Nga Arben LLALLA/
I gjithë sulmi mediatik i Greqisë, Kryepeshkopit Anastasios, OMONIA, MEGA, PBDNJ, MPJ-Greke, Mitropoliti i Konicës, partia Demokracia e Re, kundër kryeministrit shqiptar ka të bëj me tensionet e brendshme të rrezikshme që po ndodhin në Greqi. Sa herë që Greqia ka problem ekonomike-politike të brendshme i bien muzikës së rrezikut kombëtar grek nga shqiptarët. Atje ku shoqëria politike dhe intelektuale dështon del në pah çështja kombëtare në instancën e fundit për të krijuar unitetin midis qytetarëve.
Sa për deklaratën e zëdhënësit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Thoma Dhima se Imzot Donato Oliverio: peshkopi arberesh i Lungros ka deklaruar:(Ne nuk kemi asnjë interes material ose territorial dhe fetar këtu në Shqipëri, ku Kisha Orthodhokse e bën shumë mirë e me nder shenjtërimin e popullit. Ne këtu në Shqipëri nuk kemi asnjë prift arbëresh dhe nuk jemi pronarë të as një pëllëmbe dheu, për respektin e madh që kemi për Kishën tuaj Orthodhokse dhe për Kishën tonë arbëreshe.)
Thoma Dhima mendon se shqiptarët janë idiot dhe nuk mund të dinë dallimet midis kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse të vëllezërve tanë arbëresh. Kisha Ortodokse Arbëreshe ka dallime me Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë sepse arbëreshët janë UNIT, pra kishë ortodokse nën juridiksionin e Vadikanit, ndërsa kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë është kishë Ortodokse e Lindjes nën juridiksionin e Patriarkanës së Stambollit, e ritit me kalendarin e ri.
Unitët janë për bashkimin e dy kishave të krishtera, atë katolike dhe ortodokse. Arbëreshët në Itali falen në kishën e ritin ortodoks, por në vartësi të Vatikanit katolik.
Më 1439 në Sinodin e Florencës u bë bashkimi i Kishave të Romës dhe të Kostandinopojës. Më vonë kjo marrëveshje u nënshkrua edhe nga ortodoksë dhe katolikë të tjerë për bashkim në Romë dhe Brest në vitet 1595-1596. Kështu arbëreshët në Itali mbeten besnikë të besimit UNIT. Në qytetin e Elbasanit, brenda në kalanë e vjetër ka qenë dhe është ende sot një kishë e rriti UNIT. Në fillim të viteve 1990 prifti i parë që shërbente në këtë Kishë ishte arbëresh.Prandaj Thoma Dhima mos të na marrë për budallenj duke keqpërdorur deklaratën Imzot Donato Oliverio: peshkopi arberesh i Lungros
Takimi i sotëm i Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasios me ish-kryeministrin Aleksis Çipras ska të bëjë fare me problemin e Dhërmiut. Kryepeshkop Anastasios i ka disa borxhe të vjetra Aleksis Çipras. Borxhet kanë të bëjnë me financimet e familjes Çipra,(Pavlos Çipras) që i kanë bërë prof.Anastas Janullatosit në vitet 1967-1974 për misionet e tij në Afrikë dhe vende të tjera. Aleksi Çipras do ti kërkoj Anastas Janullatosit që të ndikojë tek besimtarët ortodoks shqiptar që kanë shtetësi greke që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të Greqisë partinë e tij pas përçarjes së saj. Janë rreth 30.000 shqiptar dhe minoritar grek që kanë shtetësi greke dhe të drejtën e votës.
PERSE PO E SULMON ATHINA TIRANEN ME MEGAFONIN THOMA DHIMA?
Të kordinuar mirë grekët, grekofilët kanë reaguar sitematikisht këto ditë nga Janullatosi me anë të megafonit të Thoma Dhimës, më tej Mitropoliti i Konicës i cili njëkohësisht është edhe kryetar i organizatës terroriste SFEVA-s, MPJ- greke./
Shkruan:Arben LLALLA/
Athina zyrare po nxit një sulm mediatik kundër kryeministrit Rama me pretekstin e një ndërtimi pa leje që pretendohet se është kishë e shën Athanasit.
Të kordinuar mirë grekët, grekofilët kanë reaguar sitematikisht këto ditë nga Janullatosi me anë të megafonit të Thoma Dhimës, më tej Mitropoliti i Konicës i cili njëkohësisht është edhe kryetar i organizatës terroriste SFEVA-s, MPJ- greke.
Sot reagoj edhe partia greke Demokracia e Re, pas nuk mbetën edhe vllehët e OMONIA-s me grekofonët e MEGA dhe PBDNJ.
Nuk mbeti qenë dhe mace rrugëve të Himarës pa reaguar në mbrojtje të asaj që nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë.
Ky sulm ka për qëllim dobësimin e personalitetit të Ramës përpara takimit ndërkombëtar të Shtatorit.
HISTORI-Çamët nuk kanë bashkëpunuar me gjermanët, por vllehët e Pindit
Vllehtë e Greqisë për të mbuluar bashkëpunimin e tyre me gjermanët dhe italianët, ju vërsulën shqiptarëve në Çamëri për tua mveshur fajin atyre si bashkëpunëtor të pushtuesve./
Shkruan: Arben LLALLA/Historian/
Shpesh herë historianët grek dhe shteti i tyre me ligje kushtetuese e justifikojnë përzënien e çamëve në vitin 1944-1945 me pretekstin sepse kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve. Për shumë vite historianët grek kanë bërë fallcifikimet e dokumentave dhe të fotografive të cilat më tej i kanë paraqitur si fakte që shqiptarët nga Çamëria kanë qenë ushtarë në trupat Vullnetare SS dhe bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas shtatë dekadash ende mekanizmat shtetërore greke përpiqen të fshehin të vërtetën e përzënies së popullsisë së pafajshme shqiptare nga Çamëria duke bërë fallcifikime primitive në kohën e teknologjisë moderne. Sot për lexuesit do të vërtetojmë me fakte të pamohueshme se çamët nuk kanë bashkëpunuar me gjermanët, por grekët dhe në veçanti vllehët ishin ata që bashkëpunuan nazistët për spastrimin e Greqisë nga shqiptarët, hebrenjtë, bullgarët dhe sllavo-maqedonasit.
Bashkëpunimi i Vllehëve të Pindit me italianët dhe gjermanët
Gjatë Luftës së Parë Botërore 1917-1918, forcat ushtarake italiane për të gjetur mbështetje në Greqi hodhën idenë për themelimin e Principatës së Pindit. Në krye të këtij projekti u zgjodh Princi Alqiviadhis Diamanti, një vlleh nga Samarina e Thesalisë me profesionin avokat. Gjatë kësaj lufte ky projekt nuk gjeti përkrahje nga popullsia vllahe e Pindit dhe Princi Alqiviadhis Diamanti e braktisi Greqinë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, u vendos në Rumani.
Në Luftën e Dytë Botërore ushtria greke e drejtuar në përgjithësi nga ushtarakë të lartë me origjinë vllahe u dorëzua lehtësisht tek italianët dhe gjermanët. Më 20 Prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, Mitropoliti i Janinës, Spiridon, i cili edhe ky ishte vlleh nga Pogonia, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët dhe italianët. (Mitropoliti i Janinës, Spiridon, ishte një antishqiptar i tërbuar, ai ka qenë ministër i brendshëm në qeverinë e Autonomisë së Veriut të Epirit më 1914. Mitropoliti i Janinës, Spiridon në vitin 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Greqisë, ai njihej në popull me emrin Spiridon Vllehu, por mbiemri i familjes ishte Sito.)
Pasi dorëzuan ushtrinë greke të Epirit dhe të Maqedonisë greke, gjeneralët grek me origjinë vllahe përfituar privilegje në rang ministrash gjatë qeverive 1941-1944. Në 29 Prill të 1941, ushtaraku i lartë gjerman, Afred Jodl dhe ai italian, Alberto Ferrero zgjodhën në krye të qeverisë greke kryeministër Jorgo Çolakoglu, me origjinë vllahe. Pasi u zgjodh kryeministër vllahu, Jorgo Çolakoglu vendosi ministër të brendshëm gjeneralin Panajot Dhemestihas që ishte vllah, prefekt të Trikallas u vu ushtaraku tjetër i lartë, Theodhor Sarantin i cili edhe ky ishte vlleh. Tashmë vllahët drejtonin Greqinë dhe kjo i ndihmonte për shpalljen e pavarësisë së Principatës së Pindit. Në vitin 1941, Alqiviadhis Diamanti rikthehet në Greqi me mbështetjen e kryeministrit Jorgo Çolakoglu dhe të ushtrive gjermane e italiane.
Në vitin 1942, Princi Diamanti bashkë me Nikolaos Matusi dhe me mbështetjen e qeverisë greke, ushtrisë gjermane dhe italiane themeloj me vllahët e Larisës, Legjinonin Romak ushtarak që përbëhej nga vllahët e Greqisë. Ai pretendonte se nga 140.000 vlleh që jetonin në Thesali, rreth 25% e tyre do ti bashkoheshin Legjioneve të tij për të fituar pavarësinë nga Greqia. Sipas historianëve grek për të realizuar projektin në fjalë pas shumë përpjekjesh mundi të kishte rreth 1.000 ushtar të kombësisë vllahe, të cilët ishin vendosur në dy baza, Larisë dhe Elassona. Kryeministër i Principatës së Pindit dhe Komandant i trupave vllahe ishte Nikolaos Matusi, vllah nga Samarina. Veshja ushtarake e ushtarëve të Legjioneve ishte e njëllojtë me ata të italianëve. Trupat ushtarake vllahe vepronin bashkërisht me ushtrinë italiane në Epir dhe Maqedoninë greke si në Trikalla, Elasona, Samarina, Grevena, Meçovo, Kallabaka, Larisë, Farsa. Këta terrorizonin popullsinë, u grabitnin ushqimet dhe pasurinë e tyre. Disa herë Legjionet Romake të vllahëve u sulmuan nga trupat partizane greke të ELAS-it.
Në fund të vitit 1943, pasi po shikohej se boshti i gjermanëve po humbte luftën, drejtuesit e Legjioneve vllahe dhe pjesa më e madhe e tyre braktisën këtë uniformë dhe ju bashkuan trupave të Napolon Zervës. Princi i Pindit, Alqiviadhis Diamanti pasi u largu nga Greqia u vendos në Rumani. Me ardhjen në pushtet të komunistëve atje, ai u arrestua në vitin 1948, vdiq pak muaj pas arrestimit në burg.
Kryeministri i Principatës së Pindit dhe komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake të Legjioneve Romake, Nikolaos Matusi shkoj në Rumani, pasi u kap nga komunistët u burgos si bashkëpunëtor i gjermanëve. Me kërkesë të Greqisë në vitin 1964, u transferua atje për të vazhduar burgun, por për çudi ai bëri vetëm disa muaj burg dhe e liruan. Vdiq në moshë të thellë në vitin 1991, në Larisë. Nikolaos Matusi në Greqi gëzonte privilegje deri në armëmbajtje me leje edhe pse kishte qenë bashkëpunëtor i gjermanëve e italianëve ai kurrë nuk u dënua nga gjykatat greke.
Përfundimi
Popullsia vllahe e Pindit edhe pse të dokumentuar zyrtarisht dalin bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve, ata nuk u përzunë nga Greqia, përkundrazi morën në dorë drejtimin e Greqisë, dhe pjesë direkt në masakrat që ju bënë popullsisë shqiptare në Çamëri. Janë vllahët e Pindit ata që grabitën pasuritë e çamëve. Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumentë që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të shpikura. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit e cila u ndërtua nga vllahët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historian, publicistë, etj., ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për tu mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
Ndoshta ka pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre.
Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.
Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.
Nga Greqia u përzunë për mos tu kthyer më edhe ata shqiptar që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast e të tillë kemi të dokumentuar rastin e prof.Petrit Demi, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh greke kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për ti mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grek kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.
Tashmë e vërteta dihet përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq shtetësia greke. Pas shumë vitesh kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit n; Greqi, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Epiri emigruan për ti shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan edhe mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, disa deputet dhe kryetar bashkive në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllahëve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve.
SI U VRA ISH KRYEMINISTRI HASAN PRISHTINA
Nga Arben LLALLA/
U mbushën 82 vjet që nga data e 13 Gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina. Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik në arkivat e këtij qyteti zbulova një gazetë të vjetër që përshkruante ngjarjen e vrasjes së atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Në gazetën “Maqedonia e Re” e datës 14.8.1933, ishte botuar fotografia e Prishtinës i vdekur dhe fotografia e vrasësit Ibrahin Çelos.
Gazeta e asaj kohe shkruante për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historianë shqiptarë që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruar si datë të vrasjes 14 Gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 Gushti i 1933.
Përshkrimi i atentatit nga gazeta greke e kohës
“Maqedonia e Re” (Μακεδονικα Νεα)
“Maqedonia e Re” e datës 14 Gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetës shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.
Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.
Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: – Shqyeni, shqyeni, vrasësin. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta mbas dite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.
Vrasësi për Hasan Prishtinën
Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar. Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shplodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.
Para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik do të mbahet një manifestim përkujtimor për të në 80 vjetorin e vrasjes së tij. Më pas do të vendosen buqeta me lule të freskëta në vendin ku iu bë atentati. Sot shtëpia e Prishtinës funksionon si shkollë për të verbrit.
Pas 82 vjetësh Hasan Prishtina përkujtohet në vendin ku u vra, në Selanik/
Buqeta me lule të freskëta, pas 80-të vjetësh do të vendosen sot në vendin ku më 13 gusht të vitit 1933 u vra pabesisht Hasan Prishtina. 80-të vjetori i vrasjes së atdhetarit për herë të parë do të shënohet në Selanik, në vendin ku dhe u vra heroi. Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, të ndihmuar edhe nga Mehmet Prishtina, pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës do të organizojnë manifestim përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të vrasjes së atdhetarit Hasan Prishtina. “Manifestimi përkujtimor do të organizohet para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik. Qëllimi është që të përkujtojmë në vendin e ngjarjes figurën madhore të kombit tonë”, ka thënë për “Lajm”, kryetari i Shoqatës së historianëve, Skënder Hasani. Në manifestimin do të jenë prezent udhëheqësit e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, udhëheqësit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, udhëheqësit e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, përfaqësues të lobit shqiptar në botë, të cilët kanë ardhur në vendlindje për pushime, përfaqësues të shoqatës së historianëve, etj. Ftesa ka qenë dhe për historianin Llalla, pasi ashtu sikurse dihet i gjithë infromacioni është bazuar në materialet që ai vetë ka dhënë për Hasan Prishtinën, duke përfshirë dhe foton e vdekjes, por ai e ka të pamundur të jetë prezanet në këtë përkujtimore në Selanik. Hasan bej Prishtina ka qenë njëri nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë e dha për çështjen kombëtare shqiptare. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë. Hasan Prishtina lindi në vitin në vitin 1873 në Vushtrri, por familja e tij, ishte nga treva e Drenicës, Polaci (tani Hasanprishtina). Mbiemri i vërtet i Hasan Prishtinës ka qenë Berisha, por me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përsëri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan bej Prishtina. Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, anëtarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani mori përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina mori përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Bajram Currin dhe Isa Boletinin.
Hasan Prishtina Ministër i Qeverisë Kombëtare të Vlorës
Më 28 nëntor 1912 merr pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes “ZUKRE” (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arsye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; “Pessembe Mebusu Hasan” (deputeti së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore në qeverinë e Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjes (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen pas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhaferr Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëse të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z.Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar. Në fund të muajit shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër rrëgjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.
Robërit grek të Provokacioneve të Gushtit 1949
Greqia pas riatdhesimit i shpërbleu vetëm me nga një batanije dhe pagesën e 15 ditëve të punës./
Shkruan:Arben LLALLA/*
Greqia pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore u përfshi nga një luftë qytetare në vitet 1946-1949, midis forcave të majta që udhëhiqeshin nga Partia Komuniste Greke (K.K.E) dhe ushtria Demokratike Greke (DSE) përballë forcave të djathta që mbështeteshin nga SHBA dhe Anglia. Kjo luftë e brendshme e Greqisë për pak sa nuk kaloj në një luftë të re Ballkanike midis dy kampeve, atij komunistë dhe perëndimor.
Gjatë Luftës Qytetare Greke (1946-1949), Shqipëria luajti një rol vendimtar për paqen në Ballkan duke mos u bërë palë luftuesve edhe pse u provokua disa herë që të ishte pjesë aktive në luftimet midis dy ushtrive greke.
Më 24.9.1947, Marko Vafiadhis vjen në Tiranë përmes Korçës si kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike, për të kërkuar ndihmë në qeverinë Komuniste të Tiranës. Markoja kërkon nga Enver Hoxha që të dërgojë çamë të dëbuar prej Greqisë në malin Gramoz, që të luftojnë përkrah kryengritësve komunistë grek. Vafiadhis vjen pa ndonjë lajmërim paraprak në Tiranë, ndaj, Enver Hoxha nuk e takon, por ngarkon një person nga Byroja Politike të diskutojë me të. Ai i parashtron qeverisë komuniste shqiptare disa kërkesa, ndër të tjera të dërgoheshin 3.000-4.000, burra çamë për Ushtrinë Demokratike Greke, që jetonin në Shqipëri, të dëbuar prej forcave të Napolon Zervës në vitin 1945.
Pala shqiptare shprehu mendimin se çamët tani për tani nuk mund të përbëjnë faktor ndihme. U theksua se çamët nuk do të duan të shkojnë në luftë, tash për tash, kjo nuk është e mundur. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Demokratike, Marko Vafiadhis theksoi në takim me përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës se ndihma që do të jepte shteti shqiptar i asaj kohe ishte me rëndësi. Enver Hoxha për ardhjen e Marko Vafiadhit vuri në dijeni Titon me anë të një letre.
Në verën e vitit 1949, në Malin Gramoz dhe Viçi u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave komuniste dhe atyre të djathta që ndihmoheshin nga ushtria amerikane e angleze. Ushtria mbretërore greke duke përfituar nga kjo përkrahje bëri tentativa për të hyrë në territorin e Shqipërisë me pretekstin se po ndiqte forcat komuniste. Qëllimi i vërtetë ishte realizimi i Megalo Idesë për aneksimin e jugut të Shqipërisë-Veriun e Epirit, por ata ndeshën në rezistencë të fortë të ushtrisë shqiptare.
Në fund të vitit 1949, forcat komuniste u shpartalluan nga forcat e djathta greke që mbështeteshin nga ushtria e SH.B.A-së, dhe Anglia. Strategjia e izolimit të forcave të Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjesimin e forcave të qëndresës komuniste ishte vendimtare. Mijëra kryengritës komunistë grekë gjetën strehim të përjetshëm në Shqipëri, Jugosllavi, Poloni, Çeko-Sllovaki, në Bashkimin Sovjetik, Hungari, Bullgari, dhe në vendet e tjera të Bllokut Komunistë të asaj kohe.
Gjatë tërheqjes së forcave komuniste greke për në Shqipëri sollën me vete edhe robërit që kishin zënë të Ushtrisë Kombëtare të Mbretërisë Greke. Këta robër u bashkuan me robërit që ishin zënë nga ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë gjatë provokacioneve të Gushtit 1949. Asnjë vend i bllokut komunistë nuk pranojë robërit grek të luftës qytetare greke, as edhe grekët e ushtrisë komuniste të cilët ndiqeshin nga ushtria e mbretërisë greke nuk u pranuan për disa vite. Kështu, ata mbetën në Shqipëri për një periudhë të gjatë. Shqipëria tashmë ishte bërë streha e të gjithë grekëve, të forcave komuniste dhe të djathta.
Nikita Agapitidhi, sot mjek-kirurg i njohur në Athinë ka qenë në grupin e robërve dhe në librin e tij “Vitet e robërisë 1949-1956”, të botuar më 1996, shkruan se ishin rreth 500 robër të ushtrisë kombëtare greke të cilët në fillim u dërguan në Korçë, më tej Valias, në fermën e Sukthit, Lushnje, Varibope, Zadrimë e Burrel. Ai jep emrat edhe të oficerëve të sigurimit shqiptar që i përkisnin minoritetit grek të cilët përktheni, Kosta Stathis e Manthos Mihilis. Në libër përmendet infermierin ushtarak, Haki Fasholari i cili ishte kujdesur dy muajt e fundit për të burgosurit.
Kirurgu Nikita Agapitidhi shkruan në librin e tij për njohjet me mjekët shqiptar në spitalin e Korçës, Sotiri Polena dhe Koço Gliozheni.
Bisedimet për lirimin e këtyre të burgosurve midis Shqipërisë dhe Greqisë ndeshën në vështirësi të mëdha sepse Tirana zyrtare i akuzonte për hyrje në territorin e Shqipërisë, ndërsa Greqia justifikohej se ata janë të burgosur që janë kapur në territorin grek nga ushtria komuniste greke. Pas disa muajve bisedimesh u ra dakort që robërit kishin hyrë gabimisht në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë prandaj duhet të riatdhesoheshin.
Më 19 Gusht 1956, grupi i parë i të burgosurve, 217 nga rreth 500 që ishin gjithsej prisnin në portin e Durrësit për të hipur në anija greken “ALIAKMON” e cila ishte vonuar disa ditë sipas programit. Në 22 Gusht, gjatë kohës që hipën në anijen ishte i pranishëm shefi i sigurimit shqiptar, Mihallaq Ziçishti. Anija me robërit mbërriti më 24 Gusht në portin e Pireas ku i prisnin të afërmit. Për disa kohë të gjithë këta të burgosur ishin nënvëzhgimin e sigurimit grek sepse dyshonin se në mesin e tyre mund të kishte agjendë të vendeve komuniste.
Këta robër do i ndiqte fati i keq edhe në Greqi pasi u riatdhesuan. Ata përfituan 300 dhrahmi nga Kryqi i Kuq Grek, nga një batanije dhuratë nga qeveria greke, 20 dhrahmi për ushtarët dhe 1.200 për oficerët. Të sëmurëve ju dha mundësia që të vizitoheshin falas në spital dhe një pension, ndërsa të tjerët për vitet e robërisë përfituar vetëm pagën e 15 ditëve të punës, asgjë më shumë.
Brenda një viti u riatdhesuan për në Greqi edhe dy grupe të tjera të robërve nëpërmjet kufirit tokësor greko-shqiptar të Kakavies. Periudha e gjatë e ndarë e tre grupeve për riatdhesim të robërve u bë nga ana e grekëve të cilët përgatisnin dosjet për çdo të burgosur. Greqia caktoj emrat se cilët robër duhet të riatdhesohet duke verifikuar qëndrimet politike për secilin gjatë periudhës që qëndruan në Shqipëri.
* Ne Foto, Roberit Greke te ardhur nga Shqiperia. Pire, Gusht 1956
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 43
- Next Page »