• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesazhi i Gjon Muzakës për principatën e tij dhe Skënderbeun

March 13, 2018 by dgreca

1 aristotel Mici

Nga  Aristotel Mici/1 Gjon MuzakaKumtesë/

Në kujtim të  poetit  Dhori Qiriazi, mikut  dhe shokut tim të shkollës, përkthyesit të  “Memories” së Muzakës, që ndërroi jetë ca vjet më parë, i cili, duke ma dhuruar këtë libër me autograf, më dha shkas të bëja këtë trajtesë .

Gjon Muzaka, i biri i despotit të principatës së Muzakajve, Gjin Muzaka, në vitin 1510 ka lënë me gjalljen e vet një gjenealogji të fisit të tij princëror. Vepra është e llojit të veçantë dhe e shkruar Italisht në kushtet e emigracionit. Kur Gjon Muzaka shkroi këtë “Memorie” ishte koha që po flitej për organizimin  e  një kryqëzate antiturke. Autori i saj ka pasur për qellim kryesor t`u tregonte bijve të tij kufijtë e pricipatës, që, po të ktheheshin rishtas në trojet e tyre pas  ikjes së turqve, të dinin se ku i kushin trevat e krahinat, të cilat u përkisnin si trashëgim.  Në të njëjtën kohë ai deshte t’u   bënte të ditur    trashëgimtarëve të tij  edhe se me cilat familje të asaj kohe kishte pasur të bënte   principata e tyre.  Disa nga dyert e  fiseve të mëdha, ku ata  ,Muzakajt, kishin pasur lidhje  krushqije, farë e fisnije dhe përzierje gjaku ,  kishin mbetur pa trashëgimtarë, kështu që tokat dhe pronat e tyre duhej t’u jepeshin bijve të tij.    “Memoria” e Gjon Muzakës u zbulua për herë të parë nga historiani gjerman Karl Hopfi në biblotekën Brankacine  të Napolit në vitin 1863. Mbas 10 vjetësh ai e botoi të plotë në vitin 1873 në librin “Kronikat Greko-Romane  [Chroniques Greco-Romane, – Berlin 1873”]

Kjo biografi fisnore e Gjon Muzakës ka një vlerë të jashtëzakonshme për të ndriçuar sa më mirë kohën e lavdishme të Skënderbeut. Dëshmitë historike të kësaj biografije janë realiste dhe të besueshme. Së pari se autori i kësaj  gjenealogjije  fisnore  ka qenë    bashkëkohës  i Skënderbeut. Tok me të atin, Gjin Muzakën e më vonë, pas vdekjes së të atit, ai ka drejtuar principatën e Muzakajve deri sa iku në mërgim pas vitit 1479.  Së dyti, ai ishte në rrethin  fare e fisnor  e miqësor të Skënderbeut. Andronika  Kastrioti, e shoqja e Skënderbeut, ishte kushurira e parë e tij, nënën e saj, Maria Muzakën,  ai e ka motrën e babait. Së treti ,Gjon Muzaka për vetë  natyrën   e   shkrimit  të tij  nuk  është idalizues e as panegjerist.

Zbulimi i kësaj memorie që dokumenton gjenealogjinë e fisit të Muzakajve, po që hedh dritë edhe mbi disa princpata e krahina të Shqipërisë të kohës para pushtimit otoman, por edhe gjatë invazionit turk-otoman, tërhoqi vemëndjen e studjusve të kohës.

Pas Karl Hopfit këtë libër do ta analizojë dijetari J.G.Hahni në librin e tij “Udhëtim në viset e Drinit e të Vardarit”. Ky dokument shkrimor ka vlerë të veçantë për gjykimin realist të kohës heroike të kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Duke komentuar veprart, qe trajtojnë atë epokë të madhërishme, Fan Noli i radhit ato kështu:”Burimet letrare kryesore të historisë së Skënderbeut janë dy biografitë e tij të gjata prej Antivarasit dhe prej Barletit. Këto plotësohen nga dy biografi  të shkurtëra   prej Dhimitër Frangut e Gjon Muzhaqit” [F. Noli vepra 4 – f 597]

Dhe kur flet  konkretisht për  veprën e Gjon Muzakës, Fan Noli arsyeton se “……biografia e tij ka më tëpër vlerë se të tjerat, të cilat janë shkruar prej panegjeristësh” (Fan Noli -vepra 4 –faqia 599-viti 1989, Tiranë).

Tani këtë  “Memorie” të  Gjon Muzakës e kemi të përkthyer nga italishtja në shqip prej  Dhori Qiriazit, i cili deri vonë qe i njohur  kryesisht si poet lirik. Po me përkthimin  e  “Memories” së  Gjon Muzakës,   për surprizën e historianëve, ai u shfaq edhe si një  studjues skrupulos e analist këmbëngulës i një vepre historike. Përveç përkthimit korrekt e me një gjuhë të përshtatur aq mirë pas  origjinalit, Dhori Qiriazi ka meritën  edhe për komentet e sqarimet e domosdoshme për ndriçimin  e çështjeve historike  në momente të ndryshme. Me  gjykim realist  dhe me kompetencë, me aq sa lejojnë  kufijtë e një  parathënieje, Dhori Qiriazi  analizon  dhe interpretimet  e nxituara  të Hopfit  dhe Hahnit lidhur me  Memorien e Gjon Muzakës, sidomos kur ata  në mënyrë të pabazuar  kanë identifikuar mbiemrat fisnor me etninë. Autori i parathënies fton linguistët  që ta studjojnë  këtë vepër  edhe për anën gjuhësore, sidomos për toponomastikën  dhe dukuritë fonetike të tingujve të shqipes.

Duket qartë që informacioni kryesor që merr lexuesi nga  kjo vepër  është ai që ka të bëjë me kufijtë e principatës  së  Muzakajve, të cilat fillonin  nga  Myzeqeja ,Vlora, Kanina e Rexhina  dhe mbaronin në  Kostur, Ohër e  Prespë. Po pretendimet  për  pronësitë  e familjes e të fisit të tij  Gjon Muzaka i sheh përtej  kufijëve të  principatës së  vetë. Ai gjykon ashtu duke u mbështëtur edhe në prikat e lidhjeve midis krushqive për rastet,  kur trashëgimtarët ishin  vrarë a po zhdukur gjatë luftërave ose nga shuarja  e vazhdimësisë së ndonjë trungu fisnor. Kështu është përshembull, kur ai do të futë brenda pronave të veta edhe  Gjirokastrën  e kështjellën e saj. “ Zonjë Kirana, gjyshja ime, qe e bija  e  Zot  Gjon  Zenevisit , Zot i Gjirokastrës  dhe i vendit të lartpërmendur…kështu që na takon  neve kjo tokë….të cilën  Zonja  Kirana , gjyshja ime , e pati prikë.(Memoria- f.38 ).

Po në këtë mënyrë arsyeton  Gjon Muzaka edhe për  zonat e Ohrit, Kaninën edhe Vlorën: “Dhe për më tepër  ka një vend  tjetër që  i thonë  qyteti i Ohrit…ky vend  ishte i Zot  Gropës, që pati për grua  Zonjën Kirana, të bijën e dytë  të  Zot Andrea Muzakës dhe me që nuk la trashëgimtarë, na takon neve………Dhe ta dini ,bijtë e mi, siç kam thënë edhe më sipër, që mbreti  Balsha  ka pasur  për grua  Zonjën Komitë Muzaka, të bijën e vogël të   Zot Andrea Muzakës, Despotit, nga të cilët u lind një vajzë, Rexhina, dhe kjo që e martuar me Markon, mbretin e Serbisë, së cilës  Gjon Muzaka, vëllai i të përmendurës  Komita, ia dha prikë  të përmendurës Rexhinë  Vlorën dhe  Kaninën..Mirëpo  më vonë kjo vdes  pa lënë  trashëgimtar,….bile nuk la trashëgimtar  as e ëma,Komita, me mbret  Balshën . Dhe tani, me që s`ka  asnjë  trashëgimtar  prej tyre, shteti i  përmendur  i kthehet  dhuruesit, kështu  që ju takon juve dhe në këtë mënyrë kalon  sipas së drejtës në domenet e shtëpisë së  Muzakajve. – ( f.39).

Duke këshilluar të bijtë dhe nipërit e tij lidhur me trevat e kufijtë e mundshëm të principatës , Gjon Muzaka nuk harron  të nënvizojë edhe ndonjë qendër me rëndësi të veçant ekonomike, siç  ishte një minierë ari me vlera të çmuara për atë kohë në zonën e Tomorricës:

Shikoni, bijtë e mi, në vendin tonë të Tomorricës është një fshat me emrin Orkova, që ngrihet në cep të një mali dhe ky fshat, që përmenda ka një lumë, që kalon në anën tjetër dhe, midis fshatit dhe malit kalon një rrymë uji, dhe pranë kësaj rryme uji, karshi malit, është një damar ari, në origjinal (vena d’oro), ta mbani mend mirë se është toka   jonë- (f.38).

Duke shkruar për trungun gjenealogjik të familjes  së tij  princërore e despotale, Gjon Muzaka,  në të njëjtën kohë  përpiqet të japë edhe  gjendjen  historike  të Arbërisë  së atëherëshme si edhe tatëpjetën e Perandorisë  Bizantine. Me aq sa e lejonte kujtesa  dhe ne  rrethanat e  mërgimit,  ai kërkon të informojë  në radhë të parë  trashëgimtarët si dhe gjithë lexuesit  për shfaqjet e sulmeve të para turke e deri tek  betejat e mëdha   të më vonëshme, që tronditën Përandorinë  Bizantine, e cila po dobësohej edhe si pasojë e ambicjeve karrieriste për pushtet në elitën perandorake.  “Dhe ta dini se si  filloi shkatërrimi i  Përandorisë  së  Kostandinopolit që qe edhe i yni,  për shkak   se qe një  mosmarrëveshje midis  Paleologut  (Johan Paleologu  V -1347-54 ) dhe  Katakuzenit   ( 1341-55 ), gjë që  e shtyu  Paleologun t`i kërkonte ndihmë  Muratit, mbretit të turqve- ( f.19). (Bëhet  fjalë për vitin  1354, pra kur në fron  ish Orhani dhe jo  Murati)   ……

Ndër kohë  ballkanasit, duke  parë  sulmet  e parreshtura  e të gjithë-anshme të ushtrisë turke, bën përpjekje të përbashkëta, për të përballuar rrezikun real, që po u kanosej. Kështu në vitin  1389 në Kosovë   u bë     një  përplasje e madhe  ndërluftuese, një betejë e përgjakshme  midis  aleatëve ballkanas  dhe  ushtrisë turke, që quhet në histori  Lufta e Kosovës.  “ Lazari, Despoti i Sërbisë dhe mbreti  Marko i Bullgarisë, dhe Theodhor  Muzaka i familjes sonë, dhe zotër të tjerë të Shqipërisë, u bashkuan  dhe shkuan në betejë,  ku të  krishterët humbën dhe aty u vra i  lartpërmënduri  Theodhor  (Muzaka), që kishte me vete një ushtri të madhe shqiptarësh.”…..Këtu do të fillonin  luftra të vazhdueshme  me turqit në  Shqipëri. Theodhor Muzaka njihet historikisht kështu si dëshmor i parë I trevave arbërore në epopenë e gjatë të luftrave antiosmane.

Zot Andrea  Muzakës, tim gjyshi, iu vërsul me një vrull të tillë  Bajaziti dhe i mori një pjesë të  Devollit dhe të Myzeqesë, të cilat ia mori prapë..(janë  ngjarje të vitit   1394- shënimi ynë)…. Edhe  Zot   Gjini,  im at dhe gjyshi juaj, e zotëroi shtetin atëror që përmendëm, pse edhe kur e humbi  Myzeqenë, e mori prapë. (………………………) Zotërit e rinj të Shqipërisë u vranë të gjithë në luftë..Mbëtën gjallë  këta zotër : Zot  Aranit  Komneni, Zot Gojko Balsha, Zotërit Nikollë e Pal Dukagjini, Zot Gjin  Muzaka, im at, Zot Andrea  Topia, Zot Pjetër  Spani ( f.19 )

Në faqen  28 të  “ Memories “  autori tregon  për  zanafillën  e gjenealogjisë së tij. I pari i  fisit  del Andrea  Mollosaku. Nga ai u lind  Theodhor  Muzaka  Kishetësi  (nënkupto -Këshetësi, ose  Gërshetësi, sepse mbante flokët  gërshet). Nga ky zot u lind Andrea Muzaka i dytë, që mundi bullgarët tek Mali i Peristerit dhe që perandori i Bizantit i dha titullin e despotit si dhe stemën me fushën e kuqe dhe me shqiponjën dy krenare në mes. Pastaj nga ky i lartpërmenduri Andrea Muzaka i dytë, Despot, u lindën tre bij dhe dy bija. Djemt ishin  Gjini,   Theodhori dhe i treti   Stoja.  Nga dy bijat, e para e kishte emrin Komita dhe e dyta Kirana. Bija e tij  e parë pati për burrë mbret Balshën, i cili mbante në zotërim Shkodrën, Tivarin, Kotorin, Shebenikun…… vajza tjëtër Kirana pati për burrë zotin Gropa, zoti i Ohrit deri në Dibër.

Zot Gjinit të lartpërmëndur do t`i lindin pesë bij. I pari e pati emrin Andrea [Andrea Muzaka i tretë-shenimi ynë]. Ky Zot  Andrea i tretë pati dy bijë dhe dy bija. I pari e mori emrin Zot Gjini i dytë dhe i dyti Zot   Theodhor  Muzaka. Bija e parë e kishte emrin Maria dhe  e dyta Zonja Helena. Ky i quajturi Zot Gjini i dytë pati për grua  Zonjën Kirana, e cila ishte mbesë e Zot Pal  Sevastokratit dhe prej të lartpërmendurit Zot Gjin kam lindur  unë  Gjoni. I lartpërmënduri Zot Theodhori i dytë…..u vra në luftë me  Sulltanin ( në  Luftën e Kosovës ) dhe nuk la trashëgimtar…………Dhe  Zonja  Maria , motër e tim ati, e cila pati për burrë Zot  Arianit Komnenin  që ishtë   Zot i  Çermënikës,  i Mokrës dhe i Shpatit deri në lumin  Devoll, që e ndan vendin e tij me të tonin. E  dyta  (motër) Zonja Helena, që thamë, që martuar më Zot  Filipin që kishte një zotërim të madh në Raguzë. Nga Zonja  Maria dhe  Zot  Arianit Komneni lindën  tetë bija. E  para u quajt  Zonja Andronika…….bija e parë  pati për burrë Zot Skënderbe  Kastriotin.  Nga kjo  Zonja  Andronika dhe Zot Skënderbeu u lind  Zot Gjon  Kastrioti , që qe  Dukë  I Shën-Pjetrit  në  Galatinë dhe ky i quajturi Zot Gjoni pati për grua Zonjën Dukeshë Erina Paleologa, që qe bijë e Zot Lazarit, Despot i Sërbisë dhe prej këtyre u lindën shumë fëmijë, po vetëm dy prej tyre mbetën gjallë; një djalë dhe një vajzë, princ  Ferrant Kastrioti që është duk i Shën-Pjetrit dhe vajza e mban  emërin  Princesha Maria Kastrioti.(f.-32 ).

Në pleqërinë e tij të tellë, drejë vitit 1510, prince Gjon Muzaka vazhdon të meditoj për vendlindjen dhe sikur ëndërron që turqit do të largohen një ditë nga Arbëria. Me këtë shpresë në zemër, mendon t`u bëj të tre djemëve edhe një testament, duke ua ndarë principatën me gjalljen e vet. Dhe ja se cfarë shkruan Gjon Muzaka në Memorien e tij:                                        Unë po jua ndaj principatën ju bijve të mij, Zoti, për mëshirë ua lëntë në dorë.                              Ty Zot Theodhori, që ke lindur i pari, të lë Beratin dhe të gjithë zotërimet e tij, të gjithë Myzeqenë dhe qytetin e Kaninës dhe zotërimet e saj dhe Skraparin.

Ty Zot Adriani të lë Tomorricën me të gjithë fshatrat, Serkën,Midhenjin  dhe Serezin, edhe Dushkarin, Oparin dhe Lavdarin, Marianin dhe Voskopebecin dhe gjithashtu ç`kuptohen, siç thashë me krahinën  e Oparit, dhe të Lavdarit deri në fshatin Marian të lartpërmendur dhe gjithashtu të lë  krahinën e Devollit të madh me qytetin e Korcës dhe fshatin Sovian.

Ty Zot Kostandini të lë gjithë  krahinën e Devollit të vogël dhe qytetin e Kosturit, ose Kostories me gjithë fshatrat e tyre deri në Nostram që është  një qytet i shkatrruar. (f.42)

Koha tregoi se shpresat  e Princit Gjon Muzaka, që bijtë e tij të ktheheshin në trojet e tyre në Arbëri, nuk u realizuan. Po sidoqoftë, nga testamenti i tij dhe Memoria në përgjithësi, ne sot arrijmë të kutojmë realisht kufijtë e principatës së Muzakajve si dhe lidhjet , që kishin  Muzakët me principatat e tjera dhe sidomos me kryeheroin Gjergj Kastrioti-Skënderbeun.

Pjesë interesante e “ Memories”që tërheq vëmendjen e lexuesve dhe sidomos  të historianëve , është  ajo  kur  Gjon Muzaka trajton figurën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ai e ngre lart atë si një personalitet  të shquar, udhëhëqës dhe komandant   të talentuar.  “Ky zotëri i përmendur ishte praktik në luftë dhe i  guximshëm dhe u bë komandant  dhe të gjithë i bindeshin “. Gjon Muzaka e përshkruan Skenderbeun si një kryeprinjës trim  të vendosur  që  “gjithmonë  me virtutet e tij, me guximin dhe  mbrojtjen që u bënte zotërve të tjerë, u shkaktoi  turqve shumë kërdira e pati shumë fitore, pa marë parasysh edhe humbjet e  e zotërve dhe kalorësve tanë”. “Memoria” e Muzakës  na jep një informacion të saktë dhe bindës  lidhur me kohëzgjatjen e luftrave dhe betejave te Skëndebeut: ”Lufta midis  Sulltanit dhe Zot Skënderbeut vazhdoi e ashpër rreth 24 vjet,  dhe mbas vdekjes së tij, vazhdoi me  Zotërit e tjerë të Shqipërisë  …..Zot  Skënderbeu që i mënçur dhe trim, i priur të bënte mirë dhë që një zot i madh ndër të gjithë pararendësit  e tij “  (f.49)

Muzaka, mbështetur ne kujtimet e tij, natyrshëm dhe pa emfazë tregon për kthimin e Gjergj Kastriotit ne Krujë:  “……. në kohën e Muratit të dytë erdhi Skënderbeu, i biri i  Zotit Gjon Kastriotit…….ky  ishte dhënë peng prej të atit tek  i  përmënduri  Murat   me dy vëllezërit e tij, të gjithë të vëgjël.  Dy vdiqën. Ai  që quhëj  Gjergj Kastrioti, kur u bë turk  (domethënë kur mori fenë  muslimane) që thërritur  Skënderbe që do të thotë në gjuhën turke  Aleksandër dhe bej  do të thotë  zotërues. Ky,  duke u rritur, arriti të marrë pozitë dhe ishte i zgjuar dhe trim. Si  i vdq i ati, u arratis nga  Sulltani , siç thuhet ishte dërguar me  Pashanë  e  Rumelisë kundër hungarezëve. Në këtë fushatë  Pashai qe thyer e ushtria turke ishte  shkatërruar  (3 nëntor 1443 )  dhë i përmënduri  Skënderbe u arratis me të tjerët dhe, nga që desh fati, takoi të ishte me  Qatipin  e  Pashait . Skënderbeu e kapi  dhe e shtrëngoi t`i bënte një  urdhër në emër të Sulltanit për qeveritarin e Krujës që t’ia dorëzonte  vendin atij. Pastaj e vrau këtë kancelar që gjithçka të mbetej e  fshehtë.  Atëherë Skënderbeu vuri në udhë  shqipëtarët e tjerë  që ishin me  atë,  arriti në  Arbëri dhe  hyri në Krujë, i dha qeveritarit urdhërin dhe qeveritari  ia dorëzoi  ( qytetin  ) atij.  Të gjithë  Zotërit e  Shqipërisë u gëzuan shumë  për ngjarjen  dhe  Skënderbeu që kthyer  me një herë i krishter” ( f-20 )

“Pastaj  thirri në një kuvend Zotërit e  njohur të  Shqipërisë në lezhë. Kujt i shkoi personalisht ( ta grishte) e  kë e thirri me ane të dërguarish, kështu që i quajtur  Skënderbe qe bërë udhëheqësi i tyrë në Shqipëri………. ( po aty ). Kështu, siç del nga   “Mëmoria “ e  Gjon Muzakës po edhe siç dihet nga të gjitha burimet e tjera historike, Skënderbeu më 2 Mars, 1444, thirri Kuvendin e Lezhës, ku u krijua  bashkësia e  princave  shqiptarë me emrin  “Lidhja e Lezhës”. Skënderbeu u zgjodh kryetar i kësaj  Lidhje dhe kapiten i përgjithshëm i ushtrisë [Capitaneus generalis ].

“Dhe ky i përmenduri Skënderbe mori per grua të bijën e zot Arianit Komnenit dhe ky zot dergoi si dorëzanë Zot Gjinin, tim atë, pse ky i përmendur  Arianit ishte kunati i tim eti dhe kishte për grua Maria Muzaka, të motrën e tim eti, siç thashë përmes të cilit qe përfunduar martësa. ( Skënderbeu u martua me Andronikën  në vitin  1450 – shënimi ynë )        Dhe mori zonjën Andronika Komnennjatën për grua, e cila ishte kushërira ime dhe përdori më pas mbiemrin Skënderbega  nga i shoqi…….dhe së fundi ky i lartëpërmënduri zotëri u shkaktoi shumë kërdira turqëve dhe pati shumë fitore [f 21].

Pastaj pasi kalon shpejt harkun kohor të betejave trimërore të Skënderbeut kundër turqëve, autori i Memories arrin në periudhën e fundit të jetës së heroit dhe shkruan për të: “Zoti Skënderbe duke parë se po i merrej fryma nga armiqtë dhe më pak shpresa, u sëmur nga ethet  në  Lezhë dhe vdiq në vitin 1466 [Në të vërtetë data e vdekjes së heroit është 17 Janar 1468 ] në moshën 63 vjeç. Mund ta merrni me mend se ç’pjesë e vendit kishte humbur me një kapiten të tillë……[f 21].

Po siç e thamë më sipër Gjon Muzaka krahas fjalëve shumë të  mira e lavdëruese për  kryetrimin e kohës, kur kujton disa veprime të Skënderbeut, që kishim për qëllim zmadhimin e principatës së tij në dëm të të tjerëvë, ai  mban  qendrim kritik  e mosaprovues. Gjon Muzaka , në  këto  kujtime , nuk e le pa e qortuar Skënderbeun, i cili për synimet e tij  ndau Zanfina Muzakën  prej Karl Topisë,  dhe i dha atij   të  motrën e vetë, Zonjën Mamica   Kastrioti.

Siç duket Skënderbeu po e kuptonte se për të përballuar sulmet gjithnjë edhe më të egra të sulltanëve, vendit i duhej një dorë më e fortë drejtuese. Në të vërtetë ai ishte kapiten i përgjithshëm i ushtrisë dhe në të njëjtën kohë kryetari i Lidhjes së princave  shqipëtarë. Ishte kështu i pari midis të barabartëvë. Po kjo nuk ishte e mjaftushme. Duhej një dorë më e fuqishme, gati mbretërore, për të komanduar mbi anarkinë feudale ose mos bindjen e mvartësve. Në ndihmë të kësaj ideje,  Fan  Noli citon Fallmerajerin, me studimin e tij, kur shkruan: “Skënderbeu tani ndofta e kishte kuptuar se pa  një bashkim kombëtar të Shqipërisë së shpërndarë, lufta kundër turqëve nuk mund të vazhdonte me sukses [Fan Noli  v.4 f.289-Tiranë 1989 ].

            Memoria e Gjon Muzakës ka një informacion real e të bësueshëm edhe për familjen e Gjon Kastriotit. “Zoti Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, zotëronte krahinën me emrin Mati.  Po më pas Zot Skënderbeu  u bë jo vetëm   Zot i  Matit, por u bë edhe  Zot i   Krujës, i  Dibrës, i  Brinjës, domethënë, i Randesit, i Tomonishtës, i  Misisë dhe i  krahinës  së Jonimës dëri në det “ ( f.48). Autori  na jep qartë edhe mbiemrin e familjes  së Voisavës,  gruas së Gjon Kastriotit, nënës së  Skënderbeut . Ai është i pari që jep mbiemrin e saj. “ Dhe për më tepër ta dini që Zoti Gjon Kastrioti, i ati i Zot Skënderbeut, pati për grua zonjën Voisava Tribalda, me të cilën bëri  katër djem dhe pesë vajza.”-( f.44    ).  Dhë pastaj tregon me radhë sipas moshës emrat e tyre. Shenojmë se këtë  pohim të princit Gjon Muzaka e përforcon dhe Im Zot Noli, kur e rikonfirmon se Gjon  Kastrioti ishte i martuar me  Vojsavën, të bijën  e kryezotit të Pollogut afër Tetovës. Kjo krahinë dukej që  ishte pjesë e principatës balshiane dhe  hynte nën influencën e Kastriotëve. Sipas dëshmimit  të Gjon Muzhaqit, e ëma e Vojsavës ishte nga  dera e Muzhaqëve.[1] Ndërkohë duhet të  përmendim , për këtë rast,  arsyetimin e një linguisti poliglot,  Zacharie Mayani, i cili fjalën  Tribale[2] si toponim dhe si llagap, e shpjegon me togfjalëshin “mal me tri maja”,Tri-ball-e, po ashtu siç  interpreton për analogji edhe toponimin e ngjajëshëm  Trimal (Trimaja), pra shihet se edhe gjuhësisht , nga ana e rrënjës leksikore, kemi një fjalë me prejardhje  iliro-arbërore,  Tribald (Tri-ball).

Nga sa u tregua më sipër duket qartë që e ëma e Skënderbeut, Voisava Tribalda , vjen nga familje shqiptare dhe nga treva  shqipfolëse, e Pollogut, zonë pas Tetovës, ku njerëzia dhe sot e kësaj dite flet shqip. Po çudia është se muajt e fundit kanë dalë  studiues, që  pikërisht në vitin  2018 , që  është shpallur  si Viti i Gjergj Kastriotit  Skënderbeut, e gjejnë   Nënën e  Heroit me origjinë malazeze, gjë, që nuk e kanë thënë as Marin Barleti, as Marin Becikemi, as Gj. Muzaka, as i biri  tij Kostandin Muzaka, as  Dhimiter Frangu. Po le ta zëmë se  këto zëra  të rinj, që dalin në  shtyp e në media, kanë burimet e tyre të reja,  dhe prandaj dhe e bëjnë atë pohim;  pyetja që mund t’ju benim këtyre   biografëve do të ishte se pse pikërisht në Vitin  simbolik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dalin deklarime të tilla për gjenealogji emrash historikë?  Dhe kjo  ndër kohë, kur rusët, fjala vjen,  nuk kanë shqetësime pse Katerina e Madhe  ka  prejardhje prusian, po ashtu anglezët nuk shprehin  merak pse në Kurorën e tyre Mbretërore ka gjak gjerman,  po ashtu  dhe  italianët, as dje edhe  as sot,  nuk  e  kanë vrarë aq shumë mendjen pse Perandori i tyre, Viktor Emanueli III e kishte marrë gruan e vet , Helenën, nga Mali i Zi,  ndërsa disa studiues  tanë sot nuk i zë gjumi deri sa  të konfirmojnë qe Nëna e  Skenderbeut qenka malazeze.

Duke lexuar Memorien e Gjon Muzakës, dallojmë se ai vazhdimisht të atin e Skenderbeut e shkruan Gjon Kastrioti. Në onomastikën shqiptare, ky emër, emri i përveçëm “Gjon” është një emër  shumë i lashtë dhe unikal, mbase përtej kohës biblike, i asaj kohe, që nuk mbahet mend, që kur një  i ri vritej aksidentalisht  dhe trupi i kthehej në shpend, siç e shikojmë  te legjenda e Zogut Gjon. Në këtë legjendë vëllai me emrin Gjini (i bërë shpend edhe ai nga dëshperimi ) thërret  të vëllanë pikëllueshëm  pa mbarim“Gjon, Gjon, Gjon”……me shpresë se do ta gjejë.  Mirëpo ,është për të ardhur keq, që në kundërshtim me këtë traditë të stërlashtë iliro-arbërore, historiani Oliver J. Shmitt[3] në  një libër të  tij, të atin e  heroit tonë kombëtar,  Gjon Kastriotin, na[4]e shkruan me  trajtën  sllave Ivan Kastrioti. Natyrisht, një veprim i tillë, që cenon idenditetin etnik të  një  personi historik , siç është rasti në fjalë, lëndon  sedrën e çdo shqiptari, duke krijuar dhe  një ndjesi  alergjie. Natyrisht zoti Oliver J. Shmitt, si historian që është, këtë trajtë emri të sllavizuar, nga Gjon në Ivan, nuk e ka bërë nga naiviteti, po i shtyrë nga prirja e tij  shpërfillëse  për Gjon Kastriotin dhe të birin e tij, Skenderbeun.

Një burim tjetër informacioni gjejmë tek Memoria edhe për flamurin kombëtar të Shqipërisë, për flamurin tonë më fushën e kuqe dhe shqiponiën e zëzë dy krenare. Siç e kemi thënë edhe më parë në një studim tjetër, Memoria e Gjon Muzakës dëshmon lashtësinë e këtij flamuri që nga viti 1372, kur perandori i Bizantit ia dhuron figurën e  kësaj steme Andrea Muzakës së   Dytë, Despotit. Gjat  shekujve ky flamur u bë simboli i bashkimit të shqiptarëve. Ashtu ai ka qënë dhe është  pjesë e ndërgjegjes kombëtare për të gjithë shqipëtarët, si për ata  që janë brënda kufijëvë politik të  Republikës së Shqipërisë dhë për ata që janë  jashtë  Atdheut .

Në këtë  trajtesë duam të ndriçojmë  sadopak edhe mesazhin etik si edhe nivelin kulturor të asaj kohe në shoqërinë shqiptare, ashtu siç del dhe nënkuptohet  me anë të kësaj   “Memorie”.  Lë të nisim me  një  detajë të faqes  40 të saj, kur autori flet për gruan e tij dhe tregon se si ajo vjen nga  shtëpia e  Dukagjinëve. Pastaj vazhdon prap  për  Dukagjinët… “Thuhej se  origjina e tyre vinte nga “Trojanët”. -Janë a po s`janë  Dukagjinasit me prejardhje trojane për  synimin  tonë në këtë  shkrim  ka pak rëndësi. Ne na tërheq vëmendjen në këtë rast vetëm fakti që përmëndet fjala “Trojanët”. Pra, të paktën  nëpër oborret e  princave tanë flitej  e shkruhej për Trojën dhë trojanët. Atëherë pra, kur flitej e  shkruhej  për trojanët e Trojës së largët në kohë pse të mos diskutohej edhe për Athinën, për Spartën e spartanët, për Romën e Romakët, ashtu siç shkruan  Gjon Muzaka vet për flamurin e Jul Qezarit dhe të Oktavjan Augostit në faqën 53 dhë 54 ,detaje këto që flasin për nivelin kulturor të shoqërisë elitarë shqiptare në kohën e Skënderbeut.

Në “Memorien” e Gjon Muzakës të tërheq vëmendjen edhe mendimi i përparuar etik i autorit, që tregon  një njeri të qytetëruar, të mënçur e largpamës: “Atë që mund ta bëni me paqe  mos e bëni më luftë” ,”Atë që mund ta qortosh fshehur mos e ndëshko publikisht”.  Kurse për fushën e jëtës politike  ai shkruan: ”Njeriu që me anë të forcës është bërë  tiranë, është më mirë të kthehet në një skllav të së drëjtës.” Mbi të gjitha këshillat morale të  Gjon Muzakës shquajnë  porositë e tij për diturinë dhe arsimimin e fëmijëve: “Prindi që  e lë  birin e tij të mësuar, por të varfër, thuajse i ka lënë gjithçka, por ai që  e lë të pamësuar edhe të pasur , thuajse  nuk i ka  lënë asgjë”. Më këtë fjalë Gjon Muzaka  ndez qiririn e parë të iluminiszmit  në Shipëri qysh në fillim të errësirës së sudimit turk.                                                                                                            Dhe  kështu me mesazhin etik dhe  nivelin kulturor të elitës shoqërore shqiptare në Mesjetë, që shprehet  në  “Mëmoria” të Gjon Muzakës, mbyllim     trajtesën tonë për këtë vëpër historike të kohës së  Gjërgj Kastriotit, Skëndërbëut.                                            

[1] F. Noli, Vepra, 4, f. 497

[2] Z. Mayani, The Etruscus begin  to speak,  Simon and Schuster, NY, f. 337

[3] Oliver Jens Schmitt është historian zviceran, i lindur në Basel 1973

Filed Under: Politike Tagged With: Aristotle Mici, Gjon Muzaka, per princpaten, Skenderbeun

Duke lexuar Herodotin-Meditime historike rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire

October 3, 2017 by dgreca

1 aristotel MiciNga Aristotel Mici-Boston/  Ideja për të shkruar këto radhë në formën e meditimeve rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire, më lindi duke lexuar  librin madhor të Herodotit, të cilin tashmë e kemi të përkthyer në shqip nga mathematikani i njohur, Prof. Aleko Minga.Herodoti

Vepra e Herodotit  “Historitë” ka si bosht ngjarjesh  luftën mes ushtrisë së vogël helene dhe ushtrisë së stërmadhe të perandorisë persiane.  Kjo luftë zgjati më shumë se dy dekada, nga viti 500 Para Krishtit, deri në vitin 479. Në këtë hark kohor ushtria e vogël helene do të rrëfente episode heroizmi të papara, që do të kulmonin me betejat e famshme si ajo e Marathonës, e Salaminës dhe e Termopileve.

Po libri i Herodotit,- siç shkruan edhe Prof. Minga,- s’është vetëm rrëfimi i kësaj lufte, përkundrazi, është një vepër që sjell një informacion tepër interesant për mbarë botën e njohur të kohës së tij, për mjaftë vende e popuj të tjerë të Europës e Azisë së Vogël dhe të Mesme.

Shikuar nga kjo anë, vetiu, duke lexuar Herodotin, u kapa nga kureshtja për të gjetur sado pak gjurmë nga pereiudha e lashtësisë pellazgjike dhe ilire e  stërgjyshërve tanë pararendës.Dhe vërtetë emërime pellazgjike fillojnë të duken që nga libri i parë i veprëas “Historitë” të Herodotit.  Kështu në faqen 79 shkruhet  “….një pjesë e rëndësishme e qytetarisë të dymbëdhjetrë qyteteve janë nga Eubeja, të cilët nuk kanë të drejtë të quhen “jonian”, me ta janë përzier kadmianë,driopianë, fokianë, të dëbuar nga vendi, molosë, pellazgë nga Arkadia.[1] Në këtë rast  mollosët dhe  pellazgët vetëm sa dalin midis popujve të tjerë në këtë vepër, për t’u dukur dhe më shumë më pas.

Po informacioni që jep vepra e Herodotit i tejkalon kufijtë e botës së pellazgëve, të Helladës dhe Ilirisisë. Siç duket nga  leximi i veprës së tij, Herodoti ka qënë dhe një dijetar shetitës, që kish gjesdisur shumë vende të botës së vjetër. Dhe kudo që vinte, ai përpiqej të gjellinte fakte dhe ngjarje, që i dukeshin interesante për historitë, që kish marrë përsipër të shkruante. Nga moria e ngjarjeve m’u duk me interes të veçoja midis të tjerave rrrëfimin për dy orakujt, atë të Heladës dhe aë të Libisë. “Egjiptianët,- shkruan Herodoti, – tregojnë sa vijon: priftërinjtë e Zeusit të Tebës më thanë që dy gra, në fakt priftëresha, ishin rrëmbyer në Tebë prej disa fenikasve.  Ata kishin marrë vesh se njera nga gratë ishte shitur në Libi dhe tjetra në Heladë. Sipas tyre këto gra ishin të parat që themeluan dy orakuj në këto dy vende. Kur i pyeta si mund të flisnin me kaq siguri, m’u përgjegjen se kishin bërë një kërkim të kujdesshëm për këto dy gra. Dhe, megjithëse nuk ia kishin dalë t’i gjenin, kishin zbuluar më pas atë çka po më thoshnin për to.

Kjo është ajo që më thanë priftërinjtë në Tebë, por profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturonin që nga Teba në Egjipt; njera fluturoi drejt Libisë, tjetra aty në Dodone, pranë tyre. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një orakull i Zeusit.

.Banorët e  Dodonës e kuptuan se po dëgjoni  një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha. Priftëreshat thonë se pëllumbesha që shkoi në Libi u tha libianëve të ndërtonin orakullin e Amonit, një orakull tjetër të Zeusit. Kështu thoshin priftëreshat e Dodonës, nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta Timareta dhe më e reja Nikandra. Edhe dodonasit e tjerë që banonin  rreth e rrotull tempullit, pajtoheshin me këtë.

Tani do të them mendimin tim sesi ka ndodhur kjo. Sikur vërtetë fenikasit t’i kishin rrëmbyer  priftëreshat  dhe t’i kishin shitur njerën në Libi dhe tjetrën në Heladë, kjo e fundit, sipas meje, do t’u  ketë qenë shitur tesprotëve ( banorë të Çamërisë – shenimi im AM.),  të cilët  e patën çuar në vendin që tani quhet Heladë, vend që në atë kohë quhej Pelazgji “- (nga libri i dytë Historitë- Herodoti)

Kështu, duke lexuar dhe komentuar rreth këtij episodi, që ka të bëjë me zanafillën orakullit të Dodonës, e kemi shumë të qarte të kuptojmë se si Herodoti përkatësinë e orakullit të Dodonmës ua jep banorëve të Threspotisë.  Ndër kohë, duke qenë se edhe ky orakull ishte ngritur nga zëri hyjnor i Zeusit, siç cicëroi pëllumbesha, vetëkuptohet vetiu që Zeusi si Hyjni i ka përkitur, po atij vendi, që ka qenë quajtur Pellazgji.

Ndër kaq, theksojmë se në kujtesën dhe në gjykimin e Herodotit pellazgjia datohet historikisht  në  një kohë më e lashtë se Helada,  si edhe u tha më sipër.Pastaj,  historiani vazhdon të shkruaj  prap  për prtiftëreshën, që e kishin shitur si skllave fenikasit:  Ndërsa punonte si skllave për thesprotët, ajo, priftëresha themeloi një shenjtërore të Zeusit nën hijen e një lisi që rritej  aty. S’ka asagjë të jashtëzakonsme në këtë që bëri, sepse ajo pat shërbyer në shenjtëroren e Zeusit në Tebë dhe pa tjetër do të mendonte e do të kujtonte Zeusin në këtë vend të ri. ((Herodoti-124)

 Pra, siç e lexojmë në vazhdimësi të episodit, Herodoti rithekson edhe një herë faktin  informuese, se qoftë orakulli i Dodonë, qoftë faltorja  për Zeusin janë lokalizuar në mjedisin e thesprotëve, të cilët kanë qenë dhe janë  fise ilire në trojet e tyre.

Dhe në kohën, që priftëresha themeloi orakullin, “u tha njerzëve që motrën e saj  e kishin shitur në Libi po ata fenikas, që e kishin shitur edhe atë vetë.

Më pastaj Herodoti  dëshiron të japë arsyetimin e tij lidhur me personifikimin e murgeshave si shpendë që flasin. Lidhur me këtë dukuri animizuese ai pohon: Mendoj që dodonasit i quajtën gratë pëllumbesha, sepse ato ishin të huaja dhe gjuha e tyre dukej si cicërim zogjësh. Ata thonë që pas një farë kohe pëllumbesha foli me zë njeriu, sepse atëherë ajo foli në gjuhë që e kuptuan.  Sa kohë që fliste në gjuhë të huaj, atyre u dukej se cicëronte, sepse si mund të flasë një pëllumbeshë me zë njeriu? Kur thoshnin se pëllumbesha ishte e zezë, nënkuptonin që gruaja ishte egjyptiane.

Me tregimin e tij rreth orakullit të Dodonës, Herodoti na jep mundësinë që të marrim me mend lidhjet midis civilizimeve të antikitetit të herëshëm. Dalja e fenikasve në rrëfim, krahas elementeve të jetës egjyptiane, flet për ndikimin dhe lidhjen kulturore të botës së mesdheut. Dihet se Egjypti dhe Babilonia qenë kulme të ndritura zhvillimi, për atë kohë të vjetër antike, kurse fenikasit, si lundërtarë të guximshëm dhe tregëtarë të zotë, i përhapën këto qytetërime përmes kolonizmit me ngujimet e tyre.

Po më e rëndësishmja, që duhet thënë për ta  është fakti se dy mijë vjet Para Krishtit, fenikasit shpikën alfabetin prej 22 shkronjash; ky alfabet ka qenë shumë më i  thjeshtë se hieroglifet ose kuneifomat babilonase; në bazë të tij është krijuar alfabeti grek, e prej tij janë përpiluar  të gjithë alfabetet e tjerë të ditëve tona[2]

Po në qoftë se te episodi i  orakullit të Dodonës i gjemë pellazgët qysh në kohën e Tebës,[3] në librin e gjashtë të veprës së Herodotit do t’i shohim ata  edhe në fillim të shekullit të pestë Para Kishtit, nga viti 500-490, pra  për gjatë Luftës  Greko –Persiane,  ku do të lexojmë këto deklarime: “Athinasit i kishin dëbuar pellazgët nga Atika – me të drejtë a pa të drejtë këtë nuk mund ta them, po vetëm po e përsërit atë që thonë të tjerët. Hekateu[4], i biri i Hegesandrit, në Historinë e tij pohon se athinasit vepruan në mënyrë të padrejtë. Ata ua patën dhënë tokën e vet në rrëzë të Himetit për ngulim pellagëve, si shpërblim për murin që ata kishin ngritur dikur rreth Akrpolit. Kur Athinasit e panë se kjo tokë më parë e keqe dhe që s’ vlente kurrëgjë, tanimë ishte punuar për bukuri, i kapi zilia dhe donin ta shtinin sërisht në dorë. Prandaj athinasit pa kurrëfarë shkaku tjetër i dëbuan pellazgët.

Përkundrazi, athinasit thonë se i dëbuan pellazgët me të drejtë, se pellazgët u kishin sjellë athinasve shumë bezdi: vajzat athinase shkonin atëherë për ujë në Nëntë  Burimet  (Eneakrunos), sepse në ato kohë athinasit dhe helenët e tjerë ende nuk kishin skllevër sherbëtorë. Sa herë që vajzat shkonin për ujë, pellazgët me një përçmim i fyenin ato.  Po kjo ishte më e pakta. Në fund të fundit pellazgët i kishin kapur me presh në dorë kur donin të sulmonin Athinën. Megjithatë, athinasit u treguan më fisnikë se pellazgët çka duket nga fakti që athinasit mund t’i vrisnin ata, kur zbuluan komplotin e tyre, por nuk deshën dhe i urdhëruan ta braktisnin vendin. Kështu pellazgët e dëbuar u zhvendosën në toka të tjera, ku përfshihej edhe Lemnosi. Këto janë dy versionet, i pari është i Hekateut dhe  i dyti i athinasve.”[5] Dhe në këto deklarime të Herodotit, duhet të kemi para sysh faktin se ky informacion nuk vjen nga koha mithologjike, po nga periudha kur autori jetonte vetë midis atyre ngjarjeve.

Duke lexuar  këto fjalë të këtij paragrafi, kuptojmë fare qartë vazhdimësinë e bashkëjetesës së pellazgëve, krahas helenëve, për gjatë disa shekujve, duke nisur nga periudha e Tebës dhe  orakullit të Dodonës e deri në kohën e Luftës Greko-Persiane. Ky është një mësim që nxjerrim nga Herodoti se si rrjedhojë edhe arvanitasit e e periudhës së parë të Mesjetës, po edhe të kohëve  më të vona janë vazhdim breznish i pararendësve të tyre  pellago-ilire, siç ishin tesprotët..Natyrisht gjatë kohës së Perandorisë Bizantine mund të kenë vajtur edhe valë shtresash të tjera nga krahinat e Arbërisë. Po Sidoqoftë, popullata arvanitase shqipfolëse në trevat helene  prej shekujsh ishte shumë e përhapur, duke filluar nga malete Sulit, Konica, Korfuzi,  e deri tek Paramithia , Arta, Parga,  dhe më tutje si në More, Spartë dhe Athinë, ku është dhe lagjja me emrin “Plaka”. Kjo hartë shqipfolëse e përhapur në tërë Heladen dhe Morenë, e bën patriotin e shquar  arvanitas,  Aristidh Kolias, të deklaronte në veprën e tij se “Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri 90 përqind e heronjëve të Pavarësise së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po sq sa greqishtja, sa që u propozua të flitej në dy gjuhë, po që shpejtë u ndalua”[6] Kur flet kështu Aristidh Kolias ka para sysh shumë heronj arvanitas, të cilët derdhën gjakun  dhe ranë deshmorë për lirinë dhë pavarësinë e Greisë më 1821 siç janë  Kiço Xhavella, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Laskarina Bubulina, Kostandin Kanari,  Andrea Miauli , Teodor Griva e shumë e shumë të tjerë.

Po deklarim i patriotit arvanitas A.Kolias është shumë vëllazëror dhe mirëdashës kur vazhdon të thotë: Bashkëjetesa në shekuj dhe rrënjët pellazgjike, si popuj më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin të afërt, më të afërt se çdo popull tjetër ne  përqark, prandaj të lëmë luftrat dhe  të shohim miqësinë dhe perparimin[7]

Detaje dhe gjurmë nga jeta e ilirëve do të gjenden në disa kapituj të veprës së Herodotit, si për sjhembull në rastin e zakonit të martesës me para.  Një herë në vit të gjitha vajzat për martesë mblidhen në një vend të caktuar. Një kasnec i ngre vajzat një nga një për t’i vënë në shitje. Zakonisht nisin nga vajza më tërheqëse. Vajzat blihen nga djemtë jo për t’u bërë skllave, por për martesë. Për këtë  rast Herodoti shkruan: më i arsyeshmi për mendimin tim është ky  zakon që vijon, të cilin e kanë, siç e kam dëgjuar, edhe fisi i enetëve ilirë,( f.96)  . Duhet të shenojmë me këtë rast se zakoni që u jepej pare vajzave, me të cilat lidhej martesa, ishte i gjallë në Shqipëri deri në mes të shekullit të kaluar; sasija e parave, në viset shqiptare, bëhej me marrëveshje midis palëve, dhe quhej argëllëk.Një gjurmë tjetër e pranisë ilire gjendet në librin e tetë  të veprës, ku lexojmë këto fjalë: Nga Argosi ishin arratisur në tokën e Ilirisë tre vëllezër, pasardhës të Temenit….Nga Iliria [8]ata kaluan në Maqedoninë e Epërme dhe mbrritën në qytetin Lebea, ku u pajtuan kundrejt një pagese, në shërbim të mbretit.

 Ndërsa në librin e nëntë, duke  pasur parasysh një vendim të  një komandanti Persian, Mardonit, që synonte të bënte një sulm, duke qenë i mbështetur te profecia e një orakulli, Herodoti  e komenton  ate profeci, duke thënë:

Por me sa di unë, kjo thënie e orakullit që, sipas  fjalëve të Mardonit, kishte të bënte me persianët, u përkiste ilirianëve dhe ushtrisë së enkeleasve dhe jo persianëve. (f.523)

Mjaftë interes paraqet edhe një rrëfim i Herodotit, që lidhet me një subjek nga qyteti antik të Apolonisë; rrëfim që ka në qendër bariun Evenis.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë në Platea dhe po bëheshi përgatitje për shpeditë detare në Jon.  Ushtria helene komandohej nga Leutikidi dhe  persianët nga  Mardoni. Me këtë rast  helenët  bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon të birit të Evenisit nga Apolonia.

Babait të këtij, Evensit, shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e rrëfej :                                                                                                Në Apoloni ka një  grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit[9] që rrjedh nga mali Lakmon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjedhin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli[10].  Delet e kalojnë natën në një guvë që është disi lasrg qytetit. Këtu ky Evenisi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek i ruante dhe ujqërit hynë në guvë dhe i shqyen rreth  60 dele. Kur u zgjua, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin  dënuar pa të drejtë Evensin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; ato do të vazhdonin të hakmerreshin  derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Evensit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e tij; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) si edhe kishin një shtëpi, që ishte më e bukura e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Evensi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që ia kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Banorët e Apolonisë, sidoqoftë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpinë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj u bë njeri i famshëm. (f.540)

Pikërisht të birin e këtij Evenusi, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.(f.541)

 

 

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit  për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia  qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen se pranë saj atëherë, ndodhej një orakull. Po të kemi para sysh faktin se të birin e Eveniusit, orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e  tyre kundër persianëve, ky orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës.

Me të drejtë historianët vendin e këtij orakulli e gjejnë në  fshatin Frakull; e kanë këtë ide nisur nga evoluimi fonetik  zanores “O” në consonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,    Vrakull,   Frakaull.

Ka dhe historianë që orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që diltge nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij  për të rrëfyer parashikimet.

Kështu, nisur nga këto dy ide të historianëve që e lokalizojnë orakullin në Frakull dhe se pranë orakiullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit që rrjedh nga mali Lakmon përmes  territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë  portit të Orikut” (f. 540).

 

 

Deduksioni i parë që nxjerim është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë,  mbase tetë kilometra larg, siç është konkretisht distance  midis Pojanit dhe Frakullës sot.

Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në perëndim në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm.

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botë së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellagjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë kombëtare.

Dhe ndërkaq, më së fund duhet theksuar, se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz  dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceron”[11]

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Herodoti,  Historitë,   Botimet IDK,Tiranë, f. 79

[2] Prof. A. Mishulin, Histori e Kohës së Vjetër, Tirane, 1950, f.50

[3] Teba ishte qytet i lashtë i Heladës, i kohës së bronxit, në krahinënën e Beotisë, qe konkuronte me Mikenënë

[4] Hekateu ka qenë historian Helen i kohës së Herodotit nga Miletus

[5] Herodoti,  Historitë, f.380

[6] Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias, Boston, 2005. f.32

[7] K.Traboini, po atje

[8] Kemi të bëjmë me territor që i korespondon Shqiperisë së sotme lindore; kurse qyteti Argos i përmendur këtu, duhe të jetë nje qytet i vogël maqedonas dhe jo Argosi i Peloponezit.

[9] Merret me ment se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[10] Historianët janë të mendimit se ky orakull i Apolonisë do ta ketë pasur vend ndodhjen në fshatin e sotëm Frakull, mbase duke parë mundësinë e evoluimit  fonetik të  zanores “O” në konsonanten buzoro-dhëmbore “V,” për të kaluar pastaj tek konsonatja tjetër analoge, “F”, pra nga Orakuull, Vrakull dhe më në fund  Frakull

 

 

 

 

 

 

 

[11] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK  f.13

Filed Under: Histori Tagged With: Aristotle Mici, HERODOTI, Meditime historike rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT