• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANKTHI SHQIPTARO-SERB

March 20, 2013 by dgreca

Krijimi i Bashkësisë së Komunave të Veriut dhe pasojat e zgjidhjes me probleme/

Nga Dr. Enver Bytyçi/

U deshën gati 14 vjet që Kosova dhe Serbia të lodhen me veriun e Mitrovicës e më pas të vijnë te padurimi për zgjidhjen e krizës në këtë vend. Më së shumti europianët punuan që me injeksione të vazhdueshme rreth asaj që quhet “Proces i integrimit në BE”, t´i nxisë palët drejt një zgjidhjeje të integruar, e cila kënaq edhe Beogradin, edhe Prishtinën. Kënaqësia që të dy kryeqytetet ballkanike ndjejnë ka të bëjë me atë që quhet “Çlirimi i ndërsjelltë nga njëri-tjetri”. Kosova ka kërkuar e luftuar që prej një shekulli të çlirohej prej Serbisë dhe Serbia, së paku prej disa vitesh luhatet midis mitit të Kosovës dhe çlirimit prej saj. Po a do të çojë një marrëveshje e mundëshme në çlirimin e palvë nga paranoja e konfliktit kundër njëri-tjetrit?!

Një marrëveshje që mund të nënshkruhet të mërkurën e ardhshme apo me datën 28 mars, kjo s´ka rëndësi, besohet së do të çojë në normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë dhe do t´i hapë rrugë një epoke të re në marrëdhëniet midis tyre e atyre rajonale. Në të vërtetë Mitrovica nuk ka mbajtur dhe nuk mban peng vetëm marrëdhëniet e boshtit Beograd-Prishtinë. Ajo ka bllokuar dhe acaruar shumë konflikte me sfond etnik në rajonin e Ballkanit Perendimor, pasi palët në këtë konflikt inspirohen dhe gjejnë një mundësi më shumë për të rezistuar dhe për t´u rikthyer në “fushëbetejën” e papërfunduar.

Marrëveshja që dy kryeministrat e të dy vendeve do të nënshkruajnë duket se do të aplikojë modelin gjerman të fillimit të viteve 70 të pranimit nga ana e Gjermanisë Perendimore të Gjermanisë Lindore. Deri atë kohë gjermano-perendimorët nuk e njohnin shtetin lindor të Gjermanisë, me arsyetimin se nuk kishte dy, por vetëm një Gjermani, çka u realizua më 3 tetor të vitit 1990. Po çfarë ishte në fakt marrëveshja e 21 dhjetorit 1972, e cila u firmos në Berlinin Lindor ndërmjet kancelarit gjerman, Willy Brandt dhe shefit të shtetit të Gjermanisë Lindore, Erick Honnecker? Deri në këtë kohë ndarja konsiderohej arbirtrare, e padrejtë dhe fiktive. Për këtë shkak grindjet e gjermano-perendimore shtriheshin më gjerë, deri te mosnjohja e disa vendeve të kampit socialist. Willy Brandt, me ardhjen e tij në pushtet (1969) solli vizionin e tij për një politikë të re ndaj Bllokut Lindor. Doktrina e tij u zhvillua përmes filozofisë së zgjidhjes së problemeve me bisedime. Deviza e tij ishte “Paqja nuk është gjithçka, por pa paqe nuk ka asgjë”. Më parë se të normalizohej marrëdhënia midis dy Gjermanive, kancelari i RFGJ nënshkroi marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve me Poloninë, Bashkimin Sovjetik etj.

Pjesë e kësaj doktrine dhe filozofie ishte normalizimi i marrëdhënieve me Gjermaninë Lindore, e cila për shkak të refuzimit gjermano-perendimor nuk ishte bërë ende anëtare e OKB-së. Me nënshkrimin e marrëveshjes së dhjetorit 1972 u krijua një etapë e re në marrëdhëniet midis të dy vendeve. U vendosën marrëdhëniet diplomatike, RDGJ u pranua në OKB, ajo u njoh nga të gjitha vendet e botës, u përmirësuan dhe zhvilluan të gjitha marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, përfshirë ato mbi kufirin, tregëtinë, etj. Normalizimi i këtyre marrëdhënieve u përshendet asokohe nga komuniteti ndërkombëtar dhe çtensionoi situatën e brishtë jo vetëm midis dy Gjermanive, por edhe midis dy blloqeve politiko-ushtarake më të fuqishme të globit, përkatësisht NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.

Bashkimi Europian dhe Baronesha Ashton kërkojnë që të arrijnë të njëjtin objektiv në rastin e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Si shefe e Diplomacisë Europiane dhe ndërmjetësuese e bisedimeve Prishtinë-Beograd, Ashton javën e kaluar vizitoi të dy këto kryeqytete dhe në përfundim të kësaj vizite ajo ka lëvduar kryeministrat Thaçi e Daçi, duke u shprehur se ata “është e mundur të arrijnë marrëveshje”. Ajo është optimiste se pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës do të arrihet shpejt. Serbia e ka kushtëzuar pajtimin e saj me një status special për serbët në veri të Mitrovicës. Ajo kërkon që të krijohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, e cila të ketë pushtet të mjaftueshëm legjislativ e ekzekutiv, sa të shpërfillë kushtetutën e Kosovës, institucionet e saj dhe sovranitetin e qeverisë së Prishtinës në veri të vendit. Ndërsa një draft i BE-së ka ndryshuar emrin nga “Bashkësi e Komunave të Kosovës” në “Rajoni Europian i Serbëve të Kosovës” dhe Prishtina e quan Asocasion të Komunave Serbe në Kosovë. Duket qartë se më shumë i jepet rëndësi emërtimit, sesa përmbajtjes dhe kompetencave të kësaj bashkësie.

Por kryeministri Hashim Thaçi e kundërshton vazhdimisht këtë projekt të Serbisë. Ndërkaq në veri të Mitrovicës, serbët kundërshtojnë çdo lidhje të këtij rajoni me institucionet e Prishtinës. E pakta ata kërkojnë një status, çfarë e kishte Kosova me Kushtetutën e Vitit 1974, pra një autonomi të plotë në pikëpamje administrative dhe pavarësi nga Prishtina, duke pranuar vetëm autoritetin e shtetit të Kosovës në fushën e politikës së jashtme e të mbrojtjes. Eshtë e tepërt të bëhen krahasime midis Kosovës dhe tri komunave në veri të Mitrovicës, të cilat kërkojnë statusin e autonomisë së vitit 1974. Por mbi gjithçka synimi është që serbët në veri të kenë të drejtën e vetos, madje dhe gjykatë, me të cilën të përjashtohej autoriteti i Gjykatës Supreme e të prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës.

Natyrisht që kaq shumë nuk do të lëshojë Prishtina. Por serbët e kanë në stilin e tyre të sjelljes politike e diplomatike, që përmes kërkesave maksimaliste të arrijnë të imponohen në thelbin e kërkesave të tyre. Prandaj dhe dalja nga kornizat e Planit të Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Kosovës është një precedent i rrezikshëm, për të ardhmen e të gjithë rajonit. Shefja e Shërbimit Amerikan Diplomatik në Prishtinë ka kërkuar që asnjë marrëveshje të mos kontestojë Planin e Ahtisaarit, i cili jep mjaft hapësirë për zgjidhjen e konfliktit dhe garanton të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë. Ndërkohë kryeministri Daçiç “fajëson” SHBA-të, të cilat, sipas tij, “Nuk lejojnë Prishtinën të bëjë lëshime përtej Planit të Ahtisaarit”. Nuk e di nëse vendet europiane dhe Baronesha Ashton është e gatshme të bëjë presion për ta shkelë vijën e kuqe të këtij plani, por mediat perendimore kanë cituar burime diplomatike të Brukselit, të cilat pohojnë se “Bashkësia e Komunave Serbe” do të ketë disa kompetenca përtej Kushtetutës ahtisaariane të Kosovës. Sipas gazetës austriake “Standard”,  “Marrëveshja për normalizimin e Marrëdhënieve duhet që në mënyrë ideale të parashikojë që Prishtina do të jetë dakort me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë”. Dy ditë më vonë ky emërtim është zevendësuar më gjetken “Rajon Europian i Serbeve”!!! Kjo bashkësi mund të ketë në lidhjen e saj vetëm komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, ose të gjitha komunat e Kosovës, gjithashtu me shumicë serbe, gjë që mbetet e hapur dhe në vullnetin e këtyre komunave.

Diplomati europian shprehet se Bashkësia e Komunave Serbe do të ketë parlamentin e saj si dhe drejtimin e policisë e të sistemit e të drejtësisë. Ndërsa sa i përket kompetencave ekzekutive, ai mendon se kjo do të ndodh, nëse Prishtina do t´i pranojë edhe këto lloj kompetencash. Por në analizën e kësaj performance mund të shkohet te përfundimi se asnjë rajon në botë, i cili ka e do të kishte një parlament, pra një legjislativ, me të cilin nxjerr ligje ose merr vendime, nuk mund të funksionojë pa kompetencat ekzekutive. Ndërkaq kompetencat ekzekutive janë të parapara për komunat nga ana e vetë Kushtetutës së Kosovës dhe do të ishte pa kurrëfarë dobie refuzimi i kompetencave ekzekutive, kur në anën tjetër pranohet krijimi i një parlamenti autonom. Eshte kretj logjike, se nëse pranohet të krijohet një parlament panserb i Kosovës, atëherë, ai do të ketë domozdo të drejtën e vetos ndaj institucioneve të Kosovës, e, de facto jo ndaj institucioneve të Serbisë, së paku sa i përket rregullimit të jetës së kësaj Bashkësie. Prishtina nuk do të guxonte në asnjë rrethanë revokimin e kësaj të drejte, sepse do të jepte një shkas që serbët e veruit “të shpallnin autonomi ose pavarësi të plotë” nga pjesa tjetër e territorit të Kosovës. Kështu që një deklaratë e zonjës Lunaçek se “Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë” duket pak si e paargumentuar, poqe se zgjidhja do të njohë të drejtën e kompetencave legjislative autonome për veriun e Kosovës, pasi nëse jo territorit nën Ibër, pjesës veriore i krijohet shansi që një ditë të bëhet pjesë e Serbisë.

Ndërkaq Beogradit, gjithnjë sipas diplomatit europian, do t´i kërkohet që në këmbim të kësaj zgjidhjeje të tërheqë nga Kosova forcat e saj të sigurisë e të shërbimit të fshehtë, të shuajë institucionet paralele, nëpërmjet legjitimimit të tyre përmes zgjedhjeve lokale dhe të pranojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në e OSBE-në. Në këtë kuadër Beogradi e Prishtina do të jenë të detyruar të këmbejnë ambasadorët e tyre, por, ashtu si në rastin e Gjermanisë Perendimore, Serbia nuk do të jetë e detyruar ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Ndërkaq doganat në veri do t´i dorëzojnë të ardhurat e tyre në llogari të veçantë dhe jo në buxhetin e Kosovës, fond i cili do të shkojë për zhvillimin e këtij territori. Kjo llogari e veçantë thuhet se do të kontrollohet edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi, pasi të dy dognat do të derdhin fondin në këtë llogari, por praktikisht janë të njohura tashmë manovrat e Serbisë për fshehjen e të ardhurave dhe përdorimin e tyre me sfond politik.

Në historinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare marrëveshjet politike për zgjidhjjen e konflikteve  janë imponuar, ose ato janë nënshkruar me vullnetin e të dy palëve. Mbas Luftës së Parë Botërore marrëveshjet me Gjermaninë u imponuan nga ana e Konferencës së Versajës dhe kjo praktikë çoi në lindjen e fashizmit dhe katastrofën e Luftës së Dytë Botërore. Kur Mbas Luftës së Dytë Botërore marrëveshjet u nënshkruan me vullnetin e palës gjermane dhe asaj franceze, atëherë filloi një erë e re në historinë e Europës moderne. Po kështu shtetet të cilat lindën përmes marrëveshjeve të vullnetit të mirë pas rënies së Murit të Berlinit, duket qartazi se kanë një përparim të pandërprerë në fushën e demokracisë dhe të zhvillimit politik e ekonomik. Ndërsa shtetet, të cilat lindën përmes konfliktit, siç është dhe rasti i Kosovës, ose Bosnjë-Hercegocinës. vijojnë ende të përjetojnë kriza të njëpasnjëshme. Kjo do të thotë se marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit për veriun e Mitrovicës nuk duhet imponuar. Kjo do të thotë se Prishtina nuk ka pse t´i lutet Beogradit, përkundrazi është Beogradi, ai që duhet t´í bjerë në gjunjë Prishtinës, për shkak të masakrave dhe terrorit që ka ushtruar në Kosovë.

Por kjo nuk ka ndodhur e nuk po ndodh. Prandaj është ardhur tek një pikë zgjidhjeje të imponuar nga ana e Bashkimit Europian. A do ta pranojë Prishtina këtë lloj opcioni imponues. Gjasat janë se kryeministri Thaçi do të pajtohet me zgjidhje problematike për veriun e Kosovës, duke i lënë Kosovës një problem të madh nëpër këmbë, i cili do të prodhojë për shumë dekada konflikte dhe grindje. Nuk është e thënë se një marrëveshje me probleme e me pasoja do të sjellë në Kosovë forcimin e forcave radikale, por kjo nuk do të ndihëmonte në forcimin e shtetit të Kosovës e për pasojë do të kemi radikalizimin e të gjithë shoqërisë. Edhe nëse Kosova do të pranohej në OKB dhe të gjitha organizmat e tjera ndërkombëtare, edhe nëse Serbia do ta njihte shtetin e Kosovës, edhe nëse do të nënshkruhej një marrëveshje e njohjes së kufijve, përsëri dinamiti mbetet brenda kufirit të Kosovës. Serbët e asocuar në një bashkësi më vehte, me legjislativ, polici e sistem gjyqësie më vehte, por edhe me ekzekutiv te vetin, do të vijonin praktikisht të mos pranonin sovranitetin e Prishtinës në veri të Mitrovicës. Veçse këtë radhe jo me barrikada, jo me vrasjen e policëve shqiptarë, por me ushtrimin e kontrollin e të gjithë pushtetit në territorin e tyre, pavarësisht kushtetutës së Kosovës. Një marrëveshje e tillë nuk do ta ndryshojë aspak gjendjen në terren, krahasuar me situatën e sotme. Madje llogaria e buxhetit të komunave të asocuara serbe do të jetë më vehte, me status të paprekshëm nga ana e Prishtinës, ndoshta edhe me praktika dhe tarifa doganore e tatimore të përcaktuara nga parlamenti serb brenda Kosovës.

Një parlament i bashkësisë serbe në Kosovë, do të transferojë parlamentin e Serbisë në këtë vend, sepse aty do të aplikohen të gjitha ligjet serbe, por aspak ligjet e Kosovës. Dhe në të gjitha këto rrethana, konflikti shqiptaro-serb nuk do të gjejë zgjidhje, përkundrazi do të thellohet më tej dhe shqiptarët në këto kushte do të detyrohen t´u drejtohen mjeteve radikale të rezistencës. Grupi Ndërkombëtar i Krizave sheh vazhdimin e konfliktit nëse marrëveshja shqiptaro-serbe del përtej Planit Ahtisaari dhe ky parashikim është krejt real dhe i pashmangshëm. Një marrëveshje me probleme do ta qetësonte Beogradin dhe Serbinë, por do të shkaktonte një reaksion zingjir të të gjithë shqiptarëve në rajon. Më pas nuk do të kenë më vlerë këshillat dhe ultimatumet për “zbythje” nga retorika nacionaliste, sepse nuk do të ishin politikanët ata që do ta kontrollonin situatën.

Filed Under: Editorial Tagged With: ankthi, bashkesia e komunave te Veriut, Enver Bytyci, shqiptaro-aerb

Ankth mbijetese

February 24, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih

Askush nuk do ta ketë pritur as menduar më herët se edhe pesë vjet pas pavarësisë,ëndrra për shtet dhe zhvillim të shqiptarëve do mbetet si një fletë e kurthuar në një grumbull ferrash të cilat jo vetëm se trupin e saj e bënë shoshë me “therje” por edhe nuk do ta lëshojnë të shpëtoj lehtë nga to. Mbi pesë vjet zhbërje shprese,pasiguri dhe jetë të mundimshme,deri në ankth nga ndërtimi i një shteti gjysmak e jo funksional,ku nuk sundon rendi e ligji dhe çdo gjë mbështetet në nepotizëm,interesa të ngushta e mashtrime,pasiguria për mbijetesë e shqiptarëve në vendin e tyre, sa vije e rritet.

Pesë vjet dështim,dobësi dhe paaftësi udhëheqësish për ta zhvillu dhe qua vendin përpara. Pesë vjet me halle të shtuara, varfëri në rritje dhe papunësi marramendëse, e kthyen shtetin në një krijesë të frikshme,duke i`a ngushtuar shumë kujt edhe mundësinë e mbetjes gjallë në te…gjendje që zbehë ngadalë por sigurt ëndrrën e praruar të pavarësisë, jo vetëm për hallexhinjtë e shumtë në vend.Pesë vjet vuajtje e paqartësi për tërësinë e vendit, pesë vjet deprimim të brendshëm dhe turpërim ndërkombëtar para të huajve që përcjellin dhe vështrojnë sjelljet tona në çdo hap, duke përqeshur paaftësitë e lidershipit për të mbajtur shtet.

Pesë vjet pa ecje të mjaftueshme, pesë vjet pasurim të pushtetarëve dhe varfërim të popullsisë deri në shkallën më të ulët në kontinent dhe ndër më të varfrat në Botë. Pesë ?.. apo kush e di se sa vite të humbura,mbetur prapa gjithanshëm, pa investime të huaja dhe pa zhvillim, pa shpresë dhe të izoluar nga të gjitha vendet e Evropës.

Në Kosovë, Inflacioni, papunësia, deficiti tregtar,padrejtësitë dhe varfërimi ekstrem me rritje marramendëse dhe të pa kontrolluar,të cilat nëse nuk parandalohen mund të çojnë deri në kolaps total,prodhojnë jo vetëm ngecje e probleme tjera bllokuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe rrënim të demokracisë së brendshme në vend.

Sipas asaj që shkruhet e thuhet në shumë media publike, papunësia ka arrit në rreth 50 %,kurse varfëria e skajshme në mbi 20 %,derisa rritja e çmimeve bëhet e pa përballueshme për shumicën e popullsisë në vend, anipse ata blejnë mallra të dyshimta, të helmuara dhe kancerogjene që vijnë nga Serbia, të cilat derisa edhe vet ish shteti pushtues dhe prodhues i këtyre mallrave, i ka heq nga përdorimi, Kosova vazhdon edhe më tej ti shes si artikuj të sigurt.

Si duket shqiptarët të adoptuar nga konsumimi i gjatë i importeve jo gjithëher të mirëkontrolluara, tanimë janë bërë imun edhe ndaj mallrave të kontaminuara dhe helmeve të Serbisë…

Pesë vjet pas, shkaku i korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor,edhe ata pak investitor të huaj që ishin,pothuajse kanë ikur apo janë në ikje e sipër dhe të gjithë treguesit makroekonomik në vendin më të varfër të Evropës, vazhdojnë të tregojnë edhe më tej rënie.

Pesë vjet pas pavarësisë,vendi ynë vazhdon të mbetet vend i skamjes,i krimit të organizuar,dhunës dhe migrimit,të cilat detyrojnë të rinjë e të vjetër, të presin më kot nga dy-tre muaj,para ambasadave të huaja në përpjekje për të marrë një vizë,në mënyrë që të ikin sa më shpejt nga sytë këmbët dhe t`ia kthejnë shpinën atdheut,për të cilin,dikur vet apo etërit, bënë shumë përpjekje e sakrifica që edhe ai ta fitonte pavarësinë!

Ndaj,pesë vjet skamje e vendnumërim,pesë vjet ngecje dhe bllokim,pesë vjet zhgënjim,pesimizëm,frikë e mosbesim, krijuar nga realiteti i hidhur me vuajtje dhe izolim të plotë,sidomos për rinin e pa fajshme të Kosovës,vërtetë janë shumë. Mjerisht, edhe pesë vite pas, shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me frikën e pamundësisë së mbijetesës dhe pasigurinë e ardhmërisë së fëmijëve të tyre, në vendin e vet që e donin aq shumë, ata të cilët dikur të vetmen ëndërr patën çlirimin dhe shpresonin në atdheun e lirë. Athua vërtetë e merituan këtë gjendje?!

22 Shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ankthi, Gani Qarri, per mbijetese

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT