Nga Andis GJONI/ Nju Jork/Në verën e vitit 1942 në librarinë “Flora” në Tiranë hyri një zonjë me një kapele që e mbante drejt mbi kokë. Nga pamja dukej aristokrate. Ishte ndalur atje për të përshëndetur djalin e saj të dajës Esat Dishnicën, i cili punonte në librari. Në ato kohë atje qëndronte në ilegalitet edhe Enver Hoxha të cilin e kërkonin për veprimtarinë e tij komuniste. Ai me siguri e njihte zonjën si gruan e një gjirokastriti të nderuar inxhinjerit Çefo Fico. Pasi u përshëndetën e folën pak Enveri ju drejtua zonjës :”Po nuk mbahet kapellua kështu moj zonja Mebi – dhe me duar ja uli pak nga njëra anë duke bërë që streha e gjerë e kapeles të merrte një kënd anësor duke i dhënë një pamje më çapkëne aristokrates. Më pas ai vazhdoi – Po kur të fitojë komunizmi nuk do kesh më kështu kapellash !” Aristokratja ishte Mebi Fico, gjyshja ime. Këtë anekdotë ajo ma ka treguar vite më vonë por interesant mbetet fakti që fjala e atij që do bëhej njeriu më i fuqishëm i Shqipërise nuk u vërtetua, pasi gjyshja ime mbeti përherë një aristokrate edhe në vitet e komunizmit. Ajo ndoshta nuk vuri më “kapella” me strehë për ca kohë deri kur erdhi në Amerikë, por me siguri di të them që ajo gjithmonë mbeti një zonjë e madhe edhe gjatë ditëve më të vështira.
Mebi Fico lindi pikërisht sot 100 vjet më parë në Pogradec, më 14 Mars 1917, dhe ishte vajza e vogël e Hajdar Bej Starovës. Familja e saj e pasur dhe me shumë prona i siguroi që në fëmijëri një jetë mes bollëkut dhe mirëqenies. Gjyshi i saj Istref Starova bëri të mundur hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin e tij dhe ishte martuar me kushërirën e mbretit të Egjiptit dhe siç tregonte gjyshja, nusja kishte ardhur e shoqëruar nga dy shërbëtore zezake dhe dy kuaj rrace Egjypti shumë të bukur, nusja kish prurë edhe një pajë të madhe transportuar me mushka të ngarkuara me qilima e hejbe të mbushura me flori e stolira.
Babai i saj ishte një njeri largpamës dhe shumë inteligjent. Ai jo vetëm kishte trashëguar një pasuri të madhe por e kishte shtuar edhe më tepër duke e futur në punë shumë mirë paranë me investime nga më të ndryshmet, ndërtoi tregun modern të qytetit, investoi në çentralin elektrik, solli disa traktorë për punimin e tokave, ndërtoi kinema në një kohë kur edhe qytete më të mëdha si Durrësi dhe Vlora nuk kishin kinema në atë kohë. Botoi gazetën e parë të qytetit dhe ndërtoi një hotel modern. Në të njëjtën kohë mendonte edhe për të mirën e përgjithëshme si në rastin e pajtimit të një inxhinieri francez gjatë Luftës së Parë Botërore me qëllim që të bënte planin rregullues të qytetit të Pogradecit. Dëshira e Hajdar Starovës ishte që jo vetëm ai të prosperonte me pasurinë e tij por i gjithe qyteti të lulëzonte, për këtë arsye pajtoi inxhinier Garrikun, një francez që kish ardhur me armatën e Francës gjatë luftës. Aq me vlerë ishte ky studim urbanistik saqë baza e planimetrisë së francezit u bë themeli i asaj që do ndërtohej në qytet për gjithë shekullin e XX dhe veçanërisht e asaj shetitoreje të bukur që edhe sot admirohet nga qytetarët dhe vizitorët në qytetin e Pogradecit.
Që në fëmijëri Mebi u dallua për një zgjuarsi të lindur. Kurdoherë e kishte përgjigjen në majë të gjuhës dhe gjithmonë dilte fjala e saj në çfarëdo situate të ndodhej, me një vendosmëri të hekurt e arrinte atë që donte.
Sigurisht që njeriu më i pasur i qytetit u kujdes që fëmijët e tij të merrnin shkollimin më të mirë të mundshëm për këtë arsye e dërgoi edhe vajzën e tij të mësonte në shkollën e Dakos në Tiranë, ishte shkolla e famshme e motrave Qirijaz që kishin hapur të parën mësonjëtore të gjuhës shqipe në kohën e Turqisë. Shkolla ishte vetëm për vajza. Atje Mebi mësoi anglishten, italishten dhe frëngjishten, gjuhë në të cilat komunikonte lirshëm. Nën influencën e mësueseve amerikane dhe zvicerane mësoi edhe lëndët e shkencave dhe sidomos rregullat e sjelljes aristokratike në shoqëri. Luante në piano me katër duar me shoqet e saj. Atje ajo zuri miqësi me shumë trashëgimtare të familjeve më të pasura e të nderuara të Shqipërisë, miqësi që do vazhdonin për vite të tëra deri në ditët e sotme ku familja jonë mban marrdhënie të rregullta me nipat dhe mbesat e shoqeve të saj të shkollës. Mbi të gjitha tek ajo dallohej një etje për të mësuar. E dashuronte artin dhe letërsinë dhe shijonte me kënaqësi të madhe ariet e operave të cilat i dëgjonte në gramafon. Mbaj mend tek tregonte se kur ishte pothuaj fëmijë që të mos harronte titullin e operas së famshme të Puçinit “Toska” përsëriste me vehte “toskë dhe gegë”.
Në vitin 1938 u martua me inxhinier Çefo Ficon, të birin e diplomatit dhe shtetarit të shquar Rauf Fico dhe menjëherë u nisën në një muaj mjalti që në të vërtetë do zgjaste 4 muaj nëpër kryeqytetet më të bukura të Europës. Jeta e saj filloi në përkundjet e shetitjeve me varkë në “gjolin” e dashur dhe më pas vazhdoi me gondolat e Venecies dhe udhëtimet me vetura në bulevardet e Parisit, Berlinit, Londrës, Romës e vite më pas do të vazhdonte me udhëtimet me anije në Bahamas, Florida, Meksikë, Kanada, Nju Jork, e shumë qytete të tjera të SHBA-ve ku ajo jeton prej 21 vjetëve.
Pas luftës do vinin ditë të vështira. Ajo nuk do kishte më shërbëtore, guvernante, guzhiniere e shofer në shtëpinë e saj, megjithatë si zonjë e vërtetë ju kushtua tërësisht familjes. Në vitet e persekutimeve të egra shumë nga miqtë dhe farefisi ja besuan pasuritë e tyre gjyshes tonë. Ajo i ruajti amanetet e tyre dhe pastaj ja u ktheu kur kohët u qetësuan. Disa herë shkoi deri në një kamp internimi e veshur si fshatare me shami në kokë që ti dorëzonte sendet e vyera që ja kishin lënë amanet për ti ruajtur disa kushërinjve që ishin atje. Për vite me rradhë priti në shtëpinë e saj me ushqim e fjetje gjithë kushërinjtë e persekutuar në kohën kur farefisi i tyre as nuk i përshëndeste në rrugë. Kur bashkëshorti i saj u sëmur rëndë ajo shiti gjithë sendet e çmuara dhe xhevahiret për ta shpëtuar dhe ju dedikua me vetmohim shërimit të tij.
Ndoshta është rast unikal në historinë e komunizmit në Shqipëri që në mes të Tiranës në pallatin ku Mebi Fico jetonte përgjatë 45 vjetëve banorët e shkallës 2, sigurisht nën ndikimin e aristokrates tonë, e thërrisnin njëri-tjetrin me “Zoti” dhe “Zonja”.
Shtëpia e saj mbeti gjithmonë e zbukuruar nga qilimat persianë, abazhuret e floririt, tabakatë e argjendit dhe pikturat në mure. Çdo të Enjte kishte ditën e vizitave ku priste e përcillte shoqet e veta të cilave u shërbente gjithmonë çaj me biskota.
Të gjitha faktet e mësipërme përbëjnë në vetvete një lloj heroizmi po të kemi parasysh se çfarë dënimesh e prisnin në rast se emri i saj do vihej në rrethin e kuq. Edhe në këtë rast kam përshtypjen që mirësjellja dhe jetëgjatësia e saj e shpëtoi, por veçanërisht respekti që të gjithë kishin për punën e palodhur të bashkëshortit të saj, inxhinjer Ficos.
Gatimet e saj legjendare të krijonin ndjenjën e një kënaqësie dhe bollëku të veçantë, edhe në vitet më të vështira të shtrëngesave ekonomike ajo gjithmonë kishte të ruajtura “zahiretë” si një nikoqire e përsosur. Me mua kishte një marrdhënie të veçantë, përgjithësisht nuk më thërriste në emër por thjesht “djali”, të gjithë e dinin mirë kuptimin, djali ishte mbi të gjithë. Që në moshë të njomë më dhuroi një lugë, një pirun dhe një thikë argjendi që kur të ulesha në tavolinë të haja “si princ” siç thoshte ajo. Dhe unë kam patur dhe ende kam një lidhje të veçantë me të, çdo mbrëmje shkoj e takoj dhe kam kënaqësi të shkëmbej disa fjalë me të e në fund me një puthje ti uroj një natë të mirë.
Mebi gjithë jetën u dallua për një karakter të fortë, ishte elokuente dhe i shprehte shumë bukur mendimet në sajë të botës së madhe shpirtërore që e karakterizon. Ajo kishte një kulturë të gjerë dhe një etje për të mësuar deri sot. Disa vjet më parë rreth moshës 90 vjeçare e gjej një ditë të mërzitur. E pyes përse dhe m’u përgjigj: ” Jam mërzitur sepse kanali televiziv Francë International nuk flet më frëngjisht. E kanë kthyer në anglisht. Më parë e kisha mirë sepse dëgjoja dhe e praktikoja frëngjishten.”
Sot ajo mbush 100 vjeç dhe sigurisht ca gjera kanë ndryshuar por deri pak kohë më parë kishte një regjim ditor të përkryer, me aktivitete, lexime dhe informacion të gjerë. I ndiqte lajmet përditë në tre gjuhë të ndryshme e po ashtu çdo ditë për një ose dy orë lexonte libra dhe revista. Dinte të “llafosej” me përpikmëri për çdo lloj teme. Nga ajo kemi patur gjithmonë se ç’të mësojmë. Çdokush që e ka njohur dhe ka folur me Mebi Ficon ka mbetur i habitur dhe i kënaqur me bashkëbisedimin. Miqtë e saj kishin vlerësimin maksimal si në rastin e senatorit amerikan Jeff Klein i cili ndalonte makinën në rrugë që ta takonte dhe çdo vit nuk harron t’i dërgojë kartolinë urimi me rastin e ditëlindjes. Ajo di të të bëjë për vehte, dhe gjithmonë ka zënë miq me lehtësinë më të madhe kudo dhe në çdo kohë. Një koncentrat mençurie dhe përvoje në marrdhëniet njerëzore që të habit me mprehtësinë e mendimit.
Sot sjell ndër mend me kënaqësi që liria që fituam në vitin ‘90 i zbukuroi jetën edhe gjyshes tonë aristokrate e cila pati ditë dhe energji të shijonte edhe një herë udhëtimet nëpër botë. Ajo është pjesëtare aktive e komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe gjithmonë ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ekspozita, koncerte, ekskursione e veçanërisht në festimet e ditës së Pavarësisë së Shqipërisë që e do aq shumë.
Mebi Fico shetiti shumë dhe pa shumë, u gëzua me fëmijë, me nipër e me mbesa e stërnipër. Ajo diti të ndërtojë një familje të mrekullueshme, edukoi tre breza dhe la një trashëgimi për tu pasur zili. Ajo jetoi gjithmonë si një zonjë e nderuar dhe e respektuar.
Në këtë përvjetor të madh ashtu si çdo vit në ditën tënde, që është edhe dita e verës që në kohët që s’mbahen mend, ne do vemë në duar veroret e do ndajmë kulaçin që këtë herë do ketë një monedhë floriri brenda. Do qeshim e do gëzojmë se kujt do t’i bjeri fati që të marrë floririn këtë herë ashtu siç kemi bërë për vite me rradhë, dhe për një gjë do jemi të sigurtë, sot gjyshja jonë i fryn qirinjtë e tortës së 100 pranverave e lumtur që të gjitha dëshirat ju plotësuan!
Mebi Fico është dhe do mbetet një aristokrate e vërtetë shqiptare jo vetem sepse ishte e pasur materialisht, por sepse gjithmonë pati pasurinë shpirtërore më të madhe të mundëshme, dashurinë për njerëzit.
Gëzuar aristokratja jonë!