• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENCIKLOPEDIA E KRIMIT KOMUNIST NË VLORË

May 20, 2013 by dgreca

Rreth librit të Aranit Hoxhës “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, Vlorë 2013/

Nga Enver Lepenica/

Në vitin 2001, duke analizuar librin e Caf Jonuz Culaj, “Krushqit e Lirisë”, nënvizoja se autori edhe pse pa arsim arriti të botoi një libër, mbi vuajtjet në burgjet komuniste, kështu ai bëhej shembulli domethënës se njeriu kur udhëhiqet nga ideale të larta, arrin të lërë gjurmë në jetën shoqërore. Mendoja se ky ishte shembulli i vetëm që një i burgosur pa arsim, boton një libër, por ishja gabuar, Caf Jonuzit nga Malësia e Madhe i përgjigjet në vitin 2013, Aranit Hoxha nga Vezhdanishti i Vlorës me librin shumë vlerësh “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”

Dy shembuj që na bëjnë të mendojmë se sikur të gjithë të ndienin përgjegjësinë e Caf Jonuzit dhe Aranit Hoxhës, bota shqiptare do të ishte krejt ndryshe.

*    *    *

“Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, është enciklopedia e krimit komunist në krahinën e Vlorës, me të dhëna të shumta statistikore dhe me analiza për terrorin, dhunën dhe krimin që u ushtrua në krahinën e Vlorës në periudhën 1943 – 1990. Autori siç ka theksuar edhe Shpresim Kasaj në parathënin e librit, nuk të lë të mendosh dhe nuk lë asnjë fije dyshimi për parashtrimet që bën, për të dhënat, shifrat dhe faktet që jep, pasi ai të dënuarit dhe të persekutuarit i identifikon me emrin, atësinë, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, dënimin e kjo është një nga vlerat e mëdha të këtij libri. Edhe më pare, në Vlorë, një grup të dënuarish dhe të persekutuarish politikë me në krye Fahri Shaskën ngritën një ekspozitë për të ashtuquajturit “armiq të popullit”, të cilën Fari Shaska e pasqyroi në një album, por libri Aranit Hoxhës, është më i plotë dhe mund të themi se në të janë përfshirë të gjithë ata vlonjatë që u vranë me atentat, u pushkatuarn me gjyqe qesharake, vdiqën në burg ose nën tortura çnjerzore, ose vuajtën burgun, internimin, dëbimin apo persekucionin barbar komunist. Libri hapet me renditjen 13 emrave, që u vranë të parët, me atentat, nga njësitet guerile komuniste, dhe vazhdon me evidentimin e 114 vlonjatëve të tjerë që të vrarë gjatë vitit 1943, ndërmjet tyre shënohen emrat e 14 grave dhe dy mësuesve: Fejzi Hoxholli dhe Sulo Hoxha, babai i autorit të këtij librit.  Atentatet u realizuan nga bandat terroriste të Hysni Kapos, Spiro Kolekës e Manush Myftiut me anë të njësiteve guerile, të ngritura në shpellën e Shiroke në Tërbaç. Sipas këshillave dhe urdhërave të Dushan Mugoshës, vrasjet e para me atentat, komunistët i bënë kundër shokëve të tyre: Mynyr Xhindi, Xhemil Çakërri, Neki Imeri, Xhafer Dalani, Haki Xhelo, Duro Elmazi, Faslli Kasaj, Selim Laçej e vazhdon lista me 17 vetë.

Kështu komunistët do të merrnin zemër e nuk do tu dridhej dora kur të vrisnin plehrat e Ballit Kombëtar siç thoshte shoku  Enver Hoxha. Gjatë vitit 1944, u vranë me atentate 143 vetë, dhe gjithësej gjatë dy viteve 1943-1944, janë vrarë pa besisht dhe pa gjyq 257 shqiptarë të pa fajshëm.

Në Bolenë, u zhdukën dy familje ndërmjet tyre një vajzë 17 vjeçare.Në Kuç, vetëm nga familja Sadikaj u pushkatuan 8 vetë 5 burra dhe tre gra.

Në Gorisht, vranë në derë të shtëpisë nënë e bir Zenepe dhe Halim Caushaj e kështu me radhë deri te shifra tronditëse, 257 të vrarë.Tronditëse dhe e pa besueshme është fakti se shumë nga të pushkatuarit ishin adoleshnt ose fëmijë, kështu në Bolenë u vranë, me atentat: Bilbil Çelomeme 14 vjeç, Fuat Çelomeme 19 vjeç, Dyzene Novruzaj, vajzë 19 vjeçare, Gani Çelomeme 17 vjeç.

Në Treblovë u vra Bajram Lamaj që ishte vetëm 16 vjeç,e kështu vazhdojnë me radhë vrasjet në Drashovic, në Gorisht, në Kuç, në Gjorm, në Kaninë, në Lepenicë.

Të pa kënaqur dhe të pa ngopur me gjakun e pa fajshëm të 257 shqiptarëve të vrarë me atentat gjatë kohës së luftës, vazhduan të eleminojnë “armiqtë e klasës punëtore” edhe pas çlirimit, në kohë paqje, çka tregon fytyrën çnjerzore të  komunistëve, por tashmë jo me atentate, por me ca gjyqe qesharake pa sjellë fakte dhe porva juridike por vetëm ideologjike, se ata që silleshin para gjyqit, kishin qënë ushtarë të Ballit Kombëtar, bënin agjitacion e propogandë, ose kishin dash të arratiseshin në shtete armike! Nga ndonjë herë shifra flasin më mirë se çdo gjuhë e zjarrtë njerzore, prasndaj autori me të drejtë prej fillimit deri në fund të librit argumenton krimet komunistë me anë të shifrave, psh: Viti 1945, ishte më i përgjakshmi. Në këtë vit u pushkatuan 46 vlonjatë të pa fajshëm. Në maj u pushkatuan 8 vetë, në qershor 12 vetë, në korrik 6 vetë, dhe gjatë muajve gusht – dhjetor 20 vetë të tjerë.

Në vitin 1946, u pushkatuan 17 vetë.Gjatë këtij viti, në Maliq u varën në litar dy inxhinjerë: Kujtim Beqiri dhe Abdyl Kokoshi.

Në vitin 1947, u pushkatuan 12 vetë në vitin 1948, 6 vetë, në vitin 1949, 5 vetë, në vitin 1950, 10 vetë, në vitin 1951, u pushkatuan 9 vetë.

Gjatë periudhës 1952 – 1991, u pushkatuan gjithësej 27 vetë. Në vitin 1963, u var në litar, në mes të Vlorës, Remzi Shenaj nga Gjormi. E theksojmë se kjo masakër po kryhej në kohë paqie!

Edhe pas çlirimit të vendit adoleshentët dhe fëmijët mbetën një gjah çnjerzor për komunistët, kështu të dënuar politik nën moshën 20 vjeç, në libër janë evidentuar me dokumenta 120 vetë, që për popullin e Vlorës të asaj kohe është një numur që flet qartë dhe do t`i flas përgjithmonë historisë për krimet makabre të komunistëve të Vlorës.

Ndër ta përmëndim: Bahri Çeprati 17 vjeç, Bejo Shaqiri nga Dukati 15 vjeç, Zenepe Selimi 17 vjeç nga Treblova, Klito Lamaj 17 vjeç nga Kanina, Eqerem Malaj 18 vjeç nga Ramica, Luan Llupa 17 vjeç nga Vlora, Reshat Kripa 15 vjeç nga Vlora, Petro Bollani 15 vjeç nga Himara,  e kështu me radhë. Për këta fëmijë gjykata tregohej e “mëshirshme” dhe dënimin më të ulët e jepte vetëm 5  vjet burg të rëndë !!!

Një dhimbje të madhe ndien lexuesi kur sheh se 85 të burgosur politik, nuk mundën të dilnin dot nga burgu, ata vdiqën atje nga vuajtja dhe torturat, atje nga smundja e urise, mungesa e barnave dhe kujdesit shëndetësor.Këtyre fatkeqëve u humbiste varri përgjithmonë pasi komunistët nuk lejonin të merrej kufoma!?

Ndër të vdekurit në burgje ka personalitetit të shquar të historisë sonë si Qazim Kokoshi e Aristidh Ruci, firmëtar të aktit të Pavarësisë Kombëtare, luftëtarë antifashit si Muço Sherifi që vdiq në moshën 63 vjeçare, Elmaz Çarçani 70 vjeç, Pilo Goro 70 vjeç, Vasil Papa 72 vjeç, Niko Tola 63 vjeç e kshtu me radhë.Por kishte edhe mosha të reja që vdiqën burgjeve dhe ju humbi varri përgjithmonë si Uran Dulaj 29 vjeç, Dilaver Hysi 37 vjeç, Niko Kacelano 45 vjeç, Lekmi Sharra 33 vjeç, Agim Agaraj 34 vjeç etj. E pa imagjinueshme është sjella e komunistëve ndaj grave. Në Vlorë ata  pushkatuan 14 gra, ndërmjet të cilave Merxhane Sadikaj, Kafaze Birçaj e Refie Kondi nga Kuçi, Veno Toto nga Kudhësi etj

Po kështu vdiqën në internim nga smundja e urisë Lino Alikaj, nëna e Lahe Nuros. Perie Mustafaraj, bashkëshortja e Muço Çepratit pushkatuar, vdiq në Krujë, në vitin 1946 së bashku me dy vajza të mitura nga smundja e urisë dhe mungesa e ndihmës mjeksore.

Përveç 14 grave të pushkatuara, kanë vuajtur nëpër burgje 31 gra të tjera vlonjate. Një filozof i madh ka thënë se: “Nga sjella ndaj gruas duket se në ç`masë njeiu është shkëputur nga bota e kafshëve” Lexuesi e ka të lehtë të arsyetojë se sa larg ishin komunistët vlonjatë nga bota e kafshëve!

Ridënimi i të burgosurve politik ishte një akt i pa parë dhe i pa dëgjuar në historinë e diktaurave botërore, kështu i dënuari duke vuajtur dënimin, ridënohej përsëri po me të njëjtën akuzë, ose dhe me akuza te tjera fallso!Edhe pas kryerjes së dënimit të parë, pas pak kohe në liri, shtetas të shumtë shqiptar arrestoheshin dhe dënoheshin për herë të dytë, të tretë, apo të katërt dhe kështu ata e kalonin jetën nëpër burgje. Nga 993 të burgosurit politikë, gjithësej që ka Vlora, 135 prej tyre kanë vuajtur burgime të rënda, nga 11 deri në 36 vjet burg, bëhet fjalë jo për dënimet, por të vuajtura në fakt.

Kështu psh. Kujtim Pela nga Dukati ka vuajtur në burg 36 vjet, Petrit Velaj nga Vlora 36 vjet, Skënder Hallko nga Vranishti 33 vjet, Nimet Mita nga Dukati 32 vjet, Luan Koka nga Vlora 29 vjet, Muço Bazaj nga Gorishti 28 vjet, Mystehak Bylyshi nga Vlora 25 vjet, Bardhosh Gjonzeneli nga Tragjasi 23 vjet, Ahmet Thaçi nga Vlora 23 vjet, Rizo Çizja nga Bolena 22 vite, Bejo Kali nga Dukati 21 vjet, Dushan Koçiu nga Panajaja 20 vjet, Artan Çeçi nga Vlora 20 vjet, etj etj. Pasi ka përshkruar me të dhëna të plota për identitetin dhe origjinën e atyre që vuajtën terrorin dhe dhunën e komunistëve, autori bën përmbledhjen e vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën vlonjatët: Te pushkatuar 437 vetë, të burgosur   993 vetë, vdekur në burgje 77 vetë, Vite burgu gjithësej 6951. Pas parashtrimet me të dhëna të shumta, me shifra dhe fakte, Aranit Hoxha kalon e bën  përshkrimin e jetës veprës dhe shkaqeve të dënimit të atyre që provuan vuajtjen nën diktaturën komuniste, pra cilët qenë ata dhe përse u dënuan.

Kjo ishte shkurtimisht se ç`farë përmba libri i Aranit Hoxhës “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”

*    *     *

Nëpër faqet e këtij libri dëgjojmë psherëtimat e të burgosurve, lamtumirën e të pushkatuarve, mallkimin e nënave, lotët e motrave dhe të grave, e veçanërisht të qarat e fëmijëve të vegjël që mbetën të internuar bashkë me prindërit, me ligj, deri në vitin 1953, kur nuk u lejua më internimi fëmijëve.Në këtë libër flitet për vuajtjet, torturat dhe persekutimet e tmerrshme që ranë ndaj burrave dhe grave dhe sidomos ndaj fëmijëve vetëm e vetëm se ata nuk u pajtuan me ideologjinë komuniste, ata torturuesit komunistë vlonjat vërshuan asaj krahine atdhetare si bisha të egra duke mbjellë tmerr e zi.  Mua më bën përshtypje dhe më shkakëton dhembje shpirtërore, sidomos përshkrimi i vuajtjeve, sakrificave dhe persekutimeve të të miturve, të grave dhe atyre që nuk iu provua kurrë asnjë faj.

Kujt nuk do t`i bënte përshtypje, kush nuk do të tronditej kur lexon në këtë libër se që në moshën 14 vjeçare fëmijët u bënë vuajtës dhe dëshmitar të masakrave e persekutimeve të shumta ndaj prindërve të tyre. A nuk është tronditëse kjo?

Ja se ku erdhi një kohë lirie dhe njerëzit denoncuan dhe nxorrën në dritë terrorin, dhunën dhe krimin komunist. Kishte kaluar shumë kohë dhe dukej sikur askush nuk do guxonte ndonjëherë të denonconte krimet e komunistëve vlonjatë. Por historia ka ligjet e veta, prandaj njeriu duhet të ketë frikë nga historia më shumë se nga perëndia , sepse është historia që na peshon e vlerëson para dhe pas vdekjes.

Jemi i vetmi vend, nga ish vendet ku ka sunduar diktatura komuniste, që akoma nuk kemi në shkollë një lëndë ku të mësohet se si ishte diktatura komuniste, psh një lëndë me titull “Shqipëria nën diktaturën komuniste”

Edhe kur në histori janë bërë përpjekje për të futur ndonjë kapitull për atë periudhë të zezë, ish komunistët apo kripto komunistët, të veshur me qyrkun e Partisë Socialiste kanë protestuar! Nuk duan tu kujtosh etrit !

Kur jemi përpara fenomenit të terrorit komunist, vetvetiu të lind pyetja: A ka pasur një terror të tillë edhe në vendet e tjera komuniste ? Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë,  komunisti Bilbil Klosi, me cilësinë e Ministrit të Drejtësisë të asaj peiudhe, në vitin 1952, i cili ka pohuar hapur: “Në hartimin e Kodit të ri jemi frymëzuar nga Kodi Penal sovjetik. Por duke marrë parasysh përpjekjet e përsëritura për një kryengritje në vendin tonë, të përkrahur dhe të drejtuar nga elementë të huaj, kemi qënë të shtërnguar të vëmë masa dhe dënime më të rrepta nga ato që ka Kodi penal sovjetik”. (Shih: “Albumin e terrorit komunist”, Tiranë 2013)

Është kjo arsyeja që kushëriri i Bilbilit, Qemal Klosi, në krye të gjykatës së Qarkut të Vlorës 1944 – 1949, theri me thikë qindra nacionalistë vlonjatë e fierakë.

Aranit Hoxha, megjithëse në një moshë të shkuar me këtë botim, ai është duke çuar në vend porosinë dhe amanetin e babait të tij Sulo Hoxhës i pushkatuar pa gjyq si dhe të patriotëve të tjerë vlonjatë anti komunist.

Ai duhet vlerësuar se ka marrë guximin ndonse me mundësi modeste, pa arsim, që tu lërë brezave të ardhëshëm disa të dhëna si dëshmitar i asaj kohe terrori për qëndresën dhe vuajtjen ndaj bishës së kuqe vlonjate dhe të atyre që ia kishin shitur shpirtin djallit sllavo-komunist, të cilët zaptuan Vlorën heroike me të pa besë.

Autorit të këtij libri, komunistët i pushkatuan të atin, pas vuajtjeve që ai hoqi nën diktaturë, pa arsimin përkatës dhe në një moshë të thyer 75 vjeçare, kreu detyrën e fundit ndaj atdheut na la kujtimet e jetës, jo ata personale dhe familjare por ato për drejtësi dhe humanizën për Vlorën e tij.

*      *      *

Aranit Hoxha na dëften se ndërgjegjia kombëtare është zgjuar dhe po vepron në të gjitha fushat e jetës. Ai na jep shembullin më të mirë të detyrimit dhe misinit që të gjithë ne duhet të kontribojmë për të denoncuar terrorin dhe dhunën komuniste.

 Vlera e këtij libri qëndron në faktin se përmban emra, vende, data, moshën e të persekutuarit, burgjet, vrasje, pra është mbështetur në dokumenta të pa kundështueshme.

Duke lexuar këtë libër arrimë në përfundimin; se janë shkruar shumë, e përsëri është shkruar pak, dhe prandaj duhet t`i kthehemi kësaj detyre dhe këtij misioni.

Në historinë botrore, kemi shembuj se si studjuesit u janë kthyer e rikthyer dhunës dhe terrorit të epokave të ndryshme historike. Lipset që këto libra t`i shohim me syrin humanitar, se si e kanë jetuar shqiptarët terrorin komunist, se si e kanë përjetuar fëmijët arrestimin e babait apo të nënës, internimin, demaskimin  publik etj

Vepra e Aranit Hoxhës është himn dhe homazh për ata që u pushkatuan, apo vuajtën nën terrorin komunist. Personazheve të këtij libriai u ka ngritur nga një monument të merituar, ai i ka shënjtëruar viktimat dhe na fton ti nderojmë dhe respektojmë ata, si triumf mbi skëterën e së shkuarës.

Mesazhi i këtij libri është: drejtësia dhe humanizmi.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aranit hoxha, Enver Lepenica, gjemat e Komunizmit

GJENOCIDI KOMUNIST NË RRETHIN E VLORËS

May 2, 2013 by dgreca

Rreth kibrit të Aranit Hoxhës “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, Vlorë 2013/

Nga Shpresim KASAJ/

Ajo që më tërhoqi vëmëndjen në punën e grupit të të  persekutuarve politik të Vlorës, që përgatiti albumin për të pushkatuarit, të vdekur në burgje, të dënuar apo internuar, shkurt për dhunën dhe terrorin komunist në rrethin e Vlorës, ishte se, sa herë që ngecte puna, pyetej Aranit Hoxha dhe ky nxirrte nga gjiri fletore e blloqe shënimesh dhe lexonte të dhënat që i kërkoheshin.

Këto fletore e blloqe shënimesh, ku kishte mbajtur të dhëna për secilin të dënuar apo të persekutuar politik, nuk i mbante në çantë, por në gjirin e tij si relikte shumë të shtrenjta dhe të dashura. E pyeta se ku i kishte gjetur e marrë këto të dhëna dhe ai më sqaroi se, për to, i ishte dashur një punë njëzet vjeçare duke lëvizur e pyetur fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, ku merrte takim me familjarët e të dënuarve dhe të persekutuarve politikë. Gjithashtu, më sqaroi se këtë punë nuk e kishte quajtur të mjaftueshme, pasi të dhënat i kishte verifukuar me arkivat e shtetit.

Nga  Aranit Hoxha,, mësova se komunistët e Vlorës i kishin vrarë, më 14 shkurt të vitit 1944, pa gjyq dhe pa asnjë faj të atin, Sulo Hoxhën. Ai më dhuroi edhe një libër të shkruar Mynyr Zyka  “Një engjëll Shqipërie” , që i kushtohej atit të tij. Psi e lexova atë libër vura re se titulli përputhej me brendinë dhe, se Sulo Hoxha kishte qenë vërtet një engjëll mirësie si hoxhë dhe mësues, që predikonte dije, dashuri dhe vëllazëri midis njerëzve, gjë që shkonte ndesh me ideologjinë e komunizmit që predikonte luftë klasash, dhe për këto Sulo Hoxha, nuk e donte komunizmin. Ky ishte edhe faji i vetëm i tij, për të cilin klika komuniste e vrau në mënyrë barbare, duke e zhveshur dhe lënë në mes të pyllit në mëshirë të bishave.  Atëherë e kuptova mirë pse i mbante autori Aranit Hoxha në gji, fletoret dhe blloqet e shënimeve me të dhënat e të vrarëve dhe të dënuarve politikë nga regjimi komunist. Atij, qysh në fëmijëri i ishte djegur shpirti nga ai regjim. Të gjitha këto i mësova atëherë, kur Sula Hoxha më tha se  kishte ndërmend të shkruante dhe të botonte një libër.

Gjatë këtyre dy-tre vjetëve që kanë kaluar, qysh atëherë, ai i plotësoi dhe i sistemoi këto të dhëna dhe mi dha mua për t’ia redaktuar. Dhe ja sot Aranit Hoxha ka dalë përpara lexuesve me librin e tij të parë: “Gjëmat e komunizmit në trevën e Vlorës”, prej 285 faqesh.

*   *   *

Qëllimi i tij është i thjeshtë dhe fisnik: të nxjerrë në dritë e të zbardhë krimet e sistemit komunist gjatë një periudhe gjysmëshekullore. Vetëm duke i nxjerrë në dritë ato krime, brezat që nuk e kanë jetuar dhe nuk e njohin atë kohë, do ta njohin se çfarë kolere dhe gjëme ishte ai sistem dhe nuk do të lejojnë që ai të instalohet përsëri në Shqipëri. Ky është mesazhi i thjeshtë i librit të autorit Aranit Hoxha.

Një libër i tillë ishte i domosdoshëm për publikun e gjerë. Ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, s’kanë se si t’i dinë këto krime, madje edhe ne, që e kemi jetuar atë kohë, nuk mund t’i dinim me hollësi, siç përshkruhen në këtë libër. E si mund t’i dinim?! Kush mund të fliste për to, në atë kohë? Natyrisht, dinim që kishte të pushkatuar dhe të dënuar  dhe që kishte pasur gjenocid, por nuk mund t’i dinim përmasat e tij reale.

Të vërtetën drithëruese e mësojmë nga libri i Aranit Hoxhës. Le ta shohim konkretisht. Vetëm në rrethin e Vlorës janë pushkatuar ose varur në litar 434 vetë, të cilëve po t’u shtohen edhe 77 persona të vdekur në burgje dhe hetuesi, bëjnë 514 shpirtra njerëzorë, të marra padrejtësisht. Po kaq është afërsisht edhe numri i dëshmorëve vlonjate të vrarë nga pushtuesit  nazifashistë. Por, këtu ka një dallim, dëshmorët i vrau armiku dhe populli i nderon me lule e kurora, kurse këta, dëshmorët e Aranit Hoxhës u bënë viktima të një lufte vëllavrasëse, të nxitur nga një klikë e varur nga të huajt, që pasi i vrau, i shau, i mallkoi, i anatemoi aq sa emrat e tyre nuk mund t’i zije dot në gojë. Numrit së të vrarëve nga klika e më pas regjimi komunist, po t’i shtohet edhe numri i të dënuarve në burgjet komuniste prej 975 vetash, bëhen 1489 vetë, pra dy brigada. Këtu, nuk po përmendim dhe 750 vetë të internuar.

Ja, pra, çfarë përmasa të lemerishme kishte gjenocidi komunist në Vlorë. Po në të gjithë Shqipërinë?! Dikush mund të mos i besojë këto shifra që u përmendën këtu. Është e drejtë e tij të gjykojë si të dojë, por Aranit Hoxha nuk lë shteg mosbesimi. Ai, i ka konkretizuar një për një shifrat, me emra dhe mbiemra të veçantë, me datën e lindjes, të arrestimit dhe dënimit, me vendlindje dhe vendbanim, me vitet e dënimit e të vuajtjes së tij, si dhe me ridënimet kur ato janë përsëritur. Pra, është një punë e madhe atdhetare që ka bërë autori për njëzet vjet me radhë. Ai i ka sistemuar sipas vendlindjes dhe vendbanimit në 58 fshatra dhe tre qytete: Vlorë, Himarë dhe Selenicë. Pothuajse nuk ka mbetur fshat i Vlorës pa pasur të pushkatuar apo të burgosur politik. Krimi komunist filloi që me lindjen e tij, qysh në vitin 1943, kundër njerëzve të vet, komunistë e partizanë që nuk mendonin si udhëheqja e tyre, sllavo-komuniste dhe u quajtën “fraksionistë”.

Që nga gushti i vitit 1943 deri në nëntor 1944 u vranë 22 komunistë dhe partizanë si “fraksionistë” të Sadik Premtes, si: komandanti dhe komisari i ‘Çetës Plakë të Vlorës”, Neki Imeri dhe Xhemil Çakërri, Sekretari Organizativ i Qarkorit të Vlorës, Mynyr Xhindi dhe kuadro të tjerë si Fejzo Gjomemo, Duro Elmazi, Haki Xhelo, etj.

Gjatë muajve tetor-dhjetor 1943, u vranë me atentat 116 vetë duke përfshirë Sekretarin e Rinisë së Ballit Kombëtar për Vlorën, Azis Sharrën etj.

Ky qe vetëm fillimi, kurse vrasjet e goditjet masive, kundër nacionalistëve dhe ballistëve filluan pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, që u zhvillua në ditët e para të gushtit të vitit 1943.

Më datën tetë gusht, kur akoma nuk qe tharë boja e deklaratës së përbashkët të kësaj marrëveshjeje, Enver Hoxha u dërgoi një promemorie të brendshme të gjitha qarkoreve të Partisë Komuniste në rrethe, ku i udhëzonte që ta grisnin Thirrjen e lëshuar nga Konferenca e Mukjes dhe të mos flitej më për të. Nga ana tjetër, ai dënoi kryetarin e delegacionit të Frontit Nacionalçlirimtar në Mukje, Ymer Dishnicën, duke e përjashtuar nga Komiteti Qendror, se gjoja kishte rënë nën ndikimin e Ballit dhe se kishte ndarë pushtetin me Ballin Kombëtar.

Në fund të shtatorit të atij viti, Enver Hoxha u dërgoi urdhër të gjitha njësive partizane të godisnin me ashpërsinë më të madhe çetat dhe batalionet e Ballit Kombëtar. Ishte një luftë e vërtetë vëllavrasëse, paçka se ende mohohet, se në Shqipëri nuk ka pasur luftë civile. Po si mund ta quajmë ndryshe atë luftë që mori jetën e gjashtëmijë nacionalistëve dhe ballistëve shqiptarë?!

Komunistët nuk kursenin as gratë dhe fëmijët. Konkretisht, në Bolenë vranë Peshqeshe Çelomenen me tre djemtë e saj: Fuatin, Ganiun, Bilbilin; Mamudi Novruzaj me tre djemtë dhe vajzën e saj: Numanin, Islamin, Bilon dhe Duzen. Në Kuç, ekzekutuan tetë burra dhe pesë gra, në Hadëraj vranë në derë të shtëpisë nënën dhe të birin, Zenepe dhe Halim Caushin. Dhe kështu vrasjet barbare vazhdojnë e vazhdojnë në çdo fshat.

Një farsë më vete ishin gjyqet kundër të ashtuquajturve “kriminelë lufte”, që u organizuan në vitin 1945 nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e kishin fare haberin e gjykimit dhe të drejtësisë, si Qemal Klosi, Islam Hariz Ganaj nga Tërbaçi e Mantho Rrapua, si dhe prokurori shpirt zi Selim Alimerko.

Më 25 tetor 1945, ky trup gjykues, gjykoi dhe dënoi me një aktakuzë të përbashkët brenda një dite 80 “kriminelë lufte” duke i dënuar nga 20 vjet e deri në burgim të përjetshëm, madje dhe me pushkatim. E pabesueshme, por e vërtetë që ka ndodhur. Kemi dokumentin e plotë të atij gjyqi me emrat, akuzat dhe dënimet që janë dhënë për gjithësecilin nga këta 80 të dënuar.

Në gjyqe të tilla u gjykuan dhe u dënuan elita e atdhetarëve vlonjatë që kishin vendosur gurin e themelit të shtetit shqiptar, si: Qazim Kokoshi, Aristidh Ruci, Zini Abaz Kanina, bashkëpunëtorë të afërt të Ismail Qemal Vlorës, delegatë të Kuvendit të Vlorës më 1912 dhe firmëtarë të deklaratës së Pavarësisë.

Gjyqet dhe dënimet me pushkatim dhe me varje në litar vazhduan edhe më pas ndaj grupit të deputetëve dhe ndaj intelektualëve të shquar që kishin mbaruar universitete në perëndim. Le të përmendim për shembull, Drejtorin e Kantierit për Tharjen e Kënetës së Maliqit, Avdul Sharra dhe inxhinierin Kujtim Beqiri, që kishin mbaruar me Medalje të Artë në Universitetin e Vienës.

Ajo që vlen të përmendet gjithashtu, është se autori nuk flet për vrasjet dhe dënimet e njërit krah, por pasqyron dhe ato që janë bërë brenda llojit. Pra, ai evidenton dhe pasqyron edhe ish partizanët dhe komunistët e vrarë, madje dhe gjeneralë e ministra.  Autorit i dhimbsen edhe këta, se edhe këta janë shqiptarë, vëllezërit tanë të një gjaku, që u bënë preh e një ideologjie gënjeshtare dhe vrastare.

*    *    *

Si përfundim, mund të themi se, ky libër është me mjaft vlera për pasqyrimin e krimeve të klikës dhe regjimit komunist që u vendos në Shqipëri dhe që sundoi për gjysmëshekulli. Ky libër nuk duhet të mungojë jo vetëm në familjet e atyre që kanë emrat e të afërmeve të tyre në të, por edhe të gjithë të tjerëve që duan të mësojnë të vërtetën dhe përmasat e gjenocidit komunist në rrethin e Vlorës, pavarësisht se kujt ngjyre politike a besimi i përkasin.

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aranit hoxha, Gjenocidi komunist, ne rrethin e Vlores, Shpresim kasaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT