• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkodra – qyteti im i lindjes dhe i dashtnisë – në frymëzimet e mia

August 12, 2018 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA/1 anton_cefa

  Nji shkulm rrezesh/

Nji shkulm rrezesh hollake/

Të diellit n’prendim/

E grisi çarçafin e palamë të reve./

 

Dangë e përgjaktë përflaket,/

Smadhohet e zvoglohet mes resh/

Tue përskuqë/

Tërthoren e Taraboshit në maje,/

Kodrat e Tepes, të heshtuna/

Dhe brengën time për qytetin e lindjes./

Nata me hije të bruzta

Do të më ndryej mbas pak në andrrën e vet.

Atje do të kërkoj

Shijen e nji jete t’grabitun.

Po, edhe nga syni i andrrës

Do t’më spërkasë shkulmi i përgjaktë

I rrezeve t’prendimit..

(1969)

Shkodrës

Të kam pa në synin e të gjitha qosheve të rrugëve

E tinëzisht

Të kam joshë çdo lakim dëshire

E dridhje zani.

Je tjetërsue sot, asht shkërmoqë thelbi i të gjitha fjalëve

E edhe i asaj që njerëzit quejnë dashtni.

E Qinarit të Hoxhës së Dheut,

Hija e topitun

Ka humbë përgjithmonë kujtesën

E nuk më njeh.

Ende më vjen e mbytun

E me nji ritëm të çuditshëm

Jehona e hapave të lirë

(Jehonë hapash të dikurshëm

Mbi kalldramet tua të mëndafshta

E të buta si tapete).

E më duket se në këto shtjella ajri

Po zvargen ende tingujt e ambël

të kumonëve

që shpallshin paqën e njeriut të mirë.

 

Të kam dashtë gjithmonë

Por ma tepër e ma

Pse nuk filtrove me këtë kohë të ndytë.

(1972)

Rozafa

Si hana në boduarin e reve

Rozafa

Në themel të Kështjellit të gurtë

E në krahët e legjendës.

Përsëdytet e përthyhet

Drita e hanës

Në kullim të qumshtit ndër shekuj.

Shkëlqen ashti i flisë. 

Drinit

Kam pi ujin tand

Sa rrajët e këtyne shelqeve që rritën në të tuat brigje

E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash

Jam shkoqë nga toka si zog i trembun

E n’ato plepa qi me maje prekin qiellin

E varen n’rreze t’diellit

Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;

Mandej me dorën e lehtë të flladit

Në gugatjen e valëve tua

Kam la sa e sa herë vargun tim

E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,

S’do të ngopem me ujin tand tanë jetën

Si rrajët e këtyne shelqeve

Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

Motiv i dikurshem

Drini i lau kambët Kalasë

E dielli tue u rrxue mbasTaraboshit,

Ia fali qytetit lulkuqin e fundit

Të ditës.

Puthin aroma lulesh

Muret e oborreve të randueme nga shermasheku

E shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,

Krrusen

Nën peshën e lodhjes së mbramjes

E të qiellit n’prendim.

Krismat e dyerve që mbyllen njena mbas tjetrës

Dhe të gjitha zhurmat e tjera

Shuhen ngadalë në valët e liqenit.

Me nina-nanën e bulkut të natës

Dremitin rrugët e vetmueme

E Shkodra flen.

Shtregullat

U harruen shtregullat,

Kur “Hovi i madh e hovi i vogël” *

Shlirshem kalamendeshin nën hije t’ mandave

Dhe duhi shpirtnash

Mbushte me amsim hapsinat.

Kanga kishte tjetër ndriçim

E fjala tjetër tingull

E jeta tjera hove.

* Varg i kangës së shtregullave.

         Shnjoni*

Si çdo vjetë

Shnjoni i ndezi flakadajt

Dhe valles ia dogji hapin.

Deri në ag të ditës

Përzhiten kambët e shpirtnat.

Kristianizmi pagzoi me emen të ri

Zakonin e vjetër

E arbërit mbeten arbër.

Zjarre të fikuna dikur

Ndezen rishtas në gjokset e të rijve

Ditën e Shnjonit.

*Me 29 gusht, ditën e Shnjonit (Shen Gjon Baptista) ka qenë zakon në Shkodër që të rijtë të ndezshin zjarre me kashta dhe të kërcejshin ndër flakadane.

         Pax  Vobis !

“Pax vobis ’, kufoma jetësh të zhgënjyeme!”

Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive

E shelqeve u ranë gojët

Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë

E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,

Kullojnë helm kaltërsitë.

* U kushtohet martirëve të pushkatuem mbas mureve të Rmajit, në Zall të Kirit.

Mall agimesh

(Shkodrës)

Sado të randa qenë stinët,

Të errta, plot lagshti,

Malli yt asht mall agimesh

Që shkëlqen mbi Cukal e Maranaj,

E rrjedh me ujët e Bunës.

Nuk ndigjoj këtu

Fëshfëritjen e shermashekut mbi mure,

Nuk e ndiej erën e marangjylit n’oborre

E as nuk shoh prendimet mbas Taraboshit.

Këtu nuk e shuej etjen me ujë pusi.

Shkodër,

Në degëz të mallit tand,

Luhatet e varun zemra ime.

Kangë për tokën time

Rrugët janë të hapuna,

Por kthimi asht i vështirë.

Toka ime e dhimbshme

E dhimbshme dhe e bukur.

Te ti çelin agimet lule drite

E errën muzgjet në piklime yjzish,

Toka ime e dhimbshme,

E dhimbshme dhe e dashur.

Rrugët janë të hapuna,

Po kthimi asht i vështirë

E dhimbja asht e thekshme,

O toka ime,

e dashur,

e dashur dhe e braktisun

Mërgim

U nisa

Si nji yll që shkëputet në muzg,

U ravijëzue e thana.

Udhëve u dhashë nji emën të rrejshëm.

Ngarkesë e randë m’u bajtë:

Dekor i gurtë malor në Veri,

Legjendë kaltrije ujore në Jug.

Ngarkesë e randë m’u bajtë:

Shtëpia me kopsht e avulli

Nji jetë e preme për gjysë,

Kujtimet pa fund,

Të gjallët e të vdekunit.

Sa randë peshojnë të vdekunit!

Me bisedat e gjetheve

             (Motrave: Letës e Verës)

Ngujue në fund të kopshtit

Gjithmonë me kambë në dhe,

Si me motrat

U rritëm bashkë, moj kumbull.

Si nuk të lodhi pritja

Sa herë unë brodha

E të harrova,

Si nuk të lodhi pritja?

Me bisedat pa mbarim të gjetheve

Në pranverë

E me heshtjen e ngritë dimnore

Çka don me m’thanë, moj kumbull?

Largime,

Vajtje e ardhje ka kjo jetë,

Po ti mos u trishto:

Në degët tua kam varë përgjithmonë

Buzëqeshjen e fëminisë. 

Në zemër më ngrin nji plagë

Ktheva në shtëpi

Si gjethi i zverdhun

Qi era hjedh për dhe.

Ndigjoj trokitjet e nallave të nanës

Në oborrin e shtëpisë së heshtun

Si kumbimet e bekueme

Qi binin mbi fmininë time.

Ajo s’asht ma.

Dhe as qeni nuk asht,

I miri im!

E mbyti malli.

Tani po përtypi

Lehjet e tij të mirëseardhjes

Si kafshata të njelmëta malli.

Vetëm kumbulla, po,

Më përshëndet me nji fëshfërimë të blertë

Qortimi prozhmues.

Në zemër më ngrin nji plagë

Prej bryme e bore

Rishtas e hapun.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, Shkodra-qyteti im

SOFRA E DIELLIT- Në kërkim të Fjalës së Urtë

July 29, 2018 by dgreca

ANTON ÇEFA/3-anton-cefa-1

Në kërkim të  Fjalës së  Urtë/

Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe/

Ngjitem shtat fill mbi qiell/

Në kërkim të Fjalës së Urtë,/

U ngjall apo s’u ngjall/

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës/

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem/

Në kërkim të fjalës së urtë/

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma të fismin

E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohhë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

*

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se frut i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej

Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

*

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, ne kerkim, të Fjalës së Urtë

ARBNORI: POLITIKA MË KA ZËNË DERËN, LETËRSISË IA KAM ZËNË DERËN

July 23, 2018 by dgreca

Intervistë e Editorit të  Gazetës Dielli(1994-2009), Anton CEFA me shkrimtarin Pjeter Arbnori*/

2-anton-cefa

“Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar”/

1 arbnori

 

“Dielli”-Në krahasim me politikën, vështirësitë, rrugët e rrugicat e saj, zhgënjimet e dështimet e saj, ju keni vlerësuar më shumë hapësirën e ndriçme të artit letrar; por, në momente të caktuara e periudha të veçanta, epërsinë e ka pasë e para. Si e konceptoni shtysën e brendshme shpirtërore ndaj këtyre dy veprimtarive, që kanë karakterizuar më së shumti jetën dhe personalitetin tuaj?

Pjetër Arbnori-Veprimtaria politike dhe letrare janë të ndërthurura në jetën time dhe nuk shkëputen dot nga njëra-tjetra. Që në fëmini kam pasur një jetë shumë të dendur me ngjarje dhe shumë të ngjeshur me mbresa të pashlyeshme qofshin të mira qofshin të dhimbshme. Vështirësitë e jetës dhe gëzimet e pakta më kujtojnë ditët e vranta kur dielli për disa çaste e nxjerr syrin e ndriçëm, të cilin e mbyll sapo fillon rrebeshi. Kryesorja në jetë ka qenë grumbullimi i përshtypjeve që shtresohej muaj pas muaji, vit pas viti. Jo vetëm shikoja, ndieja por edhe mbaja mend dhe nxirrja përfundime. Për natyrë nuk kam qenë njeri agresiv, as ekspansiv, por jam përpjekur t’i bluaj ato që kam jetuar. Jo gjithmonë e kam shprehur atë që përjetoja, kështu që rruga më e mirë ka qenë në fillimet poezia ajo që më ndihmonte të shpreh shpirtin tim të ndjeshëm. Me mësime kam shkuar shumë mirë, kështu gjatë viteve jo vetëm që kam dalë i pari i klasës, po më dukej krejt e natyrshme që të isha i pari. Ambicja positive më ka shoqëruar gjithë jetën: “kam luftuar të ndërtoj një strehë për vete pa lënë tjetrin në shi; të siguroj një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja.; të përpiqem të shkollohem pa e lënë tjetrin në errësirë; të  rropatem në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut pranë.” Është krejt e natyrshme që në këto rrethana është letërsia ajo që do të më tërhiqte për të paraqitur gjithçka që kisha provuar dhe ndier. Që në fëmini kam lexuar shumë. Babai më ka lënë një pasuri të madhe: një bibliotekë që e kam shfrytëzuar si duhet. Jam rritur me Fishtën, Lasgushin, Mjeden, Nolin, Konicën, Migjenin, Koliqin, Kutelin. Nuk e fsheh se kam dashur t’u ngjas sadopak këtyre. Po këtu hyn politika: tre prej tyre isha i detyruar t’i lexoja fshehtas, se i quanin reaksionarë. Veç kësaj, në fillim të vitit 1948, më futën motrën në burg për arsye politike. Nënën dhe motrën tjetër, m’i kanë pushuar disa herë nga puna, sado që ato bënin punë të rëndë krahu. Veç kësaj, pas vitit 1945, filluan kontrollet, arrestimet, gjyqet e pushkatimet në qytetin tim, Shkodrën, madje në gjithë Shqipërinë.

Të gjitha këto bënë që të përzihej politika me letërsinë dhe të pasqyroja mbresat dhe ndjenjat duke shkruar ndonjë poezi apo duke mbajtur ndonjë ditar, që natyrisht shpesh grisej ose digjej nga frika e kontrolleve. Vuajtja më bëri të merrem me politikë, politika më çoi me ndërgjegje drejt burgut; burgu më pasuroi shpirtërisht dhe më bëri të njoh anë të paprovuara të jetës; në kushtet e një mbylljeje hermetike, iu drejtova letërsisë për të dytën herë me dëshirën të pasqyroj të vërtetën.

Kur u arrestova, shumicën e shkrimeve të rinisë m’i konfiskuan dhe m’i zhdukën. Që kur munda të marr shënime në burg, nisa të mbajë një ditar të fshehtë me titullin e dukshëm: Pjetër Arbnori-Folklor (mbledhur nga goja e popullit ose vjelë nga shkrime të ndryshme)-Proverba-Gjë e Gjëza-Toponomastikë-Gazmore-Këngë popullore-Grimca historike, etj., etj. Titulli i fshehtë ka qenë: LUFTA PËR TË MBETUR NJERI. Një pjesë të këtij ditari të fshehtë, të mbajtur për afër 28 vjet, e kam nxjerrë me shumë kujdes, sakrificë e rrezik dhe shpresoj që heret a vonë ta botoj pas deshifrimit tepër të vështirë që i duhet bërë. Kush ka vizituar studion time-papafingo- e ka parë, shfletuar dhe fotografuar.

Të gjitha këto i kam bërë i shtyrë nga lufta për ta bërë padrejtësinë drejtësi. Kuptohet që kjo mbetet një përpjekje që nuk mund të realizohet kurrë plotësisht as në realitet, duke u marrë qoftë me politikë qoftë me letërsi. Në letërsi je më i lirë se në politikë.

Dielli – Edhe pse pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës e keni kaluar në robërinë e errët të burgut, ju e keni ndjerë veten gjithnjë shpirtërisht të lirë. Cila do të ishte marrëdhënia mes lirisë shpirtërore dhe letërsisë artistike, si atribut shpirtëror, në kushtet e robërisë fizike, në veçanti, dhe në kushtet e një jete normale, në përgjithësi?

Arbnori – Kam shkruar në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Romës “La Sapienza”: “Jeta është një përpjekje për të zgjëruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë kufijtë e kontaktit me botën, me realitetin. Kur nuk mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është mjaft e mundimshme, por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit”.

Në burg, në diktaturë mendimi nuk mund të ndalohet dot, përkundrazi nxitet edhe më tepër, diskutimi është me shumë rreziqe, po jo i pamundur; ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë, siç më ka ndodhur mua kur më shtuan dhjetë vjet për romanin “Shtëpia mbetur përgjysmë”. Shkrimi në burg është shkrirja e përvojës tënde, e kujtimeve, e vëzhgimit të përditshëm, e diskutimeve. Mendja të ndihmon për të sajuar metoda që realisht të bëjnë përherë e më të lirë derisa i afrohesh lirisë absolute. Unë kisha gjetur një metodë që më dukej origjinale. Duke qenë se për çdo mendim të shprehur mund të gjindej shkaku për të të dënuar, shumicën e veprave të mia unë i kam quajtur të përkthyera nga anglishtja, nga frëngjishtja, nga italishtja, nga rusishtja apo nga gjermanishtja. Vija poshtë kopërtinës: përkthyer nga Pjetër Arbnori. Autorin e vija ose tepër të madh ose të panjohur. Kisha edhe një metodë tjetër: ngjarjet ose i ndërroja në kohë ose vende. Ngjarjet apo personazhet ishin të ndodhura në Shqipëri dhe unë i kaloja në Gjermaninë naziste (1933-1939): “Kur dynden vikingët” ose në Bashkimin Jugafrikan (1960-1970): “E bardha dhe e zeza” ose në Irlandë e Angli, në kohën e luftës së irlandezëve për pavarësi: “Brighton-një vetëtimë e largët” ose ngjarjet e arrestimit të Grupit të Rezistencës (1950) i kaloja në ngjarjet tek “Vorbulla” e pas Lidhjes së Prizrenit 1878-1882, e kështu me radhë. Analogjia më ndihmonte për të përshkruar personazhe reale që i kisha njohur vetë në liri apo në burgje, apo për të cilët kisha dëgjuar nga bashkëvuajtësit. Në këto rrethana “të sajuara” kam qenë krejtësisht i lirë në plazmimin e personazheve, të dialogeve, të ngjarjeve, aq sa tani që i kam shpëtuar, nxjerrë e botuar romanet, kur m’i lexojnë shokët e vuajtjes që kanë mbetur gjallë, më thonë “sa bukur e ke përshkruar Ndrekë Kakarriqin apo filanin e filanin, pra më thonë emra personash të vërtetë dhe jo personazhesh të romanit.

Përshkrimi i burgut dhe i të burgosurve, hetuesve dhe policëve a gardianëve te romani “Vorbulla” është identik me ato që kam parë me sytë e mi ose dëgjuar prej shokëve të mi që njiheshin për besnikëri përshkrimi. Kur lexoja faqet e shkruara emocionohesha vetë po aq sa emocionoheshin shokët që i lexonin.

Dielli – Cilën arritje tuajën vlerësoni më shumë në fushën e politikës, të letërsisë artistike dhe të vetë jetës?

Arbnori – Kam luftuar për të drejtën me anën e më të dobëtit; kur kam arritur të bëhem i fortë me fitimtarët nuk i kam vënë këmbën në fyt kundërshtarit. Në letërsi kam përshkruar të vërtetën pa e lustruar, kam dialog të gjallë dhe humor të shëndoshë: romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Në jetë nuk e kam humbur besimin edhe kur isha në grykën e varrit; në të gjitha rrethanat jam munduar të gjej anën gazmore, edhe në kushtet tragjike. Ndjek parimin: po të thuash mirë, bëhet mirë.

Dielli – Ku e ndjeni veten më të talentuar: në politikë a në letërsi dhe cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi në jetë?

Arbnori – Kam qenë i detyruar të merrem me politikë, megjithatë gjithë jetën e kam bërë pa hile qoftë ndaj shokëve qoftë ndaj kundërshtarëve. Për natyrë unë ia them cilitdo të vërtetën në sy (pa mendimin që ta denigroj ose që t’ia fus stërkëmbësën). Krenohem që nuk kam tradhtuar miqtë në kushte të vështira. Si shembull talenti në politikë: një herë duke folur në Kuvend u thashë spontanisht kundërshtarëve: ju nuk jeni socialistë por jeni “specialistë”. Unë shpresoja t’i indinjoj, t’i bëj të bërtasin, por të gjithë djathtas e majtas shpërthyen në gaz. Kanë kaluar vite dhe ende qoftë njerëz të thjeshtë qoftë me pozitë, të njohur e të panjohur, si me gojë si me shkrim ma përsërisin”Pjetër ia ke gjetur pikën: “nuk janë socialistë, por specialistë”. Në letërsi shkrimtari është si babai që ka shumë fëmijë dhe nuk dallon asnjërin veçanërisht, por unë kam më kanakar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” për realitetin e Shkodrës më 1943-1944, për humorin në vuajtje dhe për dialogun e gjallë. Ajo është arritja ime. Në jetë shokët më mbajnë mend që nuk kam bërë njëherë uh! , as oh!, as në prak të vdekjes, as në hekura, as gjatë më se 28 vjetëve në burg. Gjeta nënën gjallë dhe më pa të martuar, deputet të respektuar. Talenti im i madh është se kam një djalë e një vajzë si pëllumba, të bekuar nga Nënë Tereza vetë, siç më ka bekuar edhe mua dhe gruan time. A ka talent më të madh dhe arritje njëherësh.

Dielli – Letërsia e krijuar në burgje u bë e njohur mbas rënies së diktaturës. Cili është mendimi juaj për këtë letërsi: sa e si e dëshmon ajo veten si një kapitull i veçantë i historisë së letërsisë sonë? Lidhur me këtë, kjo letërsi, përveç jush, njeh krijues të tillë të fuqishëm si Trebeshina dhe Zhiti. Ka emra të tjerë që i bëjnë vetes një vend të merituar këtu?

Arbnori – Synimi i diktaturës ishte që të zhdukte do gjurmë të mendimit të lirë dhe çdo faqe artistike të krijuar në kushtet e burgut, internimit ose fshehtësisë. Dihet se veprimi i parë që bëhej nga njerëzit e ndjekur kur kërcënoheshin nga arrestimi ishte djegia e letrave të shkruara ose fshehja e tyre. Janë shumë të paktë krijuesit, qoftë edhe ata tepër të kujdesshëm, që nuk kanë pasur një fletë për të zhdukur, kur janë kërcënuar ose kanë pasur dyshim se do të kontrolloheshin. Unë vetë, megjithëse shumicën e kohës kam ndenjur i izoluar ose me shoqëri të kufizuar burgu, mund të dëshmoj se kam njohur një numër njerëzish të talentuar që në kushtet më të vështira kanë shkruar një faqe, dy faqe, dhjetë faqe që i kanë qarkulluar në shokë tepër të besuar. Letërsia, përgjithësisht arti, nuk mund të gjallojë pa i lexuar njeri krijimet, pa i parë ose pa i dëgjuar kush. Në burgun e Burrelit qarkullonin poezi që u recitoheshin shokëve e miqve gjatë ajrosjes (kurrë nuk recitoheshin me zë në dhomë), këndoheshin këngë me zë të ulët në ajrosje (pasi kënga në dhomë ishte e ndaluar me kërcënimin e ndeshkimit). Nuk duhet harruar se kontrollet e imta bëheshin çdo javë, duke nxjerrë dyshekët në oborr, ushqimet, librat, fletoret. Rrëmoheshin edhe fletët e pusullat e vogla. Më e pakta asgjësoheshin. Di që shkruheshin dhe kam lexuar prej tyre ese nga Mirash Ivanaj e Xhevat Korça, leksione juridike nga Engjëll Çoba, leksione estetike dhe logjike nga Koço Tasi, leksione filozofike nga At Pjetër Meshkalla. Kam dëgjuar këngë të bukura nga Gac Çuni dhe Tanush Kaso; kam lexuar poezi të ndjera nga Kudret Kokoshi, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, proza poetike nga Astrit Delvina. Por mund të them se secili autor i ruante krijimet e veta vetë dhe mendonte si mund t’i kalonte jashtë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë.

Edhe unë si ju mendoj se emëri i Kasëm Trebeshinës dhe i Visar Zhitit janë të spikatur, por i takon kritikës kompetente dhe të ndershme të thotë fjalën e vet për të tjerët.

Dielli – Vihet re rëndom, në këtë periudhë të trysnisë së çoroditur politike, të kësaj gjendjeje shpirtërore traumatike dhe të këtij çorientimi të përgjithshëm kulturor, përveç mungesës së një kritike të shëndoshë letrare, edhe një përpjekje dashakeqe për ta lënë në heshtje këtë letërsi, mos edhe për ta përbuzur dhe bile për t’ i nxjerrë namin e keq.

Arbnori – Përgjigjja është e thjeshtë. Kritika e shëndoshë letrare është e mangët dhe ka qenë e dukshme përpjekja dashakeqe e një kategorie të caktuar për ta lënë në heshtje këtë letërsi disidente, madje edhe është denigruar ajo me qëllim. Sidomos për shkakun se mijëra firma, miliona faqe e miliarda lekë të shpenxuar për të ngritur në qiell një ideologji të rreme, një letërsi të shpifur, një lavdi të fryrë si tollumbace doli bosh. Ish-shkrimtarëve u dhimbset letra e shpenzuar kot dhe u vjen edhe më keq që nuk mund të krijojnë në liri vepra të reja për të qenë, prandaj janë dashakeqës ndaj të tjerëve.

Dielli – Letërsia rreh të zbulojë botën e brendshme të njeriut, në përpjekje për të depërtuar në thellësitë e saj më të panjohura dhe për ta humanizuar atë. Çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist, që lulëzoi në vendin tonë, duke u nisur nga fakti që ajo pati një hero të rremë, pasqyroi një realitet të shpikur dhe jetësoi një mesazh të pamoralshëm?

Arbnori – Realizmin socialist unë e kam quajtur publikisht RRENALIZMI SOCIALIST dhe jo pa arsye.

Dielli – Në veprat më të arrira të realizmit socialist u ngjiz një kontradiktë e fuqishme mes mjeshtërisë së lartë artistike dhe mesazhit të saj negativ, gjë që dëmtoi së tepërmi formimin e bereznive të reja. Si i gjykoni këto vepra ?

Arbnori – Me gjithë përpjekjet për rrafshimin e mendjeve dhe talenteve, edhe diktatura kishte nevojë për disa mjeshtra të spikatur të fjalës artistike, të cilët përpiqej t’i kishte nën kontroll dhe të lavdërohej me ta nëpër botë. Këta mjeshtër herë pas here goditeshin më rëndë ose më lehtë sipas planifikimit. Ndodhte rrallë që ata i dilnin edhe nga kontrolli diktaturës siç ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili në shumicën e rasteve i kapërcente kornizat. Ky shkrimtar i shquar më kujton një thënie të Bedri Spahiut, ish-udhëheqës komunist më vonë disident në burgjet e diktaturës, i cili më thoshte: “Unë jam i lirë në ujë, por nuk jam i lirë nga uji. Kur më vjen dëshira e madhe për pavarësi kërcej disa herë si peshku mbi sipërfaqe, shikoj botën po edhe më shikon bota siç jam dhe sa vlej…”

Dielli – Sado e egër që qe diktatura, tek ne pati një disidencë politike të hapur e të organizuar dhe ju keni qenë një ndër përfaqësuesit e saj më të mëdhenj. Si e shpjegoni që nuk ndodhi një gjë e tillë në fushën e krijimtarisë artistike, ku, në këtë drejtim, pati vetëm përpjekje të veçuara të ndonjë personaliteti?

Arbnori – Jam i rezervuar për pohimin tuaj. Ka pasur përpjekje dhe tentativa serioze për disidencë politike të hapur dhe të organizuar që nga 1945 deri më 1990, por diktatura ka qenë e pamëshirshme, madje provokuese. Është për t’u nderuar inteligjenca shqiptare dhe shtresat e ndryshme të popullsisë për rezistencën që i bënë komunizmit. Këtë e vërtetojnë grupet e ndryshme të dënuara, mijëra njerëzit e pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të arratisur. Kjo tregon papajtueshmërinë e popullit tonë me ideologjinë e kuqe. Nga ana tjetër ka pasur edhe shumë gjyqe false të cilat sajoheshin për t’i futur frikën pjesës tjetër të popullsisë.

Po kështu ka ndodhur edhe në fushën e krijimtarisë artistike, ku shkrimtarët e afirmuar vdiqën në burg : Vinçenc Prennushi, Ethem Haxhiademi; bënë burg: Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj. . Ata që nuk u burgosën jetuan nën trysni, gjithmonë të kontrolluar: Lasgush Poradeci e tjerë, të cilët dogjën vetë dorëshkrimet ose ia dogjën të afërmit e tyre nga frika. Sot është e kotë të vajtojmë për vlerat e humbura, por t’u japim vlerën e vërtetë atyre që kanë mbetur si relike të një kohe që duhet pasqyruar medoemos me vërtetësi në mënyrë që të mos përsëritën shëmtirat e një murtaje intelektuale që brezi i ri duhet ta njohë.

Dielli – Prof. Gradilone i Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit “La Sapienza” të Romës, në monografinë për veprat tuaja, pasazhe të ndryshme të tyre i ka përqasur me emra të tillë botërorë si Verga, Manxoni e deri te Homeri. Po ashtu, novela juaj, “Kur dynden vikingët”, në parathënien e Shefki Hysës, është krahasuar me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, “Shkretëtirën tatare” të Dino Buxatit, “Plakun e detin” të Hemingueit. Cilët nga autorët e letërsisë botërore ju pëlqejnë më shumë dhe cili prej tyre mendoni se mund të ketë ndikuar në punën tuaj?

Arbnori – Profesor Giuseppe Gradilone, nxënës dhe pasues i Ernest Koliqit, ka shkruar një monografi me titullin “Pjetër Arbnori – Shkrimtar”. E falënderoj për analizën serioze dhe dashamirëse me të cilën më ka paraqitur. Sa për përqasjen me emra botërorë, mua nuk më rritet lehtë mendja, vetëm se ia shtoj detyrën vetes për t’u përngjarë sadopak atyre titanëve dhe më duhet të mos e ndaj limën nga dora. Me që më pyesni, unë do të them se adhuroj Shekspirin edhe pse nuk kam mundësi të shkruaj asnjë tragjedi, dramë apo komedi; kam nderim për Tolstoin sadoqë ky i fundit kishte mendim të gabuar për vlerat e Shekspirit. Ndër prozatorët pëlqej në mënyrë të posaçme Çehovin, Sarojanin, O’ Henrin, Heminguein e Buxatin. Kam lexuar pa kufi gjithmonë. Kur kisha kohë nuk kisha libra, tani kam libra nuk kam kohë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë, lexoja shpejt në mënyrë diametrale. Po kur më bie në dorë një vepër e mire, e lexoj dy herë, madje edhe dhjetë here, kur është fjala për një autor si Shekspiri.

Shkrimtari i mirë nuk mund të kopjohet, se bëhesh qesharak, por mjeshtri i madh depërton me metodën e tij sa të hyn në të gjitha qelizat tuaja. Nuk e kam për turp të ndikohem nga veprat e mëdha botërore, por gjithmonë jam kujdesur që të kem të dallueshme firmën time.

Dielli – Po i derjtohem prapë Gradilone-s që ju ka cilësuar si shkrimtar që “i përket brezit të rritur nën regjimin komunist, por me kujtesë edhe parakomuniste”. Sa e si është pesha e kësaj kujtese në krijimtarinë tuaj?

Arbnori – Vërtet jam i rritur në regjimin komunist, por kujtesat e fëminisë i kam përherë të freskëta. Pa adhuruar asgjë të mykur, kam pëlqyer jetën e lirë e të pakomanduar. Po të jetë për të besuar, nuk kam dashur kurrë të adhuroj perënditë e tokës por perëndinë në qiell, që është më i gjerë, më i lartë, më i pafund. Idetë komuniste nuk më kanë marrë kurrë mendjen.

Dielli – Pjesën më të madhe të veprave tuaja i keni shkruar në burg, ku kishi kohë, kushte jo. Tani që jeni i lirë ndodh e kundërta. Mendoj që kohën më të madhe ia kushtoni politikës. A është e vërtetë?

Arbnori – Unë çdo gjë e marr seriozisht në jetë, edhe politikën. Vazhdoj të punoj edhe në letërsi. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, po jo edhe pa vlerë. Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar. Ngrihem çdo ditë mëngjes heret, shpesh në katër e gjysmë ose pesë. Gruaja dhe fëmijët flejnë, unë lexoj ose shkruaj. E ndiej që gjithnjë kam shumë gjëra që duhen kryer, plotësuar. Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të qëllojë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.

Dielli – Cili është mesazhi i jetës dhe i veprimtarisë suaj për breznitë e ardhshme ?

Arbnori – Mos qaj, mos vajto, qëndro gjithmonë drejt, jo në gjunjë, po u rrëzove, ngrihu përsëri në këmbë dhe ec përpara. Thuaj dhe shkruaj gjithmonë të vërtetën, dhe mbroje në çdo rrethanë e me çdo kusht. Po besove gjithnjë, do ta kesh rrugën të hapur.

Dielli – Është bërë zakon ndër intervista të bëhen pyetje për planet e së ardhmes.

Arbnori – Kur të pushoj së punuari, së menduari, së shkruari, atë herë kam vdekur. Edhe në marrsha frymë pastaj, gjalloj më kot. 

  • Botuar në “Dielli”, v. 2004, nr. 3.

————————————————————————————————————-

Veprat e botuara të Arbnorit:

Letërsi   artistike

-“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992

-“Mugujt e Mesjetës”, roman, 1993

-“Bukuroshja me hijen”, novelë, 1994

-“E bardha dhe e zeza”, roman 1995

-“E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”, novela, 1996

-“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin autorit iu shtuan 10 vjet burg.

-“Vorbulla”, roman, 1997

-“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman, 2000

Letërsi dokumentare e publicistike

 

-“Letër nga burgu”

-“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1992- 2000

-“Pjeter Arbnori: shkrimtar-politikan-njeri” 2001, botim i ilustruar autobiografik.

-“10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht).

-“Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht).

-“Martirët në Shqipëri – The Neë Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht).

Përkthime:

-Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998

Gati për botim -William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” (në dy vëllime), përkthyer në burg, në vitin 1988.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Interviste, Pjetër Arbnori

Tribuni i demokracisë Pjetër Arbnori

July 21, 2018 by dgreca

1 arbnori                                                                                                                                                                                                                                 (Pjeter 18 janar 1935 – 8 korrik 2006)/2-anton-cefaNga Anton Çefa*/

Më i afërmi ndër shokët e tij të fëmijërisë dhe të rinisë kam qenë unë. Rrethanat e jetës i ndajnë dhe i largojnë njerëzit, por zemrat e shokëve e të miqve nuk njohin ndarje.

Vdekja e tij e parakohshme dhe e papritur më pati tronditur aq shumë sa që nuk qeshë në gjendje të merrja penën. E pra, unë kisha shkruar për të, dhe kisha aq shumë për të thënë. E kisha detyrim, e ndjeja si peng, por edhe si çlirim shpirtëror nga dhimbja; megjithëse e dija që nuk do të shpëtoja nga ajo dhe nuk e ndjej se po përligjem e po qetësohem me këtë shkrim.

U rritëm bashkë. I kishim shtëpitë jo më shumë se 100 hapa larg njëri-tjetrit. Nga dera e oborrit e shtëpisë sime, e shihja atë kur dilte në kopshtin e “Shtëpisë së mbetur përgjysmë”, siç e ka titulluar ai romanin kushtuar viteve të fëmijërisë dhe të rinisë.

Pjetri erdhi në lagjën tonë, në vitin 1942, shtatëvjeçar. Kishim një diferencë fare të vogël moshe, vetëm 5 muaj. E kujtoj që në fëmijëri me atë natyrë të qetë që e ka karakterizuar gjithnjë – refleks i një flegme pjekurie dhe maturie të hershme, që ndrydhte në çdo rast impulset e mospajtimit dhe kundërshtimit deri në protestë ndaj së keqes, në çfarëdo ngjyre që të shfaqej ajo dhe prej çfarëdo drejtimi që vinte.

U nisshim për shkollë heret mbasi zgjoheshim, porsa dilte drita, nga zhurma e mitralozave që lajmëronin Shkodrën se në periferi të qytetit, pas varrezës së Rmajeve- shumë afër lagjes sonë, u pushkatuan edhe një grup “reaksionarësh”, mbi të cilët rëndonte një faj shumë i madh: ata e donin Shqipërinë ndryshe nga komunistët, që po ia bënin fli politikës sllave dhe paçavureve marksiste-leniniste. Për gjithë qytetin, e edhe për ne fëmijët, në atë kohë unë e Pjetri kishim shkelur në të 12-in e në të 13-in vit të jetës, bëhej objekt i përgjithshëm diskutimi ngjarja e përgjakshme. Shqiptoheshin emrat, flitesh për rrethanat e jetës dhe viheshin në dukje meritat e secilit prej martirëve.

Dy shkollat e mesme të qytetit, pedagogjikja dhe gjimnazi, që zhvillonin mësimet në të njëjtën ndërtesë, qenë bërë qendër e rezistencës së rinisë shkollore kundër komunizmit. Për ta mposhtur këtë rezistencë, qeveria pati sjellë si nxënës konviktorë kryesisht nga Jugu i vendit ish-partizanë a djem të tyre, që i kishim ndër klasa, por që ishin 4-5 vjet më të mëdhenj nga ne. I mbaj ndër mend si sot mbledhjet e tendosura nervash, që organizonin ata me britma çjerrëse e kërcënime, që përfundonin në oborr të shkollës me rrahje. Këta “revolucionarë të çartur” i sulmonin të rinjtë që përjashtoheshin herë pas here nga shkolla dhe i rrihnin kafshërisht. Ky kontigjent, i çmendur politikisht dhe i çoroditur moralisht, mbas mbarimit të shkollës dërgohej për të studiuar jashtë shteti, në vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Mbas përfundimit të studimeve këta elementë u bënë kuadro të atij regjimi kriminal, që sundoi për 50 vite. Edhe sot e kësaj dite, mjerisht, pa i vrarë ndërgjegjja fare për çfarë i bënë popullit dhe   atdheut, shetisin në rrugët e kryeqytetit, kryenaltë për bëmat e tyre të fëlliqura.

Në këto rrethana u formuam me një urrejtje të ligjshme kundër komunistëve. Kur u ndamë, unë u emërova mësues në rrethin e Matit, (ai, një vit më vonë, në Dukagjin), i dhashë një poezi prej dy sonetesh, që ia kisha kushtuar atij sikurse edhe ndonjë shoku tjetër. Titulli qe: “Kah galeritë e ardhmenisë arbnore”, që ai e ndryshoi: aty për aty: “Kah katakombet e ardhmenisë arbnore”, si për ta parandjerë zezonën që do t’i ndodhte atdheut. Dhe shkroi: “Questo e il mio dramma che pianger’ mi fa”. (Kjo është drama ime që më bën të qajë). Me shumë poezi të tjera u dogjën edhe sonetet e katakombeve. Mbaj ndër mend vetëm strofën e parë dhe disa rreshta të shkëputur:

“Ndër sytë e tu, gjurmues t’ mendimit pashë

Shqetinë e vlagshtë për botën e praksueme

Shqetinë qi thekshem shpirtin t’ vrau e n’ fashë

Zemrën s’ta la jo kurr n’ ndiesi t’harbueme.”

Pjetri në atë kohë shkruante poezi satirike. Kishte një talent të rrallë. Letrat e tij derdheshin në një harmoni të çuditshme satire. Koha i zhduku të gjitha.

*  *   *

Arbnori na ka lënë një pasuri të madhe shpirtërore në disa fusha: rrugën teorike dhe praktikën e politikës së tij për ndërtimin e demokracisë, veprën letrare, të cilësuar si “koherencë shembullore njerëzore dhe artistike” të jetës së tij dhe, mbi të gjitha, plarformën e përpjekjeve në rrethana të jashtëzakonshme jo vetëm për të mos iu nënshtruar, jo vetëm për t’i dalë përballë, por edhe për ta mposhtur të keqen, poshtërsinë, të shëmtuarën, ferrin e diktaturës, atë që ai e ka quajtur “Lufta për të mbetur njeri”, luftë në të cilën pati shumë luftëtarë të shquar dhe Arbnori qe një nga më të shquarit. Kështu e ka quajtur ai ditarin e tij sekret të mbajtur në vitet e gjata të burgut, sipas një kodi të veçantë, për dëshifrimin e të cilit ai vazhdonte të punonte para se ta tradhëtonte vdekja.

“Në mënyrë të ndërgjegjshme – ka shkruar ai në librin e tij ‘Martirët e rinj në Shqipëri’ – iu futa një rruge që më çoi në një burgim të gjatë. “Të mbetesh njeri – vijon ai më poshtë – nuk është ndonjë trimëri e madhe, por është detyrë. Megjithatë nuk ka qenë e lehtë të luftoja për të ndërtuar një strehë pa lënë tjetrin në shi; të siguroja një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja, të përpiqesha të shkollohesha pa e lënë shokun në errësirë, të rropatesha në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut që kisha pranë. Në kushte tepër të vështira e quaj arritje që kam shpëtuar pa u turpëruar dhe kam mundësi t’i shikoj shokët, miqtë dhe armiqtë drejt në sy.”

*  *   *

Mendoj se është me vlerë të them shkurt, vetëm dy fjalë për “tabanin” e edukatës familjare ku u rrit Pjetri, meqë nuk e di a ka folë kush për këtë. I ati, Filip Toma, oficer i xhandarmërisë shqiptare, i njohur për tri “pa” – i pakorruptuar, papërkrahës, pa shtëpi”, u vra duke luftuar trimërisht kundër komunistëve në v. 1942, mbasi pati luftuar edhe me 7 prill kundër pushtimit Italian. Me 5 prill të v. 1939, ai i vuri në dorë të birit katërvjeçar, Pjetrit, nagantin dhe e ndihmoi të tërhiqte këmbëzën, sepse kishte lindur trashëgimtari i Mbretërisë Shqiptare. Gjithsesi, ky njeri me tri “pa”, i pati lënë të birit një bibliotekë të pasur.

E ëma, Gjystina a Dyta, siç e thërrisnim në lagje, një nënë më stoike e më të përcaktuar në detyrën e saj si prind nuk kam njohur, ndikoi shumë në edukimin e të birit. Pjetri kujton disa parime të kësaj nëne, që shkëlqente nga dinjiteti për rezistencën e treguar ndaj reprezaljeve të regjimit komunist, dhe që ai u përpoq t’i ndiqte:

Të mbështetem në besimin tek Zoti.

Të ruaj krenarinë e familjes.

T’i shtrohem punës me zell e këmbëngulje.

Të mos i ankohem njeriut për hallet e mia.

Të mos turpërohem moralisht.

Të mos prek gjënë e botës.

Të mos tradhëtoj as miq as të huaj.

Të mos bëhem shërbëtor i askujt.

Të mos e humbas humorin as në kushte të vështira.

Pa u shitur trim të jem qëndrestar.

*  *   *

Për qëndrimet politike të Arbnorit mbas rënies së diktaturës nuk do të flas. Janë të njohura prej të gjithëve: I ekuilibruar në atë kaos çekuilibrimi të përgjithshëm të politikës shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit; i përmbajtur e gjakftohtë përballë të ndërsyerve të shfrenuar; i vendosur pa kompromisin më të vogël në luftën e tij për demokraci dhe procese integruese ndaj strukturave evropiane dhe evroatlantike, me shpresë e besim të plotë në një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Ai i qëndroi besnik politikës dhe partisë ku aderoi që në fillim, por politika e braktisi, siç kishte braktisur edhe demokratë të tjerë të vërtetë për t’i zëvendësuar me “katovicas”, mjeshtër të kualifikuar për ta penguar dhe për ta çoroditur demokracinë. Gjatë kësaj kohe ishim larg njeri – tjetrit, sepse un erdha në Amerikë. E merrja shumë rrallë në telefon. Nuk doja ta trazoja, por e ndiqja hap për hap jetën e tij përmes njerëzve të familjes sime dhe shokëve. Qe bashkuar me të ashtu quajtur demokratë, që punonin veç për të penguar zhvillimet demokratike dhe që e tradhtuan. Një ditë s’u durova më dhe i merakosur, i telefonova. Me një zë si të huaj, m’u përgjigj: “Flitet për një emërim në ambasadën në Vatikan, por deri tani asnjë njoftim zyrtar nuk kam; por vazhdoj të punoj në kuadër të Institutit “Alqide de Gasperi” (një institut që merrej me studime politike, të cilin e drejtonte ai vetë) dhe, si gjithmonë, vazhdoj të shkruaj.”

Thonë që “ishte i lodhur”. Vërtet, por po të ishte atje në Bruksel për të përfaqësuar Shqipërinë, zëri i tij do të dëgjohej më shumë se zëri i çdo tjetri. Vërtet, Evropa që e kishte futur në “Fjalorin ndërkombëtar të biografive” “për kontributin e shquar për të mbetur njeri”; në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare” “për nder të kontributit të tij të shquar për të drejtat e njeriut”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatë merite shpallur në të gjithë botën” “për shërbim të shquar, i cili dhe është shënuar në vëllimin XXVI”, në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatën për njohje të arritjeve të shquara, të cilat janë regjistruar në botimin XIII ‘cilët janë intelektualët ndërkombëtarë”, dhe  titullin e Asamblesë Parlamentare të Vendeve Frëngjishtfolëse ‘Oficer i madh i Urdhërit të Plejadës”,  etj.; Evropa do ta kishte pranuar dhe nderuar më parë se cilindo, siç e pati pranuar dhe nderuar, kur Arbnori firmosi për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e saj.

Arbnori kishte një ideal të lartë për demokracinë. Ndoshta ai qe ndër të paktët që iu futën politikës, duke e kuptuar esencën e saj dhe, ndoshta, qe ai që e kuptonte atë më mirë se të tjerët. Një ndikim të dukshëm, siç duket, ushtroi tek ai përkthimi i “Historisë së Anglisë” të Andrea Maurois, përkthim që e bëri nën nxitjen e juristit të shquar, që e kaloi një pjesë të mirë të jetës në burgun e Burrelit, Engjëll Çobës, i cili i pati thënë “Mund të mësosh prej tij – është fjala për librin e Historinë së Anglisë –  më tepër se nga çdo libër tjetër që qarkullon në Burgun e Burrelit”. Për bindjet e tij për demokracinë, Pjetri ka shkruar: “Nëse popujt e tjerë nuk mund të ndjekin pikë për pikë këtë shembull, Historia e Anglisë duhet t’i mësojë njërës palë ta heqin mendjen nga ‘revanshi me çdo kusht’ dhe palës tjetër se do të jenë fitimtarë për një kohë të gjatë po të jenë tolerantë dhe të bëjnë kompromise të arsyeshme duke përsosur çdo ditë demokracinë.”

*  *   *

Vepra e tij letrare me vlera të mëdha njohëse, artistike e edukative, është mjaft e vëllimshme dhe nuk është botuar ende plotësisht. Janë botuar nga viti 1992 deri në v. 2000: romanet “Mugujt e Mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”; “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, “Brajtoni, një vetëtimë e largët”; novelat “Kur dyndën vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”. Ka botuar gjithashtu; studimin historik “Nga jeta në burgjet komuniste”, epistolarin “Letër nga burgu”, një përmbledhje intervistash “Lufta për të mbetur njeri”; “Pjetër Arbnori – shkrimtar, politikan, njeri”; një përmbledhje kujtimesh, fjalimesh dhe artikujsh publicistikë “Martirët e rinj në Shqipëri”; në gjermanisht, kujtime mbi priftin gjerman dom Alfons Tracki “Unë kam mbijetuar dhe kam shkruar”, përkthimet: “Historia e Anglisë” e Andrea Moruas dhe “Ngritja e rënia e Rajhut të Tretë”, përkthyer nga frëngjishtja..

Nuk është vendi këtu të bëjmë analizë për vlerat letrare të këtyre veprave, por kam dëshirë të tërheq vëmendjen për tri gjëra.

Së pari, Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të lëtersisë së zhvilluar në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të qiellit. Kjo letërsi ngërthen në gjirin e saj vlera të pakrahasueshme artistike, njohëse dhe edukative. Në parathënien e monografisë “Pjetër Arbnori-shkrimtar” të studiuesit të huaj, Giuseppe Gradilone, Lazër Stani ka shkruar “Shkrimtari Pjetër Arbnori bën pjesë ndër ata krijues shqiptarë, që duke jetuar në kushte të jashtëzakonshme, nuk bënë asnjë lloj kompromisi me skemën zyrtare të realizmit socialist dhe krijuan atë letërsi shqipe që mund të kategorizohet si “letërsia tjetër”.

Studimi kritik fatkeqësisht, në përgjithwsi, sot mungon. Lavdërohen deri në neveritje vepra që në vend të letërsisë kanë byk e krunde; por që kanë antivlera të jashtëzakonshme çedukuese, sidomos për brezin e ri, në fushën e kuptimit të artit të fjalës dhe realizimit të mjeshtërisë artistike, shpesh edhe në fushën e moralit qytetar.

Së dyti, Arbnori shkroi në kohën e mungesës së lirisë gjatë viteve të diktaturës, që qenë vite të rënduara nga robëria diktatoriale, jo vetëm për Pjetrin dhe shokët e tij të burgosur politikë, por për gjithë popullin tonë. Mungesën e lirisë e vuajtëm të gjithë ne që ishim të ndërgjegjshëm për atë që po ndodhte nën atë regjim antikombëtar e antipopullor krimi. Dëshira më e parë e më humane për njeriun – liria – e çoi Arbnorin drejt letërsisë si nevojë shpirtërore krijuese, si qëllim, si mjet dhe si ndihmesë për ta realizuar atë për vete, për popullin dhe për atdheun e tij.

Arbnori kishte krijuar në vetëdijen e tij një hapësirë të gjerë konceptuale për lirinë. Ai ka shkruar: “Për intelektualin, dhe jo vetëm për intelektualin, jeta është përpjekje për të zgjeruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë dritaret e kontaktit me botën, me realitetin kur s’mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë. Ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është e mundimshme por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit.” Këtë dukuri të lartë shpirtërore, Gradilone e ka cilësuar si “fitorja e mundimshme, e pikërisht për këtë e vlertë, e lirisë së brendshme, ku ndien nevojën e meditimeve të shpirtrave të mëdhej, si Shën Agostini e Severino Boecio.” 1).
Së treti, në një intervistë, që më ka dhënë mua si editor i „Diellit“, Pjetri ka thënë: “Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të më qëllojnë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.”.

Mbasi të kalojë kjo periudhë e stërzgjatur krize shpirtërore, mbasi të shërohet kjo klimë e sëmurë e kulturës sonë dhe mbasi në vendin tonë të triumfojë demokracia e vërtetë, që dëshironte, shpresonte dhe për të cilën punoi Arbnori, do të krijohen kushtet e leximit dhe të studimit të veprës letrare të tij dhe breznitë e reja do të reflektojnë dhe do të kuptojnë se kush e tha të vërtetën për çka u bë në atdheun tonë gjatë viteve të diktaturës, Arbnorët, Trebeshinat e Zhitët, apo vandaku i pafund i penave të realizmit socialist, sado të fuqishme të kenë qenë ato në fushën e mjeshtërisë artistike.

Populli ynë duhet të krenohet që nxori, në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij, historisë së turpshme të luftës së vëllezërve shqiptarë ndërmjet vetit për hir të një ideologjie edhe më të turpshme a për hir të një kolltuku të përgjakshëm diktatorial, një personalitet të tillë si Arbnori. Lufta për rrëzimin e komunizmitdhe për ndërtimin e demokracisë lindi në Evropë udhëheqës politikë e shpirtërorë të mëdhenj: në Poloni, një Lek Valezë; në Çekosllovaki një Vaklav Havel dhe në Shqipëri një Pjetër Arbnor.

Me vdekjen e parakohshme të Rugovës dhe të Arbnorit, Kosova e Shqipëria humbën – në një kohë që kishin shumë nevojë për ta – dy personalitete të shquara, të çmuara prej popullit të tyre dhe të vlerësuara nga Evropa dhe mbarë bota: Gandistin e Madh Ibrahim Rugova dhe Disidentin Tribun të Demokracisë Pjetër Arbnori; por ata do të përjetojnë pavdekësinë e tyre në vetëdijen kombëtare dhe do të jenë të pranishëm, për të gjitha breznitë shqiptare, në panteonin e personaliteteve të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë.

*Ribotim me rastin e ianugurimit te Monumenntit te Arbnorit.2-anton-cefa

1). Boethius, Anicius Manilius Severinus (480-525), filozof dhe burrë shteti romak, veprat filozofike të të cilit ndikuan fuqimisht në zhvillimin e mendimit mesjetar. Në burg, duke pritur ta ekzekutonin, shkroi veprën “Ngushëllimi i filozofisë”.

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Pjetër Arbnori, Tribuni i demokracisë

Profile poetike-Anton Çefa

June 21, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

1 anton Cefa

Nën kupola shpellash/

(Atë Pjeter Bogdanit)/

Mbi Atdheun natë e gjatë,/

e ngrirë,/

prushi i fjalës feks/

në errësirë./

Nën kupola shpellash strukesh viteve,/

mbi tryeza rrasash, si  mbi tabernakuj,/

ua shpupurish thinjat fjalëve plaka,/

në kujtesë të kombit jeh të ri u kallë./

Mbjell filiza prilli/

n’zagna dijesh,/

sharton sytha flake/

n’brazda gjaku./

Shprish shkrumbin e netëve

nën kupola shpellash,

qumshti i hanës të ban dritë nga qielli,

Gjysmëhëna të kërcënon nga toka.

  • “Mos e leni gjuhën e dheut me u vdarë

lëshon vikamën në “Çetën e profetëve.”

“Më ka zënë shqipja”

(Fan Nolit)

Fjala shqipe si zjarri i shejtë

në gjoks të digjte.

Gjuhët e botës te fjala shqipe.

Me zjarr të shejtë ngroh e ndriçon

skutina të errta gjoksesh të plogshta.

Të zuni shqipja me anarkitë,

na zuni ne zi e ma zi,

antropofagë, kolltukufagë

zi e ma zi.

Ku ta ve epitafin ?

(P. Gjergj Fishtës)

Ku ta ve epitafin, bre burrë i dheut ?

Shkërbetë pa vorr të lanë,

po i gjalli vorr nuk ka,

se vorri gropë harrimi asht

e Ti harrim nuk njeh.

Thonë:

Afshi i zjarrtë i zajeve e ka mbajtun gjallë

e flladi i verës e ka flladitun zhegjeve,

thonë

në stinë të ngrime e ka ngrohun rrezja e diellit

e valët e Drinit ashtin ia kanë lëmue.

E vërteta asht

se zemra e kombit e ka përjetësue.

A s’ia ndigjon pezmin

kur shanë e shilon Europën

tue ba mriz në logun e zanave ?

E për nji lule vjeshte

lotin pikon, t’ madhnueshëm ?

A s’e sheh atë copë qielli

që si çati e kaltër

Atdheut i rri përsipri ?

Atje, po,

hidhet në vallet e Parrizit.

Po shpesh e ma shpesh

tu kulla e Gjetës e  gjen,

apo pranë sofrës  së ngurtë

lahutës i bie n’ malësi,

kuvend të urtë

ndan me pleqnorë kanuni.

Zbardhun nga brengë e fjalës

(Prof. Eqrem Çabejt)

Krrusun nga peshë e fjalës

Ballin rrudhë mbi shpatet e maleve,

mbi pëllambët e fushave

mbledh vetullat,

zbardhun nga brengë e fjalës.

“Sa të gjalla emërtimet ilire!”

Këtu korrigjon Majerin,

aty miraton Joklin.

Fjalët e shqipes

Në rrathët e ullijve të premë nga kohnat.

“Sa e re Formulë e Pagëzimit!”

Mbi nji gur vorri nji sufiks asht zbehun

Në natën e gjatë me gjysmëhanë,

Këtu shkëlqen ende si smeraldi

Syni i dritës indoeuropiane t’nji rraje.

Gatuen bukën e trojeve

Në magjen ilire

Mbi brumin e ardhun të shqipes.

JU S’KENI  EMNA

Martirëve të diktaturës

Ka humbë shkëlqimin në gropën e përbashkët

plot lagështi,

bardhësia e eshtnave.

Kohës i shkojnë mornica në trup.

Me duer që dridhen prej dëshire

po i marr eshtnat tuej, miqtë e mi,

po i vendos në gropën e qelqtë të gjoksit,

altar i dhimbjes.

Prej andej do kundroni

kaltërsinë e andrrave të vrame

nga duer vllaznore.

Nji kunorë lutjesh ju ve  te kryet

dhe kryqin e mundimeve tuaja.

 

Ju s’keni emna,

lavdi asht emni juej

Ike mbas dyersh mermeri              

                   (Frederik Rreshpes)

Ike mbas dyersh mermeri

e rrasash të ftohta,

i le muret e vetmisë së botës.

I heshtun në nji botë të huaj.

për ty mbajnë jazë

zogjtë e drujtë,

të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.

Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës

nën shinat qi s’pushojnë.

Me nji ndriçim dëshire

          (Shokut tim, Faruk Myrtajt)

Me nji ndriçim dëshire

mbi hijet që randojnë mbi mue

stinësh t’harrueme,

kërkoj nji shok, nji mik

e mendja m’shkon tek ti,

zemra më rreh pa pritmas

se jeta s’asht e vorfën

kur ke nji mik si ti.

 

Vertet nji pajë të fisme

Stinëve u jep miqësia.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, profile Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT