Në kujtim të poetit Dhori Qiriazi, mikut dhe shokut tim të shkollës, përkthyesit të “Memories” së Muzakës, që ndërroi jetë ca vjet më parë, i cili, duke ma dhuruar këtë libër me autograf, më dha shkas të bëja këtë trajtesë .
Gjon Muzaka, i biri i despotit të principatës së Muzakajve, Gjin Muzaka, në vitin 1510 ka lënë me gjalljen e vet një gjenealogji të fisit të tij princëror. Vepra është e llojit të veçantë dhe e shkruar Italisht në kushtet e emigracionit. Kur Gjon Muzaka shkroi këtë “Memorie” ishte koha që po flitej për organizimin e një kryqëzate antiturke. Autori i saj ka pasur për qellim kryesor t`u tregonte bijve të tij kufijtë e pricipatës, që, po të ktheheshin rishtas në trojet e tyre pas ikjes së turqve, të dinin se ku i kushin trevat e krahinat, të cilat u përkisnin si trashëgim. Në të njëjtën kohë ai deshte t’u bënte të ditur trashëgimtarëve të tij edhe se me cilat familje të asaj kohe kishte pasur të bënte principata e tyre. Disa nga dyert e fiseve të mëdha, ku ata ,Muzakajt, kishin pasur lidhje krushqije, farë e fisnije dhe përzierje gjaku , kishin mbetur pa trashëgimtarë, kështu që tokat dhe pronat e tyre duhej t’u jepeshin bijve të tij. “Memoria” e Gjon Muzakës u zbulua për herë të parë nga historiani gjerman Karl Hopfi në biblotekën Brankacine të Napolit në vitin 1863. Mbas 10 vjetësh ai e botoi të plotë në vitin 1873 në librin “Kronikat Greko-Romane [Chroniques Greco-Romane, – Berlin 1873”]
Kjo biografi fisnore e Gjon Muzakës ka një vlerë të jashtëzakonshme për të ndriçuar sa më mirë kohën e lavdishme të Skënderbeut. Dëshmitë historike të kësaj biografije janë realiste dhe të besueshme. Së pari se autori i kësaj gjenealogjije fisnore ka qenë bashkëkohës i Skënderbeut. Tok me të atin, Gjin Muzakën e më vonë, pas vdekjes së të atit, ai ka drejtuar principatën e Muzakajve deri sa iku në mërgim pas vitit 1479. Së dyti, ai ishte në rrethin fare e fisnor e miqësor të Skënderbeut. Andronika Kastrioti, e shoqja e Skënderbeut, ishte kushurira e parë e tij, nënën e saj, Maria Muzakën, ai e ka motrën e babait. Së treti ,Gjon Muzaka për vetë natyrën e shkrimit të tij nuk është idalizues e as panegjerist.
Zbulimi i kësaj memorie që dokumenton gjenealogjinë e fisit të Muzakajve, po që hedh dritë edhe mbi disa princpata e krahina të Shqipërisë të kohës para pushtimit otoman, por edhe gjatë invazionit turk-otoman, tërhoqi vemëndjen e studjusve të kohës.
Pas Karl Hopfit këtë libër do ta analizojë dijetari J.G.Hahni në librin e tij “Udhëtim në viset e Drinit e të Vardarit”. Ky dokument shkrimor ka vlerë të veçantë për gjykimin realist të kohës heroike të kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Duke komentuar veprart, qe trajtojnë atë epokë të madhërishme, Fan Noli i radhit ato kështu:”Burimet letrare kryesore të historisë së Skënderbeut janë dy biografitë e tij të gjata prej Antivarasit dhe prej Barletit. Këto plotësohen nga dy biografi të shkurtëra prej Dhimitër Frangut e Gjon Muzhaqit” [F. Noli vepra 4 – f 597]
Dhe kur flet konkretisht për veprën e Gjon Muzakës, Fan Noli arsyeton se “……biografia e tij ka më tëpër vlerë se të tjerat, të cilat janë shkruar prej panegjeristësh” (Fan Noli -vepra 4 –faqia 599-viti 1989, Tiranë).
Tani këtë “Memorie” të Gjon Muzakës e kemi të përkthyer nga italishtja në shqip prej Dhori Qiriazit, i cili deri vonë qe i njohur kryesisht si poet lirik. Po me përkthimin e “Memories” së Gjon Muzakës, për surprizën e historianëve, ai u shfaq edhe si një studjues skrupulos e analist këmbëngulës i një vepre historike. Përveç përkthimit korrekt e me një gjuhë të përshtatur aq mirë pas origjinalit, Dhori Qiriazi ka meritën edhe për komentet e sqarimet e domosdoshme për ndriçimin e çështjeve historike në momente të ndryshme. Me gjykim realist dhe me kompetencë, me aq sa lejojnë kufijtë e një parathënieje, Dhori Qiriazi analizon dhe interpretimet e nxituara të Hopfit dhe Hahnit lidhur me Memorien e Gjon Muzakës, sidomos kur ata në mënyrë të pabazuar kanë identifikuar mbiemrat fisnor me etninë. Autori i parathënies fton linguistët që ta studjojnë këtë vepër edhe për anën gjuhësore, sidomos për toponomastikën dhe dukuritë fonetike të tingujve të shqipes.
Duket qartë që informacioni kryesor që merr lexuesi nga kjo vepër është ai që ka të bëjë me kufijtë e principatës së Muzakajve, të cilat fillonin nga Myzeqeja ,Vlora, Kanina e Rexhina dhe mbaronin në Kostur, Ohër e Prespë. Po pretendimet për pronësitë e familjes e të fisit të tij Gjon Muzaka i sheh përtej kufijëve të principatës së vetë. Ai gjykon ashtu duke u mbështëtur edhe në prikat e lidhjeve midis krushqive për rastet, kur trashëgimtarët ishin vrarë a po zhdukur gjatë luftërave ose nga shuarja e vazhdimësisë së ndonjë trungu fisnor. Kështu është përshembull, kur ai do të futë brenda pronave të veta edhe Gjirokastrën e kështjellën e saj. “ Zonjë Kirana, gjyshja ime, qe e bija e Zot Gjon Zenevisit , Zot i Gjirokastrës dhe i vendit të lartpërmendur…kështu që na takon neve kjo tokë….të cilën Zonja Kirana , gjyshja ime , e pati prikë.(Memoria- f.38 ).
Po në këtë mënyrë arsyeton Gjon Muzaka edhe për zonat e Ohrit, Kaninën edhe Vlorën: “Dhe për më tepër ka një vend tjetër që i thonë qyteti i Ohrit…ky vend ishte i Zot Gropës, që pati për grua Zonjën Kirana, të bijën e dytë të Zot Andrea Muzakës dhe me që nuk la trashëgimtarë, na takon neve………Dhe ta dini ,bijtë e mi, siç kam thënë edhe më sipër, që mbreti Balsha ka pasur për grua Zonjën Komitë Muzaka, të bijën e vogël të Zot Andrea Muzakës, Despotit, nga të cilët u lind një vajzë, Rexhina, dhe kjo që e martuar me Markon, mbretin e Serbisë, së cilës Gjon Muzaka, vëllai i të përmendurës Komita, ia dha prikë të përmendurës Rexhinë Vlorën dhe Kaninën..Mirëpo më vonë kjo vdes pa lënë trashëgimtar,….bile nuk la trashëgimtar as e ëma,Komita, me mbret Balshën . Dhe tani, me që s`ka asnjë trashëgimtar prej tyre, shteti i përmendur i kthehet dhuruesit, kështu që ju takon juve dhe në këtë mënyrë kalon sipas së drejtës në domenet e shtëpisë së Muzakajve. – ( f.39).
Duke këshilluar të bijtë dhe nipërit e tij lidhur me trevat e kufijtë e mundshëm të principatës , Gjon Muzaka nuk harron të nënvizojë edhe ndonjë qendër me rëndësi të veçant ekonomike, siç ishte një minierë ari me vlera të çmuara për atë kohë në zonën e Tomorricës:
Shikoni, bijtë e mi, në vendin tonë të Tomorricës është një fshat me emrin Orkova, që ngrihet në cep të një mali dhe ky fshat, që përmenda ka një lumë, që kalon në anën tjetër dhe, midis fshatit dhe malit kalon një rrymë uji, dhe pranë kësaj rryme uji, karshi malit, është një damar ari, në origjinal (vena d’oro), ta mbani mend mirë se është toka jonë- (f.38).
Duke shkruar për trungun gjenealogjik të familjes së tij princërore e despotale, Gjon Muzaka, në të njëjtën kohë përpiqet të japë edhe gjendjen historike të Arbërisë së atëherëshme si edhe tatëpjetën e Perandorisë Bizantine. Me aq sa e lejonte kujtesa dhe ne rrethanat e mërgimit, ai kërkon të informojë në radhë të parë trashëgimtarët si dhe gjithë lexuesit për shfaqjet e sulmeve të para turke e deri tek betejat e mëdha të më vonëshme, që tronditën Përandorinë Bizantine, e cila po dobësohej edhe si pasojë e ambicjeve karrieriste për pushtet në elitën perandorake. “Dhe ta dini se si filloi shkatërrimi i Përandorisë së Kostandinopolit që qe edhe i yni, për shkak se qe një mosmarrëveshje midis Paleologut (Johan Paleologu V -1347-54 ) dhe Katakuzenit ( 1341-55 ), gjë që e shtyu Paleologun t`i kërkonte ndihmë Muratit, mbretit të turqve- ( f.19). (Bëhet fjalë për vitin 1354, pra kur në fron ish Orhani dhe jo Murati) ……
Ndër kohë ballkanasit, duke parë sulmet e parreshtura e të gjithë-anshme të ushtrisë turke, bën përpjekje të përbashkëta, për të përballuar rrezikun real, që po u kanosej. Kështu në vitin 1389 në Kosovë u bë një përplasje e madhe ndërluftuese, një betejë e përgjakshme midis aleatëve ballkanas dhe ushtrisë turke, që quhet në histori Lufta e Kosovës. “ Lazari, Despoti i Sërbisë dhe mbreti Marko i Bullgarisë, dhe Theodhor Muzaka i familjes sonë, dhe zotër të tjerë të Shqipërisë, u bashkuan dhe shkuan në betejë, ku të krishterët humbën dhe aty u vra i lartpërmënduri Theodhor (Muzaka), që kishte me vete një ushtri të madhe shqiptarësh.”…..Këtu do të fillonin luftra të vazhdueshme me turqit në Shqipëri. Theodhor Muzaka njihet historikisht kështu si dëshmor i parë I trevave arbërore në epopenë e gjatë të luftrave antiosmane.
Zot Andrea Muzakës, tim gjyshi, iu vërsul me një vrull të tillë Bajaziti dhe i mori një pjesë të Devollit dhe të Myzeqesë, të cilat ia mori prapë..(janë ngjarje të vitit 1394- shënimi ynë)…. Edhe Zot Gjini, im at dhe gjyshi juaj, e zotëroi shtetin atëror që përmendëm, pse edhe kur e humbi Myzeqenë, e mori prapë. (………………………) Zotërit e rinj të Shqipërisë u vranë të gjithë në luftë..Mbëtën gjallë këta zotër : Zot Aranit Komneni, Zot Gojko Balsha, Zotërit Nikollë e Pal Dukagjini, Zot Gjin Muzaka, im at, Zot Andrea Topia, Zot Pjetër Spani ( f.19 )
Në faqen 28 të “ Memories “ autori tregon për zanafillën e gjenealogjisë së tij. I pari i fisit del Andrea Mollosaku. Nga ai u lind Theodhor Muzaka Kishetësi (nënkupto -Këshetësi, ose Gërshetësi, sepse mbante flokët gërshet). Nga ky zot u lind Andrea Muzaka i dytë, që mundi bullgarët tek Mali i Peristerit dhe që perandori i Bizantit i dha titullin e despotit si dhe stemën me fushën e kuqe dhe me shqiponjën dy krenare në mes. Pastaj nga ky i lartpërmenduri Andrea Muzaka i dytë, Despot, u lindën tre bij dhe dy bija. Djemt ishin Gjini, Theodhori dhe i treti Stoja. Nga dy bijat, e para e kishte emrin Komita dhe e dyta Kirana. Bija e tij e parë pati për burrë mbret Balshën, i cili mbante në zotërim Shkodrën, Tivarin, Kotorin, Shebenikun…… vajza tjëtër Kirana pati për burrë zotin Gropa, zoti i Ohrit deri në Dibër.
Zot Gjinit të lartpërmëndur do t`i lindin pesë bij. I pari e pati emrin Andrea [Andrea Muzaka i tretë-shenimi ynë]. Ky Zot Andrea i tretë pati dy bijë dhe dy bija. I pari e mori emrin Zot Gjini i dytë dhe i dyti Zot Theodhor Muzaka. Bija e parë e kishte emrin Maria dhe e dyta Zonja Helena. Ky i quajturi Zot Gjini i dytë pati për grua Zonjën Kirana, e cila ishte mbesë e Zot Pal Sevastokratit dhe prej të lartpërmendurit Zot Gjin kam lindur unë Gjoni. I lartpërmënduri Zot Theodhori i dytë…..u vra në luftë me Sulltanin ( në Luftën e Kosovës ) dhe nuk la trashëgimtar…………Dhe Zonja Maria , motër e tim ati, e cila pati për burrë Zot Arianit Komnenin që ishtë Zot i Çermënikës, i Mokrës dhe i Shpatit deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me të tonin. E dyta (motër) Zonja Helena, që thamë, që martuar më Zot Filipin që kishte një zotërim të madh në Raguzë. Nga Zonja Maria dhe Zot Arianit Komneni lindën tetë bija. E para u quajt Zonja Andronika…….bija e parë pati për burrë Zot Skënderbe Kastriotin. Nga kjo Zonja Andronika dhe Zot Skënderbeu u lind Zot Gjon Kastrioti , që qe Dukë I Shën-Pjetrit në Galatinë dhe ky i quajturi Zot Gjoni pati për grua Zonjën Dukeshë Erina Paleologa, që qe bijë e Zot Lazarit, Despot i Sërbisë dhe prej këtyre u lindën shumë fëmijë, po vetëm dy prej tyre mbetën gjallë; një djalë dhe një vajzë, princ Ferrant Kastrioti që është duk i Shën-Pjetrit dhe vajza e mban emërin Princesha Maria Kastrioti.(f.-32 ).
Në pleqërinë e tij të tellë, drejë vitit 1510, prince Gjon Muzaka vazhdon të meditoj për vendlindjen dhe sikur ëndërron që turqit do të largohen një ditë nga Arbëria. Me këtë shpresë në zemër, mendon t`u bëj të tre djemëve edhe një testament, duke ua ndarë principatën me gjalljen e vet. Dhe ja se cfarë shkruan Gjon Muzaka në Memorien e tij: Unë po jua ndaj principatën ju bijve të mij, Zoti, për mëshirë ua lëntë në dorë. Ty Zot Theodhori, që ke lindur i pari, të lë Beratin dhe të gjithë zotërimet e tij, të gjithë Myzeqenë dhe qytetin e Kaninës dhe zotërimet e saj dhe Skraparin.
Ty Zot Adriani të lë Tomorricën me të gjithë fshatrat, Serkën,Midhenjin dhe Serezin, edhe Dushkarin, Oparin dhe Lavdarin, Marianin dhe Voskopebecin dhe gjithashtu ç`kuptohen, siç thashë me krahinën e Oparit, dhe të Lavdarit deri në fshatin Marian të lartpërmendur dhe gjithashtu të lë krahinën e Devollit të madh me qytetin e Korcës dhe fshatin Sovian.
Ty Zot Kostandini të lë gjithë krahinën e Devollit të vogël dhe qytetin e Kosturit, ose Kostories me gjithë fshatrat e tyre deri në Nostram që është një qytet i shkatrruar. (f.42)
Koha tregoi se shpresat e Princit Gjon Muzaka, që bijtë e tij të ktheheshin në trojet e tyre në Arbëri, nuk u realizuan. Po sidoqoftë, nga testamenti i tij dhe Memoria në përgjithësi, ne sot arrijmë të kutojmë realisht kufijtë e principatës së Muzakajve si dhe lidhjet , që kishin Muzakët me principatat e tjera dhe sidomos me kryeheroin Gjergj Kastrioti-Skënderbeun.
Pjesë interesante e “ Memories”që tërheq vëmendjen e lexuesve dhe sidomos të historianëve , është ajo kur Gjon Muzaka trajton figurën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ai e ngre lart atë si një personalitet të shquar, udhëhëqës dhe komandant të talentuar. “Ky zotëri i përmendur ishte praktik në luftë dhe i guximshëm dhe u bë komandant dhe të gjithë i bindeshin “. Gjon Muzaka e përshkruan Skenderbeun si një kryeprinjës trim të vendosur që “gjithmonë me virtutet e tij, me guximin dhe mbrojtjen që u bënte zotërve të tjerë, u shkaktoi turqve shumë kërdira e pati shumë fitore, pa marë parasysh edhe humbjet e e zotërve dhe kalorësve tanë”. “Memoria” e Muzakës na jep një informacion të saktë dhe bindës lidhur me kohëzgjatjen e luftrave dhe betejave te Skëndebeut: ”Lufta midis Sulltanit dhe Zot Skënderbeut vazhdoi e ashpër rreth 24 vjet, dhe mbas vdekjes së tij, vazhdoi me Zotërit e tjerë të Shqipërisë …..Zot Skënderbeu që i mënçur dhe trim, i priur të bënte mirë dhë që një zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij “ (f.49)
Muzaka, mbështetur ne kujtimet e tij, natyrshëm dhe pa emfazë tregon për kthimin e Gjergj Kastriotit ne Krujë: “……. në kohën e Muratit të dytë erdhi Skënderbeu, i biri i Zotit Gjon Kastriotit…….ky ishte dhënë peng prej të atit tek i përmënduri Murat me dy vëllezërit e tij, të gjithë të vëgjël. Dy vdiqën. Ai që quhëj Gjergj Kastrioti, kur u bë turk (domethënë kur mori fenë muslimane) që thërritur Skënderbe që do të thotë në gjuhën turke Aleksandër dhe bej do të thotë zotërues. Ky, duke u rritur, arriti të marrë pozitë dhe ishte i zgjuar dhe trim. Si i vdq i ati, u arratis nga Sulltani , siç thuhet ishte dërguar me Pashanë e Rumelisë kundër hungarezëve. Në këtë fushatë Pashai qe thyer e ushtria turke ishte shkatërruar (3 nëntor 1443 ) dhë i përmënduri Skënderbe u arratis me të tjerët dhe, nga që desh fati, takoi të ishte me Qatipin e Pashait . Skënderbeu e kapi dhe e shtrëngoi t`i bënte një urdhër në emër të Sulltanit për qeveritarin e Krujës që t’ia dorëzonte vendin atij. Pastaj e vrau këtë kancelar që gjithçka të mbetej e fshehtë. Atëherë Skënderbeu vuri në udhë shqipëtarët e tjerë që ishin me atë, arriti në Arbëri dhe hyri në Krujë, i dha qeveritarit urdhërin dhe qeveritari ia dorëzoi ( qytetin ) atij. Të gjithë Zotërit e Shqipërisë u gëzuan shumë për ngjarjen dhe Skënderbeu që kthyer me një herë i krishter” ( f-20 )
“Pastaj thirri në një kuvend Zotërit e njohur të Shqipërisë në lezhë. Kujt i shkoi personalisht ( ta grishte) e kë e thirri me ane të dërguarish, kështu që i quajtur Skënderbe qe bërë udhëheqësi i tyrë në Shqipëri………. ( po aty ). Kështu, siç del nga “Mëmoria “ e Gjon Muzakës po edhe siç dihet nga të gjitha burimet e tjera historike, Skënderbeu më 2 Mars, 1444, thirri Kuvendin e Lezhës, ku u krijua bashkësia e princave shqiptarë me emrin “Lidhja e Lezhës”. Skënderbeu u zgjodh kryetar i kësaj Lidhje dhe kapiten i përgjithshëm i ushtrisë [Capitaneus generalis ].
“Dhe ky i përmenduri Skënderbe mori per grua të bijën e zot Arianit Komnenit dhe ky zot dergoi si dorëzanë Zot Gjinin, tim atë, pse ky i përmendur Arianit ishte kunati i tim eti dhe kishte për grua Maria Muzaka, të motrën e tim eti, siç thashë përmes të cilit qe përfunduar martësa. ( Skënderbeu u martua me Andronikën në vitin 1450 – shënimi ynë ) Dhe mori zonjën Andronika Komnennjatën për grua, e cila ishte kushërira ime dhe përdori më pas mbiemrin Skënderbega nga i shoqi…….dhe së fundi ky i lartëpërmënduri zotëri u shkaktoi shumë kërdira turqëve dhe pati shumë fitore [f 21].
Pastaj pasi kalon shpejt harkun kohor të betejave trimërore të Skënderbeut kundër turqëve, autori i Memories arrin në periudhën e fundit të jetës së heroit dhe shkruan për të: “Zoti Skënderbe duke parë se po i merrej fryma nga armiqtë dhe më pak shpresa, u sëmur nga ethet në Lezhë dhe vdiq në vitin 1466 [Në të vërtetë data e vdekjes së heroit është 17 Janar 1468 ] në moshën 63 vjeç. Mund ta merrni me mend se ç’pjesë e vendit kishte humbur me një kapiten të tillë……[f 21].
Po siç e thamë më sipër Gjon Muzaka krahas fjalëve shumë të mira e lavdëruese për kryetrimin e kohës, kur kujton disa veprime të Skënderbeut, që kishim për qëllim zmadhimin e principatës së tij në dëm të të tjerëvë, ai mban qendrim kritik e mosaprovues. Gjon Muzaka , në këto kujtime , nuk e le pa e qortuar Skënderbeun, i cili për synimet e tij ndau Zanfina Muzakën prej Karl Topisë, dhe i dha atij të motrën e vetë, Zonjën Mamica Kastrioti.
Siç duket Skënderbeu po e kuptonte se për të përballuar sulmet gjithnjë edhe më të egra të sulltanëve, vendit i duhej një dorë më e fortë drejtuese. Në të vërtetë ai ishte kapiten i përgjithshëm i ushtrisë dhe në të njëjtën kohë kryetari i Lidhjes së princave shqipëtarë. Ishte kështu i pari midis të barabartëvë. Po kjo nuk ishte e mjaftushme. Duhej një dorë më e fuqishme, gati mbretërore, për të komanduar mbi anarkinë feudale ose mos bindjen e mvartësve. Në ndihmë të kësaj ideje, Fan Noli citon Fallmerajerin, me studimin e tij, kur shkruan: “Skënderbeu tani ndofta e kishte kuptuar se pa një bashkim kombëtar të Shqipërisë së shpërndarë, lufta kundër turqëve nuk mund të vazhdonte me sukses [Fan Noli v.4 f.289-Tiranë 1989 ].
Memoria e Gjon Muzakës ka një informacion real e të bësueshëm edhe për familjen e Gjon Kastriotit. “Zoti Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, zotëronte krahinën me emrin Mati. Po më pas Zot Skënderbeu u bë jo vetëm Zot i Matit, por u bë edhe Zot i Krujës, i Dibrës, i Brinjës, domethënë, i Randesit, i Tomonishtës, i Misisë dhe i krahinës së Jonimës dëri në det “ ( f.48). Autori na jep qartë edhe mbiemrin e familjes së Voisavës, gruas së Gjon Kastriotit, nënës së Skënderbeut . Ai është i pari që jep mbiemrin e saj. “ Dhe për më tepër ta dini që Zoti Gjon Kastrioti, i ati i Zot Skënderbeut, pati për grua zonjën Voisava Tribalda, me të cilën bëri katër djem dhe pesë vajza.”-( f.44 ). Dhë pastaj tregon me radhë sipas moshës emrat e tyre. Shenojmë se këtë pohim të princit Gjon Muzaka e përforcon dhe Im Zot Noli, kur e rikonfirmon se Gjon Kastrioti ishte i martuar me Vojsavën, të bijën e kryezotit të Pollogut afër Tetovës. Kjo krahinë dukej që ishte pjesë e principatës balshiane dhe hynte nën influencën e Kastriotëve. Sipas dëshmimit të Gjon Muzhaqit, e ëma e Vojsavës ishte nga dera e Muzhaqëve.[1] Ndërkohë duhet të përmendim , për këtë rast, arsyetimin e një linguisti poliglot, Zacharie Mayani, i cili fjalën Tribale[2] si toponim dhe si llagap, e shpjegon me togfjalëshin “mal me tri maja”,Tri-ball-e, po ashtu siç interpreton për analogji edhe toponimin e ngjajëshëm Trimal (Trimaja), pra shihet se edhe gjuhësisht , nga ana e rrënjës leksikore, kemi një fjalë me prejardhje iliro-arbërore, Tribald (Tri-ball).
Nga sa u tregua më sipër duket qartë që e ëma e Skënderbeut, Voisava Tribalda , vjen nga familje shqiptare dhe nga treva shqipfolëse, e Pollogut, zonë pas Tetovës, ku njerëzia dhe sot e kësaj dite flet shqip. Po çudia është se muajt e fundit kanë dalë studiues, që pikërisht në vitin 2018 , që është shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e gjejnë Nënën e Heroit me origjinë malazeze, gjë, që nuk e kanë thënë as Marin Barleti, as Marin Becikemi, as Gj. Muzaka, as i biri tij Kostandin Muzaka, as Dhimiter Frangu. Po le ta zëmë se këto zëra të rinj, që dalin në shtyp e në media, kanë burimet e tyre të reja, dhe prandaj dhe e bëjnë atë pohim; pyetja që mund t’ju benim këtyre biografëve do të ishte se pse pikërisht në Vitin simbolik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dalin deklarime të tilla për gjenealogji emrash historikë? Dhe kjo ndër kohë, kur rusët, fjala vjen, nuk kanë shqetësime pse Katerina e Madhe ka prejardhje prusian, po ashtu anglezët nuk shprehin merak pse në Kurorën e tyre Mbretërore ka gjak gjerman, po ashtu dhe italianët, as dje edhe as sot, nuk e kanë vrarë aq shumë mendjen pse Perandori i tyre, Viktor Emanueli III e kishte marrë gruan e vet , Helenën, nga Mali i Zi, ndërsa disa studiues tanë sot nuk i zë gjumi deri sa të konfirmojnë qe Nëna e Skenderbeut qenka malazeze.
Duke lexuar Memorien e Gjon Muzakës, dallojmë se ai vazhdimisht të atin e Skenderbeut e shkruan Gjon Kastrioti. Në onomastikën shqiptare, ky emër, emri i përveçëm “Gjon” është një emër shumë i lashtë dhe unikal, mbase përtej kohës biblike, i asaj kohe, që nuk mbahet mend, që kur një i ri vritej aksidentalisht dhe trupi i kthehej në shpend, siç e shikojmë te legjenda e Zogut Gjon. Në këtë legjendë vëllai me emrin Gjini (i bërë shpend edhe ai nga dëshperimi ) thërret të vëllanë pikëllueshëm pa mbarim“Gjon, Gjon, Gjon”……me shpresë se do ta gjejë. Mirëpo ,është për të ardhur keq, që në kundërshtim me këtë traditë të stërlashtë iliro-arbërore, historiani Oliver J. Shmitt[3] në një libër të tij, të atin e heroit tonë kombëtar, Gjon Kastriotin, na[4]e shkruan me trajtën sllave Ivan Kastrioti. Natyrisht, një veprim i tillë, që cenon idenditetin etnik të një personi historik , siç është rasti në fjalë, lëndon sedrën e çdo shqiptari, duke krijuar dhe një ndjesi alergjie. Natyrisht zoti Oliver J. Shmitt, si historian që është, këtë trajtë emri të sllavizuar, nga Gjon në Ivan, nuk e ka bërë nga naiviteti, po i shtyrë nga prirja e tij shpërfillëse për Gjon Kastriotin dhe të birin e tij, Skenderbeun.
Një burim tjetër informacioni gjejmë tek Memoria edhe për flamurin kombëtar të Shqipërisë, për flamurin tonë më fushën e kuqe dhe shqiponiën e zëzë dy krenare. Siç e kemi thënë edhe më parë në një studim tjetër, Memoria e Gjon Muzakës dëshmon lashtësinë e këtij flamuri që nga viti 1372, kur perandori i Bizantit ia dhuron figurën e kësaj steme Andrea Muzakës së Dytë, Despotit. Gjat shekujve ky flamur u bë simboli i bashkimit të shqiptarëve. Ashtu ai ka qënë dhe është pjesë e ndërgjegjes kombëtare për të gjithë shqipëtarët, si për ata që janë brënda kufijëvë politik të Republikës së Shqipërisë dhë për ata që janë jashtë Atdheut .
Në këtë trajtesë duam të ndriçojmë sadopak edhe mesazhin etik si edhe nivelin kulturor të asaj kohe në shoqërinë shqiptare, ashtu siç del dhe nënkuptohet me anë të kësaj “Memorie”. Lë të nisim me një detajë të faqes 40 të saj, kur autori flet për gruan e tij dhe tregon se si ajo vjen nga shtëpia e Dukagjinëve. Pastaj vazhdon prap për Dukagjinët… “Thuhej se origjina e tyre vinte nga “Trojanët”. -Janë a po s`janë Dukagjinasit me prejardhje trojane për synimin tonë në këtë shkrim ka pak rëndësi. Ne na tërheq vëmendjen në këtë rast vetëm fakti që përmëndet fjala “Trojanët”. Pra, të paktën nëpër oborret e princave tanë flitej e shkruhej për Trojën dhë trojanët. Atëherë pra, kur flitej e shkruhej për trojanët e Trojës së largët në kohë pse të mos diskutohej edhe për Athinën, për Spartën e spartanët, për Romën e Romakët, ashtu siç shkruan Gjon Muzaka vet për flamurin e Jul Qezarit dhe të Oktavjan Augostit në faqën 53 dhë 54 ,detaje këto që flasin për nivelin kulturor të shoqërisë elitarë shqiptare në kohën e Skënderbeut.
Në “Memorien” e Gjon Muzakës të tërheq vëmendjen edhe mendimi i përparuar etik i autorit, që tregon një njeri të qytetëruar, të mënçur e largpamës: “Atë që mund ta bëni me paqe mos e bëni më luftë” ,”Atë që mund ta qortosh fshehur mos e ndëshko publikisht”. Kurse për fushën e jëtës politike ai shkruan: ”Njeriu që me anë të forcës është bërë tiranë, është më mirë të kthehet në një skllav të së drëjtës.” Mbi të gjitha këshillat morale të Gjon Muzakës shquajnë porositë e tij për diturinë dhe arsimimin e fëmijëve: “Prindi që e lë birin e tij të mësuar, por të varfër, thuajse i ka lënë gjithçka, por ai që e lë të pamësuar edhe të pasur , thuajse nuk i ka lënë asgjë”. Më këtë fjalë Gjon Muzaka ndez qiririn e parë të iluminiszmit në Shipëri qysh në fillim të errësirës së sudimit turk. Dhe kështu me mesazhin etik dhe nivelin kulturor të elitës shoqërore shqiptare në Mesjetë, që shprehet në “Mëmoria” të Gjon Muzakës, mbyllim trajtesën tonë për këtë vëpër historike të kohës së Gjërgj Kastriotit, Skëndërbëut.
[1] F. Noli, Vepra, 4, f. 497
[2] Z. Mayani, The Etruscus begin to speak, Simon and Schuster, NY, f. 337
[3] Oliver Jens Schmitt është historian zviceran, i lindur në Basel 1973