


Intervistoi: Sokol Paja/
1. Zonja Xhemali si lindi projekti “Biblioteka e Megit”? Cilët ishin mbështetësit, bashkëpunëtorët, si u bë realizimi i ptojektit kulturor?
1. Pasi u bëra nënë, kalova një periudhë shumë të vështirë depresioni pas lindjes. Për ta nxjerrë veten nga ajo gjendje, fillova të lexoja shumë libra. Vetëm vitin e parë lexova 53 libra dhe ata libra më ndihmuan jashtë mase. Një ditë po dëgjoja një vajzë, Leolida Xhufi, drejtuese e Pink Movement, që fliste për libra dhe mendova: “Nëse këta libra po më ndihmojnë mua kaq shumë, pse të mos ndihmojnë edhe vajza të tjera?” I dërgova lekë për të blerë disa libra që më kishin frymëzuar shumë, me idenë që t’i falnim.
Por ajo më tha diçka që më ndryshoi mendimin: “Nëse i falim 10 libra, ndihmojmë 10 persona. Nëse i huazojmë, mund të ndihmojmë qindra.” Dhe kështu lindi ideja.
Fillimisht, librat shpërndaheshin nga bagazhi i një Smart-i dhe Leolida e shpalli “Biblioteka e Megit”. Unë dhe shoqja ime, Saranda Haxhijaj, ishim disa nëna të reja, me fëmijët në krah, duke mbledhur libra dhe duke i çuar atje ku kishte nevojë.
Më pas, fjala u përhap në komunitet. Gra që punonin në shkolla na telefononin sepse shkollat po zëvendësonin fondet e librave. Silva Foto na ndihmoi të mblidhnim shumicën, rreth 3000 libra. Këta ishin libra shumë të mirë — histori, matematikë, informatikë, Shakespeare. Pastaj nisëm edhe me mjete shkollore. Shkonim nga një Target te tjetri, nga një Walmart te tjetri, duke blerë crayons, fletore e lapsa. Edhe nëna të tjera të komunitetit ndihmonin me aq sa kishin mundësi.
Kjo nismë është falë grave shqiptare, nënave tona që bëjnë sakrifica në heshtje. Një nga momentet që më ka prekur më shumë ishte kur një djalë i vogël pa crayons dhe pyeti nëse mund të merrte vetëm një. Zgjodhi ngjyrën blu dhe u gëzua jashtë mase vetëm për atë. Aty kuptova sa shumë vlerë mund të ketë një gjë e vogël për një fëmijë. Dërgimi i librave ishte falë Burim Fides, që na përkrahu dhe na ndihmoi për t’i nisur.
2. “Perk Up Coffee House” apo “Kafja e Grave” si e quani, çfarë ka sjellë në komunitet si ide biznesi dhe nismë sociale?
2. Perk Up Coffee House lindi sepse unë dhe motra ime, Dorina Dashi, gjithmonë kemi dashur një kafene që të ishte edhe për ne. Një hapësirë e sigurt për të shkëmbyer ide, për t’u takuar, për të ndarë libra, për të promovuar njëra-tjetrën, për të organizuar pop-ups dhe për të krijuar komunitet. Diku ku mund t’i sillnin edhe fëmijët.
Të dyja jemi nëna dhe kishim nevojë për një vend ku fëmijët janë të mirëpritur. Më pëlqen të bëj shaka dhe ta quaj “Kafja e Grave”, por në të vërtetë është një kafene familjare. Është një vend ku festohet familja dhe ku mundohemi të krijojmë një ambient që bëhet si ngjitës për familjet — një vend ku mund të vish si familje, ku takon familje të tjera ose njerëz që ende besojnë te struktura familjare dhe te komuniteti. Ne nuk jemi krijuar për të jetuar vetëm, për të punuar vetëm apo për t’i kaluar sfidat vetëm. Jemi krijuar për të qenë bashkë dhe për të punuar bashkë që të ecim përpara.
3. Si lindi projekti për muralen e Rozafës në Statën Island? Pse e zgjodhët dhe cila është historia?
3. Ditën e parë që pashë atë mur vetëm me flamurin amerikan, mendova me vete: “Si ka mundësi që një dyqan shqiptar, i mbajtur gjallë me djersë shqiptare për dekada, të mos ketë asnjë gjurmë të vetën në mur?” Kjo është pronë shqiptare. Kanë kaluar breza shqiptarësh aty. Është mbajtur hapur me punë, sakrificë dhe shumë net pa gjumë. Dhe unë ndjeva që ai mur kishte nevojë të tregonte edhe historinë tonë.
Për dy vite e mbajta atë ide brenda vetes, derisa një ditë nuk e mbajta më. I kërkova leje familjes Çela — dhe jam shumë mirënjohëse që ma besuan atë mur.
Fillimisht nisi me Rozafën. Kur artisti italian pa figurën e saj, më tha: “Kjo nuk është thjesht pikturë. Kjo është histori.” Dhe dita-ditës e shikoja Rozafën duke marrë formë. Sa më shumë formohej ajo, aq më shumë më merrte malli për Shkodrën.
Pastaj vendosëm edhe flamurin shqiptar pranë atij amerikan. Dhe aty pati reagime. Disa njerëz menduan se po hiqnim flamurin amerikan. Por jo — ne nuk po zëvendësonim asgjë. Ne thjesht po i jepnim vetes leje të ekzistonim edhe vizualisht.
Ne jemi shqiptaro-amerikanë. Respektojmë flamurin amerikan, sepse kjo është shtëpia jonë. Por respektojmë edhe rrënjët tona, kulturën tonë dhe sakrificën e familjeve tona. Unë kam ardhur këtu në vitin 1996, por stërgjyshi im ka ardhur në Amerikë në vitin 1913. Historia jonë këtu është e vjetër. Është reale.
Dhe ishte shumë e rëndësishme për mua që fëmijët shqiptarë në dy shkollat përballë, apo çdo shqiptar që kalon aty çdo ditë, ta shikojë atë mur dhe të ndiejë: “Edhe unë përkas këtu.”
Sepse Rozafa, për mua, nuk është vetëm legjendë. Rozafa është çdo nënë që sakrifikon qetësinë e saj për t’u dhënë fëmijëve një jetë më të mirë. Rozafa jam unë, duke mbyllur dyqanin natën me fëmijët në krah dhe duke e hapur prapë në mëngjes. Rozafa është sakrifica jonë për të ardhmen.
Muralja u hap një ditë para ditëlindjes sime dhe për mua ishte një rikujtim: të mos e jetojmë jetën bosh. Të mos presim gjithmonë nga të tjerët për të bërë diçka. Sepse ndonjëherë një murale, një libër apo edhe një ide e vogël… mund ta bëjë dikë të ndihet se përket.
4. Për çfarë ka më shumë nevojë komuniteti ynë në aspektin social Megi? Cilat janë sfidat me të cilat ndeshemi çdo ditë?
4. Mendoj se komuniteti ynë shqiptar ka nevojë të flasë më hapur për sfidat reale që po kalojnë familjet tona. Duhet të flasim për autizmin, shëndetin mendor, problemet shëndetësore dhe vështirësitë që shumë prindër përjetojnë çdo ditë. Nuk duhet të kemi turp nga këto tema — përkundrazi, duhet të krijojmë më shumë mirëkuptim dhe mbështetje për njëri-tjetrin.
Një tjetër nevojë shumë e madhe është mungesa e programeve verore dhe aktiviteteve për fëmijët tanë. Ne kemi shumë shoqata shqiptare në New York dhe besoj se ato mund të bëjnë edhe më shumë në nivel praktik për familjet. Për shembull, mësuesit shqiptarë, të cilët gjatë verës kanë më shumë kohë të lirë, mund të organizojnë programe edukative, kulturore ose sportive për fëmijët në bashkëpunim me shoqatat tona. Gjithashtu, nxënësit e shkollave të mesme që kanë nevojë për orë vullnetare mund të përfshihen si ndihmës. Kështu krijohet një zinxhir ndihme dhe bashkëpunimi brenda komunitetit.
Për mua, kjo është mënyra si mbahet gjallë “Besa-Besë” — jo vetëm me fjalë apo flamuj, por me vepra konkrete, me përkujdesje dhe me mbështetje reale për njerëzit tanë.
5. A keni një falenderim të veçantë dhe dedikim për mbështetjen ndaj nismave tuaja?
5. Dua të falënderoj çdo person që kontribuon me zemër për komunitetin shqiptar, sepse çdo ndihmë, çdo këshillë dhe çdo mbështetje ka vlerë. Shpresoj që përmes më shumë bashkëpunimi, respekti dhe uniteti, të ndërtojmë një komunitet edhe më të fortë për brezat që vijnë. Mendoj gjithashtu se komuniteti ynë duhet të flasë më hapur edhe për sfidat që po kalojnë të rinjtë dhe familjet e reja sot. Bota ka ndryshuar shumë dhe shpesh ekziston një hendek mes pritshmërive tradicionale dhe realitetit modern që jetojnë burrat dhe gratë e brezit tonë. Kjo ka krijuar vështirësi në komunikim, partneritet dhe krijimin e familjeve të shëndetshme.
Ndoshta kemi nevojë për më shumë dialog, mirëkuptim dhe mbështetje reciproke — jo për të fajësuar njëri-tjetrin, por për të kuptuar më mirë sfidat që secili po përjeton në këtë kohë.
Fundimisht, besoj se forca e një komuniteti nuk matet vetëm me sukseset që tregon, por me mënyrën si kujdeset për njerëzit e vet. Nëse mbështesim familjet, fëmijët, të rinjtë dhe njëri-tjetrin me më shumë mirëkuptim e bashkëpunim, atëherë po ndërtojmë diçka që ka vërtet vlerë për brezat që vijnë. Shpresoj që komuniteti ynë të vazhdojë të ecë përpara me më shumë unitet, më shumë vepra konkrete dhe me frymën e vërtetë të “Besa-Besë” — jo vetëm në fjalë, por në jetën e përditshme.