• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tribuni i demokracisë Pjetër Arbnori

July 3, 2016 by dgreca

Fjalë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore për Pjetër Arbnorin në tubimin e organizuar nga “Vatra” më 9  shtator 2006

 Nga Anton CEFA*/

Ndoshta më i afërmi ndër shokët e tij të fëmijërisë dhe të rinisë kam qenë unë. Rrethanat e jetës i ndajnë dhe i largojnë njerëzit, por zemrat e shokëve e të miqve nuk njohin ndarje.

Vdekja e tij e parakohshme dhe e papritur më tronditi aq shumë sa që nuk qeshë në gjendje të merrja penën. E pra, unë kisha shkruar për të dhe kisha aq shumë për të thënë. E kisha detyrim, e ndjeja si peng, por edhe si çlirim shpirtëror nga dhimbja; megjithëse e dija që nuk do të shpëtoja nga ajo dhe nuk e ndjej se po përligjem e po qetësohem me këtë Fjalë në këtë tubim të bukur përkujtimor që po organizon “Vatra”. Ai  ishte mik i “Vatrës”, i historisë dhe bëmave të saj të shkëlqyeshme; dhe në një vizitë që i bëri “Vatrës”, pati deklaruar: “Në ‘Vatër’ e ndjej veten më ngrohtë se kudo”. Dhe ‘Vatra’ e priti dhe e përcolli me dashurinë, dashamirësinë dhe nderin që pritet një mik i shtrenjtë.

U rritëm bashkë. I kishim shtëpitë jo më shumë se 100 hapa larg njëri-tjetrit. Nga dera e oborrit e shtëpisë sime, përtej rrugës dhe dy gardheve, e shihja atë kur dilte në kopshtin e “Shtëpisë së mbetur përgjysmë”, siç e ka titulluar ai romanin kushtuar viteve të fëmijërisë dhe të rinisë.

Pjetri erdhi në lagjën tonë, në vitin 1942, shtatëvjeçar. Kishim një diferencë fare të vogël moshe, vetëm 5 muaj. E kujtoj që në fëmijëri me atë natyrë të qetë që e ka karakterizuar gjithnjë – refleks i një flegme pjekurie dhe maturie të hershme, që ndrydhte në çdo rast impulset e mospajtimit dhe kundërshtimit deri në protestë ndaj së keqes, në çfarëdo ngjyre që të shfaqej ajo dhe prej çfarëdo drejtimi që vinte.

U nisshim për shkollë, mbasi zgjoheshim shumë heret, porsa dilte drita, nga zhurma e mitralozave që lajmëronin Shkodrën se në periferi të qytetit, pas varrezës së Rmajeve- shumë afër lagjes sonë, u pushkatuan edhe një grup “reaksionarësh”, mbi të cilët rëndonte një faj shumë i madh: ata e donin Shqipërinë ndryshe nga komunistët, që po ia bënin fli politikës sllave dhe paçavureve marksiste-leniniste. Për gjithë qytetin, e edhe për ne fëmijët, në atë kohë unë e Pjetri kishim shkelur në të 12-in e në të 13-in vit të jetës, bëhej objekt i përgjithshëm diskutimi ngjarja e përgjakshme. Shqiptoheshin emrat, flitesh për rrethanat e jetës dhe viheshin në dukje meritat e secilit prej martirëve.

Dy shkollat e mesme të qytetit, pedagogjikja dhe gjimnazi, që zhvillonin mësimet në të njëjtën ndërtesë, qenë bërë qendër e rezistencës së rinisë shkollore kundër komunizmit. Për ta mposhtur këtë rezistencë, qeveria pati sjellë si nxënës konviktorë kryesisht nga Jugu i vendit ish-partizanë a djem të tyre, që i kishim ndër klasa, por që ishin 4-5 vjet më të mëdhenj nga ne. I mbaj ndër mend si sot mbledhjet e tendosura nervash, që organizonin ata me britma çjerrëse e kërcënime, që përfundonin në oborr të shkollës me rrahje. Këta “revolucionarë të çartur” i sulmonin të rinjtë që përjashtoheshin herë pas here nga shkolla dhe i rrihnin kafshërisht. Ky kontigjent, i çmendur politikisht dhe i çoroditur moralisht, mbas mbarimit të shkollës dërgohej për të studiuar jashtë shteti, në vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Mbas përfundimit të studimeve këta elementë u bënë kuadro të atij regjimi kriminal, që sundoi për 50 vite. Edhe sot e kësaj dite, mjerisht, pa i vrarë ndërgjegjja fare për çfarë i bënë popullit dhe   atdheut, shetisin në rrugët e kryeqytetit, kryenaltë për bëmat e tyre të fëlliqura.

Në këto rrethana u formuam me një urrejtje të ligjshme kundër komunistëve. Kur u ndamë, unë u emërova mësues në rrethin e Matit, (ai, një vit më vonë, në Dukagjin), i dhashë një poezi prej dy sonetesh, që ia kisha kushtuar atij sikurse edhe ndonjë shoku tjetër. Titulli qe: “Kah galeritë e ardhmenisë arbnore”, që ai e ndryshoi: aty për aty: “Kah katakombet e ardhmenisë arbnore”, si për ta parandjerë zezonën që do t’i ndodhte atdheut. Dhe shkroi: “Questo e il mio dramma che pianger’ mi fa”. (Kjo është drama ime që më bën të qajë). Me shumë poezi të tjera u dogjën edhe sonetet e katakombeve. Mbaj ndër mend vetëm strofën e parë dhe disa rreshta të shkëputur:

 

“Ndër sytë e tu, gjurmues t’ mendimit pashë

Shqetinë e vlagshtë për botën e praksueme

Shqetinë qi thekshem shpirtin t’ vrau e n’ fashë

Zemrën s’ta la jo kurr n’ ndiesi t’harbueme.”

Pjetri në atë kohë shkruante poezi satirike. Kishte një talent të rrallë. Letrat e tij derdheshin në një harmoni të çuditshme satire. Koha i zhduku të gjitha.

*   *   *

 Arbnori na ka lënë një pasuri të madhe shpirtërore në disa fusha: rrugën teorike dhe praktikën e politikës së tij për ndërtimin e demokracisë, veprën letrare, të cilësuar si “koherencë shembullore njerëzore dhe artistike” të jetës së tij dhe, mbi të gjitha, plarformën e përpjekjeve në rrethana të jashtëzakonshme jo vetëm për të mos iu nënshtruar, jo vetëm për t’i dalë përballë, por edhe për ta mposhtur të keqen, poshtërsinë, të shëmtuarën, ferrin e diktaturës, atë që ai e ka quajtur “Lufta për të mbetur njeri”, luftë në të cilën pati shumë luftëtarë të shquar dhe Arbnori qe një nga më të shquarit. Kështu e ka quajtur ai ditarin e tij sekret të mbajtur në vitet e gjata të burgut, sipas një kodi të veçantë, për dëshifrimin e të cilit ai vazhdonte të punonte para se ta tradhëtonte vdekja.

“Në mënyrë të ndërgjegjshme – ka shkruar ai në librin e tij ‘Martirët e rinj në Shqipëri’ – iu futa një rruge që më çoi në një burgim të gjatë. “Të mbetesh njeri – vijon ai më poshtë – nuk është ndonjë trimëri e madhe, por është detyrë. Megjithatë nuk ka qenë e lehtë të luftoja për të ndërtuar një strehë pa lënë tjetrin në shi; të siguroja një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja, të përpiqesha të shkollohesha pa e lënë shokun në errësirë, të rropatesha në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut që kisha pranë. Në kushte tepër të vështira e quaj arritje që kam shpëtuar pa u turpëruar dhe kam mundësi t’i shikoj shokët, miqtë dhe armiqtë drejt në sy.”

*   *   *

Mendoj se është me vlerë të them shkurt, vetëm dy fjalë për “tabanin” e edukatës familjare ku u rrit Pjetri, meqë nuk e di a ka folë kush për këtë. I ati, Filip Toma, oficer i xhandarmërisë shqiptare, i njohur për tri “pa” – i pakorruptuar, papërkrahës, pa shtëpi”, u vra duke luftuar trimërisht kundër komunistëve në v. 1942, mbasi pati luftuar edhe me 7 prill kundër pushtimit Italian. Me 5 prill të v. 1939, ai i vuri në dorë të birit katërvjeçar, Pjetrit,  nagantin dhe e ndihmoi të tërhiqte këmbëzën, sepse kishte lindur trashëgimtari i Mbretërisë Shqiptare. Gjithsesi, ky njeri me tri “pa”, i pati lënë të birit një bibliotekë të pasur.

E ëma, Gjystina a Dyta, siç e thërrisnim në lagje, një nënë më stoike e më të përcaktuar në detyrën e saj si prind nuk kam njohur, ndikoi shumë në edukimin e të birit. Pjetri kujton disa parime të kësaj nëne, që shkëlqente nga dinjiteti për rezistencën e treguar ndaj reprezaljeve të regjimit komunist, dhe që ai u përpoq t’i ndiqte:

Të mbështetem në besimin tek Zoti.

Të ruaj krenarinë e familjes.

T’i shtrohem punës me zell e këmbëngulje.

Të mos i ankohem njeriut për hallet e mia.

Të mos turpërohem moralisht.

Të mos prek gjënë e botës.

Të mos tradhëtoj as miq as të huaj.

Të mos bëhem shërbëtor i askujt.

Të mos e humbas humorin as në kushte të vështira.

Pa u shitur trim të jem qëndrestar.

*   *   *

Për qëndrimet politike të Arbnorit mbas rënies së diktaturës nuk do të flas. Janë të njohura prej të gjithëve: I ekuilibruar në atë kaos çekuilibrimi të përgjithshëm të politikës shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit; i përmbajtur e gjakftohtë përballë të ndërsyerve të shfrenuar; i vendosur pa kompromisin më të vogël në luftën e tij për demokraci dhe procese integruese ndaj strukturave evropiane dhe evroatlantike, me shpresë e besim të plotë në një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Ai i qëndroi besnik politikës dhe partisë ku aderoi që në fillim, por politika e braktisi, siç kishte braktisur edhe demokratë të tjerë të vërtetë për t’i zëvendësuar me “katovicas”, mjeshtër të kualifikuar për ta penguar dhe për ta çoroditur demokracinë.    E merrja shumë rrallë në telefon. Nuk doja ta trazoja, por e ndiqja hap për hap jetën e tij përmes njerëzve të familjes sime dhe shokëve. Disa ditë mbasi u dhanë rezultatet e zgjedhjeve, s’u durova më dhe i merakosur, i telefonova. Me një zë si të huaj, m’u përgjigj: “Flitet për një emërim në ambasadën në Vatikan, por deri tani asnjë njoftim zyrtar nuk kam; por vazhdoj të punoj në kuadër të Institutit “Alqide de Gasperi” (një institut që merrej me studime politike, të cilin e drejtonte ai vetë) dhe, si gjithmonë, vazhdoj të shkruaj.”

Thonë që “ishte i lodhur”. Vërtet, por po të ishte atje në Bruksel për të përfaqësuar Shqipërinë, zëri i tij do të dëgjohej më shumë se zëri i çdo tjetri. Vërtet, Evropa që e kishte futur në “Fjalorin ndërkombëtar të biografive” “për kontributin e shquar për të mbetur njeri”; në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare” “për nder të kontributit të tij të shquar për të drejtat e njeriut”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatë merite shpallur në të gjithë botën” “për shërbim të shquar, i cili dhe është shënuar në vëllimin XXVI”, në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatën për njohje të arritjeve të shquara, të cilat janë regjistruar në botimin XIII ‘cilët janë intelektualët ndërkombëtarë”, dhe  titullin  e Asamblesë Parlamentare të Vendeve Frëngjishtfolëse ‘Oficer i madh i Urdhërit të Plejadës”,  etj.; Evropa do ta kishte pranuar dhe nderuar më parë se cilindo, siç e pati pranuar dhe nderuar, kur Arbnori firmosi për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e saj. Arbnori kishte një ideal të lartë për demokracinë. Ndoshta ai qe ndër të paktët që iu futën politikës, duke e kuptuar esencën e saj dhe, ndoshta, qe ai që e kuptonte atë më mirë se të tjerët. Një ndikim të dukshëm, siç duket, ushtroi tek ai përkthimi i “Historisë së Anglisë” të Andrea Maurois, përkthim që e bëri nën nxitjen e juristit të shquar, që e kaloi një pjesë të mirë të jetës në burgun e Burrelit, Engjëll Çobës, i cili i pati thënë “Mund të mësosh prej tij – është fjala për librin e Historinë së Anglisë –  më tepër se nga çdo libër tjetër që qarkullon në Burgun e Burrelit”. Për bindjet e tij për demokracinë, Pjetri ka shkruar: “Nëse popujt e tjerë nuk mund të ndjekin pikë për pikë këtë shembull, Historia e Anglisë duhet t’i mësojë njërës palë ta heqin mendjen nga ‘revanshi me çdo kusht’ dhe palës tjetër se do të jenë fitimtarë për një kohë të gjatë po të jenë tolerantë dhe të bëjnë kompromise të arsyeshme duke përsosur çdo ditë demokracinë.”

*   *   *

Vepra e tij letrare me vlera të mëdha njohëse, artistike e edukative është mjaft e vëllimshme dhe nuk është botuar ende plotësisht. Janë botuar nga viti 1992 deri në v. 2000: romanet “Mugujt e Mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”; “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, “Brajtoni, një vetëtimë e largët”; novelat “Kur dyndën vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”. Ka botuar gjithashtu; studimin historik “Nga jeta në burgjet komuniste”, epistolarin “Letër nga burgu”, një përmbledhje intervistash “Lufta për të mbetur njeri”; “Pjetër Arbnori – shkrimtar, politikan, njeri”; një përmbledhje kujtimesh, fjalimesh dhe artikujsh publicistikë “Martirët e rinj në Shqipëri”; në gjermanisht, kujtime mbi priftin gjerman dom Alfons Tracki “Unë kam mbijetuar dhe kam shkruar”, përkthimet: “Historia e Anglisë” e Andrea Moruas dhe “Ngritja e rënia e Rajhut të Tretë”, përkthyer nga frëngjishtja..

Nuk është vendi këtu të bëjmë analizë për vlerat letrare të këtyre veprave, por kam dëshirë të tërheq vëmendjen për tri gjëra.

Së pari, Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të lëtersisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit. Së bashku edhe me disa emra të tjerë, kjo letërsi mbetet t’u zbulohet lexuesve, sepse ngërthen në gjirin e saj vlera të pakrahasueshme artistike, njohëse dhe edukative. Në parathënien e monografisë “Pjetër Arbnori-shkrimtar” të studiuesit të huaj, Giuseppe Gradilone, Lazër Stani ka shkruar “Shkrimtari Pjetër Arbnori bën pjesë ndër ata krijues shqiptarë, që duke jetuar në kushte të jashtëzakonshme, nuk bënë asnjë lloj kompromisi me skemën zyrtare të realizmit socialist dhe krijuan atë letërsi shqipe që mund të kategorizohet si “letërsia tjetër”.

Studimi kritik fatkeqësisht sot mungon. Lavdërohen deri në neveritje vepra që në vend të letërsisë kanë byk e krunde; por që kanë antivlera të jashtëzakonshme çedukuese, sidomos për brezin e ri, në fushën e kuptimit të artit të fjalës dhe realizimit të mjeshtërisë artistike, shpesh edhe në fushën e moralit qytetar.

Së dyti, Arbnori shkroi në kohën e mungesës së lirisë gjatë viteve të diktaturës, që qenë vite të rënduara nga robëria diktatoriale, jo vetëm për Pjetrin dhe shokët e tij të burgosur politikë, por për gjithë popullin tonë. Mungesën e lirisë e vuajtëm të gjithë ne që ishim të ndërgjegjshëm për atë që po ndodhte nën atë regjim antikombëtar e antipopullor krimi. Dëshira më e parë e më humane për njeriun – liria – e çoi Arbnorin drejt letërsisë si nevojë shpirtërore krijuese, si qëllim, si mjet dhe si ndihmesë për ta realizuar atë për vete, për popullin dhe për atdheun e tij.

Arbnori kishte krijuar në vetëdijen e tij një hapësirë me të gjerë konceptuale për lirinë. Ai ka shkruar: “Për intelektualin, dhe jo vetëm për intelektualin, jeta është përpjekje për të zgjeruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë dritaret e kontaktit me botën, me realitetin kur s’mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë. Ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është e mundimshme por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit.” Këtë dukuri të lartë shpirtërore, Gradilone e ka cilësuar si “fitorja e mundimshme, e pikërisht për këtë e vlertë, e lirisë së brendshme, ku ndien nevojën e meditimeve të shpirtrave të mëdhej, si Shën Agostini e Severino Boecio.” 1).
Së treti, në një intervistë, që më ka dhënë mua si editor i „Diellit“, Pjetri ka thënë: “Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të më qëllojnë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.”.

Mbasi të kalojë kjo periudhë e stërzgjatur krize shpirtërore, mbasi të shërohet kjo klimë e sëmurë e kulturës sonë dhe mbasi në vendin tonë të triumfojë demokracia e vërtetë, që dëshironte, shpresonte dhe për të cilën punoi Arbnori, do të krijohen kushtet e leximit dhe të studimit të veprës letrare të tij dhe breznitë e reja do të reflektojnë dhe do të kuptojnë se kush e tha të vërtetën për çka u bë në atdheun tonë gjatë viteve të diktaturës, Arbnorët, Trebeshinat e Zhitët, apo vanadaku i pafund i penave të realizmit socialist, sado të fuqishme të kenë qenë ato në fushën e mjeshtërisë artistike.

Populli ynë duhet të krenohet që nxori, në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij, historisë së turpshme të luftës së vëllezërve shqiptarë ndërmjet vetit për hir të një ideologjie edhe më të turpshme a për hir të një kolltuku të përgjakshëm diktatorial, një personalitet të tillë si Arbnori. Lufta për rrëzimin e komunizmit dhe për ndërtimin e demokracisë lindi në Evropë udhëheqës politikë e shpirtërorë të mëdhenj: në Poloni, një Lek Valezë; në Çekosllovaki një Vaklav Havel dhe në Shqipëri një Pjetër Arbnor.

Me vdekjen e parakohshme të Rugovës dhe të Arbnorit, Kosova e Shqipëria humbën – në një kohë që kishin shumë nevojë për ta – dy personalitete të shquara, të çmuara prej popullit të tyre dhe të vlerësuara nga Evropa dhe mbarë bota: Gandistin e Madh Ibrahim Rugova dhe Disidentin Tribun të Demokracisë Pjetër Arbnori; por ata do të përjetojnë pavdekësinë e tyre në vetëdijen kombëtare dhe do të jenë të pranishëm, për të gjitha breznitë shqiptare, në panteonin e personaliteteve të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë.

1). Boethius, Anicius Manilius Severinus (480-525), filozof dhe burrë shteti romak, veprat filozofike të të cilit ndikuan fuqimisht në zhvillimin e mendimit mesjetar. Në burg, duke pritur ta ekzekutonin, shkroi veprën “Ngushëllimi i filozofisë”.

*(Ribotim me rastin e 10-vjetorit te vdekjes, 8. VII. 2016)

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Pjetër Arbnori, Tribuni i demokracisë

Qytetërimi i lashtë shqiptar

June 20, 2016 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA/

Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.

Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione kryesisht praktike – utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor: është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione njohëse, edukative, etike, estetike, – shkurt, me funksionin e çlirimit e të pasurimit shpirtëror të njeriut, – i krijuar prej  popujve që në kohërat më të lashta.

Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij. Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, gjakimi për të vërtetën, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve.

Duke vlerësuar cilësitë e karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).

Elemente të kanunësisë etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, një e drejtë e lashtë me rrënjë ilirike, që u ripërtri nën emrin e princit Lekë Dukagjini, dhe u përmbledh nga goja e popullit aq bukur nga Gjeçovi.

Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.

Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; i dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.

Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.

Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit është një thesar i madh kulturor, i krahasueshëm me kapitujt e Testamentit të Vjetër.” dhe “Ai ofron shikime të thella në shoqërinë antike të shqiptarëve, dinjitetin hijerëndë dhe ndjenjën e tyre të mrekullueshme për nderin.”, ka shkruar The New York Times.

Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e çiftelisë; nuk po flas për lojërat popullore, që pasqyrojnë me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.

Sado që kohë të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohë  më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në kurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa, i lashtë shqiptar, Qytetërimi

Ernest Perdoda: Profili letrar

June 9, 2016 by dgreca

Nuk mund të jetë i plotë portreti i  Ernestit pa thënë dy fjalë për profilin e tij poetik. Nuk arriti, për arsye financiare, të botojë lirikat origjinale dhe të përkthyera nga poeti Italian hermetik Giuseppe Ungaretti. Mbeti, gjithashtu, në dorëshkrim përkthimi në spanjisht i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të cilin ia pati dërguar shumë kohë më parë Akademisë së Shkencave për botim. Nuk dihet fati i këtij dorëshkrimi.

Një cikël lirikash të Perdodës u botuan në revistën “Phoenix”, viti 1999 /nr.  2. Këtu është shkruar se poezitë i takojnë: “Këngëve të para”, “Elegjive” dhe “Monologjeve”. Nuk kuptohet që nën këto tituj, a bëhët fjalë për përmbledhje poetike apor për cikle poezish.

Poezia e tij, të cilën kam pasur fatin ta njoh që gjatë kohës së krijimit të saj, dallohet për një bukuri të rrallë, ndjeshmëri e shije të hollë, figuracion të pasur, një akustikë imitative, ku spikat paja e fonetikës së gjuhës sonë, jetësuar në një strukturë harmonike të realizuar, më së shumti, në pak vargje.

Veç motiveve të lirikës intime e të natyrës, poezia e Perdodës karakterizohet për dhuntinë e artë të shqetësimit intelektual për atë që po ndodhte me atdheun e popullin tonë, duke e pasqyruar atë në situata e detaje konkrete dhe duke njëmendësuar mesazhe fisnike të qarta, të cilat shpesh kalojnë në intonime revoltuese.

Intelektualëve shkodranë antikomunistë dhe sidomos dashamirëve të poezisë së vërtetë i bie detyra fisnike e mbledhjes dhe e botimit të poezive të  Ernesit, dhe ndoshta edhe të ndonjë dorëshkrimi të ndonjë natyre tjetër.

Po bie këtu poezitë e botuara në revistën “Phoenix”, që u botua në Shkodër në vitet 1997 – 2003, me drejtor Dom Ndoc Nogaj dhe kryeredaktor Dr. Romeo Gurakuqi dhe disa përkthime nga Ungaretti.

Nga kangët e para:

Mengjez

 U  dogjen andrrat

Në dritë të trendafiltë

Edhe njiherë po lidhi

Fillin e këputur t’mendimit.

Nji nyje tjetër nji tjetër ditë.

Erë

Furishem  shkon

N’per fletë

Fershllon

Fishkllon

E tretë.

 

Prelud

Këtë natë

(Ndërsa për rreth

Gjithkund m’pergjanë

Me flokun tand qi l’moj,)

Yjet e qiellit tim

Un pa u kujtue zbuloj

Kur ti çel e mbyll sytë.

Asgja pa dashuri

                        Nanës

N’kujtimin tand

Vadita lulet

Qi mbijetuen mbas teje :

Porse asnji prej tyne

Nuk çeli ma.

 

Ato kërkonin

Frymën e dashnisë

Që unë s’ua dhashë.

     Nga “Monologjet’

 Subkonsh

 Andrrat më rrokullisin

Nder kambë të Trogloditit

Që më shikon e m’perqesh.

(Atje ku nisem shtegun

E nepër shekuj rryeshem

Shtrijmë krah’t per t’rrokun yjet . . .

E diellin që na zgjon)

Por gazi i njeiut  t’shpellës

Ende m’ushton  ndër veshë

E më trondit.

Nga “Elegjitë”

 Brymë e gjak

(Dhjetor 1944)

Shumë  gjethe ranë  që  atë  vjeshtë

E prap po bien,

Porse kujtimin

Qoftë  edhe nji i vetem e pert’rinë

E bahet brymë  e gjak.

(Dhe ja ti vjen pers’ri

E ashtu si ban kjo erë,

Mbi gjurmët që la dhuna

Hedh prap nji dorë me gjethe

E qan mbi supin tim

Si bane at’herë.)

 

Ato nuk duken ma,

As edhe ti;

Kurse trishtimi

Prap endet në k’to rrugë,

Me mue

dhe gjethet

që bien.

(Pa titull)

 Me kot pergjon tashma nga kumbonaret

Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande

Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë

Mbi tokën e dhunuar.

 

Agimet zbardhin pa meloditë e ambla

Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,

tash jetën tande veç heshtja rrethon.

(Variant)

 Me kot pergjon tashma nga kumbonaret

Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande

Kumbon’t gjimuen kur ranë per t’fundit herë

Mbi tokën e dhunuar.

Mengjezet zbardhin pa meloditë e ambla

Që joshnin nga qielli sytë e veshtrimin,

dhe muzgjet sjellin me vete trishtimin

e dit’ve tua pa t’ardhme.

tash jetën tande veç heshtja rrethon.

 

Flakët që sollën errësinën

(Prill 1946)

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj

Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon:

N’rrenojat e kujtesës.

Ende luhaten flakët;

Por kangët e Alkeut

(Që deshe ma teper se mue)

Nuk m’bien ndër mend tashma.

Me hijet e asaj nate,

Nji tjeter Omar Khattab*

Rendi mbas dit’ve tona

Të zymta,

Të ftohta

Si gurët e k’saj kulle,

Ku nga frengjitë

Ajo pak dritë që hyn

Veç larva mendimi sajon.

 

E dashtun

Ndoshta këtë mbramje Prilli

Krrokatja e korbit mbi Kullë

T’kujton dhe ty

Çka humbem pergjithmonë.

*Në vitin 640 Omar I (Abu Hafsa ibn al Khattab) dogji bibliotekën e Aleksandrisë, një nga ma të mëdhatë e asaj kohe. Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. Hoxha u grumbulluan tek “Kulla e Inglizit” (që për nji kohë të shkurtë sherbeu si sallë leximi), fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës, pësuan të njajtin fat.

Perkthime nga Giuseppe Ungaretti

 Këshndellat

 Nuk kam dëshirë

T’i futem

Lamshit

T’ udhve.

 

E ndjej

T’dermuem

Vetveten.

 

Më leni kshtu

Porsi një

Çakël

Të hedhun

M’një qoshe e

T’harrueme.

 

Këtu

Nuk u ndienka

Tjetër

Veç afshit të ngrohtë.

 

Kam

Ndejë bri votre

Me katër

Fjolla tym

Që laradashën.

 

(Napoli, 26 dhetuer 1916).

 

*

E ndihem i tretun

M’nji puthje

Që m’shkrinë

E më qetson.

Qiell i kthiellët

 Po tretë

Kjo mjergull

E një

Nga një

Ja ku po dalin

Hyjet.

 

Po thithi

Freskun

Që ma dikon

E kthillta ngjyrë

E qiellit

E shof që jam

Një qenje

Kalimtare

Rrëmbye m’një valle

T’perjetshme.

(Pylli i Kiuton, korrik 1918).

Shtëpia ime 

Çudi

Sa dashuninë

E ruejtkam prap per ty

E pra kujtova se e kam  shpuplue

Nëpër botë.

 

 Mall

At’herë

Kur nata biret

Teksa pa dalë pranvera

E rrallë

Ndokush kalon

Mbështillet mbi Parisin

Një ngjyrë e mbyllët

Vaji

Nga skaji

I urës

Kundroj

Të pakufishmen heshtje

T’njaj vajze

Së bjerrun.

Të kqijat

Tona

Shkrijnë

E si të tretun

Mbesim.

(Lokvica, 28. 09. 1916).

Agoni       

Me vdekë sikur laureshat e etuna

N’mirazhë

Apor si shkurtat

T’ kaluemen detin

Ndër t’parat çufrra

Kur ma s’i kande të fluturojë

Por mos të rrosh me ankime

Si ‘j gardalinë

Hyje

 Rishtas po digjen atje siper prrallat

Do t’bijnë me t’paren erë sikurse gjethet

Por t’vijë një tjetër frymë,

Një vezullim i ri ka per t’u kthye.

Ndeshkim

 I mbyllun mes sendesh së vdekshme

(Një ditë edhe hyjet do t’shuhen)

Pse digjen për Zotin?

(Mariano 29. VI. 1916).

Kotsi

 Papritmas

Naltohet

Përmbi gërmadhat

E pastërta

Habi

E pambarimit

 

E njeri

Germuçun

Mbi ujin

E ndritun

Nga dielli

Kujtohet

Se asht hije

Që l’kundet e

Thehet

Ngadalë.

(Valone, 19 gusht 1917)

Ushtarë

 Qëndrojmë

Si gjethet

Ndër pemt

E vjeshtës.

(Pylli Kurton, Korrik 1918).

Heshtje e hyllzueme

 E pemt e nata

Nuk po lëvizin ma

Përvecse çerdhesh.

(1932).

Ironi

Po ndiej pranverën ndër gemat e mërdhitun

N’ket orë mund t’endesh lirshëm, tue bredhë

Përmes shtëpive, i zhytun ndër mendime.

N’ket kohë janë mbyllë dritaret, por

Ky trishtim shëngjergjash ma treti gjumin.

N’ mëngjez, një tis i blerë do njomëzojë kso pemësh,

Q’ ende të thame qenë kur erdhi nata.

Zotynë nuk rrin pushue.

Vetëm në ket orë, ndoj andërrtari t’rrallë

I bjen me vuejt duke ia ndjehun veprën.

Sonte, ndonse asht prill, n’qytet bjen borë.

Asnjana dhunë s’ia dalka asaj që dan

E ftohtë

Dhe e heshtun.

Shpërfytyrim

Jam

P’shtetun për kapën

E barit të zverdhun

Një duhëm e athët

Livron e çlirohet

Prej brazdash pjellore

Kujtohem mirfilli

Q’u linda prej bujqësh.

 

E ndihem ndër sytë

(Që ndjekin të vemendshem

Ndryshimet e motit)

E njerit të rudhun

Si l’vorja e mandit që kinë.

E ndihem

Ndër f’tyra fmijnore

Si molla të kuqe

Si gjaku

Mes pem’ve cipllake

Si reja

Kullohem

Në diell

E ndihem i tretun

M’një puthje

Që m’shkrinë

E më qetëson.

*Perkthye nga Ernest Perdoda pa pretendime artistike, por qartë. (Shënim i Ernestit.)

Përgatiti për botim Anton Cefa

Ridgewood, New Jersey, 8 qershor 2016.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Anton Cefa, Ernest Perdoda, Profili letrar

ANTON ÇEFA, POETI I KULTIT HYJNOR TË FJALËS

June 5, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/

Poeti vjen i plotë në botimin antologjik “Flatrime me krahë të preme”/

 Poeti, studiuesi, kritiku, gazetari Anton Çefa, vjen i plotë si poet në një vëllim poetik me titullin metaforik ”Flatrime me krahë të preme”, botim i “OMBRA GVG”.

Antologjia dëshmon dhe na risjell provën se Anton Çefa është nga ata poetë që në kohën e ngricave ideologjike e ndryni poezinë brenda vetes, bashkëjetuan së bashku në honet e heshtjes dhe ajo, poezia, ia mbajti ngrohtë shpirtin në dimrat e acartë, për të kënduar në stinën e pranverës së vonë të moshës së vet.

Poeti përjetoi në rininë e vet absurdin e “këngës së pakëndueme”, kur poezia e tij e ndrydhur brenda vetes sfidoi rregullat e ngurta.Në një vështrim sipërfaqësor, ai i ngjan “Bylbylit të mbyllur në kafaz” të shkodranit të shquar Mjedja.

Ashtu siç sqaron vetë poeti në përcjelljen lakonike të këtij botimi antologjik, pjesa më e madhe e poezive janë shkruar në kohën e diktaturës, por nuk u botuan në atë kohë për të pritur një kohë me dritë, ku poezia e tij të mos i nënshtrohej rregullsive të ngurta. Pra ai këndoi në kohën e diktaturës, por këndoi nën zë, këndoi me vete dhe për vete, këndoi ashtu siç dëshironte ai, jo siç diktonte koha që vriste shpirtrat e lirë.Ishte koha që priste flatrat për t’i bërë të pamundur flatrimet në qiejtë zymtë. Ashtu si Shkodra e tij antikomuniste, që ai e ka dashtë edhe “pse nuk flirtoi me qiejtë e ndytë”, të dy ndjehen krenarë për sfidën. As poeti nuk flirtoi.

Na ndihmon për të pereceptuar hershmërinë e poezisë së Antonit, ndrydhjen e saj në honet e heshtjes, përcjellja e mikut të tij të vjetër, nën kujdesin e të cilit botohet ky vëllim antologjik, Ferik Ferra, i cili tregon mbijetesën e poezisë së Antonit, që në mes vitet ’50 të shekullit të kaluar. Ferra shkruan: ”Vera e vitit 1955 na ndau. I lamë njeri-tjetrit si kujtim nga një poezi, të cilën Antoni e kujton vetëm në disa vargjet e fundit.”

Miku i vjetër tek përcjell me shumë dashuri krijimtarinë e kolegut të tij, poet, në kohëtakimin e vonshëm, konstaton:

Dora e poetit kishte prerë e qepur me dorën e mjeshtrit, petkun poetik me një linjë koncize dhe elegancë mahnitëse, duke dhënë nëpërmes ekstratit të ngjeshur, pikërisht fjalën, që është e para në belbëzimet e njeriut.
E peshon si guri fjala

E ma tepër se guri.

Çefa e kujton kohëndarjen me mikun e tij Ferra përmes vargjeve të mallit dhe ftillesës:
Ishte një kohë e largët

E pakohë

E fjala e pafjalë,

Kur u ndamë s’na panë…

Ishte kohë e pafjalë. Mjafton ky varg për kohën e absurdit, kur me ligj qe shpallë ndalimi i fjalës e heshtja ishte “kapak florini”.Ishte koha e rinisë së poetëve, që u digjej shpirti nga metaforat e vargjet, por fluturimi qe i ndaluar dhe krahët të prerë, flatrimi fare i pamundur:
Na rreshkej etja në gjak,

Për fluturim

Por s’kishte qiell,

Kur u ndamë…

(Poezia për një tubëz “Diell të vështirë”)

 

Poeti Çefa bashkë me poezinë e vet jetoi vetëveten në honet e heshtjes, ku thirrjes së tij askush nuk i përgjigjej në humëbëtirën kallkan:’
Në Honin e zaneve

E të emnave


Thërras
E nuk përgjigjet asnjeri


“Njeri”…

Në kohën e shkuar të ndalimit të fjalës, poeti e sheh veten rob të errësirës, si një cung i ngujuem diku/ në hapsinën e pafund të një nate…

Ndjehet shumëfish rob,-rob i errësinëns dhe shpirtit; i gjakut dhe fjalës, që ishte peng i kohës të fjalës së ndaluar.
Poeti në misionin e tij poetik ishte shtegtar i vjetër drite, por ndjen dhimbje që misioni i mbeti peng i kohës, nga që e degdisën shtigjeve të errëta.Poeti vetërrëfehet:
Isha shtegtar i vjetër drite,

Po më dorzuen shtigjeve të errta

Të vuej urinë e shpirtit

Më dënuen…

Poezitë e kohës së ndaluar përshkohen nga dhimbja e trishtimi.Siç konstatojnë stuiduesit e fenomenti Çefa, ai sjell përngjasime me fenomenin e lirikut të famshëm, Lasgush Poradeci, që kaloi në harresë totale, që të mos flirtonte me të keqen. Kjo s’ka qenë e lehtë për t’u realizuar se poeti nuk ishte në gjumë letargjik, që befas një ditë u zgjua dhe nisi këngën e ndërprerë poetike. Ai pagoi koston e heshtjes, gjakosi shpirtin nga dhimbja. Kjo nuk është pak për një poet.Poezia nuk është vetëm fjalë, poezia është vuajtje, që të djeg shpirtin në çastin shpërthyes, në kohëshkrepjen e blicit të ndjenjës. Sintezë e asaj kohe vuajtjesh poetike është poezia me titull ”Varrosja e fjalës”:
Në qelinë e heshtjes kam varrosun veten

Me heshtjen e varrit kam mbulue fjalën

E gjatë kjo natë e zymtë, e gjatë!

Në gojën e kohës sonë

Pëlhurë kanë thurur marimangat.

Baj të iki prej vetes sime, s’mundem.

Rrekem të lëshohem vrap pas vetes, rrëzohem.

Në natën e kobit më ka humbun emni,

Mbi kobet e natës nuk munda ta ngre dorën.

Antoni nuk ka mni ndaj Atdheut, përkundrazi, e dashuron atë dhe në mërgimin e largët, thur këngët e dhimbjes dhe të krenarisë për Shkodrën e dashur, për Atdheun që gjendet përtej horizonteve.

Poezia e tij na sjell në kujtesë shkodranët e mëdhenj të mërguar, që i kënduan Shkodrës loce, Drinit, Bunës, Cukalit, Rozafës hyjnore, paçka se kënga e Antonit është më konkrete, ai këndon shtëpisë së vjetër, kumbullës në fund të kopshtit, në degët e së cilës, ai metaforikisht” var përgjithëmonë/ Buzëqeshjen e fëminisë”. Antoni nuk nis nga bregu i Atlantikut drejt Shkodrës, dallëndyshen, që t’i çojë falmeshëndet e t’i sjellë lajme nga Atdheu. Ai nuk e sheh zogun shtegtar-dallëndyshen, si ljamdërgues a lajmsjellës, dallëndyshen e trajton fisnikërisht si mbartëse e lirisë së fjalës:

“E(dallëndyshja) me skjep shkruen mbi tokëne zezë me hjeroglifet e gjuhës së dallëndyshave lirinë e fjalës e të gjitha të drejtat e fisit të saj”.

“Përtej horizontit të dhimbjes”, është poezi që i përkushtohet të birit, me emrin autokton, Labeat. Çefa ka endur nën një pëlhurë metaforike dhimbjen përcjellse:

Muzgu përtyp thërmijat e fundit të dritës

Të nji dielli në perëndim.

Kujtesa kufomën e lirisë

Së vdekun prej kohësh.


Djali më pyet….

Atje është horizonti i dhimbjes,

Bir,
Përtej ati horizonti

Asht’ Atdheu…

Ka diçka arbëreshe në thelb kjo poezi që të sjell ndër mend zakonin më shumë se pesë shekullor të “Gjakut të arbërit” që kapërcyen Adriatikun në shekullin e ikjes dhe kur u lindnin fëmijët, i drejtonin me vështrim kah deti dhe u tregonin Atdheun. Poeti Çefa bën të njëjtin rit në mënyrë poetike, duke pasur si konvencion orientues gjeografik, pa limit distance, horizontin e largët, pas të cilit “Asht Atdheu”.

Në një tjetër poezi ”Mall Shqipërie”, ndjenja e mallit është më e drejtëpërdrejtë:
Dallgët të çapërdisuna,

Të turbullta e të zymta Atlantiku

Urë kujtese

Për buzëqeshjen e urtë e të kristaltë

Të valëve të Adriatikut,


Ku gjithnji lundron

Si barkë me vela të bardhë

Hija e trëndafiltë e nji malli.

Në këngën poetike të drejtëpërdrejtë drejtuar qytetit të tij të dashur, Shkodrës, poeti Çefa, derdh të gjithë majanë e fjalëve dhe të stilistikës duke gatuar një poezi malli e dhimbjeje bashkë:
Shkodrës
Të kam pa me synin e të gjitha qosheve

të rrugëve

E tinzisht

Të kam joshë çdo lakmi dëshire

E dridhje zani.

……………………………

Ende më vjen e mbytun

E me një ritëm të çuditshëm


Jehona e hapave të lirë

(Jehonë hapash të dikurshëm)

Mbi kalldramat tua të mëndafshta

(e të butë si tapete)

E më duket se në këto shtjella ajri

Po zvargen ende tingujt e ëmbël

Të kumbonëve

Që shpallshin paqën e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë

Por ma tepër e ma

Pse nuk flirtove me këta qiej të ndytë.

Mjafton vargu i fundit për të zbuluar krenarinë e poetit për qytetin e disidencës komuniste, që nuk flirtoi, nuk u nënshtrua, por sfidoi, duke pranuar ndëshkimin.

Në këtë botim antologjik, vihet re se ka një shkrirje shtresore të krijimtarisë së Çefës.Antologjia ka shtresëzim kohor; poezitë e kohës së ndaluar dhe poezitë e shkruara në liri.

Anton Çefa është një zë i veçantë, që ka tërhequr vëmendjen e shumë sutudiuesëve dhe kritikëve të poezisë, të cilët edhe pse kanë mendime të ndryshme, bashkohen në një pikë të përbashkët:Poeti Çefa, është unikal në poezinë e vet dhe, gegërishtja e ëmbël, i ka dhënë muzikalitetin fjalëve të përdorura me racionalitet nga poeti, që nuk shpërdoron me të drejtën e të shkruarit.Ai është mjeshtër në stilin e vet të rrëfimit poetik, e punon me durim fjalën, e lëmon me dashuri, ka një leksik tepër të pasur, zotron një minierë të pasur figuracioni stilistiko-letrar.

Për poetin Ferik Ferra, poezia e Antonit, është e ngjeshur, e ëmbël, me efekt ”shpërthyes”, ka pak materie, por materie që peshon rëndë.

Poezia e Çefës njihet nga larg se vjen prej Shkodre, prej metropolit të poezisë shqiptare. Elementët metrikë të gjetur, sidomos metaforat, por edhe të gjithë figurat e tjera poetike, të thurura me art të vërtetë, si ato të elementit epik dhe ato të elementit lirik, i japin poezisë së Antonit, një kostum origjinal, që vetë ai ia ka qepur mjeshtrisht, dhe që duken se qëndrojnë pa defekte në trupin e përgjithshëm të antologjisë së tij poetike.

Për Dëfrim Canin, redaktorin e antologjisë poetike “Flatrime me krah të preme” Anton Çefa kategorizohet si poet i tri dimensioneve:poeti i zotësive linguistike, poeti i formimit stilistikor dhe i mjeshtrit simbolik.

Vështrimi teoriko-letrar që i ka bërë poezisë së Çefës, studiuesi e kritiku Cani, është një këndvështrim profesionist i një njohësi të thellë të poezisë.

Cani konstaton të veçantën e poezisë së Çefës, duke u fokusuar në mjeshtrinë krijuese, në zotësinë e tij për ta përdorur fjalën si mjeshtër i fjalës, në tingëllimin poetik të togfjalshave, të gatuar në magjen e gegërishtes: ”Pellgje heshtjesh”,”skaji i msheftë i fjalës”,”në skajin e msheftë të mllefit”, “si kufomat në vorrin e përbashkët”,”rob i errësinës”,”Honeve të heshtjes”,”mbi vorrin e pritjes”,”fjala u ba dhimbje”,”shteg i ujkut”, ”zakone shpendësh”, “rrgalla e fjalëve”,”krrokamat e korbave”-me gjuhën e Canit do të shpreheshim”Ja me këtë situatë të ngarkuar simbolike dhe stilemore, metaforike dhe stuhi poetike është mbjellë e gjithë poezia e Anton Çefës.”

Me shumë interes është vëzhgimi që i bën Cani (jo vetëm ai) pranisë së gurit në poezinë e Çefës, ku ai konstaton një të vërtetë poetike të pamohueshme:”Anton Çefa-një poet i çuditshëm, me një “ngarkesë” të madhe njohjeje mbi shpinën e poezisë së tij, arrin të komunikojë përmes kumteve të gurit. Është një lëndë e çuditshme prej nga “merret vesh” se ara e fjalëve ka qenë e vogël për poetin, se ai ka derdhë dialogë me baladën e vetmisë, sepse është njeriu tipik, poeti “i pabindur”, i cili ushqeu bisqe në trungun e gjuhës së Buzukut, Budit, Bardhit, e Bogdanit.
Edhe për Ledia Dushin, figura më e përdorur është guri sepse në të ngrihet dhe shkrihet shpresa.

Për Ledian, poezia e Antonit të jep shkak të besosh se vetë poeti u rrëzua në honin e ëndërrës, por ëndrrën e shkroi.Ai vuan siç vuan një shpirt që ndjen dhe lëshon thirrjen:”Kur do të vijë dita të dal e të thërras pa frigë emnin tim në kupë të qiellit”?

Antoni bashkë me poezinë e tij jetoi kohën e ngricës së gjatë, kohën kur ”Hana fshin njollat e përgjakta me shtupa re të murme e i lanë me reflekse valësh”…

Një studim të thellë i ka bërë poezisë së Çefës, shkrimtari, studiuesi, kritiku dhe publicisti me zë në fushën e letrave shqipe dhe rumune, Dr. Ardian-Christian Kycyku. Ai nuk e identifikon poezinë e Antonit me atë llojë letërsie që pas rënies së Murit të Berlinit, u klasifikua si letërsi e burgosur, me gjithë thelbin e ngjashëm që ka me atë llojë letërsie. Për librin e parë, “Dritarja e një britme”, Kyçyku thotë se është në fakt, britma e njërës prej dritareve të shqiptarisë, është njëri nga ata pak vëllime fatlume që arritën të vetmohohen, kur fjala e lirë ndalohej dhe të çlirohej nga shabllonet, kur fjala rifitoi të drejtën të thuhet.

Për Kyçykun poezia e Çefës ka një muzikalitet dhë ëmbëlsi të pazakontë. Vetiu ajo ia del mbanë të tretë kufijtë e thepisur mes kohërave dhe dasive kalimtare dhe të ngrejë një folezë krejt të vetën në atë hapësirë të shpirtit njerëzor, ku poezia është njëherazi edhe muzikë, edhe lutje, edhe mall për stinët e shpirtit, edhe mall për trojet e hyjve, edhe ritual pavdeksimi të ngadaltë.

Një këndvështrim të veçantë ka për poezinë e Çefës edhe studiuesi e publicisti Idriz Lamaj, i cili konstaton se “edhe aty ku shprehet dhimbja, e cila zen vend të veçantë në poezinë e tij, …shihet se Çefa ka gjithnji nektarin e trashëgimisë mijëvjeçare shpirtnore të botës iliro-shqiptare dhe me të ka arritë përsosjen e artit poetik dhe ka ruajtur dinjitetin edhe shpirtin e tij.”

Krahas të tjerave poeti, studiuesi, përkthyesi dhe kritiku Gjekë Marinaj, vë re se “Gjuha gegënishte letrare e Çefës të mahnit me pasurinë dhe muzikalitetin që mban në vetevete.”

Nga ana e tij, kritiku Ilir Seci, konstaton se poezia e Çefës është një risi, sa i përket rrethit tematik, sferës së preokupimeve dhe angazhimeve artistike, poezi e cila kryekreje ndërton një profil të mëvetësishëm në krijimtarinë shqipe.

Duke hyrë në thelbin e universit poetik të Anton Çefës, studiusi dhe publicisti, Dr. Ardian Ndreca, shkruan se “Gjallina e figurave, metaforat e lëvizshme e, mbi të gjitha, poeticiteti i vërtetë që rrin në kapërcyell të nevojës filozofike për me shpreh intimitetin e qenjes ”njeri i lirë”, e bajnë transparent shikimin aktual dhe retrospektiv të poetit dhe i japin vargut të tij, dije e paqe.”

Për t’ia lënë lexuesit që t’i zbulojë të gjitha të fshehtat e antologjisë poetike të Anton Çefës, sjellim në vëmendje faktin se shumë nga poezitë e reja , që botohen për herë të parë, kanë një realizim të përsosur poetik, ku ndjenja dhe figuara, gatuajnë mallin, dhimbjen, por dhe dashurinë. Madje, erotika e Anton Çefës, meriton një vështrim të veçantë, ndërsa poezitë e pikëllimit dhe të kujtimit, si ”Te varri i vëllaut”- Tishit; “Asaj që yllson”-nanës, “Mos pini ujë në hurdhat e kohës”-Në kujtim të babës, janë poezi antologjike, që meritojnë zbërthim varg mbas vargu.

* Marrë nega libri i sapo botuar i Autorit Anton Çefa”Bardhësi me zdritje bore”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, dalip greca, POETI I KULTIT HYJNOR, te fjales

Lashtësi dhe shkallë e lartë zhvillimi e kulturës sonë popullore

June 3, 2016 by dgreca

NGA ANTON  ÇEFA/

Si një popull i lashtë me veti e atribute intelektuale e ndjenjësore të pasura, ilirët krijuan një kulturë popullore materiale e shpirtërore të një niveli të lartë zhvillimi, çka nuk mund ta pohojmë për një kulturë të shkruar. Nivelet e larta të kulturës së hershme ilire përfaqësohen me kulturën e ashtuquajtur Hallstatt, një vend në hapësirat alpine të Austrisë. Antropologu i shquar amerikan C. S. Coon, ka shkruar “Ilirët qenë krijuesit e qytetnimit të hekurit në Euvropën Juglindore, në nji kohë kur emni i Romës dhe i Athinës nuk ishin ndie ende” 1). “Kultura e Hallstatt, shkruan ai, asht lidhë me degën iliriane të gjuhëve indoeuropiane. Kjo asht e para herë në histori që nji gjuhë mund të identifikohet me nji kulturë dhe me nji racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë” 2). Materiale të ngjashme me ato të Hallstatt-it janë gjetur më vonë edhe në Glazinac të Bosnjës, në Prozor të Kroacisë dhe në vendin tonë:  në Koman, në Krujë, në Bukël (Mirditë), etj.

Në lëmije të kulturës shpirtërore ilire, trashëgojmë vepra arti me vlera të shquara artistike, sidomos, në fushën e arkitekturës dhe të skulpturës, në përgjithësi, të ndikuara nga arti helen e më vonë ai romak, por që kanë vulën e origjinalitetit ilir. Për t’u përmendur, ndër shumë të tjera, janë portat e portikët në qytete, varret monumentale të Selcës së Poshtme, amfiteatri i Durrësit, nimfeu dhe monumennti i Agonotetëve në Apoloni, koka skulpturore e hyjneshës së Butrintit, koka e ashtuquajtur e Demostenit, mozaikët e Arapajt, Apolonisë, Durrësit. 3).

Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë dokument të shkruar në gjuhën ilire. Është e tepërt të themi që na mungon një letërsi e tyre e kultivuar, siç e kanë grekët e romakët, edhe pse barabitemi në moshë me ta e edhe ua kalojmë, edhe pse kemi qenë e jemi që në lashtësi komshinj të tyre. Nga shkrimi i tyre njohim toponime, antroponime, disa glosa të vjelura nga autorë grekë e latinë dhe nga rrasat e varreve dhe disa fjalë që janë interpretuar si huazime ilire në greqishtën e vjetër dhe në latinishten. Disa emra të epopeve të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, si Akili, Laerti e ndonjë tjetër, dhe disa leksema që gjenden në këto dy epope janë shpjeguar me shqipen si një nënshtresë pellazgjike ose si fjalë që i përkasin dorianëve, fis ilir që invadoi Greqinë qysh në kohët parahistorike, në periudhën e invadimit të madh të popujve. Përpjekjet e filohelenëve t’i interpretojnë me greqishten, nuk kanë pasur sukses.

Gjithsesi, rrënjët e kulturës sonë popullore lëndore e shpirtërore janë të ngulura thellë në kulturën ilire, sidomos në atë të antikitetit të vonë, kohë e ngjizjes së etnosit arbër. Duke folur për popullin tonë dhe lidhjen e tij gjenetike me ilirët, studiuesi i shquar kroat Sufflay ka thënë: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër kje nji faktor i fortë i historis, i cili njihej me emnin Ilir. Pastaj u zhduk për synin e histori-shkruesit ndër pshtjellimet e gadishullit ballkan, por fshehtasi bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore e folklore të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue në emnin Shqyptar (arbnuer), dha sheje të reja të fuqis së vet krijuese” 4).

A jemi ne thjesht bij fisesh ilire barinjsh të pagdhendur që jetuan të rrasur ndër shpella e pyje të padepërtueshme dhe nuk kultivuan gjuhën e shkruar, apo pozicioni gjeografik i trojeve ilire dhe më vonë i atyre shqiptare solli me vete pushtimet e huaja romako-barbaro-bizantino-sllavo-turke, që i zhdukën shkrimet e tyre – këtë shkenca nuk e ka dëshmuar deri tani. Shtetet e organizuara ilire dhe qytetet e lulëzuara, niveli i lartë i kulturës popullore dëshmojnë një shkallë të lartë qytetërimi, që na bën të besojmë më së tepërmi në hipotezën e dytë.

Lidhur me këtë çështje, Karl Patsch, në veprën e tij “Ilirët” na ka lënë një hamendësim që ka një kahje objektive, por që nuk mund të mohojë kategorikisht veprimtarinë e tyre në lëmin shkrimor: “Interesat shpirtërore të ilirëve, ka shkruar ai, nuk do të kenë qenë të mëdha, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë e në të pirë” 5). Ndërsa Çabej, duke folur për shqiptarët, ka shkruar: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote” 6). Shënojmë që këtu leksemën mistikë e ka përdorur si prirje ndaj vlerave shpirtërore, siç e përdorin në ndonjë rast të huajt; pra është po ajo që shpreh Patsch për ilirët. Për ta sqaruar më tej këtë çështje, ai ka shkruar: “Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare”. Në një rast tjetër, duke folur për romantizmin në letërsinë e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, ai ka shkruar: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës dhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësuese si gjetiu në Europë” 7).

E vërtetë është që ne nuk kemi “Iliada”, “Odise”, “Eneida”, etj., po kjo nuk do të thotë që tek ilirët, arbërit dhe shqiptarët e mëvonshëm ka munguar veprimtaria shpirtërore. Impulset e kësaj natyre ata i kanë sendërgjuar në fushën e kulturës popullore, ku ne përfaqësohemi denjësisht. Elemente rëndësore të etnokulturës sonë të lashtë janë studiuar dhe çmuar nga të huajt dhe janë bërë pjesë e thesareve të kulturës botërore. “Vlefta e një populli nuk matet me gjerësinë e tokës e me numrin e frymëve. Kombi ynë, i mbledhur nga një varg kontingjencash të kohëve, në një truall të ngushtë, ka mbetur i vogël, po të mëdha kanë qenë cilësitë e talentet e racës gjatë periudhave historike të vjetra e të reja” 8), ka shkruar eruditi ynë Hasan Dosti. Dihet që çdo popull, i madh a i vogël, gjatë historisë ka jetësuar kërkesat e veta shpirtërore origjinale, që e dallojnë nga popujt e tjerë.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërëse të kulturës shpirtërore, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike. Në mjegullnajat e kohëve nuk kanë humbur rrënjët e krijimit të një etike të fisme humane që e dallon popullin tonë nga popujt e tjerë të afërt dhe të largët, dhe që u ruajt gjatë shekujsh nga breznia në brezni nga të parët tanë, dhe shërbeu për t’u dhënë frymën rregullimit shoqëror të jetës, zakoneve, etj. Tipare të tilla shpirtërore si nderi, burrëria, besa, mikpritja, dhe përbërës të tjerë të siluetës shpirtërore të popullit tonë janë emblematike në historinë shpirtërore të popujve. Ato kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e të huajve që janë njohur me popullin tonë.

Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive, trashëgim që ka ardhur deri në ditët tona.

Na është dëshmuar kjo kanunësi nëpërmjet të së drejtës zakonore, në të cilën virtytet tona janë dhënë në mënyrë sinkretike me kodin juridik. Elementet e kësaj kanunësie etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë gjeneratorin organizativ themelor të jetës. Siç dihet, fiset ilire qeveriseshin në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale dhe janë treguar konservatorë në ruajtjen e tyre. Zavalani ka shkruar: “Elementi i qindrueshem i shoqnis së atëhershme ishte fisi, i cili vetqeverisej në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale që kanë gjetë ma vonë shprehjen e tyne në Kanunin e Lekë Dukagjinit” 9). Edhe mbas pushtimit romak, ilirët e ruajtën vetëqeverisjen e tyre mbi bazën e së drejtës zakonore, siç na e pohon E. Koliqi në studimin e vet: “E Drejta e Kanunit Shqyptar dhe E Drejta Romake”10). Dhe kështu, kjo “ligjë gojdhânore, e vetmja qi u ruejt gjer sot n’Europë”, siç shprehet ai, ka ardhur deri në ditët tona.

Shqiptarët e ruajtën dhe e pasuruan të drejtën zakonore, trashëguar prej të parëve tanë dhe e ripërtrin në mesjetë nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur përmbledhur nga Gjeçovi, të Prijësit dhe Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu, mbledhur e kodifikuar nga Dom Frano Illia, dhe nën emrin e “Papa Zhulit”, që më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, u aktualizua dhe u njoh si “Shartet e Idriz Sulit”, të cilat u kodifikuan tash së voni, nën emmrin “ Kanuni i  Labërisë” nga Ismet Elezi.

Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve” 11).

Është për t’u shënuar së në dallim me kanunet e lashta e mesjetare të popujve të tjerë, si p. sh. me Kodin e Hamurabit a me Kodin e Stefan Dushanit, e drejta jonë zakonore dallon për një frymë të lartë fisnikërie, çka tregon jo vetëm një shpirt human, po edhe një shkallë të lartë qytetërimi.

Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”12).

Vlera të padiskutueshme të një kulture të lashtë, populli ynë ka jetësuar në folklorin tonë, në këngët, vallet, përrallat, fjalët e urta, gjëzat, lojërat, etj. Në të gjitha fushat e saj, krijimtaria e popullit tonë përbën një fond qytetërimi të hershëm, me vlera të larta artistike, dëshmi e një imagjinate të freskët e mbështetur në një përvojë jetësore të pasur dhe të pjekur, dhe të një shijeje estetike të hollë, të një vlerësimi tejet të lartë të së bukurës.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve, në këto fusha, të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtytësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. “Gjatë luftës për ekzistencë me tri nga perandoritë më të fuqishme të kohëve: romaken, bizantinen dhe otomanen, populli ynë krijoi, veç të tjerave, edhe një ‘perandori të katërt’, perandorinë e tij poetike, e cila nuk ka cenuar kurrë kërkend, përkundrazi ka qenë përherë, në tërësinë e saj, një mesazh miqësie për popujt e tjerë”, ka shkruar Ismail Kadare.13). Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla, një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike dhe të një imagjinate tejet të pasur, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me indianët, arabët e keltët, popujt që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në prehrin e gjuhëve indoeuropiane, pasurinë, bukurinë, origjinalitetin dhe rezistencën e saj ndaj gjuhëve të pushtuesve.

Një dëshmi tjetër e gjallë e shpirtit shqiptar krijues artistik është etnomuzikologjia jonë me rrënjë në lashtësitë e antikitetit. “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 14). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 15). Një monument i një rëndësie të jashëzakonshme në fushën e etnomuzikologjisë sonë është iso-polifonia, që UNESCO e ka shpallur “Kryevepër e trashëgimisë popullore të njerëzimit” 16). Burimin e iso-polifonisë, studiuesi Vasil S. Tole e gjen tek “E qara me botë” 17). Të qarët në grupe është i njohur edhe në Shqipërinë e Veriut, ku quhet gjamë.  Një gjamë të tillë, të zhvilluar në ditët tona në Dukagjin,   e ka treguar At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue-II”. Ai e ka cilësuar atë si “doken më të vjetër, pa dyshim parahistorike”18). Udhëtari anglez Th. Hughes ka shkruar në librin e tij “Travels in Sicily, Greece and Albania”, botuar në Londër, në vitin 1820, që në të njëjtën mënyrë si vajtonin me logori gratë gjirokastrite kishte qarë Uliksin Penelopa e tij. 19). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”, ka shkruar muzikologu Beniamin Kruta. 20).

Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë popullore. Janë të njohura vallet tona, një manifestim dhe përqendrim i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 21). Të magjepsur prej valles kombëtare të palikarëve shqiptarë dhe Çamçes, grekët i bënë ato të tyret.

Një dëshmi tjetër po aq me vlerë e gjejmë te kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike. Nga moria e pafund e kostumeve, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, dhe fustanellën, të cilën Bajroni e pati quajtur “kostumin më të bukur në botë”; prandaj edhe e lakmuan grekët dhe e huajtën, duke e bërë kostumin e tyre kombëtar.

Kultura jonë popullore ka aq shumë përbërës që dëshmojnë fisnikëri shpirtërore, sa është e vështirë të trajtohen në një artikull. Po bie këtu si shembull lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është krejt e huaj.

Duke menduar këtë shkallë të lashtë e të lartë qytetërimi shqiptar me rrënjë ilire, vetvetiu të shkon mendja tek mungesa e kulturës së shkruar tek ilirët dhe letërsinë tonë artistike të dokumentuar aq vonë. Është e vështirë të pranosh që një popull me këtë potencë shpirtërore krijuese kaq të fuqishmme, një popull që krijoi një psikologji të veten autentike, një normë zakonore të rregullimit të jetës, një folklor aq të pasur, një epos original me vlera të padiskutueshme artistike,  një etnomuzikologji krejt të veçantë, etj., etj., të mos ketë lindur individualitete që të hedhin në letër veprimtarinë e tyre shpirtërore krijuese, atë veprimtari që do të kishte vendin  e vet të merituar në prehrin e kulturës së lavëruar botërore. A nuk patën edhe ilirët kërkesa të tilla shpirtërore si fqinjët e tyre grekë e romakë? Studiuesi Thoma Kacorri ka shkruar: “Megjithëse ilirishtja ka qenë gjuhë e shkruar, ende nuk kemi gjetur ndonjë tekst të saj. Kjo zbazëti duhet mbushur doemos.” 22).

Është jo vështirë, po e pamundur të besosh se ilirët nuk patën një kulturë të shkruar; më e mundshme është të pranosh se historia e gjatë e pushtimeve i bëri të paqena veprat e tyre. Edhe ne bijve të tyre nuk na qeshi fati. Është fakt historik i hidhur që në periudhën e errët 500-vjeçare të sundimit osman shqipja qe gjuhë e ndaluar, e helmuar, e masakruar. Vetëm më 1555 kemi veprën më të vjetër që ka arritur në duart tona në gjuhën tonë “Mesharin” e Gjon Buzukut, gjuha e të cilit dëshmon pa mëdyshje për një traditë shkrimi të përiudhës paraosmane, dhe vetëm më 1836 kemi veprën e parë të letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike, e edhe këtë të shkruar dhe të botuar në vend të huaj.

Referenca

1). C. S. Coon, “The Races of Europe”, p. 182, cituar sipas Tajar Zavalanit, “Histori e Shqipnis”, Botues “Phoenix & Shtëpia e Librit”, Tiranë, 1998, f. 18.

2). C. S. Coon, vepër e cituar, p. 182, cituar sipas T. Zavalanit, vepër e cituar, f. 18.

3). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Shqipëria-Artet figurative dhe arkitektura”, f. 1055.

4). Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët”, II, f. 33-34, Tiranë, 1926. Cituar sipas Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16.

5).“Ilirët” prej Hofrat Dr. Karl Patsch, përkthyem prej Karl Gurakuqit, Shtypshkroja “Nikaj”, Tiranë, 1922.

6). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 27.

7). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 78-79.

8). Hasan Dosti, “Gjashtëdhjet-vjetori i fletores ‘Dielli”, në “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Përmbledhë nga Dr. Med. Hamdi H. Oruçi, f. 187.

9). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 21.

10). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Romake”, sipas “albanovaonline.com”.

11). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, nr. 1 / 2007, f. 42.

12). “Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, Leonard Fox, “Introduction”, p. xix.

13). Ismail Kadare, Vepra letrare 12, “Autobiografi e popullit në vargje”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 58.

14). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

15). Thoma Kacori, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, “Revista Haemus”, nr. 18-20, v. 2003, f. 25.

16). Cituar sipas Prof. Dr. Agron F. Fico, “Isopolifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Illyria”, nr. 1723, dt. 19-21 shkurt, 2008.

17). Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit”, cituar sipas Prof. Dr. Agron Fico “Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit”, “Illyria, nr. 2075, 12-15 gusht, 2011.

18). At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue-II”, Botues “Hylli i Dritës”, 1997, f. 136- 140.

19). Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.

20). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

21). Thoma Kacori, shkrim i cituar, f. 21.

22), Idem, ibidem, f. 26.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, dhe shkallë e lartë zhvillimi, e kulturës sonë popullore, Lashtësi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT