-Shefja e re e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova: Që nga viti 1999, tre miliardë dollarë të asistencës së BE-së në Kosovë. Duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve, për këtë kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Për liberalizimin e vizave, BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën/
-Dimitris Avramopolous i ka deklaruar Minsitrit te Jashtem, kryediplomatit te Kosoves, z. Enver Hoxhaj, se beson që kilometri i fundit i Kosoves drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/
PRISHTINË, 13 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Avancimi i rrugës evropiane të Kosovës është biseduar sot në një takim njoftues të kryeministrit Isa Mustafa me shefen e re të Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova.
“Në takimin me kryeministrin e përsërita edhe një herë përcaktimin tonë të plotë që Kosova është lartë në axhendën evropiane dhe se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së në rrugën e saj evropiane”, u shpreh ajo pas pritjes në kryeministri.
Apostolova tha se, Bashkimi Evropian është partneri, donatori dhe përkrahësi kryesor tregtar i Kosovës. “Që nga viti 1999 tashmë kemi shpenzuar 3 miliardë dollarë të asistencës së BE-së. Kemi krijuar vende pune, po e ndihmojmë ekonominë e vendit dhe po bëjmë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë”, theksoi ajo.
Në të njëjtën kohë, vijoi Apostolova, i thashë kryeministrit se tash që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është nënshkruar, puna e vështirë fillon tani.
“Puna do të jetë shumë intensive. Bashkimi Evropian, Zyra e BE-së dhe PPBE do të ju qëndrojnë pranë për t’ju përkrahur në këtë rrugëtim shumë sfidues. I theksova kryeministrit që duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve. Për këtë ne kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Shumë shpejtë do të kemi vizita në Kosovë nga Drejtori i Përgjithshëm Danielsson dhe Komisioneri Hahn për të shpjeguar iniciativat konkrete që rrjedhin nga kjo Axhendë e Reformave në mënyrë që të paraqesin idenë evropiane te qytetarët”, tha ajo.
Shefja e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së bëri të ditur se i ka thënë gjithashtu kryeministrit që janë të interesuar për zhvillimin e institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst sidomos për shtyllën e qeverisjes së mirë.
“I kërkova kryeministrit të na njoftojë me masat konkrete që qeveria po ndërmerr në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, sepse kjo është diçka ku Kosova ka hapësirë për përmirësim. Ne jemi këtu për ta ndihmuar qeverinë në këtë përpjekje”, theksoi përfaqësuesja e BE-së.
Apostolova tha se në takim me kryeministrin Mustafa kanë folur edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili është shumë i rëndësishëm. “Siç tha edhe kryeministri, ne jemi të interesuar shumë për intensifikimin e tij”, vijoi ajo.
Përfaqësuesja e BE-së tha se, u pajtuam me kryeministrin që të kemi takime të rregullta në mënyrë që zyrat tona të gjejnë mënyrat për të avancuar më tej axhendën evropiane të Kosovës.
“Për liberalizimin e vizave, theksova se BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën. Ne po punojmë shumë me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare për këtë çështje. Por, Kosova duhet gjithashtu të veprojë sa i përket demarkacionit të kufirit si dhe luftës kundër korrupsionit. Do të ndihmojmë kryeministrin dhe qeverinë në këtë përpjekje gjithashtu”, tha ajo.
Si PPBE, vijoi Apostolova, kam theksuar se të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, shoqëria civile, të drejtat e grave dhe fëmijëve do të jenë prioriteti im. “Unë do të punoj ngushtë me kryeministrin dhe zyrën e tij në këto çështje, si dhe në luftën kundër terrorizmit i cili është një kërcënim për të gjithë ne”, tha përfaqësuesja e BE-së.
Apostolova në përfundim të fjalës e falënderoi shumë kryeministrin për këtë vizitë të parë duke u shprehur se pret që të kenë një bashkëpunim të dobishëm në të ardhmen.
Ndërsa, fillimisht tha se është e nderuar dhe me entuziazëm po e merrte detyrën e re si Shefe e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.
“Po e them këtë duke e pasur në mendje përvojën time shtatë vjeçare në procesin negociator të vendit tim Bullgarisë me Bashkimin Evropian. Prandaj, ajo që i thashë kryeministrit është se e njoh shumë mirë se çfarë pune të vështirë keni para vetes por që unë jam shumë e gatshme të ju përkrah pa rezervë në këtë proces”, tha ajo.
Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, takimin e parë njohës e ka zhvilluar me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.
DEKLARATA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA:Pata nderin të pres në takim njoftues znj. Natalia Apostolova, e cila tash e tutje do të jetë Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, si dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.
I dëshirova mirëseardhje dhe suksese në detyrën e saj e cila ka rëndësi për avancimin e shumë proceseve për Kosovën në Bashkimin Evropian.
Duke pasur parasysh përvojën shumë të pasur të znj. Apostolova në kuadër të Bashkimit Evropian në Bullgari, por edhe përfaqësimit të saj në vendet e tjera mbi 25 vjet, besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe rezultativ që e kemi pasur edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të gjejë vendin e vet dhe të intensifikohen edhe më tutje marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit biseduam për proceset konkrete që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Biseduam për procesin e Stabilizim Asocimit, proces i cili po tregohet i suksesshëm në Kosovë, por që dëshirojmë që edhe më tutje ta dinamizojmë dhe të implementojmë me sukses këtë marrëveshje.
Biseduam po ashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe përkushtimin e Kosovës për dialogun, por po ashtu theksova nevojën që Bashkimi Evropian të bëjë trysni mbi Serbinë, në mënyrë që të implementohen marrëveshjet e deritanishme të arritura, sepse ka zvarritje të këtyre marrëveshjeve, të cilat ndikojnë pastaj edhe në zvarritjen e proceseve europianizuese, për të cilat ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale.
Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për ne. Theksova përkushtimin tonë që ne të përplotësojmë edhe kriterin e fundit, i cili ka mbetur, por po ashtu edhe falënderova për vendimin e LIBE-s, që me këtë të procedohet në Parlamentin Evropian, që është një besim për Kosovën, por po ashtu edhe për të gjithë atë që Kosova ka bërë deri më tani në plotësimin e të gjitha kritereve, të cilat kanë qenë shumë më shumë sesa kriteret që i kanë pasur vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian me të gjithë mekanizmat po përkrahë Kosovën, por ne po ashtu kërkojmë përkrahje edhe më të madhe rrugës integruese evropiane të Kosovës, pasi që konsideroj që Kosova dhe populli i saj meriton plotësisht një përkushtim më të madh që t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane.
Ne jemi thellësisht të bindur se edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Kosovën dhe për potencialin e saj progresiv, human, ekonomik, politik dhe aspekte të tjera, që e pasurojnë atë.
Ne do të punojmë me përkushtim me znj. Apostolova dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të Bashkimit Evropian që Bashkimi Evropian kërkon prej nesh, për anëtarësimin tonë sa më parë në Bashkimin Evropian
Konsiderojmë që integrimet euroatlantike janë aspiratë jona, vizion, përkushtim dhe synim i padiskutueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.
Faleminderit znj. Apostolova, të uroj mirëseardhje dhe sukses në Kosovë.
***
TAKIMI I KOMISIONERIT PER MIGRACION DHE PUNE, Z. AVRAMOPOLOUS ME MINISTRIN E JASHTEM
-Në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Komisioneri për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous, ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/
Strasburg, 13 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Strasburg, Komisionerin për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous me të cilin ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Në takim me Avramopolous, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, Hoxhaj e ka njoftuar me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e Qeverisë së Kosovës për ti përmbushur obligimet e saj.Njëherësh, ministri Hoxhaj ka kërkuar edhe vendim pozitiv në javët që vijnë sapo të përmbushen këto kritere, thekson njoftimi i dërguar nga Strasburg.“Në takimin që kisha me Komisionerin Avramopolous dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, kemi marrë një zotim të madhë dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në momentin kur i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar” ka thënë Hoxhaj.Nga ana e tij, Avramopolous ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë.“Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhaj, ministrin e punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, së bashku, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar për ti tejkaluar pengesat e fundit që nuk janë arritur ende në mënyrë që të arrijmë atë moment ku qyetetarët e Kosovës ti gëzojnë të drejtat dhe ti gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Evropë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë edhe më”, ka thënë Avramopolous pas takimit me Hoxhajn.
Në margjina të punimeve vjeshtore të Parlamentit Evropian në Strasburg, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe eurodeputeten, Ulrike Lunacek, raportuesin në hije për Kosovën nga grupi S&D, Antonio Panzeri, udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH, Tonino Picula, Kryetarin e grupit S&D, Gianni Pittella së bashku me Tanja Fajon, raportuesin për Kosovën, David McAllister dhe bashkëudhëheqësin e Komitetit për Politikë të Jashtme të PE, Elmar Brok.
Në këto takime, ministri Hoxhaj i ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, raportin mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për dialogun Kosovë Serbi. Po ashtu, ka kërkuar mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave.Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar Komisionierin Hahn, Shefen për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe takime në NATO./b.j/