-Prezantohen prioritetet e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE, Apostolova: Kohë e rëndësishme për marrëdheniet Kosovë-Bashkimi Evropian/
PRISHTINË, 23 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalija Apostolova, dhe Ambasadori i Bullgarisë në Prishtinë, Nedialtço Dantçev, prezantuan sot prioritetet e Presidencës Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian para publikut në Kosovë.“Kjo është një kohë e rëndësishme për marrëdheniet Kosovë-Bashkimi Evropian, me strategjinë për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor të BE-së që do të vijë në shkurt, prezantimin e raportit për Kosovën në prill dhe samitin e BE-së për Bakllkanin Perëndimor në muajin maj në Sofja”, tha Apostolova.
Ajo theksoi se Kosova ka një mundësi që të demonstrojë përkushtimin për vlerat evropiane dhe t’i prezantojë një imazh pozitiv pjesës tjetër të Evropës.
“Strategjia e zgjerimit aktualisht është duke u hartuar, tani Kosova ka gjasë që të ndikojë në të duke bërë gjërat e duhura”, u shpreh Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Apostolova.
“Fokusi i Presidencës do të vihet mbi Perspektivën Evropiane dhe lidhjen e Ballkanit Perëndimor, të ardhmen e Evropës dhe të rinjve – rritja ekonomike dhe kohezioni social; sigurinë dhe stabilitetin në një Evropë të fortë dhe të bashkuar; dhe mbi ekonominë digjitale dhe aftësitë për të ardhmen”, theksonte një njoftim paralajmërues dërguar nga Zyra e BE në Kosovë për aktivitetin që u zhvilua në Prishtinë.
Presidenca Bullgare ka filluar në 1 janar 2018 dhe do të zgjasë deri në 30 qershor 2018.
Qeveria kosovare në mbledhjen e djeshme u informua për Axhendën Evropiane të Kosovës.