Profesor Arben Prendi, shkrimtar dhe studiues, Doktor i Shkencave Letrare, Drejtues i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” sjell për publikun në kuadër të serisë mbi autorët bashkëkohorë, të quajtur ‟Contemporana”, monografinë mbi prozën e Fatos Kongolit. Në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, shprehet se romanet e Kongolit mund të thuhet se janë romane të personazheve për arsye se dominon personazhi kryesor i cili ka cilësi të personazhit “antihero”, antipod i heroit të romanit realist apo të romanit të realizmit socialist. Përmes monologut personazhet e portretizojnë veten.
FATOS KONGOLI DHE PERSONAZHET “ANTIHERONJ”
Fatos Kongoli (1944), është prej atyre shkrimtarëve shqiptarë që nga vëllimi Tregime (1978), romani Ne të tre (1985) dhe Karuseli (1990), pas viteve 1990 nga një shkrimtar periferik në letërsinë e realizmit socialist, ia del të krijojë një vepër letrare, që do ta sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit letrar dhe kritikës në këto njëzet vite. Sigurisht kjo ka lidhje me vetë ecurinë e procesit krijues të shkrimtarit, si dhe me kushtet e reja të lirisë së krijimit pas rënies së pengesave ideologjike, me rënien e regjimit komunist. F. Kongoli së bashku me Z. Çelën, V. Koreshin e ndonjë tjetër nga brezi i romancierëve të viteve ‘80 dëshmuan se ishte e mundshme të kapërcehej gjendja e krizës së romanit shqiptar pas rënies së realizmit socialist. Pas viteve 1990 ka botuar romanet: I humburi (1992), Kufoma (1994), Dragoi i Fildishtë (1999), Ëndrra e Damokleut (2001), siç i quan autori, romanet e ciklit Burgjet e kujtesës; për të vijuar me romanet: Lëkura e qenit (2003), Te porta e Shën Pjetrit (2005), Jetë në një kuti shkrepësesh (2007), Bolero në vilën e pleqve (2009) Sidorela (2011), romane ku mbizotëron tema e tranzicionit të shoqërisë shqiptare dhe shkrimtari na del si “dëshmitar” i epokës së tij. Romanet e Kongolit mund të thuhet se janë romane të personazheve për arsye se dominon personazhi kryesor i cili ka cilësi të personazhit “antihero”, antipod i heroit të romanit realist apo të romanit të realizmit socialist. Tipi i këtillë i personazhit është i ri në romanin tonë bashkëkohor. Ai është shpesh njeriu anonim, i humbur, i dhunuar, i survejuar, ose edhe i vetëpersekutuar, që jeton në skajet e shoqërisë, në regjimin komunist për shkak të sistemit që e përjashton dhe e persekuton; në periudhën e tranzicionit për shkak të rrethanave por edhe për shkak të cilësive të tij, si njeri me “probleme” psikiko-emocionale që burojnë nga përvoja traumatike e përplasjeve me realitetin. Ai është njeriu viktimë e sistemit politik dhe e rrethanës sociale por edhe e rastësisë dhe absurdit që buron nga rrethanat sociale dhe vetë ekzistenca. Përmes monologut personazhet e portretizojnë veten. Megjithë personazhet interesante që nëpërmjet monologut e shpalosin botën e tyre komplekse, ekziston rreziku i skematizmit në këto tipa personazhesh, të cilët cilësohen nga veçori të njëjta apo të përafërta dhe vijnë të gjithë nga kategoria e personazheve në krizë identiteti, të humbur, anonimë, viktima, inferiorë, të pafuqishëm, shpesh indiferentë, të dyzuar, të dhënë pas pijes dhe aventurave seksuale, me probleme të ngjashme me neurozat psikiatrike, që rrojnë pa motiv ose me motive të vakëta për ekzistencë. Këto personazhe, janë personazhe në krizë e cila buron nga rrethana sociale-politike e diktaturës komuniste, rrethana anarkike dhe kaotike e shoqërisë së tranzicionit, dhe deri diku edhe nga “ankthi ekzistencial” i qenieve që e ndiejnë veten “të dënuar me vdekje”. Ata janë tipa pa ambicie, të flashkët, që zgjedhin indiferencën dhe pasivitetin, në thelb janë të neveritur nga ekzistenca, për shkak të përvojës traumatike që kalojnë apo kanë kaluar. Gjithashtu janë individë me botë të brishtë shpirtërore, të pafuqishëm ndaj dhunës dhe përballimit të absurdit të ekzistencës.
MONOLOGU DHE ALTERNIMI I VETAVE
Në romanet e Kongolit alternimi i vetave rrëfimore është teknikë sistematike. Në disa romane si: Kufoma, Ëndrra e Damokleut, Dragoi i fildishtë, Lëkura e qenit, Te porta e shën Pjetrit, Jetënë kuti shkrepësesh; kemi alternim të rrëfimit në vetën e tretë me rrëfimin në vetën e parë por më i preferuar është rrëfimi në vetën e parë, që realizohet nga personazhi kryesor i cili është edhe protagonist, rrëfim që shndërrohet në një monolog të brendshëm, në të cilin ndërthuren disa tipa të monologut si: “monologu i cituar, dekronologjizmi asociativ, kujtesa e rrëfyer dhe monologu i kujtesës” në romanet I humburi, Lëkura e qenit, Bolero në vilën e pleqve. Edhe në romanet ku rrëfimi në vetë të tretë alternohet me rrëfimin në vetë të parë, dallohet preferenca për rrëfimin në vetë të parë dhe veçanërisht për monologun e brendshëm i cili e shfaq botën e personazheve pa censurë, në mënyrë të sinqertë. Në këtë monolog personazhi veprues është njëkohësisht përjetues dhe pësues, por edhe përshkrues i veprimit të subjektit. Ky monolog mbështetet në përvojën e monologut të romanit modern. Rrëfimi në tërësi në romanet e Kongolit mbështetet në përdorimin e retrospektivës, e cila është mjet i rëndësishëm edhe në konceptimin e hapësirës dhe kohës së veprimit të subjektit.
TIPARE DHE MOTIVE QË PËRSËRITEN
Përgjatë strukturës narrative, kompozicionale dhe semantike të romaneve të Kongolit mund të vërehen disa tipare, veçori dhe motive të përsëritshme si: Tipi i personazhit të vetmuar, pa ideologji, fatkeq, i humbur, inferior, i palumtur, viktimë e rrethanave absurde, viktimë e veseve; viktimë e preferuar për sistemin politik, moral e social, i dyzuar për shkak të tyre; pa iniciativë, i pafuqishëm për të kundërshtuar realitetin, me probleme të thella emocionale e psikike deri në kufijtë e çmendurisë, për shkak të përvojave traumatike. Tipa të tillë janë: Thesari (Ihumburi), Festimi (Kufoma), Genci (Dragoi i fildishtë), Kristi (Lëkura e qenit), Ergysi (Ëndrra e Damokleut), Platoni (Te porta e shën Pjetrit), Bledi (Jetënë kuti shkrepësesh), Parashqevia (Bolero në vilën e pleqve); -Përvoja traumatike që personazhet kryesorë apo dytësorë kalojnë në të tashmen ose kaluarën e tyre, pengjet dhe ndjenja e fajësisë, ëndrrat që shohin personazhet si “përkthim” i krizës së tyre etj.; – Lidhje, dashuri të penguara ndërmjet personazheve. Lidhja e penguar e Thesarit me Sonjën, Vilmën te: I humburi; e Festimit me Sarën te Kufoma. Lidhja e penguar me Sui Lin: Dragoi i fildishtë. Lidhja e ndërprerë Ergysi-Linda: Ëndrra e Damokleut. Lidhja e ndaluar e Kristit me Dolores dhe Lorin te Lëkura e qenit. Lidhja e ndërprerë e Platonit me Roksanën: Te porta e shën Pjetrit. Lidhjet e ndërprera të Bledit me vajzat: Veronikën dhe Dinën: Jetë në kuti shkrepësesh.
MES REALIZMIT DHE MODERNIZMIT
Në këto romane Kongoli i respekton procedimet e romanit realist, duke bërë ndërhyrjet e rastit atje ku nuk cënohet qartësia dhe thjeshtësia e strukturës narrative apo e strukturave kompozicionale e semantike. Siç shprehet autori edhe në disa intervista, ai e ndjek me vëmendje lexuesin e tij dhe tregohet i kujdesshëm me të, që mund ta kuptojmë edhe si vëmendje ndaj një lexuesi, që i kultivuar më së shumti me përvojën e leximit dhe komunikimit me romanin e realizmit socialist dhe realist, i pranon me vështirësi thyerjet e forta dhe kapërcimet. Pra, Kongoli është një romancier që nuk e zhgënjen pritjen e lexuesit të tij. Kështu në përgjithësi romanet e tij, shquhen për subjektin, fabulën dramatike, për “historinë” siç shprehet autori, e cila organizohet sipas modelit të subjektit të romanit realist, duke bërë disa modifikime që nuk e dëmtojnë rrjedhën tërësore të tij, sepse rrjedha tërësore e këtyre subjekteve realizohet gjithmonë në formën e një veprimi që nis në një pikë të caktuar dhe mbyllet në formë elipse përsëri në këtë pikë.
VEPRIMI I SUBJEKTIT PËRPARON NGA PIKA E NISJES DERI NË FUND
Në romanet e tjerë veprimi i subjektit përparon nga pika e nisjes deri në fund pavarësisht ndonjë ndërprerjeje apo retrospetive, duke u zhvilluar deri në pikën e mbylljes. Te I humburi veprimi i subjektit fillon nga fundi: a) me rrëfimin e Thesarit nga e tashmja për mikun e tij Dorian Kamberi i cili në vitin 1991 bashkë me turmën e egërsuar ikën me anije familjarisht drejt Italisë; veprim që pason b) me një retrospektivë të thellë në të kaluarën për t’u mbyllur në të njëjtën pikë nga nisi në mars të vitit 1991. Te Kufoma veprimi nis: a) në një atmosferë ku Festimi përjeton praninë e një kutërbimi gjirizesh kudo, për t’u zhvilluar b) në perspektivë dhe në retrospektivë ku “zbulohet” shkaku i këtij kutërbimi dhe përfundon me pohimin se ai vetë, Festimi, ishte shndërruar në një kufomë në mes të të gjallëve. Te Ëndrrae Damokleut ruhet edhe skeleti i kompozicionit realist, përmes prologut dhe epilogut ku në prolog përshkruhet në fillim: a) veprimi që duhet të ndodhë në fund të subjektit dhe në epilog: b) veprimi kthehet përsëri te epilogu, përmes zërit të Balzakut, që bën publik rrëfimin e Ergysit, të cilin ky e ka lënë të shkruar, në formën e dorëshkrimit. Te Dragoi i fildishtë veprimi nis: a) me një letër që Gencit, i vjen nga Franca për të marrë pjesë në një takim të gazetarëve ballkanas, i cili shërben si pretekst për t’u kthyer b) në retro në kujtimet e tij të së kaluarës, dhe mbyllet përsëri me ardhjen e një letre dhe një fotografie nga një kolege me të cilën është njohur në këtë takim. Te Lëkura e qenit veprimi nis: a) me praninë e Hadit, perëndisë së vdekjes, që shënon vdekjen e një epoke dhe zhvillohet me vdekjen e gruas së Kristit, vdekjen e tij shpirtërore, dështimin, dhe mbyllet b) me takimin e tij me Lorin përballë vilës së Hadit. Te Bolero në vilën e pleqve veprimi nis: a) në spitalin ku Parashqevia është infermiere, lëviz në perspektivë dhe në retrospektivë, për të përfunduar b) në kthimin e Parashqevisë si infermiere përsëri në spital, pas vdekjes së pleqve të vilës. Te Jetë në kuti shkrepësesh veprimi nis: a) në apartamentin e Bledi Terziut, ku një vajzë rome troket në derën e tij, për të dalë prej andej e vdekur, për të ecur në perspektivë dhe në retrospektivë, dhe për t’u mbyllur b) me një zhvillim të ri, kur Bledi arrestohet në apartamentin e tij. Në respektim të procedimeve të romanit realist autori ruan pozicionin e personazhit kryesor më të rëndësishëm në vepër, rreth të cilit sillen personazhet e tjerë dytësorë. Por ky personazh nuk është më personazhi i romanit thjesht realist, ai është më kompleks dhe i ndryshëm prej tij.
NDËRTHURJA E TEMAVE
Nga ana tematike në këto romane ndërthuren temat e jetës së shoqërisë shqiptare nën regjimin komunist me temën e tranzicionit të pas viteve 1990. Në romanet që bëjnë pjesë në ciklin që autori e emërton “Burgjet e kujtesës” tema nga jeta nën regjimin komunist është dominuese, megjithëse rrëfimi bëhet nga pozita e së tashmes, dhe një pjesë e mirë e reflektimeve të personazheve janë pjesë e reflektimeve me frymë kritike dhe pa censurë të së tashmes. Në grupin e dytë të romaneve si Bolero në vilën e pleqve, Te portae shën Pjetrit, Jetë në kuti shkrepësesh, Lëkura e qenit, temë dominuese është tema e tranzicionit, megjithë praninë e temës së parë. Këto tema shtjellohen në mënyrë realiste, duke u dhënë këtyre romaneve tiparet e romanit social, ku rrëfehet dhe artistikisht mbahet qëndrim kritik ndaj dy periudhave më të fundit në jetën dhe historinë e individit dhe popullit shqiptar: periudhës së regjimit komunist dhe periudhës së tranzicionit, që përjetohen nga personazhet si periudha traumatike gjatë të cilave njeriu dyzohet, humb identitetin e tij, humbet kuptimin për ekzistencën, zhytet në vuajtje dhe dhimbje etj. Krahasimisht me temat dhe ndërthurjen e tyre, narratori në këto romane e koncepton hapësirën dhe kohën në përputhje me to, duke iu përmbajtur një konceptimi realist të tyre që shënohet nga të dhënat faktike, përmes datave, viteve, veçorive dhe dukurive karakteristike për një periudhë apo për një tjetër. Narratori është i qartë në ndërtimin e kornizës hapësinore dhe kohore ku ndodh veprimi i personazheve, pavarësisht nga “iluzioni” që tenton të krijojë përmes monologut të kujtesës së “dëmtuar” të një personazhi të traumatizuar, i cili shprehet vazhdimisht se ka “një rrëmujë” në kujtesë.
ABSURDI QË PRODHON KONTEKSTI
Në të gjitha romanet e Kongolit ndjehet prania e absurdit, në formën e pushtetit absurd të rastësisë, të fatit të shkruar. Megjithatë mendoj se rrethana absurde buron nga kushtet sociale-politike në të cilat veprojnë personazhet dhe jo si rrethanë filozofike apo rrethanë e “pastër” e pashpjegueshme apo e shpjegueshme duke thirrur në ndihmë nocione filozofike apo kritike si në rrethanën absurde të romaneve të Kamysë apo Kafkës. Nga rrethana e të jetuarit nën diktaturë, e cila e prodhon rrethanën absurde me shumicë dhe rrethana e të jetuarit në një shoqëri në tranzicion. Trauma e personazheve vjen nga përballja e tyre me këto rrethana që janë ndërtuar në “përngjasim” me rrethanat e realiteteve hipotetike. Nëse do të zhbënim rrethanën sociale-politike, të diktaturës dhe tranzicionit, rrethana absurde në të cilën ekzistojnë këto personazhe do të zhdukej.
KUSH ËSHTË PROFESOR ARBEN PRENDI?
Arben PRENDI (1971) shkrimtar dhe studiues, mban titullin Doktor i Shkencave Letrare dhe punon si profesor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku drejton edhe Departamentin e Letërsisë. Ka botuar librat me poezi: Të shtunën ndize një qiri (1996), Vashat nguten me u ba gra (1998), Qirinj të ndezun për të gjallët (2001), Vepra poetike (2018) si dhe studimet letrare: ‟Tekste në kontekste” (2011), “Letërsia shqipe bashkëkohore” (2015), “Probleme, autorë dhe vepra letrare nga letërsia shqipe bashkëkohore” (2017). Në formatin libellum, shtëpia botuese Bard Books në Prishtinë është duke botuar serinë e studimeve për shkrimtarët bashkëkohorë në emërtimin ‟Contemporana”.