• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË GJURMËT E TRADITËS

July 14, 2021 by dgreca

-“Lundërtari dhe deti – sonete” i Uran Kostrecit-/

Nga Anton ÇEFA/*

Duket sikur poezia shqipe, mbas rrebeshit përmbysës të realizmit socialist, po rifillon të zhvillohet e lirë dhe e shëndtshme në dy hulli kryesore: në hullinë e traditës dhe në atë të poezisë moderne.

            Uran Kostreci na prezentohet me vëllimin me sonete “Lundërtari dhe deti” si një poet që po i lidh mjeshtërisht fijet e poezisë sonë të sotme me atë të traditës, me një profil të përcaktuar poetik e një mesazh shumë të qartë filozofik dhe, mbi të gjitha, larg çdo hermetizmi, që fatkeqësisht po abuzon sot mbi artin e vërtetë poetik shqiptar.

            Tradicionalisht si në zgjedhjen e motiveve, ashtu edhe në trajtimin e tyre, në mjeshtërinë artistike e në elementet poetike, në përgjithësi, ai gjithashtu e ushqen poezinë tonë edhe me motive të reja apo me nuanca të reja motivesh origjinale.

            Kur mendon se poeti, i arrestuar në moshën 23 vjeçare, ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, e natyrisht më të buklurën, në burgje e internime – afër 30 vjet – të rrënqethet shtati, duke hamendësuar se gjatë leximit do të përjetosh përplasjen e rëndë të prangave a kërcitjen e shkopinjve të gomës mbi gjymtyrët e mpira të të burgosurve ose do të hasësh në imazhet e errëta, të lagështa e të ftohta të qelive. Në të kundërtën, poeti rrallëherë kujton zinxhirët, torturat, burgjet e internimet. Ato i rëndojnë frymëzimet, si dikur jetën, dhe ai pothuajse i braktis, duke i lënë në periferi të këngës.

            Poezia e tij do ajër, hapësirë, dritë, qiell e det, erë e furtunë:

T’ harroj un’ dua shpellën me beton

Ku më përgjonte llampa e sporteli…

Frëngjin’ prej ku e shihja pas kangjeli

Coptuar qiellin nga i ziu hon !

                                                            (“Mjaft më”, f. 14)

            Me dashuri të madhe ndaj Atdheut, me një pathos të vërtetë demokratik e më një moral të lartë qytetar, poeti nuk kërkon shpagim “për plagët që më shpoi me gjemba teli”.

            Sot në shtypin shqiptar, në mbledhje e biseda, shpesh me një nevralgji të shfrenuar e mllef shtrohet problemi i dënimit të shkaktarëve kryesorë, që me krimet e tyre i sollën Atdheut aq vuajtje e mjerim. Dhe objektiviteti i së vërtetës historike kërkon që të ballafaqohen me fajin ata, fajtorët e vetëdijshëm, komunistët. Por poeti është gjithnjë poet, gjithnjë fisnik. Dhe kjo në emër të humanizmit dhe të dashurisë së madhe për Atdheun, sepse Atdheu na lutet deri në përgjërim dhe na kërkon:

                        “T’ mos jemi ne Kaini dhe Abeli”

                                                (Idem, f. 14)

            Një kredo patriotike të vërtetë përbëjnë poezitë “Mendohu shqiptar!”, “Mjaft më” dhe “Përkushtim”. Mbasi i gëzohet lirisë së fituar dhe demokracisë që po vendoset, poeti zotohet me solemnitet:

            “Të qaj për gjithë ata që ranë theror

  E të këndoj për diell-demokracinë.”

Motivet mbizotëruese në vëllim i përbëjnë lirikat me një kuptim të thellë filozofik e që parashtrojnë një mesazh të qartë e të shëndoshë për kuptimin e jetës e qëllimin e saj, dashurinë si ndjenja më njerëzore, bukuritë e natyrës dhe vlerën e bukurisë, në përgjithësi, si koncept jo vetëm artistik, po edhe moral e shoqëror, etj. Këto, përgjithësisht janë më të realizuarat artistikisht se të parat. Kemi të bëjmë me një poezi filozofike të ndjerë, larg logjikës së ftohtë arsyetuese, një poezi të frymëzuar, që kultivohet në një mjedis të gjallë, lëvizës, dinamik, me tone optimiste.

“Shpesh mendjen vras a ka kuptim kjo botë?” shqetësohet poeti në poezinë “Kulari i jetës” (f. 28). Si tërhiqet nga dilema e dy poleve të kundërta, hiçi i mbytur në pije dhe ideali i lartë për t’i shërbyer njerëzimit, poeti kalon tek fataliteti i njeriut që dërmohet në punë si kafshë dhe përfundon:

“Oh varrin kur mendoj e vdekje shkretën,

Ngre sytë nga qielli…dua të shoh dritë…”

                                    (“Kulari i jetës” f. 28)

Dritë e kërkuar nga Zoti për të kuptuar qëllimin e njeriut në jetë. Po për poetin është më se i qartë misioni jetësor i njeriut dhe misioni i tij si poet. Është kuptimplotë fakti që poeti ka parapëlqyer titullin “Lundërtari dhe deti”, titulli i poezisë së parë të vëllimit, që sendërton frymën e krejt vëllimit.

            Tradita e poezisë sonë e ka të gdhendur figurën stoike të detarit, që triumfon mbi tallazet e detit, në perlën poetike të Serembes “Dejtënori” dhe në poezitë e Lasgushit. Edhe tek kjo poezi, lundërtari lufton me vdekjen me vendosmëri dhe optimizëm të plotë.

            Poeti jetoi në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë dhe sidomos shumë të vështirë e të rrezikshme për poetët, në kohën kur mungonte liria e fjalës. Merita e Kostrecit është se ai i ruajti thellë në veten e tij frymëzimet dhe tani ia kushton rinisë sonë, të freskëta, të gjalla, plot jetë e dritë. Kur shëmtimi i jetës dhe përdhosja e idealeve fisnike lavroheshin nga diktatura, ai u dashurua pas së bukurës në të gjitha shfaqjet e saj konkrete, po edhe si koncept universal i botës, i jetës, i njeriut, i artit. Ja dy vargje lapidare që dëshmojnë:

                        “Lart u ngjit shpirti n’qiellin tramundanë

                         I etur për të bukurën sublime.”

                                                (“Kënga e mjelmës”, f. 36)

            Erotika zë pjesën më të madhe të vëllimit. Po është një erotikë në gjurmët më tepër të Naimit e më pak të Lasgushit, përsa i takon kahjes së vet filozofike. Koncepti për dashurinë është koncepti për vetë qëllimin e jetës. Vetëm një dashuri reciproke është burimi i një lumturie të vërtetë. Dashuria trajtohet si një ndjenjë e lartë, sublime e natyrshme, njerëzore dhe, në të shumtën e rasteve, ajo përsiatet si një ndjenjë e universalizuar. Nëpërmjet të saj, himnizohet gëzimi i jetës, vetë jeta.

            Poeti i drejtohet vashës:

                                    “Pa ty kuptim s’ka jeta as lezet;

                                     Pushtet e pasuri janë fjalë kote,

                                     Veç ti je lumturi e kësaj bote.”

                                                            (Bukuria, f. 37)

            Bukuria e vashës më shpesh jepet në një mënyrë të tërthortë, pa detaje konkrete në portretin e saj fizik. Përpara bukurisë femërorë veniten dhe stepen të gjitha bukuritë e madhështitë, jo vetëm ato të natyrës së planetit tonë, po edhe ato kozmiket.

            Naimi si panteist ka njëjtësuar dashurinë me bukurinë dhe këtë të fundit me Perëndinë. Kështu përligjet adhurimi i tij ndaj vashës deri në nënshtrim. Por çuditërisht, ja që del sot një poet që i bën Perënditë të falen para bukurisë femërore. Ndoshta sepse trillit poetik i lejohet çdo gjë. Ndoshta për një arsye tjetër. Dhe kjo ka të bëjë me periudhën që kaluam, kur nuk mund t’i këndoje lirshëm vashës dhe dashurisë.

            Motivi i nënshtrimit ndaj vashës arrin skajin final:

                                    “I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.”

                                                                        (Lëngimi i ëmbël”, f. 42)

Sigurisht këtu kemi të bëjmë me ndikime nga poezia jonë e traditës, kryesisht nga Naimi e Poradeci. Remenishencat në shtjellimin dhe teknikën e lirikës erotike shkojnë deri tek poezia e dikurshme persiane dhe letërsia klasike italiane, të cilën Kostreci e shijon aq mirë në origjinal. (Kujto simbolikën erotike të Saadiut dhe sonetet e Petrarkës për Laurën).

            Tablo lirike shumë të bukura, të vizatuara me ngjyra të gjalla e shije të hollë, përbëjnë poezitë për natyrën, të denja për t’u renditur në antologji lirike dhe në librat shkollorë, si p. sh. , “Mbas furtunës”, “Deti”, “Hëna”, “Trishtim vjeshte”, etj.

            Të njëjtit nivel arttik i përkasin edhe disa motive të tjera të trajtuara rrallë ose të patrajtuara në letërsinë tonë, në disa raste me vlera të theksuara edukative e didaskalike. Të tilla janë: poezia me nota elegjiake “Prindërve të mi”, një himn i vërtetë për dashurinë ndaj prindërve, ku një syrgjyn vajton sepse u ka vrarë prindërve ëndrrën e thurur për ardhmërinë e tij, ose “Soditje”, ku vazhdimësia e jetës së prindërve tek fëmijët e zhduk vrazhdësinë e vdekjes, e mohon atë, duke i dhënë jetës njerëzore përmasat e amëshimit. Me interes dhe të bukura janë poezitë: “Veneracion”, ku përgjithësohet denjësisht, si në folklor, figura e vajzës shqiptare, dhe “Dy mbesave”.

            Elemente novacioni në fushën e gjetjes dhe të shtjellimit të motiveve na përcjellin edhe poezitë” “Lumi i shqetësuar”, “Kur ndizen dritat”, “Vetëvrasja e Narçizit”, etj. Në këtë të fundit ngjizet një ridimensionim i kësaj figure mitologjike. Narçizi   që “në shterp idil meskin u përvëlua” vetëvritet, kur bindet se ai nuk mishëron bukurinë fizike njerëzore në superlativ.

            Sonetet janë shkruar me një teknikë të saktë dhe më një figuracion të pasur e të zhdërvjelltë. Mbizotërojnë krahasimet, antitezat e më pak epiteti. Kadenca ritmike,  gjithnjë e përdorur me mjeshtëri, në bashkëveprim me shkallëzimet dhe aliteracionet e pasura e të zgjedhura me kujdes krijojnë një muzikalitet sugjestionues dhe harmonik. Me këto elemente dhe me gjuhën e pasur popullore, ku nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, poeti ka krijuar lirika të bukura, që e pasurojnë poezinë tonë. Në fushën e figuracionit, të sintaksës dhe të fjalorit poetik ndihet qartë ndikesa dhe vazhdimësia e artit nolian  dhe lasgushian.

            Në njërën prej poezive tingëllon angazhimi i poetit. Është “Kënga e mjellmës” (f. 36). Jo e asaj mjellme që sipas legjendës këndon vetëm një herë pas vdekjes, por si kënga e një krushku që niset për dasmë:

            “Përpjetë në parnasin e thepisur,

             E t’mjellmës këngë, tash, në mugëtirë…

             Me qejf ia merr…si krushk për dasmë nisur.”

            Lexuesit do ta vlerësojnë poetin e do t’i urojnë shëndet e jetë që të vazhdojë ta pasurojë e begatojë me realizime të reja dhe më të bukura sofrën e letërsisë sonë.

 *Shtypur në Tipografinë Ushtarake, Tiranë, 1993

Botuar në “Dielli”, Nëntor-Dhjetor, 1993

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Lundertari dhe Deti, Uran Kostreci

VOKACIONET DHE “KONTRADIKTAT” E NOLIT

July 14, 2021 by dgreca

Nga ANTON ÇEFA/

Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

            Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre.

            Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat. Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë. 

            Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

            Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

            Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

            Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim e mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, si person, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

            Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

            Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

            Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

            Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj.  Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

            Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror?  Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

            Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

            Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

            Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

            Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

            I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

            Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar “kontradiktat” e tij. 12)

            Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

            Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

            Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

            Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

            Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

            Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit  letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

            Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferike të ndërgjegjes kombëtare.

            Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës –  “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

            I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjet universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.

II

Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.

Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.

Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.

Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.

Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.

            Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.

            Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 19), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.

            Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.

            Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.

Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!

Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë”. 20). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!

            Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik

Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 21), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.

            Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 22). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.

Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.

Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 23).

Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.

Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysmën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 24).

            I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.

            Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.

            Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 25).

A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.

Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.

Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.

            Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).

Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.

            Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 26).

Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.

            Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:

                        “Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

                        janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,

                        tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”

            Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.

            Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.

            Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.

            Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës së proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,- premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”

            Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo “kontradiktë” ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.

Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 27).

Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.

Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.

Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 28).

Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kujt e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?

Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.

Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 29). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.

Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.

Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Diku tjetër është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!

            Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.

(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)

Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mendja satanike e njeriut.

Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.

Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.

Referencat dhe shënimet:

1). “Flamurtar i kombit”, përmbledhje e një seminari studimesh, i organizuar nga “Vatra”, në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit, dhe botuar nën editimin e Eduard Liços, në Boston, Mass.; artikulli “Kontradiktat e Nolit”(f. 63), artikull pa autor, por i shoqëruar me shënimin: “Përmbledhur nga një shkrim që pat dalë në revistën ‘Mbrojtja Kombëtare’, botuar në N. Y., në v. 1966.

2). “Rubairat e Omar Khajamit” I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi. Edicja e dytë e ndrequr dhe e plotësuar, Bruxelles, 1927, f. 13-14.

3). Namik Resuli “Fan Noli sot”, në “Flamurtari i Kombit”, f. 10-11.

4). “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike prej Qerim Panaritit”, Boston, Massachusetts, 1966.

5). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f. 10-11.

 6). Fan S. Noli “Autobiografia”, Prishtinë, 1968, f. 27.

7) Po aty, f. 31.

8). Rev. Arthur Liolin “Reflektions on Metropolitan Theophan S. Noli”, në “Flamurtari i Kombit”, f.111.

9). Po aty, f. 111: “We know also that he considered his translation and compilation of the Kremtore Menaion…as his most rewarding achievement”.

10). “Dielli”, June 1, 1982, p. 12.

11). Rev. Arthur Liolin, artikulli i cituar, f.111.

12). Edhe vokacioni letrar i Nolit është i hershëm: ai botoi skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas”, në vitin 1903. (“Noli Vepra 1”, f. 381).

13). Hobhouse, J. C. a Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810, London 1813, p.148.

14). Kështu, kur diskutohet për “homo balcanicus” duhet saktësuar mirë vija e brendshme e demarkacionit të “njeriut ballkanas”, gjë që vijëzohet në faktin se si e identifikon veten ai. Fatmirësisht, shqiptari, i dalluar për qartësi të plotë të vetëdijes etnike, nuk e ka identifikuar veten me besimin, siç kanë bërë dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite grekët e serbët.

15). “Flamurtari i Kombit”, f. 28.

16). “Rubairat e Omar Khajamit”, f.14.

17). Po aty, f. 14.

18). “Noli Vepra 1”, f. 51.

19). “Flamurtari i kombit”, NY. 1982, f. 66.

20). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, 1998, f. 280.

21). Për ato që e kanë të qartë konceptin e revolucionit, nuk paraqitet nevoja të argumentohet që ngjarjet e qërshorit 1924 nuk mund të cilësohen si revolucion. Vetë “Luigj Gurakuqi, në një intervistë që dha në gazetën ‘Popolo d’Italia’ deklaroi se ngjarjet e qërshorit 1924 nuk ishin një revolucion i vërtetë, por një grusht shteti.” (Cituar nga Robert C. Austin: “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit-Demokracia në Shqipëri në vitet 1920-1924”, f.84).

22). Akademia e Shkencave e PS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i lëtërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f .392.

23). Robert C. Austin, vepër e cituar, f. 197.

24). Donald Kagan, Steven Ozment, Frank M. Turner, “The Western Heritage”, Fourth Edition, Volume II, p. 868.

25). Po aty, f. 1135.

26). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Naples, Fl., 1998, p. 676.

27). Revista “Fryma e Re”, Tiranë, 1993, nr. 1, f. 5.

28). Qerim Panariti, “Fan S. Noli, Albumi II”, Boston Mass. 1996, f. 112.

29). Akademia e Shkencave…, vepër e cituar, f. 39.

Botuar në “Dielli”, viti 2002, nr. April-June & July-December.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Kontradikatat e Nolit, Vokacionet

Trokitje drite

May 22, 2021 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Autoportret/

I zhveshun jam/

nga mishi i flashkët/

nga ashti i ngurtë/

nga vetja/

i zhveshun jam./

 Nji tingull,/

nji ngjyrë,/

ndoshta aromë/

a frymë e nji reje të epër/

që kullohet në folezë të dritës

e rigon ujna të qelqtë

mbi ankthet.

Trokitje drite

Kjo asht dhoma

Ku u fute nji ditë në jetën time

Me do trokitje drite.

M’qe ngri mendimi n’ballë

E fjala n’buzë.

Emni yt

Dritë që troket

Deri në të sosun të stinëve.

Nata u dogj

Nata u dogj

Në magjen e shpirtit.

Drita yllësish ndezin në damarë

Misterin e dashtnisë.

Bukën e lumturisë

Mbruejnë duert e dhimbjes

Në këtë dritë.

Thirrja e kësaj nate asht dashtni,

Asht emni yt thirrja e kësaj nate.

Hija e strehës

Errësohet dita

Plot dritë ma parë.

Kshtu fjalët që më pate thanë dikur

Nën hijen e nji strehe

E më ndjekin si hije

Atëherë e sot.

Edhe atë ditë shiu nuk pushoi.

Emni yt qe dalldì

E dhimje

E flakë

Ndër skutat ma të errta

Të ditëve, deri atëherë të patrazueme

Të adoleshencës  time

Të brishtë.

Je nji trëndafil

Je nji trëndafil

Që ke mbi mi zagnat e gjakut tim

Si nji varg i Sadiut.

Me gojën e t’ etshmit pij ujë

Në blerimin e gjethnajës tande

E kurr s’e shuej etjen.

Zogjt e fjalës sime

Të dejun aromash

Melodinë e dhimbjes

Çurlikojnë nder gemat tuej

Pa iu lodhun gushat njiherë.

Perjetësisht e perndezun

Rrezëllima e ninëzave të jermit tim

Pahitet mbi perlat ngjyralle

Të gonxheve tua n’shperthim.

Të preku me dorën e mallit

E më duket se deri në palcin e brengës

Më therin gjembat tuej.

E pakapshme

-nji kokete-

E pakapshme,

Dëlir që flirton me veten

E vetes i mungon.

Të knaqë prania e shikimeve lakmuese

Që vuejnë bardhësinë verbuese

E lakimet e epuna të shtatit tand të hajthem.

Nji gjysmë buzëqeshje çelun n’ironi

Të ngjitet deri në ballë, ndër sy,

Të zbret kudo, në gji, ma poshtë,

Deri ndër gishta të kambëve.

E pakapshme,

Dëlir që flirton me veten

E vetes i mungon.  

Vallëzove e dehun

Zemra ime e hapun

Si kanatat e nji kabareje.

Ti hyne, e dashtun,

E  vallëzove tanë natën e gjatë.

Takat tua,

Të pamëshirshmet takat tua

Shkelen randë

Në parketin e pasionit tim të sinqertë.

Po si s’u kujtove, e dashtun,

Se jeta nuk asht natë

E zemra ime nuk asht kabare ?

Nuk shkelet kësisoj mbi dashtninë

Shetisim pranë e pranë

Si dikur.

Hapat tonë shklasin

Mbi gjethet e trishtimit

Që ka hedhun vjeshta,

Si patm shkelë nji ditë

Mbi dashtninë.

Kam mbetë per ty

Si afishet e nji filmi të bukur

Të zhdukun prej kohësh

Dhe ti per mue

Si fjalët e nji gjuhe të huej,

E pakuptueshme.

Refrenin e pendimit fishkëllejnë

Degët e mpira: 

“Nuk shkelet kësisoj mbi dashtninë.

Shpatoret e kujtimeve

Shpatoret e kujtimeve

Mbi varre lulesh n’harrim

Nuk më shpojnë ma

Si nji ditë.

As pjalmi i tyne

Nuk pllenon ma

Copëza jete.

Sa do ta dëshiroja xhixhillojen

E natës së majit në ndriçim

Të rrënojave të mallit tim

Të dikurshëm.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Çefa, Trokitje Drite

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË

March 16, 2021 by dgreca

Nga Anton Çefa */ DIELLI/

Me nji shkallë që m’çon jashtë kohe/

Ngjitem shtat fill mbi qiell/

Në kërkim të Fjalës së urtë,/

U ngjall apo s’u ngjall/

Umbru apo s’u mbru ai brumë i urtë i fjalës/

E zbres shtat pash nën dhé, e zbres e ngjitem/

Në kërkim të fjalës së urtë/

E zbres e ngjitem në nji shkallë qim’çon jashtë kohe,/

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,/

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks/

E therë mendimin, atë ma të fismin/

E therë mendimin e plagës që lëngon mu n’zemër/

Të tokës sonë./

A thue nga alkimi e kohës së pakohë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

²

Ju orakuj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me zaKasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se fruti i urtë i fjalës ka ra

Siç bie njifrut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhé të huej.

Shporrnju u tham, si EdgardPoe dikur korbit të zi,

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë ifjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai zaKasandre

Gjimonkërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Që ra e bie nga pema si frut i kalbun.

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit të urtisë së malit?

²

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju qëkëtej

 E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – thaai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prapë, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtëi saj.

Kështu edhe për ty, o Toka ime e djegun,

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambël,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

II

Si Sizifi, deri në zgrip të fjalës shkoj

Me torbën randue me ranën e mendimeve

Me torbën e randë sa guri i Sizifit

Që nji lugat i zi e trazon papra.

Deri në zgrip të fjalës shkoj e me Sizifin

Kaptoj errësinat e këtejme e të përtejme,

E prapë më rrokulliset torba mu në maje

Të kodrës së errtë të heshtjes.

Torba me litanitë e mëdha që jeh u bajnë

Kumonëve që bien përzishëm.

Ka vdekë filani e fisteku.

Thue se ata nuk qenë të vdekun

Mbi rrasë e nen rrasë, mbi gur e nen gur

Mbi dhé e nën dhé të kohës së pakohë.

A thue guri e humb peshën e fjala e urtë kuptimin,

A thue humbet fjala e urtë e farës

Që hodha dikur në zagna fletësh ?

Të gjithë e dinë se guri i randë peshon n’vendt’vet,

Po ne e morëm peshë, e hodhëm tutje tej

E rrokullisem rrëmoreve të mërgimit,

rrëgallave, humnerave të udhëve të pafund.

Në zgrip të fjalës e të heshtjes bana udhë e udhë,

Në zgrip të udhës eca, mu në zgrip

Si bannji fjalë e urtë, nji fjalë e thënë

Për zgripet e kohëve të pakohë,

Kohëve të stihisë që hangrënnandëdjelm

e nandë nuse

E që banë kërdinë e zezë, kërdinë e kuqe

E luftë e murtajë, e zjarr e rrenim,

Stihi e zezë që i hangrinanësnandëdjemtë

Në atë kohë të pakohë, mësyshje e mendimit të çmendur,

Në atë kohë të pakohë kur Kostantini harroi besë e fé

E nuk i hypi revan kalit të besës

E Duruntinës s’i binte ndër mend për vallet.

Në atë kohë fjalën nën gur e lashë,

E gur mbi gur, e gur nën gur

I vuna porta territ e zezonës,

Zezonës së zezë, zezonës së kuqe.

Po atë fjalë të bardhë në gropën e errtë

Ku e pata lanë dikur, e gjeta të urtën,

e gur nën gur e gur mbi gur

ku e pata lanë dikur, e gjeta, të urtën.

E vazhdimisht zbres e ngjitem, ngjitem e zbres

Në nji shkallë që m’çon jashtë kohe,

E shkoj deri te sofra e Zotave që Homeri shtroi n’Iliadë

E ata gërvallen në bankete

E qiell e dhe e shkundin me kangë e britma,

Gajasen së qeshuni e shajnë e grinden

E venën e çojnë me katrova dashtnije e urrejtje,

E nuk pyesin fare përkërcënimet e Zeusit

Dhe fjalën e urtë nuk e thotë askush.

As Zeusi në qiell, as Posejdoni në det

E as Hadi, i plotfuqishmi i zi i territ

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma fisnikun,

Mendimin e shtegut të lirë, që i prinë fjalës së urtë

Askush s’e thotë.

Dhe unë ngjitem e zbres,

e zbres e ngjitem

Në shkallën që më çon jashtë kohe

E zbres e ngjitem, e ngjitem e zbres në kërkim të fjalës së urtë.

Ç’të shoh!Fjalën e urtë kryqzue me gozhda e gjak

Mbi kryq të kohës së pakohë.

*Marrë nga libri i autorit Anton Çefa

“Tinguj e ngjyra Shqipërie”

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Çefa, NË KËRKIM, TË FJALËS SË URTË

ARSHI PIPA, JETA DHE VEPRA …

December 7, 2020 by dgreca

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh…

Nga Anton Çefa-

Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.

Arshiu u lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”.

U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetnor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetnore të Shkodrës dhe të Durrësit. I brumosun me ideale fisnike, antifashist dhe antikomunist i vendosun, krahas punës së tij si mësues në shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit, që heret u fut në rrugën e vështirë të artit e të kulturës kombëtare. Në vitet 1943-44, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re , nxori revistën “Kritika letrare”, në të cilën dallohet për nji trajtim origjinal dhe objekiv të personaliteteve, veçori që do ta shoqnojë atë edhe ma vonë në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen figura të tilla të letersisë e të kulturës sonë si Konica, Noli, Migjeni, etj. Eseja e tij e shkrueme për Konicën e dëshmoi atë si një kritik të kategorisë së parë.Ajo mbetet dhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e krtikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Bashkëpunon me artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës dhe shkruen poezi, të cilat i boton në vëllimin “Lundërtarë”, 1944, nji përmbledhje lirikash që dëshmon nji talent në shperthim.

Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.

                Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).

                Në vitin 1960, filloi punnën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas. Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University . 

                Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). 

Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).

                Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe. Gjatë vitit 1970, ka konceptue dhe hartue Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane.

                Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes. Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 Shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

                      *   *   *

                Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikës, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

                Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

                Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, që trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

                Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush. Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

                Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

                Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukurive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue. “Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

                Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shtypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des etudes sud-est euripéennes”.

                Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungarettin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

                Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante’, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

                Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj. Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën). Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

                Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

                Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

                Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

                Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

                Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989.

Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj. Në “Dielli”, Pipa kritikoi ashper veprimet anti-demokratike të forcave politike qi dolen në skenë fill mbas rrximit të diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret e të dënohet pergjegjësia për atë çka ndodhi gjatë viteve të regjimit komunist.

                Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe, në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos” (Kaliforni).

                Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Breë, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

                Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

                Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj. Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

                Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat, kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

                Arshiu vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe hini të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

                Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

                Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Studiues të ndryshem dhe institucione kulturore demokratike kanë punue me sukses me e ba  të njohun jetën dhe veprën shkencore e letrare të tij. Janë botue ese, studime, monografi, janë ribotuar vepra të tij, etj. Pak asht punue në diasporen tonë në  këtë drejtim. Per t’u permendun asht artikulli me shumë vlerë i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”. Shkroi për Arshiun kohët e fundit  Frank Shkreli..

Referenca

1). Për veprimtarinë mësimdhanëse të Pipës në universitetet amerikane, shih Wikipedia-Enciklopedia e lirë.

2. Ma hollësisht për këtë problem, shih Sami Repishti, “Me rastin e pervjetorit të parë të vdekjes, shoku im Arshi Pipa”, “Phoenix”, nr. 5-6, v. 1998, Shkodër.

3). Citim simbas: Hans-Joachim Lanksch, “U shue pishtari i kulturës shqiptare dhe i mendimit nonkonformist, Arshi Pipa”, “Dielli”, July-September, 1997.

4). Eleni Karamitri, “Arshi Pipa dhe Peter Prifti: lidhje miqësore dhe shkencore”, Illyria”, 24-26 janar, 2006.

5). Italo Costante Fortino, “Dal Realismo socialista a una nuova letteratura albanese” (“Nga realizmi socialist te nji letërsi e re shqiptare”), “Hylli i Dritës”, nr. 5-6, v. 1994, f. 46

6). Astrit Lulushi, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, “Illyria”, 3-5 prill, 200

*     *     *

Profili filozofik i Pipës

Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.

Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.

Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme. 

 Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin  Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj. 

Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin. 

Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”. 

Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.

Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.

Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”

Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”

Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.

Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.

  *   *   *

                Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).

                Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.

Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.” 

Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”

Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës. 

Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit. Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.

“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.

Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 

Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.

Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.

  *   *   *

Historia e librit “Skicë e një konceptimi mbi jetën”

Nga  Nedrete Kalakula (motra e Arshiut)

Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.

Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.

Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.

Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin

 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.

Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.

Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.

Arshiu për gjuhën shqipe.

Gjuhën tonë, Arshiu e njohu dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qëndrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 1). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 2). Arshiu e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskërisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”; kurse Virgjilin në toskërisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 3). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukurie, ndërgjegjja e disa intelektualëve, kryesisht atyre që ushqejnë mendësinë e kohës së diktaturës për këtë çështje madhore, është ajo që është: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, Arshiu merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; një përfundim të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë presë, (siç thotë një shprehje popullore), dhe që më në fund është pranuar prej të gjithëve.

1). Shpend Topallaj, “Dy jetë paralele – Rreth librit të Uran Kalakullës me titull “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”.

2). Idem

3) Ibidem

Më vjen mbarë të shtoj edhe dy fjalë rreth personalitetit të tij. 

Arshiu qe atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindur, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhur, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale ua kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruante në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhur në Bronx qëndron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut Historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktaturës ose nostalgjikët e tyre, e kanë të zorshme të pranojnë një personalitet të tillë si Pipa, që i ka demaskuar një jetë të tërë.

     *     *

Shemo Hajduti

 Gjirokastër, ishe zonjë!

Gjirokastër, mbeç beronjë!

Zure, vrave një shqiponjë,

le pa këngë një milonjë !

Me të dalë nga shtëpija

ra pisqolla te pusia.

“Moa u vra, o Shemo kot

jemi shumë, s’iken dot”.

Uturin  përroi e zalli

“S’dorëzohem për së gjalli!

Mos gëzo këlysh dobiçi,

s’ta harron  Shemo Ogiçi!”

Katër plagë trimi muar

dy në brinjë, një në duar,

tjetën mu në kraharuar.

Në bodrumet e kalasë

vjen Hysni Pashaj t’i flasë

“Ja lëroni ca litarët!

Fol, hajdut, dëshmo të vrarët,

se ke djegur e plaçkitur,

duke shkelur, neveritur

ligjet, forcën e Sulltanit,

kunder dinit e vatanit.

Vilajetit kale datën.

 Të kam ndjekur ditën,natën

dimër, verë që nga prapa:

Shemo, më në fund të kapa!”

“O Pasha që flet mbi fron,

s’jam ashtu si më gjykon.

Me koshadhe me xhandarë

më ke ndjekur, të kam vrarë.

Për haraç të marrë armikut,

për grabitjen  e çiflikut

të një beu, të një agaj,

paskam faj, i thënçin faj !

Kam plaçkitur edhe stane,

ku kish mjaft, edhe karvane.

Po të thotë një njeri

se rrembeva misër, dhi

nga një bujk, nga një bari.

Unë çupa kam martuar,

pleq, bonjakë kam ndihmuar.

Se nuk thashë peqe, lepe

për nizamë e për xhelepe,

për një mbret në vend të ti

që s’më di dhe që s’e di,

jam hajdut, dua më mirë

të rroj malesh ujk i lirë

se sa balo me zinxhirë!”

“Shemo, nesër që  me natë

të këtillë ligjëratë

bëja lakut edhe rrapit!” 

“S’pres mëshirën e kasapit!

Amanet , Pasha,  një gjë:

porosi Lulës i le:
të martohet. E grabita

kur ish foshnje, vet’e rrita,

ësht e re, njeri nuk ka;

djemt t’i jepen tim vëlla!”

Gjirokastra  mal e brigje,

qan një grua qan me ligje:

“Pse të njoha, korba, kurrë!

Lulja jote s’merr ma burrë!

Do rris djemtë, t’u kallë zjarrin

gjakun tënd ata ta marrin.

Pasuri , oxhak nuk dua,

do të bredh krua më krua

të degjoj këngët e tua!”

     *     *     *

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës

(Viti 1941)

Përzgjedhur nga Anton Çefa

                “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,

                                                                                                                errësina qi bahet dritë”

Arshi Pipa

Agim

Andrrat bahen tëë shkurta,

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,

U ndihet murmurimi.

Te hyjzit vezullimi

Asht i shqetë,

E fryjnë era të imta.

Fergullon tash e cikun

Gjethnaja.

Agim te maja.

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë 

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole 

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Çefa, Arshi Pipa, Jeta dhe vepra

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT