal për ta vazhduar ne … Departamenti i Shtetit Amerikan dënoi ashpër masakrën e 2 Prillit.
Amerika ishte dhe është krah nesh , dikur na ikurajonte me “Zërin e Amerikës”, sot na ndihmon dhe inkurajon me politikat e zhvillimit dhe të konsolidimit të vlerave të demokracisë, pra nuk jemi vetëm…
Falë gjakut të martirëve , klasës punëtore , studentëve e intiligjencës kemi një Shqipëri pluraliste. Disa që flasin sot , nuk kanë djersitur as rrezikuar , i kanë gjetur gati dhe nuk e njohin atë kohë ,biles shkojnë deri në çmenduri kur thonë se PD e krijuan ata …Ne i respektojmë për kontributin e vonë, por ata dhe ato duhet ti ruajnë ato vlera për të cilat ne luftuam dhe që dhanë jetën Azem Hajdari , Arben Boci etj…Nëse kanë nevojë , jemi gati ti ndihmojmë, por boll i kemi dëgjuar tek grinden me njëri-tjetrin. Demokracia e brishtë shqiptare nuk ka nevojë për leksione boshe , zënka fëminore e zona influence , por për hapësirë filozofike kombëtare, mirkuptim, tolerancë dhe strategji zhvillimi, punë dhe mirëqënie jetike…
Partia Demokratike ka nevojë për vizion , udhëheqje të zgjuar e largpamësi , kurse Shqipëria ka nevojë për paqe!

Ne Foto:  2 Prill 1993- Presidenti Sali Berisha nga e majta ne te djathte ,Alfons Grishaj duke folur, Kryetari i Parlamentit Pjeter Arbnori ./

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, analize, Postmortem

Monolog dhimbjesh, dashurie, malli e proteste….

February 18, 2014 by dgreca

Esse-analizë e vëllimit me poezi, “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” e Poetit e Publicistit -Vasil Tabaku)/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

 Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër  autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është  autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur. Ato janë dëshmi e prirjeve të shpirtit letrar-artistik, psikikes e filozofikes, aftësisë dhe kredencialeve të identitetit krijues të tij. Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur  në celularin tim u shfaq numuri i poetit e publicistit  Vasil Tabaku. Deri atë cast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar – Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e  takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e  të letërsisë”. Ishte një  ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe dicka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij, -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”. Poezinë e poetit Tabaku e njoh mirë për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe  gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik,  tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, c’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku  deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në  tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve  muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por  poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë  njerës të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe  muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës,  dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar,  finishi  poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat  në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoj poezitë e vëllimit “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, mendoj se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm. Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës  për mua, se sa pyetjes që mund të lindë,  se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të  autorit, që  është i dallueshëm për qartësitë dhe  skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes  me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik  nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe  pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por  në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret  një përgjigje sa herë ka pyetje  në  “fushëbetejën”-e  jetesës e mbijetesës.

 

Stili poetik  e poetit Vasil Tabaku,  është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

 

Vëllimin  poetik autori nuk e ka ndarë në kapituj, por ndërsa shfleton atë dhe  lexon poezitë kupton se është  cikël poetik i plotë alegorik, inteligjent dhe ambicioz. Autori me mjeshtëri letraro – artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik; 1-nga njëra anë  vargje entusiaste ku brenda realitetit human është njeriu, me kompleksitetin e larminë e ndjenjave e emocioneve, të strukturuara këto  me  imtësira psiko-analitike dhe metaforike:

“Thesari i vetëm që kemi/është puthja…/Meteorin e këputur të kokës së kaprollit/mban në duar/ /kërkon të mbështetesh/tek një përqafim.”(poezia “Realitete”,f.51).

Poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist  njerëzor me simbolikën  e lidhjes të fortë të  lirisë së shpirtit, gjëndjes emocionale të natyrës njerëzore, si pozitive ashtu edhe  negative, dhëmbshurisë e etjes për të dhuruar  e marrë dashuri.

“Dhimbja vesh këpucët e heshtjes,/mbi rrugën e kafshuar,/nga hapat e varfërisë,/supet e mi,/janë frymëmarrja e detit ,/me hënën,/nga zambakët e bardhë./Duart/kanë/humbur ndjesinë e prekjes./Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/qajnë/nga mungesa e dashurisë.”,(poezia “Shpërbërje”f.53).

–  2-nga ana tjetër të vërtetën e pamëshirshme me mall e brengë, melankoli e heshtje, trishtim e gëzim, vargje   që motivojnë luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, në dritën e gjërave të shkruara në heshtje nga mendja e dhimbja,  monologon sinqerisht dhe emocion poetik  dhimbjen e dashurinë njerëzore, dhe arrin në përfundimin se poezia e poetit Tabaku është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

  “Ne ishim bashkë/ kisha pirë vesën e syve të bukur/kisha puthur lulet/zjarri ishte derdhur brenda meje/si shkrepëtimë rrufesh…/Kisha ndjerë ftohtë/kisha ngrirë përpara syve,/statuja e dhimbjes sime/kishte mbetur memece/.(poezia “Sytë e bukur”f.170)

Poeti Vasil Tabaku në këto vargje ka saktësi lirike, sinqeritet e ciltërsi të  drejtëpërdrejtë të ndjenjës e shpirtit poetik. Përzgjedhjet e figurave letrare janë   jashtëzakonisht të goditura e të zbuluara, të lakmuesheme dhe i pavëndshëm ndaj energjisë simbolike. Autori me termat – “sytë e bukur, puthja, zjarri, shkrepëtima, ftohtë, ngrirë, dhimbje, rrufesh,  memece”, terma që  nënkuptojnë – dashuri, besnikëri, durim, kurajo dhe ka  argumentuar vecorinë për të monologuar me lexuesin me  forcën krijuese artistike e filozofike të dala nga shtrati i ndjenjave të fuqishme. Poezi të tilla si “Ajkuna qan Homerin”, “Dashuri e dashuruar”, “Krizë”,  “Me c’dhimbje të dua”, “Puthja e zambakëve”, “Etyd”, Të ndezësh zjarre”, etj, janë ndërtuar me vargje lirike  që dramatizojnë kontrastet mes jetës, artit dhe krijesave natyrore përreth, dashurinë e dhimbjen ndaj paqëndrueshmërisë së natyrës, këndvështrime lirike origjinale e të arrira, psikikja dhe përjetimi shpirtëror që demonstrohen nëpërmjet  artit e forcës së fjalës  artistike e filozofike, -magjia e artit në të përditshmen. Poeti demonstron  mjeshtërisht dualitetin; me brengë e trishtim, gjuhë të figurshme e letrare për vashën e heroin lirik në kohë e hapësirë, sikundër;  “Ajkuna fshin lotët e derdhur për Homerin/vetëtimat/ka varur në qafë/Me yjet si gurë të cmuar”, dhe emërton  përshkallëzimin e  intensitetit të tyre me epitete, krahasime e metafora, nën vëzhgimin e hollë e të vëmendshëm të personazheve,  temperamentet e emocioneve individuale, të gjallë e të paharrueshme. Vetëdija e poetit Tabaku monologon me lotët e gurët e cmuar, të  Ajkunës që fshin lotët për Homerin –një vajtim ky, që ka muzën dhe perëndinë e saj brenda mjedisit elegjik e poetik.

“Prej kënge është bërë edhe zemra ime/Po shpirti eh shpirti/Qënka një humnerë/shpresë e dhimbjeje…/Ku bisqe drite/Ushqehen me frymën time/Me dashurinë dhe puthjen/me zjarrin e thinjur e ëndrrat.”(poezia “Me c’dhimbje të dua”).

Ndjeshmëria e nevoja e poetit për të zbuluar shtigje e gjetje poetike, mediton e monologon, i ngroh  brenda shpirtit të tij që është zjarr nga ndjenja e dashurisë, poeti identifikon tensionin qëndror të subjekt/objektit, tërheqjen e tyre drejt artit të fjalës nga njëra anë dhe ndaj jetës nga ana tjetër, mision për të transmetuar filozofinë e jetës, dhimbjes e dashurisë njerëzore.

“Me emrat e Mujit e Halilit/Me vajin madhështor të Ajkunës/një qarje,/Që rrëqeth planetët dhe njerëzit/Me qumështin mitik të zanave/Dhe pluhurin qiellor/të kreshnikëve…./Bota/ Ka shtangur/Dëgjon këngët hyjnore/Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.”(poezia “Eposi shqiptar” (f.129).

Kjo është poezi –baladë me temë historie me mendim, sqimë e klasike. Ka edhe të tjera poezi të tilla baladike, elegjike, historike dhe  sonetë. Por zgjodha këtë se më tërhoqi vëmendjen si krijim i individualitetit të vecantë dhe  përmasat artistike e filozofike. Paraqitja e heronjve me emrat e tyre, nuk se është prirje e rastësishme për poetin Tabaku, por është aftësia krijuese tij, koeficenti artisik me koeficentin filozofik që kristalizojnë dhe evokojnë historinë, heronjtë, traditën, krenarinë, dashurinë dhe  përcohet thelbi i përjetësisë të vetëdijes e kujtesës njerëzore e historike, të vërtetën e kumtuar nga dialektika e kreshnikëve  me qumështin mitik të zanave. Poezia e poetit dhe e publicistit Vasil Tabaku ka ritëm funksional, metafora lehtësisht të kuptueshme, të cilat të fusin në teleskopin poetik, zbulojnë prirjet  e mesazhit të tij pozitiv që nxisin vetëdijen njerëzore, meditimet, intimitetin, shqetësimin e poetit, tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional, estetik e bashkëkohor,  tematika që përcaktojnë biografinë kolektive të vetvetes e brezit që jeton e i përket. Kemi poezi lirike që i dedikohen atdhedashurisë, si; “Të puth Shqipëria ime”,(f.10), “Brenga e Mërgimtarit”(f.11), “Vështrim mbi Tiranë”(f.156), “ Realitete shqiptare”,(f.180), “Luaj dramën time”( f.172), etj,

dhe semantika e ideve të tyre,  është dashuria, historia, ndjenjat patriotike, krenaria, guximi  për të thënë të vërtetën e realitetit gri, të veshura këto me ngjyra gazmore e  të dhimbëshme, shpirtërores e psikikes,  dhimbjes e mallit, vuajtjes e  sakrificës, mungesën e njerëzve, shpresës e spekulimet mbi njerëzoren, pesimizmin dhe optimizmin, shpirtin intelektual, qytetar e  protestues, për të thënë të vërtetën, ëndrrën e ndaluar dhe ëndrrën e së ardhmes. Kemi poezi me ton qytetar, social  e intelektual, ku shpaloset aspekti human i poetit, sikundër; “Gjëra të trishta”(f.146), “Kthim te e vërteta”(f.128), “Reale” (f.124), “Fundi” (f.129), “Arratisje” (f.127), etj.

Është  një mision i tërë me konvecione të goditura artistike e filozofike, që poeti Tabaku  penetron  në dramën cinike e tragjedi të ngurtësuara; “Shqipëri/dhimbje e dimërt/e shpirtit tim/Dimërzuar dimërisht/hesht/në cep të shekullit të ri./Nëpër zërin tim/rrokullisen gurë/si tragjedi të ngurtësuara nën një qiell klithmash.”

Në këto vargje ndjejmë  nervozitetin, stresin, virtuozitetin dhe kujdesin human,  si thirrje e ankthit të kohës së mbarsur nga  stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe bujarinë njerëzore. Me inteligjencë, grintë ironie, poeti  monologon raportin shpirtëror intim me atë që është shpallur botërisht; e varfëra me të pasurën, të vërtetën e të pavërtetën, e anashkaluara me gjërat që janë në skenën e jetës, vlerën e antivlerën, zotin, ankthin, grotesken e sarkazmën, qytetaren dhe intelektualen, realitetin e hidhur dhe shpresën e pashpresë, me vitalitetin e pushtetin e habitshëm moral, social e politik të tyre  -mes të bukurës e së përditshmes njerëzore.

“Hap qiellin/kërko/sytë e humbur të të verbërit…/duart e mija/janë mbushur/me shi lotësh…/I verbëri/vërtitet brenda natës së vet/gishtat /I digjen/nga copëzat e thyera të dritës.”(poezi “Dhimbje qielli”,(f.92).

 Në këteë poezi kemi imazhin e dukshëm. Hija e copëzave të thyera të dritës ndaj hijes së errësirës në sytë e të verbërit, mbulon plotësisht imazhet e tjera, që dëshmojnë sfidën në kohë e hapësirë të imponuara vetvetiu me  vizionin ekspresionist poetik. Poeti e ka formuar këndvështrimin e tij poetik me anë të rrënjës së ideve, figurave retorike dhe metafizike, prirje kjo drejt qasjes të intimitetit personal e kolektiv, ku poeti edhe ne  të gjithë banorët në tokë e qiell, por pak prej nesh guxojnë apo ta përshkruajnë atë me ngrohtësi, sic bën autori Tabaku. Poeti shpengon dhe shpëton veten nga heshtja e syve të të verbërit, një heshtje që i ngjan dhimbjes qiell…vdekjes….

Poeti dhe Publicisti Vasil Tabaku përmes krijimit letrar artistik e filozofikes, përmes grintës poetike të imagjinatës,  lirikes, psikikes e shpirtërores, në vëllimin poetik “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, i dalë nga shtëpia botuese “Ada”,  na ka dhënë mjeshtërisht monlogun e dhimbjes, dashurisë mallit e protestës – me besimin dhe aftësinë e shpirtit krijues, qytetar, intelektual e njerëzor, jo vetëm ngjall emocione e mbresa të jashtëzakonëshme për audiencën e lexuesve e dashamirësve të poezisë, por  përcon edhe mesazhin botës, që  të mendoje më ndryshe, i jep optimizëm e shpresë se e ardhmja ekziston e i përket jetës e dashurisë njerëzore

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Shkurt 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: analize, esse, Raimonda Moisiu, Vasil Tabaku

“U larguan mbetjet komuniste” por, Ju na i sollët në Amerikë !

July 2, 2013 by dgreca

Uashingtoni dhe liderët europianë perëndimorë kishin vënë si detyrë dhe kërkuan në Shqipëri vetëm zgjedhje, të lira dhe të ndershme, zgjedhje demokratike dhe të pa kontestuara, të cilat ashtu vërtet u mbajtën si premtoi qeveria dhe Kryeministri Berisha, nën patronazhin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, si mjet për rivendosjen e qetësisë dhe për të treguar se edhe mbas 22 vjetë demokracia funksionon , por asnjëherë nuk u shkoi ndermend se, tani kemi vetem një forcë politike në Shqipëri – që do të udhëheqi si në kohën e Enver Hoxhës .

BENSONHURST BROOKLYN NY : Ende pa u shuar mirë euforia e fitores së pas zgjedhjeve në Shqipëri, kur një pinjoll i një nga familjet me komuniste në Shqipëri, trashëgimtari më i denjë dhe besnik i “Vijës së PPSH-së”, është zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, dhe është një “miku” i tij nga SHBA, ish-Ambasadori Amerikan në Tiranë, John Withers, që nëpërmjet një letëre dërguar përmes televizionit të majtë Top Channel( aludohet në Shqipëri, se pas këtij televizioni qendrojnë djemtë e Enver Hoxhës) , thotë se vota e 23 qershorit ishte një akt historik, sepse sipas tij “U larguan mbetjet komuniste”.

Zoti Ambasador, do të isha njeriu më i lumtur në botë, jo vetëm unë por ndoshta edhe të gjithë ata bashkëvuajtësit e mi: – “nëse do të ishte e vërtet deklerata e juaj” se janë larguar me këto zgjedhje mbeturinat e komunizmit në Shqipëri!!!!

Unë mendojë, se Ish-Ambasadori Amerikan në Tiranë, John Withers, ka plot të drejtë, kur thotë se “U larguan mbetjet komuniste” mbasi ai e ka me këtë rast dhe si shihet qartë e ka personalisht me Berishën –  megjithse, mundohet të fshehi të vëtetën kur fletë në numërin shumës.

Ambasadori gabon rëndë kur “ofendon” me këtë rast duke folur në numërin shumës, mbasi në shqip fjala”mbetje” d.t.th.:”Ajo që mbetet nga një e tërë pasi ia kemi hequr diçkaje, një pjesë, tepricë; kusur; mbeturinë; e tjer”  sepse, mendojë unë “as kan qenë dhe as janë të gjithë komunistë mbetje, ka pasur dhe ka prej tyre shumë njerëz të mirë, dhe unë kam shumë prej tyre miq dhe shok”.

Dhe me qëllim ai “harron” se po ai vetë na i solli për tre vjet të gjithë komunistët dhe ish komunistët, bijët e bijat e tyre në Amerikë. Meqense, zoti Withers  i paska kaq zëtë, ose si amerikan nuk ka si i do komunistët, dhe e “paska pas kaq për gale me këto mbetjet komuniste “, në Tiranë, po i them se aq shumë komunistë – ish komunistë dhe ish oficera Sigurimi, kan marrë vizë sa ishit ju Ambasador në Tiranë(2008 -2011), nuk kan marrë në 18 vjet, prej se kur u hap për herë të parë Ambasada e SHBA- në Tiranë.

Unë nuk e di numërin se sa ka përrreth shtëpisë së tij komëshi zoti Withers, atje në Virxhinia!? por e di shumë mirë që këtu në New York, ka plot. Bile ka edhe nga ata që janë bërë edhe “armiq” me mua dhe më “urrejnë”, sepse, unë i kundërvihem dhe nuk mund t’i durojë, as që do të pajtohem me ta kurrën e kurrës,. Sepse, janë ato mbetjet e komunizmit, që thoni ju zoti ambasador Withers, që u larguan dhe erdhën këtu në SHBA,  dhe po ma shajnë Amerikën, me keq se në kohën e monizmit.

Ata janë të pakënaqur me Amerikën “, duke thënë,lart e poshtë nëpër kafene , parqe dhe rrethe të ngushta të tyre familjare :” A kjo është Amerika……!!!!!, Amerika nuk bën…..është një “garbage” !!!!. Ata flasin ende politikisht si në kohën e komunizmit, kur flasin për luftën amerikane në Irak, Afganistan, e tjera, komentojnë ndërhyrjen e Amerikës këtu apo aty, apo ajo që nuk durohet fare është kur shprehin alibitë e tyre për ngjarjet e 11 shtatorit 2001, të cilat janë çmenduri me të vërtet – apo kur “çfyrhen” me të tjera marrëzira dhe pakënaqësira, që smund ti’ ze në gojë –  ”

Parlamenti, i ri i Shqipërisë, që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit, zoti  Ambasador John Withers, është i dominuar tash nga e majta Socialistët dhe LSI, dy partitë me ekstreme të majta,që ka Shqipëria , sot, të cilët përdoren për të fituar këto zgjedhje edhe katër Partitë Komuniste. Ata ndërsa, kan në mandatin e ri, 84 deputët, shumicën e cilësuar, nga këta janë mbi 30 përqind e tyre, të cilët i kan shërbyer me devotëshmëri komunizmit, ose edhe nga ata që kan qenë me librezën e Partisë Komuniste në xhep -gji, ose bijët e bijat e tyre. Kurse, njeri prej tyre ka qenë deri Ministri i Punëve të Brendeshme, para 1990, njëri kryeredaktori i Zërit të Popullit, dhe Koço Kokëdhima që thotë me mburrje publikisht në televizion se: “unë komunistë jam dhe komunistë do të vdes, sepse jam familje komuniste”.

Ndërkohë, Lideri i Partisë Socialiste, si kryeministri i ri, kur të futet në zyrën e tij, dhe të ulet në karrigen e Kryeministrit, në shtator, do të ulet si i biri një ish anëtarit të Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, si i biri i nënkryetarit të Frontit Demokratik me Nexhmije Hoxhën në krye, ose si i nipi i një ish anëtari të Byrosë Politike, që së bashku me pasardhësit, të cilët mbas dy muajsh – do të zënë vendet në zyrat ku qenë 22 vjetë më parë, do të ulen në të njëjtat karrike, dhe mbajnë detyrat ku kan sunduar baballarët e tyre, dhe ata vetë ndoshta ndonjeri për afro gjysmë shekulli (Skender Gjinushi ish Ministri i Arsimit në kohën e diktaturës).
Megjithatë , Zoti Ambasador John Withers, do të thoja se herën tjetër rezervoju pak …… “Kur të, të mbërthejn emocjonet dhe “inatet” e akuzave, ose is i themi ne shqiptarët “dufi”, siç është edhe ky reagimi më i fundit ( mbasi ju keni dalur hapur tashmë dhe nuk po e ruani veten për njëanëshmërin tuaj – duke ia servirë disa herë, sa herë që iu duhen komunistëve të Tiranës, nga një letër soe intervistë në muaj nga Uashingtoni), pra “mos u mundo duke u munduar të justifikosh atë dashurinë dhe respektin e madh që kemi në shqiptarët( veçanërisht, ne që e paguam me gjak, pushkatime, burgosje e interrnime, ëndrrën  Amerikane  ),,, mos u “nxito” të bëshë deklerata kaq “bombastike”, duke i përgjithësuar këto çështje, se nuk janë absolutisht të gjitha si thua dhe si mendoni Ju…! zoti Withers.

Kurse e dyta, letra juaj duket sikur Ju zoti Ambasador Withers, po tentoni të bëni të majtët, ish komunistët sikur vetem ata të jenë një faktor në mardhëniet SHBA – Shqipëri. Po ku jemi ne të tjerët zoti Ambasador !!! Apo, kjo vjen sepse ju lidhjet më të mira i keni me një televizion dhe kryeredaktor i thekur majtistë(TCH) dhe një gazetë(Shekulli) që Ambasada e SHBA në Tiranë, i ka ndërprer lidhjet më të, për arsye që tashmë dihen, dhe që t’i i di, por ti flet në këtë mënyrë, duke ua drejtuar letrat atyre, që të bëjnë propogandë me letrat e tua, sa herë që ju i nevoiten në këtë fushate, dhe në këto zgjedhje. Të njëjtën gjë gjë bëtë ju edhe me zgjedhjet e lokale të viti 2011, kur sulmuat Luzim Bashën.

Zoti Ambasador, media vizive dhe të shkruara në Shqipëri ( media 90 përqind kontrollohet nga e majta – Shqipëria, ishte i vetmi vend në botë, ku opozita në 8 vjet kishte televizionet dhe gazetat më të mëdha në vend), për këto 20 vjet, që nxjerr si lider të demokracisë, vetëm emrin e Edi Ramës, dhe çdo ditë fletë për bëmat e Enver Hoxhës, duke e nxjerr edhe si “por amerikan” dhe këtë atë e bëjn?7 vetëm për nosltagji.

 

Shtypi i jatë në Shqipëri, në asnjë rast nuk përmendin ish të presekutuarit, Partin Demokratike, ose partitë e djathta – partitë tradicionale, PLL, BK , Republikanët, PDK, e tjera, por gjithmon meditojnë për t’u faktorizuar në politikë, Edi Ramën, në mënyrën e asaj thënies filozofike, “nuk ka rëndësi se ç’thonë për mua, kush kam qenë – dhe çfarë ka bërë partia ime – rendësi ka që ata po humbasin kohën me mua dhe një ditë do të humbin durimin dhe do të lodhen”

 

 

 

Por, zoti Ambasador Withers, kur nuk do t’a besoja “se si ju mund t’i besoni dhe të bëheni kaq shumë “mik” me ata që 23 vjetë më parë “Amerikën e quanin “Imperialism , Xhandarin, armikun e komunizimit e të tjera”. Pra, e thënë paksa me troç me komunistët dhe ish komunistët, bijët e bijat e tyre, duke na lënë me një anë ne ish anëtarëve të, të atyre të pushkatuarve, ish të burgosurve politik, ish të interrnuarve dhe të presekutuarve, ish pronarve, që e deshëm dhe duam kaq shumë Amerikën, sa edhe vuajtëm dhe e paguam aq shtrejtë. Kurrën e kurrës nuk do ta besoja…..!!!

Zoti Ambasador, a e di ti se:”Ky njeri që bërtet sot me të madhe :” Ky vend ka nevojë për paqen dhe dashurinë në vend të ndarëjes së njerëzve.”, është, po ai që Shqipërin, për 8 vjet sa e sundoi(1978 – 2005) dhe për 8 vjet sa ishte në opizitë(2005-2013) e zhyti Shqipërinë në kaos, sa që me protestat e përhapura dhe të dështuara, vuri në rrezik të lartë, paqen e sigurinë në vend, tentoi të kthej Shqipërinë në formën e protestave të organizuara prej skemave piramidale. Protesta, e Edi Ramës u kthyen në një makinë për  të trazuar Shqipërinë, vetëm e vetëm për ta rrëzuar qeverinë e zotit Berisha, i cili u fajësua se ua kishte vjedhur votat, një diçka që kurr nuk u provua.”

Zoti Ambasador, ju ishit në detyrë në Tiranë, kur Socialistët, protestoni në mënyrë të kundraligjshme anti demokratike.” Por ju zoti Ambasador Withers, shumë shpejt harruat se në demokraci, nuk vihet me “çdo kusht” si ka thënë Edi Rama, dhe erdhi me “çdo kusht” . Ti i dëgjove parrullat, që hodhën ata për 3 vjet në Tiranë;  “Poshtë Qeveria – Greva Urie, parrullat “Vdekje a Liri” para Kryeministrisë, dhe bllokime rrugësh, apo si ajo tragjikja me  21 Janarin. Të gjitha këto i bënë këta 84 deputetët, që fituan zgjedhjet e 23 qershorit, zoti Ambasador, nën udhëheqjen e fortë të këtij Lideri i Partisë Socialiste, Edi Ramës që neser si kryeministri i ri, kur të futet në zyrën e tij, dhe të ulet në karrigen e Kryeministrit, të asaj Kryeministrie që ai ja theu edhe portat dhe e dogji e shkatërroi gjithëçka  për Ilir Metën e bllokut 70 mijë dollarë!.

 

Tek e fundit, zoti Berisha më në fund për herë të parë organizojë dhe mbajti si qeveri në 23 qershor zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipër, zgjedhje të lira të ndershme, transparente dhe demokratike, të vlerësuara dhe të “duartrokitura” nga Washingtoni dhe Brukseli. Megjithëse, ai në fund e pa se demokratët e tij e djathta në Shqipëri, po merrte një nga humbjet më të mëdha. Z. Berisha, një lider besnik krahut të djathtë, u ngjit në zyrën e Partisë së tij, dhe pranojë dorëheqjen nga kreu i partisë dhe mori mbi “shpatullat” e tij pasojat e humbjes, zoti Ambasador John Withers, atë që së bëri i biri i komunistit Edi Rama si kryetar i PS në 8 vjet,kur dy herë i humbi zgjedhjet.

Socialistët, tani së bashku me LSI do të mbajnë 84 vende nga 101 ulëse që kishin në parlament, në vitin e përgjakshëm të ngjarjeve të viti 1997 kur e udhëhoqën në mënyrë të mjerueshme Shqipërinë,. Një shenjë kjo që tregon qart se ata do të marrin pas vetes edhe partitë e tjera të koalicionit të majtë, përfshirë këtu në Qeverinë e re edhe katër partitë komuniste, socialdemokratët, e Skender Gjinushit dhe Paskal Milos, dhe të gjithë ata që e bënë 97′. Dhe kjo ngjallë frikën e “totalirarizmit – parti pushtet”. E cila tregon se ata meqense kan një maxhorancë të cilësuar, do të miratojnë çdo gjë – çdo ligj, vetëm me votat e tyre. Kështu Shqipëria, në mënyrë të heshtur nga ajo “Rilindja që propogandoi Edi Rama në shtator do të kaloi pa u vënë re në ringjallijen e sistemit diktatorial parti shtet”, atë atij sistemi që patën mbajtur ata për për 50 vjet në pushtet……

Zoti Ambasador Withers, të mos harroni se :”Uashingtoni dhe liderët europianë perëndimorë kishin vënë si detyrë dhe kërkuan në Shqipëri vetëm zgjedhje, të lira dhe të ndershme, zgjedhje demokratike dhe të pa kontestuara, të cilat ashtu vërtet u mbajtën si premtoi qeveria dhe Kryeministri Berisha, nën patronazhin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, si mjet për rivendosjen e qetësisë dhe për të treguar se edhe mbas 22 vjetë demokracia funksionon , por asnjëherë nuk u shkoi ndermend se, tani kemi vetem një forcë politike në Shqipëri – parti pushtetin- që do të udhëheqi si në kohën e Enver Hoxhës .”

 

Filed Under: Featured Tagged With: analize, Beqir Sina, pasgjedhore

KRIMBAT E INTERNETIT

March 22, 2013 by dgreca

Nga Alfons GRISHAJ* /

Në historinë e Internetit, nje pjesë e shqiptarëve janë më të prapambeturit dhe më mjeranët në komentet e tyre. Nëse komentet e tyre, kombet e tjera japin mendime të vlefshme për të përmirësuar gjërat që i rrethojnë, disa shqiptarë, jo vetëm që nuk e bëjnë atë, por përkundrazi, shikojnë se si të përmbysin çdo arsye apo arritje, të shpifin të paqenat më monstruoze, të ndërtojnë alibira kriminelësh dhe të thurin lavde kacamijsh… Duke bërë një investigim personal (duke paguar specialistin investigues), rreth disa komenteve pa emër ndaj personit tim, rezultoi se:

Autorët e këtyre komenteve janë njerëz që i njoh  mirë jo vetëm unë, i njeh mirë Shkodra dhe komuniteti i Michiganit, po ashtu çdo komunitet ku ata kanë jetuar. Kategoria e lartpërmendur rezulton të jenë Spiunë të damkosur të ish sigurimit të shtetit,dhe UDB-es e segmenteve të lidhura me të. Po nga kjo kategori “njerzish”u atakua në mënyrë denigruese personeli i Ambasadës Shqiptare në Washington, që është ekipi më i shkëlqyer e më profesional që ka qenë ndonjë herë në SHBA. Ambasadori Galanxhi me stafin e tij, është i kudondodhur në hallet dhe gëzimet e shqiptarëve në mbarë Amerikën. Një diplomat i denjë për t’u ballafaquar me sfidat e kohës në çdo takim ndërkombëtar.

E njëjta kategori denigron gjithë fondin e personaliteteve kulturore e historike që nga Mbreterësha Teutë e deri tek Mbreti Zog, nga Pjetër Bogadani tek Nënë Tereza, pa kursyer as Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke i thurur lavde tradhëtarit Ballaban Pasha, që helmonte puset e shqiptarve për t’i gjunjëzuar nën zgjedhën e pushtuesve osmanë. Kështu, këta mjeranë radhiten në anën e armiqve shekullorë, të cilët, me tezat e tyre arkaike ende synojnë ta paraqesin në sytë e botës popullin tonë si një popull pa histori dhe qytetërim.

Në “emër” të demokracisë, kjo kategori e cila, ka punuar kundra saj që në hapat e parë, fyen dhe denigron Sali Berishën, Jozefina Topallin, Lulzim Bashën e dhjetra personalitete të politikës shqiptare, të cilët punojnë me konseguencë për realizimin e projektit për Shqipërinë europiane. Shajnë Dritëro Agollin e Naum Priftin, me të cilët shoqëria shqiptare duhet të krenohet për nivelin ku e kanë ngritur këto shkrimtarë letërsinë tonë. Shajnë gjithashtu Don Frano Kolën, një figurë pajtuese e jashtëzakonshme, një atdhetar që ka bërë aq shumë për çështjen e Kosovës. E shumë intelektualë, politikanë, shkrimtarë apo editorë, në të dy krahët e politikës, majtas e djathtas, në Shqipëri e diasporë. Vrapi i tyre shkon më tej, duke sharë Federatën Pan Shqiptare Vatra, e cila është një Institucion  me vlera të papërsëritshme kombëtare, që ka ndikuar bindshëm në historinë e Shqipërisë në këto 100 Vjet. Nuk lënë pa akuzuar Konsullin e Nderit Ekerem Bardha, i cili për më se 40 vjet ka kontribuar për çështjen kombëtare si askush tjetër, duke nxitur Kongresin Amerikan në qendrime të prera ndaj represionit sistematik të Jugosllavisë së atëhershme (në çështjen Ivezaj), dhe Serbisë së Milosheviçit. Më e pafalshmja dhe më e turpshmja, ishte kur edhe gëzimi martesor i Sekretarit të Vatrës për Michiganin, Mondi Rakaj (një djalë i shkëlqyer), nuk kaloi pa u atakuar në nderin e familjes nga shkrues anonimë. Çfarë shqiptarësh janë këta që në gëzimin e tjetrit kërkojnë të sjellin dhimbje e përçarje?

E drejta për të qenë përdorues i internetit sot është një e drejtë bazë, thuajse e barazvlershme me të gjitha të drejtat e tjera të njeriut, si jeta, liria, e drejta e punës,  e strehimit, e arsimimit, e përkujdesjes shëndetsore etj. Në këtë sens janë për t’u përshëndetur të gjitha masat që ndërmerr qeveria shqiptare për akses të plotë dhe me kosto të lirë të të gjithë shtetasve në këtë fushë të operimit njerëzor. Por, Shqipëria duhet  të aprovojë një amendament për fyerjet që vijnë nga Krimbat e Internetit, sikurse ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara ku integriteti dhe dinjiteti i individit është i mbrojtur nga ligji, i cili parashikon si dënimin e fajtorit ashtu edhe dëmshpërblimin e të cënuarit. Personat anonimë që fyejnë e denigrojnë poshtë e lartë nuk kanë ndonjë dallim nga ata të cilët vënë maskat në fytyrë për të vrarë e plaçkitur. Përkundrazi, janë dhe më të rrezikshëm, sepse veprojnë sipas një parimi dhe strategjie të njohur që synon të mbjellë urrejtje dhe përçmim tek shqiptarët. Preç Zogaj, e ka artikuluar me vend këtë dukuri në një intervistë teksa citon “Marksistët kanë një thënie, vrite njeriun moralisht se e ke vrarë dhe fizikisht!.”

Çdo Gazetar, Editor apo administrator WEB-i, kanë detyrim ligjor të ndalojnë krimbat e të shkuarës të përdorin faqet e tyre për të shpifur, fyer dhe denigruar individët që përpiqen për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për Shqipërinë dhe shoqërinë tonë. Miku im, Pjetër Jaku, dhe unë drejtojmë prej vitesh Revistën “Kuvendi” dhe WEB-in e “Kuvendit”, por asnjë herë dhe në asnjë rrethanë nuk kemi lejuar fyerje apo komente denigruese nga njerëz anonimë apo me emër. Personalisht, mund të them se mund të hap njëmijë WEB-e dhe të pres majtas e djathtas, por një gjë të tillë nuk kam ndërmend ta bëj kurrë. Do të ishte humbje parimesh, shpirti dhe inteligjenca ime do zbrisnin në nivele të ulta dhe do bjerrej misioni dhe dashuria ime për njeriun, që e ka burimin tek besimi se njeriu është shëmbëlltyra e Zotit.

Lind pyetja: “Pse e gjithë kjo urrejtje për njerëzit e ditur dhe kontribuesit e çmuar të çështjes kombëtare?”

Kam ecur me qenien e njeriut në vite, në errësirë e dritë, në paqe dhe lufte. Kam dalluar tri kategori: Kategoria e parë, hapësirën e ekzistencës së jetës e quan privilegj dhe e jeton atë sipas kushteve dhe rrethanave të parashtruara nga mesazhi hyjnor, d.m.th. nga Zoti…

Kategoria e dytë, nuk e ka kundërshtuar kurrë moralin hyjnor, por kërkon të bëjë revolucion për një jetë më të mirë, duke presupozuar se njeriu duhet të ndërtojë të ardhmen e vet duke pranuar ekzistencën e hyjnores si fakt, por jo si zgjidhje tokësore…

Kategoria e tretë është ajo me kontraversalja. Kjo kategori nuk beson në ekzistencën e hyjnores, por në ekzistencën e tij si Zot, duke harruar mbivlerën e shpirtit si thelbi i ekzistencës sonë, i arsyes dhe i përparimit, që është vetë thelbi  i trashëgimisë njerëzore. Kjo kategori që nuk njeh asnjë kod moral, nuk ka nga ta dijë se respekti dhe mirënjohja janë vlera të vërteta që ndajnë njerëzoren nga jonjerëzorja. Prandaj ata nuk kanë mirënjohje për krijuesin e tyre Zotin, për prindërit që i kanë lindur, për shoqërinë ku jetojnë, për diellin që i ngroh, për duart që i ndihmojnë. Duke bjerrë vlerat e vërteta, njeriu ka vetëm një përfundim: të transformohet në lloj tjetër, natyrisht, jo fizikisht. Në rastin konkret, kjo kategori u shndërrua në krimba, të cilët janë përhapur sot nëpër faqet e internetit.

Matthew Kelly, shkrimtar australian, the best seller, shkruan:”If you and I are not part of the solution, we are part of problem!”

Unë do t’i fal këtë herë anonimët shpifës, sepse nuk bënë asgjë tjetër përveç asaj çka kanë bërë në vite, kur spiunonin vëllezërit dhe motrat e tyre, hartonin dosje të rreme, ekzekutonin njerëz të pafajshëm, dhe pinin gjakun e popullit shqiptar… Kjo, për t’i dhënë shans fëmijëve të tyre të jetojnë një jetë si fëmijët e mi, me qëllim që urrejtja të mos trashëgohet, e madje të kenë dhe ata vetë mundësinë për të shijuar pa komplekse ideologjike lirinë e vërtetë dhe Perëndimin që e shanë gjithë jetën e tyre.

*Autori është kryetar i degës së VATRËS në Michigan

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, analize, e internetit, Krimbat

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT