• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Refugjatët sirian kurban për mafien klandestine dhe trafikut të organeve

March 9, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Refugjatët sirian dhe irakian që janë të bllokuar prej disa kohësh në Greqi janë në pritje për të nisur rrugëtimin e tyre për vendet e BE nëpërmjet kufirit të bllokuar të Maqedonisë. Rruga e tyre drejtë Gjermanisë ka qenë prej disa vitesh nga Greqia në Maqedoni-Serbi-Kroaci-Austri, por ka kohë që Maqedonia ka mbyllur kufirin e saj. Janë hedhur ide që refugjatët e bllokuar në Greqi të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Por çfarë i pret refugjatët në Shqipëri? Shqipëria është një vend kodrinor-malor ku policia shqiptare e ka të vështirë të kontrolloj kufirin dhe mafien e klandestine që është gati të filloj trafikimin e tyre drejtë Italisë. Prej vitesh jemi dëshmitarë që mafia e trafikut detar disa herë i ka hedhur në det klandestinët duke i lënë në mëshirën e fatit refugjatët e kombësive të ndryshme. Një problem tjetër është se ka mundësi që refugjatët të bien pre e mafies së trafikimit të organeve dhe shitjes së fëmijëve për tu adoptuar në familjet e pasura duke humbur përgjithmonë identitetin e tyre kombëtar. Ideja për ngritjen e kampeve në Shqipëri për të pranuar mijëra refugjat nuk është zgjidhje, por izolim i këtyre refugjatëve ku parashikohet që të qëndrojnë me vite në këto kampe si në burgu. Ku do të ushqehen me racione të kufizuara, nuk do kenë mundësi të kryejnë nevojat e tyre të përditshme, nuk do mund të dalin lirshëm jashtë territorit të kampit. Këto kushte do çojnë në një lodhje psiqike të shumë refugjatëve deri në vetëvrasje. Jemi dëshmitarë se gjëra të tilla kanë ndodhur ditëve të fundit në kufirin greko-maqedonas.

Pra çështja për të pranuar refugjatët sirian dhe irakian në Shqipëri nuk është aq e thjeshtë sepse kushtet ekonomike, pamundësia e policisë për të kontrollua kufirin me Greqinë i cili është malor-kodrinor bënë të pamundur rrugëtimin e sigurt të këtyre refugjatëve për në vendet e BE.

Prandaj do të ishte mirë që BE të marri vendime pozitive për të përfunduar me suksese rrugëtimi i refugjatëve dhe mos të japi ide për ti çuar në Shqipëri dhe më tej këta refugjatë të bien pre e mafies duke u bërë kurbane nëpër salla operacionesh të trafikut të organeve, të shitjes së fëmijëve apo ti hedhin në det ashtu siç ka ndodhur me qindra shqiptar e mijëra kinezë. Që të shmangim një tragjedi edhe më të dhimbshëm për këta njerëz duhet që tu lehtësojmë udhëtimin duke përdorur linjën hekurudhore nga Selaniku e deri në Austri. Kështu, kryejmë një akt human njerëzor. Pranimi për kalimin e refugjatëve nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e BE është sa i dështuar edhe tragjik duke patur parasysh problemet që ngritëm më lart.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Mafia, REFUGJATET SIRIANE, trafiku

Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa

March 1, 2016 by dgreca

Opinion nga Arben LLALLA*/

Idajet Beqiri i njohur në trojet shqiptare përtej kufirit të shtetit amë si mashtruesi Alban Vjosa po na bënë moral patriotik duke sulmuar me të gjithë arsenalin e tij prej gënjeshtari deputetët e PDIU, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizin, rreth projekti të ligjit që këta dy deputet propozuan për heqjen e dekoratave të dhënë në kohën e komunizmit jo për meritë heroike por për servilizmin ndaj diktaturës. Sulmi mediatik i Idajet Beqirit nuk është i rastësishëm, por i porositur në këtë periudhë delikat ku të gjitha mediat në Greqi me në krye klerikët e lartë grek, po sulmojnë zgjidhjen paqësore të çështjes çame, PDIU dhe në veçanti Shpëtim Idrizin.

Avokat Idajet Beqiri sulmon pa doganë, pa frerë dy deputetët çam të PDIU, jo se i dhimbset çështja e dekoratave të dhëna gjatë diktaturës komuniste, por atij ashtu ja do puna, e ka detyrë shtëpie që të kujdeset për projektet greke antishqiptare.

Idajet Beqiri për ata që nuk e njohin mirë është një mashtrues ordiner i cili në emër të çështjes të bashkimit kombëtar ka përfituar mijëra marka, dollarë dhe euro. Sipas disa miqve tanë të përbashkët avokat Beqiri në fillim të viteve 1990 kishte miqësi me kolonel Gadafin e Libisë.

Idajet Beqiri bënte lobim në ato vite të lulëzimit të mashtrimeve në Shqipëri për të dërguar punëtor në Libi nga Shqipëria kundrejt një pagese të majme që duhet të paguanin në fillim ata që dëshironin të punonin në Libi.

Bëmat e mashtrimit të Idajet Avokatit i njohur si komandant Alban Vjosa nuk mbarojnë me dërgimin e shqiptarëve tek prehri i kolonel Gadafit, por pasi mbaroj lufta e 2001 në Maqedoni, ai filloj propagandën për një luftë të madhe se do bashkonte të gjitha trojet shqiptare.

Në vitin 2002, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa filloj propagandën për të mbledhur të holla nëpër botë se gjoja qenka komandanti i përgjithshëm i ushtrisë Armata Kombëtare-Shqiptare-AKSH. Në vitet 2001-2004 propagandonte në faqen e internetit të tij se gjoja janë gati rreth 50 mijë ushtarë të AKSH. Atë periudhë kishte djem e vajza naive që e mbështetën ekonomikisht Idajet Beqirin edhe një bashkëpunëtorin e tij.

Më kujtohet një djalë nga Drenica T.V që jetonte në Kanada i cili vrapoj deri në Gjermani për të takuar Idajet Beqirin dhe i dha një shumë të konsiderueshme dollarësh për Bashkimin Kombëtar që propagandonte Idajet Avokati. T.V me emocione kombëtare financoi dhe mbanti disa faqe interneti që kontrolloheshin nga Idajet Beqiri ato vite.

Në vitin 2003, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa jepte interviste nëpër mediet botërore për luftën e madhe të shqiptarëve për bashkimin kombëtare. Në vitet kur jetoja në Selanik vjen tek unë në emër të Idajet Beqirit një gazetare e njohur e revistës gjermane Renate Flottau e cila punonte për DER SPIEGEL, për tu njohur rreth çështjes së shqiptarëve të Greqisë. Ishte Korrik 2003, dhe unë kisha disa vite që merresha me studimet dhe kërkimet rreth shqiptarëve të Greqisë të njohur si arvanitas e allvanos.

Gazetarja e DER SPIEGEL, Renate Flottau e kishte adresuar tek unë Idajet Beqiri sepse kisha disa vite që botoja në mediat e huaja dhe shqipe shkrime rreth arvanitasve, por kisha qenë dhe kryetar i “Forumit të Emigrantëve Shqiptar në Greqinë e Veriut,, dhe sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut,,. Pra, isha person që e njihja mirë çështjen e shqiptarëve në Greqi dhe politikat greko-shqiptare.

Takimi me gazetaren Flottau u bë në hotel Makedonia në Selanik, unë nuk e njihja gjuhën gjermane dhe anglishte, kështu mora si përkthyese një gazetare tjetër shqiptare e cila punonte për mediat e Tiranës në Selanik. Pas një bisede të gjatë prej 4 orësh me Renate Flottau rreth arvanitasve, allvanosëve dhe Çamërisë e shoqërova të nesërmen gazetaren në fjalë për në fshatrat e Follorinës dhe Kosturit ku ende ka banorë që flasin gjuhën shqipe dhe deklarohen se janë shqiptar. Pas takimit me gazetaren e adresuar tek unë nga Idajet Beqiri sigurimi grek mori në pyetje rreth AKSH mua, U.GJ, dhe një shokun e fëmijërisë nga Patosi të Idajet Beqirit, B.M.

Lepurushi Idajet Beqiri na kishte paraqitur tek revista DER SPIEGEL si komandantë të AKSH dhe ne kishim një ushtri me rreth 90 mijë veta. Këto nuk janë përralla sepse në numrin e 46 të 10 nëntorit 2003 revista DER SPIEGEL botonte një artikull të autores Renate Flottau sikur ne kishim dhënë intervista si përfaqësues të AKSH. Por në të vërtetë ne kishim folur për emigrantët shqiptar në Greqi, për arvanitasit dhe Çamërisë. Pas botimit të shkrimit tek revista DER SPIEGEL për ushtrinë fantazme të AKS-s të Idajet Bebirit, prej atëherë unë, U.GJ. dhe B.M., ndiqemi nga sigurimi serb dhe grek. Atë periudhë lajmëruam përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në Greqi se si është e vërteta, por Idajeti Beqiri i njohur si komandant Alban Vjosa na e kishte ngulur pa dhimbje thellë e më thellë. Shteti shqiptar më tej mësoj se kjo gazetarja e DER

SPIEGEL ishte serbe me shtetësi gjermane dhe mike e ngushtë e Millosheviçit. Gjatë ditëve që Ibrahim Rugova ka qenë peng i Millosheviçit në Beograd ka qenë pranë tij edhe gazetarja Flottau. Prandaj i themi Idajet Beqirit që ti lerë anash ndjenjat e tij patriotike me bateri sepse e njohim mirë kush është, të ndal përbaltjen e figurave të njohura të cilët punojnë për çështjen çame, paqen dhe të drejtat e njeriut. I rikujtojmë opinionit se Idajet Beqiri ka bërë edhe disa muaj burg për bëmat e tij “kombëtare”.

Në përfundim lepurushin Beqiri e këshilloj që këtë shkrim me dorën e tij le ta çojë në gjykatë për të përfituar ndonjë dëmshpërblim, por nga unë do marri vetëm opingën sepse pasuri materiale nuk kam, ndërsa pasurinë kombëtare ia kam lënë trashëgim djalit, atë s’mund të ma marri Idajet Beqiri dhe as ata që të qëndroj pas tij dhe i japin ndonjë honorar për të përbaltur figurat tona kombëtare.

Vërej: Për të vërtetuar ato që kam shkruar lexoni revistën DER SPIEGEL, shkrim mashtrues të Renate Flottau i porositur nga Idajet Beqiri dhe keqdashësit e shqiptarëve, botuar në 10.11.2003, numri 46 i kësaj reviste.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri, i njohur, si Alban Vjosa

Për miopinë dhe shurdhësinë e Ditmir Bushatit për të mbrojtur dinjitetin kombëtar

February 22, 2016 by dgreca

Më 18 shkurt, eurodeputeti grek, gjenerali Gjeorgjio Epitidheos në Kuvendin e BE mbajti një fjalim ku hodhi akuza të rënda ndaj Shqipërisë. Ai deklarojë se Shqipëria si vend islamik rrezikon sigurinë e Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Shqiptarët burgosin grekofonët në Shqipëri vetëm e vetëm se ata mësojnë greqisht. Ku sipas eurodeputetit të partisë naziste të Agimit të Art, Gjeorgjios Epitidheos në Shqipëri jetojnë 300.000 grek./

Nga Arben LLALLA/

Ndoqa reagimin tuaj rreth fjalimit të kryetarit të partisë PDIU, z.Shpëtim Idrizit për problemet shqiptaro–greke. Më habiti qëndrimi juaj fëminor( i paditur, me kapacitete të kufizuara njohurisht) që nuk mund të reagoni apo ti dërgoni Greqisë për veprimet antishqiptare Notë Proteste. E kam thënë disa herë që ministria juaj përfaqësohet në përgjithësi nga diplomatë rruge, që janë punësuar pa plotësuar kriteret minimale diplomatike. Ju keni patur disa herë përplasje me kryetaren e Komisionit të Jashtëm, znj.Arta Dade e cila ua ka përplasur në fytyrë skandalet për punësimet nëpër përfaqësitë tona diplomatike në Greqi duke ju thënë: “Ju keni shkelur kuotat që duhet të vijnë jashtë diplomacisë, por edhe kriteret në emërime. Merrni emigrante dhe i vini konsulle të përgjithshme. Më vjen keq tani. Një emigrante që di vetëm të kapërcejë pengesat e të vrapojë, dhe e keni bërë konsulle të përgjithshme. Këtë nuk e kam bërë unë, e keni bërë ju”.Në trupin tuaj diplomatik në Janinë keni të punësuar disa punonjës që kanë shtetësi dhe kombësi greke, atëherë lind pyetja: Si mundet që një njeri me shtetësi dhe kombësi greke do të mbroj interesat kombëtare të shqiptarëve? Në Konsullatën e Përgjithshme të Selanikut keni punësuar diplomat me shtetësi dhe kombësi greke, diplomat që kanë shitur deri pak kohe fruta-perime në tregun e Verias. Kanë patur kontakte me punonjës së policisë dhe sigurimit grek. Si mundet që diplomatët e shtetit shqiptar në Selanik do mbrojnë interesat kombëtare kur këta kanë shtetësi dhe kombësi greke, jetojnë prej 25 vitesh si emigrantë në Greqi dhe mund të jenë në shërbim të sigurimit grek? Edhe pse këto fakte z.ministër i jashtëm Ditmir Bushati i dini, Ju përsëri heshtni, nuk reagoni. Mos ndoshta jeni kapur edhe Ju mat në ndonjë garazhd, ashtu si një ish-ministër? E mjera Shqipëri që ka ministra të tillë që për dy gisht vend shesin nderin e familjes dhe kombit të tyre. Tani Ditmir Bushati po ua them drejtpërdrejtë në sy, pa frik, pa as më të voglin interes timin personal. Hapi sytë dhe lexo, shiko fotot e më tej vendos nëse do reagosh me Notë Proteste apo do futësh kokën si struci nën rërë.

Më 18 shkurt, eurodeputeti grek, gjenerali Gjeorgjio Epitidheos në Kuvendin e BE mbajti një fjalim ku hodhi akuza të rënda ndaj Shqipërisë. Ai deklarojë se Shqipëria si vend islamik rrezikon sigurinë e Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Shqiptarët burgosin grekofonët në Shqipëri vetëm e vetëm se ata mësojnë greqisht. Ku sipas eurodeputetit të partisë naziste të Agimit të Art, Gjeorgjios Epitidheos në Shqipëri jetojnë 300.000 grek.

Nga data 19-21 Shkurt në SHBA, Shoqata greko-himariotase në bashkëpunim me kishën ortodokse greke organizuan Simpozium shkencorë me temë: Minoriteti grek në Himarë, Pronat dhe të Drejtat e Njeriut. Në këtë Simpozium të organizuar nga kisha ortodokse greke Shën Konstandini në Annapolis të SHBA morën pjesë nga Himara, Fredi-Dionis Beleri, Konstandina Beleri, Andoni Neco, etj. Ku folën për minoriteti grek në Himarë, aneksimin e jugut të Shqipërisë, kishat dhe pronat. Për fatin e keq në këtë aktivitet folën disa persona në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve duke deklaruar se në Himarë ka grek, policia dhe shteti shqiptar shtypin minoritetin duke ju prishur kishat dhe shkollat greke. aAta ngritën akuza të rënda sikur shqiptarët por grabisin pronat e ortodoksëve grek në Himarë, Dhërmi, Sarandë, Delvinë, etj.

Si është e mundur ministër i jashtëm Ditmir Bushati që një organizatë dhe kisha e një shteti tjetër, në këtë rast kisha e greke organizojnë Seminar dhe Simpozium rreth Himarës, pronave dhe pretendimet territoriale që kanë ata për vendin tuaj? Si është e mundur që grekët flasin në emër të shqiptarëve në këtë aktivitet dhe ju nuk keni dijeni si ministri i jashtëm?

Në përfundim zoti Ditmir Bushati, Ju për mendimin tim jeni i pa aftë për të kryer misionin e ministrit të jashtëm, të reagoni për të mbrojtur dinjitetin e vendit tim, dinjitetin e shqiptarëve, prandaj do të ishte mirë të jepni dorëheqje. Turpi për pamundësinë tuaj për të dërguar një Notë Proteste ndaj veprimeve arbritare të Greqisë bie mbi ju. Historia mban shënime dhe na vendos në vendin që meritojnë në bazë të kontributeve të kemi dhënë gjatë jetës sonë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, greku Epitidheos, Kuvendi i BE, shurdheria e Minsitrit Bushati

Kryeministrat e Greqisë bashkëpunëtorë të nazistëve,Shqiptarët e Çamërisë, të vetmit që u masakruan

February 18, 2016 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA*/

Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive për herë të parë në historinë e re të botës i ndodh një populli që të përbuzet kaq rëndë vetëm e vetëm se disa individë që i përkisnin etnisë së saj ishin spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit paqësor të Greqisë. Gjermanët u pritën me paqe dhe nderime nga politikanët, kisha greke dhe populli i saj. Pra, gjermanët mund të quhen me të drejtë pushtues paqësor të Greqisë. Me gjermanët bashkëpunuan mijëra grekë, vlleh, sllavo-maqedonas, bullgarë, romë, etj., shtetas të Greqisë, por familjet e këtyre bashkëpunëtorëve nuk u dënuan asnjëherë, nuk ju sekuestrua pasuria, por nga familjet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve dolën kryeministra, ministra, deputet, figura të shquara të jetës shoqërore të Greqisë pa u persekutuar asnjëherë.

Më poshtë do sjellim fakte që bashkëpunëtorët e gjermanëve u bënë deputet, ministra, kryeministra dhe kryetar shteti të Greqisë të pas viteve 1945. Lista e politikanëve grek që rrjedhin nga familje që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore mund të jetë edhe më e madhe, por ne po sjellim emrat e disave që janë botuar në gazetar, revistat dhe librat e autorëve grek.

Bashkëpunim me gjermanët ka patur Gjeorgjio Merkuri, kryetari i partisë Nacional Socialiste Greke, i cili është gjyshi i ish-ministres dhe deputetes së ndjerë Melina Merkuri.

Gjeorgjio Simitis është babai i ish-kryeministrit të Greqisë Kosta Gjeorgjios Simitis, 1996-2004, ministër 1985-1990. Gjeorgjio Simitis gjatë kohës së pushtimit gjerman u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bankave të Greqisë, një post i lartë shtetëror. Por në vitin 1944, Gjeorgjio Simitis duke nuhatur se gjermanët po e humbnin luftën ju bashkua në male grupeve të rezistencës. Ai u akuzua për zhdukjen e 8.000 paund që kishin dërguar aleatët si ndihmë.

Konstandin G. Karamanlis (1907-1998), ishte një nga politikanët e njohur të Greqisë. Sipas disa dokumentet e fundit të botuar del se ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik gjatë periudhës 1941-1945. Në dokumentin e CIA-as, 16 shtator 1962, thuhet se emri i Konstandin Karmanlis është i përfshirë në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve të Merten për përzënien e hebrenjve.

Pas pak kohësh pritet të dali në qarkullim libri i Mitch Fatouros, një greko-amerikan i cili do sjelli të dhëna nga dokumentet e CIA-as, fotografi për bashkëpunimin e Konstandin Karamanlisit me pseudonimin “Kryepeshkopi”.

Gjatë periudhës së pushtim gjerman Konstandin Kramanlis shoqëroje me një femër e quajtur Lili Mak me origjinë ruse e cila ishte agjende e Gestapos gjermane. Në vitin 1942 italianët e arrestojnë Lili Mak dhe gjyqi e dënon me burg, por me ndërhyrjen e gjermanëve ajo u liriu. Në vitin 1946 Lili Mak bashkë me nënën e saj Elenin dolën përpara gjykatës greke në Athinë me akuzën si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ato u mbrojtën në gjyq nga avokati dhe deputeti Konstandin Karamanlis i cili e fitoj gjyqin dhe nuk u dënuan.

Konstandin G. Karamanlisi që nga viti 1946 ka qenë deputet, ministër dhe katër herë kryeministër i Greqisë nga viti 1955-1963, 1974-1980. Në vitin 1980-1985, ishte Kryetar i Republikës Demokratike të Greqisë, gjithashtu edhe më 1990-1995 ishte Kryetar i Greqisë.

Konstandin Karamalisi është xhaxhai i ish-kryetarit të partisë Demokracia e Re, Kosta Aleksandër Karamanlis i cili ishte kryeministër më 2004-2009. Nga viti 1989 e deri më sot është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë.

Gjeorgjios Joanis Rallis (1918-2006), është djali i kryeministrit të Greqisë 1943-1944, Joani Rallis i cili ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe vdiq në burg. Gjeorgjios Rallis në vitin 1950 u zgjodh deputet në Kuvendin e Greqisë. Ka qenë ministër i disa ministrive nga vitet 1950-1958, 1961-1963, 1967, 1974-1980. Në vitin 1980-1981, ishte kryetar i partisë Demokracia e Re dhe kryeministër i Greqisë. Dha dorëheqje si deputet dhe u tërhoq nga jeta politike në vitin 1993.

Konstandinos Micotaqis (1918-), është njeri nga politikanët e fortë të Greqisë. Micotaqi është nipi i ish-kryeministrit Elefteros Venizellos. Konstandin Micotaqi u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1946, më 2004 dha dorëheqjen si deputet dhe nga politika. Ka qenë ministër i disa ministrive më 1965-1966, 1978-1981. Në vitin 1984 u zgjodh kryetar i partisë Demokracia e Re, dhe më 1990-1993, ishte kryeministër i Greqisë. Është babai i dy deputetëve Dora Bakojani dhe Qiriako Micotaqis.

Gazeta greke AVRIANI e qershorit të vitit 1985, botoj një fotografi ku shihet Konstandin Micotaqi në mes të dy ushtarëve gjermanë. Në vitin 1989 pas rënies së murit të Berlinit, dy ish-agjentët e STAZIT të Gjermanisë Lindore deklaruan në një emision televiziv se kishin marrë porosi që të gjenin materiale ku të vërtetohet bashkëpunimi i Micotaqit me nazistët gjermanë. Ata kishin gjetur fotografinë në fjalë dhe ua dhanë porositësve. Pas disa vitesh gazeta AVRIANI, botoj një shkrim ku deklaronte se fotografinë ku shihet Micotaqi me dy ushtar gjermanë ua kishte dhënë drejtuesi i lartë i PASOK-ut, Kosta Lalioti.

Sido që të jetë e vërteta ka bashkëpunuar apo jo me gjermanët ish-kryeministri Micotaqi, as gazeta AVRIANI, as Lalioti që u përfol se e ka siguruar këtë foto, dhe asnjë individë që e botoj ndër vite, familja Micotaqi nuk ngriti padi penale për shpifje ndaj tyre. Kjo le të nënkuptosh se fotografia kishte qenë origjinale.

Kosta A. Karamanlis (1956- ), është djali i vëllait të Konstandin G. Karamanlisit i cili është akuzuar kohëve të fundit si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ka patur të dashur në periudhën e pushtimit gjerman një agjende të Gestapos Lili Mak. Kosta Karamanlis, u zgjodh për herë të parë deputet më 1989 me partinë Demokracia e Re. Në vitin 1997 u zgjodh kryetar i partisë së djathtë Demokracia e Re dhe nga viti 2004-2009 ishte kryeministër i Greqisë. Vazhdon të jetë deputet i partisë Demokracia e Re. Pra, Kosta Karamanlisi u përket atyre familjeve që kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë viteve 1941-1944.

Evangjelios Meimaraqis (1953-), kryetar i partisë Demokracia e Re, ish-ministër 2006-2009, ish-kryetar i Kuvendit të Greqisë 2012-2015, deputet që nga viti 1989 rrjedh nga një familje që është akuzuar se ka përkrahur dhe bashkëpunuar me gjermanët në ishullin e Kretës. Familja Meimaraqis për herë të pari nxori deputet në vitin 1915, Vasileos Meimaraqis, i cili dënoj sulmet e kretasve kundër ushtrisë gjermane dhe përkrahu qeverinë e Gjeorgjio Çolakoglu. Gjyshi i tij me të njëjtin emër avokati Evangjelos Meimaraqis përkrahu ushtrinë gjermane dhe dënonte sulmet e guerrilasve kundër tyre. Gazeta AKROPOLI, 4 qershor, 1941 shkruan për vizitën e Vasili Meimaraqit në kampin e trajtimit të oficerëve të qeverisë Çolakoglu dhe dënoj krimet e kretasve kundër gjermanëve.

Më 27 prill 1944, britanikët dhe forcat e rezistencës në Kretë rrëmbyen gjeneralin gjerman Heinrich Kraipe. Emri i avokat Evangjelos Meimaraqis figuron në peticionin e intelektualëve të Kretës që dënonin sulmin dhe rrëmbimin e gjeneralit gjerman Kraipe.

*Historian

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, bashkepunetore te nazizmit, Kryeministrat e Greqise

Janullatosi në delirin e shenjtërisë!

February 16, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
A mund të sjellë ndokush ndërmend kur ka qenë hera e fundit që Kryepeshkop Anastas Janullatosi i ka dhënë intervistë ndonjë televizioni shqiptar? Ky mendim më erdhi, kur po ndiqja për arsye studimore, pasi kam detyrë t’i them të vërtetat e mia popullit tim, intervistën e fundit, të dhënë shumë shpejt pas asaj të parafundit, a thua se Janullatosi po përpiqet të kalojë në ajër disa mesazhe të qëllimshme dhe se e ndjen që po i mbaron koha. Bëhet fjalë për intervistën në versionin online të CNN Greek, e cila pasoi për pak javë intervistën që ai dha për ERT1, për festat e fundvitit 2015.
Pse Janullatosi nuk preferon të japë intervista për televizionet shqiptare? Vetëm sepse nuk do ndjehej komod me pyetje të tipit të gazetarëve grekë, që më shumë duket e venerojnë sesa e intervistojnë? Apo lidhet me faktin që Anastasi e di, se tek populli shqiptar është parë me dyshim që ditën e parë që u fronëzua si Kryepeshkop dhe se nuk mund të na krijojë ne mahnitjen që u krijon grekëve? Apo nga që e di se sponsorët e veprës së tij i gjen vetëm në Greqi dhe askund tjetër?
Fakti është që me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh me dhjetëra intervista dhënë për çdo kanal grek, ku Janullatosi përsërit të njëjtat mite të jetës së tij, dhe kohët e fundit i ka shpeshtuar këto dalje publike në Greqi, si për të treguar merakun, që jetën e tij duhet ta shkruajnë sipas versionit që ai dikton, dhe jo sipas fakteve dhe dokumentave. Por këtë nder, ne nuk ia bëjmë dot, ndaj do merremi me çmontimin e çdo miti të tij, sa herë që ai del dhe tenton të na indoktrinojë.
Argumenti që Janullatosi predikon greqisht, pasi nuk e di mirë shqipen dhe ka hall se mos gabon në përcjelljen e dogmave të larta ortodokse, bie akoma më poshtë, kur Janullatosi as nuk preferon të flasë për publikun shqiptar, shqip as që bëhet fjalë, por të paktën të dalë nëpër ekranet e këtij populli, që e bariton si Primat. Ndaj, mediat tona që duan të kapin ndonjë mesazh prej tij, do të duhet thjesht të përkthejnë intervistat e tij që ai jep në Greqi, vendit të cilit i shërbeu gjithë jetën, dhe se ortodoksët shqiptarë do kenë qasje me bariun e tyre, vetëm nëpërmjet përkthyesit, pasi bariu, nuk ua preferon as gjuhën, as televizionet dhe as gazetarët.
Sigurisht, edhe në këtë intervistë, Anastas Janullatosi përsëriti disa prej miteve të tij, që dëshiron shumë të ngelen edhe pas ikjes së tij në qiell, dhe madje në këtë intervistë, ai e shpall që në qiell do ikë, dhe si shenjtor madje, mit që do ta shpjegojmë në mbyllje të shkrimit.
Nuk e di nëse publiku e percepton, por në këto intervista të fundit, kapen disa delire madhështie dhe vetëadhurimi që Janullatosi, ndoshta ngaqë mosha e thyer nuk po e ndihmon më, apo ndoshta nga që ka arritur në faza të avancuara të tundimit më të madh njerëzor, atë të rënies në megallomani, ka nisur dhe po thotë hapur gjëra që në botën kristiane (që predikon përulësi ekstreme), por edhe në atë akademike, apo artistike, askush nuk guxon t’i artikulojë, edhe pse njerëzit mund të besojnë madhështira për veten, të paktën ata janë aq të logjikshëm sa t’i mbajnë këto ngrefosje vetëm në mendimet e tyre, gjë që në rastin e kryepeshkop Anastasit nuk ndodh.
Së pari, ai hiqet si filozofi apo mendimtari iluminist, duke i dhënë këshilla Europës sesi të përballet me rrezikun e Islamit, të cilin e sulmon sërish egër, siç bëri edhe për Krishtlindje, kur referoi dhe vargje kuranore për dhunën dhe aludoi për profetin Muhamed opinione jo fort të përshtatshme për klimën e bashkëjetesës fetare. Me një fjalë thotë që Europa luftoi krishtërimin dhe vakumin që u krijua po e mbush Islami. Por Anastasi harron të thotë, se ç‘bëri ai me krishtërimin në Shqipëri, me ortodoksët që i gjeti 20% dhe i uli nën 7%, në minimume ekstreme historike.
Atyre që besojnë historinë se censusi i fundit zyrtar ishte i manipuluar, u them të vizitojnë cilëndo kishë ortodokse, përfshirë dhe Katedralen e re që meshon vetë kryepeshkop Anastasi dhe të shohin pjesëmarrjen e besimtarëve. Do gjejnë vetëm personelin e punësuar, i cili është i detyruar të jetë prezent. Nga burimet e mia, kam me qindra dëshmi ortodoksësh që deklarojnë se nuk shkelin më në kishë, ngaqë nuk e ndjenë më veten të përfaqësuar dhe se ndihen të fyer nga praktika e Janullatosit që kishën shqiptare e sakrifikoi në altarin e helenizmit. Janullatosi nuk na thotë, se ky vakum i rëndë që ai krijoi në Shqipëri, si dhe nga kush do mbushet? Përpara se Janullatosi t’i japë mend Europës, le të shohë dëmin e pariparueshëm që ai vetë i ka krijuar ortodoksisë shqiptare. Të ngresh një kishë, nuk do të thotë të hedhësh lekë e të bësh ndërtesa, të bukura nga jashtë, por bosh dhe të ftohta nga brenda.
Më pas, Janullatosi bën profetin dhe thotë se ka filluar lufta e tretë botërore, por ne këtë e dinim, se më përpara dhe në mënyrë të përsëritur e ka thënë Papa i Romës, dhe Janullatosi, si shkencëtar që është, të paktën të referojë mendime të njëjta që janë thënë përpara tij, që të mos bjerë në kurthin e plagjiaturës. Më interesant bëhet diskursi i tij, kur deklaron se qendra pushteti politik edhe ekonomik, kanë përqendruar kapitalin në dorën e tyre dhe se popujt po i çojnë në varfëri ekstreme, duke instaluar kështu një diktaturë të re. Nuk dua të referoj këtu listën e filozofëve që flasin për diktaturën e tregut, dhe të kompanive shumëkombëshe, pasi edhe këtu Janullatosi nuk po iluminon askënd, ai po shet sërish si të tijat mendimet e të tjerëve, por po shkojmë sërish te praktika e tij, që të shohim se teoria e tij është thjesht propagandë.
Çfarë bën Janullatosi me ata që ka nën vete? Sa e lufton ai varfërinë të paktën tek ajo pjesë e njerëzve që varen prej tij? Sa njerëz ka nxjerrë ai nga varfëria në Shqipëri? Sërish, si historian, në vizitën e fundit në Shqipëri, intervistova një numër të konsiderueshëm të punësuarish në KOASH, dhe dëshmitë e tyre më shokuan. Nga klerikët dëgjova që u mungojnë edhe gjërat më elementare të jetesës, me rroga qesharake, nën minimumin jetik, madje, Janullatosi u paguan shumën minimale ligjore në bankë, dhe pjesën tjetër, që të mos taksohet, ua jep me zarfe nën dorë, duke konsumuar kështu edhe evazion fiskal. Një klerik në Shqipëri paguhet rreth 300 dollarë, sa rroga e një banakieri, apo punonjësi higjiene nëpër institucione. Madje edhe kur të dalin në pension ata do të kenë pagesa minimale, sepse edhe siguracionet u janë paguar në minimumin e lejuar, duke i lënë kështu gjithë jetën të varfër, nën diktaturën ekonomike të Janullatosit, të njëjtë dhe më të egër, nga ajo që ai akuzon nëpër intervista.
Më të dhimbshme ishin dëshmitë e punonjësve laikë, katekistëve, të cilët paguheshin me shuma nën 250 dollarë, punojnë pa kontrata dhe shumë prej tyre edhe pa sigurim jetësor dhe shëndetësor, pa diskutuar shkurtimet pa paralajmërim nga puna, apo sjelljen arrogante të ndonjë peshkopi të konvertuar me ta. Nuk dua të zgjatem këtu, se do e kemi fokus të veçantë në të ardhmen, por gjendja ishte alarmante. Shumica e të punësuarve në KOASH, ishte në varfëri të skajshme dhe më e keqja ishte se nuk dilnin dot prej saj. Pyetjes sime, se pse nuk gjeni një punë tjetër, klerikët u përgjigjën se ishte e pamundur, pas periudhës së gjatë me veladonë dhe mjekër, askush nuk do t’i punësonte më, por dhe ata do ndiheshin me keq se tani. Ndërsa laikët thanë se ata kishin vetëm shkollim teologjik dhe se nuk do mund të gjenin një pagesë më të mirë nga kjo që merrnin se tregu do i konsideronte ekstremisht të pakualifikuar. Shumë prej tyre po bënin shkolla të tjera nga dëshpërimi dhe përpjekja për t’u shkëputur nga ky realitet.
Sërish këmbëngula me klerikët, ngaqë nuk u besoja veshëve, kur e dinin këtë gjendje, veshën rrobën e zezë? Ata m’u përgjigjën se vitet e para Janullatosi u premtoi se do t’i trajtonte me pagesën e një mësuesi gjimnazi, gjë që e mbajti vetëm për pak vite, por sot, ai e ka shkelur premtimin e tij, pasi rroga e një mësuesi gjimnazi me mbi 20 vjet përvojë i kalon të 500 dollarët. Sigurisht Anastas Janullatosi e kishte të lehtë ta shkelte premtimin, por klerikët nuk e kanë tashmë të lehtë të ikin prej kontratës së rrobës klerike, e cila është gati e përjetshme.
Kryepeshkop Anastasi Janulla duhet të shpjegojë përse ai i trajton kështu klerikët e vet? Nëse ka vështirësi ekonomike, gjë që nuk duket nga milionat që investohen, përse nuk i çliron të paktën nga veshja dhe pamja e dallueshme e tyre që ata të gjejnë punë të tjera? E thjeshtë, sepse do t’i mbajë të varfër, që t’i kontrollojë më kollaj dhe të kënaqë instiktet e veta diktatoriale. Ndaj, hirësi, mirë që na bën teori, por sot nuk e ke më luksin që gjërat e shtëpisë tënde të mos merren vesh, njerëzit e tu që vuajnë nga varfëria e kanë ngritur zërin dhe ti duhet ta dish, se diktaturat rrëzohen një ditë, qoftë edhe me vdekjen e diktatorit.
Nga ana tjetër, Janullatosi nuk hezitoi të bëjë viktimën, strategji e vjetër kjo, sa herë që ai ndjehet nën trysni. Ai tha se ka kaluar shumë zhgënjime e dhimbje në jetë, ka patur braktisje dhe tradhëti, edhe nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Nuk e dimë nëse e ka me peshkopët e konvertuar, të cilët duket se e kanë braktisur dhe nuk po e mbështesin më në gafat që bën, se ata janë përgjegjësi dhe zgjedhje e tij. Nëse ky zhgënjim është kronik, dy janë arsyet hirësi, ose ti nuk di të zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu, i zgjedh ata vetëm nga niveli i adhurimit që ushqejnë për ty, dhe pastaj kur u bien maskat e hipokrizisë, ti mbetesh keq, si në rastin e ndonjë kabllogrami që të ka zbuluar tradhti të rënda në oborr. Ose je ti ai, që me sjelljen tënde arrogante, shkeljen që u bën në dinjitet, varfërinë që u imponon, apo edhe ndonjë arsye tjetër të errët, i detyron të të braktisin dhe e ke më të lehtë të qahesh sesa të pranosh pjesën tënde të fajit dhe të përgjegjësisë.
Janullatosi sërish qarkullon edhe në këtë intervistë mitin e atentatit që i kanë bërë për ta vrarë dhe plumbin e ngelur në dritaren e tij. Është qesharake të mendohet se dikush ka patur përqëllim ti bënte atentat atij, por ai dritare është qëlluar ndonjë plumb qorr të 97-s ose rikoshet. Nga ata plumba që kanë rënë në dritaret e dhjetëra shqiptarëve, dhe Anastasi na e shet për të disatën herë si atentat. Ish-oficeri i DEA-s Anastas Gjerasimos Jnaullatosi e di fare mirë se plumbin e një snajperi, nuk e ndalon dot kurrë xhami i një dritareje, por nëse ai ndjehet mirë me këtë mit, kjo është punë për e tij dhe për trashëgiminë që po lë në ato broçkulla që thotë.
Së fundi, Janullatosi shpërthen në delirin e madhështisë të shprehur në besimin e tij, se tani ai është tashmë një shenjt, dhe se shqiptarët duhet ta ngrenë kultin që ai ka një jetë që kuron, në nivele hyjnizimi. Ndaj legjitimohen edhe ikonat që ai ka porositur në katedralen e re dhe që e paraqesin si shenjt dhe mrekullibërës. Ai thotë: “Mjerë njerëzit që nuk kanë nderë dhimbje, ajo tëçon në një pjekuri të bredshme dhe do të guxoja të thosha në shenjtëri”. Ndaj, dhimbjet, zhgënjimet dhe tradhëtitë, na e kanë bërë punën e tyre, e kanë çuar Anastas Janullatosin në shenjtëri. Ajo çka tashmë na duhet të bëjmë, është ta adhurojmë e t’i falemi.
Ai këtë përjetim, të arritjes së niveleve të shenjtorëve e ka të sigurt brenda tij, fakti që me mani, po porosit vendin ku do prehet dhe po e zbukuron me afrekse, e tregon më së miri këtë gjë. Mbetet ta kuptojnë vetëm shqiptarët, që duhet ta kenë për nder që kanë një shenjtor të gjallë mes tyre dhe nuk e paskan kuptuar. Por, pjesa që nuk sugjestionohet prej shenjtorëve të vetëshpallur të ditëve të sotme, do vazhdojë të thellojë kërkimin mbi historinë e kishës shqiptare, se është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Ne, shumë shpejt do të sjellim fakte se si u ngjit Janullatosi në hierarkinë e kishës greke, pjesë e cilave organizatave parakishtare ishte, dhe se si u shkarkua nga funksionet e larta që mbante, duke marrë rrugën e mërgimit, së pari në Afrikë dhe më pas në Shqipëri dhe ç‘lidhje kishte ai me Jeronimin e Parë, (jo me të sotmin), Kryepeshkopin e juntës ushtarake greke.
Nëse Janullatosi na fton ta besojmë se është shenjtor, atëherë do të duhet të bëjmë një kërkim dhe hetim të plotë të jetës dhe bëmave të tij, ashtu siç është edhe praktika kishtare në këto raste. Sigurisht, që deri më sot, Janullatosi është shenjtori i parë që e ka shpallur përpara vdekjes shenjtërinë e tij, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e krishtërimit, por nëse nga kërkimi na del, që ajo që thotë ai qëndron, do vijë dita që edhe ne do ndezim një qiri përpara ikonës që ai ka urdhëruar të pikturojë në kishën e re, ikonografi grek Kristos Papanikolau.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, Janullatosi, në delirin e shenjtërisë!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT