Portret për Nënë Terezen/
Nga Anton Çefa/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.
Gandisti i madh Ibrahim Rugova
Nga Anton Çefa/Në atë kohë kur në Evropën Lindore, komunizmin nuk e mbanin më këmbët dhe në Berlin po shembej Muri i turpshëm i ndarjes dhe i krimit dhe kur të gjithë popujt e Evropës po synonin të rindërtonin fatet e tyre; kur në Evropë, popuj të ndarë prej vitesh bashkoheshin me vullnetin e tyre dhe popuj të tjerë të bashkuar prej vitesh, ndaheshin po me vullnetin e tyre, kur në Ballkan po luheshin drama tejet tragjike, dhe kur populli shqiptar i Kosovës rrezikohej të humbte si lunatik shansin e vet historik, u shfaq në histori njeriu me idenë e madhe të shpëtimit dhe me një vullnet e këmbëngulje të çuditshme për ta realizuar atë, Ibrahim Rugova. Koha lindi njeriun e saj, Kosova birin e vet, populli i saj shpëtimtarin.
I dobët fizikisht, serioz dhe disi i sertë e me sy gjurmues me reflekse mendimtari, me profilin plot hije e drita të një intelektuali, në gropën e gjoksit të të cilit peshon një dhimbje e rëndë prej plumbi, e cila konkretizohej së jashtmi me një shall rreth qafës-shënjëzimin e robërisë së Kosovës së tij të dashur dhe lakun e mjerimit shekullor të popullit të tij.
Kishte punuar prej vitesh në frontin e letrave, gjithnjë i ndriçuar nga kjo dhimbje; tani i duhej t’i braktiste letrat dhe të hidhej në frontin e veprimit politik. Kosova e tij e shumëvuajtur kishte nevojë për ndriçim dhe drejtim. Ai e kishte ravijëzuar në ndërgjegjen e tij idenë e madhe të ndriçimit dhe drejtimit. Tani e tutje, mbi supet e tij të brishta do të mbante peshën e halleve të një populli, të një shteti që kërkonte të lindte që prej një shekulli. Tani e tutje, ai do ta organizonte popullin e tij dhe do ta drejtonte në rrugën e shpëtimit, duke shpallur dhe mbrojtur para gjithë botës idenë e tij të madhe. Tani e tutje, ai do të bënte luftë në krye të popullit të tij me armët e një shenjti.
Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të armikut shekullor serb, Ai, me një mprehtësi të rrallë mendimi, me një zemër të madhe humane, me një transparencë të ndritur vizioni dhe me predispozitat shpirtërore të përballimit dhe mposhtjes së dhunës me mjete paqësore, orientoi popullin në rrugën e mbrojtjes së ekzistencës nacionale, që armiku synonte ta zhbënte, të ruajtjes së vlerave njerëzore e qytetëruese, që armiku kërkonte t’i zhdukte, në rrugën e ndritur të lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe begatisë. Lëvizjes së fuqishme të popullit për liri e pavarësi, ai i dha zemrën dhe mendjen drejtuese – LDK- në, të parën parti demokratike në botën shqiptare dhe me një ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë.
Simbas strategjisë së tij dhe nën drejtimin e tij, mori formë struktura shtetërore e Kosovës së lirë, duke filluar me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, në korrik të 1990-ës, me miratimin e Kushtetutës, po në atë vit, me Referendumin Popullor, një vit më vonë dhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe parlamentare, në vitin 1992. Kështu, nën dhunën e përgjakshme serbe, lindi shteti i shqiptarëve të Kosovës, një shtet i ri që nuk e kishte dashur kurrë dhe e kishte sakrifikuar bota e madhe. “Shteti paralel” – siç e quajti dikush – erdhi gjithnjë duke u përsosur dhe forcuar.
Me një këmbëngulje të paparë, ai shpalli para mbarë botës: në Washington, në Bruksel, në Londër, në Romë, në NewYork, në Berlin e kudo, të drejtën dhe vullnetin politik të popullit të tij: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai, një figurë minore që nuk e njihte askush, nuk e përfillte askush dhe që shumëkush e kundërshtonte dhe çuditej me të, arriti të njihet e të vlerësohet, të respektohet dhe të dëgjohet, të miratohet dhe të përkrahet nga bota e madhe. Kështu, ai e bëri Kosovën problem të botës së madhe.
Rugova i ofroi Evropës rrugën gandiane të popullit të Kosovës, që do ta çlironte atë dhe do ta bashkonte me Evropën, së cilës i takonte fizikisht dhe shpirtërisht. Kosova, vendi i tij, ishte Dardania ilire e dikurshme me rrënjë të një qytetërimi të lashtë “që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian”, siç ia pati kujtuar ai vetë Senatit Evropian. Vërtet, Perandori i Bizantit, Justiniani, i cili i pati dhënë Evropës që në shek. VI ligjët qytetare -“Corpus Juris Civilis”-, që patën shërbyer si bazë e sistemeve ligjore për pjesën më të madhe të shteteve evropiane, qe bir i tokës dardane.
Përmes rezistencës paqësore, përsëri, Dardania e ditëve të sotme po i reflektonte Evropës dritë qytetëruese. Me trupëzimin në praktikë të idesë së tij të madhe, ai po i jepte Evropës çelësin magjik të paqes së Ballkanit, – gadishullit të mbrujtur me barot e gjak, – çelësin e vëllazërimit e të tolerancës së popujve ballkanas, çelësin e stabilitetit dhe të integrimit në Evropën e Bashkuar.
Evropa dhe bota e kuptoi dhe e përkrahu. Dhe kur pushtuesi serb, armiku i përjetshëm i popullit shqiptar, në figurën udhëheqëse të satrapit Milloshevic, u lëshua si ulkonja e etur për gjak mbi popullin e pambrojtur, Evropa vendosi ta korregjojë gabimin e vet të dikurshëm dhe, me nxitjen e përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndëshkuan kriminelin. Me sakrifica të mëdha dhe me flijimin e bijve të saj më të mirë që i dolën në mbrojtje me armë në dorë, Kosova fitoi lirinë dhe u fut në rrugën e pavarësisë dhe të demokracisë.
* * *
Ai vdiq, pa e gëzuar shpalljen formale të pavarësisë, së cilës i kushtoi jetën; por mermeri i kujtesës, në të cilin ndërgjegjja popullore gjithshqiptare ka gdhendur madhështinë e tij, është i pavdekshëm. I renditur krah figurave më të larta që ka nxjerrë kombi shqiptar, si Presidenti i parë i Kosovës martire, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë të së cilës vuri veten me një përkushtim flijues dhe me zotësi të pashoqe, ai do të jetojë përjetësinë e lavdisë historike.
Rugova nuk qe dhe nuk do të mbetet thjesht vetëm një personalitet shqiptar a ballkanik. Vlerat e tij shtrihen më përtej në Evropë dhe në të gjithë botën, sepse ai, me idetë e praktikën e tij, e sidomos me krijimin e strukturave shtetërore paralele në Kosovë, dha një ndihmesë të re me vlera të veçanta origjinale në luftën paqësore për çlirim dhe të drejta njerëzore të të gjithë popujve të robëruar, ndihmesë që i pasuroi dhe i zhvilloi më tej idetë dhe praktikën e rezistencës paqësore të Gandit , “satyagraha-n” gandiste.
Ribotim i redaktuar
Atdheu ynë Shqiperia
Nga Anton CEFA/
Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.
I kemi dhënë dy emra, emrat e prindit: atdhe dhe mëmëdhe, dheu i babait, dheu i mëmës, prindit që na lindi, prindit që na rriti.
E kemi quajtur Shqiperi, në emër të shpendit mbretëror. Shqiperi e madhe, Shqiperi e vogël, Shqiperi e malit, Shqiperi e fushës, Shqiperi e pasur, Shqiperi e varfër, Shqiperi e mendjes, Shqiperi e zemrës.
“Shqiperi, moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime.
Shqiperi, të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë.”
Shqiperi, ky dhe i shtrenjtë, kjo lëndë e shenjtë, ky det i hapët, ky qiell i kaltër.
Shqiperi, ti shpirti im; Shqiperi, ti zemra ime; Shqiperi, ti jeta ime; Shqiperi, ti varri im.
Shqiperia ime, Shqiperia yte, Shqiperia jonë, tokë e larë me gjak, e mbruajtur me djersë. Pjellë e një historie të shqetësuar, hapësirë e copëtuar nga mëria, e nëpërkëmbur nga smira, e yshtur nga urrejtja.
Shqipëri, ti kështjellë e heroizmit mitik, muranë lavdie shekullore.
Historia të dha dy data: atë të 28 Nëntorit 1443, dhe atë të 28 Nëntorit 1912, datën e Heroit të Shpatës e të Lirisë, datën e Burrit të Shtetit e të Pavarësisë.
Shqiperi, jemi bijtë e tu të patjetërsueshëm, bijtë e dashurisë, bijtë e kënaqësisë, bijtë e vuajtjes, , bijtë e dhimbjes, bijtë e lavdisë, bijtë e krenarisë.
“Na jem’ bijt e nji fisi t’permendun
N’dorë qi i shndriste si rrfeja çeliku
Qi e qestisë veç tu’ u dridhun anmiku
Qi t’tanë bota kah besa e nderon.”
Jemi popull i lashtë, i lidhur ngusht me tokën tonë jo prej shekujsh, po prej mija vitesh.
Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje.
Shqiperi të duam, ti je shpirtësuar në qenien tonë, në dheun e zemrës sonë, në qiellin e shpirtit tonë. Te ky shpirtësim, na vegon drita e misionit tonë, misionit të dëshirës, dëshirës së vullnetit, vullnetit të veprimit, veprimit të flijimit. Flijim, kjo dritëz e kaltër ndriçimi qiellor!
* * *
Reflekse të 28-ës
Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksionesh.
Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën na përflak, një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet, një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë, një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.
U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skënderbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.
Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.
Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.
Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.
Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe refleksione tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja të gjysmëhënës, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.
Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.
E kush nuk shpirtësohet në vetëdijësimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!
E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !
E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !
E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksioni të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!
Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .
Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se
“Zoti vetë e tha me gojë,
që kombe shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne.”
POETJA BULLGARE BLAGA DIMITROV NE SOFREN E DIELLIT
BLAGA DIMITROV/
(Poete bullgare – Perkthimet nga italishtja)/
Perktheu Anton Cefa/
Deri nesër!/
“Deri nesër!”, më the dhe ike./
Të shoqërova, e humbur, me sy./
Eshtë larg e nesërmja. A është e mundur/
Të qëndrojmë të ndarë kaq orë?/
Deri nesër nuk do të njoh
Hijen e ballit tënd, as pëshpëritjen
E dorës tënde të ngrohtë s’do ta ndjej
Dhe as lumin e mendimeve tua.
Në qoftë se do të të marrë etja në këto orë,
Nuk do të mund të jem burimi yt. Po të kesh ftohtë
Nuk do të jem unë flaka që të ngrohë.
As drita yte kur të bëhet errësirë.
“Deri nesër!” më the dhe ike,
Pa dëgjuar as psherëtimen time.
Ndërsa unë prisja që të qëndroje pranë meje
E të më thoje: “Deri në amshim!”
Ishim më të afërmit (më intimët)
Të mbetemi miq të mirë! Ç’kuptim
Ka kjo frazë? Duart tona të shkrira
N’shtërngim (më dhembin ende),
Do të takohen vetëm për një lamtumirë?
Shikime të etura që thitheshin,
Tani vetëm një salutim ?
Në vend të buzëve që digjeshin të përvëluara,
Vetëm një fjalë miqësore?
Jo, nuk mund të jemi miq të mirë.
Dashuria nuk njeh rrugë të mesme.
Ishim më intimët. Tani e mbrapa
Do të jemi më të huajt mbi këtë botë.
Humbje
Nuk di nëse isha dashuruar pas teje.
Di vetëm se isha shastisur
Pas dhomës së vogël, pak të ndriçuar,
Në mesnatë, e pas çajnikut që zinte . . .
Pas pemëve që prisnin horizontin.
Kinemave të humbura të lagjes,
Kujtimeve plot ankth të burgut.
Dhe plagëve të bombave mbi mure.
Stacioneve të tramvajit. Gjetheve të lagështa,
Gështenjave të nxehta në xhep.
Shtërgatave. Tringëllimit të telefonit.
Dhe deri mjegullave, detit gri…
Pas gjithë botës isha dashuruar.
Jo pas teje. Më dukej interesante,
E re, më e pasur. Për këtë më vjen keq,
Jo sepse të kam humbur ty; po pse kam humbur botën.
Pa dashuri
Tani e mbrapa do të jetoj pa dashuri.
Nuk do të varem më nga telefoni yt
Ose nga rasti. Do të bëhem indiferente.
Nuk do të vuaj. Do të jem erë e lidhur.
Do të ngrihet përroi pa psherëtima.
Nuk do të me zbehet më fytyra
Pas një nate pa gjumë, dhe as
Nuk do të më përndezet ajo. As toka
nuk do të më dridhet nën këmbë nga dhimbja,
Kurrë më nuk do të fluturoj drejt qiellit tënd.
Nuk do të jem e keqe, por edhe një gjest të vetëm
Nuk do të mund ta bëj në horizont të hapur.
As drita nuk do të më mungojë,
Po çfarë hapësire do të mund të shoh…
Nuk do të përvëlohem më duke pritur mbrëmjen,
Por edhe dita nuk do të agojë më për mua.
Nuk do të dridhem më nga akulli i fjalëve,
Por as nuk do të digjem mbi zjarrin flakërues.
Nuk do të qajë mbi supet tua mizore,
Por edhe nuk do të qeshi më me gjithë zemër.
Kurrë më nuk do të vdes për një shikim,
Por në të vërtetë nuk do të jetoj më.
Qyteti i vogël dhe bota e madhe
U linda në një qytet të vogël e në një shtëpi të vogël,
nën gërshetimin e blertë të një pjergulle.
Për këtë kam aq dëshirë të zbuloj
çdo gjë në këtë botë.
Jam rritur mbi kalldrëmet e rrugëve
Me bar të zbërdhylët anash,
aq të ngushta sa atje bënte të ftohtë,
kur ishte nxehtë e anasjelltas.
Prandaj në rrugë të gjera ndjej
frikë prej ngricës e prej vapet.
Njëri me tjetrin njiheshim,
në qytet ecej ngadalë,
ndaleshim nëpër rrugë
e pyesnim njëri-tjetrin :
“Si je, si shkon?”
Prandaj fati i shumë të panjohurve
Më intereson në qytetet e mëdha
E befas më tërheq vetmia në trafik.
Kujtoj në qytetin e vogël
komshitë ndër dyer duke marrë e dhënë
bukë, lule për të mbjellë, e tjera,
ose pranë gardheve, duke shkëmbyer
zjarr, lajme e ndonjë fjalë të mirë.
Prandaj më duket sikur më kafshon
çdo derë e përplasur.
Oh, sikur njerëzit
e botës shurdhe, të huaj, të vendosnin
me inisiativën e tyre: duar e zemër!
Ia di për nder qytetit tim të vogël,
sepse më ka hapur sytë
e habisë për tërë botën,
sy provincialesh, por të etur,
që do të besojnë e do të kërkojnë
gjatë ecjes të takojnë
ata që flasin një fjalë ngushëllimi,
që të japin pak zjarr, një këshill, e tjera.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit
NGA ANTON CEFA/
Portret për Nënë Terezen/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 16
- 17
- 18
- 19
- 20
- …
- 26
- Next Page »