• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARRESTIMI I YLLI NDROQIT….

August 3, 2020 by dgreca

Arrestimi Ndroqit, si “ylli polar” për pronarë e gazetarë të korruptuar/

-Një krahasim i sforcuar i Ndroqit me Bersluconin/

Shkruan:Arben VATA-Suedi-Edhe pse nxehtë në Tiranë, SPAK i ka “nxehur” edhe më shumë temperaturat dhe klimën politike në Shqipëri. Pa u shuar akoma debatet për ndryshimin e Kushtetutës, në skenë ra papritur një “yll”, si për të ushqyer kështu diskutimet politike me një temë tjetër.
Siç është bërë e ditur, SPAK arrestoi Ylli Ndroqin (allias Xhemal Pasmaqiu), duke sekuestruar pasuritë e tij, mes të tjerash edhe dy televizione.
Ka disa gjëra që duhen thënë, jo thjeshtë për tu përfshirë në debat, por më shumë për të sqaruar opinionin, që si në çdo rast edhe tani ndahet në dysh, në varësi të preferencave politike. Në këtë kuptim, më mirë sesa gazetarët, askush tjetër nuk mund të marrë një qëndrim.
1- Lajmi për mbylljen e mundshme të një media është lajm i keq, por të verifikosh mënyrën sesi pronari i tyre ka vënë pasuritë, nuk është sulm ndaj medias. Gazetarët vetë duhet të jenë të parët që duhet të mbështesin këto veprime të drejtësisë.
2- A është ky arrestim një sulm politik ndaj TV që mbështeste ky zotëri? Me shumë gjasë mund të jetë, por pavarësisht kësaj, nëse ky personazh i çuditshëm dhe në fakt pa asnjë lidhje me mediat, ka vënë pasuri në mënyrë ilegale herët apo vonë do ti vinte dita. Ndaj nuk është fort e rëndësishme nëse arrestimi është politik dhe me mbështetjen e segmenteve të PS.
3-Nëse kjo është e vërtetë pra, do të ishte një lajm i keq nëse SPAK nuk “shtrin krahun ” edhe në krahun tjetër; pra në kontrollin e pasurive të pronarëve të mediave të tjera. Madje, edhe të shumë gazetarëve. Nëse kjo do të bëhej me të vërtetë, mos u çudisni kur të mësoni se Ndroqi ishte vetëm “ylli polar ” për arrestimin e mundshëm të shumë “kolegëve ” të tij. Kjo do të ishte shume e nevojshme, pasi krahas politikës duhet pastruar edhe media, si një pushtet që më shume ka demtuar sesa ndihmuar opinionin publik.
4- A është shfrytëzuar Ndroqi nga politika dhe tani po hidhet si limon i shtypur? Sigurisht që PO. Dosjet ndaj tij janë aty me vite por tani që ai nuk i duhet më askujt, politika dhe drejtësia po e bëjnë shembull edhe për të tjerët; për mediat e tjera që do të guxojnë të prekin në fushen e minuar politikë-drejtësi.
5- A është i pa fajshëm Ndroqi? Askush nuk mund të hedhë fall, por fakti që ky njeri ka ndërruar emrin një hall e ka pasur. Nëse e fiton përballjen me drejtësinë, nuk është se ka ndonjë problem, perkundrazi. Edhe Berlusconi është akuzuar disa here nga drejtësia italiane për korrupsion, por ia ka dalë.
A është ky rasti i Ndroqit? Për ata që e njohin këtë personazh, sigurisht që qeshin por unë për krahasim do të sjell një shprehje të të ndjerit Dritan Hoxha, ish pronar i Top Channel. Kur krahasonte median e tij me atë te Ndroqit ai thoshte se është njësoj si të krahasosh Milan (2007) me Besën e Kavajës. Për koincidence, President i Milan, kampion i Europës ishte Berlusconi, pronar edhe ai i disa mediave…

Filed Under: Analiza Tagged With: Arben Vata, arrestimi, I YLLI NDROQIT

Modeli Suedez për mbrojtjen nga Coronavirusi- Një eksperiment dështues apo fitues?

May 17, 2020 by dgreca

-Interviste e Editorit te Diellit me Gazetarin Arben VATA, me banim ne Suedi/

Intervistë e Diellit me gazetarin e njohur të medias shqiptare, të shkruar dhe vizive, gazetarin e Lirë në Suedi, Arben VATA. Intervistën e mori për Gazetën DIELI, Kryeredaktori Dalip Greca./

      … Sot në Botë flitet shumë për modelin e lirë suedez të luftës kundër coronavirusit, pa masa shtërnguse, pa izolim të detyruar, por falë mirëkuptimit qytetar- qeveri. Dielli bisedoi me gazetarin e njohur Arben VATA, i cili prej 5 vitesh jeton në Suedi së bashku me familjen. Sipas Vatës: Nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet suedeze dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetarë… Suedia ka si arkitekt të mbrojtjes së lirë të qytetarëve nga COVID-19, Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë.

Në Suedi, qytetarët, që në fillim e kanë krijuar bindjen se : Pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint,siç shprehet zv/Kryeministrja Suedeze Isabella Lovin. 

Po si po funksionon kjo betejë pa masa shtërnguse e pa izolim e mbyllje totale ? Ndiqeni intervistën e plotë që gazetari Arben VATA, i dha Kryeredaktorit të DIELLI-t, Dalip Greca:

Dielli- Si ndjeheni Ju dhe familja në këtë kohë kor virusi është ende nëpër këmbë? A punoni Ju dhe familja në kushtet e Pandemisë…Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Arben VATA:- Përshëndetje i nderuar Dalip! Fillimisht iu falenderoj shumë për mundësinë e kësaj interviste në gazetën Dielli, e cila përfaqëson një vlerë sa historike aq edhe profesionale për shqiptarët kudo në botë. 

Familja ime dhe unë nuk kemi asnjë problem me shëndetin sa i takon virusit Corona. Ne punojmë dhe kryejmë aktivitetet e tjera të zakonshme ditore edhe në këto javë e muaj pandemie botërore. Bashkëshortja ime, Elsa, punon si mësuese e legjitimuar për klasat e 4-6, ndërsa unë si mësues i gjuhës shqipe si dhe gazetar freelance në mediat suedeze dhe ato shqiptare. Fëmijët janë në shkollë. Për shkak të kufizimeve djali, Algersi që është nxënës në vitin e 3-të në gjimnaz, bën mësim on line (në distancë)nga shtëpia. Kurse vajza Albuena, është në klasën e 9-të dhe vazhdon mësimin rregullisht në ambientet e shkollës. 

Pjesa tjetër e ditës, përveç punës dhe shkollës, është ajo e zakonshme; punë dhe angazhime shtëpiake, blerjet e zakonshme në njësitë tregtare, kohë e lirë me familjen, vizita tek miqtë e të njohurit, lexim librash, TV, sidomos lajme. Jo vetëm për shkak të profesionit, por edhe për shkak të situatës aktuale botërore, ndjek me shumë vëmendje edicionet informative dhe emisione të ndryshme që lidhen me ecurine e zhvillimeve lidhur me Covid-19. Shpeshherë kam qenë i ftuar nga mediat shqiptare për të komentuar për atë sesi po e përballon Suedia këtë situatë, ndaj edhe vëmendja në këtë rast është disi më e shtuar. Ka edhe disa grupe facebook ndër shqiptarë, në të cilat publikoj informacione dhe opinione rreth virusit, ndaj është e domosdoshme që të jem i mirëinformuar për çdo gjë dhe në kohë reale.

Kjo është një ditë e zakonshme, e cila në fakt nuk është krejt e zakonshme edhe pse ne kryejmë gjërat rutinë. Po kalojmë një moment të vështirë social, i cili lë gjurmë në jetën dhe aktivitetin tonë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

DIELLI-Vazhdon e flitet ende edhe këtu në SHBA për “modelin Suedez” të përballimit të betejës me koronavirusin me “dyer të hapura”, pa imponuar izolim total, ndërkohë që e gjithë Europa u përball me masa të forta shtërnguse. Për lexuesin e Diellit a mund te kemi me shume informacion: Si funksionoi kjo strategji që ka për arkitekt Anders Tegnell, shefin e Agjencisë për Shëndet Publik dhe gëzon përkrahjen e qeverisë?

Arben VATA: Që në krye të herës dua të them që unë nuk kam qenë dakord me këtë strategji në ditët apo dy javët e para. Kam mbajtur edhe qëndrim për 

këtë, duke kritikuar autoritetet (në fakt siç ju e dini, është në natyrën e gazetarit dhe timen gjithashtu që të mos jesh dakord me gjithçka që propozohet sidomos nga qeveria nëse nuk kemi prova për të kundërtën). Kur TV sillte përnatë pamje e shifra nga Italia, Spanja, Franca etj, me nga 700-800 të vdekur përnatë nga virusi e këtu në Suedi thuajse nuk kishte fare kufizime, sigurisht që ishte për të vënë duart në kokë. Psh, ishte një rast kur pasi kishte plasur pandemia, autoriteti i shëndetit publik lejoi zhvillimin e një festivali të këngës ku u mblodhën 10 mijë persona… kjo ishte gati si një vetëvrasje. 

Çfarë ka ndodhur dhe si ka funksionuar?

Qeveria dhe autoritetet e tjera nuk mundën dot që të ndalonin përhapjen masive të virusit në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Kjo ishte një paaftësi e madhe. Punonjësit në këto qendra nuk kishin mjetet e duhura mbrojtëse dhe ishin ata që e përhapën virusin në këto qendra, duke i kthyer në “varreza masive” për qindra e mijëra të moshuar. Sipas statistikave, më shumë se 80 % e të vdekurve nga virusi i takojnë kësaj kategorie. Ky pra ishte një dështim spektakolar. 

Ajo që funksionoi në këtë formulë suedeze, ishte fakti që spitalet nuk u tejmbushën si dhe puna dhe aktiviteti ekonomik nuk u pezullua tërësisht siç ndodhi në vendet e tjera të botës. Kjo mesa duket ishte arsyeja që edhe unë, por edhe shumica dërmuese e qytetarëve këtu në Suedi, e pëlqyem strategjinë Tegnell dhe e mbështetën atë. Fakti që sipas shkencëtarëve shumica e popullsisë do të preket nga virusi, të bën të besosh se zgjidhja nuk është mbyllja dhe izolimi, por vazhdimi i kujdesshëm i aktivitetit jetësor dhe atij ekonomik. Këtu konsiderohet se vrasësi më i madh do të jetë kriza ekonomike, pasi virusit nuk i shpëton dot. Në kushtet e izolimit, stresi i njerëzve do të ishte edhe më i madh dhe në radhët e popullsisë do të shtohej numri i vetëvrasjeve. Nuk ka dënim më të madh për njeriun sesa izolimi dhe këtë e kuptuan qeveria dhe institucionet dhe kjo po aplikohet akoma, falë edhe një klime mirëbesimi qeveri-institucione-qytetar.

DIELLI-Si ka funksionuar strategjia e kombinimit të kufizimeve të pjesshme me kufizimet e detyrueshme, çfarë përfshijnë kufizimet e detyrueshme?

Arben VATA : Qeveria, e udhëzuar nga autoritetet vendosi gradualisht disa kufizime si : të shmangen grumbullimet me mbi 50 persona; të mos lejohen vizitat në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit; të mbyllen shkollat e mesme dhe ato të larta; të mos detyrohet askush të shkojë në punë për 14 ditë nëse ka shenja të virusit, ndërkohë që pagesa nuk ndërpritet; të mos qëndrojnë njerëzit në radha në distancë me më pak se 2 metër; të mos lejohen më shumë se 4 persona në një tavolinë në bare apo restorante etj. Këto janë kufizimet klasike, për të cilat Suedia është kthyer herëpasherë në çështje e debatueshme në shumë vende të botës.

DIELLI: -Në sytë tuaj si gazetar ju rezulton i sukseshëm modeli Suedez, ndërkohë që me 15 Maj raportoheshin 29 mijë e 207 të infektuar me COVID-19, me ritëm 24 orsh 625 të infektuar të rinj, me 3 mijë e 646 të vdekur në total, me trend ditor 117 të vdekur të rinj? Si ju duken këto shifra për një popullsi 10 milionshe, e krahasuar ne shtetet fqinj që ndryshe nga Suedia i kanë mbyllë kufijtë dhe kanë aplikuar masa shtërnguse?

Arben VATA: Shifrat për Suedinë, një vend me pak më shumë se 10 milionë banorë, janë të frikshme ose thënë ndryshe të larta krahasur me shumë vende të tjera, edhe ato skandinave. Por ka diçka këtu që ndoshta ia vlen të diskutohet. Suedia ka këto shifra pjesërisht si pasojë e dështimit me shtëpitë e të moshuarve, por edhe falë hapjes apo mosizolimit. Sipas statistikave, virusi ka prekur 30 % të qytetarëve në Stockholm ku jeton më shumë se 20 % e popullsisë dhe shpresohet se me praktikën e mosmbylljes, të arrihet “imuniteti i grupit” ose thënë ndryshe të ulet agresiviteti vrasës i virusit. Pyetja është se si do të paraqitet situata në vendet e tjera skandinave dhe në vende të tjera të botës, kur njerëzit të dalin nga izolimi? Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe… 

Megjithate, nuk dihet akoma nëse modeli suedez është një eksperiment dështues apo fitues. Ajo që dihet është që, ashtu sikurse unë e kam quajtur “kryeministri i krizës” Anders Tegnell, do të jetë personi që të bëjë që me filozofinë e tij, Suedia të quhet ose “delja e bardhë” ose “delja e zezë” e historisë moderne të pandemisë 2020. 

DIELLI: Më ka mbetë në mendje një shprehje e Zv/kryeministres Suedeze Isabella Lovin, e cila është shprehur për BBC: Për suedezët pandemia e koronavirusit është maratonë dhe jo sprint, sa real ju duket ky përcaktim tash në muajin e tretë të Pandemisë botërore, ku maratona duket se është pa limit kohor?

Arben VATA: Në fakt ajo që ndodhë këtu është se politika ia ka lënë thuajse gjithçka në dorë ekspertëve, edhe suksesin, edhe dështimin e mundshëm. Por gjithçka mbetet për t’u parë, edhe pse nuk dihet se kur kjo do të mbarojë. Është vërtetë një maratonë me finish të fshehur… Ajo që dihet është që ne, mesa duket nuk dimë asgjë rreth kësaj pandemie. Vlen të theksohet se në përgjithësi politika ka qenë në unision rreth kësaj situate, ndërkohë që mjekët dhe grupime të tjera intelektuale e gazetarese kanë qenë disi të ndarë rreth masave që ka marrë qeveria në bashkërendim me ekspertët. 

DIELLI: Kam lexuar në media se izolimi total nuk u eksperimentua në Suedi edhe për shkak të kufizimeve të kornizës ligjore,që i përjashton kufizimet që prekin liritë themelore- ndërkohë që kjo kornizë ekziston edhe në SHBA e Europë, por nuk u morën në konsideratë. Cfarë e dallon Suedinë prej të tjerave shtete në respektimin e të drejtave të qytetarëve?

Arben VATA: Suedia besoj se është një ndër vendet “kampion” të respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe Pandemia ishtë një rast për ta treguar këtë. Ka pasur kufizime ligjore, për largimin e të cilave është dashur shumë konsultime mes partive dhe ekspertëve. Më në fund, është vendosur që qeveria mund të hartojë një propozim, i cili për t’u kthyer në ligj duhet të kalojë patjetër në parlament brenda 24 orësh. Kufizimet e aplikuara deri tani nuk kanë prekur asnjë të drejtë themelore të njeriut, përkundrazi ka pasur siç thashë Kritika për të ashpërsuar kufizimet.

DIELLI: Si gazetar, çfarë ju ka bërë përshtypje këto kohë në lidhje me pandeminë, si në rang botëror, ashtu edhe në atë lokal?

Arben VATA: Në rang botëror, do të veçoja dy gjëra: Këmbënguljen e fillimit të OBSH për të mos mbajtur maska mbrojtëse si dhe neglizhencën e treguar nga kjo organizatë botërore ndaj përhapjes së pandemisë. Nëse iu kujtohet, në rekomandimet kryesore të fillimit, OBSH shkruante veç të tjerave “MOS mbani maska”. Nga ana tjetër, nuk e kuptoj se përse OBSH nuk u kërkoi qeverive në botë që të kenë kujdes të kontrollonin njerëzit apo mbyllnin kufijtë ndërsa virusi në Kinë e më pas në Itali po bënte kërdinë… 

Sa i takon Suedisë apo vendeve të tjera, më ka bërë përshtypje ngathtësia për të vepruar shpejt, sidomos për parandalimin e përhapjes së virusit në radhët e personelit shëndetësor si dhe mossigurimin e pajisjeve të tilla në kohë. Këtu është e habitshme gjithashtu edhe mefshtësia e BE për të mbështetur vendet e prekura ashpër, si Italia etj. Pandemia nxori në pah shumë anë të errëta të BE, funksionimit të qeverive, respektimit të të drejtave të njeriut, etj.

DIELLI: Një pyetje për bashkatdhetarët tanë në Suedi: Cfarë informacioni keni- Si po e kalojnë Pandeminë, a ka viktima, të prekur…

Arben VATA: Shqiptarë të trojeve etnike në Suedi kapin nje shifër ndërmjet 70 000- 80 000. Sipas informacioneve që kam ka shumë të prekur, por jo numër të madh të vdekurish nga virusi Covid 19. Megjithatë, autoritetet i mbajnë sekret etnitë e të vdekurve si dhe të dhëna të tjera. Ajo që dihet me siguri është se ka pasur një numër të madh të vdekurish nga lagje ku jetojnë shumë të ardhur nga vendet e Afrikës, ku edhe për shkak të traditës dhe të pamundësisë, njerëzit jetojnë bashkë dhe në numër të madh në një sipërfaqe të caktuar banimi.

DIELLI: Le t’i largohemi Pandemisë: Për lexuesit e Diellit: Kush është Arben Shaqir Vata, familja e madhe nga vjen? Si po iu ecën emigrimi?

Arben VATA – Unë kam lindur në Kukës dhe jam fëmija i 5-të i familjes prej 6 fëmijësh të  Shaqir e Zime Vatës, të ciëlt jetojnë me vëllezërit në Nju Jork. Emigrimi nuk është diçka që njerëzit e zgjedhin, por një zgjidhje e detyrueshme në rrethana të caktuara që nuk varen prej teje. Besoj se jemi integruar mirë, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë që dalëngadalë po gjejnë veten e tyre në shoqëritë e huaja, por si qytetarë të botës. Siç thashë, merrem me mësimdhënie si dhe gazetari dhe shpresoj që të studioj më tej për t’iu përshtatur tregut dhe zhvillimeve të reja. 

DIELLI: Arben, si shkuat ju tek gazetaria? Cila ishte gazeta e parë ku filluat, në c’rrethana… 

Arben VATA – Familja dhe unë kemi pas menduar se pas përfundimit të shkollës së mesme, të studioja për mjekësi. Në fakt, në verën e 1987, mua m’u miratua e drejta e studimit për mjekësi, por për shkak se regjimi i atëhershëm pikërisht në verën e atij viti arrestoi xhaxhain tim Halit Osman Vata për aktivitet politik kundër komunizmit, mua ma ndërprenë të drejtën e shkollës së lartë. Për dy vjet më dërguan në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më pas deri në ardhjen e demokracisë kam punuar në minierën e kromit në Kalimash, Kukës. Vetëm në tetor 1991, u mundësua një shkollë e lartë për gjuhë dhe letërsi, pasi për mjekësi as nuk bëhej fjalë sepse në drejtim ishte akoma PS, ish pasuesja e PPSH. 

Gjuhë letërsia ishte dëgë e mire për mua, pasi siç thonin mësuesit në gjimnaz, unë bëja hartime të bukur.

Në vit të 3-të të shkollës së lartë, hyra në kontakt me gazetën Ora e Shqipërisë dhe pas një debutimi disa mujor aty, kam vazhduar punë rregullisht në gazetën Koha Jonë (mars 1995), gazeta më e madhe dhe me famë e kohës. Me stafin e gazetës Koha Jonë, më prezantoi kolegu Albert Nikolla, një student edhe ai që punonte në atë gazetë… Më pas kuptohet se nuk ishte e lehtë të hyje në pëlqimet e Nikollë Lesit e stafit të atërhshëm të Koha Jonë, por pas një periudhe prove 2 javë, mora karten e gazetarit të asaj gazete, një krenari në fakt e madhe për atë kohë. 

DIELLI: Keni punuar në disa media, a mund t’i rendisni?

Arben VATA – Më pas, kam punuar në disa media të shkruara dhe vizive. Kam punuar në gazetën “Republika” si redaktor i faqes politike (gjej rastin t’iu falenderoj zoti Dalip që në rolin e drejtorit të gazetës keni qenë një ndihmë e madhe për ne gazetarët e rinj), në Gazetën Shqiptare. Më pas që nga viti 2001-2014, kam punuar si zv kryeredaktor dhe kryeredaktor në disa televizione si TVA, Top Channel, Klan, Vizion Plus. Gjatë këtyre viteve, kam qenë bashkëpunëtor i rregullt në rolin e opinionistit në gazeta të tilla si Panorama, Shqip, Shekulli, Koha Jonë, etj. Në vitin 2013, kam botuar librin tim “Kohë mashtrimesh” një përmbledhje e publicitikës mes viteve 2004-2013. 

DIELLI: Kë do të veconit?

Ëshrë pyetje e vëshirë në fakt. Gazeta Koha Jonë ishte “dashuria” e parë por edhe ishte një shkollë e vërtetë profesionale për gazetarinë e re shqiptare. Ishim me të vërtetë idealist, ndërsa më vonë thuajse të gjithë ne të Koha Jonë e jo vetëm, u kthyem në materialist… Republika ishte një sfidë më vete pasi një organ mediatik partiak, funksiononte si media e pavarur (falë edhe ish kryetarit Sabri Godo) dhe arriti lexueshmëri shumë të lartë për kohën.

Ndërsa sa i takon mediave vizive, Top Channel, ishte eksperienca ime më e bukur për një periudhë gati 7 vjeçare. Dritan Hoxha krijoi çdo hapësirë e mundësi për gazetarët e drejtuesit e medias në atë kohë për ta bërë Topin me të vërtetë, më të shikuarin e të gjithë shqiptarëve. Nëse do të ketë edhe “dashuri të fundit”, Top Channel është. 

DIELLI: Si do ta përshkruanit sot gjendjen e medias në Shqipëri dhe Liria e shtypit?

Arben VATA – Prej më shumë se 5 vitesh nuk jam aktiv në shtypin shqiptar dhe nuk besoj se kam një mendim të qartë për situatën atje. Por me aq sa lexoj e shikoj, media është degraduar edhe më shumë. Unë nuk besoj se është më shumë për faj të gazetarëve sesa të pronarëve dhe presionit që ushtron mbi ta qeveria. Gazetarët janë kthyer në punëtorë me mëditje që synojnë të sigurojnë bukën e gojës, duke i shërbyer pronarit e qeverisë dhe jo publikut. Me këtë kam parasysh jo gazetarët e thjeshtë, por shefat e tyre, ata që vendosin për politikat eduitoriale e cdo gjë tjetër. Është një situatë e turpshme për median dhe nuk jam i qartë se për sa kohë do ta marrë veten, pasi media është pasqyrë e shoqërisë. 

DIELLI: Një mesazh për lexuesit e Dielli dhe miqtë tuaj këu në SHBA?

Arben VATA – Mesazhi im për lexuesit e nderuar të gazetës Dielli është që të jemi të qetë e të bashkuar me njëri tjetrin për të përballuar këtë pandemic globale. Është një gjendje e pa përjetuar më parë dhe si e tillë kërkon edhe angazhimin e të gjithëve. Të kalojmë sa më shumë kohë me familjen dhe me të dashurit tanë. 

Të duam e ta ndihmojmë edhe më shumë njëri tjetrin në këto ditë të vështira. Të mos kemi dallime mes shqiptarësh Veri-Jug, këtej e andej kufirit. 

Arben VATA: Faleminderit edhe një herë për intevistën dhe suksese edhe më tej Diellit!

  • DIELLI: Faleminderit prej jush i dashur Arben. Ishte kënaqësi që biseduam.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Vata

Kukësi burra, Rama …ra

March 31, 2018 by dgreca

Nga Arben VATA/

Kuksianët rikthejnë me forcë lidhjen natyrale Kosovë – Shqipëri/

 

1 arben Vata

Ngjarje të tilla si ajo e Kukësit sot, normalisht që ngjallin emocione dhe debate të forta, kundërshtuese me njëra tjetrën. E para është dhuna. E vërteta është se dhuna nuk është mjeti normal për të zgjidhë problemet, por çfarë e zgjidh problemin me një qeveri të pa përgjegjshme, një qeveri anti kombëtare apo një diktaturë? Nëse nisemi me këtë logjikë, duhet të themi se protestat e dhjetorit 1990 në Shqipëri dhe ato të pranverës 1981, korrikut 1990 dhe kundërshtimi me armë kundër regjimit serb në Kosovë, ishin të dënueshme. Nëse kjo është logjika që funksionon për dikë, ta mbajë për vete. Kur thika shkon në palcë, nuk ka më vend për bisedime. Aq më tepër me një qeveri që nuk u konsultua aspak me qytetarët për këtë taksë të rëndë.

1 Kukes

Së dyti, (dhe kësaj po i bie shumë shkurt), taksë për rrugën mund të kishte por kjo duhet të jetë e shumta 1 euro ndërsa më përpara kësaj duhet të jetë rregulluar sipas standardeve rruga e vjetër. Këto çështje janë sqaruar shumë këto ditë dhe nuk ka nevojë për mendimin tim krejt modest nga aspekti teknik dhe ekonomik i rrugës.

Se treti, protesta ishte e drejtë sepse synoi veç të tjerash të ndante Kosovën me Shqipërinë me një kufi ekonomik jo më në Morinë të Kukësit, por në Thirrë të Mirditës. Super-taksa është një barrë edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët për arsye ekonomike kryesisht vijnë dhe frekuentojnë plazhet e Shqipërisë.

Rama që bën demagogji me Presidentin e përbashkët dhe me teatër në zyrat e Vucic, nuk mund ti bëjë shërbim më të mirë serbëve sesa të kufizojë lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Në këto kushte, ata do të detyrohen që tregtinë dhe çdo shkëmbim tjetër ta zhvendosin gjithnjë e më shumë drejt Serbisë. Kjo është arsyeja që shumë nga protestuesit ishin edhe nga Kosova (por edhe nga Hasi dhe Tropoja).

Së katërti, kjo është një protestë personalisht kundër Rames, i cili vetëm pak ditë më parë ofendoi publikisht gjithë shqiptarët, në një fjalim konteksti i të cilit vinte në dyshim burrërinë e tyre. Gabimi i Rames është që e bëri këtë ofendim pikërisht në kohën kur Kukësi kishte paralajmëruar protesta kundër taksës së ndarjes së kombit.

Kukësi (dhe jo vetëm) ka burra o zotëri dhe këtë e ka treguar ndaj çdo padrejtësie që i është bërë në demokraci. Për ata që u kujtohet po sjell në vëmendje vitin 1993 kur banorët e kësaj zone hodhën në liqen forcat speciale nga Tirana. Luma ka hedhur në lumë 12 mijë serb, por Rama nuk e njeh mirë historinë.

Aty ku ka dhimbje, ka protestë, ka burra,kudo në Shqipëri. Aty ku ka dhimbje e thika nuk mban më, burrat ngrihen dhe diktatorët bien.

Merre seriozisht sinjalin e burrave të Kukësit, Tropojës dhe Kosovës. Nuk është protesta e një partie, por e një populli të cilit nuk mund ti hipësh më mbi kurriz.(FB)

***

Pronincim i Ministrit te Brendshem Xhafaj: Precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në një deklaratë për median e quan protestën e sotme në Rrugën e Kombit: “Një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues.”

Xhafaj tha se policia shmangu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.Dhe nënvizon: Kush nxit dhunën e anarashinë do të marrë përgjigjen e merituar ligjore askush nuk mund të jetë mbi ligjin.Xhafaj tha se janë 12 efektivë të FNSh që janë lënduar lehtë ndërsa një efektiv është plagosur më rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ne përleshje individe me të shkuar kriminale

Ministri Xhafaj shtoi se mes protestuesve ka pasur dhe individe me të shkuar kriminale

Xhafaj: Manifestimi i presupozuar paqësor u kthye menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të policisë së shtetit dhe kundër pasurisë publike e sasja private.  Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.

Shpreh gjithë mbështetjen dhe respektin për të gjithë ata qytetarë të një zone të dalluar për ndershëmëri, krenari e fisnikëri sikurse është zona e Kukësit të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm si edhe ndaj atyre që nxisin veç zjarrin dhe dhunën për interesa politike e nuk u bënë pjesë e atyre që pa asnjë shkak sulmuan egërsisht punonjësit e policisë së Shtetit dhe shkatërruan pasurinë publike e private.

12 efektive te lenduar, 1 rende 

Xhafaj: Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës. Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.

U shmangen skenare te renda kriminale
Fatmir Xhafaj: Vlerësoj gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e treguar nga punonjësit e Policisë së Shtetit në situatën e ndodhur pak orë më parë, duke shmangur kështu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.

Thirrja per distancim

Xhafaj: Publikisht jap mbështetjen e policisë së shtetit për çafrë ajo bën për të mbrojtur jetën dhe pronën e kujtdo. Jam i keqardhur dhe ju kërkoj qytetarëve, partive politike, medias dhe komunitetit të biznesit të distancohen ndaj të gjithë atyre përfaqësuesve të partive politike që i kanë inkurajuar me nëj gjuhë nxitëse protestuesit për ushtrim dhune ndaj policisë dhe shkatërrim të pronës duke sjellë në vëmendje që ky është një precendent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe antikushtetues.
Ju bëj apel autoriteteve të qeverisjes vendore në Kukës të distancohen nga këto akte të dhunshme dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre duke qenë bashkëpunues e në ndihmë të policisë së shtetit për të mundësuar normalitetin për levizjen e lirë të qindra qytetarëve dhe transportin e mallrave sot dhe në ditët në vijim . Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm deklaroj se policia e shtetit në zbatim të ligjit do të ketë një përgjigje të ashpër.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Vata, perleshje em policing, rruga e kombit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT